Showing posts with label Kliton Nesturi. Show all posts
Showing posts with label Kliton Nesturi. Show all posts

Thursday, January 16, 2020

Kliton Nesturi: Në qarqet letrare qarkullojnë tezat antishqiptare

nga Leonard Veizi

Me një temperament sanguin dhe sens revolte të lartë, mund t’i përplasësh lehtësisht mendimet me të. Dhe asgjë më shumë se kaq, edhe pse në fakt bërja e një kompromisi nuk është fort e lehtë. Por në të shumtën e rasteve mund të flasësh shtruar e t’i bashkosh idetë në një, edhe pse në fakt as kjo është se shkon fort. Në të gjitha rastet, edhe në atë oportunin, e mundshëm, duhet pak oponencë, sigurisht. Ca vite më parë, një tjetër kolegu gazetar që i kishte vënë mikrofonin para hundës dhe po e tundonte për një interviste sa një faqe gazete, i tha se ishte rebel dhe i tillë do të mbetej. Sot, asgjë nga ajo që ka shprehur nuk bie poshtë. Dhe po të ndjekësh logjikisht atë që shpreh, mund të thuash pa frikë se vazhdon të jetë po ai rebel i viteve më parë...
...Shkrimtar i njohur dhe gazetar me 30 vite përvojë Kliton Nesturi, nuk ka drojë t’i thotë gjërat troç, madje nëse e sheh të arsyeshme edhe me një arrogancë të pashtirur. Nëse mendon se diçka duhet bërë e ditur medoemos, ai di ti dali zot asaj që nxjerr jashtë dhëmbëve. Nuk e fsheh mendimin e tij, dhe as tenton të spërdridhet për t’i shpëtuar përgjegjësisë, sepse ajo që do të thotë sot, do t’i keqpërdoret nesër. E për më tej se kaq, në një interviste ekskluzive për Fjala.al, thotë:
Ku është sot raporti i shkrimtarit shqiptar me lexuesin shqiptar?
Raporti i lexuesit shqiptar me autorin shqiptar është jo në nivelin e duhur.
Që do të thotë...?
Që do të thotë se, gjatë këtyre viteve, jo vetëm autorët por dhe botuesit e kanë keqedukuar lexuesin me letërsinë që është botuar në Shqipëri. Pak a shumë të gjithë duhet të jenë fajtorë.
Dhe ka dy gjëra: E para botimi pa kriter i kujtdo autori. Dhe e dyta: Për më shumë publiciteti i çfarëdo autori. Këto dy probleme kanë krijuar një farë tkurrje të lexuesit. Sepse lexuesi duke u nisur nga publiciteti që i bëhet një vepre, e merr veprën e lexon dhe e gjykon. Dhe në qoftë se ai zhgënjehet një herë, madje dhe herën e dytë, tërhiqet.
Plus që gjatë këtyre kohëve kemi pasur disa teza antishqiptare. Sa i përket letërsisë shqipe, ka nga ata studiues shqiptarë apo njerëz që merren me letërsinë shqipe, që thonë se “letërsi shqipe të këtyre viteve nuk ka”. Dhe kjo është një nga gjërat më të këqija që i kanë ndodhur  këtij vendi.
Pse e mendoni kështu?
Sepse i bie që në qoftë se nuk ka letërsi shqipe duhen mbyllur katedrat e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Por duhet të mbyllim njëkohësisht dhe shumë institucione që merren me studimin e letërsisë shqipes. Pra propaganda ka ndikuar në disa aspekte. Propaganda ka ndikuar negativisht në këtë drejtim. Dhe unë ia vë fajin pikërisht propagandës.
A është kritika ajo që bën dallimin e një krijimi letrar, prej publicitetit?
Prej shumë vitesh mungon kritika e mirëfilltë. Sepse kritika është kritikë dhe rolin e saj nuk e zëvendëson askush. Sado të marrim një autor ta sjellim në radio, në ekranin e televizorit, në faqet e gazetave, lexuesi i thjeshtë nuk ka për ta marrë vesh se çfarë përmban vepra e tij, nëse nuk shkruan kritika.
Dhe ju mendoni se vendin e kritikës e zë propaganda?
Padiskutim. Propaganda e medias. Sot niveli i gazetarëve të kulturës dhe ia atyre që merren me emisionet e kulturës është shumë i dobët. Kjo për arsyen sepse televizionet tona punojnë me stafe të vogla. Një moderator nuk ka kohë ta lexojë një libër dhe ta pyesi autorin thellësisht.
Pyetja më klishe është: “Çfarë mund të na thoni për librin tuaj?”. Autori e ka shumë të vështirë të flasë për veprën. Ndaj një gazetar kurrsesi nuk mund t’i bëjë pyetje klishe një artisti, sepse e fyen atë.
Kjo më kujton një ngjarje: Një gazetare pyet një regjisor të njohur shqiptar para premierës së filmit të tij të ri: “Çfarë tregon filmi juaj?”. Regjisori që mblodhi supet i bëri një kundër pyetje: “Ju e keni parë filmin tim?” “Jo”, u përgjigj gazetarja. “Epo atëherë shiko një herë filmin e pastaj flasim”, ia ktheu regjisori.
Një gjë e tillë ndodh edhe me librin, duhet lexuar një libër pastaj të flasim për të, sepse shkojmë te klisheja tjetër që ndodh nëpër promovime: “Librin se kam lexuar por autori është djalë i mirë”.

