Showing posts with label Ushtria shqiptare. Show all posts
Showing posts with label Ushtria shqiptare. Show all posts

Monday, July 10, 2017

Misioni “UNOMIG”/ Ushtarakët shqiptarë me "Beretat e Gjelbra", paqeruajtës në Gjeorgji

Major Kasem Saliasi, rrëfen për 10 vitet e misionit paqeruajtës në Gjeorgji. Si e përqafuan ushtarakët shqiptarë kodin e “Beretave të Gjelbra”. Monitorimi i shtetit me probleme të luftës etnike. Përse ushtarakët shumëkombësh patrullojnë të paarmatosur dhe çfarë përfaqësojnë oficerët shqiptarë.


Leonard VEIZI


Me mbarimin e Luftës së Ftohtë në Evropë, por sidomos në vendet e ish-kampit socialist, pati ndryshime të mëdha. Në pjesën socialiste të Evropës, ndryshimet më radikale u zhvilluan në ish-Bashkimi Sovjetik. Federatat e mbledhura nën ombrellën e konfederatës së madhe ishin shpërbërë me shpejtësi. Republikat njëra pas tjetrës kishin fituar pavarësinë. Ishin mëvetësuar pa shumë dhimbje Letonia, Estonia apo Bjellorusia, duke bërë që çizmja e ushtarit rus të mos shkelte më mbi pavarësinë e tyre. Por asgjë nuk do të mbyllej kaq lehtë. Konfliktet midis etnive do të thelloheshin dhe më tej. Jo vetëm Çeçenia rebele, por edhe brenda republikës gjeorgjiane problemet nuk po merrnin zgjidhje.

Në Republikën e Gjeorgjisë
Me statusin e “Republikës”, Gjeorgjia përbëhej nga disa kombësi brenda të njëjtit shtet. Një prej këtyre kombësive ishte dhe Apkazia. Territori i saj shtrihet në kufijtë midis Rusisë dhe Gjeorgjisë. Por Apkazia nuk dëshironte të ishte nën përbërjen e protektoratit gjeorgjian. Kërkesa e saj e dukshme që në fillim të shpërbërjes së shtetit të sovjetëve, ishte ribashkimi me Rusinë. E gjitha kjo nuk kishte të bënte vetëm me ndërhyrjet nga qarqet e caktuara ruse për të rimarë një pjesë të territoreve të humbura, por sepse vetë apkazët e ndjenin veten shumë më pranë shtetit “mëmë”, si nga traditat, zakonet, ashtu edhe nga gjuha. Gjithsesi asgjë nuk mund të zgjidhej me anë të bisedimeve. E si në të gjitha rastet, në prag konfliktesh, diplomacia nuk ka qenë në rolin e duhur. Dhe incidentet brenda republikës gjeorgjiane filluan të rëndoheshin së tepërmi. Lufta civile kishte filluar… Nga ana e tjetër autoritetet e shtetit gjeorgjian nuk mund të lëshonin një territor si Apkazia, e cila padyshim ishte më e mira e gjithë republikës. Në bazë të të gjithë treguesve, Apkazia njihet si një vend me pjellori të madhe, pyje e lugina që sigurojnë lëndë të parë me shumicë dhe me një nëntokë të pasur. Nëse Gjeorgjia mbeste pa këtë pjesë të sajën, atëherë dhe ekonomia vendase do të kishte probleme të mëdha.

Marrëveshja e Moskës
Pas më shumë se një vit luftimesh, të cilat u zhvilluan në harkun kohor 1992-1993, organizata të ndryshme ndërkombëtare u mblodhën në Moskë, për të vendosur rreth fatit të mëtejshëm të republikës së vogël. Nga kjo mbledhje doli një marrëveshje, e cila më pas u quajt thjesht si “marrëveshja e Moskës”. Pikërisht nga kjo marrëveshje me 12 pika u vendos që një mision i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të vëzhgonte zbatimin e 12 pikave të miratuara në Moskë, ku më së shumti flitej për probleme të vetëvendosjes dhe vetadministrimit të Apkazisë. Në këtë mënyrë Apkazia mori një lloj pavarësie ku, midis të tjerave, i dukej të krijonte dhe strukturat e saj organizative për të administruar jetën e brendshme.

Paqeruajtësit shqiptarë
Në përbërje të misionit vëzhgues të OKB-së u rreshtua dhe Shqipëria. Misioni filloi punën e tij në vitin 1994 me komandën qendrore në thellësi të Apkazisë, në një territor i cili ishte më larg sulmeve të një rebelimi ekstrem. Për tetë vite me radhë Shqipëria është paraqitur në mision me një oficer vëzhgues të cilin e zëvendësonte një herë në gjashtë muaj. Ndërsa në dy vitet e fundit, me ardhjen në krye të ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Pandeli Majkos, kjo metodë ka pësuar një ndryshim të madh. Tashmë në misionin e OKB-së shërbejnë tre oficerë shqiptarë, të cilët zëvendësohen një herë në vit. Ky mision paqeruajtës ndërkombëtar u kodua nën emrin “UNOMIG”.

Kasem Saliasi
Dëshmitari i largët
Major Kasëm Saliasi është një nga tre oficerët vëzhgues që aktualisht po shërben në Apkazinë gjeorgjiane gjatë vitit 2004. Gjatë një ndalimi tranzit në Tiranë, me një lejë të shkurtër vetëm disaditore, ushtaraku i lartë shqiptar tregohet i gatshëm të sqarojë ekskluzivisht për gazetën “Dita” gjithçka ndodh me ndërkombëtarët dhe ekipin shqiptar të misionit. Megjithëse një i ri 37-vjeçar, Kasëm Saliasi mban një gradë madhore të ushtrisë shqiptare, ndërsa mbi shpatulla i rëndojnë 15 vite punë. Ndërsa përveç shkollimit dhe kurseve specializuese si oficer aktiv, ai ka realizuar edhe disa trajnime në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe median.

Fjalët e mira
Gjëja e parë që thotë major Saliasi është se shqiptarët kanë lënë një shije shumë të mirë mes ushtarakëve të tjerë të misionit, por dhe kontaktet me popullsinë në terren. Madje, jo vetëm për shkak të misionit, oficerët shqiptarë janë paraqitur krejt të barabartë me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të NATO-s apo jashtë saj. “Ata kanë kryer të gjithë detyrat tepër të rëndësishme që përmban ky mision. Unë që jam i fundit, deri tani, mund të them pa frikë se kam mbledhur shumë opinione qytetarësh, të cilët flasin me respekt për ushtarakët shqiptarë, paraardhësit e mij, të cilët kanë shërbyer në këtë mision të OKB-së. Në rrethana të tilla, për më tepër kur je larg atdheut, edhe emocioni është më i madh”, shprehet për gazetën “Dita”, major Kasëm Saliasi. Sipas tij, në misione të tilla një ushtarak ndjen një përgjegjësi të dyfishtë. “Së pari, sepse duhet të mbash me nder dhe të ndjesh përgjegjësi për dinjitetin e uniformës që mban emrin e Shqipërisë: Së dyti, sepse kjo përgjegjësi vlen dhe për vetveten, personalitetin dhe karakterin tënd”, sqaron major Saliasi.

Politika ndryshe
Vite më parë, kur luftërat në Gjeorgji sapo kishin reshtur për shkak të marrëveshjes, edhe incidentet mes dy kombësive brenda të njëjtit shtet ishin më të mëdha. Rreziku padyshim ishte më i madh. Por vitet e fundit këto incidente janë rralluar. Major Kasëm Saliasi thotë se misioni ka kaluar përmes vështirësive të shumta. Por ai shton se pas përmbysjes së ish- peridentit Shevernaxe edhe politika gjeorgjiane ka ndryshuar dukshëm në favor të paqes. Presidenti i ri Shakashvil duket se po ndjek një politikë më të zbutur, gjë që ka bërë që të fitojë dhe dashamirësinë e të dy palëve. Në bazë të kësaj politike Shakashvil ka gjetur dhe një përkrahje më të madhe nga organizmat ndërkombëtarë si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Dy anët e lumit
Lumi Ingori njihet dhe si kufiri natyral i Gjeorgjisë me Apkazinë. Në të dyja anët e lumit funksionojnë nga një sektor të misionit, pra gjithsej dy sektorë. Sektori, i cili mban nën vëzhgim pjesën apkaziane, ka në përbërjen e tij 50 oficerë, ndërsa ai që vrojton pjesën gjeorgjiane ka 37 oficerë. Pjesa tjetër e oficerëve qëndrojnë në Komandën Qendrore të misionit. I gjithë misioni ka në përbërje 120 oficerë, por po të marrësh edhe pjesën e kuadrit civil, ai përbëhet nga rreth 400 pjesëtarë. Të gjithë punojnë për të njëjtin qëllim: Monitorimin e paqes dhe i 12 pikave të nënshkruara mes palëve në konflikt. 

Patrullimi monitorues
Major Kasëm Saliasi thotë se detyra monitoruese dhe patrullimi kryhet çdo ditë. Si rregull udhëtojnë dy makina me nga dy oficerë secila, si dhe një përkthyes. Gjatë patrullimit, oficerët ndërmarrin takime me autoritetet vendase, por në pjesën më të madhe ata respektojnë kontaktet me popullin e thjeshtë, pasi pikërisht aty problemet dalin dhe më drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë i gjithë informacioni përpunohet dhe dërgohet në Komandën Qendrore të misionit. Komanda Qendrore ka për detyrë, që nëpërmjet një relacioni të detajuar, të informojë zyrën e OKB-së në Nju Jork. Për shkak të rreziqeve që paraqiten herë pas here, të gjithë oficerët që mbërrijnë në mision, i nënshtrohen një kursi trajnimi njëjavor, ku u mësohen shumë gjëra. Kështu oficerët trajnohen se si duhet të sillen me vendasit për të kryer detyrën. Në këtë mënyrë atyre u kujtohet edhe një herë se duhet të jenë të qetë, të kulturuar, të mos provokojnë, apo mos bien pre e provokimeve.

Misionarët e vdekur
“Ka pasur raste kur misionarët janë marrë rob nga rebelë vendas. Kjo ka ndodhur disa herë. Por OKB-ja kishte paralajmëruar që në fillim, që në asnjë rast për shkëmbimin e tyre, nuk duheshin premtuar para. Pas disa tentativave të pasuksesshme, misionarët janë lënë të lirë dhe të paprekur”, tregon për gazetën, major Kasëm Saliasi. Por, sipas tij, rasti më ekstrem me pjesëtarë të misionit ka ndodhur disa kohë më parë, diku në kufi të Gjeorgjisë me Çeçeninë. Ishin pikërisht ato forca, të cilat nuk e donin praninë e OKB-së dhe as monitorimin ndërkombëtar. Pikërisht atëherë të rebeluarit qëlluan një helikopter patrullimi me oficerë dhe civilë të misionit. Rrëzimi i helikopterit mori dhe jetën e pjesëtarëve të të gjithë bordit, në të cilin ndodheshin 16 persona.

