Showing posts with label Kosova. Show all posts
Showing posts with label Kosova. Show all posts

Thursday, June 25, 2020

Tryeza pa këmbë e Uashingtonit



Nga Leonard Veizi

Një fjalë e urtë thotë se “kur zihen elefantët, shkelet bari”. Pra me një deduksion logjik të ftohtë e pragmatist, fati i barit varet nga këmbët e elefantëve.
Të bësh lodra fjalësh mbi një temë të nxehtë, nuk është ndonjë zgjuarsi e madhe, por kur pret që gjërat të shkojnë mirë, ashtu siç është proklamuar, por të të ngatërrohen ferrat nëpër këmbë, aq sa ta bësh rrugën me pengesa, në rastin më të mirë, të duhet të qeshësh nga marazi.
Prishtina e Beogradi mund të kishin bërë një hap të madh përpara, në tryezën e 27 qershorit, të lançuar plot optimizëm. Investimi i madh që ka nisur qysh herët ishte në prag të inaugurimit. Por 50 për qind e lojtarëve tanimë kanë dalë jashtë loje, nga një lëvizje surprizë. Dhe lojtarët me përvojë e dinë mirë se në raste krizash të mëdha lëvizjet surprizë janë pas porte.
Në këto kushte delegacioni që përfaqësonte Kosovën në bisedimet Prishtinë-Beograd apo Kosovë Serbi, nuk ndryshon asgjë specifike nga emërtesa, për së fundmi ka marrë një tjetër goditje. Ndaj fluturimi problematik në kohë Covid-i është anuluar.
Në tryezën e Uashingtonit mund të jetë e gatshme të shkojë Serbia. Por për çastin nuk ka me kë të bisedojë. Tryeza e negociatave është vetëm me një këmbë dhe nuk e mban dot të gjithë peshën. Maksimumi, Vuçiçi i Serbisë, pasi ka ftohur kokën në sallonet e Moskës, dhe dukej më i freskët, mund të shkëmbejë cigare me arbitrin amerikan. Por Kosova mbetet e papërfaqësuar, gjithsesi.
Por nga erdhi lëvizja surprizë? Nga Moska?
Jo. Duket se planet i ka prishur Brukseli, ku burrat që merren me retorikën politike thonë të merakosur se kryeqendra e Evropës politike na qenka xhelozuar, meqë rolin për zgjidhjen e problemeve edhe këtë herë e ka marrë Uashingtoni, ashtu siç ka ndodhur dhe më parë.
Në fakt, nuk është hera e parë që Brukseli nuk e nxjerr qimen nga qulli. Jo se Evropa nuk ka potencial politik, ekonomik e ushtarak, aq sa të marrë vendime të rëndësishme globale, por se duke vazhduar të jetë e fragmentarizuar, vendimet nuk arrijnë të kanalizohen plotësisht në të njëjtin drejtim. Dhe kjo mund të jetë një e metë e madhe e Bashkimit Evropian, ashtu siç mund të jetë dhe vlerë po ta shohësh në prizmin e fraksioneve brenda kuadrit të madh vendimmarrës.
Titanët kanë treguar edhe kësaj radhe muskujt. Protagonizmi në skenën politike, për të zgjidhur mosmarrëveshje të mëdha, edhe këtë herë ka sjellë thellimin e ca lopatave me dhe të hequr nga hendeku këtej dhe andej Atlantikut. Marrëdhëniet e mira sipërfaqësore, në më të shumtën e rasteve thjesht mundohen të mbajnë të kamufluara gropat mes dy bashkimeve të mëdha perëndimore, Evropës dhe Amerikës. Një marrëdhënie e tillë është reflektuar herë pas here dhe nuk duhet marrë si “rrufe në qiell të pastër”, dhe as duhet të zhgënjejë ndokënd për prishje të unitetit nga mendimet ndryshe.
Por në përplasjet e tyre të madhe ka gjithmonë humbës të vegjël.
Në situatën e brishtë, kur nuk lihet rast pa folur për Covid-in dhe namin me kufoma që po bën nëpër botë, titanët kanë gjetur kohën të bëjnë karshillëk nga dritaret e sofatet përkundruall njëri-tjetrit. Energjia që deri dje shkonte në thirrje për shtim fondesh që të gjendej vaksina e cila do të sillte botën në normalitet, tanimë është kanalizuar në pengesa e akrobaci të nivelit të lartë. Dhe një nga këto pengesa është edhe “Çështja e Kosovës”.
Një takim i shumëpritur, është sakrifikuar. Kosova dhe Serbia ishin thirrur në një tryezë të përbashkët në Uashington. Vetëm tri ditë para këtij takimi, Prokuroria Speciale e Hagës “kujtohet” të hedhë në treg akuzat e ngritura për krime lufte. Dhe akuzat bien mbi presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe 9 ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 20 vjet pasi ka përfunduar kjo luftë, Prokuroria e Posaçme ngre akuza për 100 vrasje të paligjshme nga Thaçi & Co. Edhe më herët, e njëjta prokurori ka ngritur dhe akuza të tjera të këtij tipi, por pa sukses. Në rastin konkret suksesi ishte i paracaktuar, sepse në këtë mënyrë autoritetet që do të udhëhiqnin bisedimet për Kosovës u neutralizuan. Dhe bëhet fjalë për presidentin aktual, dikur kryeministër dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli. Pra, emra shumë të rëndësishëm të skenës politike të Kosovës.