Çfarë tjetër ndikon në keqedukimin e lexuesit?
Një fakt që më bën shumë përshtypje është mosha e re pretendente për të hyrë në letërsi. Ne po e shkatërrojmë letërsinë shqipe me nxënës që botojnë që në klasë të parë, të dytë apo të tretë. Kemi 10-vjeçarë me dy vëllime me poezi. Kemi prindër që po i shkatërrojnë fëmijët e tyre duke u ushqyer ambicien e botimit, duke e paguar botimin. Dhe kjo është e tmerrshme. Edhe ky fenomen e ka bërë lexuesin të tërhiqet nga libri i autorëve shqiptarë.
Po ana ekonomike sa ndikon?
Në raste krizash, kur njerëzit fillojnë të numërojnë paratë që kanë në xhep, gjëja e parë nga e cila heqin dorë janë librat, bileta e kinemasë apo e teatrit, pra heqja dorë nga gjërat që çuditërisht konsiderohen të luksit. Jemi në vite kur shqiptarët nuk i kanë xhepat plot, aq sa mund të blejnë libra me çmime të shtrenjta.
Ju jeni autor më disa libra. A ishit prezent në Panairin e Librit në nëntor? Cila ishte atmosfera e përgjithshme e këtij panairi?
Personalisht nuk kam vajtur në Panair të Librit. Dhe kjo ka arsyet e veta.
E para; sepse Panairi i Librit është panairi i botuesve, pra nuk është i panairi shkrimtarëve. Nuk kemi një festë të librit siç bëhet në Milano, Frankfurt, Paris e kudo gjetkë, por kemi thjesht tezga që shesin libra. Dhe këtu del dhe një problem më vete, se ai 20 përqindsh apo 30 përqindësh që shtëpitë botuese ulin për kopertinë, është risku që mbajnë libraritë. Sepse pas Panairit, të gjitha libraritë bien nga shitja e librave. Unë kam takuar miqtë e mi dhe më janë shprehur se pas panairit mbetet një boshllëk i madh. Pra kemi një krizë.
E dyta: Panairi është një portë e madhe ku hyjnë të gjithë. Dhe sinqerisht më shumë bëhet një paradë se sa bëhet një vlerësim. Personalisht nuk pretendoj as për çmime e as për dekorata. Duke qenë i shpenguar nga kjo gjë mund të flas hapur. Në panaire shpesh çmimet që jepen nuk më duken të nivelit. Dhe ndodh rëndom që një libër i cili del në fund të tetorit, ende pa u lexuar, në fillim të nëntorit merr çmim.
Ju e cekët edhe më parë rolin e kritikës. Në fakt sa funksionon ky institucion?  
Në ditët e sotme mund të konsiderojmë se maksimumi na kanë mbetur nja tre kritikë të mirë. Pjesa tjetër, e atyre që e marrin këtë rol, marrin pompën (se furçës i ka dalë boja me kohë) dhe lyejnë një vepër. Po të llogarisim me ato që shkruhen i bie që letërsia shqiptare është letërsia më e madhja në botë, dhe se autorët e saj janë më të mëdhenjtë e mundshëm. Mua më vjen për të qeshur madje dhe për të qarë kur krahasohet një shkrimtar shqiptar sot me atë që ka shkruar Balzaku, apo Dostojevski, shumë kohë më parë. Këto janë krahasime të çmendura.
Do të thotë që ju nuk jeni për etalonin e krahasimit?
Një autor hyn në letërsi për të lënë gjurmën e vet dhe jo për të kopjuar dikë. Ne merremi shumë me reminishencat. Në qoftë se kemi një autor të dikurshëm dhe krahasohemi me të, atëherë pse duhet të shkruajmë ne të tjerët, apo përse do të shkruajnë ata që do të vijnë më pas. Unë e kam thënë edhe më parë: letërsia është konstelacion nuk ka piramidë. Nuk mund të themi kurrë për një autor: “Ky është dhe s’ka më tjetër!”.
Sa lexues ka sot në tregun e letrave shqipe?
Ne nuk kemi shumë lexues. Kot rrekemi të themi se kemi shumë lexues. Këndej dhe andej kufirit, apo dhe në të gjitha trevat shqipfolëse. Këtu në Shqipëri i kemi apo jo nja njëqindmijë lexues. Dhe kjo është shumë pak.
Dhe shkrimtari shqiptar është më i penalizuari?
Natyrisht, për shkaqet që thamë më sipër. Ndaj dhe këta lexues i referohen autorëve të huaj.
Po numri i kopjeve të hedhura në treg? Ka autorë që janë deklaruar se kanë shitur me mijëra kopje?
Ky është tjetër problem: publiciteti i enteve botuese në shumicën e rasteve bëhet krejt pa lidhje. Nëse thuhet që një autor është botuar dhe ka shitur në 15 apo 20 mijë kopje për një libër, na del që në librin pasardhës ka rënie me 12 mijë kopje në librin tjetër edhe më shumë ndërsa në sprovën e katërt nuk ia kap njeri me dorë. Këto janë palaçollëqe që duhet të marrin fund. Nëse do të flasin qoftë botuesi, qoftë dhe shkrimtari duhet të flasin me përgjegjësi të madhe. Sepse nëse një autor ka shitur 15 mijë kopje, i bie që të mbushi dhe arkën e shtetit me para. Njerëzit duhet të mësohen që kur gënjejnë, të gënjejnë bukur. Sepse libri i shitur ka dhe taksat e shtetit. Nëse një ditë të bukur shtëpisë botuese i vjen një kontroll financiar dhe kërkon të dhënat për 15 mijë kopjet e deklaruara... si i bëhet?
Letërsia është e lidhur fort me gjuhën. Në çfarë gjuhe duhet të shkruajnë shkrimtarët...?  E kam fjalën në standard, apo në dialekt?
Standardi i drejtshkrimit të vitit 1972 nuk është i prerë për sa i përket letërsisë. Pra nuk vë kufizime. Standardi përcakton gjuhën zyrtare. Askush nuk i ka ndaluar shkrimtarët shqiptarë qoftë para viteve ‘90 por dhe tanimë, që të shkruajnë duke futur dhe format dialektore. Një nga autorët që e përdor me shumë sukses formën dialektore brenda gjuhës letrare, është Petrit Palushi. Pra i integron të dyja gjuhët bashkë. Ka dhe autorë të tjerë, padyshim.
Autori duhet ta zgjidhi vetë gjuhën e shkruar. Por duhet të ketë parasysh dy gjëra. E para kujt lexuesi i drejtohet. E dyta, gjuha shqipe nuk e ka luksin e madh të ketë përkthyes pa fund. Ndaj çdo autor duhet të pyesi veten: Kjo gjuhë që do përdor, sa e përthyeshme është...?
Marr dy raste që kemi në letërsinë shqipe, Migjenin dhe Kutelin. Janë dy shkrimtarë të kalibrit të lartë që po të ishin në një shtet apo në një gjuhë tjetër do të ishin autorë të përbotshëm. Migjeni është një autor i jashtëzakonshëm shqiptar por fatkeqësisht i papërkthyeshëm sa i përket shkallës së mjeshtërisë dhe bukurisë të asaj që jep në vargjet  e tij. Po kështu edhe Kuteli. Në fillim të viteve ‘90 në Itali u botua “Vjeshta e Xheladin Beut” dhe sinqerisht botimi në italisht nuk tingëlloi aq bukur dhe madhështor sa në orgjinal.
Së fundi mund të them se autori mund të shkruajë dhe në gjuhën e fshatit të tij. Problemi është kujt i drejtohet dhe sa lexues ka. Zotësia e një autori është të ndërtojë marrëdhënie të drejtpërdrejta me lexuesin.