Ushtarakët e paarmatosur
Major Kasëm Saliasi thotë se misioni ka si kusht kryesor, kryerjen e patrullimit pa armë. Në këtë mënyrë oficerët shumëkombësh, kanë të drejtë të mbajnë vetëm një radiomarrëse në dorë, por asnjë mjet që përbën “armë zjarri” apo “armë të ftohtë”. Për çdo incident të mundshëm, lajmërohet me radio dhe menjëherë vjen ekipi i shpëtimit me helikopter. “Gjithsesi, patrullimi kryhet nën masa të larta sigurie, pasi i gjithë terreni gjeorgjian me Apkazinë, konsiderohet si një arenë lufte”, shprehet major Saliasi.


PAS KUINTAVE
Jeta civile e ushtarakut në mision
Makinat e “UNOMIG”, janë fuoristrada të reja, tip TOYOTA, të cilat gjithashtu janë në ngjyrë të bardhë për të simbolizuar paqen. Në paretet anësore është shkruar kodi i misionit. OKB ka misione të tilla dhe në Kosovë, Siera Leona e Kamboxhia. Ndërsa kriteret për t’u pranuar si anëtar i misionit janë: gjuha angleze, njohuritë në kompjuter dhe patenta e makinës. Të gjithë oficerët e këtij misioni paguhen nga fondi i OKB-së me një pagë të barabartë prej 70 dollarësh në ditë. Por misioni nuk siguron mjetet e jetesës, duke lënë që gjithkush të bëjë zgjedhjen e tij, sipas dëshirës, dhe duke mos i detyruar të bëjnë jetën e kazermës. Në këtë mënyrë oficerë apo civilë kanë marrë apartamente me qira, ndërsa mund të drekojnë apo darkojnë në restorantet e ndryshme të qytetit. Në të gjitha rastet, ata janë të lirë që ta administrojnë si të duan jetën e tyre private, nëse këtë e përballojnë me rrogën që marrin si pjesëtarë të misionit. Major Kasëm Saliasi thotë se megjithatë në mision punët shkojnë shumë mirë. “Të bën përshtypje harmonia dhe ndjenja humanitare që kanë ushtarakët e të gjithë kombësive për njëri-tjetrin. Nëse shprehet se ke një problem, të gjithë janë të gatshëm të japin ndihmën e tyre”, shprehet Major Saliasi. Për sa i përket uniformës, çdo oficer i misionit mban uniformën e ushtrisë së shtetit që përfaqëson.


MISIONI
Si u krijua misioni për paqen gjeorgjiane
Misioni “Beretat e Gjelbra” ka ende kuptim, jo vetëm në terminologjinë gjuhësore, por dhe në veprimtarinë që merr përsipër një mision i tillë delikat. Jo vetëm “Beretat e Gjelbra”, por dhe “Kaskat Blu”, kanë të njëjtin qëllim: të monitorojnë zbatimin e marrëveshjeve që nënshkruhen në prani të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këto marrëveshje, zakonisht funksionojnë mes vendeve që kanë probleme etnike apo të luftës civile. Edhe Shqipërisë, mbas futjes së ushtrisë së saj në paktin e “Partneritetit për Paqe” (pakt i dalë nga marrëveshja e Dejtonit në Shtetet e Bashkuara), krijoi strukturat e veta paqeruajtëse. Në këtë kuadër, midis shumë misioneve të përbashkëta me OKB-së, ku ushtria shqiptare ka marrë pjesë, është dhe misioni që shërben në Gjeorgji. Aktualisht Gjeorgjia konsiderohet si një vend me një rrezikshmëri të lartë, ku problemet etnike mund të shkaktojnë të njëjtin kaos që krijuan dhe 12 vite më parë. Por prej 10 vjetësh, misioni ndërkombëtar “Beretat e Gjelbra” mban nën mbikëqyrje të rreptë gjithçka ndodh jashtë kuadrit të një rezolute, ndërmjetëse e së cilës është OKB-ja. Në këtë mision, Shqipëria, ashtu si dhe 22 shtete të tjera, ka statusin e vëzhguesit. Ky mision ushtarak përbëhet nga 120 oficerë që përfaqësojnë 23 vende të ndryshme të botës, ku përveç vendeve të fuqishme perëndimore si Anglia, Franca apo Shtete e Bashkuara, marrin pjesë me ushtarakët e tyre vëzhgues edhe ekipe nga Pakistani apo Bangladeshi. Ndërsa Ballkani në këtë mision përfaqësohet me ekip nga Shqipëria, Greqia dhe Turqia. E veçanta tjetër e këtij misioni është se Italia ka tërhequr përfaqësuesit e saj, pas një incidenti të ndodhur, ku nota e protestës e qeverisë italiane nuk mori përgjigje.

Botuar në gazetën DITA më 13 korrik 2004

Friday, February 17, 2017

Kolonel Sulejman Abazi, ish-komandanti i divizionit të Tiranës, rrëfen luftën e ushtrisë shqiptare kundër asaj serbe në vitin 1999

Kolonel Sulejman Abazi

Intervista/ Kolonel Sulejman Abazi, ish-komandanti i divizionit të Tiranës, rrëfen luftën e ushtrisë shqiptare kundër asaj serbe në vitin 1999

nga Leonard Veizi

Ideja e gjithhershme se: “Kosova duhej çliruar me çdo kusht”, nuk mori jetë vetëm nga veprimet luftarake të UÇK-së. Që në vitet ‘80 ushtria shqiptare përgatitej për një operacion të jashtëzakonshëm, që gjithsesi ruhej në sekret të plotë. Plani “Shpërthimi”, mbi të cilën punuan vetëm katër ushtarak madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes, përcaktonte deri në imtësi, mësymjen frontale që do të mund të merrte me forcë territoret shqiptare të humbura nga Konferenca e Londrës. Gati 20 vjet më vonë, lufta do të niste vërtet, por këtë herë në kushte të tjera...

...Në 102 vitet e shtetit shqiptar, të paktën në dy raste ushtria do ta tregonte veten se dinte të luftonte. Provokacionet greke të gushtit ’49 dhe ato serbe 50 vjet më pas nuk patën asnjë sukses. Kolonel Sulejman Abazi, si një nga drejtuesit e ushtrisë shqiptare që mori pjesë aktive në mbrojtjen e kufirit shtetëror, gjatë Luftës së Kosovës, rrëfen ditët e vështira në verilindje të vendit përball trupave të ushtrisë serbe.

A ka pasur Shqipëria plan konkret për të ndërhyrë në Kosovë?
Po, ka një histori të tillë. Në hartën e Drejtorisë së Zbulimit të Shtatmadhorisë Shqiptare, mbi dislokimin e forcave ushtarake në drejtimin Kosovë - Shqipëri, ishin të pasqyruara saktësisht forcat e Z2-3U të Armatës së Jugosllavisë, me qendër Nish e Shkup. Në arkiv gjendet harta e shkallës 1:200 mijë, me Nr.927, dt. 29/12/1980, e cila përfshinte krahinën e Kosovës, ku parashikoheshin 27 pika dhe rajone të paracaktuara për depërtim e veprime në prapavijë të armikut, të koduara sipas rregullit ushtarak. Kjo hartë u ndje e nevojshme të formulohej në bazë të të dhënave të zbulimit strategjik shqiptar në kohën e ngjarjeve të vitit 1968, e më pas, të vitit 1981 në Kosovë, të cilat kishin karakter të hapur politik me motive etnike. Operacioni i mundshëm i ushtrisë shqiptare, ishte i vështirë. Ideja e masave, në raport me zhvillimet ndërkombëtare, synonte përgatitjen e lartë për të realizuar në çdo kohë mbështetjen e fuqishme, deri ndërhyrje ushtarake për çështjen shqiptare në ish-Jugosllavi. Sipas deklaratës së ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në vitin 1981, Veli Llakaj, kuptojmë: "...kapacitetet e ushtrisë shqiptare u përgatitën, jo vetëm për të pritur shqiptarë që do shpërnguleshin nga Kosova, jo vetëm për të siguruar integritetin territorial të shtetit shqiptar, por dhe për të qenë plotësisht të aftë për të ndërmarrë veprime ushtarake mësymëse të suksesshme, madje të tilla që do të mund të korrigjonin edhe padrejtësitë historike". Veli Llakaj, si autori i planit parashikues për një situatë të mundshme ushtarake në drejtim të Kosovës, në bashkëpunim me ushtarakun Refik Kucaj, ja paraqitën atë Enver Hoxhës, i cili e cilësoi “të pranueshëm”, me porosinë që “të mbahet në kasafortë si variant rezervë”. Ky skenar veproi në vitet ‘97-‘99.

Po në kohën kur u hartua ky plan, cilat ishin masat e mara në kufiri me ish-Jugosllavinë?
Në vitet 1970-‘83, në drejtimin verilindor ishin vendosur 3 Korpuse gjitharmëshe, Brigada Sulmuese, batalione kufiri, tanke e potenciale të fuqishme artilerie. Kundërshtari mbante nën presion shtetin shqiptar dhe paralelisht shtypte në të gjithë format popullsinë shqiptare në Kosovë. Përballja me shtetin jugosllav mendohej se, “s’do të ishte veprim i lehtë”. Megjithatë, me përparësi u përpunuan çështjet e drejtimet e reagimit ushtarak. Realizimi i stërvitjeve komando-shtabi në nivel operativo-strategjik, si "Kështjella", "Drini", "Shebeniku", "Taraboshi", "A-81" etj., mbanin nën presion shtetin jugosllav. Doktrina ushtarake parashikonte elementët e luftës popullore, të cilat do të realizoheshin me trupat sulmuese dhe të zbulimit për veprime në prapavijë të armikut. Si çështje të paracaktuara, në kushtet e relievit, koha vërtetoi se ato u zbatuan në kohën e luftës në Kosovë. Në drejtimet kundër shtetit jugosllav, tërhiqte vëmendjen K5K në Pukë. Zona mbulonte drejtimet operativo-strategjike të rëndësishme. Ajo dispononte 7760 QZ (qendra zjarri) për mitraloza, 546 QZ për topat KT, 41 PZ të artilerisë (nivel baterie artilerie me 4-6 gryka zjarri), 135 km transhe e hendeklidhje. Vetëm në drejtimin Morinë-Kukës ishte realizuar funksionimi i 3769 QZ për mitraloza. Korpusi dispononte 12 Grupe artilerie dhe 3 bateri të lartësive, 19 kompani mortajash, 15 bateri KT me 360 gryka zjarri të AT dhe 104 topa KT. Në gatishmëri të përhershme luftarake ishin 8 grupe të artilerisë, 3 bateri lartësie, 5 bateri të batalioneve mitraljerë, gjithsej 40% e artilerisë së përgjithshme. Planifikimi dhe realizimi pjesërisht i planit, me emrin kodik "A-81", shtroi hapur para udhëheqjes shqiptare idenë: Të realizohej, në kushte të situatës së veçantë, një organizim i ri luftarak i forcave në drejtimin lindor dhe verilindor, duke pasur si qëllim kryesor idenë e lëvizjes dhe përqendrimit të trupave sipas një plani të ri rigrupimi, të paracaktuara qysh më parë. Të krijohej ideja e një riorganizimi të ri në sistemin e ndërlidhjes e të komandim drejtimit, sipas organizimit të ri të forcave dhe të mjeteve. Të përforcohej ideja e një riorganizimi të ri të forcave dhe mjeteve të ushtrisë në kushte dhe situata të paparashikuara”.