Çfarë po bën Evropa? Asgjë që s’e ka bërë më parë.
Ndërsa të interesuarit ishin në pritje se çfarë do të dilte nga takimi mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë, të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, Berlini dhe Parisi kanë njoftuar organizimin e një takimi tjetër mes Kosovës dhe Serbisë, këtë herë në korrik, po të vitit 2020.
Revansh...? Me siguri.
Gjithsesi, dështimi i bisedimeve dukej i paralajmëruar në një farë mënyre, pasi gjithandej në media e portale të mëdha do të gjeje lajme të vogla që flisnin për “duelin” e mundshëm mes të dërguarit special amerikan për bisedimet Serbi-Kosovë, Richard Grenell-it dhe Mirosllav Lajçakut, gjithashtu i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, por këtë herë nga Evropa. Dhe loja nën sytë e vëmendshëm të kritikëve tregon se gara mes emisarëve kishte të bënte më tepër me shpejtësinë e bisedimeve sesa me përmbajtjen. Dhe nëse është përsëri kështu, Kosova gjithashtu do të marrë një tjetër goditje.
Këtë herë veprimi është i dukshëm. Nuk ka nevojë të deshifrosh kode, as referenca diplomatike me më shumë se dy kuptime. Edhe të duam të flasim për një klimë mirëkuptimi, nuk është se kemi argumentet e duhura që çështjen ta deklarojmë të mbyllur.
A thua do të kemi bisedime të frytshme nga kjo ngutje titanësh, bisedime që do të plotësojnë orekset e të dy palëve për njohje, reciprocitet apo shkëmbim territoresh? Pra, gjithçka që është hedhur mbi tavolinë për bisedime.
Akuza e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm ka vlerë për krime lufte. Dhe kjo anë e peshores ka vite që rëndon nga shqiptarët, se me serbët punët i mbylli Milosheviçi dhe vdekja e tij akute gjatë gjykimit. Ndërkohë që në këtë luftë ata për të cilët Prokuroria e Posaçme ngre akuza, kanë qenë duke mbrojtur shtëpinë e tyre. Dhe të mbrosh shtëpinë tënde është lufta më e drejtë e pa kompromis që mund të bësh. Ku është krimi këtu? T’i kundërvihesh me të drejtë tjetrit, pasi të ka dhunuar, po këtu ku gjendet krimi?
Krim i detyruar për vetëmbrojtje, nëse duam ta marrim në mbrojtje. Krim ndaj civilëve të paarmatosur, nëse duam të ngremë mjegull në ditë me diell. Mirëpo, a ka krim më të madh sesa spastrimi etnik kundër shqiptarëve, pikërisht në shekullin e emancipimit, nëse mund ta quajmë kështu shekullin XX? Dhe të mendosh se pas holokaustit që u dënua me të gjithë forcën e mundshme, spastrimi etnik i shqiptarëve ishte një tjetër krim i përsëritur, ku serbët nuk kishin zënë mend.
Haga nuk është hera e parë që luan me këtë nonsens, edhe pse deri tani nuk është se ka fituar gjë, veç përdorimit të akuzave kur i duhen. Nuk përfitoi gjë edhe kur thirri në bankën e të akuzuarve kryeministrin në detyrë të kohës, Ramush Haradinajn. Madje, nuk përfitoi gjë as nga akuzat për trafikim organesh te “shtëpia e verdhë” që “zbuloi” me aq zell reporteri i Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Mirëpo, në rastin e fundit, akuzat ndaj krerëve të UÇK-së ende nuk janë konfirmuar, pasi kjo aktakuzë duhet të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili, sipas rregullores, ka afat deri në muajin tetor. Pra, kemi të akuzuar, por fajtorë ende.
Akuza e zyrtarizuar vetëm tri ditë para takimit të Uashingtonit e godet fort Kosovën, jo aq shumë pas shpine, sesa drejt e në lule të ballit. Sepse loja ka filluar të luhet pa doreza tashmë. Mesazhet janë të qarta.
Por, a mund të ketë një kahje pozitive e gjitha kjo?
Varet si e sheh gotën, gjysmë bosh apo gjysmë plot. Nëse takimi do të shtyhet për në vjeshtë, në përfundim të fushatës elektorale sigurisht, duhet parë dhe klima postzgjedhore amerikane. A do të konfirmohet republikani Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, apo do të vijë era e re e Joe Biden-it. Sepse më optimistët mendojnë se epoka “Biden”, ndoshta do ta varrosë njëherë e mirë idenë e shkëmbimit të territoreve. Dhe kjo nuk është pak.
Gjithsesi, na duhet të presim.




