Showing posts with label revolucion. Show all posts
Showing posts with label revolucion. Show all posts

Saturday, February 16, 2019

Kauza e munguar e një “revolucioni”


A ka ardhur koha për revolucion? A mund të jetë një protestë “madhështore” prologu i një lëvizjeje Çartiste apo si ajo e marrjes së Bastijes”...?
Jo, or jo. Nuk ka vend për aludime të këtij karakteri superior. Se nuk para thithim nga ajo anë.
Ne si popull mund të luftojmë kaçakëshe, por jo të bëjmë revolucione ku të merret Kryeministria si dikur Bastija.
“Do hosten bualli, po pickime pleshti”.
Kjo batutë filmi m’u kujtua teksa po ndiqja qetësisht në ditën e parë të fundjavës, një protestë popullore në bulevardin e madh të Tiranës, pikërisht atje ku prej 77 vitesh qëndron godina e Këshillit të Ministrave, ngritur dhe përuruar prej pushtuesve italianë në Luftën e Dytë Botërore.
“Po me urën ç’patën, xhanëm”?
Kjo është batuta e dytë filmi që më vinte ndër mend, kur shihja nga ekrani 42-polësh HD e me dekoder, ca rob që po kacavirreshin për ta bërë godinën ku ministrat marrin vendimet e rëndësishme për popullin, në mos pluhur e hi, të paktën të arrinin t’i shkulnin ndonjë pllakë mermeri.
Epo kur të erren sytë nuk pyet për mure e për tulla. Yxhym përpara.
Që te jem realist deri në fund, as që kisha ndërmend ta ndiqja zhvillimin e protestës as në televizor e as në radio, por nuk e di se si një kanal informativ, kur e lëviz pultin më shumë se sa duhet, m’u fanit para sysh e mbeti aty.
Tani do të ngrihen ca e ca e do thonë se nuk paskam frymën e revoltës dhe as të bashkëpunimit.
E pranoj, jam ca indiferent.
Ç’është e vërteta, unë nuk është se mbahem për pjesëmarrje në protesta me hu në dorë, për përleshje trup më trup  në “taekwondo”, apo për rrahje të policëve të paarmatosur me rripin e pantallonave.
Nga një analizë e shkurtër dhe e pa thelluar, duke i thirrur kujtesës dhe për gjithfarë lajmesh kanë qarkulluar prej kohësh, arrita në përfundimin që mund ta them me fare pak fjalë: protesta nuk kishte KAUZË. Domethënë... për ta sqaruar më mirë: nuk kishte KAUZË. Nuk e di në më kuptuat, por nuk arrij ta sqaroj dot më mirë se kaq. Shkurt, mungonte gjëja më kryesore: KAUZA.
Që të mos futemi në qorrsokak; KAUZA, nuk është emër njeriu.
Dhe si e tillë, - pra në mungesë të kauzës - protesta "madhështore" ishte e destinuar të dështonte që para se më trimat e turmës të prishnin një instilacion përrallash apo të hipnin mbi platformën elektronikë të dritave që Rama ka vendosur për qejf të vet në hyrje të Kryeministrisë.
Kur them nuk kishte KAUZË, nuk besoj se ndonjë komentues anonim do të më mbushë mendjen për të kundërtën. Sepse, edhe pse qeveria është e zhytur në korrupsion, nuk besoj se besoni që protesta bëhej vërtet në përpjekjen e pazakontë për ta zhdukur këtë korrupsion, nga ata që ishin po aq të korruptuar kur ishin vet në pushtet. Se kësaj i thonë që hajduti thërret: kapeni hajdutin! Dhe këtë modë e njohin mirë politikanët tanë, herë qeveritarë e herë në opozitë, sipas rastit.
Tani, më mirë se ne, drejtuesit e protestës e dinë qëllimin e vërtetë se përse zhvillohej kjo protestë, për të cilën angazhuan shumë shqiptarë, që ta bënin punë ditën e pushimit. Ka dhe plot nga ne të tjerët që bëjmë sikur e dimë, mbase jo aq mirë, por i afrohemi disi, motiveve të vërteta të zhvillimit të “protestës madhështore”.
Dhe në dukje të saj, në këtë protestë, protestuesit as që e dinin se çfarë duhet të bënin, të sulmonin me krahëmarrje, apo në “formë pyke”.
Sepse, kush nuk e di ta mësojë, se kauzat e vërteta kthehen në revolucion. Dhe revolucioni e merr mbarë kryeministrinë me themel dhe të gjitha godinat e tjera qeveritare. Ndërsa “protesta madhështore” e opozitës nisi me zbrazje fishekzjarrësh e thyerje xhamash dhe përfundoi tek pjata e fasuleve në tryezën e varfër, ku secili protestues u ul të hante një çapë buke pas qëndrimit 5-6 orë në këmbë te bulevardi.
Për më tepër, një “protestë madhështore” me pjesëmarrjen e të papunëve, muratorëve, karpentierëve, e teknikëve të lavatriçeve, nuk arrinte të merrte vlerën e duhur nga kundërvënia që i bëhej ca më tutje prej një “mitingu madhështor” me pjesëmarrjen e zgjeruar të nëpunësve të shtetit, drejtorëve e shefave të departamenteve si dhe asistenteve të tyre.
Kjo performancë, - e protestës dhe e mitingut bashkë - hyn tek estradat, madje afrohet më shumë si një “kabare show”, badjava.
Dhe është krejtësisht qesharake kur doktori e doktoresha deklarojnë se janë të mërzitur me qeverisjen e Ramës, vetë shefi i qeverisë pëllet me megafon nga 150 kilometra larg, ndërsa kreu i shtetit prej dritares së Presidencës bën thirrje për qetësi.
Protesta "madhështore" e opozitës, që angazhoi jo pak shqiptarë vërtet të mërzitur nga qeverisja e Rilindjes, doli si një flluskë sapuni. U thyen ca xhama dhe u prish një “kërpudhë”, që na i pat dhuruar një artist më famë ndërkombëtare.
Dhe kaq...
...takohemi të enjten...
Nga Leonard Veizi

