Showing posts with label Portret. Show all posts
Showing posts with label Portret. Show all posts

Wednesday, January 6, 2021

Sandër Prosi, vdekja tragjike e aktorit brilant

Në 35 vite jetë artistike interpretoi më shumë se 100 role 30 prej të cilave në kinema
 

Nga Leonard Veizi
 
Vdekja e tij ishte tragjike, por përditshmëria në të gjallë kishte aq shumë intensitet, ndërsa jetonte jetën e vet dhe atë të personazheve të tij...
 
...Në rrugët e Tiranës ai dukej po aq fisnik e madhështor sa dhe imazhi i doktor Borovës apo i dhaskal Todrit të cilat i pat “gdhendur” me aq mjeshtëri. Por në kujtesën time të hershme qenien e tij prej artisti e kam fiksuar me një llullë në gojë po aq sa dhe profesor Mirushi tek “Dora e ngrohtë”, e pak flokë të gjata sa më kujtonte daj Vranën tek “Yjet e netëve të gjata”. Ndërsa po aq imazhi i tij hijerëndë të linte mbresën e një burri të fortë, ashtu si dhe i mahnitshmi Jaho Labi, që luhej nga i njëjti njeri, nën të njëjtën lëkurë. Dhe padyshim nëse do të përmendet emri i tij si aktor, ai do të lidhej rrufeshëm me atë të Ismail Qemalit, personazhit historik që i dha aq shumë vërtetësi në një interpretim të jashtëzakonshëm. Por jo më pak qenësia e tij aktruese lidhet menjëherë me një tjetër personazh emblematik gjithashtu, me atë të gjeneralit të “ushtrisë së vdekur”, të cilit i dha aq shumë elegancë:
-“Vërtet je kaq e lehtë Beti, apo më duket mua kështu nga lumturia. Sa e lehtë që je ti Beti... Ndërsa tani ti je vetë më i lehti i njerëzve në botë, 3-4 kg, jo më shumë”.
Ky ishte Sandër Prosi... Dhe vazhdon të jetë, gjithashtu... Sepse ka mbetur në memorien kolektive dhe në pelikulën e filmit.
Si aktor brilant që interpretoi në skenën e teatrit shqiptar dhe në sheshxhirime, ai do të linte pas një mori personazhesh të cilët vazhdojmë t’i kemi në ekran. Statistikat thotë se ka interpretuar më shumë se 100 role. Galeria e personazheve të tij është e thellë dhe e gjatë. Por përsëri kjo mbetet një statistikë. Sepse në realitet do t’i mjaftonte vetëm një prej tyre me të cilin do të identifikohej. Dhe për këtë mund t’i mjaftonte Sefedini:
-“O popull sa shumë gjëra bëhen nën emrin tënd, biles edhe naltmadhnija flet nën emrin tënd...”
Ndërsa ai ka shumë më tepër se kaq.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se u lind në Shkodër më 6 janar 1920. Familja e tij u shpërngul drejt Tiranës kur qe 14 vjeç. Në vitin 1938, pas mbarimit të gjimnazit, përfitoi një bursë, për të studiuar në një nga universitetet e Vjenës. Për dy vite studioi stomatologji dhe pas pushtimit italian të Shqipërisë bursa iu ndërpre. Në vitet 1942-‘43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, që kishin mbaruar të njëjtën shkollë, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës.
Më 1947 fiton konkursin pranë Teatrit Popullor. Prej këtej filloi veprimtaria e tij artistike.
Për herë të parë luante në vitin 1948 tek komedia "Prefekti" të Besim Levonjës. Më pas do të vazhdonte në teatër me role tek "Cuca e maleve", "Orët e Kremlinit", "Hamleti", "Fytyra e dytë", "Doktori pacient", "Otello", "Makbethi", "Epoka para gjyqit", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Familja e peshkatarit", "Çatia e të gjithëve", "Revizori", "14 vjeç dhëndër", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Rrënjët e thella", "Xhaxha Vanja" etj.
Krijoi dhjetëra role në veprat e autorëve shqiptarë si Andon Zako Çajupi, Kol Jakova, Besim Levonja, Loni Papa, Ismail Kadare, Teodor Laço, Ruzhdi Pulaha, Dritëro Agolli, Dhimitër Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj. Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role që kanë hyrë në fondin e artë të kinematografisë shqiptare.
Pas vitit 1961, ku interpretoi në filmin "Debatik", rolet i takojnë kinematografisë me: "Detyrë e posaçme", "Vitet e para", "Horizonte të hapura"...
-“Aspirinë?! Hajd ta marrësh në bigë”, - do të ishte një nga batutat e tij në rolin e kapitenin të bigës lundruese.
Dhe Sandër Prosi do të vazhdonte me filmat e tjerë: "Plagë të vjetra", "Guximtarët", "Gjurma", "I teti në Bronz", "Mëngjese lufte", "Yjet e netëve të gjata", "Shtigje lufte", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Në fillim të verës"...
-“Ik or tutje, breshkave u dhamë ne ujë, më njëzetën. Dhe ç’ujë pa, tërë detin... Do hosten bualli, jo pickima pleshti.”
Ky ishte Jaho Labi. Por më pas do të vinin rolet e tjera për të në filmat: "Përballimi", "Fijet që priten", "Njeriu me top", "Gjeneral Gramafoni", "Udha e shkronjave", "Yje mbi Drin", "Vajzat me kordele të kuqe"...
-“E ka fajin 7 prilli o Resul. Mos e harro dhe Selam Musanë me shokë.”
Dhe ky ishte Safeti, babai i Dhuratës.
Odiseja e filmave do të vazhdonte me: "Plumba perandorit", "Plaku dhe hasmi", "Qortimet e vjeshtës", "Nëntori i dytë", "Dora e ngrohtë", "Kush vdes në këmbë"...
-“Afrohu dele e perëndisë, afrohu. Ke qenë në Kostur ti Sofi? Do ti them babait të të marrë me vete kur të që ti lutesh Shën Mërisë të të plotësojë çdo dëshirë”
Ndërsa ky ishte dhespoti që shkishëroi Petro Nini Luarasin e gjuhës shqipe.
Pikërisht e gjithë kjo galeri rolesh, përvoja e 35 viteve jetë artistike, në krijimin e më shumë se 100 personazheve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, krijuan dhe shkollën shqiptare të aktrimit.
Miqtë e kolegët e tij janë shprehur se Sandri ndihej në një lloj persekutimi, ndoshta për shkak të goditjes që iu bënë shumë intelektualëve që kishin studiuar në perëndim. Punonte nën presion. Disa nga rolet që i dhanë e impresionuan negativisht, por kishte dhe njerëz të tjerë që nuk ia donin të mirën dhe ndikonin keq në jetën e tij. Të gjitha këto probleme psikike iu rënduan.
Kështu më 25 mars 1985, Sandër Prosi vetëvritet, ndërsa ishte tek hotel Vollga në Durrës, me xhirimet e filmit "Pranverë e hidhur", të regjisorit Muharrem Fejzo.
Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit skenik e kinematografik Sandër Prosi është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes, Presidenti i Republikës nderoi Sandër Prosin me Urdhrin "Nderi i Kombit". Në 24 shkurt 2017, Sandër Prosi u nderua me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" pas vdekjes.

