Nga Leonard Veizi
Më 15 tetor 1844, në
fshatin Röcken të Prusisë, lindi Fridrih Niçe - djali i një pastori luteran që
do të bëhej antiteza më e fuqishme e krishterimit modern në filozofi. Paradoksi
e ndjek që në fillim. I destinuar të bëhej pastor, ai u bë profeti i dyshimit.
I rritur me Biblën, ai do të shkruante: "Perëndia ka vdekur. Dhe ne e kemi
vrarë."
Nga filologu te
filozofi
Niçe nuk ishte filozof në
kuptimin klasik të katedrës. Ishte filolog. I shkëlqyer aq sa në moshën
24-vjeçare, pa doktoraturë ende, u emërua profesor i filologjisë klasike në
Universitetin e Bazelit. Një rekord që ende sot mbetet i jashtëzakonshëm.
Por filologjia i ngushtë e
mbyti. Ai nuk donte të komentonte tekstet e lashta, donte të mendonte si
grekët. Në veprën e parë, Lindja e Tragjedisë (1872), u përplas me kolegët:
filozofia për të nuk ishte analizë e ftohtë, por art, muzikë, instinkt dionisiak
kundër racionalizmit apolonian. Ky konflikt do ta detyronte të jepte dorëheqjen
nga Bazeli dhe të hynte në dekadën e vetmisë së tij të madhe.
Dhjetë vitet në vijim -
mes shëtitjeve në Alpet e Zvicrës dhe dimrave në Xhenova dhe Torino - ai
prodhoi me një ritëm maniakal veprat që tronditën Perëndimin: "Njerëzorja,
tepër njerëzore", "Agimi", "Shkenca e Gëzuar", "Kështu
foli Zarathustra", "Përtej të Mirës dhe të Keqes",
"Gjenealogjia e Moralit".
Tri idetë që tronditën
botën
Filozofia e Niçes mund të
përmblidhet në tre goditje:
1-"Perëndia ka
vdekur". Nuk është ateizëm
triumfalist, por një diagnozë. Niçe thotë: Evropa ka vrarë në praktikë Zotin e
saj moral, por vazhdon të jetojë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Kemi rrëzuar
themelet dhe habitemi pse shtëpia po shembet. Pyetja e tij nuk është nëse Zoti
ekziston, por çfarë do të vendosim në vend të tij.
2-Vullneti për pushtet. Jo dëshira për të sunduar të tjerët, siç u keqkuptua
më vonë, por shtysa e brendshme e çdo gjëje të gjallë për t'u tejkaluar, për
t'u rritur, për të krijuar formë. Edhe arti është vullnet për pushtet.
3-Mbinjeriu dhe kthimi
i përjetshëm. Mbinjeriu, apo sië
njihet në orgjinal Übermensch, nuk është super-njeri biologjik, arian apo
tiran. Është njeriu që arrin të krijojë vetë vlerat e tij, përtej moralit të
tufës, moralit të resantimentit që Niçe e quante "moral i
skllevërve". Dhe testi final i tij është: A do të kishe guximin të jetoje
jetën tënde, pikërisht ashtu siç është, për një pafundësi herësh? Nëse jo, nuk
je i lirë.
Fundi në Torino
Jeta e tij nuk e ndoqi dot
filozofinë e forcës që predikonte. Shëndeti i dobët, migrena kronike, izolimi
dhe indiferenca e publikut e gërryen. Më 3 janar 1889, në Piazza Carlo Alberto
në Torino, pa një karrocier që rrihte një kalë. Sipas dëshmisë, iu hodh në qafë
kafshës duke qarë dhe u rrëzua. Ishte kolapsi mendor përfundimtar.
11 vitet e fundit i kaloi
në errësirë mendore, fillimisht nën kujdesin e nënës dhe më pas të motrës,
Elizabet Fërster-Niçe.. Kjo e fundit do të bëjë dëmin më të madh: do të
censurojë, presë dhe montojë shënimet e tij për të krijuar veprën e rreme
Vullneti për Pushtet, duke e përshtatur për antisemitët dhe nacionalistët
gjermanë që vetë Niçe i përbuzte hapur. Ai vdiq më 25 gusht 1900 në Vajmar.
Nga ajo manipulim lindi
keqkuptimi më tragjik: nazizmi e përdori Niçen si pararendës. Në të vërtetë,
Niçe kishte shkëputur marrëdhëniet me motrën pikërisht për shkak të martesës së
saj me një agjitator antisemit. Ai e quante nacionalizmin gjerman "neurozë"
dhe antisemitizmin "llojin më të ulët të mediokritetit".
Pse na duhet ende sot
Niçe mbetet i rrezikshëm
sepse nuk të lë të qetë. Në vend të të ofrojë ngushëllimin ai të ofron një
çekiç. Dhe na detyron të pyesim: Nëse nuk ka më vlera të gatshme nga lart, a ke
forcë të ndërtosh vetë? Nëse jeta nuk ka kuptim të dhënë, a ke guxim t'i japësh
vetë kuptim?
Prandaj ai nuk ishte një
njeri që prodhonte tragjedi. Sepse tragjedi është kur bota prodhon një mendje
si të tijën dhe nuk di çfarë të bëjë me të, veçse ta keqlexojë.
x

No comments:
Post a Comment