Saturday, March 21, 2026

Shqiptarët, këta mjeshtra të menaxhimit të kaosit



Nga Leonard Veizi
 
Na ka dalë nami se jemi popull i padisplinuar dhe se në thelbin tonë, më shumë se rregulli, na josh kaosi. Dhe ky nam nuk është pa gjë. Ne që jetojmë në Shqipëri e kuptojmë këtë sapo dalim në pragun e shtëpisë, por po aq shpejt e kuptojnë edhe ata që jetojnë jashtë. Sa kohë janë në Perëndim, ku ligji nuk të pyet për origjinën, tanët rrinë "sus". Por mjafton të vënë këmbën në tokën amë, të ndiejnë aromën e habitatit të tyre natyror, dhe menjëherë "i japin gazit në dërrasë", duke u rikthyer në versionin origjinal. Siç thotë edhe populli: "Më mirë të të dalë syri, sesa nami".
Megjithatë, ky kaos nuk është thjesht rrëmujë; është një ambient pune. Shqiptarët jo vetëm që punojnë në kaos, por kanë arritur ta zbutin e ta menaxhojnë atë. Kur rregullat mungojnë, shqiptari nuk bllokohet – përkundrazi, ai aktivizohet. Është një mjeshtëri që nuk lindi nga dëshira për anarki, por nga domosdoshmëria për mbijetesë. Në një shoqëri ku plani afatgjatë konsiderohet luks, ne kemi mësuar të mendojmë shpejt, të reagojmë në çast dhe të krijojmë mundësi aty ku të tjerët shohin vetëm fundin e rrugës.
Kjo natyrë "kaotike" është e dukshme në çdo qelizë të jetës sonë, përfshirë politikën. Ndryshimet e rrufeshme të ligjeve, tensionet institucionale dhe mungesa e një kulture dialogu nuk e ndalin popullin; përkundrazi, e bëjnë atë më të shkathët. Shqiptari i zakonshëm ka zhvilluar "radarë" të sofistikuar për të kuptuar se kur duhet të veprojë, kur duhet të tërhiqet dhe kur duhet të shpikë një rrugë anësore për të mbërritur te qëllimi. Këtu tek ne, ligji shpesh mbetet një çështje interpretimi, ndërsa rregulli – një përjashtim i rrallë.
E njëjta gjë ndodh në ekonominë tonë "sui generis". Mijëra shqiptarë ngrenë biznese, punësojnë të tjerë dhe mbijetojnë përmes një sistemi informal që funksionon në mënyrë të çuditshme, por efikase. Në mungesë të mbështetjes sistematike, shqiptari shpik vetveten: një punishte në katin e parë, një shërbim që ofrohet "me fjalë goje", një marrëveshje e heshtur mes fqinjësh për të bërë atë që "nuk është me letra", por që në fund të ditës prodhon bukën e gojës.
Edhe në emigrim, ky instinkt i punës në kushte presioni e ka ndihmuar shqiptarin të adaptohet me shpejtësi marramendëse. Nga Italia në SHBA, nga Greqia në Gjermani, ai gjen hapësira, ndërton rrjete dhe krijon jetë aty ku të tjerët presin udhëzimet e sistemit. Kaosi i fillimit – gjuha e huaj, ligjet e panjohura, mjedisi i ri – nuk e tremb, sepse ai vjen nga një terren i ngjashëm. Ai nuk pret që çdo gjë të jetë në vendin e vet për të nisur udhëtimin; ai niset dhe e ndërton rrugën duke ecur.
Në fund të fundit, kjo marrëdhënie intime me kaosin nuk është thjesht dëshmi mbijetese, por një formë e lartë e inteligjencës sociale. Për ne, kaosi nuk ka qenë vetëm sfidë, por mësuesi më i madh. Dhe shqiptari, ky nxënës i përhershëm i rrëmujës, vazhdon të ecë përpara – jo përkundër kaosit, por falë aftësisë gjeniale për ta bërë atë terrenin e tij të zakonshëm.

No comments:

Post a Comment