Tuesday, August 11, 2026

Për Kadrien, që na e "zhveshi" Skënderbeun në mes të Tiranës

 

 
Nga Leonard Veizi
 
Kadrija erdhi nga Turqia, me pasaportë të rregullt, dhe zbriti në aeroportin që mban emrin e misionares së madhe, “Nënë Tereza”. Erdhi si gjithë të tjerët. Turiste, me demek. Pa daulle, pa trumbeta, pa delegacion shtetëror. Por pengun e kishte në mes të Tiranës, ku ndezi kamerën 4K HD dhe na regjistroi një alamat videoje, - si influencere që thonë se është - që, sipas zërave të internetit, po ia kalon edhe “Odisesë” së Nolanit për nga shikueshmëria.
Nuk e di për Odisenë. Por një gjë dihet: Kadria e bëri Tiranën të flasë me vete.
Dhe jo pak.
Na dha edhe një leksion të vyer për idiotët. M'u në mes të mexhelisit.
Dhe mirë bëri.
Se Shqipëria është vend i hapur. Këtu mund të vish, ta pëlqesh vendin, ta lavdërosh, të hash qofte, të pish raki, të bësh fotografi këtej nga krahu i 15-katëshit, - dhe të ikësh i lumtur në vendin tënd. Por mund edhe të mos të pëlqejë. Se Tirana nuk është qendra e botës, de. Mund ta kritikosh. Mund ta shash. Madje, po pate aq fantazi, mund të na shpjegosh edhe historinë tonë, sipas qejfit tënd.
Epo, mileti nuk është njësoj.
Një pallosh prej Polonie, për shembull, - një tifoz pijanec, i fryrë nga mishi i derrit dhe nga trimëria e birrave, - para ca kohësh na bëri edhe shurrën te këmbët e kalit të Skënderbeut. Falë kësaj lirie. Prijësin tonë nuk e arrinte dot, ndaj iu desh të kënaqej poshtë halave të kalit.
Edhe ky mirë bëri.
Se nuk është vetëm Kadria në këtë botë, që nuk ka ndonjë simpati të madhe për Heroin tonë Kombëtar.
Por te e fundit, Shqipëria vend i hapur është. Ndonjërit mund t’i duket edhe si shurrëtore. Ç’të bëjmë? Jetonim në epokën e demokracisë liberale. Nuk të bëjnë punë as syzet progresive.
Por Kadria ishte më e përmbajtur.
Kadries prej Turqie nuk ia lejonte edukata të ulte brekët e të na begeniste duke na bërë shurrën në shesh. Jo. Ajo zgjodhi një mënyrë më elegante: na tregoi ca thagma për Gjergj Kastriotin.
Dhe këtu fillon gallata.
Sepse, moj Kadrie, për të folur për Skënderbeun, - apo Aleksandrin, - duhet të kesh pak më shumë se një kamerë 4K, disa qindra mijëra ndjekës dhe një algoritëm që të shtyn videon përpara.
Na the se Skënderbeu ishte dinak. Se u bë ushtar osman. Se edhe fenë e ndërroi.
Ashtu është, moj Kadrie. Dinak i keq ka pas qenë. Edhe ushtar osman u bë. Edhe fenë e ndëtroi. Dhe i ke thënë pak. Se tjetrit duhet t’ia bësh të njohura defektet ballas. Dhe ti fiks përballë tij ishe. Vetëm me një ndryshim, që ai ishte në bronz. Se të kishte qenë gjallë, nuk do e kaloje dot Bosforin as me ndihmën e ushtrisë së Mehmetit II.
Kije parasysh këtë, nëse nuk ta kanë mësuar në historinë e ciklit të ulët.
Nuk kishte rëndësi që Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte edhe strateg, edhe diplomat, edhe politikan, edhe luftëtar. Këto nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. Në fund të fundit Skënderbeu ishte një bukëshkalë, se vlerësoi më shumë kasollen e babait sesa oborrin e sulltanit.
Na tregove pastaj se Gjergji ynë, me një plan të mirëmenduar që kur jetonte andej nga Kruja a nga Dibra, arriti t’u mësonte osmanëve hilet dhe horrllëqet dhe pastaj… ua futi osmanëve.
Dhe kur ta fusin… të dhemb.
— O le-le!
Për më tepër kur nxënësi ia fut pedagogut me gradë shkencore në fizikë.
Eh, moj Kadrie, çfarë debati na hape këtu në Shqipëri!
Dhe çfarë kohe zgjodhe!
Në këto ditë të nxehta vere, kur shqiptarët po merren me qeverinë, me protestat, me çmimet, me hallet e përditshme, ti na e zhveshe lakuriq Skënderbeun në mes të sheshit.
Na e ktheve timonin gjashtëqind e ca vjet prapa. Dhe na bëre të njohura ca gjëra që nuk i dinim kërkund.
Bravo, moj Kadrie!
Ma bëj kabull… Afedersin, desha të them, se e shqiptova jangëllësh. Na vdiq kjo latinishtja e kaurëve.
Dhe për t’i vënë kapakun, moj Kadrie: Aferim.