Leonard Veizi
Më ka gjet taksirati
që të shkruaj nga një artikull propagandistik e promovues për Big Brother-in sa
herë ai nis në Shqipëri. Me timen unë e quaj një shkrim kritik ku evidentoj
problematikat. Po ku do t’ia dijë njeri. Sepse sot ekziston termi që: sa më
shumë kritika aq më mirë për spektaklin dhe protagonistët... Ose thënë ndryshe
“Kush të shan e të rreh, të do e të dashuron”.
Për të mira e
gëzime! Të zotit të kësaj shtëpie që sot marton djalin dhe na ka thirrur të
gjithëve siç jemi. Rrofsh e u shtofsh me njerëz e me mall, e i trashëgofsh!
Dollibashi urdhër!
Tanimë në
edicionin e IV fenomeni i "Big Brother VIP" në Shqipëri është kthyer
në një arenë ku figura publike, të njohura shpesh për dramën dhe jo për
arritjet, kalojnë javë të tëra duke jetuar në luks dhe duke konsumuar ushqime
qyl.
-Ha qyl ha ti.
A kulishi i qenit. Hë apo do vish në shtëpi, pos s’ta çokanisa kokën pa të më
shikosh. Edepzëz gjidi.
Ndoshta kanë
mbetur dhe pa ngrënë derdimenët, se kohë të vështira po jetojmë.
-I ra të fikët.
E ka nga uria. Kemi dy ditë pa ngrënë zoti mësues. Na kanë dënuar për punë të
kujdestarit.
Përtej argëtimit
që VIP-sat ofrojnë për publikun, - me sherre masive për të cilat vdesin
shqiptarët e thjeshtë, - shpesh krijohet përshtypja se këta VIP-a janë aty
vetëm për të përfituar bukë, rehati dhe vëmendje falas, ndërsa shqiptarët e
tjerë, - ata që i shohin nga ekrani e dërgojnë mesazhe për televotimet e
njëpasnjëshme, - luftojmë për bukën e përditshme.
-Na i paskeni
bërë të grunjta sot. E shijshme.
-Akoma të japin
triskë ty.
-Zanatçi i varfër
unë. Racioni i dy ditëve.
Pastaj dhe për të
fjetur. Qejf o qejf! Si në krevatin e butë të zonjës Bertini ku tentonte të
futej tenente Gurabardhi për të cilin thoshin se ishte serioz e patriot dhe nuk
e kishte bërë betimin fashist në Romë. Dyshekë dy pëllëmbë të trashë vëlla, si
te “Krevati i Perandorit” ku u shtri Meke partizani me opinga llastiku të ndyra
me baltë. Se helbete, nga mali vinte.
-Do bëjë gjumë
si beu në kashtë. I thashë lanetit të mos pijë shumë.
Në vitet e fundit,
“Big Brother VIP” është kthyer në një nga spektaklet më të ndjekura në
Shqipëri, ku figura publike, artistë dhe të ashtuquajtur “VIP-a” grumbullohen
në një ambient pa qira, për të ndarë drama, intriga dhe çaste të dyshimta
autenticiteti. Në thelb, ky format ofron një pasqyrë të jetës së përditshme të
individëve të njohur, por gjithnjë e më shumë po lind një pyetje: A janë këta
VIP-a të vërtetë, apo thjesht “të panginjur” që kërkojnë famë dhe privilegje të
shpejta? Bukë, qofte e pastiçe, në rastin konkret. Se aty vetëm gatuhet. Gatuhen
ushqime dhe intriga. Të gjithë me tigan në dorë i shikon.
Hajde kuzhinë
hajde, si ajo e xha Thomait në turizmin e Pogradecit që gatuante peshk për
dhëndrin e zëvendësministrit.
-T’i provoj një
çikë këto patatet, - dhe tjetri fut dorën pa teklif në pjatë. – Të mira qenkan.
Kështu po marr dhe unë.
Pastaj tigani del
në një sekuencë këtej nga plazhi i Durrësit.
-O, o, o e
paskeni nis me të mëdhaja or çuna. Sikur t’u mbështjell ca peshk që më ka mbet?
Pjesëmarrësit e
spektaklit gëzojnë shërbime dhe kushte që për shumicën e shqiptarëve janë të
paarritshme. Ushqime të zgjedhura, aktivitete argëtuese dhe, mbi të gjitha, një
jetë pa pagesa dhe përgjegjësi. Dhe birra, sa më shumë birra.
-Koran, sa më
shumë koran... - i thosh baba
i Tomit oficerit gjerman që i kontrollonin dokumentet e peshkimit.
-Koran gud.
Në fakt, “Big
Brother” ka arritur të shndërrohet në një model të perfeksionuar të jetës pa
mundim: mjafton të përfshihesh në një debat banal apo një dramë të stisur, dhe
je në rrugën drejt famës dhe rehatisë.
