Friday, May 31, 2019

Në rrëfim Adelina Mamaqi, autorja e njohur për fëmijë, shkrimtarja me 60 tituj dhe e dekoruar dy herë me Urdhrin “Naim Frashëri”

Adelina Mamaqi

Si i theu tabutë me vargje për dashurinë e para poete femër në Shqipëri

Leonard Veizi

Këtej dhe andej Adriatikut ajo vazhdimisht udhëton, me dokumente të përhershme italiane në njërën dorë por me një pasaportë shqiptare të pandryshueshme në dorën tjetër. Adelina Mamaqi, autorja e të paktën 60 librave për fëmijë ka mbërritur sërish në rezidencën e vjetër për të qëndruar pak kohë me një nga dy djemtë e saj dhe sërish do largohet për në shtetin fqinjë ku mes të tjerash i duhet të kujdeset dhe për mbesat, vajzat e djalit tjetër të saj, Darlingut. Ndërkohë e duruar dhe skrupuloze deri në fund, ajo ka munduar të përgatisë sërish libra të rinj për botim. Megjithatë, ashtu siç pohon dhe vetë: “Shkrimtari, edhe sikur të mos ketë përkatësi partiake, si në rastin tim, nuk ka se si të mos jetojë me ngjarjet social - politike të vendit. Ky është detyrimi i tij qytetar, ndërsa letërsia është profesioni e tij”. Gjatë një interviste për gazetën “Shekulli” shkrimtarja e njohur, tanimë 74 vjeçare, kërkon të ndaj me lexuesit edhe disa fakte nga jeta e saj, të cilat ndoshta nuk ka dashur t’i bëjë fort të njohura më parë.

Kush është Adelina Mamaqi?
Jam lindur në Tiranë, me origjinë nga një familje përmetare me tradita atdhetare, artistike dhe intelektuale. Prindërit e mi Afërdita dhe Rahmi, ishin arsimuar në shkolla amerikane dhe të dy kanë shkruar e botuar, por vetëm në shtypin periodik. Xhaxhai, Nazif Mamaqi, njihet si poet dhe botues. Gjyshi nga nëna, Fehmi Tepelena, ka qenë jurist. Ai ka qenë një ndër firmëtarët e pavarësisë së bashku me Ismail Qemalin, dhe më pas, si intelektual me bindje demokrate ka ushtruar funksione të rëndësishme në shtetin shqiptar. Por është vrarë tradhtisht, me urdhër të mbretit Ahmet Zog. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare shtëpia jonë ka qenë Bazë e Lëvizjes dhe aty janë strehuar dhe Ramize Gjebrea, Fiqirete Shehu e shumë gra të tjera antifashiste. 

Si nisi dhe si vazhdoi rruga juaj e krijimtarisë letrare?
Që në vitet e para të fëmijërisë, prindërit e të afërmit më kanë njohur me ajkën e letërsisë botërore për fëmijë. Ndërsa gjyshja, e cila kishte kryer shkollë turke, më tregonte përralla orientale, veçanërisht të Njëmijë e Një Netve. Pa mbushur gjashtë vjeç hyra direkt në klasë të dytë fillore dhe gjashtëmbëdhetë vjeç mbarova shkollën e mesme. Ky mjedis ku u rrita, si duket, ishte toka në të cilën nxori fletëzat e para geni letrar që kisha në gjak. Kësisoj, në moshën 9-vjeçare thura disa vargje për hallën time të emigruar në Amerikë, ku thosha se “nuk do të emigroja kurrë”, por, për ironi të fatit, duke mos u pozicionuar politikisht, na hodhën në rrugë dhe emigrova tok me tim bir, Darling, që ishte në lulen e rinisë e të karrierës si aktor e regjisor. Karriera e tij iu ndërpre, por edhe imja gjithashtu, sepse të mbijetosh në kushtet e emigracionit nuk është e lehtë. Këtë fatkeqësi, si nënë, nuk mund ta fal, as për fëmijët e mi edhe për bijtë e tjerë të nënave. Me emigracionin masiv të pas viteve ’90 patëm një  rrjedhje të madhe tub gjakut e të trurit të ri shqiptar.

