Nga Leonard
Veizi
Ai
është i shquar me artin e tij po aq sa dhe Onufri i famshëm. Dhe ndoshta po aq
sa Onufri e kuqja e tij rrëzëllente nëpër muralet e kishave të Jugut të
Shqipërisë. Dhe quhej David...
... Shekulli XVIII ishte një epokë
transformimesh të thella politike dhe kulturore në Ballkanin. E në këtë kohë
arti kishtar ortodoks shqiptar shënoi një lulëzim të veçantë me veprimtarinë e
disa mjeshtërve të mëdhenj. Ndër ta, David Selenicasi mbetet figura më
përfaqësuese e ikonografisë shqiptare të asaj kohe. I edukuar në traditën
bizantine, por i hapur ndaj ndikimeve të reja nga Perëndimi, ai krijoi një stil
personal që e bëri artin e tij të dallueshëm dhe të pavdekshëm.
“David
Selenica, gjeniu i ikonografisë shqiptare dhe i 1000 afreskeve” është një
shkrim i botuar nga studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo Në vlerësimin e tij
Moikom Zeqo shkruan: “Davidi është një piktor i përmasave të mëdha. Ai ka
pikturuar afro 1000 afreske me një fuqi artistike të jashtëzakonshme. Nëse
Onufri është një gjeni dhe patriark i artit ikonografik shqiptar, që zë kreun e
vendit në artin e vendit tonë, Davidi është gjithashtu një gjeni dhe një
kryemjeshtër i dytë i madh i ikonografisë”.
Por
ikonografi i shquar mbetet i vlerësuar edhe në botimet shkencore të Theofan
Popës si në rastin e vëllimit “Piktorët mesjetarë shqiptarë”, në të cilin
përmblidhen piktorët ikonografë si David Selenica, Kostandin Shpataraku, piktorët
korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi
Ndërkohë
një botim serioz është edhe ai i Dr. Ahilino Palushit i monografisë "David
Selenicasi - piktor i rilindjes pasbizantine né Shqipëri"
Origjina
Mbetet
e paqarte origjina e ikonografit të njohur pasi pretendimet janë që David
Selenicasi të jetë nga Selenica e Vlorës ose nga Selenica e Kolonjës. Por
ndoshta kjo nuk ka aq shumë rëndësi. Dhe nëse nuk dihet vendlindja e tij po aq
nuk njihet edhe vendvdekja.
Sipas
Moikom Zeqos studiuesi M.B.Sakellorion në librin e tij botuar në 1983 bëri një
zbulim unikal. Ky studiues shënon se Narteksi me emrin Virgjeresha Kukuzelike
në malin Athos është plot me piktura me cilësi shume të larta, ku ka dhe një
mbishkrim që thotë se autori është "Davidi nga Vlora" Mbishkrimi mban
datën 1715. Moikom Zeqo shkruan se është pikërisht M.B.Sakellarioni, që bën
identifikimin stilistik dhe morfologjik të piktorit David nga Vlora me piktorin
David të Shën Kollit të Voskopojës. Dhe kështu sipas tij Enigma e origjinës së
Davidit u zgjidh përfundimisht.
Filmi
Gjithsesi,
për t’i bërë një jehonë më të madhe punës së tij Kinostudio Shqipëria e Re në
vitin 1983 prodhoi filmin “Kohë e Largët” me regjisor Spartak Pecanin dhe
skenar nga Sotir Andoni, ku aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa portretizoi figurën
e David Selenicasit por nën emrin artistik Andrea Shelca. Gjithçka u bazua në
novelën e Sotir Andonit “David Selenicasi”.
Novela
Ja
çfarë shkruan Sotit Andoni në tregimin e tij ku epitropi i bazilikës së
Shënkollit, Bane Lica i dërgonte një raport Hirësisë së tij, peshkopit të
Ohrit, Emanuel, e mes të tjerash e informonte:
"Hirësisë
së tij, peshkopit të Ohrit, Emanuel, nga Bane Lica, i përvuajturi shërbëtor i
kishës dhe juaji... Vë në dijeni të shenjtërisë suaj, se i quajturi David
Selenicasi, zograf me rrënjë prej Selenicës së Kolonjës, ka ardhur ndë
Voskopojë nga shkolla e Evropës, pasi është bërë atje farmason dhe katholik. Në
punën e tij përdor bojën e kuqe të fortë, rreptësisht e ndaluar.
Fytyrën
e shën Marisë e zografisi sipas fytyrës së një çupe prej qytetit tonë, pas së
cilës është agapisur. Por... kur e teproi me penelata mbi kraharorin e Shën
Marisë, sa s'më hipën në kurriz malet e Bodesë! S'u përmbajta dot dhe i thashë:
"Shën Maria nuk ka qenë mendeshë". Por ai m'u përgjigj me cinizëm dhe
me inat e më tha: "Shën Maria nuk e ka ushqyer Krishtin me memelige, por
me sisë".