Sulejman Abazi në vendstrehimin e shtabit - 1999
Fillimi i viteve ’80 ishte i tensionuar në Kosovë, po në Shqipëri si u përcoll?
Në vitin 1981, shtetit shqiptar ndërhyri në zonën verilindore, për të fuqizuar me forca e mjete njësitë ushtarake në drejtimin e Tropojës dhe Kukësit, me praninë e K5K në brezin e sigurimit. Parashikimet çuan në fortifikimin e territorit kufitar, i veçantë në llojin e vet, që kapte 44 % të sasisë së përgjithshme të fortifikimit në shkallë vendi. Në këtë drejtim funksiononin 78 rajone mbrojtje të këmbësorisë. Stërvitja komando - shtabi "Drini", me pjesëmarrje deri në 40 mijë trupa ushtarake, shkaktoi reagim nga shteti jugosllav. Në vitin 1981, në drejtimin e Kukësit e Tropojës u realizua rikonicioni i Shtabit të Përgjithshëm. Ideja: “Përsosja e elementëve të rendimit të luftimit, rritjen cilësore të kapaciteteve luftarake dhe manovrës së forcave në interes të veprimeve luftarake kundërmësymëse”. Stërvitjet komando - shtabi dhe ato me trupa të nivelit taktik, kanë qenë të shpeshta. Në vitin 1994, ish-shefi i zbulimit të Z3U në armatën jugosllave të Maqedonisë, pohonte, "…ne mund të kalonim në regjimin e zakonshëm të gatishmërisë së reparteve tona përballë, vetëm atëherë kur siguroheshin se, me përfundimin e stërvitjeve të reparteve dhe njësive shqiptare, ishin bërë konkluzionet dhe gjërat kishin shkuar në vendet e tyre". E shtjellova mbi bazën e dokumenteve arkivore këtë periudhë, krahasimisht me potencialet ushtarake e veprimet përgatitore, për të kuptuar se, arritjet e pasojat në disa dekada, nën presionin e një lufte të ftohtë, nuk ishin rastësi. Fakte dokumentare ende të pa ekspozuara, u kundërvihen mendimeve antikombëtare e denigruese për shkaqe ideologjike dhe politike, se gjoja, “shteti shqiptar e kishte shitur Kosovën tek Tito”. Ajo që duhet të vlerësojmë, është mendimi i konsoliduar se, po kaq sa është vepruar në përballjen e drejtpërdrejtë, shumë më tepër është punuar në fushën e shërbimeve inteligjente mbi problemin shqiptar nën ish Jugosllavi.

Kur filloi UÇK të merrte jetë dhe kur do të radikalizonte veprimet?
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte një mësymje agresive gjithëpërfshirëse e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Në zhvillimet e luftës në Kosovë, fillimisht do të veçoja dy momente kryesore. Së pari: Aktin heroik të familjes Jasharaj në Drenicë, ku u flijuan për lirinë e Kosovës 52 pjesëtarë të kësaj familje, duke dhënë mesazhin e plotë, se tashmë lufta kishte filluar dhe me shtetin serb do të flitej vetëm me grykën e pushkës. Së dyti, 15 janari i vitit 1999, kur hordhitë serbe kryen masakrën në Reçak, duke vrarë civilë të pafajshëm dhe duke nxjerrë në dritë fytyrën e tyre të vërtetë kriminale. Është kjo arsyeja për të shpjeguar që në fillim, se akti heroik nuk ishte një rastësi. Ajo lidhet me ecurinë e ngjarjeve që kanë ndodhur me popullin shqiptar nën ish Jugosllavi. Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, që pas Luftës së Dytë Botërore tek shqiptarët nën ish Jugosllavi, përkon me ngjarjet e vitit 1968, të cilat do të vijonin me demonstratat e rinisë shqiptare dhe popullit në Kosovë në vitin 1981, për të kërkuar statusin federative dhe në vitin 1989, kundër shtypjes dhe represionit të lartë ushtarako policor të regjimit të Milosheviçit. Në atë kohë, në Kosovë vepronte organizata politike, Lidhja Popullore e Kosovës, shkurt LPK. Për hir të së vërtetës, në udhëheqësinë e lartë të LPK-së, në çdo kohë ka pasur një përplasje midis shërbimit sekret jugosllav dhe sigurimit të shtetit shqiptar. Këto përplasje çuan dhe në zbulimin e udhëheqësisë, që u finalizuan me gjyqin e Pejës, ku u dënuan me shumë vite burg mjaftë nga drejtuesit e LPK-së. Goditja solli ndarjen e LPK-së. Prej saj doli fraksioni radikal, Fronti i Rezistencës, i vendosur të luftonte me armë kundër regjimit serb. Në vitet 1990, me miratimin e Ramiz Alisë, filloi përgatitjen në Shqipëri grupi i parë me 58 anëtarë, që u pasua edhe nga dy grupe të tjerë. Në atë kohë, në Shqipëri u formua Partia e Unitetit Kombëtar (PUK) dhe në Kosovë shkoi direktiva për të krijuar simotrën e saj, UNIKOMB, të drejtuar nga profesori Halil Alidemaj dhe filozofi shqiptar Ukshin Hoti. Fatkeqësish, mjaft prej pjesëtarëve të dy grupeve të para u spiunuan dhe goditja prej strukturave serbe vazhdoi për eliminimin e tyre. Adem Jashari është trajnuar në Shqipëri me grupin e tretë. E thënë shkurt, Adem Jashari, ishte një betim…!

Në vitin 1999, kufiri shqiptar kërcënohej nga ushtria serbe. Si u ringrit ajo pas shkatërrimit të vitit 1997?
Situata ishte e rënduar, për shkak të goditjes që morën elementët e Sigurisë Kombëtare në ngjarjet tragjike të vitit ‘97. Atëherë ushtria shqiptare kishte në organizim 8 divizione dhe një sasi repartesh e njësish të Komandës së Përgjithshme. Të mos harrojmë, se akoma ishim në sistemin e mobilizimit me trupa rezerviste dhe kishte një kufizim të thellë të trupave aktive. Mundësitë e drejtpërdrejta në atë kohë ishin shumë të kufizuara. Veçanërisht Divizioni i Kukësit, në kontakt të drejtpërdrejtë me ushtrinë serbe në kufi, në një shtrirje frontale 187 km, e kishte të pamundur të rezistonte pa mobilizimin e të gjithë strukturave rezerviste, të cilat ishin ushtria reale që do t’i dilte në mbrojtje vendit. Në vitin 1998 u ndërmorën masa urgjente për ringritjen e strukturave të ushtrisë, për stabilizimin e armatimeve, pasi ky vit shtrihej në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, të cilat në muajt prill e deri në fund të qershorit, rezultonin me një situatë të ndezur luftarake midis ushtrisë serbe dhe strukturave të UÇK-së. Në kohën e përgatitjes operacionale për dislokimin e Divizionit të Tiranës në veri, plotësuam mjaft detyra, veç grupeve të rikonicionit në Kukës edhe në zonën e Tiranës. Shtabi i Divizionit ishte shumë aktiv. Rehabilituam sistemin e kushtrimit ajror të kryeqytetit, të dëmtuar pas viteve ‘92. Kontribuuam në bashkëpunim me Prefekturën dhe Bashkinë e Tiranës për të ardhurit nga Kosova. Bashkëpunuam me Policinë Ushtarake të UÇK-së, pas urdhrit të mobilizimit. Kambana e alarmit kishte rënë kudo në Shqipëri.

Kur ju dha urdhri për t’u dislokuar në kufirin verilindor?
Në 15 shtator të vitit 1997 u riktheva në ushtri, fillimisht me detyrën e shefit të shtabit të Divizionit të Tiranës dhe pas 8 muajsh, i komanduar komandanti i Divizionit. Në këtë kohë kalova një periudhë të vështirë për jetën dhe karrierën time, kur nuk pranova të shkoja me detyrën e Komandantit të Divizionit të Kukësit, në nëntor 1998, atëherë kur më premtuan detyrën, gradën e gjeneralit, e të tjera. Në të njëjtën kohë që kryeja detyrën e komandantit të Divizionit të Tiranës, u ndodha para një vendimmarrje, të cilën e bëra sipas zgjedhjes time, pa u ndikuar nga askush. Atëherë kuptova se, kolegun tim donin ta shkarkonin. Jam konsultuar vetëm me ish-këshilltarin e Presidentit Mejdani në atë kohë, z. Sabit Brokaj. Tendenca për të më çuar në Kukës m’u përsërit disa herë nga ministri Hajdaraga në atë kohë, me presione, deri në fund të muajit shkurt 1999. Nuk jam penduar që nuk pranova, edhe pse ëndrra e një oficeri të karrierës është të meritojë gradën “gjeneral”, madje dihem i çliruar moralisht dhe shpirtërisht. Divizioni i Tiranës kreu manovrën taktiko-operative dhe i dislokua në grykën e Morinit në kufi, deri në përfundimin e luftës në Kosovë. Ishte koha kur shikoja karvanet me njerëz të traumatizuar që kalonin kufirin dhe dislokoheshin në Kukës e fshatrat përreth. Kukësi atëherë, si zakonisht me 15 mijë banore, mbante në gjirin e tij mbi 100 mijë njerëz dhe për atë që ka ndodhur dhe përballur, ndoshta sot duhet të ishte “Qyteti me Çmimin Nobel për Paqen”. Nga ajo kohë e vështirë ruaj kujtime shumë të mira, por dhe me syrin kritik për kohën. Shumë ngjarje që ndonjëherë ecnin më shpejtë se sa vetë koha. Kujtoj orët e vështira të datës 22 maj dhe disa ditëve më vonë. Ndodheshim në pikën e drejtimit operativ (PDO) në fshatin Bardhoc. Ka qenë një ditë shumë e vështirë. Jam ndjerë shumë ngushtë. Bëhet fjalë për zhvillimin e operacionit “Shigjeta – 2”, mësymjen e brigadës me djemtë dhe vajzat e Kosovës, që u përgatit në Burrel dhe në disa pika brenda ZM të Divizionit të Kukësit. Kam lexuar të përsëritur shkrime për këtë veprim luftarak. Kam pasur rastin të studioj edhe hartat e operacionit. Nga disa kolegë të mi, kjo ngjarje ngrihet në shkallën sipërore. Punë e tyre. Atëherë e shikoja veprimin luftarak brenda parimeve doktrinare të luftës. Brigada pushtoi malin e Pashtrikut. U ndodh orë të tëra nën goditjen e hapur të artilerisë së obuzave të ushtrisë serbe. Shikonim dhe pyesnim veten: “po ne pse jemi këtu?! Nejse, nuk kam pse të flas më tej për këtë. Analizën doktrinare e kam bërë hapur publikisht në botimin tim të kohës; “Psikologjia e luftës kundër luftës”. Ajo kohë e vështirë ka pasur plotë ngjarje të fiksuara në kujtesë, që lidhen me veprimtarinë ushtarake, me qëndrime politikanësh, me deklarata e kundërdeklarata, deri me ndonjë dezertim apo abuzim, ashtu siç mbart brenda saj vlerat e një vitaliteti mbarëpopullor, përherë një hap para shtetit për t’i dalë zot fatit dhe kohës”.