Thursday, December 14, 2017

Kosova, e pushtuar prej 30 shërbimeve sekrete

Perëndimi, sa larg dhe afër. Çfarë ndodh në rrugët e Prishtinës së pasluftës. Kosova, e pushtuar prej 30 shërbimeve sekrete


Reportazh nga Leonard Veizi


Prishtina është një qytet që, edhe pse i ndërtuar më së shumti në vitet e socializmit jugosllav, përcjell aromë civile të Perëndimit. Tashmë gjurmët e luftës janë zhdukur krejt. Vetëm në qendër të qytetit, një godinë 7-katëshe vazhdon të tregojë se ajo çka ndodhi mes shqiptarëve dhe serbëve, u mbyll me goditje plumbash, shpërthime minash dhe goditje artilerie. Dikur kjo ndërtesë ka shërbyer si komandë e policisë. Tashmë pritet vetëm të shembet, pasi nuk ka asnjë mundësi rikonstruksioni. Ndërsa pallatit të sportit i ka mbetur ende emri “Boro e Ramiz” në kujtim të “vllazërimit” serbo-shqiptar,ku sllavi Boro përfaqësonte minorancën në vendin e shqiptarit Ramiz. Ndërkaq jeta në kryeqytetin e Kosovës është po as e gjallë, sa dhe në pjesën tjetër të Evropës. Në 360 dhomat e hotelit “Grand” më së shumti gjen zyrtarë të vendeve të tjera që kanë ardhur për bisedime, apo biznesmenë që zbarkojnë për të lidhur kontrata të reja, ndërsa nga taverna çdo natë dëgjohen tinguj nga muzika vendase. Në rrugët e Prishtinës tashmë shihen shumë më pak “Toyota”-t me shenjat UN dhe po më pak shihen mjetet e blinduara më inicialet KFOR. Vetëm gjatë udhëtimit me avion, pranë Ferizajt, shihej nga lart baza ushtarake që po ndërtojnë amerikanët. Ndërkaq Kosova njeh si gjuhë zyrtare shqipen dhe serbishten, por për shkak të komunikimit masiv po kaq e njohur është dhe gjuha angleze. Në zyrat e administratës përpunoheshin vrullshëm platforma pa fund, ndërsa pranë kompjuterave më së shumti shihje teknicienët e rinj të shkolluar jashtë vendit. Ndërkohë, tregu i vendit pa status funksionon vetëm me monedhën e re europiane.