Monday, March 26, 2018

Iluzioni absurd i shqiptarëve; një revolucion Facebooku


nga Leonard Veizi

Si popull kemi treguar trimëri të rrallë pikërisht atëherë kur si na e kanë shtrënguar litarin sa na kanë dalë sytë kokërdhokë, në përpëlitje e sipër ia kemi dalë të mbijetojmë. Atëherë po, sa e kemi hequr lakun nga qafa, me sy të errur prej zemërimit, kemi marrë gjithfarë armësh në dorë, kobure, kosore, qysqi e ndonjë mitraloz dy këmbësh nga ata që ftohen me ujë, e kemi hedhur në tokë ç’na ka dalë përpara. Gëzhojat kapicë. Gjaku po deri në gju. Thoni “jo”, po deshët.
Por sa për protestat, atje ku kërkohen të drejta me paqe të nënkuptuar e presion të zhurmshëm bashkë, me pankarta, banderola e thirrje orale kundërshtuese, nuk para i kemi aplikuar. Madje kohët e fundit termi “protestë” na ka rënë në fundin e këmbëve, si puna e brekëve. E kemi mbetur fare pa to. Ndaj gojët e liga thonë se pikërisht tani, LGBT-ja ka gjetur terren e po na vërtitet nëpër shalë. Por ca të tjerë thonë se ne si shqiptarë, kryelartë e kokëderra, e kemi pasur për turp të dalim si delenxhinjtë nëpër rrugë, të kërkojmë ndonjë të drejtë që dhe po nuk e patëm në fund të fundit, s’na prish ndonjë punë të madhe. Se burrat maten në luftë or lum miku, nuk ka këtu tërrci-vërrci. O ta fus, o ma fut plumbin. Rrugë të mesme nuk ka.
Këto i themi mëngjeseve nëpër klube ne, deri andej nga dreka. Por në darkë kur mblidhemi në shtëpi, hesapi na del ndryshe. Një e drejtë e humbur këtu, dhe një tjetër atje, një të drejtë na e marrin nga e hëna e një tjetër na e rrëmbejnë nga e premtja, kur vjen dita e pushimit shohim se nuk na ka mbetur një dyshkë në xhep, jo për drekë nga bregu i detit, por as për kafe të lagjja. E kur vete puna deri këtu nuk të bën derman as pushka. Se klasikët, të cilëve iu referuam 45 vite me radhë e kanë lënë një llaf: Revolucion me barkun bosh nuk bëhet.
Atëherë s’na mbetet gjë tjetër vetëm të ngremë sytë nga qielli e t’i lutemi Zotit, jo pesë herë në ditë, por dhe ca më tepër. Se vetëm ai na bën derman këtu ku jemi katandisur.
E me sa duket, Zoti, këto lutjet tona gjysmë fetare e gjysmë ateiste, do t’i ketë dëgjuar nga ndonjë vesh. Se ka ndritur shansi dhe për fakirët. Ja, kohët e fundit teknologjia na ka ardhur në ndihmë ne shqiptarëve që të mos mbetemi prapa shoqërive të tjera. Të paktën të jemi aty-aty me fqinjët, se vështirë ta hedhim çapin më larg, të kaptojmë kufirin e, jallah, të futemi në Evropë.