Sunday, November 29, 2020

Vasillaq Vangjeli, aktori i madh me diapazonin tragji-komik

100 role në teatër, kinematografi dhe estradë përgjatë 45 viteve karrierë
 


Nga Leonard Veizi
 
Ai ishte aktor shumë dimensionalësh. Zotëronte batutën e humorit dhe dinte të ishte po aq dramatik. Por dhe nëse di t’i besohej ndonjë rol tragjik, sigurisht si do të përdorte të gjithë arsenalin e tij për t’u futur i gjithi nën lëkurën e personazhit. Po aq njihej për zërin e tij të intonuar dhe veshin muzikor. E megjithëtë, duke qenë se ishte aktor i Estradës së Tiranës, Vasillaq Vangjeli, më së shumti është kujtuar si aktor i karakterit komik. E në këtë zhanër veç dhjetra batutave të tij që qarkullojnë ende për të simbolizuar situatat të caktuara, ai mbahet mënd një një parodist i jashtëzakonshëm interpretimin e të cilave i shoqëronte duke i rënë vetë fizarmonikës...
 
...Vasillaq Vangjeli u lind në 19 shkurt 1948. Nuk i kishte mbushur 64 vite kur u  nda nga jeta më 26 shtator 2011. Dhe në një moshë të tillë për çdo aktor thuhet se është në kulmin e pjekurisë. Vasillaq Vangjeli nuk e pati fatin të ecte më tej për të na treguar më shumë vlera në krijimin e personazheve të rinj. E megjithëse iku tepër shpejt, në 45 vitet e jetës së tij skenike, Vasillaq Vangjeli ka luajtur mbi 100 role të ndryshme. Dhe këto të shpërndara në teatër, kinema dhe estradë.


 
Studimet
Ajo çfarë ishte më e çuditshmja në jetën e tij studentore kishte të bënte me faktin se për artin Vasillaq Vangjeli do të linte në mes studimet e tij për mjekësi. Në vitet 1973-1975 do të ndiqte Institutin e Lartë të Arteve për aktrim. Roli i tij i parë në Teatrin Popullor ka qenë roli i një shoferi te drama "Lezia". Ishte një dramë e Kiço Blushit me regji të Piro Manit, ku flitej për një femër që vazhdonte kursin e shoferëve dhe problematikat që shfaqte kjo iniciative për kohën. Pasi bëri një vit stazh në Teatrin Popullor, e emëruan aktor të Estradë së Shtetit.
 
Estrada

Bashkëkohësit e tij kujtojnë se fillimet e tij në Estradë nuk ishin fort produktive, punonte pa dëshirë, pa ndonjë vëmendje të madhe madje dhe bënte mungesa në punë. Por më pas u lidh aq shumë me estradën, saqë skena e saj u bë vendi ku shpërfaqi me të gjitha energjitë krijuese talentin dhe vlerat etike. Do të ishte pjesë e Estradës së Shtetit apo Estradës së Tiranës, siç njihej ndryshe nga viti 1976 deri më 1 prill 2005, duke luajtur pothuaj në të gjitha premierat. Parodisti me shumë sqimë kulturore në Estradën e Shtetit, kur ajo jepte deri në 280 çfaqe në vit dhe Vaso ishte pjesë e rendësishme e saj si aktor dhe regjisor.
 
Kinemaja

Prurjet e Vasillaq Vangjelit në Kinematografi janë të shumta dhe cilësore, duke filluar nga “Tokë e përgjakur”, “Zonja nga Qyteti”, “Ëndërr për një karrike”, “Dasma e shtyrë”, “Rrethimi i vogël”, etj., Kush nuk e kujton batutën e tij në rolin e Koçit tek filmin “Zonja nga Qyteti”:  “Unë jam ai, vij nga qyteti posaçërisht për ju. Vij nga seksioni i Sofkës”.
Dhe më pas vjen një tjetër rol. Si i dënuar me vdekje, Nebil Kaçaj, tek filmi Radiostacioni do të shkëmbente këto pak fjalë me shkrimtarin Adrian i njohur si neutral. “Ti e di se si më quajnë mua ata: kolaboracionist. Nuk kam kohë të dergjem i pushkatuar me brinjët plot plumba në ndonjë kalldrëm. Ke dëgjuar për terrorin e kuq: Terreur rouge, terreur blanche”. Roli i Vasillaq Vangjelit në rolin e kolaboracionistit Nebil është episodik, por fuqia e interpretimit tepër dramatike.
Dhe po aq dramatik ishte Vasillaq Vangjeli në rorin e një oficeri të fashos tek filmi “Lulëkuqet mbi mure” ku ka lëshuar batutën që u bë aq e njohur për publikun: “Kush dëgjoi krisma, ti.., ti.., ti?”
Dhe po aq batuta të spikatura ai ka tek filmi “Gjuetia e fundit”: “Nuk di ta tundë dybekun kjo mor Sillo, joooo. Sillma t’ia mësoj unë”.
 
45 vjet në skenë

Aktor tragjik-komik me cilësi të mëdha artistike, me intuitë të hollë e spontanitet të admirueshëm Vasillaq Vangjeli pati një jetë skenike prej rreth 45 vitesh.
Vasillaq Vangjeli mbetet një nga aktorët më të spikatur të humorit shqiptar. Ndërkohë ai ishte po aq një aktor i shkëlqyer i dramës, i cilië nuk arriti ta shpërfaqte tërësisht fuqinë e tij në këtë zhanër. Ndërkohë që rruga e tij ai aktor i mirëfilltë dramatik mendohej se do të niste menjëherë pas përfundimit të Institutit të Lart ëtë Arteve, ku diplomën e mbrojti me rolin e Jonuz Brugës tek drama “Familja e peshkatarit”.  
 
Vlerësimet

Vasillaq Vangjeli është vlerësuar me Medaljen “Naim Frashëri” në vitin 1983, me Dekretin 6782, me motivacionin: “Është dalluar për luajtjen e roleve në teatër, film dhe estradë, duke krijuar figura artistike realiste me nivel të mirë.”
Ai është vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtri i Madh”, pas vdekjes, me dekretin 1043 datë 12.06. 2017 të Presidentit të Republikës, me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë shtetërore dhe vlerësim të merituar për interpretimet e tij mbresëlënëse si aktor i rrallë dhe mjaft original, duke mbetur i gdhëndur në kujtesën vlerësuese të publikut artdashës shqiptar.”
 


Filmografia
 
Para nga qielli (2009)
Piruet (2005)
Oreksi i madh (1995)
Dashi pa brirë (1993)
Gjuetia e fundit (1992)
Mirela (telekomedi) - (1988)
Kur ndahesh nga shokët (1986)
Rrethimi i vogël (1986)
Shoku ynë Tili (1981)
Yjet mbi Drin (1979)
Ne vinim nga lufta (1979)
Zonja nga qyteti (1976)
Tokë e përgjakur (1976)
Pylli i lirisë (1976)
Radiostacioni (1979)
Lulekuqet mbi mure (1976)


Tuesday, November 24, 2020

Ikja e Muharrem Fejzos, regjisorit të madh të “Mësonjëtores”

 

