Në
shesh të xhirimit, papritur ai ishte kthyer në një ushtar, pa grada e spaleta,
dhe një tjetër gjeneral drejtonte: Ka motor...? Dhe çak-u binte. Dubël 1.
-More
pizevenga, ç’kini more? Hë mo ç’kini, pse s’flisni? Hë bij bushtrash o bij
bushtrash. Ju ka ardhur keq për dashin ëëëë? Doni tua paguaj? Sa u bën? Na. U
mjaftojnë këto...?
Është
pjesë e batutave të një personazhi që vështirë se mund të harrohet. I mbetur në
pelikulë si: Sali Protopapa. Si rrallëherë, mori përsipër ta skalisë ai, që nuk
ishte vetëm një aktor, si në rininë e hershme të tij, por një regjisor, ylli i
të cilit kish filluar të shkëlqente fort.
Me
një zë karakteristik e imponues e një një vështrim që të mbërthent fort, fytyra
e komandantit të një çete ballistësh, me shqiponjë në qeleshe, - karakteri
letrar i shkruar prej Dritëro Agollit në romanin “Komisari Memo” dhe i
përshtatur për realizimin kinematografik “I teti në bronz”, - do të
personifikohej më atë të Pirro Manit. Sepse ishte ai që i dha aq shumë jetë, sa
nuk mund të shlyej nga mendja e askujt që e kishte parë filmin qoftë dhe një
herë të vetme.
Ky
ishte roli i dytë e tij si aktor, pasi më parë se kaq në filmin “Vitet e para”
prodhim i vitit 1965 me regji të Kristaq Dhamos, ai kishte interpretuar rolin e
Stavri Larës. Ndërsa personazhi i tij i fundit kinematografik ka qenë në filmin
“Larg Barbarëve” me regji të Liri Begesë.
Por
jo vetëm kaq. Sepse Piro Mani ka pasur dhe disa përvoja të tjera si aktor, por
në teatër. Dhe kjo dashuri e tij, ndoshta vinte për shkak se në shkollën e mesme
artistike “Jordan Misja” ai studioi në degën e aktrimit.
Megjithatë,
e në të gjitha rastet, Piro Mani ishte ishte një “gjeneral”, i gjallë e i
papërmbajtshëm për të hedhur në sulm një divizion apo një korpus me njësi
brigadash, ndërsa skena teatrore ishte fitorja më e madhe ndër pushtimet e tij
prej regjisori karriere.
Piro
Mani prej vitesh i mungonte realitetit shqiptar. Skenës shqiptare gjithashtu,
dhe po aq studentëve të degës së dramaturgjisë e regjisurës së bashku, si
pedagog i tyre. Jetonte në Amerikën e largët prej së paku njëzetë vitesh. E
kishte ndërtuar jetën e tij atje, së bashku me bashkëshorten, aktoren fort të
njohur Pavlina Mani, e familjarët e tjerë.
Pavlina Mani dhe Pirro Mani |
Por
në 3 qershorin e vitit 2021, fiks 50 ditë pasi kishte festuar përvjetorin e tij
të 89-të, regjisori i njohur shqiptar do të ndahej nga jeta. Kjo ishte mjaft
trishtuese për të gjithë, jo vetëm për ata që i përkasin komunitetit teatror.
Piro
Mani prej kohësh kishte marrë të drejtën të cilësohej si një nga personalitetet
më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer,
punoi në Teatrin Kombëtar për 25 vite rresht, duke ngjitur në skenën e këtij të
fundit të paktën 80 vepra. Shfaqjet me suksesin më të madh ishin "Arturo
Ui", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", “Epoka para gjyqit”,
"Nata e 12 -të". Por dhe shumë të tjera pas tyre do të kishin po të
njëjtën audiencë: “Fytyra e dytë”, “Përmbytja e madhe”, apo “Monserati”.
Për
skenën e Teatrit Kombëtar ai u kthye në legjendë që në të gjallë të tij.
Por
Piro Mani kishte pasur dhe një përvojë 8-vjeçare si regjisor i teatrit “A. Z.
Çajupi”, Korçë, në të cilin u emërua sapo u kthye nga studimet që i kishte
kryer në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Sepse në fakt
ai ishte nga Korça dhe kishte lindur në këtë qytet plot tradita kulturore, pikërisht në
14 prill të vitit 1932.
Në
karrierën e tij të gjatë profesionale ai është nderuar me shumë çmime dhe
mbante titullin e lartë “Artist i popullit”. Njihej si mjeshtër i regjisë, i
skenave masive, dhe si njohës i thellë i mizanskenës.
E
megjithatë, Pirro Mani nuk ka qenë vetëm një regjisor i Teatrit Kombëtar. Ai ka
prekur dhe shumë skena të teatrit dramatik të Shqipërisë, në Estradën e
Tiranës, por dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit ku inskenoi disa opera të
njohura nga repertori muzikor botëror e ai shqiptar.
Teatri
Kombëtar ka njohur disa regjisorë që kanë spikatur fort: Kujtim Spahivogli,
Mihallaq Luarasi, Fatos Haxhiraj. Por duket se Pirro Mani dhe për shkak të
volumit të madh të punës së tij, u identifikua me vetë Teatrin. Në këtë pikë do
të citoja kritikun e njohur Josif Papagjonin, i cili në një shkrim të botuar
prej tij nën titullin: “Piro Mani është teatri dhe teatri është Piro Mani”
mes të tjerash shkruan: “Ai parapëlqente alternimin e gjendjeve emocionale, me
kapërcime të papritura e bashkëjetesa të guximshme të seriozes me qesharaken,
të tragjikes e dramatikes me grotesken e komiken, të heroikes e të madhërishmes
me vulgaren e të ultën”.
-U
bëre dhe ti mor brekëgrisur të shash Sali Protopapën dhe t’i thuash: Dil në
shesh. Ku je futur more gjysmë opinge?
Pirro
Mani do të na mungojë, tanimë si një qenie e gjallë. Sepse skenës së Teatrit
kishte vite që i mungonte.
No comments:
Post a Comment