Lajmet e herë pas hershme bëjnë të ditur se ka autorë shqiptarë që botohen në gjuhë të tjera. A keni informacion, këta autorë botohen nga shtëpi të mëdha botuese?
Botimi i shkrimtarëve shqiptarë është një strapacim më vete. Secili botues ka një standard të vetin. Problemi është mënyra se si botohen autorët shqiptar. Personalisht për mua nuk është e rëndësishme në u përktheve në një gjuhë të huaj. Puna është me këtë botim a bie në sy të kritikës së atij vendi. A je ti faktor? Sa mijë libra botohen çdo vit në Francë, apo gjetkë ku je ti në këtë raport? Nëse thua që jam modest dhe kritika nuk shkruan për mua, kjo do të thotë që ti nuk ke bërë asgjë.
Në qoftë se një autor shqiptar paguan vet për librin, përkthimin e botimin dhe ku botuesi nuk ka asnjë detyrim, madje as për publicitetin kjo mendoj unë që është e turpshme. Siç ka ndodhur që autorë shqiptarë janë botuar me 30 kopje jashtë dhe këtu në Shqipëri kanë trumbetuar se kanë bërë namin. Ne vazhdojmë të mos jemi të sinqertë.
Po ju tregoj një tjetër shembull: Kam qenë në Gjermani, në një qytet me 30 mijë banorë, Pafenhofen. Shkova në një librari, e cila furnizohej me të gjitha librat e rinj që dilnin në botë. Pyeta për autorët shqipëtar. Më thanë se kishin pasur vetëm Ismail Kadarenë. Pas tij asnjë tjetër nuk ishte ekspozuar në atë librari. Dhe duhet pasur parasysh se nuk kishte rëndësi nëse ishe në një qytet të vogël apo në kryeqytetin gjerman. Pasi rrjeti i shpërndarjes atje funksiononte perfekt në të gjithë Gjermaninë. Pra nëse botohej, libri vinte menjëherë dhe në atë librari të madhe të atij qyteti të vogël.
Për mua sa më shumë autorë shqiptarë të botohen jashtë aq më mirë është sepse kthehet vëmendja nga letërsia shqipe.

Botuar në: Fjala.al

Friday, August 3, 2018

“Rrënimi” i Leonard Veizit prezantohet në librarinë “Art’s”

Prezantimi i romanit “Rrënimi” në librarinë “Art’s”


Paraditen e 3 gushtit 2018, mes një atmosfere miqsh e dashamirës së librit, romani “Rrënimi” u prezantua në mënyrë zyrtare, por krejt i lirë e pa protokoll. Prej këtij çasti “Rrënimi” ka trajektoren e vetë orbitale, i pavarur nga autori.
Dhe meqenëse librit i takon të jetojë mes librave, ky prezantim u bë e munduar në ambientet e librarisë “Art’s”, - dhe dashamirësisë së zonjës Arta Zeneli, - librari e cila është çelur vetëm pak kohë më parë në Tiranë. Prezantimi u moderua nga shkrimtari dhe studiuesi i njohur Behar Gjoka, por pjesë e debatit u bënë gjithashtu dhe shkrimtarët po aq të njohur Agim Baçi eKliton Nesturi, të cilët e kishin lexuar veprën paraprakisht.

Prezantimi i romanit “Rrënimi” në librarinë “Art’s”
Romani “Rrënimi” është një botim i shtëpisë prestigjioze “Buzuku” me qendër në Prishtinë e me president z. Abdullah Zeneli. 


“Personazhe të një shoqërie në tranzicion. Ngarendje drejt parasë, karrierës, ëndrrave e realitetit jo gjithnjë nga ç’ofron zhvillimi i hovshëm. Një gjuhë përmasash epike.” Kështu do ta përkufizojë romanin “Rrëfimi”, që në kopertinën e tij, Abdullah Zeneli, presidenti i  shtëpisë botuese prestigjioze “Buzuku” me zyrë në Prishtinë.


Leonard Veizi, Arta Zeneli dhe Behar Gjoka

Leonard Veizi e Orjona Tresa



“Personazhe të një shoqërie në tranzicion. Ngarendje drejt parasë, karrierës, ëndrrave e realitetit jo gjithnjë nga ç’ofron zhvillimi i hovshëm. Një gjuhë përmasash epike.” Kështu do ta përkufizojë romanin “Rrëfimi”, që në kopertinën e tij, Abdullah Zeneli, presidenti i  shtëpisë botuese prestigjioze “Buzuku” me zyrë në Prishtinë.
Leonard Veizi e Agim Baçi


Leonard Veizi, 3 vjet pas suksesit të romanit “Lora” këtë herë vjen me një roman të ri prej 320 faqesh, të quajtur “Rrënimi”.

Leonard Veizi e Kliton Nesturi
Leonard Veizi e Rezarta Reçi

Leonard Veizi e Geverina Muzhaqi




Monday, July 9, 2018

Libri i fundit i Kliton Nesturit, tetë tregime ose një leksion therës mbi jetën dhe vdekjen