Nga Leonard Veizi
 
Muharrem Fejzo është nga ikonat e kinemasë shqiptare. Jo pse ai ishte bashkëregjisor në filmin emblemë “Kapedani”, por sepse ai i dhuroi teleshikuesit shqiptar një prej filmave më të mirë të prodhuara nga Kinostudio “Shqipëria e re”: Mësonjëtorja.
Elegant, i veshur me sqimë, me kapelë në kokë e flokë të thinjur që i mbulonin qafën, Muharrem Fejzo do të ishte i pranishëm në vazhdimësi gjatë aktiviteteve kulturore që organizoheshin në Tiranë, herë në prezantime filmash e herë në promovime librash. Sepse ai i njihte mirë të dy gjinitë, si kinemanë po aq edhe letërsinë.
Por tanimë ai nuk është mes të gjallëve. Virusi Covid e mundi dhe regjisorin e njohur të kinemasë, në moshën 87-vjeçare. Por mosha për njerëzit vitalë, ata që punojnë çdo ditë dhe kanë nëpër duar punët e së ardhmes nuk ka kurrfarë rëndësie. Muharrem Fejzo ishte pikërisht nga ky lloj artistësh. Vazhdimisht pikturonte e shkruante. Në moshë të shtyrë, por nuk mund të thuash se kishte aq kohë sa mund të qëndronte në kolltukun e tij për të ndjekur programin e preferuar në televizor. Në punën e tij të parealizuar si kineast mund të numërosh shumë tituj. Dhe shumë projekte të tij tanimë nuk do të marrin jetë: të paktën jo nga dora e tij.
Lajmin për ikjen e regjisorit të njohur e ka bërë djali i tij, kantautori Joe Ardit Fejzo i cili në rrjetin social Facebook ka shkruar: “Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e s’të dhashë dot një gotë ujë, nuk meriton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”.
Dhe sot, për shansin e keq, qoftë dhe të një artisti me emër, gjithçka grupohet në ngushëllime virtuale. Sepse në varrim nuk mund të marrin pjesë veç të afërmit. Madje dhe ata nuk duhet ta kalojnë shifrën e 10 personave. Dhe kjo është shumë më pak se një shtrëngim duarsh, rrahje shpatullash dhe kthimi i kujtimeve për një të vdekur nëpërmjet një fryme të gjallë.
Kohë e tmerrshme. Kohë lufte. Madje më e keqe edhe se Lufta e Dytë Botërore, ku fishkëllenin plumbat e shpërthenin bombat. Sepse një njeri që ka punuar e jetuar me dinjitet, i duhet dhe një pasvdekje me dinjitet. 
Në jetëshkrimin zyrtar thuhet se Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Dhe ashtu si kushdo tjetër, e nisi rrugën e artit nga asgjëja. Por jeta e tij profesionale ishte me një aktivitet të dendur, ku ai ka shkruar drama e skenarë filmash, ka pikturuar dhe krijuar vepra në skulpturë, ka aktruar dhe ka qenë mbreti i sheshit të xhirimit.
Në vitin 1954, përfundon Liceun Artistik ku diplomohet si skulptor. Po atë vit punon për skenografitë e operave “Rusallka”, “Ivan Suzanin”, “Nusja e shitur”. Merr pjesë në ekspozitën kombëtare të arteve figurative. Një vit më pas realizon bustin e heroinës “Zonja Çure”, Vlorë.
Në vitin 1958 punon si piktor-grimior në Kinostudio. Hap për herë të parë repartin e grimit 1959. Specializohet në plastikë grimi në MOSFILM.
Ndërsa në vitin 1966, diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve në degën e aktrimit. Në vitin 1970 titullohet regjisor.
Muharrem Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, "Prita" të Mithat Fagut, një prodhim i vitit 1968 dhe "Njësiti Guerril" i Hysen Hakanit që u prodhua në vitin 1969. Ndërsa në vitin 1970 do të realizonte si regjisor filmin "Montatorja". Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi realizoi filmin "Kapedani", komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.
-“Beqo..., që sot e tutje ke të bësh me familje kryetarësh”.
-“Të lumtë o Sulo!”
Batutat e filmit të prodhuar gati 50 vjet më parë, vazhdojnë të lakohen edhe sot e gjithë ditën, jo vetëm nga brezat më të vjetër, por dhe nga të rinjtë që gjithsesi e kanë ndjekur filmin e jashtëzakonshëm ku interpreton dyshja e aktorëve të mëdhenj, Albert Vëria e Nikolin Xhoja.
Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni "Zjarri" më 1973 dhe "Mësonjëtorja" më 1979.
Filmi “Mësonjëtorja mbetet nga më të vlerësuarit nga shtypi dhe media shqiptare, fitues i 9 çmimeve, e propozuar për Çmimin e Republikës dhe regjisori për “Artist i Merituar”. Pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Valencias. Vlerësuar si “monument i historisë shqiptare”.
Por krijimtaria e Muharrem Fejzos do të vazhdonte edhe me filmat “Guna përmbi tela”, “Fije që priten”, “Pranverë në Gjirokastër”, “Pranverë e Hidhur”, “Binarët”, “Një emër midis njerëzve”.
Filmin e tij të fundit "Muri i gjallë", Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.
Duke parë krijimtarinë e Muharrem Fejzos mund të thuash se pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij ka të bëjë me filma që kanë tematikë historike, dhe shumë më pak ato që kishin të bënin me propagandën. Në këtë mënyrë ato janë filma që mbeten jo vetëm në celuloid, por mund të shfaqen pa frikë në ekranin e televizorit, sepse prej tyre ke çfarë mëson.
Gjithashtu ai ka punuar edhe me filmin dokumentar. Ndërkohë Muharrem Fejzo nuk arriti të vinte në jetë edhe disa filma artistikë dhe dokumentarë, të cilat mbetën të skicuara në dosjet e tij.
Ai mbante titullin “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i madh”.


Sunday, November 15, 2020

Lamtumirë Valter!


Nga Leonard Veizi
 
 “Corona” po na i merr miqtë. Dhe duket se nuk ka mëshirë për askënd. Nuk bën selektime dhe nuk pranon ndërhyrje për falje jete qoftë dhe nëse “preja” e saj është njeri me emër apo influencë aktive. Dhe kjo tregon më së miri, se asgjë nuk ka të bëjë me atë lojën e gogolit për të cilën u pretendua në fillesën e saj. Në mes të një mosbesimi, hera-herës mes mospërfilljesh dhe ironisë bajate, ajo po e zbaton planin e saj të hakmarrjes ndaj botës njerëzore plot shpresë se një ditë do të vendosë gjithçka nën këmbët e saj. Nëse do të mundet, vërtet. E në këtë harlisje mendimesh teorike, strategji veprimesh çoroditëse e përplasjesh mosbesuese a panikosëse jo rrallë herë ajo ka arritur të marrë disa qindra-mijë jetë njerëzore. Valter Gjoni ishte në mes tyre. Gojëmbli, siç e etiketoi kryetari i bashkisë, dhe burri babaxhan, siç mund ta etiketojnë shumë të tjerë...
 

