Nga Leonard Veizi
Rrugët po shkërmoqen një nga një, por qeveria nuk mban asnjë përgjegjësi.
Askush nuk del e të thotë një fjalë, qoftë edhe për të gënjyer ditën për shi. Qeveritarët
janë çthurur. Ca rrinë në majë të avionit, ca te dera e SPAK-ut, por pa u “fut
mrena”.
- “Mbete me kallam në dorë, doktor efendi, ndërsa andej po na ngordhin
qetë…”
- “Të gjitha qetë, more Salë?”
E kam fjalën për Salën, sekratarin e partisë së koperativës Marenë, jo për
Sali Doktorin.
- “U t’u thaftë goja! Tomori me, Tomka! Ai balashi që desh vrau Koçin…”
Kështu është edhe puna e rrugëve të Shqipërisë. Si Tomor Balashi në filmin
“Shoqja nga fshati”, prodhim i Kinostudios së epokës komuniste.
Të paktën në atë kohë, për gabime e faje të tilla dilte se s’bën, një
“grup armiqësor”, ku më i “nderuari” merrte 25 vjet burg, konfiskim të pasurisë
dhe heqje të së drejtës elektorale për pesë vjet. Të tjerët i mbështesnin pas
murit dhe u jepnin nga një koqe plumbi.
- “Hajd’ në të sëmësë…”
Por tani gjyqe popullore nuk ka më. As prokurorë xhelatë. As dënime me
vdekje. Ndaj matrapazët e xhonglerët kanë gjetur “shesh bëjnë përshesh”. Edhe
oligarkët… Fiks si akrobatët e filmit “Cirku në fshat”.
- “Ra edhe rruga Maliq–Lozhan!”
- “E kujt i plasi rrota?”
Mirë e ke: kur je rrotë, si do të të plasi rrota?
Në ditët e sotme e rëndësishme është të dish si ta lyesh rrotën: herë me
margarinë, herë me vaj vegjetal. Se ai i ullirit futet në lojë vetëm për raste
festash.
- “Sot do të lozë qeni i kallajxhiut!”
- “Me ujë të bekuar? Do më punoni ndonjë rreng, mua s’më thoni kurrë asgjë…”
Rrugët rrëzohen. Urat shembën. Shqipëria paralizohet. Por Kryeministri e ka
axhendën “full”. I gënjen mendja se do të rregullojë Gazën. Hall i madh ta
bëjmë Gazën si Zvicra! Po Shqipëria?
- “Lepe, zotrote!”
Ndërkohë, punët në Shqipëri shkojnë zi e më zi. U shemb rruga Qukës–Qafë
Plloçë, edhe ajo Librazhd–Pogradec, edhe ajo e Lumit të Vlorës. Edhe tuneli i
Llogarasë…
- “A ka më?”
- “Është edhe babi…”
Shqipëria është paralizuar. Saliu hedh shashka te Kryeministria.
- “Aferim të qoftë! E përmbyse rendin kushtetues! Sidomos me molotovët e
sovjetit…”
Nëpër rrugët e Shqipërisë njerëzit flenë nëpër makina. Fundjava turistike
kthehet në ferr. Por ne jemi të gatshëm të presim turistë edhe më shumë se një
vit më parë. Shtretër bosh ka sa të duash — shqiptarët flenë në makina. Janë
mësuar tashmë. Se hera e parë është e vështirë. Pastaj trashet kurrizi. Dhe në
fund nuk shpenzon para as për dhomën e hotelit. Ua lëmë dopjo gjashtën në dorë
atyre pronarëve të bregdetit, se shumë vickla po na hedhin.
Kjo është një tjetër “meritë” e qeverisë.
Epo, të na rrojë qeveria, more shokë! Se edhe për ne mendon, edhe bagëtitë
na i shton, na i shumon… e na i mbarështon.
-“Me fund”!

No comments:
Post a Comment