Showing posts with label Moikom Zeqo. Show all posts
Showing posts with label Moikom Zeqo. Show all posts

Monday, June 15, 2020

“Moikomiada” / Poeti lë penën dhe shkon të pushojë





Nga Leonard Veizi

Në të gjallë të tij nuk guxova t’i marr një ese mbi vdekjen, ngritur mbi një pyetësor nga ku do të zbërtheja vetë ekzistencën e tij, të një njeriu me tru të ndërlikuar. Për këtë jam fort i penduar, sepse gjithsesi ngërçi që të flisja për vdekje me një njeri që e dinte se po bashkëjetonte etshëm me të, nuk më linte ta çoja deri në fund egoizmin tim. Isha tërësisht i bindur që nuk do të hezitonte të ma përkufizonte ekzistencën e vdekjes ashtu siç e përfytyronte vetë ai në halucinacionet e patrajtshme, por ja që arrita ta kaloja dot autocensurën, mekanizmi i të cilës më pengon sa herë kërkoj të jem më shumë i shpenguar.
Sot, më duhet të shkruaj për vdekjen e tij. Por tanimë nuk ia vlen. Sepse për vdekjen ai do të shkruajë shumë më mirë vetë, kur të mbërrijë atje ku i takon, në parajsë a në ferr, mos qoftë thënë. Ndaj unë edhe tani jam i detyruar të shkruaj për jetën e tij. Veç fare shkurt. Sepse shumë të tjerë, e njohin shumë herë më mirë, e mund të shkruajnë shumë herë më shumë.
Në varfërinë time prozaike me siguri do të shkruaja se Moikom Zeqo u lind në Durrës e vdiq në Tiranë. Bosht 30 kilometrash në vijë ajrore, a ndoshta më pak. Por i pasuruar nga vepra e tij nuk do ta bëj këtë gabim foshnjor i denjë për një gazetar diletant. Sepse unë duhet të shkruaj diçka tjetër... por që në fakt nuk di se çfarë.
Një tërësi veprash poetike botuar në të gjallë të tij mban emrin “Mishellanea”. Një tërësi veprash të tjera, që me siguri do të botohet pas vdekjes së tij do duhet të mbaj një tjetër emër: “Moikomiada”. Është plejada e tij. E një njeriu të vetëm që pa frikë mund të përfaqësonte një grupim të tërë. Dhe ky është tërësisht një mendim personal, asgjë më shumë.
Nëntorin e vitin 2015, gazetari Xhevdet Shehu botoi në gazetën “Dita” një shkrim me titullin apel: A ka një shtrat për Moikomin? Në këtë mënyrë ai ndau me lexuesit dhe lajmin fort të trishtë se shkrimtari shqiptar ishte diagnostikuar me një leucemi kronike.
Pak ditë më vonë, teksa e takoja dhe isha i detyruar t’ia përmendja këtë fakt, mora si përgjigje atë çfarë i kishin thënë mjekët: 7 vjet jetë në bashkëjetesë me të keqen. Te e fundit njeriu ngushëllohet dhe nga ky fakt. 7-të vjet jetë nuk janë pak.
Qershori i vitit 2020 tregoi se sëmundja u tregua krejt e pabesë, duke i marrë nga premtimi të paktën dy vjet prej atyre që u menduan si të dhuruara. Dhe padyshim, për një njeri si Moikomi, që gjumi e zinte mbi libra e gdhihej po mbi ti, dy vjet nuk janë pak. Sepse 700 ditë jetë mund të përkthehen dhe në disa vepra të tjera, mundësuara prej dorës së tij.