Po Divizioni i Kukësit në çfarë kushtesh ishte?
Divizioni i Kukësit ishte vënë në eficencë të plotë më të gjithë kapacitetin e tij aktiv dhe pjesërisht rezervist. Mos harroni, ishim në vitin 1998 dhe kohët kishin ndryshuar nga më parë, sa i përket anës militare të shtetit shqiptar. Në atë kohë, si dhe sot, ushtria jonë nuk ishte aspak operacionale. Edhe pse “mbetjet” ishin akoma prezent, elementët mbrojtës ishin me probleme të mëdha, ndërrimi i strukturave kishte lënë hapësirat boshe. Ajo që vlerësohej atëherë ishte faktori kohë, i cili dha mundësinë për të kryer veprime në interes të mbrojtjes dhe të pranisë së mjeteve të sulmit afër kufirit. Sigurisht, gati një dekadë më vonë në atë kohë, nuk mund të flisnim për modernizim të mëtejshëm, por armatimet tona të vrisnin njësoj si dhe të të tjerëve. Kompletimi i artilerisë tokësore brenda brezit të mbrojtjes dhe përsosja e elementëve të mbrojtjes kundërtanke në grykat e mundshme të depërtimit të mjeteve të blinduara serbe, të mbështetura në një sistem fortifikimi të mjaftueshëm, e bënte strukturën e ushtrisë tonë, jo vetëm të pranishme në të gjithë hapësirën, por dhe shumë kërcënuese në rast të ndonjë aventure ushtarake të ushtrisë serbe.

Komandant Sulejman Abazi
Çfarë masash u morën për të përballuar eksodin e dyfishtë, jashtë e brenda kufirit shqiptar?
Qeveria shqiptare e kohës vepronte me shumë tkurrje në raport me zhvillimin e situatave të luftës. Ne e kuptonim, se forcat ndërkombëtare e monitoronin saktë situatën dhe gjithçka veprohej brenda koordinimit të strukturave të NATO-s. Është folur shumë për eksodin të përmasave biblike të popullsisë shqiptare në Kosovë, nën presionin e zhvendosjes së dhunshme prej ushtrisë serbe dhe forcave paramilitare të saj, por rrallë herë është përmendur një eksod “i brendshëm”, që ndodhi pa një plan evakuimi, por në mënyrë të vullnetshme të popullsisë shqiptare, në thellësinë 15-20 km këtej kufirit. Fshatrat shqiptare të buzë kufirit, por dhe në thellësi, i zbrazën nga popullsia civile. Brenda tyre qëndronin vetëm burrat e armatosur, që pa dashje u bënë pjesë e forcave të sigurisë së vendit, së bashku me efektivat e ushtrisë. Çfarë i mbante ata djem në Kukës, Tropojë, Has në majë të maleve, në gryka e pozicione zjarri, kur e dinin se në çdo çast ishin të kërcënuar dhe mund të goditeshin nga artileria serbe? Ndoshta dikujt fati ja ka sjellë që është sakrifikuar në emër të detyrës, si shumë të tjerë, që sot janë krenarë për atë periudhë të vështirë lufte. Bashkë me ta kemi qenë edhe ne, oficerët, që nuk u ndamë prej tyre në asnjë çast, dhe po të vinte çasti të gjithë mund t’i përballonim pasojat njësoj. Megjithatë, ata vazhdonin të bindur dhe të kryenin detyrat e tyre. Tashmë jam bindur se, nuk ka ndonjë teori të saktë për të hedhur bazat e moralit dhe në çdo rast, ne t'i referohemi asaj. Në kushte të tilla, morali i ka rrënjët tjetërkund, larg moralizimeve të programuara, që në ndonjë rast rëndom përsëriten nga ushtarakët. Ai i ka rrënjët në popull, tek tradita, në familje dhe shumë pak mund të themi se është rezultat i punës edukative. Sigurisht edhe lufta ka moral. Morali në luftë, krahas tradicionalizmit që ka çdo forcë e armatosur, zë vend e forcohet në kushtet dhe rrethanat e ambientimit që të krijohet, të veprimit në masë që të imponohet, për të pranuar e përballuar qoftë dhe në mënyrë “vullnetare” të gjitha pasojat e saj. Çastet e para janë tronditëse për shumë arsye, por përshtatja me kushtet dhe rrethanat që të imponohen në luftë, janë të pashmangshme. Kam parasysh këtu edhe marrjen nën kontroll të korridorit të komunikimit në Tropojë - qafa e Morinës nga djemtë e Tropojës, me në krye Haklajt. Ata për mua kanë qenë pjesë e pashkëputur e UÇK-së. Nëse nuk do ta merrnin ata nën kontroll, atëherë këtë korridor do ta dominonte UDB-ja me njerëzit e saj”.

Çfarë përforcimesh të tjera u dërguan në kufirin verior?
Në vitin 1998 në institucionet e shtetit shqiptar ra kambana e alarmit. Është koha e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Serbinë, pra, në një farë mënyrë, midis dy vendeve ishte situatë lufte. Në kufirin verior u morën masa përforcuese. U thirrën pjesërisht strukturat rezerviste vendore. U planifikua dhe filloi lëvizja graduale e njësive të tjera të ushtrisë. Në kushte, në kohë dhe hapësirë, u urdhëruan njësitë e repartet e vartësisë së drejtpërdrejtë të Komandës së Përgjithshme, respektivisht Divizioni i Tiranës dhe disa njësi të specializuara, Brigada "Komando", BrK së Mekanizuar në Laç, batalione të forcave speciale, Regjimenti i Policisë Ushtarake, reparte të Brigadës Xheniere, Regjimentit të MADM, Brigadës së Ndërlidhjes, Brigadës së Transportit Ushtarak dhe elementë të tjerë logjistik, të cilat u integruan brenda elementëve të rendimit të luftimit të Divizionit të Kukësit, pa folur për një sasi të konsiderueshme të trupave të UÇK-së, të dislokuara në 4 qendra stërvitore brenda zonës së Mbrojtjes së Divizionit, e po kështu në Burrel, në Feken, në Durrës, Mamurras etj.

Përveç trupave do të përforcohej kufiri me mjete të mekanizuara, topa e tanke?
Në manovrën taktiko-operative të Divizionit të Tiranës u dislokuan në Kukës reparte të tankeve, të artilerisë së rëndë top obuz 152 mm, të artilerisë reaktive 189 mm, (katjusha), mjete të tjera të mekanizuara, të cilët së bashku me repartet e Kukësit, duke llogaritur kapacitetet e grykave dhe drejtimeve të mësymjes së mundshme të ushtrisë serbe, gjykoj se ishin të mjaftueshme për t’i bërë ballë çdo lloj sulmi kundër kufirit shqiptar. Në zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit funksiononin 4 qendra të bazimit dhe përgatitjes së kontingjenteve të UÇK-së. Prej këtej bëheshin manovrat taktike me lëvizje të organizuara me mjete, natën dhe ditën, dhe shfrytëzoheshin korridoret e kalimit në territorin e Kosovës për t’u bërë pjesë aktive e UÇK-së, që luftonte direkt në terren. Së bashku me këto struktura, ushtria shqiptare ndonjëherë nuk kishte dallim.

