Saturday, March 28, 2020

Kontrolli i mendimeve dhe emocioneve, apo “fundi i botës”


Leonard Veizi
Nga Leonard Veizi

Nuk ka nevojë të përplasen planetët që të vijë fundi i botës, ashtu siç ndodhi 4 miliard vjet më parë mes gjigantëve Nibiru dhe Tiamat, ku gjysma e këtij të fundit nisi të marrë një orbitë tjetër rreth Diellit dhe që sot e njohim me emrin Tokë. Ai mund të vijë më parë se një përplasje fizike titanësh. Mjaft që njeriun e vogël, mesatarisht 175 centimetra të gjatë, por me ndjenja, emocione dhe mendim ta zhveshësh nga të gjitha këto.
Në ditët e një karantine të fortë, prej frikës së virusit “Sars Cov -2”, ke dy mundësi: të shohësh filma te lehtë dhe erotik në televizor duke e kombinuar me gjumë të thellë dhe pa ëndrra, ose mungesën e gjumit ta kombinosh me kërkime e lexime, por jo nga ato që na mbushin jetën e përditshme, por duke kapërcyer diçka më tej për të krijuar një dimension të ri mes vetes dhe ngjarjeve që po përjetojmë.
Kështu në ditëtnetët e gjata të qëndrimit në apartamentin familjar, u ndesha dhe në disa shkrime të formatit “konspiracionist” që rëndom në raste të tilla zhurmojnë më shumë se në ditë të qeta. Hera-herës i hedh ndonjë sy dhe faqes së mikut tim të vjetër Alfred Cakos, sepse aty gjithmonë do të gjej një status të ri që do të më joshë e do të më çojë drejt një bote sa të panjohur aq edhe të frikshme. Kjo më bëri t’i rikthehem bibliotekës, por jo më për të rilexuar “Murtajën” e Kamysë, por për të marrë në konsideratë të paktën tre libra të tjerë ku flitet për gjëra të çuditshme dhe heretike deri në ekstrem.
I dituri Alfred Cako, që është i pajisur dhe me një memorie ekselente, thotë se pas projekt “Covid 19” fshihet lufta mes Iluminatit dhe grupimeve të tjera të përfshira kundër tij, e ku një prej aktorëve kryesorë është dhe presidenti Tramp i Amerikës. Dhe ai shkon më tej kur shton: Reptilianët kundër Andromedanëve. Thënë me fjalë të thjeshta: jashtë tokësorët në një lojë që luhet përmes aktorëve tokësorë. E gjitha kjo bëhet për të marrë nën kontroll botën dhe të mirat që prodhon ajo, se për të këqijat nuk ka nevojë kush.
A mos po ekzagjerojmë?!
Po dal jashtë vetes duke dashur të  bëj një përqasje që në fakt nuk shpresoj se do të më nxjerrë kund. Nisur nga ky material i sugjeruar nis të mendoj se në prapaskenën e skemën ku luftëtari kryesor është “Covid-19” janë dhe qenie inteligjente jo tokësore, por që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë ndikim në tokë, që prej kohës kur njeriu gjuante kafshë të egra me një gjethe përpara, e deri tani kur vetë ne, qenia njerëzore, veç sondave në hapësirë ka rritur të prodhojë në mënyrë laboratorike, me teknikën e klonimit, një dele që u pagëzua me emrin “Doll”. Pra ne arritëm të bëjmë një eksperiment që pretendohet se është bërë me ne, të paktën... 300 mijë vjet më parë.
Por sa është përqindja që një gjë e tillë të jetë e vërtetë?! Shfletoj literarurën.  
Më duhet të deklaroj se jam i prirë të marr informacion të kësaj kategorie, pasi në nënndërgjegjen time, nuk besoj në mënyrë të verbër teoritë e stampuara tashmë si të vërteta të pamohueshme. Por nuk marr për bazë tërësisht as teoritë e konspiracionit. Shkurt jam dyshues për gjithçka edhe pse këtë dyshim për fat të mirë nuk e kam agresiv. Në qoftë se ka një teori që vërteton një lëvizje të caktuar, më duhet të gërmoj për të gjetur dhe një që e kundërshton, sepse vetëm kështu do të ndihem më mirë me veten, jo se do më shuhen dyshimet plotësisht. 