“Sigurimi i të drejtave të pakicave në Kosovë është testi kryesor për përmbushjen e standardeve demokratike, të cilat janë parakusht për fillimin e negociatave për adresimin e statusit dhe sa më shumë të jetë i plotësuar ky standard, aq më i fuqishëm do të jetë pozicioni i palës kosovare në negociatat për statusin e Kosovës”. Duke iu përshtatur kësaj sentence, tashmë qeveria e Kosovës si të vetmin qëllim kryesor të saj ka plotësimin e standardeve që do ta çojnë drejt pavarësisë shtetin e ri të shqiptarëve.
Ftesa
Të paktën 6 gazetarë nga Tirana fluturuan drejt Prishtinës me avionin e linjës direkte. Për të pasqyruar sa më mirë realitetin konkret, duhet ta prekësh vetë me dorë atë. Disa ditë më parë, nëpërmjet një ftese me postë elektronike, Daut Dauti, zëdhënës-këshilltar për media i kryeministrit Bajram Kosumi, ka njoftuar për një vizitë disaditore të disa gazetarëve nga vendet e rajonit në mënyrë që të informohen me gjendjen aktuale në Kosovë.
Në Prishtinë
Pas rreth 45 minutave fluturim, një avion modest i linjës “Albania Airlines” i ngritur në mesditën e 28 qershorit nga aeroporti “Nënë Tereza” do të ulej në “Airport Prishtina”. Vetëm pak minuta përpara se grupi i gazetarëve nga Tiranë të akomodohej në hotelin e njohur “Grand” aty kishte mbërritur dhe grupi i gazetarëve serbë nga Beogradi. Ndërsa pak më vonë do të mbërrinin dhe gazetarët nga Shkupi i Maqedonisë. Edhe pse e njëjta ftesë kishte shkuar dhe në Malin e Zi, nga Podgorica fqinje nuk erdhi asnjë gazetar. Por duket se kjo nuk i prishi punë askujt.
Gazetarët
Të paktën 15 gazetarë nga tri vende të rajonit udhëtuan nëpër Kosovë për t’u njohur nga afër me realitetin e ri. Nuk kishte dyshim që gazetarët e ardhur nga Beogradi panë bardhë e zi gjithçka që u servir para syve të tyre. Por edhe ata të Shkupit ishin po aq skeptikë ndaj asaj që do të shihnin në ditët e ardhshme. Gjithsesi, e justifikueshme apo jo, tendenca e gazetarëve sllavë nuk solli asnjë gjë të re të skenën e deklaratave të zyrtarëve të lartë, përveç faktit që administratori Petersen, duke iu përgjigjur gazetares Zhelka, tha: “Po ju jap një lajm të keq. Në Kosovë punët po shkojnë shumë mirë”.
Hapësira
Në Kosovë jetojnë rreth 125 mijë serbë, ku 100 mijë prej tyre nuk u larguan nga shtëpitë as gjatë bombardimeve. Aktualisht 18% të vendeve në Parlament i kanë minoritetet. Në Kosovë janë të licensuara 111 masmedia të ndryshme, nga të cilat 39 u përkasin minoriteteve, 26 prej tyre trasmentojnë në dy gjuhë, ndërsa 10 të tjera transmetojnë në gjuhën e minoriteteve të vogla.
Shoqërimi
Në dispozicion të grupit të gazetarëve “miks” kryeministri Kosumi kishte vënë në dispozicion dy nga këshilltarët më të rëndësishëm të tij, Daut Dautin, zëdhënës dhe këshilltar për median, dhe dr. Naser Rugovën, këshilltar politik. Jo vetëm informacion i detajuar, por çdo kërkesë e gazetarëve u plotësua duke plotësuar kështu dhe axhendën e paralajmëruar, si dhe takimet shtesë që u kërkuan më pas.
Takimi i parë
Vizita e parë do të bëhej në selinë e Kuvendit të Kosovës, ku në një bisedë me Arifin, koordinator i qeverisë për standarde, dhe Armenika Etemi, zyrtare e lartë në zyrën e kryeministrit, gazetarët e tri kombësive u njohën me punën e përshpejtuar që po bënte qeveria "Kosumi" në arritje të plotësimit të standardeve. Tabloja ishte e qartë. Një nga pikat kryesore ishte dhe trashëgimia kulturore.
Pengesat
Serbia vazhdon ta pengojë Kosovën atje ku mundet. Regjistrat kadastralë janë një nga pengesat kryesore që ka hasur administrata e qeverisë së Kosovës. Po gjatë tërheqjes serbët i morën me vete të gjithë regjistrat orgjinalë. Gjatë bisedimeve diplomatike në dy raste administrata serbe ka premtuar për kthimin e regjistrave, por në asnjë nga rastet nuk e ka mbajtur fjalën. Por jo vetëm kjo.
Privatizimet
Më pas ishte organizuar një takim me ministrat e qeverisë: Lutfi Haziri, ministër për Pushtet Lokal; Bujar Dugolli, ministër për Tregti dhe Industri; z. Ščepanović, sekretar i përhershëm në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim; dr. Astrit Ajeti, zëvendësministër për Shëndetësi; Arjeta Emra, këshilltare e kryeministrit. Ministri Dugolli bëri të njohur se tashmë privatizimi ishte një proces pa pengesa dhe se çdo muaj në Kosovë hidheshin në tregun e privatizimeve 30 ndërmarrje nga 570 ndërmarrje publike që ishin trashëguar nga sistemi i kaluar. Ndërkohë miniera e njohur e Trepçes ishte nën administrimin e UNMIK-ut. E kështu sipas tij, definicioni mbi një status real e përfundimtar të Kosovës, do të largonte dyshimet dhe do të afronte investitorët e rinj.
Integrimi
Në fjalën e tij Lutfi Haziri, ministër për Pushtetin Vendor, tha: “Kemi dy kategori të serbëve në Kosovë, ata që janë integruar dhe ata që janë kundër integrimit. Megjithatë, u është garantuar gjuha, buxheti, punësimi, ndërtimi i shtëpive të reja. Tashmë ne po zbatojnë formulën më pozitive në botë që cilësohet “diskriminim pozitiv”.
Laboratori
Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur një pyetjeje, pranoi se Kosova është kthyer në një laborator, ku dhe pse shpesh janë tejkaluar normat, ka pasur dhe arritje pozitive. “Diskriminimi pozitiv” është një nga projektet laboratorike që po aplikohet në Kosovën e sotme. Edhe pse minoritetet serbe, rome, egjiptas, ashkali përbëjnë vetëm 10 për qind të banorëve të Kosovës, pjesëmarja e tyre në vendimmarrje, Kuvend, qeveri e administratë është shumë më i madh. Për këtë arsye kjo është emërtuar me termin “Diskriminim pozitiv”. “Nga 120 vende që kemi në Parlament, 20 i posedojnë minoritetet”, u shpreh Daci. Duke folur për ngritjen e institucioneve Daci tha se në Kosovë vepronin më shumë se 30 shërbime të huaja inteligjente, ndërsa vetë Kosova nuk e kishte ende një të tillë.
Mbrojtja
Gazetarët e tri vendeve vizituan edhe Akademinë e Trajtimit dhe Doktrinave. Aktualisht Kosova ka një trupë mbrojtëse të përbërë nga 3032 trupa aktive dhe 2020 rezervistë. Duke bërë një rezyme të Akademisë, kolonel Shemsi Syla tha se TKM ka si mision kryesor mbrojtjen e popullsisë. Ai u shpreh se 10% e efektivit përbëhej nga minoritetet, ku shumicën e dominonte minoriteti serb. Por ata nuk i kishin zënë vendet e tyre në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.