Si u prit nga opinioni libri juaj i parë poetik “Ëndrra vashërie” botuar në vitin 1963 ?
Vëllimi poetik “Ëndrra vashërie” ka mbetur si libri i parë i një poeteje shqiptare. Kur hyra në fakultet, nisa të botoj në shtypin letrar, por në ’63-shin dola me këtë përmbledhje, e cila u prit me shumë dashamirësi nga lexuesit e nga kritika edhe për faktin se për herë ta parë shpaloseshin ndjenjat intime dhe bota shpirtërore e vajzës shqiptare, që për opinionin e atëhershme thyen një tabu. Për herë të parë, opinioni, qoftë dhe i shkrimtarëve burra, u ndesh me një vajzë shqiptare të merrte guximin të shkruante për dashurinë në atë kohë.

Pse u tërhoqët e iu përkushtuat letërsisë për fëmijë?
Nga poezia për të rritur nuk jam larguar asnjëherë. Ajo ka mbetur për mua dashuria e parë. Por meqë ishte mjaft lirike dhe e brishtë për kërkesat e realizmit socialist, vazhdova të shkruaj poezi e t’i mbaj në dosje. Pas viteve 90, është përkthyer e botuar në Verona të Italisë përmbledhja “La voce spezzata” dhe në Prishtinë “Një mjellmë nga vitet”. Kam të gatshme edhe një përmbledhje tjetër poetike. Meqenëse letërsia për fëmijë kishte më shumë frymëmarrje, meqë isha redaktore e saj në Shtëpinë Botuese “ Naim Frashëri” dhe meqë prisja të bëhesha nënë, botova librin me poezi “Bubi i vogël”, i cili u pasua nga libra të tjerë.

Sa libra keni botuar, si janë vlerësuar ato dhe ju, si autorja e tyre?
Në matematikë nuk jam e zonja. Po, para viteve 90, duhet të jenë bërë rreth 30 tituj, pa përmendur këtu pjesët teatrale, tablotë muzikore, tekstet e këngëve,etj. Të gjithë librat që kam paraqitur në konkurse kombëtare, janë vlerësuar me çmim të parë, përveç një çmimi të dytë. Si shkrimtare, jam dekoruar dy herë me Urdhrin “ Naim Frashëri”. Nga vitet ‘90, kur emigrova, e gjer në 2000, kam heshtur, ndërsa pas kësaj periudhe kam botuar mbi 20 libra të tjerë, dhe nja 7-të presin te botuesi. Ndërkohë të paktën 20 libra janë në kompjuter, të tjerë në proces.

Duket se jeni ende aktive...?
Ende nuk kam ndërmend të rresht porsa i përket krijimtarisë letrare. Megjithatë, pas viteve ‘90  , nuk “kam merituar” as titull, as pension të veçantë. Si thoni: për mungesë të meritave, apo për turpin e kujt m’i kanë mohuar? Por ja që ndodh edhe kështu, sidomos kur nuk je pjesë e një klase politike sikundër jam unë.

Ç’ do të thotë të shkruash për fëmijë?
Të shkruash për fëmijë do të thotë së pari të kesh një talent të spikatur. Letërsia për fëmijë është pjesë integrale e letërsisë së një kombi dhe shkrimtarët që e lëvrojnë, pa diferencim, janë shkrimtarët e atij kombi. Por, ndërsa shkrimtari për të rritur u drejtohet bashkëmoshatarëve, shkrimtarit për fëmijë i duhet të rikthehet pas, por jo në fëmijërinë e vet, po në fëmijërinë e lexuesve të vegjël. Kjo do të thotë “të kapërcesh ylberin” të bëhesh dhe të mbetesh fëmijë në shpirt, të ndjekësh evoluimin, psikologjinë, preferencat e gjeneratave. Dhe të arrish suksesin, nuk është e lehtë. Aq më tepër, për të sfiduar një qëndrim denigrues, që ekziston, duhet shumë dashuri e përkushtim.

