Tuesday, January 7, 2025

7 Janar 2015/ Kur Liria e Fjalës vihet në shënjestër... 10 vjet nga masakra në “Charlie Hebdo”


Nga 
Leonard Veizi
 
Më shumë se kushdo, bota perëndimore u trondit kur lajmi u përhap rrufeshëm se të paktën 12 persona, staf i një reviste të njohur franceze, u ekzekutuan në një akt terrorist nga dy persona që shkurt u cilësuan si radikalë myslimanë. E pra ishin vëllezër gjaku dhe të lindur në Francë. Por kjo nuk do të thotë asgjë...
 
...7 janari i vitit 2015 u kthye në një nga ditët më të errëta në historinë moderne të Francës dhe botës mbarë. Në nisje të shekullit XXI, që në Shtator 2001 bota hyri në një epokë të re terrorizmi. Imazhet e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, që shkrumbohej në zjarr e shembej po aty shënuan kujtesën kolektive të njerëzve. 14 vite më pas shënjestra do të ishte Parisi kur në mëngjesin e 7 Janarit, dy persona të armatosur hynë në zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris dhe kryen një sulm brutal, duke vrarë 12 persona dhe plagosur disa të tjerë. Ky akt terrorist padyshim u cilësua gjerësisht jo vetëm si një sulm kundër jetëve njerëzore, por edhe kundër vetë themelit të demokracisë – lirisë së fjalës dhe të shprehjes.
Autorët e sulmit, vëllezërit Said dhe Sherif Koashi, u futën me dhunë në redaksi, duke synuar kryesisht karikaturistët e revistës. Pas sulmit, deklaruan se po hakmerreshin për publikimin e karikaturave të Profetit Muhamed nga revista, të cilat kishin shkaktuar polemika të mëdha ndër vite.
Ç'është e vërteta për vite me radhë, gjithfarë gazetash në Perëndim ishte tallur me fenë e profetët, duke përfshirë Islamin dhe Muhamedin pasi nuk kishin kursyer as Jezusin.
Publikimi i karikaturave të Profetit Muhamed nga revista Charlie Hebdo ngjalli debate të ashpra mbi kufijtë e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësinë që vjen me të. Franca, një vend me traditë të gjatë në mbrojtjen e laicizmit dhe lirisë së shprehjes, i sheh këto si vlera të paprekshme. Për redaktorët e "Charlie Hebdo", sfidimi i dogmave fetare përmes humorit ishte jo vetëm një e drejtë, por një detyrë morale për të demaskuar çdo formë autoritarizmi, përfshirë atë fetar. Në këtë kontekst, botimi i karikaturave nuk shihej si provokim, por si mbrojtje e kësaj lirie.
Megjithatë masakra në “Charlie Hebdo” ngjalli një debat të thellë mbi kufijtë e fjalës së lirë dhe përgjegjësinë që ajo sjell. Disa argumentuan se satira e revistës kishte kaluar kufijtë, ndërsa të tjerë mbrojtën pa kushte të drejtën për të sfiduar me humor çdo besim apo ideologji. Në thelb, sulmi tregoi sa e brishtë mund të jetë liria e fjalës përballë fanatizmit.
Karikaturat që përshkruanin Profetin Muhamed u konsideruan thellësisht fyese nga shumë myslimanë në mbarë botën, pasi paraqitja vizuale e Profetit është e ndaluar sipas traditës islame. Për ta, publikimi i tyre nuk ishte një akt lirie, por një sulm i qëllimshëm ndaj besimit të tyre. Kjo perceptohej si mungesë respekti dhe si provokim i panevojshëm.
“Charlie Hebdo” ishte plotësisht i vetëdijshëm për rrezikun. Revista kishte marrë kërcënime edhe më parë, sidomos pas publikimit të karikaturave në vitin 2006, që u ribotuan nga një gazetë daneze. Në vitin 2011, zyrat e revistës u dogjën pas publikimit të një numri satirik të titulluar "Sharia Hebdo". Redaktori Stefan Sharbonie kishte pranuar se po jetonte nën kërcënim, por ai shpesh thoshte se nuk do të hiqte dorë nga parimet e lirisë së shprehjes.
Disa argumentojnë se revista kaloi kufijtë e përgjegjësisë dhe provokoi pa arsye tensione. Kjo linjë mendimi sugjeron se, ndërsa liria e fjalës është e shenjtë, ajo duhet të shoqërohet me ndjeshmëri kulturore dhe respekt për të tjerët, veçanërisht në një kohë kur marrëdhëniet midis Perëndimit dhe botës myslimane ishin veçanërisht të tensionuara.
Të tjerë argumentojnë se heqja dorë nga botimi për shkak të frikës do të kishte krijuar një precedent të rrezikshëm, duke inkurajuar vetëcensurën dhe dhunën si mjete për të kufizuar lirinë. Për mbrojtësit e Charlie Hebdo, çmimi i lirisë ishte i lartë, por i domosdoshëm për të mbrojtur një shoqëri të hapur.
Masakra shkaktoi një tronditje të thellë në Francë dhe në botë. Miliona njerëz dolën në rrugë për të protestuar dhe për të mbështetur lirinë e fjalës, duke mbajtur parullën simbolike "Je suis Charlie". Kjo frazë u bë një thirrje globale për solidaritet, duke theksuar se liria e shprehjes është një e drejtë që nuk mund të mposhtet nga dhuna apo terrori.
Sulmi terrorist në “Charlie Hebdo” kishte një vlerë të fortë simbolike për civilët francezë, sepse liria e shprehjes është një nga parimet kryesore të Republikës Franceze të rrënjosur në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarëve, e themeluar në 1789.
Më 11 janar 2015, Paris u bë qendra e një marshimi historik ku morën pjesë më shumë se 4 milionë njerëz, përfshirë liderë botërorë. Ishte një moment uniteti kundër frikës dhe ekstremizmit, duke riafirmuar vlerat e demokracisë.
Edhe pas masakrës, “Charlie Hebdo” vazhdoi publikimin, duke dashur të tregojë se lapsi është më i fortë se plumbi. Edicioni pas sulmit, i quajtur "Numri i të mbijetuarve," shiti më shumë se 7 milionë kopje – një rekord botëror. Në kopertinë, një karikaturë e Profetit Muhamed mbante një pankartë ku shkruhej "Je suis Charlie", apo thënë në shqip “Unë jam Sharli” nën të cilën qëndronte mesazhi "Tout est pardonné" apo ndryshe “Gjithçka është falur”.
Masakra e 7 Janarit 2015 mbetet një kujtesë e hidhur e rreziqeve me të cilat përballet liria e fjalës, por gjithashtu simbolizon forcën e pakapërcyeshme të artit, humorit dhe kurajës për të thënë të vërtetën. Në një botë ku fjalët dhe imazhet janë armë, mbrojtja e tyre është një betejë që nuk duhet të ndalet kurrë.
Nëse “Charlie Hebdo” rrezikoi "mjaft" duke botuar karikaturat e Profetit apo jo, mbetet një çështje diskutimi. Nga njëra anë, guximi i revistës për të sfiduar kufijtë e humorit dhe dogmat ishte një mbrojtje e fortë e lirisë së fjalës. Nga ana tjetër, shumë e shohin këtë si një provokim të tepruar që kishte pasoja tragjike. Pyetja nuk ka një përgjigje të thjeshtë, por pasojat e këtij akti tregojnë sa komplekse dhe të ndërlikuara janë tensionet midis lirisë, përgjegjësisë dhe respektit në shoqëritë moderne.

No comments:

Post a Comment