-Sot do lozë
qeni i kallajxhiut.
Në një shoqëri ku
realiteti i përditshëm përfshin luftën për të paguar fatura gjithfarllojesh,
këta “VIP-a” duken sikur po e përdorin spektaklin si një arratisje nga
realiteti i tyre, ndërsa shikuesit i ndjekin për t’i gjykuar, për të qeshur apo
thjesht për t’i imituar.
Çështja kryesore
lidhet me vetë termin “VIP.” Nëse dikur ky term nënkuptonte figura me arritje
të jashtëzakonshme, sot duket se mjafton të kesh një ndjekës të madh në
Instagram ose të kesh shkaktuar një “drama” të bujshme për të fituar statusin e
tillë. Një pjesë e madhe e pjesëmarrësve janë të famshëm vetëm sepse janë… të
famshëm, duke e kthyer spektaklin në një paradë absurditeti.
Fenomeni i VIP-ave
shqiptarë në “Big Brother” është një reflektim i një shoqërie që gjithnjë e më
shumë po glorifikon dukjen mbi substancën. Në një kohë kur publiku kërkon
frymëzim dhe përfaqësim të vërtetë, një pjesë e këtyre “të famshmëve” ofrojnë
thjesht një shfaqje të përsëritur të “bukës qyl.” Por në fund, kush është më
fajtor: ata që konsumojnë spektaklin apo ata që e prodhojnë atë?
-Fëmijët kanë dy
ditë pa bukë, t’i çosh deri aty sa t’u bjerë të fikët nga uria është krim.
Dhe vuuuu
furnizimi me ushqime.
-Sot kam gëzim,
bëni qejf e mos u merrni me të thella. Raki e mish ka sa të doni, - u thosh Safa Ymeri njerëzve që kish ftuar
në dasmën e të birit.
Kultura shqiptare
shpesh ka favorizuar “të njohurin” dhe jetën e dukjes. Në një vend ku mundësitë
për famë dhe sukses janë të kufizuara, shfaqje si “Big Brother” bëhen platforma
ideale për ata që kërkojnë të shquhen pa shumë përpjekje. Është një lloj “rruge
të shkurtër” drejt famës, që fatkeqësisht po promovon idenë se gjithçka mund të
arrihet pa punë të vërtetë apo talente të veçanta.
Ndërsa këta
individë shijojnë të mirat e spektaklit, publiku shpesh mbetet i zhgënjyer.
Shikuesit ndihen të manipuluar kur e kuptojnë se drama dhe emocionet shpesh
janë të stisura për të rritur shikueshmërinë, ndërsa mesazhet me vlerë apo
përmbajtja cilësore mungojnë. Megjithatë vazhdon ta ndjekë spektaklin e të
dërgojë sms-të e kërkuara.
Hajde, të gjithë
bashkë, të kontribuojmë për t’i mbështetur që të vazhdojnë jetën e tyre të
“vështirë” mes kamerave, dramave të inskenuara dhe privilegjeve të pakufishme.
Madje ka nga ata
që përfitojnë dhe vizita mjekësore të tipit: “mjekësia që duam”, të cilën nuk e
gjejnë dot në spitalin shtetëror. Dhe mjekët nuk bëjnë shaka me programin, i
vënë të gjitha energjitë në shërbim të pacientit dhe ia gjejnë të keqen.
-Është mjek i
ri por i zoti. Thonë se ia ka gjet Gjin Kryebardhit që e kish thy kambën para
20 vjetësh.
Në të njëjtën kohë
një qytetar i zakonshëm pret me muaj për një vizitë mjekësore në spitalet
shtetërore.
Mos ndoshta duhet
hapur një GoFund për këta VIP-a?
Ideja për të hapur
një GoFund për VIP-at e “Big Brother” tingëllon si një sarkazëm perfekte për të
theksuar absurditetin e situatës. Imagjinoni të shihni një titull si: “Ndihmoni
VIP-at tanë të mos mbeten pa bukë dhe drama qyl!”
-Po hani hë? Ju
bëftë mirë! Hani ju hani, ç’t’i bëj drejtorit që është zemërmirë. Po kujtoni se
shpëtuat. Mua të më hidhni nga shkallët dhe ju të dilni të larë. Do ta gjej unë
atë, nga fundi i dheut do ta nxjerr. Po hani ju hani.
Fundja, a ka
ndonjë VIP që nuk është i pangopur për pak më shumë bukë qyl?
Ndoshta është koha
që publiku të reflektojë më shumë mbi çfarë dhe kë përkrah. Përndryshe,
spektakli i "bukës qyl" dhe përfitimeve të tjera qyl, do të vazhdojë,
ndërsa shoqëria e zakonshme do të mbetet në radhë.
No comments:
Post a Comment