KRYEMINISTRI
Është lindur më 20 mars 1960 në Tuxhec, komuna e Dardanës. Përgatitja profesionale e tij lidhet me Fakultetin Filologjik, dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, magjistër i shkencave filologjike. Fillimisht është angazhuar si gazetar dhe më pas ka vazhduar me politikën. Gjatë takimit me gazetarët kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, tha se gjatë këtyre viteve të pasluftës janë evidente përparimet e mëdha që janë bërë në Kosovë në të gjitha fushat e jetës. Në Kosovë janë mbajtur katër parë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nga të cilat kanë dalë institucionet demokratike të Kosovës, të cilat janë funksionale dhe të ndërtuara në bazë të parimit pozitë-opozitë. Ndër prioritet bazë të qeverisë, kryeministri ka numëruar zbatimin e standardeve, decentralizimin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe dialogun me shtetet e rajonit. “Zbatimi i standardeve ka marrë deri tash notë pozitive dhe nuk ka arsye që të mos jetë kështu edhe gjatë muajve të ardhshëm. Ne presim po ashtu një vlerësim pozitiv nga emisari special i OKB-së, Kai Aide, me çka do t’i hapet rruga fillimit të bisedimeve për statusin final të Kosovës. Bisedimet duhet të fillojnë në shtator dhe ato nuk do të zgjasin deri në pakufi. Unë shpresoj se në vitin 2006 Kosova do të jetë krejtësisht ndryshe. Ne aspirojmë të krijojmë shtetin e pavarur të Kosovës, në të cilin të gjithë do të kanë të drejta të barabarta dhe qasje të barabartë në jetën publike”, u shpreh kryeministri Kosumi.