Dhe le të vijmë tek tema e ditës: A është i aftë njeriu sa ta kontrollojë botën me anë të mjeteve inteligjente të elektronikës, internetit, celularëve apo çipave të injektuar nën lëkurë, nga ku merret gjithë informacioni i mundshëm?
Njeriu është prodhuar si një “punëtor krahu” me një ndërgjegje të ulët. Shkurt: një skllav. Ky është një nga pretendimet, të cilën konspiracionistët ia faturojnë qenies me ndërgjegje shumë më të lartë se homo sapiensi  tokësor, të cilët dhe na kanë krijuar sipas modelit që vazhdojmë të trashëgojmë sot e kësaj dite.
Në 5-6 mijë vitet e fundit njeriu ka pasur një evolucion të ngadaltë. Nga viti 1900 e këtej progresi ka qenë shumë i madh. Ndërsa pas vitit 2000, me ardhjen e mileniumit të ri, ai ka qenë i mahnitshëm. 
Viti 2020 nisi me dilemën e madhe: “Sars Cov 2” a është një virus natyral apo një prodhim laboratorik? A është i rastësishëm apo i projektuar? A e komandojmë ne tokësorët apo e përcaktojnë jashtëtokësorët?
Teoritë e konspiracionit marrin udhë.
Në mënyrë të detajuar dhe me një propagandë gjithëpërfshirëse, ne kemi dy versione që shpjegojnë njeriun në Tokë.  Librat e shenjtë që thonë se zanafilla ishte prej Evës dhe Adamit apo Havasë dhe Ademit. Pra, një qenie inteligjente që ne e quajmë Zot, i krijoi ata. Në të kundërt teoria evolucioniste e Çarl Darvinit, argumenton se njeriu është derivat i majmunit, në një kohështrirje prej disa miliona vitesh.
Ndërkohë, në tregun e fakteve të reja janë futur disa studiues të tjerë, që mbrojnë një tjetër tezë; atë të klonimit të njeriut, jo nga një Zot i gjithësishëm, por nga një tjetër qenie humane, por shumë më inteligjente, pasi ciklin e jetës e ka nisur shumë kohë para nesh.
Xhim Marrs, një gazetar amerikan i “Nju Jork Tajms”, rreket të na tregonte se “Kush e sundon botën?”, në librin e tij voluminoz me titullin në origjinal “Rule by secrecy”. Libri, i ardhur në shqip prej Alfred Cakos e Aurel Manushit, bëri jehonë të madhe kur u botua në Shqipëri në vitin 2008 edhe pse në perëndim kishte filluar të qarkullonte që prej vitit 2001. Pasi shtjellon në katër kapituj shoqëritë sekrete që kanë dominuar mbi zhvillimet shoqërore, kapitullin e fundit ai ia ka kushtuar “mistereve të lashta”. Në këtë kapitull Xhim Marrs shkruan se Toka është kolonizuar nga alienë me emrin Anunaki, zbritur nga planeti Nibiru përmes një sonde kozmike, ku udhëheqës i ekuipazhit ishte një mashkull me emrin Enki. Dhe fill pas tij me një tjetër ekip erdhi dhe vëllai i tij Enlil. Anunakëve u duhej një material për përdorim të brendshëm që në Tokë ishte me shumicë por në planetin e tyre kishte fare pak rezerva. Pra, hap galeri e nxirr mineral. Në rastin konkret: ar. Më pas akoma ekspeditat anunakiane sollën dhe një mjeke gjenetiste që ishte motra e dy vëllezërve dhe që quhej Ninhursag. Shkurt anunakët u shtruan këmbëkryq në Tokë, ku në atë kohë gjallonin ca specie primitive, të cilat më pas u emërtuan si njeriu i neandertalit dhe ai i kromanjonit, por që një ditë u zhdukën nga skena për shkak të ndryshimeve klimaterike të tokës e sidomos në periudhën e akullnajave. Për të gjitha këto Marrs ka një pikë reference. Dhe ai është studiuesi i jashtëzakonshëm Zeharia Sitçin, një hebre i lindur në Bakunë Sovjetike të Azerbajxhanit, diplomuar në Londër dhe me jetë aktive në Nju Jorkun amerikan.