 Nga Leonard Veizi

Çfarë është jeta? Po vdekja? Po ndeshja e përhershme e tyre çfarë përfaqëson në perceptimin e afërt apo dhe në projeksionin e largët e të pakapshëm? Mund të duhet të marrësh një leksion 90 minutësh në auditor për të ngopur kureshtinë tënde, ose të tërheqësh nga biblioteka një material letrar me detaje krejt jetësore. Kuptohet, nëse këtë material letrar e ke në bibliotekën tënde. Në të kundërt do të duhet t'i drejtohesh librarisë.
Dhe mundi nuk do të të shkojë kot.
Një titull i ri sapo është vendosur në raftin me etiketimin: “Letërsi shqipe”. Në kopertinë dominon e bardha, por në brendësi kemi një gri të thellë, ku hera-herës shpërthejnë dhe plot ngjyra të ngrohta.
Është një sfidë e madhe, ndonjëherë dhe krejt absurde, t’i kushtohesh letërsisë dhe rrëfimeve fiksionale, në të njëjtën kohë kur informacioni i shkurtuar e gjysmak, i shpejtë dhe i vrazhdë që merret nëpërmjet një celulari apo kompjuteri portativ, të zë pjesën më të çmuar të kohës. Ndërsa ai vjen sërish me një vëllim tjetër me tregime, duke konfirmuar edhe një herë se po lundron i sigurt në oqeanin e thellë të prozës.
“Në katin e tretë nuk troket askush”, është një libër me 8 tregime, shkruar nga Kliton Nesturi e botuar në vijimësi nga prestigjiozja “Omsca-1” . Në korpusin e tij letrar prej 8 titujsh, Nesturi ka të shkruara një vëllim poetik, një ese monografike, një dramë, një roman dhe katër vëllime, në përbërje të të cilave janë 36 fabula të ndryshme. Parë në këtë këndvështrim, krijimtaria e tij është fort e larmishme. Dhe siç ndodh në përgjithësi, që vëllimi pasardhës është më i mirë se ai paraardhës, mund të dalim në përfundimin e shpejtë se “Në katin e tretë nuk troket askush”, ka kapur kulmin e krijimtarisë letrare të deritanishme të autorit në fjalë.
Tregimi i parë i vëllimit: “E diel. Ora 5 pasdite” fillon me togfjalëshin ekstrem “Riku vdiq”. I largohemi disi vdekjes në dy tregimet pasardhëse “Pianoja” dhe “Manastiri”, për t’u rikthyer sërish tek një tjetër vdekje e trishtueshme. “Krisula” është tregimi i katërt i vëllimit, shkruar me një dashuri të veçantë, ku personazhi kryesor edhe pse mbulohet nga mirësia shkon drejt një fundi fatal. “Kjo është jeta”! Kjo është edhe sentenca me të cilën kemi rënë dakord, të pafuqishëm për të ndryshuar diçka nga një fat i parathënë apo i paracaktuar.
Në tregimin pasardhës “Në katin e tretë nuk troket askush”, edhe pse personazhi kryesor, Lorana, nuk arrin të vdesë deri në fjalinë e fundit të narracionit, sërish e paralajmëron vdekjen e saj të afërt. Ai pasohet nga “Njeriu me dy varre” një sagë sa letrare aq dhe historike, e cila një pjesë të mesazhit e jep nëpërmjet titullit. Vëllimi mbyllet me tregimet “Syujku” dhe “Tregim për Ana Belën”, ku edhe pse nuk zë vend vdekja si proces fizik, trishtimi dhe aludimet rreth saj janë po aq të pranishme sa dhe në tregimet paraardhëse.
Në tregimet e tij autori kërkon të përçojë me ngulm tek lexuesi, fuqinë e dashurisë. A e arrin ai një gjë të tillë? Mendoj se po. Dhe dashuria, si një proces më shumë platonik se sa fizik, është një çelës që ashtu siç hap dyer të panumërta, ngecet pa lëvizur në shumë të tjera. Sepse, sipas autorit dhe asaj çka ai lë të shkruar, gjithçka vjen nëpërmjet një dyzimi të madh e të pazakontë, që e mundon narratorin për të dalë nga rrethi vicioz, ku herë futet me dashjen e vetë dhe herë e fusin vetë personazhet e ndërtuara prej tij. Dhe këtu kemi të bëjmë me një kurth letrar, ku herë e ngre çarkun autori për të kapur personazhet, por ndodh dhe e kundërta, që personazhet bëhen aq të fuqishëm sa janë në gjendje të ngrenë një kurth për të kapur autorin dhe për ta drejtuar atë t'u japë një zgjidhje siç e kërkojnë ata. Por, duket se për autorin nuk ka rëndësi se si dashuria vjen në faqet e tregimeve të tij, butësisht dhe e pafajshme apo nëpërmjet një intrige që krijon dhe një pështjellim të vazhdueshëm ndjenjash gjatë komunikimit që vendos lexuesi me personazhet e veprës. Në logjikën e tij të ftohtë, por dhe në nënndërgjegje me siguri, autori kërkon të vendosë në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm përballjen e jetës me vdekjen, por dhe përplasjen mes dy dashurive, asaj të ligjëruar dhe një tjetre informale që në gjuhën e përditshme e përdorim me termin: tradhti. Dhe kush triumfon në këtë ndeshje të përjetshme... 
Për më tepër se kaq, duhet të lexoni “Në katin e tretë nuk troket askush”. Janë vetëm 8 tregime, në 200 faqe, për të parë deri në fund magjinë e letërsisë së një shkrimtari shqiptar.


Botuar në:
http://www.mapo.al/libri-i-fundit-i-kliton-nesturit-tete-tregime-ose-nje-leksion-theres-mbi-jeten-dhe-vdekjen

Tuesday, August 22, 2017

Thursday, November 3, 2016

Impresion/ Kliton Nesturi sjell 10 tregime për të na rrëfyer dy epoka

 nga Leonard Veizi 

Pas “I huaj në shtëpi” dhe “Histori tangjente”, Kliton Nesturi vjen me një tjetër vëllim të ri me tregime: “Spaletat”. 

