Nga Leonard
Veizi
Një
fjalë e urtë thotë se “kur zihen elefantët, shkelet bari”. Pra me një deduksion
logjik të ftohtë e pragmatist, fati i barit varet nga këmbët e elefantëve.
Të
bësh lodra fjalësh mbi një temë të nxehtë, nuk është ndonjë zgjuarsi e madhe,
por kur pret që gjërat të shkojnë mirë, ashtu siç është proklamuar, por të të ngatërrohen
ferrat nëpër këmbë, aq sa ta bësh rrugën me pengesa, në rastin më të mirë, të
duhet të qeshësh nga marazi.
Prishtina
e Beogradi mund të kishin bërë një hap të madh përpara, në tryezën e 27
qershorit, të lançuar plot optimizëm. Investimi i madh që ka nisur qysh herët
ishte në prag të inaugurimit. Por 50 për qind e lojtarëve tanimë kanë dalë
jashtë loje, nga një lëvizje surprizë. Dhe lojtarët me përvojë e dinë mirë se në
raste krizash të mëdha lëvizjet surprizë janë pas porte.
Në
këto kushte delegacioni që përfaqësonte Kosovën në bisedimet Prishtinë-Beograd
apo Kosovë Serbi, nuk ndryshon asgjë specifike nga emërtesa, për së fundmi ka marrë
një tjetër goditje. Ndaj fluturimi problematik në kohë Covid-i është anuluar.
Në
tryezën e Uashingtonit mund të jetë e gatshme të shkojë Serbia. Por për çastin
nuk ka me kë të bisedojë. Tryeza e negociatave është vetëm me një këmbë dhe nuk
e mban dot të gjithë peshën. Maksimumi, Vuçiçi i Serbisë, pasi ka ftohur kokën
në sallonet e Moskës, dhe dukej më i freskët, mund të shkëmbejë cigare me arbitrin
amerikan. Por Kosova mbetet e papërfaqësuar, gjithsesi.
Por
nga erdhi lëvizja surprizë? Nga Moska?
Jo.
Duket se planet i ka prishur Brukseli, ku burrat që merren me retorikën
politike thonë të merakosur se kryeqendra e Evropës politike na qenka xhelozuar,
meqë rolin për zgjidhjen e problemeve edhe këtë herë e ka marrë Uashingtoni,
ashtu siç ka ndodhur dhe më parë.
Në
fakt, nuk është hera e parë që Brukseli nuk e nxjerr qimen nga qulli. Jo se Evropa
nuk ka potencial politik, ekonomik e ushtarak, aq sa të marrë vendime të
rëndësishme globale, por se duke vazhduar të jetë e fragmentarizuar, vendimet
nuk arrijnë të kanalizohen plotësisht në të njëjtin drejtim. Dhe kjo mund të
jetë një e metë e madhe e Bashkimit Evropian, ashtu siç mund të jetë dhe vlerë
po ta shohësh në prizmin e fraksioneve brenda kuadrit të madh vendimmarrës.
Titanët
kanë treguar edhe kësaj radhe muskujt. Protagonizmi në skenën politike, për të
zgjidhur mosmarrëveshje të mëdha, edhe këtë herë ka sjellë thellimin e ca
lopatave me dhe të hequr nga hendeku këtej dhe andej Atlantikut. Marrëdhëniet e
mira sipërfaqësore, në më të shumtën e rasteve thjesht mundohen të mbajnë të
kamufluara gropat mes dy bashkimeve të mëdha perëndimore, Evropës dhe Amerikës.
Një marrëdhënie e tillë është reflektuar herë pas here dhe nuk duhet marrë si “rrufe
në qiell të pastër”, dhe as duhet të zhgënjejë ndokënd për prishje të unitetit
nga mendimet ndryshe.
Në
situatën e brishtë, kur nuk lihet rast pa folur për Covid-in dhe namin me
kufoma që po bën nëpër botë, titanët kanë gjetur kohën të bëjnë karshillëk nga
dritaret e sofatet përkundruall njëri-tjetrit. Energjia që deri dje shkonte në
thirrje për shtim fondesh që të gjendej vaksina e cila do të sillte botën në
normalitet, tanimë është kanalizuar në pengesa e akrobaci të nivelit të lartë.
Dhe një nga këto pengesa është edhe “Çështja e Kosovës”.
Një
takim i shumëpritur, është sakrifikuar. Kosova dhe Serbia ishin thirrur në një
tryezë të përbashkët në Uashington. Vetëm tri ditë para këtij takimi,
Prokuroria Speciale e Hagës “kujtohet” të hedhë në treg akuzat e ngritura për krime
lufte. Dhe akuzat bien mbi presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe 9
ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 20 vjet pasi ka
përfunduar kjo luftë, Prokuroria e Posaçme ngre akuza për 100 vrasje të
paligjshme nga Thaçi & Co. Edhe më herët, e njëjta prokurori ka ngritur dhe
akuza të tjera të këtij tipi, por pa sukses. Në rastin konkret suksesi ishte i
paracaktuar, sepse në këtë mënyrë autoritetet që do të udhëhiqnin bisedimet për
Kosovës u neutralizuan. Dhe bëhet fjalë për presidentin aktual, dikur kryeministër
dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli. Pra, emra shumë të rëndësishëm të
skenës politike të Kosovës.
