Tuesday, April 15, 2025

Roswell 1947, porta drejt së panjohurës

A ndodhi vërtet diçka në Roswell në vitin 1947 që ndryshoi historinë moderne të njerëzimit? A ishin “karrocat qiellore” të Biblës takime të lashta me jashtëtokësorë? Një udhëtim mes fakteve, heshtjes zyrtare dhe teorive që nuk vdesin kurrë.
 



Nga Leonard Veizi
 
Të paktën 80 vitet e fundit, pyetja nëse ka jetë jashtëtokësore dhe nëse qeniet inteligjente të ardhura nga planete të tjerë të universit na kanë vizituar ndonjëherë, ka qëndruar si një enigmë e madhe mbi kokat tona. Kjo çështje ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm në opinionin publik, në qarqet shkencore, si dhe në imagjinatën e shkrimtarëve dhe kineastëve. Librat dhe dokumentarët mbi këtë temë janë të panumërt, duke dëshmuar se ideja e kontakteve jashtëtokësore ka hyrë thellë në kulturën tonë moderne...
 
...Një nga argumentet më të përfolura është ekzistenca e fenomeneve të paidentifikuara ajrore, - të quajtura UFO, - të cilat janë vërejtur në vende të ndryshme të botës, shpesh nga dëshmitarë të besueshëm, përfshirë pilotë, ushtarakë dhe shkencëtarë. Gjithashtu, struktura të lashta monumentale, si piramidat e Egjiptit apo komplekset megalitike në Amerikën Qendrore dhe Jugore, kanë nxitur hipoteza se civilizime të avancuara mund të kenë ndikuar në zhvillimin e njerëzimit në të kaluarën. Së fundi, përparimet në astrobiologji dhe zbulimet e shumta të ekzoplanetëve potencialisht të banueshëm, kanë shtuar bindjen se jeta përtej Tokës është jo vetëm e mundshme, por edhe e pritshme të zbulohet në të ardhmen e afërt.
 
Gjithçka nisi në Roswell...
Në verën e vitit 1947, pranë territorit të bazës ajrore në Roswell, New Mexico, u raportua për herë të parë në kohët moderne një disk fluturues. “Baza Ajrore e Roswell kap një disk fluturues në një fermë”, titullonte me bujë gazeta lokale Roswell Daily Record. Por entuziazmi nuk zgjati shumë. Vetëm disa orë më vonë, ushtria amerikane e ndryshoi versionin: objekti i rrëzuar nuk ishte gjë tjetër veçse një balonë meteorologjike, pjesë e projektit sekret “Mogul”.
Megjithatë, ajo që nisi si një lajm lokal, shumë shpejt u kthye në një nga misteret më të mëdha të kohës moderne. A ishte Roswell një keqkuptim teknik, një eksperiment i zakonshëm i fshehur nga opinioni publik, apo një përpjekje për të fshehur një të vërtetë që do të trondiste gjithë botën?
 
Dëshmitarët dhe heshtja zyrtare
Dëshmitë e kohës tregojnë për trupa të vegjël me pamje jo-njerëzore të parë në vendngjarje dhe për materiale të panjohura për shkencën e asaj kohe. Mbetjet, bashkë me trupat, u zhvendosën në një vend që vetë qeveria amerikane nuk e pranonte zyrtarisht se ekzistonte: Zona 51.
Ngjarja u klasifikua "Top Secret". Dëshmitarët u heshtën ose u frikësuan. Dhe sa më shumë vite kalonin, aq më shumë lindnin teori alternative: nga rrëfimet e ushtarakëve të dalë në pension, te publikimi i dokumenteve të deklasifikuara në vitet ’90.
 
Bibla dhe teknologjia
Në vitin 1956, astronomi Morris K. Jessup publikoi librin "UFO and the Bible", ku sugjeronte se shumë prej përshkrimeve biblike për ngjarje të mbinatyrshme mund të ishin takime të hershme me entitete jashtëtokësore. Ai lexon rrëfimet biblike jo si mite apo alegori fetare, por si kronika të takimeve reale me teknologji të përparuar, që popujt e lashtë nuk ishin në gjendje t’i kuptonin. Profecitë për “kohët e fundit”, si dhe përshkrime si “karrocat e zjarrta që zbresin nga qielli”, mund të jenë përpjekje për të përshkruar fluturake ose forma të tjera kontakti me qenie që nuk ishin nga kjo botë.
 
Baza Dulce dhe teoritë e fshehta
Përtej Roswell-it, misteret vazhdojnë. Në një zonë tjetër të New Mexico-s, në malin Archuleta, mendohet të ndodhet baza Dulce, një strukturë nëntokësore me 27 nivele ku, sipas dëshmive jozyrtare, zhvillohen eksperimente të ndaluara mes njerëzve dhe jashtëtokësorëve. Ish-inxhinieri Phil Schneider, që pretendonte se kishte ndërtuar këtë bazë, deklaroi se në vitin 1979 kishte ndodhur një përplasje e përgjakshme mes ushtrisë dhe alienëve. Schneider u gjet i vdekur disa vite më vonë në rrethana të errëta – një detaj që vetëm sa e forcon narrativën e fshehtësisë. Edhe pse asnjë provë e pakundërshtueshme nuk është ofruar, heshtja zyrtare dhe mohimi sistematik e mbajnë të gjallë mitin.
 
Qëndrimi shkencor – i ftohtë dhe racional
Projekti “Condon” në Universitetin e Kolorados në 1966–1968, ku u analizuan mbi 12,000 raportime për UFO, konkludoi se nuk kishte prova që tregonin për inteligjencë jashtëtokësore. Kongrese të tjera shkencore në Evropë, përfshirë një në Francë në vitin 1978, arritën në të njëjtin përfundim: pjesa më e madhe e rasteve ishin keqinterpretime apo mashtrime.
E megjithatë, një përqindje e vogël mbeti pa shpjegim.
 
Çfarë po na fshihet?
Nëse vërtet ekziston një e vërtetë, përse mbahet e fshehtë? Argumentet janë të shumta: nga frika për panik social dhe destabilizim kulturor, te ruajtja e një avantazhi teknologjik ushtarak. Disa teori flasin për marrëveshje të fshehta mes qeverive dhe jashtëtokësorëve në këmbim të informacionit teknologjik. Ajo që dihet me siguri është se sa më shumë mohohet diçka, aq më shumë lindin dyshimet.
 
A jemi vetëm?
Me publikimet e fundit nga Pentagoni mbi fenomenet ajrore të pashpjeguara, dëshmitë nga pilotët dhe radarët që tregojnë objekte që sfidojnë fizikën, dilema mbetet e hapur. Mund të jemi shumë afër së vërtetës — ose aq larg sa as nuk mund ta përfytyrojmë.
Dhe në fund, pyetja mbetet: A ishte Roswell një aksident banal i një balone? Apo porta e parë që u hap drejt një të vërtete të madhe, që për dekada është fshehur me kujdes?
Thjesht... mbetet për t’u parë.

No comments:

Post a Comment