Kur një epokë zëvendëson një tjetër, zakonisht ndodh që ngjarjet ta humbasin ekuilibrin dhe rivendosja e tyre arrihet me një tjetër standard. Dhe të duash të flasësh për ngjarje që ndodhin në një demokraci tranzite, por që zanafillën e kanë prej një diktature traumatike, këtu çështja bëhet fort e komplikuar. Sepse dy epokat që i ndan një fill i hollë si “Muri i Berlinit”, ndajnë dhe psikologji krejt të ndryshme. Por edhe pse duken aq të largëta, ato janë në vazhdimësi të pandërprerë. Këtu çështja duket sikur thjeshtësohet ca. Prandaj ndodh që edhe nga disa tema tregimesh, që mbajnë një titull të vetëm mbi libër, mund të njohësh një epokë amalgamë, psikologjinë njerëzore dhe fate që rrokullisen në një humbellë të thellë.
Kliton Nesturi, një shkrimtar me 6 a 7 botime letrare e një karrierë të gjatë si realizues dokumentaresh; pra një vëzhgues i hollë ngjarjesh që di t’i materializojë në mënyrë krejt artistike, kërkon të na vërë në provë duke na dhënë një titull, për të “shitur” të gjithë vëllimin. “Spaletat” edhe pse një fjalë e vetme është po aq intriguese sa dhe një togfjalësh ritmik. Dhe padyshim, duke qenë se autori nuk e ka kostumin e tregtarit, e në pamje të parë të jep përshtypjen e një shitësi pa përvojë, opinioni i tij i pashprehur duket se adoptohet thjeshtësisht me shprehjen statike: “o të gjitha o asnjërën”. Thënë shkurt: duhet lexuar i gjithë libri për të dalë në të njëjtin përfundim. Ose thënë ndryshe: nëse i ke lexuar të dhjetë tregimet, me siguri ke marrë dhe shijen e një romani.Vëllimi në fjalë ka përkujdesjen Shtëpisë Botuese “Omsca-1”, ndërsa për redaktor mban emrin e një mjeshtri të gjuhës shqipe siç është Loredan Bubani. Kjo na jep garanci, apo bën të besojmë që ende pa e prekur librin fizikisht, se kemi të bëjmë me një letërsi serioze dhe të kualifikuar.
“Spaletat” është vetëm një tregim i Nesturit, por duke mbajtur mbi supe peshën e të gjithë vëllimit që përfaqëson, qoftë dhe simbolikisht, të dhjetë tregimet që përmban vëllimi janë përfshirë nën të njëjtën logo. Në këtë mënyrë duke i vendosur titujt si në një “pazëll” arrijmë të formojmë një mozaik ngjarjesh e të njihemi me plot personazhe që kanë identitet të shformuar, ku mund të ndjekësh si në një kaleidoskop klasik realitete të trishta jetësore.
Për shumëkënd “Bulevardi Stalin” është një term i panjohur, ose i harruar prej kohës, por Nesturi e risjell në vëmendje për të rrëfyer një dramë, e cila ndodh pikërisht në këtë segment që mban për emër ndoshta figurën më problematike të epokës së komunizmit. Dhe nëse personazhi kryesor që ka apartamentin në një nga pallatet buzë këtij bulevardi, internohet për motive politike, edhe vetë simbolika e titullit të jep të kuptosh më shumë se kaq.
Ndërsa tek “Curiculum Vitae” kemi të bëjmë me atë që unë do ta cilësoja si “ndeshje qytetërimesh”. Një femër me një jetëshkrim krejt intelektual, ku bie në sy vendlindja në një kryeqytet evropian, i duhet të përballet në zyrat e shtetit me një drejtor të ardhur nga fshati, i cili ka meritë vetëm ulërimat për partinë në fushatë elektorale, dhe që si njësi matëse për të rekrutuar personelin njeh vetëm një kandar: instinktin seksual që kërkon ta përdorë dhe si një revansh për kohën e humbur në baltë.
Kliton Nesturi dhe Leonard Veizi
Më tej, një bukiniste, (nëse do ta quajmë kështu) po shet, jo pa dhimbje, të vetmen pasuri që i ka mbetur në shtëpi; një bibliotekë. I duhet të mbijetojë në një botë nuk ka asnjë rregull, dhe që e ka shndërruar nga një juriste në një shitëse librash.
Dhe tregimet vazhdojnë me radhë...
“Por kaq sa për të cytur kureshtjen e lexuesit, - do të shkruante dikur Virgjil Muçi. - Për më tej lypset ta ngrini vetë perden e një bote, në skenën e së cilës, siç na kumton Nesturi me prozat e veta, jemi aktorë dhe autorë njëkohësisht”.
Për Kliton Nesturin, si një shkrimtar në përvojë në prozë e poezi, duket se tregimi mbetet gjinia e tij më e preferuar, përderisa me “Spaletat” e rrit në tre numrin e botimeve në këtë gjini letrare. 

Botuar në: http://www.tiranaobserver.al/impresion-kliton-nesturi-sjell-10-tregime-per-te-na-rrefyer-dy-epoka/
  



Monday, May 30, 2016

Kliton Nesturi: Vepër që thyen Zotin


(Shënim për romanin e Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut”)


