Sunday, May 17, 2026

“Eurosong” i Alis

 


Nga Leonard Veizi

Po, Alis shkëlqeu me “Nan” në skenën e Eurovision Song Contest. Edhe pse në renditje kapi vendin e 13 me 145 pikë, performanca e tij u dallua si një nga çastet më të forta emocionale të natës.
“Shumë falemners”, iu drejtua ai publikut – me gegnishten e ëmbël të Shkodrës – në fund të performancës së tij mahnitëse, me krahët e shqiponjës në sfond, ku përveç back-vokaleve një rol fort emocionues kishte edhe ikona e teatrit dhe kinemasë shqiptare Rajmonda Bulku.
Nga viti në vit, Eurovision Song Contest ka qenë jo vetëm një festival kënge, por edhe një pasqyrë identitetesh kulturore, emocionesh kolektive dhe krenarie kombëtare.
Megjithatë, Evropa mbetet shpesh provinciale – siç e kam thënë edhe në disa shkrime të tjera – përderisa vendet fqinje, që ndahen vetëm nga kufij gjeografikë, i japin pikë njëra-tjetrës, apo “vasalët” i kthejnë qeranë shteteve padron. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ne shqiptarët, ku herë i kemi dhënë pikët maksimale Greqisë, herë Italisë, duke treguar, në mos vasalitet, të paktën inferioritet.
-“Italinë e kemi nënë”, thoshte Dom Engjëlli në filmin “Shembja e idhujve”, pak para se Italia të funte me trupat alpine në token shqiptare.
Por Italia nuk denjoi të na jepte asnjë pikë. Dhe ndoshta më mirë që na dha zero, sesa të na jepte vetëm një për mëshirë.
-“Sikter me gjithë raki”, është batuta e Parandilit në filmin “Gjeneral Gramafoni”. E mbani mend besoj. Ishte koha kur Italia përgatitej të agresonte Shqipërinë.
Dhe jo vetëm kaq: pikë nuk të jep as Ukraina, e cila nuk e njeh Kosovën, as Rumania që po ashtu nuk e njeh Kosovën. Ndërkohë Shqipëria e varfër kontribuon me financa dhe mbështet në forume ndërkombëtare, për luftën në Ukrainë. Kjo është loja e pikëve: një sistem ku mesazhi shpesh humbet përballë interesave dhe aleancave.
Gjithsesi, në 22 vite përfaqësim të Shqipërisë në skenën e madhe europiane të muzikës, rrallëherë kemi ndier aq fort se mund të ngjiteshim lart në renditje, madje të preknim zonën e favoritëve për vendin e parë, sa në dy edicionet e fundit.
Dhe ndoshta nuk është aspak rastësi që këto çaste kanë ardhur nga i njëjti burim frymëzimi artistik: Shkodra.
Si “Shkodra Elektronike”, ashtu edhe Alis, janë prodhime autentike “Made in Shkodër”. Dhe kjo nuk është thjesht etiketë gjeografike, por vulë tradite, qytetërimi dhe kulture – dëshmi se ky qytet mbetet një nga laboratorët më të fuqishëm të artit shqiptar.
Alis shkëlqeu në skenë me sigurinë e një artisti që nuk kërkoi vetëm të interpretonte një këngë, por të krijonte atmosferë. Prezenca skenike, vokali, mënyra e komunikimit me publikun dhe energjia që përcolli e kthyen performancën në një spektakël që nuk mund të kalonte në heshtje. Në një kompeticion ku gjithçka matet në sekonda emocioni dhe në aftësinë për të mbetur në kujtesë, ai arriti të krijojë identitet.
Publiku shqiptar e ndjeu këtë. Edhe publiku europian po ashtu. Për disa minuta, Shqipëria nuk ishte vetëm një vend pjesëmarrës në festival, por një zë që kërkonte të dëgjohej seriozisht.
Dhe kjo ka rëndësi.
 
Sepse për shumë vite kemi hyrë në Eurovision Song Contest me këngë që shpesh mbeteshin në kufirin mes pjesëmarrjes dinjitoze dhe harresës së shpejtë. Ndërsa tani duket se kemi filluar të kuptojmë se Evropa nuk kërkon vetëm spektakël artificial, por autenticitet, karakter dhe rrënjë.
Prandaj suksesi i Alis nuk duhet parë si rastësi e çastit apo si shkëlqim i izoluar festivalesh. Ai është vazhdimësi e një tradite. Një tjetër provë se arti i vërtetë lind aty ku kultura nuk është dekor, por mënyrë jetese.
Dhe ndoshta, më në fund, Shqipëria po kupton se rruga drejt suksesit europian nuk kalon duke imituar të tjerët, por duke sjellë në skenë atë që kemi më autentike nga vetja jonë.

No comments:

Post a Comment