...Për mua ai do të mbetet “Monsieur chevalier”. Sepse në takime të ngushta, unë dhe miq të tjerë i drejtoheshim në këtë mënyrë, ndoshta për t’i dhënë vlerën e duhur një titulli të madh që ai e mbante thjeshtësisht. Sepse në fund të fundit ai ishte Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikës Franceze, akorduar nga presidenti Zhak Shirak.
Në 4 tetor 2020 kishte mbushur 66 vitet e tij. Në jetëshkrimin e tij thuhet se ishte lindur në Tiranë në vitin 1954. Dhe po në Tiranë e pati shkollimin e tij prej klasës së parë deri në vitet e Institutit të Lartë të Arteve. Por shumëkush e di mirë që ai ishte me origjinë nga Boboshtica e Korçës. Dhe kjo e bënte shumë krenar.
Valter Gjoni më të shumtën e kohës së tij bëri punë administrate në Bashkinë e Tiranës, duke filluar si inspektor kulture prej kohës kur institucioni në fjalë cilësohej ende si Komiteti Ekzekutiv. Ndaj, edhe pse i diplomuar në një fakultet aktrimi nuk pati shumë role në skenë dhe për më tepër në kinema. Por gjithsesi, një pjesë e mirë e roleve të tij janë kthyer në episode emblematikë me batuta që mbahen mend për karizmën e tyre: “Zëti im me byrek në dorë. E kam zët po ç’t’i bësh. Imagjino, shkrimtar me byrek në dorë”, është nga batutat e tij epope interpretuar tek filmi “Pesha e kohës”. Për të vazhduar me filmin tjetër “Kur hapen dyert e jetës”, “Bardhyl, ti je hero. Po ky është hero mor Lekë. Pse si i di heronjtë ti, mos kujton se kanë brirë?!”.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Valter Gjonit është bërë i ditur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një status në Facebook, ai shkroi: “Valteri ynë gojëmjaltë e zemërbardhë nuk e mundi dot këtë flamë të pabesë. I shërbeu qytetit tonë me dashuri përditë për 4 dekada, duke lënë sot një boshllëk të pangushëllueshëm për familjen dhe mijëra kolegë e miq që e njohën dhe e deshën si kujtesa historike e Tiranës”.
Lajmi ishte i pabesueshëm, për më tepër në një mëngjes të shtune, të paqtë e plot diell. Por lajmësi nuk gjykohet në asnjë rast. Dhe pse lajmi në vetvete dukej krejt i përçartur. Por padyshim që ishte i vërtetë. Përndryshe nuk kish si ndodhte.
Valter Gjoni kishte një jetë shumë aktive. Mes skenës, filmit, botimeve dhe punës në administratë. Fillimisht nisi punën si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, për të vazhduar më pas në Teatrin Popullor, pranë kinostudios “Shqipëria e Re” dhe Radio Televizionin Shqiptar. Ka luajtur 60 role në teatër, 8 role në kinematografi, si dhe ka realizuar 5 filma dokumentarë. Ai ka çelur rreth 25 ekspozita si dhe ka mbi 10 botime me tematika të ndryshme historike dhe enciklopedike. Mban disa tituj nderi të akorduara brenda dhe jashtë vendit, ku titulli më i lartë është “Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikës Franceze” e cila në origjinal është "Chevalier de l’Ordre National du Mérite", Urdhrin “Naim Frashëri” i Republikës së Shqipërisë dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.
Në një intervistë të thënë për gazetën “Shekulli” dhe të botuar në 18 tetor 2013, pyetjes time se: “Me çfarë motivi presidenti Shirak ju akordoi një medalje të lartë?”, Valter Gjoni iu përgjigj: Për sa i përket vlerësimit tim, ai ka ardhur si rezultat i një punë 10-vjeçare, por sidomos gjatë situatës së luftës në Kosovë, ku të paktën për gjashtë muaj unë bëja jo vetëm punën e përditshme në Bashki, por koordinoja dhe marrëdhëniet me bashkitë e tjera të Francës, të cilat u organizuan seriozisht për të kontribuar në aksionin humanitar të pritjes së refugjatëve që vinin nga Kosova. Francezet ngritën në Shqipëri pesë kampe, dy në Tiranë, një në Ndroq, një në Mullet dhe një në Arapaj të Durrësit. Kështu me të njëjtin dekret të Presidentit Shirak, mua dhe Pjer Kalfas, që ishte drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Bashkinë e Marsejës, na u akordua titulli “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës”.
Në 36 vitet e tij të punës në Bashkinë e Tiranës, ku për herë të parë u emërua si inspektor në janar të vitit 1985, Valter Gjoni ka kaluar pothuaj në të gjitha nivelet e nëpunësit, inspektor, specialist, shef sektori, shef seksioni, drejtor dhe së fundmi këshilltar i kryetarit të Bashkisë. Dhe padyshim, si “gojëmbël” e “zemërbardhë” që ishte ai mundi të punonte me disa drejtues institucioni, të cilët duam apo s’duam ne vinin nga krahë të ndryshëm të politikës.
Kliton Nesturi, Valter Gjoni, Leonard Veizi

Në vitin 1987, krahas studimeve pasuniversitare për titull shkencor të nivelit të parë, Valter Gjoni përfundoi edhe studimet në degën e gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike, por më pas ai ka kryer edhe kualifikime në disa vende si Francë, Holandë, Danimarkë, Finlandë, Itali, Greqi etj. Me Valter Gjonin kemi pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm, ku nga më mbresëlënësit ishte intervista me titullin: “Si e takova Santa Klausin në koordinatën 66º 32’ 35” në Arktikun e Veriut” botuar gjithashtu në gazetën “Shekulli”. Ndërsa në gazetën “Fjala”, bashkëpunimi më interesant ishte ai i botimit të shkrimit me titullin: “Naim Frashëri, poeti me pesë varre” i publikuar në 12 shtator 2020.
Bashkëpunimi i fundit, për të cilin kishim folur por jo mirëpërcaktuar, midis tre-katër temave, mbeti i pakonkretizuar në letër. Covid-19 i ndërpreu jetën, pikërisht në kohën kur me pjekurinë intelektuale ishte në kulmin e tij. Dhe padyshim, ky do të jetë pengu im i fundit në marrëdhënie me të. Ndaj, në pamundësi të asgjëje tjetër më mbetet veç t’i them:
Lamtumirë Valter!


Friday, October 16, 2020

30-vjetori i Shtëpisë Botuese/ Një “Naim Frashëri” për “Buzukun”


