Thursday, January 28, 2016

Duke iu rikthyer një vepre - nga Kliton Nesturi

Duke iu rikthyer një vepre 

(“Treni i fundit i metrosë”, tregime, Leonard Veizi)

Kliton Nesturi

Kanë kaluar vite që kur vepra e Leonard Veizit “Treni i fundit i metrosë” doli nga botimi. Duke iu rikthyer pas gjashtë viteve, tregimeve të përmbledhura në të, vë re se i mbetesh sërish besnik bindjes së fillimit, se në duart e tua ndodhet një vepër mirëfilli letrare, nga ato të cilat jemi mësuar t’ua pëlqejmë autorëve anekënd globit, që sot botojnë në shtëpitë prestigjioze botuese, e që ndonjëherë kanë fatin të vijnë denjësisht të përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
Lind pyetja se, me kë kemi të bëjmë? Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ky libër nuk kaloi edhe aq para vëmendjes së lexuesit, pasi në kohën e daljes në dritë të kësaj vepre, publiku vazhdonte të ishte skeptik për autorët shqiptar, duke rendur më tepër jo nga vlerat, por drejt zhurmës që lëshonin shpesh faqet e shtypit apo emisionet televizive për vepër apo autor mediokër. Nga na tjetër, modestisë së autorit, iu kundërvu edhe fakti se duke qenë gazetar, ai nuk u pa si shkrimtar. Ende e kam parasysh shkrimin që ka bërë mbi këtë vepër në revistën Klan i mirënjohuri Virgjil Muçi. Është, ndër të paktët shkrime analitikë për këtë vepër dhe ndoshta më i miri. Por, sa duket mendimi potent i Muçit u mbulua shumë shpejt nga zhurma mediokre.
Leonard Veizi i përket autorëve që bujtën në letërsinë shqipe pas vitit 1990. Ndryshe prej mjaft autorëve dhe shkarramanëve që pretendonin se po bënin “të përbotshmen dhe uniken” duke pretenduar të zinin një vend në shtëpinë e letërsisë duke hyrë nga dritarja, Leonard Veizi, pas dy botimeve të mëparshme “Grahma e shpirtit të mjegullt” dhe“Ngrehina e përhumbjes”, me “Trenin e fundit të metrosë”, dëshmoi veten si autor potent, i cili kishte hyrë tashmë në shtëpinë e letrave nga dera.
Këtë e vërteton fakti, se edhe sot, tregimet e këtij vëllimi i mbeten në kujtesë çdo lexuesi të vëmendshëm. Natyrisht që askush nuk mund të japë një konstatim të prerë se cili prej tyre është më i bukuri, pasi shijet e gjithsekujt janë personale, por të gjithë pajtohen me mendimin se tregimet e këtij vëllimi janë të shkruara bukur, me një koloristikë të pasur dhe me një tipizim të fortë karakteresh, e ku ndërthuren intriga dhe befasia, dashuria dhe tradhëtia, morali dhe pafytyrësia, realiteti dhe e paimagjinueshmja. Kjo e bën veprën shumë solide dhe i jep gjithkujt të drejtën që ta marrë atë në konsideratë. Edhe sikur, në rastin më të keq, Veizi ta ndalte këtu hapin e tij në bulevardin e madh të letërsisë, “Treni i fundit i metrosë” i jep ati të drejtën që të quhet “një gjurmë e bukur”. Personalisht nuk hyj në radhën e atyre që mendojnë se sasia dhe publiciteti janë faktorë që lënë gjurmët e një autor në letërsi. Mund të mjaftojë, qoftë edhe një vepër e vetme, për ta dëshmuar e vërtetuar këtë. Ai hyn në sojin e atyre autorëve (nuk po përmend emra, sepse gabimisht mund të harroj dikë), të cilët hyn fort në letërsinë shqipe pas viti 1990 me vepra-gjurmë solide dhe  që sot ia vlen t’u referohesh duke folur realisht për ta dhe vepre ne tyre.

“Treni i fundit i metrosë” nuk është maja e krijimtarisë së Leonard Veizit, por podi i tij më i lartë i tij deri më atëherë. Krijimtaria e tij është tashmë në ngjitje dhe ne ia vlen që ta shohim atë si një shkrimtar,ashtu siç shohim dhe mjaft të tjerë, veprat e të cilëve lënë gjurmë tek ne.

No comments:

Post a Comment