Konteksti historik
David
Selenicasi veproi në një periudhë kur Perandoria Osmane kishte lejuar një farë
autonomie në çështjet kishtare dhe kulturore të popullsisë ortodokse. Kishat e
Shqipërisë së Jugut, veçanërisht në zonat e Korçës, Kolonjës, Vithkuqit dhe
Myzeqesë, u kthyen në qendra të rëndësishme të artit dhe arsimit. Brenda këtij
mjedisi, me mbështetjen e komuniteteve të pasura tregtare e klerit të
kultivuar, lulëzoi një brez ikonografësh që u quajtën shpesh “piktorët
popullorë të jugut”. Megjithëse mungojnë
dokumente të detajuara për formimin e tij, besohet se David Selenicasi u
stërvit në një nga qendrat e ikonografisë në Athos ose Voskopojë, ku ndikimi i
artit barok dhe rokoko perëndimor po depërtonte përmes librave dhe gravurave të
importuara nga Europa. Ai e përshtati këtë ndikim në mënyrë origjinale, pa
hequr dorë nga skemat kompozicionale të traditës lindore.
Stili dhe simbolika
Stili
i Davidit dallon për ngjyra të pasura, ndriçim të theksuar në fytyrat e
shenjtorëve, dhe lëvizje të qetë, por ekspresive të trupave. Ai shmang skemat e
ftohta dhe statike të ikonave më të vjetra, dhe i jep një ndjeshmëri njerëzore
figurave të shenjta. Në punimet e tij vërehet përdorimi i hijëzimeve për të
krijuar thellësi, si dhe përpjekja për një perspektivë më natyraliste.
Në
ikonat e tij, Krishti dhe Hyjlindësja shpesh shfaqen me një shikim të butë, por
depërtues, ndërsa shenjtorët paraqiten jo si figura të largëta hyjnore, por si
pranues të dhimbjes dhe forcës njerëzore. Kjo qasje e bën artin e tij të afërt
me shpirtin popullor.
Veprat kryesore
Një
nga punët më të rëndësishme të Davidit është ikonostasi i Kishës së Shën Kollit
në Vithkuq, i përfunduar në vitin 1722. Kjo kishë përfaqëson një kryevepër të
bashkëpunimit midis mjeshtërve të gdhendjes në dru dhe ikonografëve. Në këtë
ikonostas, ai nënshkruan një nga ikonat me fjalët: “Piktor i pavlefshëm David
nga Selenica më 1722”, një pohim modestie që thekson përulësinë përpara detyrës
shpirtërore të artit. Veprat e tij gjenden gjithashtu në Manastirin e
Ardenicës, ku bashkëpunoi me piktorë të tjerë si Kostandin dhe Kristo nga
Korça. Po ashtu, gjurmë të stilit të tij janë ruajtur në kisha të Beratit,
Voskopojës dhe Myzeqesë, duke dëshmuar për një veprimtari të gjerë dhe të
organizuar.
Studiuesi
Andrea Llukani në veprën e tij “Arti kishtar në Shqipëri” shkruan: Tematika e
afreskeve të pikturuara nga David Selenicasi është marrë kryesisht nga Dhiata e
Re, por përveç skenave kryesore, si p.sh. “Lindja e Krishtit”, “Pagëzimi”,
“Ngjallja” ose “Lindja e Shën Mërisë” “Ungjillëzimi”, “Fjetja e Shën Mërisë”
etj, ikonografi ka pikturuar edhe skena të rralla të marra nga tradita e
kishës, ndër të cilat mund të veçojmë: “Këshilltar i mrekullueshëm” në të cilën
paraqitet Krishti me fletë si engjëll, piktura murale “Therja e foshnjave në
Betlehem”, skena e “Ungjillorit Lluka duke pikturuar ikonën e parë të Shën
Mërisë” etj.
Trashëgimia dhe ndikimi
David
Selenicasi themeloi një linjë ikonografësh, ku përfshihen nxënës dhe ndjekës të
stilit të tij, të cilët vazhduan veprimtarinë në gjysmën e dytë të shekullit
XVIII. Stili i tij ndikoi në formimin e asaj që njihet si shkolla ikonografike
e Korçës, një nga qendrat më të rëndësishme të artit kishtar në Ballkan.
Trashëgimia e tij është jo vetëm artistike, por edhe shpirtërore dhe kombëtare.
Ai arriti të ruajë identitetin ortodoks shqiptar në një periudhë presionesh të
mëdha kulturore dhe fetare, duke përdorur artin si mjet rezistence dhe
përkatësie.
David
Selenicasi mbetet një prej figurave më të ndritura të trashëgimisë sonë
kulturore – një artist që e kuptoi thelbin e besimit dhe ia dha atij formë,
ngjyrë dhe jetë. Në veprat e tij nuk ka thjesht pikturë, por një thirrje e
heshtur drejt hyjnores që vazhdon të kumbojë në altaret tona edhe sot.
Epilogu
Rrethanat
e vdekjes së David Selenicasit mbeten të paqarta dhe nuk janë të dokumentuara
në mënyrë të detajuar në burimet historike. Kjo është për shkak të mungesës së
të dhënave arkivore të ruajtura nga periudha në të cilën ai jetoi dhe veproi.
Hipotezat historike sugjerojnë se ai mund të ketë vdekur në mënyrë natyrale në
trevën ku veproi, diku në zonën e Korçës, Kolonjës ose Myzeqesë, pasi nuk ka
dëshmi për ndonjë përndjekje apo rrethanë tragjike.
Në
filmin “Kohë e Largët”, i cili pavarësisht kontekstit historik mbetet një vepër
artistike, asketi Lithan, - përndryshe nga tregimi, - helmoi piktorin që
peshkopit të Ohrit, e kishte çuar me “syrgjyn” të pikturonte në një kishë që
ndodhej në ishullin e Liqenit të Prespës.
No comments:
Post a Comment