Nga Leonard Veizi
 
Ai mbërriti nga Prishtina në Tiranë pas një udhëtimi jo fort të gjatë, ndoshta vetëm prej tri orësh, duke futur edhe një kafe të shkurtër diku pas kufirit të përbashkët që ruhet me doganierë shqiptarë në të dyja anët. Shpura e tij shoqëruese përbëhej vetëm nga familjarët, por në Tiranë e prisnin plot miq të tjerë. Dhe në orën 11:30 të paradites u paraqit me kartën e identitetit pranë punonjësve të Gardës së Republikës, në hyrje anësore të godinës së Presidencës. I duhej të kalonte portën prej hekuri të institucionit dhe pamja e tij, gati e çartur, me një gjatësi impozante, mjekër të bardhë fisnikësh e flokë po aq të bardhë, si krifë luani që gati i derdheshin supeve, nuk e ndihmuan dot për t’ia hedhur pa një kontroll fizik, se mos ndoshta në çantë a në brez mbante ndonjë nagant pa leje, si Isa Boletini një herë motit. Por jo, ai ishte i “armatosur” veç me një libër, që do t’ia bënte dhuratë presidentit të Republikës, e ku në krye kishte emrin e tij si autor i veprës. Gjithsesi, prezantimi si botuesi i “Buzukut” dhe me emrin në kartën e identitetit, ku vërtetohej qenësia e tij bashkë me imazhin, i hapën portat e njëpasnjëshme për të mbërritur në hollin ceremonial të institucionit presidencial.
Abdullah Zenelli kishte lënë kryeqendrën e Republikës së Kosovës, – një vend krejtësisht shqiptarësh, – për të mbërritur në kryeqendrën e Republikës së Shqipërisë, – vetëm me shqiptarë gjithashtu – pas një ftese që i kishte bërë Ilir Meta si president, e ku stafi i shkëlqesisë së tij i pati komunikuar qysh më parë se duhej të tërhiqte një titull nderi. “Buzuku” kishte 30 vjet jetë si shtëpi botuese. U kishte ardhur në ndihmë shqiptarëve në ditët të vështira, duke u dhënë ushqimin e përditshëm të mendjes, pak letërsi artistike, ca filozofi, por dukshëm dhe histori. Në fund të ditës nuk ishte më pak. Ndërsa në krye të punëve Abdullah Zeneli kishte një kontribut të pamatë që nga dita e themelimit të saj. Letërsi shqipe dhe jo pak, por dhe letërsi të huaj, ardhur në shqipe, gjithashtu jo pak. Iniciuar në ditët e vështira kur Millosheviqi vringëllinte shpatat në Kosovë, me dëshirën e zjarrtë për t’i grirë vendasit me mortaja e zinxhirë tankesh, Abdullah Zeneli nisi të mendojë se këtij populli, veç armëve, municioneve dhe heronjve të domosdoshëm të një patriotizmi po aq të domosdoshëm, i duheshin dhe libra të mençur për t’i ndriçuar rrugën.
Dhe pas kësaj rruge të gjatë e plot pengesa, një ditë vjen dhe vlerësimi. Sepse diçka duhet marrë pas si kompensim. Aspak në vlerë monetare, por mirënjohje, sigurisht që po. 
Propozimi për këtë dekorim vinte nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit.
Presidenti Meta i dorëzoi botuesit të “Buzukut” urdhrin “Naim Frashëri” bashkë me moivacionin përkatës: “Në vlerësim të kontributit të çmuar si shtëpia botuese e parë dhe e pavarur me përmasa mbarëkombëtare e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Botuese e shumë veprave artistike, historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar”.
Urdhri "Naim Frashëri" është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që jepet me dekret nga presidenti dhe që u akordohet qytetarëve shqiptarë e të huaj, punonjësve të shkencës, artit, kulturës dhe arsimit për vepra dhe veprimtari të çmuara.
Abdullai mori dekoratën, njëkohësisht dhe fjalën. Emocioni i ndihej. Falënderoi presidentin dhe rrëfeu një detaj kuptimplotë nga jeta e shqiptarëve nën sundimin serb. Në Kosovën e dikurshme, jo të lirë, 25 maji festohej sepse në një ditë të tilla na paskësh pasur datëlindjen marrshalli Tito. Strukturat e Partisë Komuniste Jugosllave, të përbëra nga serbë e shqiptarë dogmatikë ngrinin flamujt në nderim të kësaj dite. Edhe shqiptarët e tjerë e përkujtonin 25 majin, madje me shumë zell. Veç jo si datëlindjen e druzhe Titos të popujve sllavë, por si ditën e lindjes së Naim Frashërit të madh të shqiptarëve. Sepse paskësh qëlluar të lindnin të dy në një njëjtën ditë, por në vite të ndryshme, edhe pse njëri shqiptar e tjetri kroat. Dhe me siguri UDB-ja që futej të nuhaste ngado nacionalizmin e pashprehur të shqiptarëve, këtu e humbiste erën dhe raportonte në Beograd se tek e fundit shqiptarët e respektuan mareshallin, ca duke ngritur ndonjë gotë vere për shëndet të tij, e ca të tjerë duke shkundur ndonjë shishe me raki Rahoveci.
Në sallën e ftohtë ceremoniale duartrokitjet ishin të ngrohta. U dalluan mes të ftuarve plot njerëz të letrave: Besnik Mustafaj, Flutura Açka, Bujar Hudhri, Alda Bardhyli, Majlinda Rama, Behar Gjoka, Marjana Ymeri, Dan Ibrahimi, Anila Xhekalia, Mehmet Gëzhilli e Rexhep Hida, por dhe Nait Hasani, i cili është dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë.
“Buzuku” ka mbushur 30 vjet! Në këto 30 vite Abdullah Zeneli ka kaluar plot situata paradoksale, por punën për librin shqip nuk e ka ndalur asnjëherë. E, megjithatë, asnjë përvjetor nuk është shënuar si në vitin 2020. Kohë Covid-i e maskash. Por Abdullah Zeneli thotë se përvjetorët në vend të ceremonive festohen me punë, prezantime në panaire kombëtare e ndërkombëtare, por edhe me vizion e plane konkrete. Madje, për t’i dhënë një shtysë më të madhe letërsisë shqiptare në këto kushte, ai ka projektuar një konkurs për një roman të pabotuar në gjuhën shqipe, e ku çmimet në vlerë monetare marrin vërtet vlerë.
“Përkrahje e plotë e krijuesve shqiptarë kudo që ndodhen, jetojnë e krijojnë: në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Greqi, Itali, Turqi dhe diasporë”, është motoja e kësaj shtëpie botuese mbarëshqiptare.
Ceremonia mbaron. Nis turi i fotografive ku në sfond fokusohen situata njerëzore mbi flamujt kombëtarë. Në mes tyre bust i heroit tonë, Gjergj Kastriotit. I vetmi që mbetet aty dhe është i pranishëm në çdo shkrepje aparati. Fotografia me simbolin e shqiponjës mbi gjoks, merr më shumë vlera.
Abdullah Zeneli është njeri me humor e hedh vazhdimisht batuta. E, megjithatë, emocioni vazhdoi t’i ndihej edhe pasi presidenti kishte lënë sallën dhe ishte ngjitur në katin e dytë për në zyrën e tij. Një “Naim Frashër” për të nuk është pak. Tek e fundit, e gjithë puna 50-vjeçare, nga të cilat 30 te “Buzuku” dhe ca më herët 20 vite të tjera te “Rilindja” si shtëpi botuese, është koncentruar te një dekoratë me emër të shenjtë. Dhe Besnik Mustafaj, tek dalim në oborrin e pasmë nga dhe hymë, na thotë se tek e fundit, nuk janë të shumtë burrat që e kanë marrë një dekoratë të tillë. Pra gjithsesi, nderi vlen.
Edhe pse jemi në epilog, asgjë nuk mbaron me kaq, sepse shefi i “Buzukut”, pasi kemi shijuar nga një gotë “shampanjë presidenciale”, – apo verë të gazuar ndoshta, – na fton për një kafe “Blloku” në një nga lokalet rreth Presidencës, ku në të vërtetë vetëm për pak metra gjë mbetëm në periferi pas vijës që dikur ndante vilat e Byrosë nga apartamentet modeste të kryeqytetasve. Por, gjithsesi, iu gëzuam faktit që kafen e pimë, tek “Tirana e Re” dhe folëm lirshëm mbi “news”-et më të fundit.
 
 


Fjala e presidentit Ilir Meta
 
Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne të dekorimit, mes të cilëve ishte edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, z. Nait Hasani, botuesi nga Prishtina Abdullah Zeneli, publicistë dhe shkrimtarë, kreu i shtetit u shpreh:
 
Tri dekada më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, lindi në Prishtinë, Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, e para e pavarur në krejt hapësirën ku flitet shqip.
Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”.
“Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar.
Është fakt se ne kemi sot në bibliotekat tona kontributin e çmuar të “Buzukut” për promovimin e shumë thesarëve të letërsisë sonë të traditës dhe asaj bashkëkohore.
Një faqe veçanërisht e merituar në veprimtarinë botuese të ‘Buzukut’ shënohet me gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të shkrimtarëve shqiptarë, si në Prishtinë, edhe në Tiranë, të mohuar me dekada nga censura politike, për shkak të ideve të tyre.
Kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej dasisë së kufijve shtetërorë, e vendos z. Abdullah Zeneli dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë Kombëtare.
I lumtur që në vlerësim të këtij kontributi të vyer të çmoja sot Shtëpinë Botuese ‘Buzuku’ me Titullin “Naim Frashëri”.
Së fundi, më lejoni t’i uroj Shtëpisë Botuese ‘Buzuku’, dhe themeluesit të saj, Abdullah Zeneli, jetë të gjatë dhe suksese në misionin e tij. 

Tuesday, October 13, 2020

Migjeni, ose gjeniu shqiptar i poezisë

Migjeni ishte një uragan. Ai ishte po aq revolucionar në konceptin e tij fillestar, por dhe në atë të mbramin gjithashtu



 Nga Leonard Veizi
 
O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Askush më parë si ai nuk kishte mundur që nëpërmjet një vargu të vetëm të trasmetonte fuqinë e një poeme të tërë.
Ta shof si dridhet nga grusht' i paligjshëm...
E unë të kënaqem, të kënaqem tu' u qesh.”
Askush më parë si ai nuk kishte mundur që përmes një strofe të përmbyste shumëçka që qëndronte padrejtësisht në këmbë.
Sa më shumë kalojnë vitet, aq më të kuptueshme bëhen “Vargjet e lira” apo “Novelat e Qytetit të Veriut”. Dhe vijnë në realietin e ri të 85 viteve më pas, po aq orgjinale e me një realizëm të mprehtë e shkërmoqës...
 