Cila ishte gjendja morale e trupave përballë një lufte reale tanimë?
Ka raste kur vlera e ditëve të tilla nuk maten me sasinë fjalëve që mund të thuhen në një intervistë, por me mbresat që lë në kujtesë dhe memorien historike të ditëve të vështira të Kukësit, ngjarjet më kulmore të cilat vunë në provë të vështirë strukturat e ushtrisë shqiptare në këtë luftë. Kishim marrë përsipër në atë kohë një përgjegjësi dhe këtë e ndjenim të gjithë. Kështu na ndodhi ditën e manovrës së madhe të zjarrit dhe të trupave që u zhvillua në grykën e Morinit, vetëm dy kilometër pranë kufirit shtetëror. Në orën 08.00 nga të gjithë komandat u raportua gatishmëria në pozicionet e zjarrit. Matanë kufirit ishte një qetësi e rreme. U takova përzemërsisht me kolonel Arbenin, në atë kohë komandant i Gardës së Republikës. Kishim kohë pa u parë. Atashetë ushtarakë kishin ardhur më parë, gazetarë, fotoreporterë, forcat e Gardës, një gjë e pazakontë në vijën e kufirit. Në një çast, nënkolonel Beshiri, shefi i Qendrës Kulturore të Ushtrisë, më pozicionoi para pikës së drejtimit të shtabit të Divizionit të Tiranës, një qendër zjarri e madhe artilerie dhe pa shumë ceremoni më thotë; "fol". Operatori Sokoli një djalë me sy bojëqielli, ngriti kamerën duke thënë "gati". Fola i qetë dhe theksova mbi qëllimin e prezencës së strukturave të Divizionit të Tiranës në Kukës, misionin dhe detyrat kryesore, bashkërendimin e veprimeve operacionale me forcat e tjera, duke e lidhur situatën me gjendjen matanë kufirit. Siç mora vesh më vonë, dikush ishte thirrur nga Ministri në zyrë pas dhënies së kronikës në TVSH dhe ishte kërcënuar deri në shkarkim nga detyra. Padyshim hakmarrje politikanësh burokratë dhe mediokër. Ndërkohë ishte një situatë e tensionuar, kudo dëgjoheshin komandat dhe porosit e fundit. Presidenti i Republikës na takoi të gjithëve dhe në orën 11.00 filloi qitja luftarake. Forcat vepruan në mënyrë të shkëlqyer. Zjarr artilerie i përpiktë, manovër e mrekullueshme e tankeve, vlera dhe nivel profesional. "Katjushat" fishkëllenin, artileria e rëndë gjëmonte, të gjitha llojet e armëve zukatnin me tërsëllëm dhe tërë gryka e Morinit atë paradite Maji gjëmonte. Oshtima e armëve u dëgjua shumë larg, matanë në Kosovë. Koloneli italian Alessandro, donte të dinte më shumë për forcat e Divizionit të Tiranës. I dhashë informacion. Edhe atasheu kinez, kolonel Huei, me fjalë e superlativa i lavdëroi artiljerët për saktësinë e zjarrit, por kuptova që tjetërkund e kishte qëllimin. Donte që me çdo kusht t’i thosha "po, është e vërtetë, sepse kjo është teknologji kineze". Nuk ja thashë. Kjo qitje luftarake më bindi përfundimisht, se repartet tona në rendim luftimi ishin në gjendje të realizonin detyra delikate me përpikëri dhe efektivitet të plotë. E dija se nënkolonel Thomai, Budjoni, Tomorri, Kastrioti, Haxhiu, Bilbili, Enveri, dhe shumë të tjerë, oficerë të mrekullueshëm të shtabit dhe komandantë të Brigadave nuk "flinin", ata përherë ishin në punë. Në sistemin e drejtimit të zjarrit të artilerisë sonë kishim shumë të dhëna të siguruara nga zbulimi i Divizionit të Kukësit për "këpushat" që ishin mbjellë matanë kufirit.

Kur do të fillonin sulmet agresive ushtarake nga ana e serbëve?
Në datën 16 prill 1999, qeveria e Serbisë njoftoi zyrtarisht ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Shqipërisë. Veprimtaritë agresive ushtarake të paramenduara u shoqëruan atëherë me qëndrime ekstreme politiko - diplomatike. Kush mund ta bënte këtë përveç se një shteti agresor? Ka pasur shumë raste të penetrimit të trupave serbe në territorin këtej kufirit shqiptar – shqiptar. Goditjet e ushtrisë serbe brenda territorit të shtetit shqiptar u realizuan përgjithësisht me forca të pakta, deri në kompani, me trupa speciale, kryesisht komando, në goditjet me snaiper dhe me artileri të kalibrave 82, 120, 160, 155 mm, nga distanca, por dhe me qitje të drejtpërdrejtë. Këto goditje u bënë kryesisht mbi objektet civile dhe rrallë mbi objektet ushtarake. Në veçanti, në rrezen e këtyre goditjeve synoheshin bazat e UÇK-së, që ishin në zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit. Reagimi nga trupat e ushtrisë shqiptare ishte i reduktuar, por në disa raste, i ashpër dhe mjaft i vendosur me përdorimin e armëve automatike dhe të artilerisë, e në disa raste edhe të tankeve. Reagimi i ashpër i forcave të Brigadës së Këmbësorisë në Tropojë u imponoi shtabeve serbe idenë se, nuk ishte e lehtë të depërtonin në territorin shqiptar. Kjo situatë në teatrin e veprimeve luftarake shmangu me gjakftohtësi konfrontimin e përgjithshëm. Synimi i ushtrisë serbe në vijën kufitare ishte shkëputja e ushtrisë shqiptare nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Objektivi i tyre dështoi, pasi rrugëkalimet e lidhjes në të dy anët e kufirit, asnjëherë nuk u mbyllën.

Po përballja mes dy ushtrive?
Ka pasur përplasje midis ushtrisë shqiptare dhe asaj serbe, po të kemi parasysh betejën e Koshares, ku nuk pati asnjë dallim midis forcave të ushtrisë shqiptare të UÇK-së e të FARK-ut. Të gjithë luftuan si shqiptarë dhe i dhanë një mësim të mirë Brigadës së Reagimit të Shpejtë të ushtrisë serbe, e cila sot e riorganizuar vringëllin armët në Luginën e Preshevës. Në datën 26/04/99 një grup prej 35-40 ushtarësh serbë hyn në thellësi dhe u vunë zjarrin shtëpive të braktisura të fshatit Stoberdë. Disa orë përpara ata kishin kryer zbulimin me helikopter. Në të njëjtën kohë, në fshatin Lajthizë filluan të godisnin me mortaja të rënda, të vendosura në malin e Padinës. Në datën 29/04/99, në malin e Pëllumbit u diktua vendosja e mortajave serbe dhe në orën 16.00 serbët hynë në fshatin e boshatisur, Mëhalla e Sipërme. Me veprime të shpejta e të specializuara batalioni special kreu afrimin dhe rrethimin e grupit të ushtarëve serb në fshatin Xhuxh. Ata nuk kishin llogaritur në kohë tërheqjen e tyre. Tashmë të rrethuar ata prisnin se çdo të bëhej me ta. Ishin të gjitha mundësitë e asgjësimit të tyre, apo dhe zënies rob. Por një arsye tjetër më e fortë bëri që të veprohej ndryshe. Fshati Xhuxh ishte i paevakuar dhe në çdo çati jetonin 10-15 frymë. Zjarri nga të dy palët do të sillte fatkeqësi të rënda në njerëzit e pafajshëm. Forcat serbe nxorën 6 mortaja 200-300 metra mbi fshatin, në vijën e kufirit. U zbatua një marrëveshje pa fjalë, por me veprime konkrete. U krye një manovër e shpejtë me tërheqje. Kjo bëri që serbët me shpejtësi e lebeti të dilnin nga kurthi ku kishin rënë dhe të largoheshin matanë kufirit. Goditjet e vazhdueshme të artilerisë serbe kishin shkatërruar pothuajse godinat e postave kufitare të Zherkës, Zogajt dhe të qafës së Prushit. Forcat e Divizionit të Kukësit të tërhequra më në thellësi, atëherë u përforcuan me bateri të mortajave 82 mm dhe të topave KT 75 mm. Në këto kushte arrihej të plotësohej misioni “i pengimit” të forcave serbe deri në mbërritjen e forcave kryesore të ushtrisë tonë.

Gjatë luftimeve u rrëzua dhe një avion amerikan që ra në dorën e serbëve. Si e kujtoni këtë episod?
Në datën 30/05/99, ndodhi një “çudi” për amerikanët, të cilët ishin shumë të interesuar për avionin pa pilot, të rrëzuar në vijën e kufirit, midis forcave tona dhe forcave serbe. Grupet e zbulimit të batalionit special në orën 15.30 u dorëzuan specialistëve amerikanë shtatë pjesë kryesore të avionit zbulues pa pilot të NATO-s, prodhim i vitit 1996. Se si janë çmontuar ato dhe se si u transportuan deri në bazë nga trupat e batalionit, këtë e dinë më mirë ata djem të zotë që e bënë. Ky aeroplan ju rrëmbye serbëve pothuajse nga dora, pasi ata e mbulonin me zjarr objektin jo më larg nga 80-100 metra, në pritje të urdhrit për të depërtuar e për ta tërhequr vetë aeroplanin. Si specialist të njëjtat vlerësime do të bëja dhe për trupat e Brigadës Komando. Kjo njësi u përhap në të gjithë zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit, në drejtimet kryesore dhe shpesh herë u bë objekt i goditjes së artilerisë serbe. Qëndrimi e veprimtaria e trupave "komando", maturia, profesionalizmi dhe manovra e tyre në kushte të vështira, ishin për t’u marrë shembull.

Cili ishte roli i FARK-ut në këto luftime?
Atëherë në Kukës më bënte përshtypje dislokimi i një batalioni të fuqishëm të FARK-ut në zonën e Kolshit. Një repart i armatosur mirë, i mirëpaguar rrogëtarë, që rrinin tërë ditën të kapardisur nën beretat e kuqe dhe pretendonin se, “akoma nuk kishte ardhur koha për të luftuar në Kosovë”, kur vendi matanë digjej e shkretohej përditë dhe popullsia po spastrohej nga territori i Kosovës. Nuk kishim asnjë lloj bashkëpunimi me këtë repart. Rregullat e luftës na mësonin ndryshe. Ndërhyra fuqishëm në shtabin e Kukësit, në Shtabin e Përgjithshëm, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u bëmë shkak që ai batalion të dorëzonte armatimin strukturave të UÇK-së në Kukës dhe të largohej nga zona e luftimit. Shumë prej ushtarëve rrogëtare të “beretave të kuqe” ju bashkuan në atë kohë strukturave të UÇK-së. Në lidhje me këto veprime, sigurisht që kemi parë shumë në një kohë të vështirë dhe kuptonim, se këto reparte politikisht vareshin nga një tjetër komandë dhe kishin të tjera synime”.

Situata në kufirin shqiptar u përcoll jo pak nga media vendase dhe ajo ndërkombëtare. Si u bë ky organizim?
Lufta në Kosovë u bë çështje e të gjithë forcave progresiste demokratike, e opinioni ishte i interesuar për përfundimin e shpejtë të saj. Sensibilizimi ka qenë i drejtpërdrejtë në zonën e luftës. Kujtoj ditën që zbritëm tanket pranë urës së madhe për t’i kaluar nga vau i lumit, pasi ura nuk mbante më shumë se 24 ton. Një mori gazetarësh dhe reporterësh që transmetonin në linjat satelitore drejtpërdrejtë. Vëzhgoja nga afër veprimet. Në një çast vërej komandantin e Brigadës së Takneve, Budjonin që po konfliktohej me gazetarët. E thërras dhe i them: “Budjon, leri të filmojnë dhe të transmetojnë direkt. Bota është e interesuar dhe duhet ta dijë, që ushtria shqiptare po dislokon në vijën e kufirit mjetet e sulmit. Kjo do të thotë shumë”. Por kemi pasur dhe raste të vështirësive, të cilat ndoshta ishin pjesë e skenarëve të paracaktuar”.