Si do ta cilësonit letërsinë për fëmijë para dhe pas viteve ‘90?
Para viteve ‘90 letërsia për fëmijë, ndonëse relativisht e re, ka hedhur themelet e saj, me një plejadë shkrimtarësh që kanë mbetur në panteonin e letërsisë shqiptare. Ajo ishte më e çliruar nga kufizimet partiake. Atëhere janë shkruar vepra me vlera artistike e edukative, të cilat botohen e ribotohen ende sot. Dhe për hir të së vërtetës kjo letërsi dhe shkrimtarët që e lëvronin, kanë qenë të mbështetur dhe të barazvlerësuar me shkrimtarët e letërsisë për të rritur. Gjë që nuk ndodh sot. Nga shkrimtarët e atij brezi kanë mbetur shumë pak, pak edhe nga më të rinjtë dhe pothuajse aspak autorë debutantë. Përgjithësisht ka rënie në sasi dhe në cilësi. Ka vërshime përkthimesh të përkthyera shpesh “ me këmbë”. Këtu hyn biznesi, por libri nuk është biznes. Është kulturë. Dhe këtë kulturë fëmija e merr dhe e kultivon që në vitet e para. Prandaj letërsia për fëmijë është një lule delikate, si vetë lexuesit e saj. Prandaj ajo dhe autorët e saj nuk duhen traskuruar, denigruar, lënë në harresë si në këta vite. Janë bërë dhe bëhen përpjekje nga Shoqata e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj, por çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër.

Mendoni se mund të bëhet diçka për të dalë nga kjo situatë?
Sigurisht që po. Ministria e Arsimit, me organizmat e saj, duhet ta çojë librin te lexuesit. Më parë organizoheshin takime dhe aktivitete të tjera lexues - shkrimtarë, që ishin jo vetëm emocionuese, por të vlefshme për të dy palët. Ka ekzistuar një bord, pa asnjë përfaqësues nga letërsia për fëmijë, i cili ka përpiluar një listë me libra të përzgjedhur jo sipas kriterit të vlerave, por të klaneve. Dhe pavarësisht që botohen libra të rinj, lista mbetet statike. Dihet përse... Ka edhe gjëra të tjera që mund dhe duhet të bëjë kjo Ministri dhe kam besim se tani do të bëhen. Ministria Kulturës ua kishte mohuar të drejtën e konkurimit shkrimtarëve për fëmijë, duke rënë nën ndikimin e klaneve e të ndonjë kritizeri të tyre, i cili deklamon se nuk paskemi letërsi për fëmijë(!) Atë edhe në një intervistë të më parshme e kam pyetur nëse në fëmijërinë e vet apo tani ka lexuar ndonjë libër për fëmijë dhe i kam kërkuar të shkruajë një libër, që të na mësojë se si shkruhet. Së fundi mendoj se njëra nga këto dy Ministri do të ishte mirë të mundësojë botimin e një reviste serioze, me vlera artistike, njohëse, psikologjike, edukative për të vegjlit. Dhe, për ta mbyllur, unë jam në kontakt me disa nga botimet bashkëkohore italiane apo të huaja, në Itali. Me çfarë lexoj, e them me përgjegjësi se, po të mundësohej përkthimi i disa prej librave tanë më të vyer për fëmijë, do t’i jepnin vend nderi letërsisë shqiptare.