...Migjeni ishte një uragan. Kjo nuk është vetëm një frazë e huazuar nga një film i 40 viteve më parë. Ai ishte po aq revolucionar në konceptin e tij fillestar, por dhe në atë të mbramin gjithashtu. Dhe me këtë fjalë nuk nënkuptohen revolucionet proletare dhe as ato që sjellin në pushtet diktaturën. Por revolucionin si koncept. Sepse në shpirtin e tij gjithçka rebelohej ndaj së vjetrës obskurantiste për të kërkuar pak dritën në fund të tunelit.
Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen..,
Nuk vihet në dyshim që ai kërkonte pak dritë për të gjetur te jeta të re më shumë dritë. Për të nuk kishte rëndësi barazia si sintezë e revolucionit bolshevik, por drejtësia. Dhe kjo është diçka krejt e ndryshme nga ajo që janë munduar të fabrikojnë rreth emrit dhe veprës së tij, për t’i dhënë një vlerë të shtuar të cilën ai nuk e kishte.
Mjerimi s'don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bije bastardhe e etenve dinake,...
Migjeni ishte një gjeni. Thonë se gjenitë e kanë jetën e shkurtër. Por përjashtimisht ka raste kur ata jetojnë gjatë. Migjeni ishte po aq gjeni sa dhe të tjerë që jemi mësuar t’i vlerësojmë si të tillë. Me siguri duhet të kishte një kombinim gjenesh të pagabueshëm, trasmetim ADN-je të fjetur që ai e zgjoi, apo frymëzim hyjnor në lidhje të drejtpërdrejtë me diçka të panjohur për tokësorët e thjeshtë, përndryshe ai nuk do të mund t’i sillte gjuhës shqipe vargje të përsosmërisë.
Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë ne "shejtnin" e tij...
Millosh Gjergj Nikolla i mbiquajtur Migjeni, u lind më 13 tetor të vitit 1911 në qytetin e Shkodrës. Vdiq larg vendlindjes, në Tore Pelice, afër Torinos në Itali, më 26 gusht të vitit 1938. Ishte në të 27-at e tij, por sëmundja e turbekulozit që e mundonte prej kohësh arriti ta mposhtë gjeniun shqiptar. Nuk ishte vetëm poet, dhe pse më së shumti njihet për vargjet e tij. Por po aq brilante ishte dhe proza e tij e shkurtër.
“Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hangër mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin”.
Migjeni është një nga poetët më të shquar të letërsisë shqiptare. Ai konsiderohet sot e gjithë ditën si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri asokohe në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron tema sociale e varfërisë, aspirata për një botë të re, ndryshe nga ajo çfarë përjetonte ai në ato vite.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa...
Jeta e saj asht kjo vall’ e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
Vitet ‘30 të shekullit XX sollën në letërsinë shqiptare një grup krijuesish e publicistësh,
kontributi i të cilëve do të linte gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Millosh Gjergj Nikolla, futi në letërsinë shqiptare me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndrrën për një botë ndryshe dhe optimizmin e thellë. Në poezi ai trajtoi vjershën dhe poemën pa subjekt me varg të lirë, që shquhet për mendimin sintezë dhe sistemin figurativ, ku dallohet antiteza, simboli dhe alegoria.
Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme…
…dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.

Në prozë Migjeni u shfaq si mjeshtër i portretizmit dhe i dhënies së psikologjisë së tipave të ndryshëm, që përfaqësojnë shtresa e klasa të ndryshme. Ai lëvroi tregimin psikologjik, skicën, prozën satirike, që shquhet për tipat, portretet, dialogun, monologun, ritmin e veprimit, mendimin energjik dhe gjuhën e gjallë.
“Merrnje dhe çonje në qytet kët shtatore. Vendosnje në nji shesh! dhe si përmendore kushtonja ndokujt. Kushtonja atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputeti, o ndokuj tjetër… E në rasë se nuk gjeni ndoj njeri që ka merita të mjaftueshme ,atëherë kushtonja atij që ka merita ma pak: perëndis klasike”.
Pas vdekjes së tij, ai do të varrosej në Tore Pelice të Torinos, trupi i të cilit, do të qëndronte për 28 vite me radhë në dhe të huaj. 26 vite pas vdekjes, në vitin 1954, Migjenit do t’i botohej vepra e plotë. Ndërsa dy vite më vonë, eshtrat e tij do të ktheheshin nga Italia në Shqipëri për t’u varrosur me nderime të mëdha në Shkodër, më 5 shkurt të vitit 1956.

Tuesday, September 22, 2020

Marie Logoreci, zonja e rëndë e skenës dhe e sheshxhirimit

Në 100-vjetorin e lindjes. Pas pjesëmarrjes në 12 filma dhe dhjetëra role të vëna në skenë, ajo mori emrin e “Lokes”, të personazhit që e identifikoi aq shumë aktoren e madhe shqiptare
 
Nga Leonard Veizi
 
Sharmante dhe fort skenike e, për më tepër, me një diksion karakteristik, të padublueshëm, ajo do të dinte të fitonte simpatinë e trupës. Pak më shumë këngëtare, disi më pak aktore dhe me plot telajo pikturash në fond, do ta niste jetën skenike si e plotësuar në të gjitha dimensionet e saj artistike. Dhe pas kësaj do të vinte suksesi i (pa)pritur, ndoshta i (pa)kërkuar, por gjithsesi emocionues e triumfal...
 