Me Moikomin kemi qenë kolegë. Që te jemi të qartë: jo se unë kam qenë deputet në ndonjë legjislaturë, as drejtor i ndonjë institucioni simotër, porse me të kemi punuar krah për krah në dy gazeta të përditshme. Pra kemi qenë gazetarë. Dhe po t’i futem e të shkruaj kujtimet që kam me të, nuk kam për t’ia dalë kurrë. Sepse kemi bërë biseda të gjata mbi artin e historinë, ku unë bëja “pyetësorin e Prustit” e ai kishte përgjigje për gjithçka. Por edhe kafe kemi pirë, ndonjë gotë rakie e kemi kthyer, por edhe ndonjë birrë me meze çasti e kemi konsumuar. Moikomi ishte natyrë e thjeshtë, pavarësisht pasurisë së jashtëzakonshme që kishte, e që ua kalonte dhe oligarkëve të cilëve u përmendet emri në Kuvend. Moikomi duhet të ruhej me truprojë, ashtu si shumë institucione të rëndësishme të shtetit. Por ai shëtiste rrugëve nëpër Tiranë, i fshehur poshtë kapelës së tij republike. Në kokën e tij Moikomi kishte njohuri sa një Akademi Shkencash, dhe nëse kjo vlerë do të konvertohej në para, mund t’i jepte hua shtetit sa të kalonte krizat e tërmetit dhe të covidit bashkë. Por “Mjeshtër i madh” Moikom, kishte një pension shteti dhe që t’ia dilte, botonte vazhdimisht shkrime nga bota e tij e madhe enciklopedike.
Në bibliotekën time kam një dhuratë të çmuar prej Moikomit. Është libri i tij “Nostradami në 3 qershor - Antiprofecitë” të cilin ai e bleu tek një bukinist dhe shënoi me stilolaps një autograf për vajzën time. Në faqen e parë të librit, një botim i vitit 1999, mbante dedikimin “Ky libër i kushtohet Arnisës në 18 vjetorin e saj, më 12 korrik”. Poshtë dedikimit, autografin me dorën e tij e citoj “Geas së vogël, që ta lexojë këtë libër e të më kuptojë – Moikomi 2006”
Sepse nuk është e lehtë të kuptohet Moikom Zeqon as në filozofinë e tij të të shkruarit, as pikturën e tij moderniste. Mund të kuptohej qartësisht vetëm oratoria e tij, ku arrinte të shkoqisë gjithçka në detaje e ku me shumë pasion fliste si për letërsinë, ashtu dhe për historinë.
“Në botë nuk është vetëm kritika që shkruan për librat, edhe shkrimtarët e mëdhenj shkruajnë për njëri-tjetrin”, më pat thënë një herë gjatë një bisede informale, fjalë që i kam përdorur si argument sa herë më është dhënë rasti.
Dukur e quajta “Përbindësh”. Edhe sot nuk e di në kam bërë mirë apo gabim në këtë cilësim që fillimisht erdhi tek unë i bëftë e në mënyrë pasiononte. Ishte viti 2017 dhe në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar, aty ku ai kishte drejtuar për 8-të vite me radhë, u mbajt një simpozium rreth krijimtarisë së tij. Dhe folën shumë prej miqve, njerëz të letrave e të shkencave sigurisht. Po unë çfarë mund të shkruaja për Moikom Zeqon, përtej një lajmi të varfër. Fillimisht vendosa titullin intrigues ““Përbindëshi” Moikom Zeqo, një korpus letrar me mbi 100 vepra”, dhe si më poshtë nisa tekstin:
Krijimtaria e tij vjen nga kaosi. Letërsia nuk është letërsi, dhe as historia nuk shkruhet si e tillë. Ato janë një amalgamë ku dhe poezia shtrihet gjerësisht. Pra realisht kemi të bëjmë më një kaos. Herë i zgjidhshëm herë krejt i koklavitur. Të duhet një lexim i dytë ndoshta dhe një i tretë që të mund ta shpërbësh. Ndërkohë një muzikë xhaz të shoqëron në sfond. Herë pas here të duket se ajo është aty në mes të atij kaosi letrar. Aspak e huaj. Dhe qëndron këmbëkryq. Ndërkaq, ti, gjithashtu kërkon të shkrihesh me të gjithë amalgamën. Nëse ke mundësi t’ia arrish dot, kuptohet. Shën Jeronimi kishte frikë nga mbiemrat. Padyshim nga mbiemrat lëvdues shumë më tepër se të atyre që të vinin në dukje ndonjë të metë të cilës ia dije dhe vetë vetes. Moikom Zeqo gjithashtu. Ai e perifrazon shenjtin ilir nga Dalmacia që jetoi mes shekujve IV – V pas Krishtit, si për të thënë se ai trembej ngaqë mbas emër mbiemrit origjinal, një shtesë tjetër në mbiemër, si përkufizim i kontributit të tij, do ta vinin në një pozitë më të vështirë se kaq. Madje ai shprehet se vetëm përtej kësaj jete, atje ku nuk ka miq që të pompojnë me apo pa të drejtë dhe hipokritë që nuk ta thonë asnjëherë të vërtetën në sy, shkrimtari mund të jetë i qetë dhe krejt i çlirët nga mbidozimi. Por deri atëherë ka kohë, dhe shkrimtarit i duhet të përballet ende në fushën e madhe të betejës, ku disa thonë se e ka fituar luftën prej kohësh e ca të tjerë kërkojnë që ai të vazhdojë e të prodhojë meqenëse makineria e tij është në një gjendje të shkëlqyer pune...
Shkrimi që bëra më ketë rast fluturoi si era e u botua në disa portale. Pas kësaj pata një çast pendimi, por zot i shkrimit më nuk isha për të bërë një retush, ndoshta të domosdoshëm. A ishte “përbindësh” fjala e duhur për ta simbolizuar një poet elegant si Moikomi, një piktor ai, një studiues historie e një arkeolog nënujor gjithashtu. Dilemën ma hoqi vetë ai në një takim të ca ditëve më pas, teksa më përqafonte e qeshte me të madhe. “Si më cilësoje?... Përbindësh... Ha ha ha. Shumë e bukur ishte”. “Epo, - u justifikova unë, - me më shumë se 100 vepra të botuara nuk më vinte në kokë asnjë fjalë më e përshtatshme. Te e fundit, vetëm një përbindësh mund të përtypi aq shumë vepra sa ke përtypur ti”.
Moikomi ka ikur të pushojë tashmë, pas një lufte të ashpër me sëmundjen e pabesë që i shkurtoi të paktën dy vjet nga jeta e “premtuar”. Por vepra e tij ende nuk mund të quhet një cikël i mbyllur, sepse padyshim ai ka lënë pas dhjetëra a qindra letra të tjera formati në dorëshkrim, që do të presin radhën për të parë dritën e botimit. Por gjithsesi, për studiuesit e tjerë, vepra e Moikom Zeqos nga ky çast mbetet e hapur, për interpretim. Dhe në këtë mënyrë ai do të jetë gjithmonë mes njerëzve duke marrë dhe titullin e përjetësisë.