ADMINISTRATORI
I vendosur në atë që thoshte, shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jessen Petersen, për gazetarët “miks” të tri vendeve rajonale u shpreh: “Është shënuar progres, por ka dhe mangësi. Liria e lëvizjes është përmirësuar, por ka dhe serbë që nuk e ndiejnë veten të lirë për të lëvizur lirisht. Por them se ka nja konfuzion midis realitetit dhe perceptimit. Gjatë këtyre 15 muajve ka pasur shumë pak incidente me baza etnike dhe ka më shumë siguri. Nuk mendoj se duhet të ketë kthime të organizuar të serbëve në Kosovë, por ai duhet të jetë individual, pasi ka shumë njerëz që duan të integrohen në Serbi. Për sa i përket çështjes kadastrale, them se ishte një nga zhgënjimet e mia me Beogradin. Tashmë statusi përfundimtar i Kosovës është në interes të rajonit dhe nga kjo do të përfitojnë të gjitha shtetet në rajon”.

Rahoveci, krahina ku serbët po rikthehen në shtëpitë e tyre të paraluftës. Ngritja e shtëpive të reja, meremetimi i oblekteve të kultit dhe ruajtja e trashëgimisë kulturor

Bashkëjetesa e vështirë e pasluftës

Në krahinën e Rahovecit e rreth saj është bërë luftë e ashpër mes trupave të UÇK-së dhe atyre serbe. Mbas lufte shumë nga familjet serbe, sidomos ato që i lyen duart me gjak, u zhvendosën. Të tjerët qëndruan në një bashkëjetesë të vështirë me shqiptarët e tradhtuar prej tyre. Automjeti ynë ndalon në qendër të qytetit. Një xhami fare pranë qendrës po meremetohej. Autoritetet lokale na shpjegojnë se po rikonstruktohen gjithashtu dhe kishat e manastiret ortodokse. Ato futen në trashëgiminë kulturore të Kosovës. Kryetari i kësaj komune, Esat Haxhijaha na shpjegon se para lufte marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve ishin shumë të mira. Ata hynin e dilnin tek njëri-tjetri. Por pasojat e luftës e kishin çrregulluar këtë raport. Por pas lufte autoritetet vendase nisën sërish të gjenin mënyrën se si bashkëjetesa të normalizohej. “Është krijuar një grup pune prej 17 vetash që prej vitit 2002, i cili kthen dhe integron të larguarit. Që prej pesë vjetësh nuk kemi pasur incidente të rënda në këtë komunë, ndaj them se gjendja është e mirë”, na thotë kryetari. Ndërsa nënkryetari shtesë, Lubisa Duricic, i cili i përket etnisë serbe, thotë se bashkëkombasit e tij e ndjejnë frikën ndaj shqiptarëve dhe nuk janë të lirë. Gazetarët serbë kërkuan të kontaktonin me familjet serbe. Ne të tjerët gjithashtu. Lagjja e serbëve është vendosur në lartësi të qytetit. Opinione të ndryshme. Kemi dhe s’kemi frikë. E megjithatë të gjithë serbët janë aty, me shtëpitë dhe lokalet e tyre. Shesin e blejnë. Nga ana tjetër marrin ndihma dhe rroga dyfishe nga Beogradi. Një familje serbe ofron gazetarët shqiptarë në oborrin e shtëpisë. “Eja të pini një gotë nga vera jonë”. Pranojmë. Në komunën e Klinës një serb 75-vjeçar na thotë: “U larguam për 6 të vjet për në Vojvodinë, por jetuam si mos më keq. Atëherë, menduam të kthehemi në shtëpinë tonë. Unë kam lindur këtu. Nuk kam bërë asgjë të keqe dhe s’kam pse ta ndjej veten fajtor. Tanimë kemi hapur një dyqan”. Ndërkaq me një “Pasat” vjen djali i tij. Nga bagazhi nxjerr ushqime. Marrim vesh se ishte furnizimi i zakonshëm që vinte nga Beogradi. Ndërsa kryetari i kësaj komune, Prenk Gjataj shpjegon se zona fillimisht ishte goditur fort nga serbët, por më pas ishte rimarrë po me luftë nga shqiptarët. E tashmë po investohej që të dyja palët të bashkëjetonin. Rruga po bëhej e re dhe shtëpi të reja po ngriheshin gjithashtu.