Marie
Marie Logoreci

...Ajo dinte të luante plot finesë e ojna femërore një personazh që ishte shkruar nga dora e një shkrimtari që kishte jetuar diku në Perëndimin e Evropës dhe e ndonjë tjetri vështrimi i të cilit tretej në stepat ruse. Por po aq karakter dinte t’i jepte edhe një malësoreje të moçme shqiptare, që ruante me fanatizëm nderin e familjes, duke qenë njëkohësisht e mirëkuptueshme e fisnike.
E shtruar, e butë me një timbër zëri që të ngulitej thellë në kujtesë, ajo diti t’u japë personazheve të saj një energji të jashtëzakonshme. Dhe në përfundim të shfaqjes ishte po e njëjta grua. Të skalitura prej saj, aspak në gur e as në mermer, por në të njëjtin trup e fytyrë njerëzore, ato gjenden lehtësisht në gjithfarë platformash digjitale me pagesë dhe “free” në disa të tjera për konsum masiv.
-“Biri im i shkretë, nuk di as varri ku i ndodhet. Të gjithë thoshin se do të bëhej gjeni në çështjet ushtarake. Ai që në atë moshë ishte komandant i një batalioni. Ju lutem gjeneral, m’i ktheni eshtrat...”
Me kostum elegant, syze me skelet të hollë e një kapele me lule mbi kokë, ajo ishte kontesha plakë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Dhe në antipodin e këtij personazhi vjen një tjetër, ai i nënës së verbër të “Cucës së maleve”. Por Lokja tek “Toka Jonë”, me shami të bardhë rreth kokës dhe një shall të zi mbi ballë, do t’i jepte një tjetër dimension. Mund të harrosh shumëçka nga kinematografia shqiptare, por Loken e Lekës, Files, Murrashit e Tuç Makut, nuk besoj se e ka harruar njeri, edhe në qoftë se e ka parë një herë të vetme atë film.
-“Shikjo Marë, sa e bukur asht fusha jonë, toka jonë”, do të ishin fjalët e saj në përmbyllje të këtij prodhimi kinematografik, pas së cilës do të shfaqej sigla “Fund”.
Kjo ishte Marie Logoreci. Dhe është ndërkohë një divë nga më të mëdhatë e skenës dhe të ekranit shqiptar. Një ikonë e kësaj skene apo emblemë e saj, nëse mund ta quajmë kështu, rreth së cilës kërkonin të përfitonin sa mundnin dhe shumë aktore të tjera më të reja në moshë. “Pa dyshim që kjo figurë ka lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e spektatorit, por këto mbresa u përforcuan dhe krijuan kurorën e Lokes-Marie kur aktorja luajti edhe Marën te “Përkolgjinajt” e Kolë Jakovës, Tringën te “Shtatë shaljanët” e Ndrek Lucës, Prendën te “Cuca e maleve” e Loni Papës, Gjelën te “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës etj.”, shprehet në kujtimet e saj një aktore po aq e madhe, si Margarita Xhepa.
Marie Logoreci u lind në Shkodër në vitin 1920. Mbiemri i vajzërisë e kishte Çurçia. U largua nga Shkodra kur ishte 17 vjeç. Në Tiranë u martua me Kolë Logorecin, një ekonomist i lartë, i diplomuar në Vjenë. E më pas lindi Pjerini, djali i tyre. E filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatër, vizatonte dhe këndonte. Jeta artistike e saj nisi si këngëtare në Radio Tirana, në vitin 1945, ku interpretoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon. Në kujtimet e saj ajo thotë se këndonte në aktivitetet e rëndësishme që bëheshin përkrah të mirënjohurve Gjyzepina Kosturi, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, Jorgjie Truja, Hysen Pelingu etj., të shoqëruar nga Lola Gjoka e nga Mario Ettore. Mund të ishte njohur po aq si soliste, por fama si aktore do ta eklipsonte butësisht talentin e saj prej këngëtareje.
Më 1947 nis punën në Teatrin Popullor, ndërsa interpretimi i parë në skenën e këtij teatri ishte Elmira në komedinë “Tartufi” të Molierit.
Në kinema e nisi me filmin “Skënderbeu”, në vitin 1953.
-“Mëso t’i fshehësh ndjenjat moj Donikë. S’i ka hije vajzës së Arianitit t’i shikojë kështu burrat”, - shprehet ajo në një nga batutat e këtij filmi, bashkëprodhim i aktorëve shqiptarë me studion sovjetike “Moskfilm”.
Pra, në të gjitha institucionet ajo ka qenë që në fillesat e tyre, ka vendosur tullën e saj të rëndë, dhe më pas është lartuar ngrehina. Dhe t’ia nisësh nëpër rrugët e pashkelura nuk është fort e lehtë, sepse përveç talentit, pa dyshim të duhet dhe shumë guxim e intuitë artistike. Dhe, me sa duket, Marie Logoreci i ka pasur të gjitha këto, përderisa edhe sot, nga shumëkush kujtohet si “gruaja e madhe e skenës shqiptare”.

Ishte po Marie Logoreci ajo që do të merrte rolin kryesor në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj”, të regjisorit Hysen Hakani. Por dhe "Tana" që ishte i pari film me metrazh të gjatë, gjithashtu ruan në pelikul imazhin e Marie Logorecit.
Gjithsej në arkivin e filmit ruhen 12 filma ku aktorja e madhe ka pasur role. Ajo ka interpretuar dhe një rol episodik te filmi “Nga mesi i errësirës” ku me shumë ekspresion, jetëson një nënë shqiptare që quhej Mine Peza, në protestën e saj të pakompromis për të ndaluar italianët e fashios të dërgonin në internim djemtë dhe vajzat shqiptare të rezistencës. Një rol i vogël për një aktore të madhe, por regjisori ia ka besuar asaj, sepse në pak sekuenca, pakush si ajo do të mund të jepte në portret maksimumin e një nëne plot dhimbje e të revoltuar.
Për më tej Marie Logoreci ka interpretuar dhe në filmat “Oshëtimë në bregdet”, më 1966, “Detyrë e posaçme”, më 1963, “Njësiti gueril”, më 1969, “Operacioni Zjarri”, më 1973, “Dollia e dasmës sime”, më 1978, “Çeta e vogël”, më 1979.
Në shumicën absolute të rasteve ajo është paraqitur në rolin e një nëne, ndaj dhe emri “Loke” do të ishte aq i përshtatshëm si një emër i dytë i saj.
Një sërë rolesh të tjera të suksesshme të saj në skenën e teatrit, ku ka luajtur më shumë se 40 personazhe, janë: Gertruda te “Hamleti”, Ledi Milford te “Intrigë dhe dashuri”, Zabelina te “Orët e Kremlinit”, Mara te “Përkolgjinajt”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Manushaqja te “Drita”, Fatimja te “Halili dhe Hajria” etj. Por pa dyshim, në galerinë e personazheve të saj do të bënte vend dhe një kryerol, Bernarda Alba, e të famshmit Federiko Garcia Lorka.
Ishte një atak kardiak ai që do t’i merrte jetën aktores së madhe shqiptare, pikërisht në 19 qershor të vitit 1988, në Tiranë. Ishte 68 vjeç. Dhe do të ishte 100, nëse do të mund të jetonte si jo pak të tjerë. E, megjithatë, edhe me vdekjen e saj të shpejtë ajo do të fitonte shumë. Një emër të pashlyeshëm dhe një pasuri maramendëse: karrierën artistike prej 40 vitesh. Prandaj puna e saj nuk u la në harresë asnjëherë. Në vitin 1995 u nderua me “Çmimin e Karrierës" në Festivalin e Filmit Artistik. Në vitin 1997 dekorohet me “Çmimin e Madh të Nderit”. Përveç urdhrave dhe medaljeve të ndryshme, Marie Logoreci kishte marrë më parë edhe titujt e lartë “Artiste e merituar”, “Naim Frashëri” dhe “Artiste e Popullit”. E për së fundi, me rastin e 95 vjetorit të lindjes, në vitit 2015, presidenti Bujar Nishani e vlerësoi me titullin më të lartë që akordohet në Republikën e Shqipërisë, “Nderi i Kombit”.

Thursday, July 23, 2020

Në bibliotekën e Dhimitër Shuteriqit, kolosit të letrave

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit e studiuesit sqimatar të letrave shqipe, njeriut që lindi dhe vdiq në muajin korrik
Dhimitër Shuteriqi

Nga Leonard Veizi

Me hapin e ngadaltë, i kujdesshëm për të mos prishur asnjë nga rendi që kishte vendosur me veten dhe gjithçka kishte përreth, ai hynte çdo ditë në botën e tij të magjishme, që ishte veç një studio, e mbushur nga të katër anët me libra. Në të gjallë dhe në të vdekurit e tij makina e shkrimit “Oliveti” qëndronte po aty dhe me këmbëngulje. Nuk ishte zëvendësuar nga ndonjë ordinator, me njësi e tastierë elektronike. Ndërsa ajo ishte një nga bibliotekat e rralla në Shqipëri. Dhe nuk ishte pronë e shtetit, as e ndonjë fondacioni kulturor, madje as e ndonjë qyteti të rëndësishëm e me shumë kulturë, me fond të rrallë librash. Ajo ishte biblioteka e një shkrimtari, apo studiuesi, nëse duan shumë të tjerë ta quajnë kështu… por që në fakt ai vetë parapëlqente ta thërrisnin: poet. Dhe vazhdon të mbetet biblioteka e Dhimitër Shuteriqit...