Qeveria “Rama” do t’i hapi dyert Shqipërisë...
Ka pasur dëshirë të ishte në Shqipëri e të votonte në zgjedhjet e fundit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, por për një arsye shëndetësore e ka penguar të udhëtojë. Megjithatë Adelina Mamaqi, në mungesë të votës së saj kërkon të shprehet për qeverinë e re, dhe programin e saj të mbrojtur nga Kryeministrin Rama: “Fillimisht, për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, parandieja frikë nga manipulimet, që dihet si janë bërë, por edhe shpresë për fitoren e Rilindjes që faktikisht erdhi në mënyrë spektakolare. Është besimdhënës fakti që ministrat janë të rinj, intelektualë të formuar, të pakorruptuar, të bindur se këtë barrë përgjegjësie do ta mbajnë jo për aferat e tyre, por për të rritur mirëqenien e dinjitetin e shqiptarëve, për t’u rikthyer të drejtat e mohuara dhe për t’i hapur Shqipërisë perspektivën evropiane. Këtë e dëshmon programi ambicioz, i qartë, bindës i qeverisë, të cilin nuk “e sheh” vetëm kush nuk do të ketë sy. Ishte surprizues dhe simbolik çasti kur ministrat, me në krye Zotin Rama, sapo bënë betimin, përshkuan në këmbë bulevardin nga Presidenca në Kryeministri, siç është domethënës fakti, që u shkulën hekurat rrethues të Kryeministrisë. Kujt mund t’i trembet një qeveri e zgjedhur nga populli dhe për popullin? Kryeministri Rama është politikan i sprovuar, intelektual, karizmatik, artist në shpirt e në etikë. Me fisnikëri sfidon baltëgjuajtësit, duke i lënë të përbaltin veten. Si e sferës së artit, po përmend vetëm një nga shumë “epitetet” e “gjetur” që i atribuohen: “piktori i dështuar”(?!). Edhe sikur kjo të qenkësh e vërtetë, një piktor i dështuar i bën dëm vetëm vetes, ndërsa një politikan i dështuar i bën gjëmën një shteti e një populli të tërë!... Ndërkohë Kuvendit i duhej një kryetar si Zoti Meta, i spikatur për seriozitet, etikë, maturi. Kam besim se do të dijë ta kërkojë dhe ta gjejë gjuhën e ekuilibrit e të konsensusit me opozitën. Gjithashtu, falë Zotit, tashmë do të dëgjojmë një kryetar kuvendi që di ta flasë saktë gjuhën shqipe dhe pa shprehje fyerëse e vulgare. Që nga seancat e para, iludohesha se diçka duhej të kishte ndërruar në këtë opozitë, kryetari së cilës u “ndërrua”, por “ e la litarin jashtë”. Nuk është gjuha e agresivitetit, por ajo e debatit konstruktiv dhe e bashkëpunimit që duhet përdorur, për të realizuar dhe jo për të frenuar objektivat drejt statusit të vendit kandidat. Ju më kërkuat opinionin si qytetare dhe unë, pasi u përgjigja objektivisht, si një qytetare pa përkatësi partiake, por që mbështet atë forcë politike, cilado qoftë, që mund ta rilindë Shqipërinë, pres pyetjet tuaja edhe në fushën e letërsisë.”


LIDHJA E SHKRIMTAREVE
Si i shpëtova furtunës ‘73
Por si u përjetua në Lidhjen e Shkrimtarëve viti ’73, pasi Enver Hoxhës kritikoi letërsinë dhe artet? Adelina Mamaqi, jo fort prezente në ambientet ku gëlonin thashethemet dhe inatet thotë se gjithsesi turbullira pati në të gjitha institucionet e rëndësishme të artit shqiptar. “Në këto turbullira, pati shkrimtarë të cilëve iu hoq e drejta e botimit. Megjithatë, Lidhja e Shkrimtarëve si një ambient intelektual e kaloi me maturi këtë situatë. Pastaj unë kam qenë natyrë nuk isha e përzierë shumë në ambientet ku qarkullonin informacionet që vinin nga lart. I isha kushtuar shumë dy gjërave; fëmijëve dhe krijimtarisë time. Në atë kohë u dënua dhe kushëri im i parë, djali i xhaxhait, Dashnor Mamaqi, por masa e ndëshkimit nuk erdhi deri tek unë, megjithëse pati zëra të cilët kërkuan që krijimtarinë time ta fundin në listën e veprave që duhet të dilnin nga qarkullimi. Megjithatë edhe pas kësaj periudhe kritike, të paktën për 13 vite në vazhdim, unë kam qenë redaktore jo vetëm e Festivalit Kombëtar për fëmijët që mbahej në Shkodër, por në dorën time kalonin tekstet e të gjitha festivaleve të Shqipërisë”.

No comments:

Post a Comment