Në çfarë fushash bashkëpunuat me ushtarakët amerikanë?
Në ditët e kalimit të Brigadës së UÇK-së, që u përgatit në Burrel, duke pushtuar malin e Pashtikut, pasi ushtria serbe kishte kaluar në kundërveprim përgjatë dy anëve të vijës së kufirit drejt majës së malit, pas një telefonate informative, në zyrën e Selimit erdhën grupi i oficerëve amerikanë të Forcave Ajrore. U përshëndetëm shqip. Ishin të sjellshëm. Kishin filluar të mësonin disa fjalë nga gjuha jonë. U hapën hartat mbi tavolinë dhe filloi shkëmbimi i informacionit. Kërkuan të dinin me koordinata të sakta, nga major Shyqyriu, shefi i zbulimit të Divizionit të Kukësit, se ku mund të ndodheshin bateritë e artilerisë serbe dhe ishin të interesuar se a kishte popullsi civile në këtë zonë të ngushtë. U kufizuan në një sipërfaqe 6-të km2 nga Qafa e Prushit, Krajlicë deri në fshatin Zhur, në thellësi të territorit të Kosovës. Kërkonin, me sa kuptuam, garanci për prezencën e popullsisë civile në këtë zonë. Punuan me kujdes në hartë dhe mbajtën shënim koordinatat. Vëreja se, hartat e tyre nuk kishin të njëjtën kuadraturë me hartat tona. Për disa nga objektivat, për të cilat kishte të dhëna u përcaktuan koordinatat me saktësi. U larguan pas 30 minutash, duke përshëndetur "allashqiptarçe".

Kur do të ngrinin serbët flamurin e bardhë?
Në orën 20.30 avionët e NATO-s realizuan një "spektakël" mbi objektivat ushtarake serbe. Pas dy orësh, në orën 22.30 dëgjojmë në drejtim të Krumës shpërthime të forta artilerie, të cilat përcilleshin deri tek ne me një zhurmë të mbytur. Në krahun e majtë të vendvendosjes sonë shtrihej kurrizi i malit të Tregtanit. Nën këmbët e tij në pjerrësitë perëndimore ndodhej qyteti i Krumës. Nga raportimet e menjëhershme në radio kuptova se po goditej spitali i qytetit. Pas 7-8 shpërthimeve të para, në të gjithë zonën e Krumës e të Kukësit u ndërpre energjia elektrike. Ndodheshim në një kuotë të favorshme ku na jepet mundësia të vrojtonim një pjesë shumë të madhe të zonës së Kukësit dhe drejtimeve më kryesore drejt kufirit. Nga raportimet e para në radio u konstatua panik dhe mungesë informacioni të saktë për atë që po ndodhte në Krumë. E ndjeva veten ngushtë, por nuk më lejohej të ndërhyja. Pas disa minutash dëgjova zërin e qetë e të sigurt të kolonel Selimit, shefit të shtabit të Divizionit të Kukësit, i cili u kërkoi të gjithëve të ruanin gjakftohtësinë. Po para disa orësh serbët kishin hedhur disa predha artilerie në fshatin Nikoliq, kishin plagosur disa fëmijë e kishin dëmtuar shtëpi. Në hapësirën mbi zonë pas 10 minutash u dëgjuan zhurmat e avionëve të NATO-s. Goditjet e artilerisë serbe u ndërprenë. Ishte dita kur delegacionet e të dy palëve, përfaqësuesit e NATO-s dhe të ushtrisë serbe, u takuan për herë të parë në kufirin maqedonas, në qytetin e Kumanovës, për firmosjen e marrëveshjes së kapitullimit të Serbisë”.

Territori Shqiptar u bombardua nga artileria serbe, a pati viktima nga kjo luftë?
Me bindje të plotë them se, ditari i luftës akuzon rëndë dhe sot politika dhe ushtria serbe duhet t’i kërkojnë falje popullit shqiptar. Po mundohem të jap këtu disa të dhëna të muajit prill 1999, për të kuptuar se sa me intensitet ka vepruar ushtria serbe kundër territorit shqiptar dhe sa e dhunshme, agresive dhe kriminale është paraqitur ajo, duke dhënë natyrën më të shëmtuar të një strukture krimi, gati të dalë jashtë kontrollit në agresivitetin e saj. Prej datës 10 prill e deri në përfundim të luftës, janë plotë 41 raste të agresionit të drejtpërdrejtë në forma të ndryshme të ushtrisë serbe kundër territorit dhe popullsisë shqiptare, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe viktima të pafajshme. Sipas të dhënave në datën 18/04/1999, armata Jugosllave kishte dislokuar në Kosovë 400 tanke, 300 transportues të blinduar dhe 400 njësi artilerie. Ky diapozitiv i fuqishëm ushtarak meritonte vlerësim dhe vëmendje, sepse aktualisht vepronte mbi bazën e një plani të paracaktuar dhe objektivat e tyre mund të shkonin shumë larg. Në datën 10/04/1999 regjistrohen incidente në kufirin shtetëror, në vijën Padesh Kamenic. Lidershipi politiko-ushtarak serb paralajmëronte Shqipërinë, pas këtyre luftimeve në kufi, se mund të bëhej ajo përgjegjëse për një shtrirje të konfliktit dhe për përhapjen e një lufte ballkanike. Një ditë më vonë u kryhen provokime të rënda në kufi. Prej orës 11.50 e në vazhdim, artileria serbe me mortaja godiste në drejtim të pikave kufitare të Padeshit, Zogajt e Kamenicës si dhe në Tropojën e Vjetër, deri në 15 km në thellësi të kufirit shqiptar. Pas bombardimeve të zonës së Hasit u shkaktuan 4 civilë të vrarë dhe 14 të plagosur.

A pati trupa serbe që kaluan kufirin shqiptar?
Në datën 13/04/1999 mbi 100 ushtarë serb të mbështetur nga mjete të blinduara, pushtuan postën kufitare të Kamenicës dhe më pas atë të Padeshit në Tropojë, rreth 2 km në thellësi të territorit shqiptar. Në këtë periudhë mbi 4000 banorë u shpërngulën në thellësi të vendit. Disa ditë më vonë trupat serbe hapën zjarr kundër fshatit Dobrunë dhe për 15 minuta u bë shkëmbim zjarri midis tyre dhe kufitarëve shqiptarë. Për rreth 20 minuta u goditën më artileri fshatrat Kamenicë, Padesh dhe Zherkë në Tropojë. Po atë ditë, në pikën e kalimit të Morinit një predhë e rëndë mortaje shpërtheu pranë vargut të refugjatëve, duke vrarë një dhe duke plagosur 22 prej tyre. Aventurizmi ushtarak nuk kishte kufij për shtabet ushtarake serbe. Në datën 21/04/1999, rreth orës 10.30 forca të shumta serbe, të mbështetura me artileri sulmuan territorin shqiptar në Has në një vijë disa kilometërshe. Luftimet midis tyre dhe forcave tona vazhduan për 8 orë dhe më pas serbët u tërhoqën. Mos vallë e kishin të domosdoshme serbët ballafaqimin ushtarak me forcat tona? Atëherë nuk besoja se duhet të ishte kështu. Tjetërkund synonin shtabet jugosllave, por ata nuk arritën kurrë të shkëpusin lidhjet shpirtërore midis luftëtarëve të lirisë në të dy anët e kufirit shtetëror. Sipas vrojtimeve të kohës, serbët kryen fortifikime në vijën e kufirit dhe realizuan vendosjen masivisht të fushave të minuara, ndërsa goditja me raketa minë – kasetë të prodhimit serb u bë deri në thellësinë 20 km të territorit shqiptar. Minat e vendosura apo të hedhura nga distanca, ishin mjete të vdekura, të cilat nuk ishin në gjendje të dallonin hapin e një ushtari nga hapi i një fëmije. Në çdo rast, kur mbi to shkelesh, ato lëndonin dhe gjymtonin, merrnin jetë njerëzish. Komandat serbe vazhdonin të zbatonin urdhrat e eprorëve të tyre, edhe kur pasojat binin mbi gratë, fëmijët, të moshuarit, pra mbi njerëz të pafajshëm. Në datën 26/04/1999 rreth orës 22.00, një grup ushtarësh serb hynë në thellësi të territorit shqiptar, me synimin për të minuar zonën e Qafës së Prushit. Për 6 orë u bë shkëmbim zjarri në një vijë prej 3 km. Forcat serbe përdorën artilerinë dhe mortajat. Goditen me artileri tanket e Brigadës së Krumës, të cilët shkuan në përforcim të forcave në vijën e kufirit shtetëror. Raste të tilla ishin të shumta në harkun kohor të dy muajve të fundit të luftës. Ka një evidencim shumë të saktë të masakrës së ushtrisë serbe, të agresivitetit të saj, të dëmeve materiale e njerëzore që kanë shkaktuar në territorin shqiptar, duke e çuar në mbi 20 mijë numrin e përgjithshëm të viktimave të luftës në atë periudhë. Por ata nuk mundën kurrë të izolonin UÇK-në dhe as të frikësonin shtetin dhe ushtrinë shqiptare. Ishte koha kur kundër tyre ishte vënë tëre bota demokratike dhe përfundimi i tyre kapitullues ishte i paracaktuar.

A kishte një bashkëpunim mes ushtrisë shqiptare dhe UÇK-së
Personalisht nuk e vlerësoj veten pjesëtar të UÇK-së, por thjeshtë, pjesëtar në këtë luftë. Duke qenë nën uniformën ushtarake të Forcave të Armatosura të shtetit shqiptar, me gradën “kolonel”, të dislokuar në grykën e Morinit në formacion luftarak, kam pasur raste të kontakteve me drejtues të strukturave të UÇK-së, dhe bashkërisht ndiqnim në proces të gjithë lëvizjet e tyre taktike e deri demonstrative, në raport me situatën në kufi, përherë të gatshëm të futeshim në veprim me kapacitetet tona luftarake. Ndërkohë, në Tiranë vazhdonte përgatitja dhe kompletimi gradual i Brigadës së Yzberishtit me forca aktive dhe rezerviste.