...Ishte impresionuese të vizitoje shtëpinë e Dhimitrit, si një gazetar me mision për të shkruar diçka, e si një turist gjithashtu që kërkon të shohë gjëra të panjohura. Bashkëshortja e tij, Myneveri, së cilës 10 vjet më parë, në korrikun e vitit 2010, i kërkova një intervistë, më priti pikërisht aty, në dhomën muze të tij. Dhimitri kishte vdekur tashmë, por gjithçka e tij vazhdonte të jetonte. Mund të kisha kërkuar të dija e të shihja se në çfarë ambienti jetonte një i shquar letrash, krevatin ku flinte a tryezën ku hante. Por asgjë nga këto nuk më shkoi në mend. Dhe as që më interesoi të shihja çfarë kishin dhomat e tjera të apartamentit, kolltukë të modës së fundit, apo divanë nga ata të “xhaxhit”, në kishte sixhade, perde gjithllojesh, televizor pa ngjyra apo impiant stereofonik me CD-të e Vagnerit. Kujt mund t’i hynin në punë të gjitha këto. Dhimitër Shuteriqi nuk e kishte të lidhur jetën pranë sofrës dhe te gjumi mbi dyshek masazhues. Jeta e tij kishte mbetur peng i librave dhe i pagjumësisë, sepse vazhdimisht e në çdo kohë i duhej të sistemonte gjithçka të shkruar prej tij, një punë voluminoze që dukej se nuk kishte ndër mend të mbaronte kurrë.

Bashkëshortja
Mynever e Dhimitër Shuteriqi 12 prill 1986
“Biblioteka e tij është dhimbja ime”. Kështu më pati thënë që në hyrje të intervistës Mynever Shuteriqi, duke lënë të kuptohej se pikërisht nga studioja e tij plot libra të çmuar, Dhimitër Shuteriqi do të përcillej për në banesën e fundit, në korrikun e vitit 2003. Kështu, prania e trupit dhe shpirtit mes librave të tij ndoshta ishte dhe ndjesia e fundit e pasvdekjes. Ndërsa ajo vazhdonte të ndiqte të njëjtin ritëm, të qëndronte krejt e vetme në studion e madhe, të ndizte një cigare dhe të futej thellë në botën e kujtimeve.
Ishte 14 vjeç kur dëgjoi për herë të parë se qyteti i Elbasanit ishte shtuar me një poet të ri. Ishin njohur kur ajo ishte një normaliste 19-vjeçare dhe ai 28, një mësues te Normalja, pasi ishte diplomuar në Paris. “Më konsideronte shoqe të ngushtë. Nuk shkonte asgjëkundi pa mua. Ne kemi qenë gjithë jetën bashkë”, u shpreh Mynever Shyteriqi, e cila më pas më tregoi se Dhimitri nuk ishte vetëm një shkrimtar e studiues, por dhe një piktor. Në bagazhin e tij Dhimitri ka më shumë se 500 portrete të pikturuara. Ai hidhte në letër çdo portet që i bënte përshtypje, me një shpejtësi të habitshme. Janë disa qindra vizatime, madje dhe piktura me ngjyra, që Dhimitër Shuteriqi ka bërë gjatë në vazhdimësi. Dhe një pjesë të tyre i ka publikuar përmes dy ekspozitave: një në Tiranë dhe një në Prishtinë. E, megjithatë, pjesa me e madhe e punëve të tij janë ende të paekspozuara.
Ndërsa sa për jetën akademike, që prej vitit 1947, kur botoi librin “Metrika shqipe” e deri në botimet e pasvdekjes, është një krijimtari 70-vjeçare dhe rreth 110 libra në fondin personal. Pa dyshim, kjo është një punë kolosale, ku Dhimitër Shuteriqi paraqitet me poezi, tregime, romane e mjaft studime serioze.
Idhuj për të kanë qenë rilindasit, si Naimi, De Rada apo Çajupi. Por kishte shumë për zemër dhe Lasgush Poradecin. Admironte Fishtën, por dhe Migjenin, që e kishte pasur shok. Pëlqente shumë dhe autorë si Verlen, Bodlerin, Hygoin, të cilët i lexonte drejtpërdrejt nga gjuha frënge.
Dhe, natyrisht, ka pasur takime e ka mbajtur kontakte dhe me francezin Pol Elyar, brazilianin Zhorzh Amado, australianen Dymfna Kystak etj. Ndërsa një tjetër takim i veçantë i Dhimitër Shuteriqit ka qenë dhe ai me shkrimtarin rus Ilia Erenburg. Këto takime ai i ka hedhur në ditarin e tij.

Biblioteka
Ah sa për bibliotekën, po, ajo është një vepër arti më vete. Vërtet një bibliotekë universale. I paçmuar është fondi albanologjik. Por në të gjen gjithfarë veprash të gjinive të tjera. Të shumtë janë librat e autorëve botërorë, të shkrimtarëve ballkanikë apo dhe të vendeve të Lindjes evropiane, që ia kanë dhuruar me nënshkrime Shuteriqit. Të shumta janë gjithashtu dhe dedikimet e shkrimtarëve shqiptarë. Gjatë vizitës sime, bashkëshortja Mynever më pati sqaruar se në skedarin e bibliotekës së Shuteriqit ndodhen 30 syze, në të cilat janë strehuar më shumë se 20 mijë skeda. Dhe në këto skeda studiuesi kishte hedhur gjithçka ka pasur në bibliotekë. Dhe vetëm kështu mund të gjente e të citonte në mënyrë të shpejtë atë çfarë i duhej të kërkonte.
Shumë skrupuloz Dhimitri. Ai nuk mund të tallej e të bënte shaka me punën e tij shumë serioze.
Por Dhimitri nuk pati dot kohën e mundshme për t’i shfrytëzuar të gjitha. Rruga ishte e gjatë, pasioni edhe më i madh. Por jeta në të gjitha format e saj, gjithsesi është e shkurtër.
 “Nuk është puna te sasia e madhe e librave që ka, - më tha Moikom Zeqo, vetëm një orë pasi kisha dalë nga studioja e Shuteriqit, dhe i kisha shprehur entuziazmin tim për atë që kisha parë, - puna është si Dhimitri ka një bibliotekë me libra të rrallë e shumë të çmuar, të cilët i ka sjellë nga Franca, dhe që nuk mund të gjenden dot aq lehtë.”

Epilogu
Dhimitër Shuteriqi do të ishte 105 vjeç, nëse do të jetonte akoma. Dhe, pa dyshim, nëse do të ishte në jetë, sërish do ta gjenim në studion e tij. Por në datën 22 korrik të vitit 2003 ai i ndërpreu marrëdhëniet e tij me botën e të gjallëve. Gjithçka është e lidhur me korrikun, vapën përvëluese e flladet e buzëmbrëmjes. Mund të ishte veç një muaj fatlum, por ja që ka sjellë dhe trishtim. Dhe nëse dita e lindjes do të ishte pikërisht një e hënë korriku e vitit 1915, dita e ndarjes nga jeta gjithashtu do të ishte e hëna e një korriku tjetër, veç 88 vjet më pas. Gjatë kësaj hapësire kohore, si me një magji të organizuar nga një dorë e padukshme e misterioze, i njëjti muaj do të ishte sa i ndjeshëm aq dhe kërcënues për jetën e tij të brishtë prej letërshkruesi. Do të ngjitej në “majën e Olimpit” si një i gjallë me mish e kocka dhe do të zbriste nga andej në po të njëjtën vapë acaruese të muajit veror, por vetëm trupi i tij. Sepse shpirti me siguri ka mbetur në eterin e përjetësisë.
Dhimitër Shuteriqi