PËRTEJ NJË LAJMI
nga Leonard Veizi
Krijimtaria e tij vjen nga
kaosi. Letërsia nuk është letërsi, dhe as historia nuk shkruhet si e tillë. Ato
janë një amalgamë ku dhe poezia shtrihet gjerësisht. Pra realisht kemi të bëjmë
më një kaos. Herë i zgjidhshëm herë krejt i koklavitur. Të duhet një lexim i
dytë ndoshta dhe një i tretë që të mund ta shpërbësh. Ndërkohë një muzikë xhaz
të shoqëron në sfond. Herë pas here të duket se ajo është aty në mes të atij
kaosi letrar. Aspak e huaj. Dhe qëndron këmbëkryq. Ndërkaq, ti, gjithashtu
kërkon të shkrihesh me të gjithë amalgamën. Nëse ke mundësi t’ia arrish dot,
kuptohet…
…Shën Jeronimi kishte frikë
nga mbiemrat. Padyshim nga mbiemrat lëvdues shumë më tepër se të atyre që të
vinin në dukje ndonjë të metë të cilës ia dije dhe vetë vetes. Moikom Zeqo
gjithashtu. Ai e perifrazon shenjtin ilir nga Dalmacia që jetoi mes shekujve IV
– V pas Krishtit si për të si për të thënë se ai trembej ngaqë mbas emër
mbiemrit origjinal, një shtesë tjetër në mbiemër, si përkufizim i kontributit
të tij, do ta vinin në një pozitë më të vështirë se kaq. Madje ai shprehet se
vetëm përtej kësaj jete, atje ku nuk ka miq që të pompojnë me apo pa të drejtë
dhe hipokritë që nuk ta thonë asnjëherë të vërtetën në sy, shkrimtari mund të
jetë i qetë dhe krejt i çlirët nga mbidozimi.
Por deri atëherë ka kohë, dhe
shkrimtarit i duhet të përballet ende në fushën e madhe të betejës, ku disa
thonë se e ka fituar luftën prej kohësh e ca të tjerë kërkojnë që ai të
vazhdojë e të prodhojë meqenëse makineria e tij është në një gjendje të
shkëlqyer pune.
Dhe kështu, në ditë dilemash
si këto që përmenda më sipër, në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar të
quajtur UNESCO, u promovua krijimtaria letrare dhe historike e studiuesit të njohur Moikom Zeqo.
Veçanërisht, ky takim promovues kishte të bënte edhe me librin: “Tatuazhet e
shpirtit: Transletërsia e Moikom Zeqos”, të autorit Fatmir Minguli. Dhe për një
çudi, aspak befasuese në fakt, kjo ishte hera e parë që vetë Moikomi merrte
pjesë në një takim ku flitej për krijimtarinë së tij. Siç u shpreh ai vetë për
të pranishmit, që prej daljes nga shtypi të librit të parë që mbante mbi krye
emrin e tij e deri në atë të fundit të dalë pak ditë më parë, ai nuk kishte
bërë asnjë promovim, as kish tentuar madje, as që e kishte marrë mundimin. Për
shkrimtarë si Moikom Zeqo, libri ka rrugën e tij, dhe ndërhyrjet mediatike a
propagandistike, merreni si të doni, nuk është se ia rregullojnë biografinë.
Në këtë takim u mblodhën shumë
emra të njohur të letrave shqip, miq e dashamirës të studiuesit të njohur. Në
panel ishin gjithashtu Presidenti i Akademisë Shqiptare së Arteve dhe Shkencave,
Prof. Dr. Isuf Kalo, Prof. Dr. Fatos Tarifa. Prof. Dr. Ksenofon Kristafi, Dr.
Dorian Koçi, Nasho Jorgaqi, Fatmir Minguli e Josif Papagjoni.
Duke e cilësuar si një “dukuri
letrare” veç të tjerash Fatos Tarifa do të thoshte për të se “ishte një intelektual
publik i angazhuar, ndërsa letërsia e tij nuk shkruhet për t’u komentuar, por
për t’u shijuar”. Fatos Tarifa, diplomat e sociolog i njohur do të mbante një
kumtesë të shkëlqyer rreth krijimtarisë së Moikom Zeqos. Sipas tij, shkrimtari
Moikom bën një letërsi aspak letrare dhe një histori si jo të tillë. Për më tej
ai shtoi se në veprat e Moikomit nuk ndihet letërsia, as eseistika dhe as
historia gjithashtu, por të gjitha bashkë. Dhe Tarifa shkon edhe më tej kur e
krahasoi krijimtarinë e Moikom Zeqos me një muzikë xhazi, spontane dhe të
thellë.
Për drejtorin i Muzeut
Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi, “Moikom Zeqo përfaqëson një etalon dhe një
vijë mendimi ku me të drejtë autori Fatmir Minguli i ka vënë emrin “Moikomiane”
e cila është e veçantë në llojin e vet dhe dallon mes emrave të tjerë të
mëdhenj të publicistikës shqiptare”.
Ndërsa Josif Papagjoni do të
shtonte se kur je përballë Moikom Zeqos ndihesh inferior, për shkak të
enciklopedisë së madhe që ai zotëron.
Dhe kjo qëndron.
Sepse
sigurisht, Moikomi e ka një përgjigje për gjithçka ndërsa atij tjetrit që i ka
zënë rrugën a i është ulur në tavolinën e kafesë i duhet të gërmojë e të
gërmojë vazhdimisht në labirintet e trurit për të gjetur diçka, që më së shumti
as që e gjen dot.
Moikom Zeqo njihet si një enciklopedist apo erudit, eseist, prozator e poet, por dhe si arkeolog e piktor. Korpusi letrar i tij përmban mbi 100 vepra. Për së fundi ai vjen për lexuesin me librin e tij më të ri mbi jetën dhe letërkëmbimet e Lasgush Poradecit.
Moikom Zeqo njihet si një enciklopedist apo erudit, eseist, prozator e poet, por dhe si arkeolog e piktor. Korpusi letrar i tij përmban mbi 100 vepra. Për së fundi ai vjen për lexuesin me librin e tij më të ri mbi jetën dhe letërkëmbimet e Lasgush Poradecit.
Botuar në:
No comments:
Post a Comment