RAHOVECI
Komuna e Rahovecit shtrihet në pjesën jugperëndimore të Kosovës dhe kufizohet në veri me komunën e Malishevës, në lindje me Therandën, në perëndim me Gjakovën dhe në jug me Prizrenin. Kjo komunë ka rreth 75 mijë banorë, nga të cilët 95 % janë shqiptarë, 3% serbë dhe 2 %, romë, ashkali dhe egjiptas. Në komunën e Rahovecit ekzistojnë dhe funksionojnë disa objekte industriale, ku më i madhi është kantina e verërave NBI. Komuna e Rahovecit ka gjithsej 25 shkolla me ente parashkollore, një shkollë të mesme me dy paralele të ndara. Gjithsej 23 shkolla fillore, prej tyre 2 shkolla fillore serbe. Në sferën e shëndetësisë ekzistojnë 6 qendra të mjekësisë familjare nëpër bashkësitë lokale dhe një qendër shëndetësore është në lagjen serbe.

STANDARDET
Ja si do përmbushen standardet
Standardet për Kosovën adresojnë një axhendë për tejkalimin e problemeve. Kjo axhendë është e afatizuar dhe sfiduese për institucionet kosovare, shoqërinë civile dhe UNMIK-un.
1-Institucionet demokratike funksionale – IPVQ-ja është zgjedhur në mënyrë të lirë e të drejtë. Ajo qeveris në mënyrë të paanshme, transparente dhe të përgjegjshme. Mediat janë të pavarura dhe të gjitha bashkësive u ofrojnë qasje në informim. Ekziston një organ i pavarur rregullativ për t’i vëzhguar të gjitha mediat dhe ky organ është reduktuar pa diskriminim. Fjalimi urrejtës dënohet nga mediat, komisioni rregullativ dhe komentatorët e mediave.
2-Sundimi i ligjit – Ekziston një kornizë e mirëfilltë ligjore dhe një zbatim efektiv i ligjit, në pajtim me standardet evropiane. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk mund të ndiqet penalisht për krim pa marrë parasysh kush janë ose kë e njohin. Ekzistojnë masa të rrepta për të luftuar krimin e motivuar etnikisht, si dhe krimin ekonomik dhe financiar. Personat të cilët kërkojnë dhe ofrojnë ryshfet, dënohen.
3-Liria e lëvizjes – Të gjithë njerëzit në Kosovë mund të udhëtojnë, punojnë në siguri, pa frikë nga sulmi, ngacmimi apo kërcënimi. Të gjithë njerëzit janë të lirë ta përdorin gjuhën e tyre amtare kudo në Kosovë. Të gjithë njerëzit kanë qasje në tregje, shërbime publike e sociale dhe shërbime komunale.
4-Kthimet e qëndrueshme dhe të drejtat e bashkësive dhe të anëtarëve të tyre – Anëtarët e të gjitha bashkësive duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore në Kosovë dhe nuk duhet të ballafaqohen me kërcënime për siguri dhe mirëqenie për shkak të përkatësisë etnike. Të gjithë personat e zhvendosur që dëshirojnë të kthehen në Kosovë duhet ta bëjnë këtë në siguri e dinjitet.
5-Ekonomia –Zbatohet korniza ligjore për një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese të tregut. Është themeluar një komision rregullativ, që i mban përgjegjës nëpunësit qeveritarë dhe sektorin privat. Ka një regjim taksash që mbështet funksionimin e qeverisë, që inkurajon investimin dhe që ofron shërbime themelore si kujdesin shëndetësor dhe arsimimin.
6-Të drejtat pronësore – Të gjithë duhet të kenë të drejtë të posedojnë dhe jetojnë në shtëpitë e tyre kudo në Kosovë. Zbatimi i drejtë i të drejtave pronësore është esencial për ta inkurajuar kthimin e PZHBV-e dhe trajtimin e barabartë të të gjitha bashkësive etnike.
7-Dialogu – Duhet të ketë dialog konstruktiv dhe të vazhdueshëm ndërmjet IPVQ-së dhe homologëve të tyre në Beograd për çështje si energjia, transporti, komunikacioni, të zhdukurit etj.
8-TMK – TMK në tërësi e zbaton mandatin e vet, siç ceket në Kornizën Kushtetuese, si organizatë civile për emergjenca, që kryen detyra të ndërhyrjes së shpejtë për sigurinë publike në kohë të fatkeqësive natyrore ose emergjencave. TMK i përfaqëson të gjitha bashkësitë e Kosovës.

