Tuesday, May 12, 2026

13 maj 1981: Atentati, 23-vjeçari turk qëlloi katër herë mbi Gjon Palin II

 


Nga Leonard Veizi
 
Ishte 13 maj i vitit 1981. Një e mërkurë e zakonshme në sheshin "Shën Pjetër" në Romë, ku ishin mbledhur më shumë se 20,000 besimtarë. Pak çaste para fillimit të audiencës së përjavshme, Papa Gjon Pali II qëllohet katër herë ndërsa kalonte me një makinë të hapur mes turmës. Plagoset rëndë. Njëri prej plumbave e goditi në bark dhe një tjetër në dorën e majtë. Atentatori ishte 23-vjeçari turk, Mehmet Ali Agça, i cili me një pistoletë tip "Browning", kalibri 9 mm, qëlloi nga një distancë prej më pak se gjashtë metrash. Papa u dërgua me shpejtësi drejt spitalit "Gemelli" në Romë, ku iu nënshtrua një operacioni të vështirë që zgjati më shumë se pesë orë. Fatmirësisht, asnjë organ vital nuk ishte prekur. Fill pas të shtënave, Papa Gjon Pali II u kërkoi besimtarëve "lutuni për vëllain tim... të cilin unë e kam falur sinqerisht"...
 
...Sulmi ndodhi pikërisht në ditën përkujtimore të shfaqjes së parë të Virgjëreshës së Fatimës. Gjon Pali II ia atribuoi mbijetesën e tij ndërhyrjes së Zonjës së Fatimës, duke u shprehur se ky atentat ishte parashikuar në mesazhet e saj misterioze. Pas tre javësh në spital, Papa u shërua plotësisht, por pasojat e sulmit ndryshuan përgjithmonë sigurinë e tij; që prej asaj dite, ai nisi të qarkullonte mes turmës me një makinë të blinduar, e njohur botërisht si "Popemobile".
 
Një enigmë e pazgjidhur
Motivet e Agçës për vrasjen e kreut të Kishës Katolike mbeten edhe sot enigmatike. Sipas disa burimeve, sulmi mund të ketë qenë orkestruar nga GRU, shërbimet e inteligjencës ushtarake sovjetike. Të tjerë, nisur nga kombësia e atentatorit, besojnë se pas tij qëndronin grupet radikale islamike. Ka edhe versione që flasin për një bashkëpunim mes mafies turke dhe asaj italiane. Së fundi, nuk mungon as teza se Agça vuante nga çrregullime mendore.
Në vitet '70, Agça u bë pjesë e grupimit terrorist të ekstremit të djathtë, "Ujqërit Gri". Ky grup ishte përgjegjës për vrasjen e qindra zyrtarëve, gazetarëve dhe aktivistëve të majtë në Turqi. Në shkurt të vitit 1979, pas vrasjes së redaktorit liberal Abdi Ipekçi, Agça u arrestua, por mundi të arratisej nga një burg ushtarak në nëntor të po atij viti. Në qelinë e tij la një letër kërcënuese kundër Papës, të cilin e cilësonte si "komandantin e kryqtarëve" dhe "maskë të imperialistëve perëndimorë".
Më 13 maj 1981, pasi kishte hyrë në Itali me identitet të rremë, ai kreu atentatin. Në xhepin e tij u gjet një shënim ku shkruhej: "Po vras Papën në shenjë proteste kundër imperializmit të Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara". U dënua me burgim të përjetshëm në korrik të vitit 1981. Një vit më pas, ai ndryshoi dëshminë, duke pretenduar se atentati ishte një komplot i shërbimeve sekrete bullgare që vepronin në emër të KGB-së.
 
Takimi i faljes
Në vitin 1983, Papa Gjon Pali II dhe Agça u takuan privatisht në burgun ku mbahej atentatori. Papa dëshironte që bota — e mbushur me urrejtje dhe fanatizëm — të shihte imazhin e faljes. Për 21 minuta, të ulur pranë njëri-tjetrit në karrige plastike, ata biseduan si dy burra të zakonshëm. Agça i puthi dorën Papës, ndërsa ky i fundit, para se të largohej, i dhuroi një rruzare argjendi e margaritari.
Papa Gjon Pali II, një antikomunist i zjarrtë dhe mbështetës i lëvizjes "Solidarnost" në Poloni, ishte padyshim një objektiv për bllokun lindor. Megjithatë, gjyqi i vitit 1985 kundër bashkëpunëtorëve të mundshëm u minua nga vetë Agça, i cili nisi ta përshkruante veten si Jezu Krishti dhe të parashikonte fundin e botës. Për shkak të dëshmive kontradiktore, të pandehurit e tjerë u liruan për mungesë provash. Me kërkesë të vetë Papës, Agça u fal nga presidenti italian Çampi në qershor të vitit 2000 dhe u ekstradua drejt Turqisë.

No comments:

Post a Comment