nga Kliton Nesturi

“Bota është teatër ku secili ka një rol”.
Shekspir
 
Kliton Nesturi dhe Leonard Veizi
Ndryshe nga teatri ku diskutimet nisin pasi shfaqja ka mbaruar dhe perdja është ulur, në letërsi, për një vepër që ka parë dritën e botimit perdja nuk ulet kurrë. Ajo qëndron gjithnjë e hapur, për deri sa kohë vepra ekziston. Vetëm kur ajo asgjesohet krejtësisht, mbi të bie heshtja. Askush më pas nuk mund t’i referohet drejtpërdrejt. Kjo është tragjike, por sot, nuk po flas për këtë. Mendoj se të paktën në epokën moderne, nuk duhet të flitet apo të ndërmendet asgjesimi i një vepre letrare. Periudha e inkuizicionit dhe linçimeve të tjera thuhet se ka përfunduar. Pikërisht, perdja e hapur për veprën e Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut” më jep të drejtën mua që të shkruaj për të, pavarësisht se ka kaluar pak kohë prej botimit të saj nga “Omsca-1”.
Qysh në fillim dua të them se romani “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, është një vepër e strukturuar bukur, me një shkallë të lartë të ndërtimit kompozicional, me gjuhe artistike të pasur dhe stil të zhdërvjellët. Por, ky këndvështrim nuk do të jetë mbi ndërtimin, formën, gjetjen dhe stilin.
I vendosur në një qytet të vogël, por të mbushur me mëkate, në qendër të ngjarjes qëndron boshti i marrëdhënies mes atit (Ludovikut), birit (Vikut) dhe shpirtit – nënës së tij (Evës). Një bosht i krijuar si pasojë e një historie sa mëkati dhe dashurie, e mbajtur fshehtë për shumë kohë, një prej atyre historive të cilat mendon se nuk do të ndriçohen asnjëherë, por do të mbeten të fshehura sa nën veladon, aq edhe nën lëkurë. Një histori ku ndërthuret bashkëekzistenca dhe mosekzistenca e një marrëdhënieje të fortë, një dashuri pa tokë e familje, por kryesisht e shpërndarë në eter; një marrëdhënie kujdesi e ndërtuar hap pas hapi mbi kode, shenja dhe vështrime. Viki, produkti i kësaj dashurie mëkatare, duke humbur boshtin e tij me vdekjen e Evës, ndihet sa i lodhur, aq dhe i pambrojtur dhe i zhgënjyer. Ai nuk është si gjithë të tjerët dhe kurrë nuk do të jetë si ata. Në jetën e tij tashmë nuk ka bosht. Kriza e identitetit të tij është e thellë aq sa zhgënjimi e çon drejt hakmarrjes, shndërrimin në një kriminel dhe zjarrvënës. Personalisht, pavarësisht se jam ateist, nuk jam për djegien e tempujve, të cilitdo besimi apo kulture fetare qofshin. Por djegia e famullisë, në këtë rast, është pasojë e një zhgënjimi të thellë prej dogmës dhe mungesës së dashurisë. Çdo hap i tij në këtë vepër është i justifikuar, duke na kujtuar vargun e famshëm: “Aty ku nuk ka dashuri, fjalën njeri mos e fol!” Edhe kryerja e orgjisë ka të bëjë me zhgënjimin, me revoltën, dëshirën për ta shndërruar dhe për t’i dhënë shtëpisë së Zotit një këndvështrim të ri, atë të një strehe të zakonshme ku hyjnë e dalin mëkate, e ku vet njerëzit që shërbejnë aty jetojnë të përlyer në thellësi me mëkatin. Pavarësisht se ngjarja ndodh në një qytet të vogël, ajo është refleksion i krizës që ka mbërthyer me kohë shoqërinë dhe fenë. Aty është shteti në miniaturë, njerëzit, familjet dhe ngjarjet që zhvillohen aty janë ato që ndodhin kudo. Kudo është qeliza e shoqërisë. Kudo frymohet, dhe jetohet kudo, pavarësisht nga përmasat e vendit, skenës dhe tempullit.
Pavarësisht vështrimeve të ndryshme, mendoj se thellë-thellë të gjithë duhet të bashkohemi në një pikë kur diskutojmë për këtë vepër: ajo është një revoltë ndaj dogmës dhe Zotit. Dikush mund të thotë, se një prift i një famullie të vogël, nuk mund të përfaqësojë Zotin. Po, a nuk është ai përfaqësuesi i tij? Faktet e reja që po dalin në dritë herë pas here, e veçmas kohëve të fundit, e kanë zbehur së tepërmi rolin e fesë, historinë dhe vet ekzistencën e Zotit. Për shumë njerëz, kudo nëpër botë, ai është një Godo, i cili nuk vjen (shihet) kurrë.
Shumë mund të thonë se “Orgji në famullinë e at Ludovikut” u adresohet vetëm të krishterëve dhe se Zoti nuk është vetëm i kryqëtarëve.
 

 
 “Në emër të Allahut dua të të shijoj!”
 
Ky mesazh është publikuar para disa kohësh në faqet e shtypit dhe në portalet e ndryshme. Atë e ka shkruar një klerik i lartë musliman shqiptar, (pak rëndësi se në cilën pjesë të hapësirës shqiptare) dhe i adresohet një besimtareje të re, aspak në lidhje gjaku apo familjare me të. Ky mesazh telefonik nuk është as më shumë dhe as më pak se sa një ftesë për mëkat, apo gjynah, sipas zhargonit musliman. Ky njeri, i veshur me petkun e përfaqësuesit të Zotit në tokë, në mënyrë cinike shkel rregullat, ligjet dhe normat e fesë që përfaqëson, pasi me Kur’an, ndalohen dhe dënohen marrëdhëniet jashtëmartesore. Burrit, përfshi këtu edhe klerikun, i lejohen martesat me shumë gra, (jo më shumë se katër), por jo afera të tilla, të cilat nuk i falen edhe nëse ai është besimtar i rregullt, falet sipas riteve apo edhe kontribuon për xhaminë dhe njerëzit në nevojë.
Nuk është çudi që në këtë histori, të mbetur në tentativë të kishim një “Orgji…” në një dimension tjetër, në një fe tjetër nga ajo e krishterëve. Me epshin e tij ndaj besimtares së re, ky klerik do ta çonte qejfin deri në fund; nuk do të përdoret masa mbrojtëse (sepse nuk ia lejon feja) dhe nuk do të tërhiqej deri në shfrimin e fundit. Dhe nëse kjo do të ndodhte, do të kishim një lindje të re, një Viki të quajtur Xhihan, apo Jadëz, në vend të Evës do të kishim Havanë, apo ndonjë emër tjetër, ndërsa në vend të at Ludovikut do të ishte ky klerik me tespie në dorë, që thyen vet dogmat e fesë së tij.
Ky nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur me klerikët shqiptarë. Të tilla histori kanë ndodhur shpesh, janë përfolur e janë rrëfyer edhe një shekull më parë, edhe para Luftës së Dytë Botërore, edhe… atëherë kur telefonat celularë dhe sms-të nuk ekzistonin. Por këto nuk ndodhin vetëm në hapësirën shqiptare. Kudo, në në gjitha skajet e botës buletinët e ndryshme janë të mbushura me skandale klerikësh dhe histori të tilla. Madje edhe të klerikëve më të lartë apo në manastiret dhe tempujt e famshëm. Kjo ka bërë që, herë pak nga pak, e herë në mënyrë të menjëhershme, shëmbëlltyra dhe dogmat e Zotit të thyhen te njerëzit e thjeshtë, duke marrë shkas nga mëkatet e njerëzve që i shërbejnë atij, e duke thyer kështu edhe mitin e ekzistencës.
Të gjitha këto më shtyjnë të them se romani i Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut” u adresohet të gjithëve pa përjashtim, të gjithëve njësoj.
 