Gjithsesi, dhe për t’u habitur ndaj asaj që shkruajnë, askush prej këtyre studiuesve nuk ka pasur për qëllim të mohojë ekzistencën e një force universale krijuese, madje, siç shkruan Xhimi Marrs: “Edhe vetë alienët janë të vetëdijshëm për ekzistencën e një Qenieje Supreme”. Pra, në këtë mënyrë marrim mesazhin se Zoti ekziston, dhe nuk varet nga inteligjenca e qenieve të tjera poshtë tij.
Por a mund të jenë të vërteta të gjitha këto?
Në fakt i pari që shkroi një libër me titullin “Karroca e Zotave”, duke tronditur opinionin publik por dhe vetë qarqet e shkencëtarëve, ishte autori zviceran Erik fon Daniken. Megjithëse ai u kritikua ashpër nga teologët dhe shkencëtarët tradicionalistë, librat e tij me teorinë “Astronautët e lashtësisë” u shitën në 65 milionë kopje në të gjithë botën.  
Natyrisht në një botë të hapur, ku nuk ka më inkuizicion dhe turra drush për të djegur heretikët, kemi dhe një teori të re, sa të besueshme aq edhe jo të tillë: Njeriu është prodhim i jashtëtokësorëve. Dhe këtë e mbron me fanatizëm studiuesi i thelluar, Zeharia Sitçin. Në fakt Sitçin është burimi fillestar i kësaj teorie mbështetur mbi zbërthimin e shenjave piktografike të pllakave të mbetura nga civilizimi i lashtë Sumer. Sipas tij, motra e Enlilit dhe Enkit, mjekja gjenetiste Ninhursag ishte ajo që pas disa përpjekjesh arriti të krijojë njeriun tokësor. Dhe zanafilla e të gjithës kësaj ishte se astronautëve anunakë u duheshin ca punëtorë krahu, por që të mos ishin në gjendje të mendonin shumë. Për këtë arsye u manipulua dhe kodi i tyre gjenetik.
Sot, 450 mijë vjet pasi një anije kozmike zbriti në tokë, diku në rrjedhën e sipërme të Gjirit Persik e njohur si Mesopotam e pikërisht në luginën mes lumenjve Tigër dhe Eufrat,  dhe 300 mijë vjet nga koha kur u krijua njeriu i parë Adama, njeriu tokësor i cili është përballur me gjithfarë fatkeqësish natyrore, ka mbijetuar dhe ka zhvilluar një inteligjencë për t’u pasur zili. Gjithsesi, ky njeri tokësor, ka qenë gjithmonë nën praninë e Zotave të tyre.
Sot, mendohet se të dërguarit e këtyre zotave, por dhe të tjerë që lëvizin poshtë e lart nëpër hapësirë, vazhdojnë të ndikojnë në vendimet e mëdha.
“Covid-19” është një projekt që po shfrytëzohet gjithashtu mes grupimeve më të forta të cilët duan të dominojnë mbi rruzull patjetër që është fantashkencë. Më pëlqen ta besoj, por dhe kam frikë ta besoj. Nëse jashtëtokësorët na kanë dhuruar teknologjinë e lartë, kanë ndërhyrë në kodin tonë gjenetik, na kanë bërë më të mençur sot se sa 200 vite më parë, kjo do të thotë që teoria e vaksinave dixhitale do të jetë një plan i afërt, dhe po aq i afërt sa kontrolli i emocioneve do të jetë dhe kontrolli i mendimeve. Nëse njeriu zhvishet nga këto, atëherë nuk ka më nevojë të trembemi nga kataklizmi e radhës, nga lëvizja e boshtit të tokës, e një epoke të re akullnajore apo e një përplasje apokaliptike, ku Tokës i duhet të marrë një orbitë të re.

No comments:

Post a Comment