Që shqiptarët kanë qenë trima të
çartur këtë e ka provuar historia. Kanë pasur shpirt rebeli dhe e kanë “blerë”
lirinë me koston më të lartë të mundshme. Por kjo duhet të ketë ndodhur kohë më
parë. Sa për të mençëm duhen vënë sërish në kandar, se ai që u përdor në
fillimet e shtetformimit duhet të ketë pasur ndonjë cen, sepse të paktën që
prej vitit 1997 llogaritë nuk po na dalim mirë. Jo për gjë, por u bënë vite e
vite që shqiptarëve u ka dalë nami, në Evropë, Amerikë e ca më tej, vetëm për
trapllëqet me brirë që kanë bërë. Dhe që shqiptarët po kthehen dita-ditës në
budallenj e trularaskë, kjo po vazhdon të vërtetohet.
-Çfarë i dini shqiptarët, budallenj? – ngre pyetjen e tij retorike
kryeministër Edi Rama, si lider sharmant e largpamës që është. Dhe me këtë
pyetje tërheq vëmendje dyfishe, fillimisht Lulit që mban pozicionin e lartë të
Liderit të Opozitës së Bashkuar, dhe vetë shqiptarëve që mbajnë pozicionin
bazë, atë të Popullit të Thjeshtë. Sepse, me sa duket Rama e di mirë që
shqiptarët janë budallenj e s’kanë nga venë. Por i pëlqen loja e fjalëve dhe
vërtetimi katërcipërisht i asaj që thotë. Natyrisht që budallenj janë o Edi, përderisa
nuk ngrihen e t’u marrin me hu ty si kryeministër dhe Lulin si pretendent, e t’u
luajnë në vend të dajres, po ende u votojnë në rresht për një, socialistët
mavi, të farkëtuar dikur nëpër mbledhjet e organizatave bazë dhe pd-istët e
thekur fraksionuar po nga e njëjta organizatë.
Si t’u them të mençur shqiptarëve
unë, kur ti i gënjen ditën për diell dhe ata të dëgjojnë si bufa: u flet për
mjekësinë falas, kur shqiptarët këputen e vdesin me shumicë o nga kanceri o nga
sëmundjet e zemrës. Dhe rrallë qëllon që ndonjëri prej tyre të iki tak-fak, pa
lënë në dyert e spitaleve, në mos shtëpinë, të paktën thesin me para të marrë
borxh. Se derën e spitalit nuk ta hap as roja, një “gangster” me rrogë 200 euro
në muaj, e që armën më të fuqishme ka një shkop gome, dhe jo më mjeku që ka
zaptuar fronin e mëkëmbësit të Zotit në tokë. Por ndoshta këtu nuk ke edhe
shumë faj, se ti as që e di se ku e ka vendndodhjen Spitali Universitar “Nënë
Tereza”, e jo më të dish problematikat aty. Me gjasa Shërbimet Sekrete të njoftojnë
për shashkat dhe molotovët e luftëtarëve të opozitës, por nuk të informojnë se
jo fort rrallë spitali mbetet pa ilaçe sepse administrata nuk ka arritur të bëjë
tenderin e radhës. Por ti i dashur kryeministër, bëj zamet e çap një herë vetë deri
në spital, pa shofer e truproja, dhe të jesh i bindur se do ndeshësh në rojën
me uniformën e policisë private që do të të vendosi
shkopin e gomës në gjatësinë e rripit të pantallonave, e do të të thotë: “Ku
shkon ti or pallë, se di që ky vend ka zot...?” Aty do të fillosh të kuptosh se
si funksionon “shëndetësia falas”.
Si mund ta vesh në dyshim budallallëkun e shqiptarëve që i paguajnë rrugët
nacionale me ca asfalt mbi to dhe ato të fshatrave gjithë gurë e gropa, nga tre
katër herë në vit, e nuk ta thonë një gjysmë fjale. Madje janë të lumtur që po
ndihmojnë në shtesën e kostos për Rrugën e Kombit dhe mezi po presin të
taksohen disa segmentet e tjera, që për hir të së vërtetës janë aq të shkurtra
sa u del në fund pak minuta pasi ke futur dhe marshin e pestë. Por duhen
taksuar ato dhe shqiptarëve u duhen lehtësuar ca xhepat. Nuk ka dietë më të mirë
në një vend ku dhjami ka zënë dhjamin prej ushqimeve me hormone që mbushin
tregjet. Se shqiptarët, vetëm një gjë e bëjnë mirë e me sukses të plotë, të
shajnë, të shfryjnë e t’u bien borive kur ecin me makina nëpër akset që prej
dhjetë vjetësh nuk mbarojnë dot, por veç tenderohen se demek nuk u dalin paratë.
Dhe gjënë që dinë të bëjnë më keq është të bëhen një herë bashkë e t’u mbledhin
rripat me kërkesë llogarie për paratë e tyre të pakta që shteti ua merr duke u
thënë se do t’ua investojë në punë publike.
Si mund të mendosh që përderisa nuk janë budallenj, shqiptarët sigurisht
janë të mençmit e dheut, e të aludosh mes të dyjave, teksa ti si kryeministër u
shkrive për t’i bërë sa më atraktiv kurikulat mësimore, dhe në fund të të
gjithë reformës u dhurove klasave të para librat të cilat ua more sërish, pasi
u dhe një këshillë kërcënuese 6-vjeçarëve të djeshëm: “Sakën se i prishni!”.
Thuhet se gjëja e dhuruar nuk kthehet, por ti anapulla e kërkove dhe shqiptarët
t’u bindën or babam. Dhe këtë nuk e bënë se janë të mençëm, por se dinjiteti u
ka zbritur nëpër shalë, e ku ka mbetur te kyçet e këmbëve. Në të vërtetë shqiptarët
e shkretë në vend t’i vërvitnin në hale paketat me libra që u “dhurove”, e të
mos e pranonin fare këtë lloj lëmoshe, u turrën të blinin fshirëse gome me
shumicë që të hiqnin nga fletët e abetares dhe aritmetikës shënimet që u kishin
bërë fëmijët gjatë procesit mësimor.
-Shqiptarët nuk janë budallenj, - thotë Rama, herë si kryeministër i
ngrehur kur del në foltore, e herë si qytetar mjeran kur kërkon vota cep e më
cep të Shqipërisë.
Po or po, shqiptarët janë budallenj, mos e ki atë hall, përderisa votën
vazhdojnë të ta japin, o Ty, o Lulit o Monës.
Shume real ky shkrim, miku im! Edhe pse ndonjehre nuk na pelqen ta pranojme, ky eshte realiteti! Te uroj!
ReplyDeleteTë lumtë, Nardi! Shkrim i goditur!
ReplyDelete