 

Perdja qëndron e hapur
 
Është hera e parë që në letërsinë shqipe kemi një vepër të tillë, një vepër që e thyen Zotin si në gjuhë, po aq edhe në koncepte. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse “Orgji në famullinë e at Ludovikut” kaloi disi në heshtje dhe pa debat. Njerëzit, veçanërisht shqiptarët i shmangen diskutimeve mbi çështje të tilla me përmasa të mëdha. Për ta, më e lehtë është të heshtin apo të zhyten në mëkat se sa të diskutojnë dhe të polemizojnë për tema që prekin drejtpërdrejtë ekzistencën sot dhe në të ardhmen të shoqërisë njerëzore. Shqiptarët, deri më sot kanë dëshmuar se e shohin më të udhës për t’u marrë me gjëra të lehta dhe diskutime që fillesën e tyre e kanë nga përtej kufijve, se sa të shohin, të reflektojnë dhe të reagojnë mbi problemet dhe shqetësimet me të cilat është e mbushur jeta e tyre. E kemi më të lehtë kur gjërat na i thotë një i huaj, atë e pranojmë me lehtësi.
Megjithatë, pavarësisht kësaj shmangie, për deri sa kemi veprën, edhe në këtë rast, perdja vazhdon të mbetet e hapur.


Postuar në:
http://www.mapo.al/2016/05/veper-qe-thyen-zotin
http://www.tiranaobserver.al/veper-qe-thyen-zotin/
http://www.gazetadita.al/veper-qe-thyen-zotin/
http://hermesnews.al/kulture/Veper-qe-thyen-Zotin.html
http://piruni.net/al/veper-qe-thyen-zotin/
http://www.arkivalajmeve.com/Veper-qe-thyen-Zotin.1047986831/
http://www.zeriiqytetarit.com/sq/?p=42785

Thursday, January 28, 2016

Pafytyrësia e dyfytyrësisë, ose rikthim dinjitoz në shtëpi - nga Kliton Nesturi

Shkrim për vëllimim me tregime “Treni i fundit i metrosë” të autorit Leonard Veizi

Kliton Nesturi

Si një art i hapur, letërsia rezervon vazhdimisht surpriza nga të gjithë, të vjetër dhe të rinj, të vdekur dhe të gjallë. Vazhdimisht letërsia pasurohet me emra të rinj dhe vepra të bukura. Por më shumë se emrat, qofshin këta të njohur apo të panjohur, janë veprat ato që na bëjmë të ndihemi mirë apo keq tek sa i lexojmë. Padyshim, edhe letërsia shqipe nuk bën dallim nga ky përcaktim.
Ajo që të bën më shumë përshtypje në këtë kohë dhe që ngjall më shumë interes, është edhe rikthimi në fushën e botimeve i autorëve të ndryshëm, kryesisht në gjininë e prozës, e cila mbetet edhe më e lexuara sot. Për çdo njërin prej tyre, rikthimi në fushën e botimeve ngjan me një rikthim në shtëpi.
Pas një heshtjeje shtatë vjeçare prozatori Leonard Veizi, së fundmi ka dalë para lexuesve me vëllimin me tregime “Treni i fundit i metrosë”, botuar nga shtëpia botuese “Omsca-1”. Duket se kjo heshtje jo e vogël, ka shërbyer si një refleksion i mirë për autorin. Në dallim nga vëllimi i tij me novela “Grahma e shpirtit të mjegullt” (1997) dhe vëllimit me tregime “Ngrehina e përhumbjes” (1998), në “Treni i fundit i metrosë”, Leonard Veizi na shfaqet më i plotë, si në stil, ashtu edhe sa i përket kompozicionit letrar. Mesazhet e tij vijnë të qarta dhe të pastra. Ato janë kode të kuptueshme për të gjithë.
Në të katër tregimet e këtij vëllimi, prej të cilave tre mund të quhen edhe novela, Leonard Veizi na sjell një botë të pasur. Aty vërehet dashuria dhe dyfytyrësia, virtyti dhe hipokrizia, drama sociale dhe ajo individuale, çmitizimi dhe eksplorimi, etj. Çdo tregim, sjell një ngjyrë ndryshe, duke krijuar kështu, një buqetë sa të bukur aq edhe origjinale.

-I vendosur mbi një subjekt të thjeshtë, tregimi “Pas shfaqjes” vë përballë njëri-tjetrit një çift, i cili në një moment vendos të dalë nga bisedat monotone të së përditshmes. Rastësisht gjatë bisedës, dy personazhet e tregimit zbulojnë vlerat e vetvetes, duke krijuar kështu edhe hendekun ndërmjet tyre në ballafaqimin ndërmjet dashurisë dhe hipokrizisë. Për Leonard Veizin, dashuria nuk është një ndjenjë hyjnore, qiellore dhe abstrakte, por një ndjenjë njerëzore, e ndjeshme dhe prekshme. Ideja e autorit se, sinqeriteti është ai që duhet ta shoqërojë ndjenjën e dashurisë vazhdimisht, duke dalë mbi dogmat dhe hipokrizitë është më i rëndësishëm se çmimi që mund të ketë në fund. Tek autori, e rëndësishme është motoja se, dinjiteti i individit është më i rëndesishëm se çdo ndjenjë dhe pasion.

-Tregimi “Treni i fundit i metrosë”, titullin e së cilit mban edhe ky vëllim me tregime, na sjell një dramë nga e cila vuan shumë sot shoqëria shqiptare; prostitucionin. Një djalë, i cili është emigrant në një shtet të huaj, pa kuptuar bie në dashuri me një vajzë të cilën i fejuari i saj, i cili e kishte marrë me vete në emigracion, e detyronte të ushtronte nëpër rrugë profesinon e prostitutës. Shtyrë edhe nga ndjenja humane, dëshirën për ta larguar këtë vajzë nga jeta e trotuareve, ai bëhet protagonist i arratisjes së tyre nga qyteti ku jetonin. Por, pa kaluar shumë kohë, është po ky person që kthehet në anën e kundërt, duke u bërë kështu tutori i së dashurës së tij. Një hero me dy fytyra, i cili ndodh edhe që zihet ngushtë në një moment tek sa vihet përballë pafytyrësisë së tij. I gjithë tregimi, shquhet nga nota të larta. Ai ka një stil proliks, përshkrime të bukura të situatave dhe një dialog të fortë e goditës.