KUSHTET
Çfarë janë standardet
Standardet janë 8 fusha në të cilat Kosova duhet të përparojë në mënyrë që të funksionojnë, të ketë stabilitet dhe të marrë rrugën drejt Evropës. Kur të arrihet përparim në këto fusha, jeta në Kosovë do të jetë dukshëm më e mirë. Standardet janë çelësi për vende pune dhe siguri. Ky është një plan i detajuar që i përshkruan veprimet konkrete që nevojiten për t’i përmbushur standardet. Qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u punuan në këto dokumente në partneritet. Më pas dy tekstet u miratuan nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, BE-ja, Grupi i Kontaktit dhe aktorë të tjerë kryesorë ndërkombëtarë. Të 8 standardet u publikuan më 10 dhjetor 2003, kurse plani për zbatimin e tyre për Kosovën më 31 mars 2004.

SITUATA
Ndërlikueshmëria e realitetit kosovar
Kosova gjendet në një nga periudhat më sfiduese të historisë dhe zhvillimi të saj, të bëjë hapa vendimtarë në realizimin e vullnetit politik të qytetarëve për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, prosperuese dhe me shanse të barabarta për të gjithë, si dhe të inkuadrohet në proceset e integrimeve euroatlantike. Në Kosovë janë mbajtur katër palë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nga të cilat kanë dalë institucionet demokratike të Kosovës, që janë funksionale dhe të ndërtuara në bazë të parimit pozitë-opozitë. Megjithatë, kalimi nga faza emergjente e ndërtimit të pasluftës në fazën e zhvillimit të qëndrueshëm social e ekonomik po shoqërohet me probleme në rritjen ekonomike dhe ashpërsim të gjendjes sociale, në efektivitetin e strukturave qeverisëse, transferimin e ngadalshëm të kompetencave nga UNMIK-u tek institucionet kosovare, problemet e integrimit të minoritetit serb dhe kthimin e të zhvendosurve nga Kosova: ekzistenca e enklavave jashtë tërësisë institucionale të Kosovës, ngjarjet e marsit dhe pasojat e rënda të tyre, problemet në marrëdhëniet me Serbinë dhe personat e zhdukur. Të gjitha këto paraqesin anën tjetër të realitetit. Ato shprehin ndërlikueshmërinë e realitetit kosovar. Raportet ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë kanë shënuar një ndryshim pozitiv në raport me periudhën e kaluar, respektivisht nga koha e ngjarjeve të marsit 2004, ngjarje këto që patën rënduar këto raporte. Në një masë bojkotimi i votimeve nga serbët e Kosovës në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar do të ndikonte negativisht në raportet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, dhe para së gjithash në integrimin e pakicës serbe në institucionet qendrore të Kosovës. Sidoqoftë, angazhimet e vazhdueshme të qeverisë së Kosovës, si në kohën kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj, ashtu edhe tanimë në drejtimin e kryeministrit Bajram Kosumi, kanë krijuar një tendencë pozitive dhe një politikë më integruese në krahasim me periudhën e kaluar. Si rezultat i kësaj ka ndodhur një shtensionim i marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, respektivisht një komunikim ndëretnik më intensiv dhe një inkuadrim i grupeve etnike në administratën lokale dhe qendrore të Kosovës.


Botuar në gazetën Ballkan - Korrik 2005