Si ishte gjendja morale e popullsisë civile?
Në një ditë të zakonshme, me grupin e rikonicionit po përpiqeshim të gjenin vend dislokim për një grup të artilerisë së rëndë. Ngjiteshim monopatit, duke shfrytëzuar një vijë përroi, nga ku mendonim se diku do të kishte një burim uji të pijshëm. Në distance dalluam një shtëpi të vetmuar, në oborrin e së cilës ishin gati 50 fëmije dhe disa gra. Vërenim me shqetësim pse fëmijët u larguan dhe ishin mbledhur rrotull nënave të tyre duke na parë me frikë. E zonja e shtëpisë, një malësore kuksiane, u afrua dhe na uroi mirëseardhjen. Takimi me të me përzemërsi reflektoi menjëherë tek fëmijët, të cilët kuptuam se ne "ishim njerëz të mirë". Ajo na shpjegoi se, në kohën që ne ishim duke u ngjitur, fëmijët na pikasën si grup njerëzish me uniforma ushtarake dhe të tmerruar dhanë alarmin, duke bërtitur, "shkijet, erdhën shkijet"! Të traumatizuar nga ç’u kishin parë sytë gjatë përzënies që u kishte bërë ushtria serbe nga shtëpitë e tyre, ata përjetonin në çdo rast tmerrin e një persekutimi të skajshëm psikologjik. Kuksiania fisnike u kthye drejt tyre dhe i ftoi të afroheshin. Me droje erdhën pak e nga pak, të nxitur edhe nga nënat e tyre. U ula në gjunjë, i hodha dorën ne qafë një djaloshi fëmijë dhe diçka i thashë ëmbël ne vesh. Më pas më përqafoi. Shpendi, shefi i Propagandës shkrepi aparatin. Një kujtim që më ka mbetur gjatë në vetëdije, duke u lutur që një ditë të mund ta takoj këtë fëmijë, që sot mund te jete 20 apo 21 vjeçar.”.

Cili është reflektimi juaj 15 pas përfundimit të luftës?
Është kjo një kohë e mjaftueshme për reflektim, për gjithçka që u bë mirë dhe që u bë keq në atë periudhë të vështirë. Përfundimi me sukses i misionit të UCK-së dhe të ushtrisë shqiptare, me mbështetjen e fuqive më të mëdha politiko - ushtarake të kohës, veçanërisht të SHBA-ve, mbart në vetvete në këto kohë e në vazhdim, praninë e qëndrimeve subjektive, për të shfrytëzuar vlerësimet kolektive të veprimtarisë luftarake me karakter çlirimtar. Koha e vlerësimeve kolektive ka marrë fund. Këtë e kanë bërë oficerë dhe ish luftëtarë në mënyrën e tyre. Në raportet masë - individ, pjesëmarrje, kontribut, efektivitet operacional, raport forcash, mbështetje reciproke, fuqi zjarri, hapësirë veprimi, kryerje manovre, pra, në të gjithë spektrin e këtyre veprimeve operacionale në terren, nuk mund të pranohen dëshira individësh apo deformime, që tentohen t’i bëhen atij realitetit në kohën e sotme. Kulmi i subjektivizmi, është shtrirë në disa raste, në fetishizimin e rolit të individit. Në kohët moderne, nuk mund të pranohet dhe të realizohet etiketimi i gjeneralëve pa gjeneralizëm, nuk mund të realizohet prodhimi ose fabrikimi i tipit të heroit në kurriz të heroizmit masiv të strukturave të luftëtarëve, të përfshirë në luftë me okupatorin në vijën e parë të zjarrit. Vlerësimi dhe respektimi i atributeve, përparësive, sakrificave të strukturave të UÇK-së, pa minimizuar vlerat e të gjithë strukturave të tjera që pretenduan për pjesëmarrjen në këtë luftë, janë një detyrim moral, profesional dhe historik, për saktësinë në disketën e memories historike të popullit shqiptar. Çdo vlerësim tjetër bie ndesh me atë çfarë ndodhi, me moralin dhe vlerat shumëdimensionale të ushtrisë më te re të kohës. Ajo përfaqësoi shpirtin liridashës, të vendosur dhe fisnik të popullit shqiptar. Analiza dhe historiografia ushtarake shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë, sot i është "borxh" veprimtarisë dhe aktivitetit luftarak të Brigadave në luftë, komandantëve, luftëtarëve dhe të gjithë atyre që luftuan dhe derdhën gjakun për lirinë e Kosovës. Në evidencimin e vlerave reale të kësaj periudhe të vështirë provë për kombin shqiptar, duhet të ekzistojë platforma e studimit ushtarako - shkencor për periudhën e luftës së popullit shqiptar në vitet 1997 – 2001. Marrëzitë politike të segmenteve dhe individëve të papërgjegjshëm, të nxitur nga qarqe antishqiptare, sot tentojnë të ftohin dhe godasin marrëdhëniet brenda gjenezës tonë, të luftojnë dëshirën për ribashkim Kombëtar, duke tentuar të ndajnë popullsinë “në shqiptarë dhe kosovarë”, duke servirur “kombin kosovar”, duke dashur të ngrenë mure të rinj ndarës, të cilët janë produkt i frymës antishqiptare një shekullore. Pas kaq kohësh e në vazhdim, kombi shqiptar do t’i përcjell me nderim dhe respekt veprën madhore të atyre që dhanë jetën në altarin e lirisë”.

 Botuar në gazetën Shekulli
Postuar në ResPublica 20 Tetor, 2014 

Wednesday, June 15, 2016

Intervistë me kolonel Pëllumb Zaimin: Ushtria shqiptare ‘90 me 100 miliard dollarë asete

Leonard Veizi

I pabesueshëm, në sasi dhe vlerë monetare, arsenali i lëvizshëm i ushtrisë shqiptare deri në vitin 1990. Nëse  shtohen dhe objektet e palëvizshëm e territoret, shifra rritet në mënyrë katastrofike...

...Në sektorin shkencor të Akademisë Ushtarake, ku ai bënte pjesë bashkë me 5 kolegë të tjerë si ekspert i analizave ushtarake, vinin informacione më shumë se kudo tjetër, për shkak të rëndësisë që kishte vetë detyra. Falë punës së gjatë në sektorin prej nga dilnin tezat, ku duhej të mbështetej ushtria në paqe e në rast lufte, ai ka njohuri të gjithanshme. E veç kësaj, pas përvojës në terren si komandant i një batalioni art-mitraljer, vite më vonë do të emërohej edhe në krye të kabinetit të komandës së forcave ajrore. Duke pasur këto detyra, ai është i gatshëm të japi përgjigje edhe atje ku duket se nuk e ka informacionin e duhur. Gjithsesi, koloneli në rezervë Pëllumb Zaimi, thotë se ushtria Shqiptare “notonte” mbi para, përderisa asetet e saj të shitëshme, kapnin një vlerë prej miliarda dollarësh. Të gjitha këto ai i sqaron gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”:

Një nga vendimet e qeverisë në ikje është shkurtimi i pagës për ushqimin e ushtarakëve në detyrë dhe kjo bëhet për shkak të krizës financiare. Si e konsideroni këtë vendim?
Si të gjitha vendimet e tjera kundër ushtarakëve edhe ky është një turp i qeverisë. Ushtarakët shqiptarë duhet të trajtohen më denjësisht, ata që janë në detyrë, ata që kanë dalë në rezerve dhe ata që janë në pension. Para ka mjaftueshëm për të gjithë ushtarakë e ish-ushtarakë, sa për të mos e ndjerë krizën.

Në një krizë globale ku mund të gjenden këto para?
Ato duhet të ishin bërë vit pas viti, që nga çasti që u mor vendimi politik se Shqipëria nuk kishte nevojë për një ushtri aq të madhe sa ishte ajo e viteve ’90. Pra këto para gjendeshin në asetet e ushtrisë. Aty ka pasur shifra kolosale parash, por dhe ka ende. Them ka pasur pasi një pjesë e mirë e tyre tanimë janë zhdukur. Por në qoftë se asetet e ushtrisë do të administroheshin në rregull e sipas ligjit, vetëm 10% e shifrës totale që kapin këto asete do ta rregullonin bilancin e pagave të ushtrisë dhe administratës shtetërore për shumë vite me radhë. Dhe kriza nuk kishte pse të ndihej as sa t’u heqësh ushtarakëve dhe ushqimin.

Të flasim më konkretisht?
Ushtria shqiptare e viteve ‘90 ka pasur një arsenal të jashtëzakonshëm, armësh, municioni, karburanti, ushqime e veshmbathje. Nëse këto do të shiteshin sipas rregullave, buxheti i shtetit do të furnizohej çdo vit me disa qindra milionë dollarë.

Çfarë shifre kapin këto asete?
Ju them pa frikë, duke u bazuar në atë që kanë nxjerre dhe specialistët e fushës, se ushtria shqiptare ka pasur asete që vlenin deri në 100 miliard dollarë, pa përmendur këtu objektet dhe territoret.

A nuk ju duket kjo një shifër shumë e lartë, madje e ekzagjeruar?
Mund të jetë shumë e lartë por është e vërtetë dhe e bazuar mbi fakte konkrete.

Që do të thotë...?
Që do të thotë se vetëm municioni i ushtrisë shqiptare, ai i importuar dhe ai i prodhuar në vend, i sistemuar në disa qindra depo e tunele, kap shifrën e 65 miliard dollarëve. Të mos harrojmë se uzina e Poliçanit prodhonte 48-58 ton municion në 24 orë, fishekë pushke, automatiku, mitralozi të lehtë e të rëndë. Gramshi prodhonte 400-500 automatikë e pushkë automatike në ditë ose 120 mijë në vit me një kosto prej 6000 dollarë për copë. Kostoja ishte e lartë pavarësisht se ato në tregun e zi të viteve të fundit patën një vlerë shitje prej 300 dollarësh. Mjekësi prodhonte më shumë se 6000 ton eksploziv në vit.

Ndërkohë çfarë tjetër mund të shitej nga arsenali i ushtrisë?
Ushtria shqiptare ka pasur 196 avionë MIG dhe helikopterë MI-4, po të shtojmë këtu 12 avionë AN-2, skuadriljet me PO-2 dhe JAK-18, si dhe 4-avionë qeveritarë IL-14 shkojnë 240. Flota ajrore numëron 125 avionë MIG të tipave të ndryshme që varionin nga 15-25 milion dollarë për ekzemplarë. Mesatarja kap vlerën e 4 (katër) miliard dollarëve.

Sa ka qenë forca e ushtrisë tek mjetet e blinduara?
Në ushtri numëroheshin 1200 tanke e transportues të blinduar. Një tank kapte shifrën e 600-800 mijë dollarëve sipas tipave. Mesatarisht kap vlerën 1 (një) miliard dollarë.

Po artileria kundërajrore?
Në artilerinë kundërajrore numëroheshin të paktën 4000 gryka zjarri që përbëheshin nga mortajat 60 mm, tek topat obuz 122 e 150 mm. Ndërkohë në këtë artileri futeshin edhe kanjushat ML-130, 12 dhe 19 grykëshe. Marr parasysh se topat obuz më të thjeshtë, ata 122 kanë pasur në një vlerë prej 70 mijë USD. Në artilerinë kundërajrore futen edhe grupet e raketave SAM-2 tokë-ajër. Ushtria shqiptare dispononte rreth 200 të tilla.