Çfarë
po bën Evropa? Asgjë që s’e ka bërë më parë.
Ndërsa
të interesuarit ishin në pritje se çfarë do të dilte nga takimi mes krerëve të
Kosovës dhe Serbisë, të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, Berlini dhe Parisi kanë
njoftuar organizimin e një takimi tjetër mes Kosovës dhe Serbisë, këtë herë në
korrik, po të vitit 2020.
Revansh...?
Me siguri.
Gjithsesi,
dështimi i bisedimeve dukej i paralajmëruar në një farë mënyre, pasi gjithandej
në media e portale të mëdha do të gjeje lajme të vogla që flisnin për “duelin”
e mundshëm mes të dërguarit special amerikan për bisedimet Serbi-Kosovë,
Richard Grenell-it dhe Mirosllav Lajçakut, gjithashtu i dërguar special për
dialogun Kosovë-Serbi, por këtë herë nga Evropa. Dhe loja nën sytë e vëmendshëm
të kritikëve tregon se gara mes emisarëve kishte të bënte më tepër me
shpejtësinë e bisedimeve sesa me përmbajtjen. Dhe nëse është përsëri kështu, Kosova
gjithashtu do të marrë një tjetër goditje.
Këtë
herë veprimi është i dukshëm. Nuk ka nevojë të deshifrosh kode, as referenca
diplomatike me më shumë se dy kuptime. Edhe të duam të flasim për një klimë
mirëkuptimi, nuk është se kemi argumentet e duhura që çështjen ta deklarojmë të
mbyllur.
A
thua do të kemi bisedime të frytshme nga kjo ngutje titanësh, bisedime që do të
plotësojnë orekset e të dy palëve për njohje, reciprocitet apo shkëmbim
territoresh? Pra, gjithçka që është hedhur mbi tavolinë për bisedime.
Akuza
e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm ka vlerë për krime lufte. Dhe kjo anë e
peshores ka vite që rëndon nga shqiptarët, se me serbët punët i mbylli Milosheviçi
dhe vdekja e tij akute gjatë gjykimit. Ndërkohë që në këtë luftë ata për të cilët
Prokuroria e Posaçme ngre akuza, kanë qenë duke mbrojtur shtëpinë e tyre. Dhe
të mbrosh shtëpinë tënde është lufta më e drejtë e pa kompromis që mund të
bësh. Ku është krimi këtu? T’i kundërvihesh me të drejtë tjetrit, pasi të ka
dhunuar, po këtu ku gjendet krimi?
Krim
i detyruar për vetëmbrojtje, nëse duam ta marrim në mbrojtje. Krim ndaj civilëve
të paarmatosur, nëse duam të ngremë mjegull në ditë me diell. Mirëpo, a ka krim
më të madh sesa spastrimi etnik kundër shqiptarëve, pikërisht në shekullin e
emancipimit, nëse mund ta quajmë kështu shekullin XX? Dhe të mendosh se pas
holokaustit që u dënua me të gjithë forcën e mundshme, spastrimi etnik i
shqiptarëve ishte një tjetër krim i përsëritur, ku serbët nuk kishin zënë mend.
Haga
nuk është hera e parë që luan me këtë nonsens, edhe pse deri tani nuk është se
ka fituar gjë, veç përdorimit të akuzave kur i duhen. Nuk përfitoi gjë edhe kur
thirri në bankën e të akuzuarve kryeministrin në detyrë të kohës, Ramush
Haradinajn. Madje, nuk përfitoi gjë as nga akuzat për trafikim organesh te “shtëpia
e verdhë” që “zbuloi” me aq zell reporteri i Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Mirëpo,
në rastin e fundit, akuzat ndaj krerëve të UÇK-së ende nuk janë konfirmuar,
pasi kjo aktakuzë duhet të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake, i
cili, sipas rregullores, ka afat deri në muajin tetor. Pra, kemi të akuzuar,
por fajtorë ende.
Akuza
e zyrtarizuar vetëm tri ditë para takimit të Uashingtonit e godet fort Kosovën,
jo aq shumë pas shpine, sesa drejt e në lule të ballit. Sepse loja ka filluar të
luhet pa doreza tashmë. Mesazhet janë të qarta.
Por,
a mund të ketë një kahje pozitive e gjitha kjo?
Varet
si e sheh gotën, gjysmë bosh apo gjysmë plot. Nëse takimi do të shtyhet për në
vjeshtë, në përfundim të fushatës elektorale sigurisht, duhet parë dhe klima
postzgjedhore amerikane. A do të konfirmohet republikani Trump në krye të Shtëpisë
së Bardhë, apo do të vijë era e re e Joe Biden-it. Sepse më optimistët mendojnë
se epoka “Biden”, ndoshta do ta varrosë njëherë e mirë idenë e shkëmbimit të
territoreve. Dhe kjo nuk është pak.
Gjithsesi,
na duhet të presim.
No comments:
Post a Comment