-Tregimi “Famullitari” në dukje është një tregimi i thjeshtë në të cilin rrëfehet jeta e një prifti. Por në vetvete “Famullitari”, i cili përfaqësohet nga frat Ludoviku, sjell jo vetëm dramën dhe dilemat e një prifti franceskan, por mbi të gjitha është një pasqyrë e krizave të ndryshme që ndeshen në jetën e komunitetit. Ndryshe nga tregimet e tjerë, stili i Veizit te “Famullitari” është më i ngjeshur, më hermetik, dhe më pranë analizave psikologjike. Gjithësesi tregimi ruan nota të bukura reale duke të befasuar shpesh me ngjarjet që përshkruhen brenda tij.

-Ndërkaq edhe tregimi “Helena T” sjell një rrëfim ndryshe. Ideja e çmitizimit dhe kënvështrimete reja të një çështjeje të caktuar, janë thelbi i debatit që një grup studentësh bëjnë me pedagogun e tyre gjatë një ore seminari, tema e së cilit është figura e Helenës së Trojës. I përshkruar me situata dhe nota humori, ku spikasin personazhe dhe karaktere të larmishme, tregimi veç idesë së heqjes dorë nga mitet, duke i parë ata vetëm në ngjyresat klasike dhe bardhe e zi, është një thirrje për reformim në sistemin tonë të arsimit, i cili duhet të mësohet që të ngrihet mbi format e debatit duke e pasuruar atë nisur nga kendvështrime të ndryshme.

Vëllimi me tregime “Treni i fundit i metrosë” shquhet për një gjuhë të pasur dhe të pastër. Autori e di se çfarë do të thotë me atë që shkruan dhe këtë e jep në mënyrën më të plotë, në formë, në stil dhe në përmbajtje. Proza e këtij autori është e thjeshtë. Ajo të rrëmben dhe duke u shfaqur para teje si imazhe filmime, të rrëmben me magjinë e fjalës, tensionin që krijohet nga situatat dhe në fund nuk të mbetet të admirosh zgjidhjet tejet origjinale. Kjo e bën atë të dallueshëm në morinë e botimeve shqiptare, ndërsa për prozatorin Leonard Veizi ky është një rikthim dinjitoz në shtëpi.


Duke iu rikthyer një vepre - nga Kliton Nesturi

Duke iu rikthyer një vepre 

(“Treni i fundit i metrosë”, tregime, Leonard Veizi)

Kliton Nesturi

Kanë kaluar vite që kur vepra e Leonard Veizit “Treni i fundit i metrosë” doli nga botimi. Duke iu rikthyer pas gjashtë viteve, tregimeve të përmbledhura në të, vë re se i mbetesh sërish besnik bindjes së fillimit, se në duart e tua ndodhet një vepër mirëfilli letrare, nga ato të cilat jemi mësuar t’ua pëlqejmë autorëve anekënd globit, që sot botojnë në shtëpitë prestigjioze botuese, e që ndonjëherë kanë fatin të vijnë denjësisht të përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
Lind pyetja se, me kë kemi të bëjmë? Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ky libër nuk kaloi edhe aq para vëmendjes së lexuesit, pasi në kohën e daljes në dritë të kësaj vepre, publiku vazhdonte të ishte skeptik për autorët shqiptar, duke rendur më tepër jo nga vlerat, por drejt zhurmës që lëshonin shpesh faqet e shtypit apo emisionet televizive për vepër apo autor mediokër. Nga na tjetër, modestisë së autorit, iu kundërvu edhe fakti se duke qenë gazetar, ai nuk u pa si shkrimtar. Ende e kam parasysh shkrimin që ka bërë mbi këtë vepër në revistën Klan i mirënjohuri Virgjil Muçi. Është, ndër të paktët shkrime analitikë për këtë vepër dhe ndoshta më i miri. Por, sa duket mendimi potent i Muçit u mbulua shumë shpejt nga zhurma mediokre.
Leonard Veizi i përket autorëve që bujtën në letërsinë shqipe pas vitit 1990. Ndryshe prej mjaft autorëve dhe shkarramanëve që pretendonin se po bënin “të përbotshmen dhe uniken” duke pretenduar të zinin një vend në shtëpinë e letërsisë duke hyrë nga dritarja, Leonard Veizi, pas dy botimeve të mëparshme “Grahma e shpirtit të mjegullt” dhe“Ngrehina e përhumbjes”, me “Trenin e fundit të metrosë”, dëshmoi veten si autor potent, i cili kishte hyrë tashmë në shtëpinë e letrave nga dera.
Këtë e vërteton fakti, se edhe sot, tregimet e këtij vëllimi i mbeten në kujtesë çdo lexuesi të vëmendshëm. Natyrisht që askush nuk mund të japë një konstatim të prerë se cili prej tyre është më i bukuri, pasi shijet e gjithsekujt janë personale, por të gjithë pajtohen me mendimin se tregimet e këtij vëllimi janë të shkruara bukur, me një koloristikë të pasur dhe me një tipizim të fortë karakteresh, e ku ndërthuren intriga dhe befasia, dashuria dhe tradhëtia, morali dhe pafytyrësia, realiteti dhe e paimagjinueshmja. Kjo e bën veprën shumë solide dhe i jep gjithkujt të drejtën që ta marrë atë në konsideratë. Edhe sikur, në rastin më të keq, Veizi ta ndalte këtu hapin e tij në bulevardin e madh të letërsisë, “Treni i fundit i metrosë” i jep ati të drejtën që të quhet “një gjurmë e bukur”. Personalisht nuk hyj në radhën e atyre që mendojnë se sasia dhe publiciteti janë faktorë që lënë gjurmët e një autor në letërsi. Mund të mjaftojë, qoftë edhe një vepër e vetme, për ta dëshmuar e vërtetuar këtë. Ai hyn në sojin e atyre autorëve (nuk po përmend emra, sepse gabimisht mund të harroj dikë), të cilët hyn fort në letërsinë shqipe pas viti 1990 me vepra-gjurmë solide dhe  që sot ia vlen t’u referohesh duke folur realisht për ta dhe vepre ne tyre.

“Treni i fundit i metrosë” nuk është maja e krijimtarisë së Leonard Veizit, por podi i tij më i lartë i tij deri më atëherë. Krijimtaria e tij është tashmë në ngjitje dhe ne ia vlen që ta shohim atë si një shkrimtar,ashtu siç shohim dhe mjaft të tjerë, veprat e të cilëve lënë gjurmë tek ne.