Nga Leonard Veizi
14 gushti i vitit 1945 e
ndau historinë në dy pjesë. Pas pothuajse gjashtë vitesh gjakderdhje që morën
mbi 70 milionë jetë, lajmi që bota priste më në fund mbërriti: Japonia po
dorëzohej.
Në orën 19:00 të mbrëmjes
në Uashington, Presidenti Herri S. Truman pasardhësi i Frenklin
D. Ruzveltit, doli para mikrofonave të Shtëpisë së Bardhë dhe njoftoi: Japonia
ka pranuar pa kushte Deklaratën e Potsdamit. Lufta mbaroi.
Ajo që pasoi nuk ishte
thjesht gëzim, ishte histeri kolektive. Në të gjithë Shtetet e Bashkuara
njerëzit braktisën fabrikat, zyrat dhe shtëpitë dhe vërshuan në rrugë. Por
askund festa nuk ishte më e madhe se në “Times Square”, Nju Jork. Ishte
aty ku ndodhi edhe skena që do të mbetej në histori.
Marinari, infermierja
dhe fotografi
Në turmën e “Times Square”
ndodheshin dy njerëz që nuk njiheshin fare me njëri-tjetrin. Ai ishte Xhorxh
Mendonsa 22 vjeç, marinar i Marinës Amerikane me origjinë portugeze. Ai sapo
ishte kthyer nga fronti i Paqësorit, ku kishte shërbyer në një destrojer gjatë
betejave të përgjakshme dhe ishte me leje, së bashku me të dashurën e tij të
ardhshme, Rita Petri.
Ajo ishte Greta Zimer
Fridman 21 vjeçe, asistente dentare. E lindur në Austri në një familje hebreje,
Greta ishte larguar në vitin 1939 si refugjate për t'i shpëtuar nazistëve dhe
punonte në një klinikë dentare pranë “Times Square”. Atë ditë kishte veshur
uniformën e saj të bardhë, simbolin e infermiereve të kohës.
Rreth orës 14:00, mes
brohoritjeve, konfetëve dhe zhurmës së sirenave, Mendonsa, i dehur nga lajmi
dhe nga alkooli i festës, pa Gretën me uniformë të bardhë. Në mendjen e tij,
uniforma e bardhë i kujtoi infermieret që kishin shpëtuar shokët e tij në anije.
E kapi në krahë, e përkuli pas dhe e puthi fort.
Puthja zgjati vetëm pak
sekonda. Ajo nuk ishte romantike, ishte impulsive, kaotike, madje siç do të
rrëfente vetë Greta vite më vonë, ishte një akt që ajo nuk e priti dhe nuk e
miratoi. Ata u ndanë dhe nuk shkëmbyen asnjë fjalë.
Por fati deshi që disa
metra më tutje të ndodhej Alfred Ajzenshtet 46 vjeç, një nga
fotografët më të mëdhenj të revistës “Life”, me origjinë gjermano-hebreje,
i arratisur vetë nga nazizmi. Me “Leica”-n e tij, ai kërkonte pikërisht atë:
entuziazmin e papërmbajtur. Ai e pa skenën dhe shkrepi katër foto brenda pak
sekondash. Vetëm njëra doli perfekte.
Një çast më larg, një
fotograf tjetër i Marinës, Viktor Xhorgensen, fiksoi të njëjtën skenë nga një
kënd tjetër. Por ishte fotoja e Ajzenshtetit, e botuar një javë më vonë në
“Life” me titullin e thjeshtë "V-J Day in Times Square”, ajo që u bë mit botëror.
Për dekada identiteti i
çiftit mbeti mister. Vetëm në vitet '80 u konfirmua se ishin Mendonsa dhe
Fridman. Të dy vdiqën në moshë shumë të shtyrë, pak muaj larg njëri-tjetrit:
Greta në 2016 dhe Xhorxhi në 2019, në moshën 92 dhe 95 vjeçare.
Çfarë ndodhi më 14
gusht?
Dorëzimi nuk erdhi
papritur. Ishte kulmi i një jave apokaliptike:
Më 6 gusht 1945,
bombarduesi amerikan “Enola Gay”, i komanduar nga koloneli Poll
Tibets, hodhi bombën atomike "Little Boy” mbi Hiroshima.
Më 8 gusht, Bashkimi
Sovjetik, nën urdhrat e Josif Stalinit, i shpalli luftë Japonisë dhe pushtoi
Mançurinë.
Më 9 gusht, bomba e dytë
"Fat Man” shkatërroi Nagasakin.
Përballë shkatërrimit
total, Këshilli i Luftës në Tokio u nda. Vendimtar ishte ndërhyrja e vetë
Perandorit Hirohito. Ai regjistroi një mesazh radiofonik
- Gyokuon-hōsō - ku për herë të parë në histori, zëri hyjnor i Perandorit
iu drejtua drejtpërdrejt popullit japonez, duke njoftuar se Japonia duhet të
"durojë të padurueshmen".
Për shkak të diferencës
kohore, fjalimi i tij u dëgjua në Japoni më 15 gusht në mesditë, ndërsa në
Amerikë ishte ende 14 gusht. Prandaj bota perëndimore e feston si 14 gusht,
Japonia si 15 gusht.
Firma që mbylli Luftën
Lajmi i 14 gushtit ishte
politik. Fundi juridik erdhi më vonë.
Më 2 shtator 1945, në
Gjirin e Tokios, në kuvertën e luftanijes gjigante amerikane “USS Missouri”, u
zhvillua ceremonia finale.
Nga pala japoneze
dokumentin e nënshkruan Ministri i Jashtëm Mamoru Shigemitsu dhe
Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, gjenerali Joshixhiro Umezu, i cili
kishte kundërshtuar dorëzimin deri në fund.
Në emër të Aleatëve pranoi
dorëzimin Gjenerali i Ushtrisë Dagllas MekArtur, Komandanti Suprem i
Forcave Aleate, së bashku me Admiralin Çester W. Nimitz për SHBA-në.
MekArturi foli vetëm
gjashtë minuta: "Këto procedura mbyllen. Le të lutemi që paqja të ruhet në
botë."
Me atë firmë, topat
heshtën. Evropa kishte heshtur që më 8 maj 1945, me kapitullimin e Gjermanisë
naziste të Karl Dönicit. Tani heshti edhe Paqësori.
Bota që lindi më 14 gusht
1945 ishte krejt tjetër. Nga rrënojat e Evropës dhe hiri i Japonisë dolën dy
superfuqi: Shtetet e Bashkuara të Trumanit dhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit.
Aleatë një ditë më parë, armiq të nesërmen. Festa e “Times Square”-it
zgjati një natë. Lufta e Ftohtë që nisi pas saj do të zgjaste gati gjysmë
shekulli.
14 gushti mbeti dita e
entuziazmit. 2 shtatori, dita e firmës. Dhe mes tyre, puthja e dy të
panjohurve, fiksuar nga Ajzenshteti - simboli i çastit kur njerëzimi mori frymë
sërish.

No comments:
Post a Comment