Të vijmë tek Forcat Detare?
Forcat Detare numëronin të paktën 100 copë anije të tipave të ndryshme, nga të cilat 4 nëndetëse, 4 gjuajtës të mëdhenj, 6 gjuajtës të vegjël, 2 dragamina të mëdha, 6 dragamina të vogla, rreth 60 katra silurues, anije ndihmuese etj. Por ka pasur dhe një armatim prej 400-500 copë silura me vlerë rreth 1500 dollarë copa, (700 mijë dollarë) dhe mbi 2000 mina detare me vlerë mbi 1000 dollarë copa (2 milion dollarë). Vlera e një nëndetëseje është shumë e lartë për shkak të teknologjisë që kanë.

Çfarë vlere kishin uzinat ushtarake?
Kishim uzina ushtarake me vlera kolosale si: Uzina e Tankeve dhe e Artilerisë në Tiranë, e baterive në Berat, e armatimit në Gramsh, e municionit në Poliçan, e lëndëve plasëse në Mjekës, (që ishte 100 % me teknologji suedeze), ishin gjithashtu uzina e riparimit të avionëve në Kuçovë, uzina e lokacionit, KRAF-i i Pasha Limanit, për remontin e anijeve mbiujëse dhe nëndetëseve. Këtu nuk po përmend një seri mini-uzinash në të gjithë territorin e republikës ku bëhej remont i pjesshëm i mjeteve luftarake. Këto uzina kishin teknologji moderne, përgjithësisht kineze por dhe franceze e suedeze që ishin fjala e fundit për kohën. Vlera monetarë është vështirë të nxirret pa dokumentet përkatës.

Në çfarë sasie kishte municion?
Mund të bëjmë një llogari duke u bazuar në sasinë e municioneve që kishin të depozituar njësitë e ushtrisë. Por unë nuk kam informacion mbi sasinë që ndodhej në depot e armatës. Megjithatë një batalion kishte rezervë 2-3 mijë ton municione të të gjitha kalibrave, brigada kishte nga 10-15 mijë ton municione rezervë, ndërsa divizione 20-25 mijë ton municione rezervë. Duhet të kemi parasysh se ushtria shqiptare kishte 22 divizione. Çdo divizion kishte 5-7 brigada, pra ishin rreth 130 brigada, këmbësorie, artilerie, sulmuese dhe rezerva të Shtabit të Përgjithshëm. Çdo brigadë kishte 5-7 batalione. Ishin më shumë se 30 regjimente të artilerisë kundërajrore. Çdo regjiment kishte 3 batalione. Përafërsisht ishin 800 batalione me një sasi totale prej 2 milion ton municion të të gjitha kalibrave. Brigadat dhe regjimentet kishin depot e tyre të rezervave me një sasi prej 1.5 milion ton municion dhe gjithashtu 22 divizionet kishin depot e tyre me rreth 500 mijë ton municion. Vetëm me kaq kemi të paktën 4 milion ton municione. Por nuk njohim sasinë e municionit që ishte depozituar në depot e armatës në Qafë Mollë, në Elbasan, në Rrëshen, në Berat. Këtu duhet të kemi parasysh se batalionet art-mitraljer të zonave malore kishin nga 12 mijë mina kundër tank dhe nga 16 mijë mina kundër këmbësorisë. Ato të kufirit bregdetar kishin edhe më shumë.

Sa ka qenë ndihma në vlerë monetare që na ka dhënë Bashkimi Sovjetik dhe Kina?
Natyrisht unë nuk mund të flas dot për gjëra që nuk i di, por mund të jap vetëm një shifër të parë në një dokument sekret. Në atë dokument flitej për një ndihmë prej 17 miliard dollarësh të dhënë nga Kina në vitet 1974-1976, e gjitha në pajisje ushtarake.

Çfarë arsenali ushtarak sillte Kina në Shqipëri për të pasur shifra të tilla marramendëse?
Mund të them se në ndihmat e Kinës për ushtrinë shqiptare fillonin nga thikat speciale që përdoreshin në të gjithë ushtrinë, por sidomos tek repartet e zbulimit, tek dylbitë B-12 që e afronin një objekt deri në 12 herë, e për të shkuar tek tanket, avionët e mjetet e riparimit për nëndetëset e anijet mbiujëse luftarake. Të mos harrojmë se ushtria kishte rreth 15 mijë automjete transporti. Por gjithashtu brigadat e xhenios kishin në inventar disa dhjetëra ura të montueshme të tipit “Ponton” dhe “Beli” ku kalonin jo vetëm trupa këmbësorie e makina, por dhe tanket. Por nga Kina edhen edhe disa spitale fushor me të gjitha pajisjet dhe çadra për fushim ku mund të strehoheshin 300 mijë njerëz. Ndërkohë ushtria u pajis radio-lokator, por dhe radio-pelingator për 7-8 pikat e radio-zbulimit të ushtrisë.

A ka një inventar të plot të këtyre mjeteve?
Para vitit 1992 këto inventarë kanë qenë të plota, por pas vitit 1997 gjithçka është asgjësuar. Kjo kërkon një revizionim të saktë. Nëse ngrihet një grup pune me revizorë e teknicienë dalin përfundimet. Nuk dihet çfarë është bërë e po bëhet me pronat e ushtrisë, që siç e përmenda, ato kapin një shifër prej 100 miliard dollarësh.

Po rezervat e luftës?
Ushtria ka pasur rezerva të mëdha të paprekshme që kodoheshin “101 K”. Në këto rezerva futeshin edhe vlerat monetare në rast lufte që ishin tepër-tepër sekret. Por kishte ushqim, veshmbathje, municion e karburante të projektuara për 5 vite lufte. Në vitin 1997 u shpërdoruar të paktën 50 mijë ton karburant, dhe në atë kohë karburanti kishte një vlerë prej 600 lek për litër. Por me këtë rast u asgjësuan dhe dokumentacionet dhe kështu askush nuk u fajësua për këto vjedhje gjigante që ishin pasuri e ushtrisë dhe e vetë popullit shqiptar. Pronat e ushtrisë janë abuzimi më i madh i qeverive që kanë ardhur në Shqipëri pas vitit 1992.

Ndërtimi i fortifikimeve sa ka kushtuar?
Në Shqipëri u ndërtuan 175 mijë qendra zjarri, ku çdo njëra prej tyre kishte një vlerë prej 7500 lekë të reja, me përjashtim të atyre të mëdha. Por u ndërtuan dhe shumë kilometra tunele nëntokësore bazat e strehimit të avionëve dhe dy kryeveprat arkitektonike që ishin Baza Ajrore e Gjadrit dhe Baza Detare e Porto-Palermos. Gjithashtu janë ndërtuar dhe komandat e batalioneve, brigadave e më tej. Këto objekte janë ndërtuar me punën e oficerëve dhe ushtarëve. Më kujtohet që kur isha oficer i ri, komandanti i batalionit Destan Shira ngriti me ushtarët e oficerët, por duke qenë vet në krye të punëve, komandën e batalionit dhe ndërtesat e kompanive me një hapësirë prej 800 metra katrorë. Gjithçka me forcat e repartit e duke thyer gurë në mal.

Ndërkohë problem i madh ishte strehimi...?
Po u tregoj një detaj. Në fund të vitit ‘92 na vjen një urdhër i ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali, i cili kërkonte të dinte sa sipërfaqe banimi kishte Divizioni i Parë i Tiranës (më i madhi në vend), me qëllim që të strehoheshin ushtarakët të cilët ishin pa shtëpi. Punuam mbi harta dhe në fund dolëm në konkluzionin se Divizioni i Parë kishte hapësira banimi të adoptueshme prej dhomë e kuzhinë, (1+1) sipas standartit të kohës, të paktën 8000 hyrje. Vendi kishte  22 divizione. Po të marrim një mesatare që njësitë e tjera të konvertonin 5-6 mijë hyrje të tilla, pra 1+1, mund të strehoheshin të paktën 120 mijë familje. Por ku janë këto prona tani, po trojet përreth tyre?”.




 ORGANIKA

Ushtria shqiptarë kishte këtë organizim

22 Divizione;
5 Baza furnizimi,
185 brigada të ndryshme;
23 regjimente AKA;
3 brigada xheniere;
1 regjiment ndërlidhje.
1 regj. zbulimit strategjik;
36 batalione zbulimi; etj.

-Efektivi përbëhej nga:
-rreth 16.500 oficerë
-rreth 9.000 nën/oficerë
-rreth 60.000 ushtarë
-rreth 8.000 civilë
-rreth 450.000 rezervistë
-rreth 230.000 Forca Vullnetare

Në arsenalin e ushtrisë kishte:
pistoleta 480.853 copë;
mitraloza të lehtë e të rëndë - 36.052 copë;
GHKT -1370 copë;
mortaja 60 m/m - 7100 copë;
mor.82 m/m - 3712 copë;
mor.120 m/m - 1710 copë ;
mort.160 m/m - 76 copë;
mit. Ka 12. m/m - 1485 copë;
mit. 14.5 m/m 2-4 grykësh - 896 copë;
Topa 75 m/m KT - 6345 copë;
Topa 107 m/m KT - 296 copë;
Topa 85 m/m KT. 970 copë;
Top Obuza 122 m/m 1892 copë;
Topa 100 m/m - 120 copë;
Topa 57 m/m - 120 copë;
Topa 130 m/m - 24 copë;
Artileri Reaktive 72 shtretër lëshimi;
Topa KA. 37 m/m dy grykësh – 1820 copë;
Raketa Tokë-Ajër - 16 shtretër lëshimi;
Topa KA 57-150 m/m - 24 grykësh - 1310 copë;
Topa KA 25 m/m - 2 grykesh në anije - 12 copë
Topa KA 37 m/m në anije 27 copë;
Topa 85 m/m në anije 4 copë;
Topa 23 m/m në avionë - 67 copë;
Topa 30 m/m në avionë - 217 copë; topa 37 m/m në avionë - 26 copë;
Avionë luftarake të tipave të ndryshëm 175 copë;
Helikopter 36 copë;
Makina të ndryshme: vetura, operative, transporti dhe luftarake 14.120 copë;
Diagaçë të ndryshëm -  630 copë;
tanke luftarakë 1060 copë me kulla çeliku special, po kaq dhe topa 85-100 m/m;
transportues të blinduar - 638 copë;
anije luftarake të ndryshme mbi ujëse K/S etj 85 copë; 4 nëndetëse etj;


Botuar në gazetën SHEKULLI në 11 gusht 2013