https://www.facebook.com/watch/?v=265583451318820



Thursday, November 23, 2017

“Uragani” Moikom Zeqo, një korpus letrar me mbi 100 vepra

PËRTEJ NJË LAJMI

nga Leonard Veizi

Krijimtaria e tij vjen nga kaosi. Letërsia nuk është letërsi, dhe as historia nuk shkruhet si e tillë. Ato janë një amalgamë ku dhe poezia shtrihet gjerësisht. Pra realisht kemi të bëjmë më një kaos. Herë i zgjidhshëm herë krejt i koklavitur. Të duhet një lexim i dytë ndoshta dhe një i tretë që të mund ta shpërbësh. Ndërkohë një muzikë xhaz të shoqëron në sfond. Herë pas here të duket se ajo është aty në mes të atij kaosi letrar. Aspak e huaj. Dhe qëndron këmbëkryq. Ndërkaq, ti, gjithashtu kërkon të shkrihesh me të gjithë amalgamën. Nëse ke mundësi t’ia arrish dot, kuptohet…

…Shën Jeronimi kishte frikë nga mbiemrat. Padyshim nga mbiemrat lëvdues shumë më tepër se të atyre që të vinin në dukje ndonjë të metë të cilës ia dije dhe vetë vetes. Moikom Zeqo gjithashtu. Ai e perifrazon shenjtin ilir nga Dalmacia që jetoi mes shekujve IV – V pas Krishtit si për të si për të thënë se ai trembej ngaqë mbas emër mbiemrit origjinal, një shtesë tjetër në mbiemër, si përkufizim i kontributit të tij, do ta vinin në një pozitë më të vështirë se kaq. Madje ai shprehet se vetëm përtej kësaj jete, atje ku nuk ka miq që të pompojnë me apo pa të drejtë dhe hipokritë që nuk ta thonë asnjëherë të vërtetën në sy, shkrimtari mund të jetë i qetë dhe krejt i çlirët nga mbidozimi.
Por deri atëherë ka kohë, dhe shkrimtarit i duhet të përballet ende në fushën e madhe të betejës, ku disa thonë se e ka fituar luftën prej kohësh e ca të tjerë kërkojnë që ai të vazhdojë e të prodhojë meqenëse makineria e tij është në një gjendje të shkëlqyer pune.
Dhe kështu, në ditë dilemash si këto që përmenda më sipër, në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar të quajtur UNESCO, u promovua krijimtaria letrare dhe historike e  studiuesit të njohur Moikom Zeqo. Veçanërisht, ky takim promovues kishte të bënte edhe me librin: “Tatuazhet e shpirtit: Transletërsia e Moikom Zeqos”, të autorit Fatmir Minguli. Dhe për një çudi, aspak befasuese në fakt, kjo ishte hera e parë që vetë Moikomi merrte pjesë në një takim ku flitej për krijimtarinë së tij. Siç u shpreh ai vetë për të pranishmit, që prej daljes nga shtypi të librit të parë që mbante mbi krye emrin e tij e deri në atë të fundit të dalë pak ditë më parë, ai nuk kishte bërë asnjë promovim, as kish tentuar madje, as që e kishte marrë mundimin. Për shkrimtarë si Moikom Zeqo, libri ka rrugën e tij, dhe ndërhyrjet mediatike a propagandistike, merreni si të doni, nuk është se ia rregullojnë biografinë.
Në këtë takim u mblodhën shumë emra të njohur të letrave shqip, miq e dashamirës të studiuesit të njohur. Në panel ishin gjithashtu Presidenti i Akademisë Shqiptare së Arteve dhe Shkencave, Prof. Dr. Isuf Kalo, Prof. Dr. Fatos Tarifa. Prof. Dr. Ksenofon Kristafi, Dr. Dorian Koçi, Nasho Jorgaqi, Fatmir Minguli e Josif Papagjoni.
Duke e cilësuar si një “dukuri letrare” veç të tjerash Fatos Tarifa do të thoshte për të se “ishte një intelektual publik i angazhuar, ndërsa letërsia e tij nuk shkruhet për t’u komentuar, por për t’u shijuar”. Fatos Tarifa, diplomat e sociolog i njohur do të mbante një kumtesë të shkëlqyer rreth krijimtarisë së Moikom Zeqos. Sipas tij, shkrimtari Moikom bën një letërsi aspak letrare dhe një histori si jo të tillë. Për më tej ai shtoi se në veprat e Moikomit nuk ndihet letërsia, as eseistika dhe as historia gjithashtu, por të gjitha bashkë. Dhe Tarifa shkon edhe më tej kur e krahasoi krijimtarinë e Moikom Zeqos me një muzikë xhazi, spontane dhe të thellë.
Për drejtorin i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi, “Moikom Zeqo përfaqëson një etalon dhe një vijë mendimi ku me të drejtë autori Fatmir Minguli i ka vënë emrin “Moikomiane” e cila është e veçantë në llojin e vet dhe dallon mes emrave të tjerë të mëdhenj të publicistikës shqiptare”.
Ndërsa Josif Papagjoni do të shtonte se kur je përballë Moikom Zeqos ndihesh inferior, për shkak të enciklopedisë së madhe që ai zotëron.
Dhe kjo qëndron. 
Sepse sigurisht, Moikomi e ka një përgjigje për gjithçka ndërsa atij tjetrit që i ka zënë rrugën a i është ulur në tavolinën e kafesë i duhet të gërmojë e të gërmojë vazhdimisht në labirintet e trurit për të gjetur diçka, që më së shumti as që e gjen dot. 
Moikom Zeqo njihet si një enciklopedist apo erudit, eseist, prozator e poet, por dhe si arkeolog e piktor. Korpusi letrar i tij përmban mbi 100 vepra. Për së fundi ai vjen për lexuesin me librin e tij më të ri mbi jetën dhe letërkëmbimet e Lasgush Poradecit.

Botuar në: