Friday, June 4, 2021

Dhjeta për të marrë jetën

Nga Leonard Veizi

 
Çfarë është diploma e shkollës së lartë, një mundësi më e mirë për të jetuar, apo një status shoqëror?
.........
Vajza ime nisi provimet e maturës.
Si shumë prindër që prisnin tek dera e gjimnazit për të mësuar sa më shpejt ecurinë e provimit, edhe unë gjeta një bar për të pirë një kafe të gjatë dyorëshe, e për të medituar ca me vete. Sepse fati i mëtejshëm i fëmijëve është shqetësues gjithmonë. Do marrë në testim një notë maksimale, apo thjesht do marrë provimin? Do të vazhdojë universitetin në degën e preferuar, apo kuturu, mjaft që të jetë “me shkollë të lartë”. Qëllon që edhe pse je i përgatitur për një provim, të ngecësh e mos i japësh dot dum, qoftë dhe një pyetjeje të thjeshtë. Ndaj kjo të penalizon.
Ja, këto nisa të mendoj teksa minutat kalonin ngadalë dhe koha në dispozicion të provimit donte dhe ca që të skadonte.
Mendjen e shqiptarit në diktaturë, por dhe shumë vite të tjera pas saj, është formatuar tek ideja se shkolla e lartë është gjithçka. Madje dikur thuhej se ishte pajë martese. Dhe sot që është viti 2021, që fëmijët të mos na “mbesin në derë”, nisim presionin për rezultate sa më të larta, mundësish të shkëlqyera e pa asnjë cen.
Pra duam të prodhojmë fëmijë gjeni.
Por a është e drejtë të vigjilojmë me kaq tendencë mbi fëmijët për të marrë rezultatin maksimal prej tyre?
Paganini e mësoi violinën që në moshën 6 apo 7-vjeçare, pasi i ati, - që i kishte mësuar ca akorde mandoline, -  ia dha veglën në dorë duke i thënë se nuk do të hante drekë pa mësuar t’i binte. Dhe ndërsa vetë mbllaçitej mbi pjatë, dëgjonte tingujt e çjerrë të violinës së të birit, por pa e ftuar të hante, sepse po interpretonte plot gabime. Rezultoi që Nikola u bë virtuoz.
Të themi që ky është një model?
Pra presioni vlen.
Në njëfarë mënyre po, sepse në kohët e sotme, fëmijët për shkakun se kanë lodra multifunksionale në duar, mundësia që të mos i kapin librat me dorë, apo t’i hapin sa për sy e faqe, është e madhe. Dhe një ditë të bukur sheh se jo vetëm nuk ke prodhuar një fëmijë gjeni, por ai është kthyer në një idiot impotent.
Megjithëse, po në kohët e sotme, është e vështirë t’i orientosh fëmijët e për më tepër t’i dhunosh duke u kërkuar patjetër të dalin maksimalisht mirë aq sa të marrin medalje ari.
- Gaqo, iku 10-ta, me katër gabime nuk merr as 8-të, - është një nga batutat e Aishe Starit të estradës së Durrësit tek skeçi: “Mëso për jetën jo për dhjetën”.
Arsimi i lartë duket se të jep ca siguri më shumë, dhe njëfarë statusi shoqëror. Që do të thotë se për shkak se ke bërë ca klasë shkollë duhet të kesh dhe ca mendmë tepër. Për ne si shqiptarë, diploma e shkollës së lartë mbetet guri më i rëndësishëm i gjerdanit në qafë. Nuk e mendojmë dot që fëmijët tanë të mos e kenë një diplomë universiteti. Nuk janë aq të rëndësishme të ardhurat përpara një prestigji që na jep statusi i të qenit “i diplomuar” aq sa para viteve ’90 e njëjta kastë cilësohej: intelektual.
Nëse pas baçelorit ke bërë masterin ndihesh edhe më i sigurtë, paçka se kjo në të vërtetë mund të jetë vetëm një fasadë. Nëse ke bërë dy mastera, padyshim, siguria rritet edhe më. Por këto vlejnë për njerëzit e thjeshtë, të cilët pasi mbarojnë studimet aplikojnë gjithandej për një vend pune, me rrogë bazë.
Bill Gates, fjala vjen, u bë një multi-miliarder që 31 vjeç, por u diplomua 52 vjeç, 30 vite pasi kishte braktisur Harvardin.
A është ky rasti tipik që fëmijët të mos i orientojmë kaq shumë për të pasur një vandak me certifikata e diploma, duke mbetur në këtë mënyrë rob të punës së tyre të thjeshtë e me pak të ardhura?
Në fakt ky është një model, më së shumti amerikan, ku njeriu vlerësohet në bazë të aftësive dhe jo të diplomës.
Ç’është e vërteta, në një vend si Shqipëria me perspektivë të njëanshme apo pa perspektivë të themi, ideja që fëmijët duhet ta shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit po gjallon gjithmonë e më shumë. Dhe që jashtë vendit të mos shkosh më si ndihmës murator apo pjatalarës, mundësia më e mirë është të aplikosh e të marrësh një gjysmë burse nga ndonjë universitet i njohur. Kjo pastaj të hap perspektivën.
Brenda territorit tonë ne kemi një tjetër kod, sepse që të kesh një punë të sigurtë duhet t’i futesh politikës, të biesh në sy dhe në mos kapësh një vend në parlament do të zësh një vend të mirë administratë, se aty ka qoshe boll. Kjo bën që ai i cili ka mbaruar edhe arsimin e lartë edhe masterin e parë shoqëruar nga një i dytë, e me perspektivë për të bërë edhe një të tretë, të shndërrohet në një militant të rëndomtë që partia do ta përdorë si numërues votash në zgjedhjet më të afërta.
Pa dyshim, njeriu do të bëjë gjithfarë punësh në jetë dhe nuk ka pse trembet. Do të bëjë pastruesin e pjatave, do bëjë beton me lopatë në mungesë të makinerisë, do bëjë dhe numëruesin e votave... derisa të gjejë veten. Dhe të gjitha këto mund t’i bëjë duke pasur dhe një diplomë në xhep.
Duhet kuptuar se kamerieri sot duhet me shkollë të lartë, se helbete nuk është si ai i Ushqimit Social që urdhërohej nga klientët: “Robo ma boj nji paçe komësh e m’sill një kanistër buke”. Ai është kamerier që do përballet me turistët e huaj, të cilët e vënë re me një sy cilësinë e shërbimit. Të jesh recepsionist hoteli nuk është si Xha Shaqoja dikur, me syze mbi hundë që të kërkonte pasaportën dhe celebrimin se ndryshe nuk të qaste as te holli.
Pra me shkollë të mesme a baçelor, gjithsesi njerëzit duhet të jenë të arsimuar. Por jo detyrueshmërisht niveli i shkollave duhet të shkojë barabartë me moshën, pra ta fillosh 6 vjeç dhe ta kesh përfunduar shkollimin në moshën 23 vjeçare. Jeta ka treguar që diploma mund të merret në çdo moshë, mjaft të jesh i predispozuar për të
Por si duhen orientuar fëmijët sot për të qenë pjesë e tregut? Të mbarojë juridikun, artet, për histori, letërsi, psikologji... apo duhet shtrënguar ca me qëllim që të ndjekë një nga inxhinieritë, ose atë të ndërtimit, ose atë elektronike, ose mjekësinë tek e fundit që nuk të lë kurrë pa gjë.
Por qëllon që fëmija nuk ka asnjë interes për degën që i rekomandon familja. Si do ia bëjmë në këtë rast?
Askush nuk ka receta të gatshme, për askënd.
E kishim te provimet.
E pra, testet e maturës janë një test i rëndësishëm për të matur forcën e mendjes, por jo se është shpëtimi i jetës edhe nëse del shkëlqyeshëm duke lënë panelin e mësuesve me gojë hapur. Sepse praktika e jetës do të të përballë me një realitet që vështirë se shkolla ta mëson. Dhe në përballje me dallgët e jetës duhet që organizmi të funksionojë si një i tërë për t’i bërë ballë.
Duhet të vigjilojmë mbi fëmijët tanë, por jo t’i diktojmë ata.
Gjithmonë ka kohë për të bërë një shkollë e për të marrë një diplomë.
Isha lehtësuar ca nga emocionet dhe kafeja kishte përfunduar prej kohësh.
Ja këto isha duke menduar teksa vajza del nga dera e shkollës duke më siguruar se testi nuk ishte aq i vështirë dhe se i kishte kryer të gjitha çka ishin vënë në pyetsor.
...domethënë e morëm dhjetën?!
Eh, po duhet marrë dhe jeta...

No comments:

Post a Comment