Po bereqaversën dhe me kaq.
Tani kemi gjetur një mënyrë të re: shfryhemi në Facebook. Çfarë nuk shkruajmë, çfarë nuk themi, çfarë nuk shajmë mor aman. Ta ka ënda t'i lexosh a t'i dëgjosh nga ndonjë tjetër. Flasim për ngritje taksash, e shtrëngim të rripit të mesit. Flasim për mungesë të ndërgjegjes qytetare dhe ngritje të frymës së protestës. Por në protestë meazallah se sheh këmbë njeriu. Bulevardi plot vetëm për raste festash. O për 14 shkurt, o për 14 mars. Aty-këtu, vetëm partitë politike arrijnë të mbledhin ca militantë për t’i futur nëpër çadra, fiks si ato që kemi parë te filmi Skënderbeu, ku shëlleheshin azapët e ushtrisë osmane. Por sindikatat…, aha, s’ia thonë fare asaj ane. E me sa di unë, kur flitet për punë rrogash, pensionesh, taksash e ndonjë gjë tjetër të këtij kallëpi, lëvizjet kanë frymë sindikaliste. Po sindikatat këtu te ne janë tretur si kripa në ujë. E vetmja që rezulton se po funksionon është ajo e artistëve që mbron Teatrin Kombëtar.
Po a thua ndreqim ndonjë punë duke sharë në Facebook, për më tepër kur kësaj agjencie gjigante po i bien kreditet rëndshëm pas skandalit ruso-amerikan të zgjedhjeve presidenciale? A dëgjohet në botë zëri i shqiptarëve, aty në oqeanin e madh të shfryrjes masive të Facebook-ut, të cilët shajnë Qeverinë për taksën e rrugës së kombit dhe LGBT-të që do japi leksione nëpër shkolla?
Mbase dhe dëgjohet.
Ja, ca e ca besojnë se qeveria mund të tërhiqet nga çështja e koncesionit për Rrugën e Kombit, madje dhe të disa rrugëve të tjera të cilave u janë kopsitur dosjet. E në këtë vazhdë ndryshimesh LGBT si shoqëri e margjinalizuar nuk do të shkojë nëpër shkolla për të treguar historitë e trimërive rreth heronjve të tyre. Dhe po u arritën të zgjidhen këto dy çështje madhore, padyshim që meritat do t’i marrin ata që ishin në vijën e parë të sulmit, zërat anonimë që kanë sharë vënçe në Facebook, me libër e prag shtëpie. Se janë pikërisht ata që kanë ngritur një kauzë përmbi tjetrën.
Sa për protestat qytetare...???
...e në fund të fundit, për çfarë t’i duam. Kohët kanë ndryshuar. Armët e protestës, gjithashtu. E këtu nuk di pse papritur më vijnë në mend dy vargje të Frederik Shilerit nga drama “Vilhelm Tel”: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash”
...çfarë iluzioni absurd...


Botuar në: