Nga Leonard Veizi
“Zot, më ndihmo ta mbaj
gojën mbyllur kur s’kam gjë për të thënë”. Faik Konica e kishte kuptuar herët
një të vërtetë që sot duket se na mungon krejt: jo çdo mendim meriton të
thuhet. Po të ishte gjallë sot, ai do të përballej me një realitet absurd, ku vetëpërmbajtja,
maturia dhe heshtja do të shpalleshin si cenim i lirisë së shprehjes.
Sepse kemi bërë një
përmbysje të rrezikshme. Nuk kërkojmë më të dimë për të folur, por kërkojmë të
flasim pa ditur. Nuk na shqetëson boshllëku i mendimit, por heshtja që e zbulon
atë. Dhe kështu, fjala nuk është më mjet komunikimi, por një mënyrë për të fshehur
mungesën e përmbajtjes.
Një fabul e famshme e
Ezopit na kujton se gjuha është njëkohësisht gjëja më e mirë dhe më e keqe në
botë. Kur përdoret mirë, ajo shpreh dashuri, përçon dije dhe ndërton
marrëdhënie; kur përdoret keq, përhap gënjeshtra, urrejtje dhe shkatërrim.
Mesazhi është i thjeshtë: fjala është mjeti më i fuqishëm i njeriut. Mund të
krijojë, por edhe të rrënojë.
Që nga koha e Ezopit, kjo
e vërtetë dihet. Por ne kemi zgjedhur variantin më të keq të saj. E kemi kthyer
gjuhën në armë të përditshme. Në vend që të ndërtojë ura, ajo shkatërron; në
vend që të sqarojë, helmon; në vend që të lidhë, ndan.
Nuk flasim për të
komunikuar, por për të mbushur një zbrazëti të brendshme. Nuk debatojmë për të
kuptuar, por për të fituar. Nuk dëgjojmë për të mësuar, por për të gjetur
momentin kur të ndërpresim tjetrin. Dhe kur përballë kemi dikë që di, reagimi
ynë nuk është respekti, por bezdia. Ndërsa kur dëgjojmë veten duke folur pa
fund, ndiejmë një krenari të pashpjegueshme.
Ironia bëhet edhe më e
rëndë kur kjo zhurmë pa filtër përplaset me realitetin. Shoqëria nuk është
laborator ku gjithçka tolerohet pa kosto. Kur fjala kthehet në shpifje, në
fyerje, në helm, ajo prodhon pasoja. Dhe atëherë ndodh transformimi i
menjëhershëm: nga autorë të zhurmës, kthehemi në viktima të saj.
Se jeta na ka mësuar se
kur i jep llapës shumë, ajo të kthehet pas në dajak aq sa të thyen kërbishten.
Këtu qëndron hipokrizia më
e madhe. Kërkojmë të drejtën për të thënë gjithçka, por refuzojmë detyrimin për
të mbajtur përgjegjësi për atë që themi. Flasim për liri fjale, por në të
vërtetë kërkojmë liri nga çdo filtër, nga çdo kufi, nga çdo standard. Dhe kjo
nuk është liri. Është anarki verbale.
Problemi nuk është te
fjala. Problemi është te mënyra si e përdorim. Një shoqëri që e përdor gjuhën
si thikë nuk mund të presë paqe. Një shoqëri që e zëvendëson argumentin me
zhurmën nuk mund të prodhojë mendim. Dhe një shoqëri që ngatërron lirinë me mungesën
e përgjegjësisë është e destinuar të mbetet peng i vetvetes.
Heshtja nuk është dobësi,
as mungesë mendimi. Përkundrazi, është formë e lartë e inteligjencës dhe e
vetëkontrollit. Por ne kemi zgjedhur të kundërtën: të jemi pengje të zërit
tonë, duke harruar se një shoqëri që e përdor gjuhën vetëm si armë, në fund përfundon
e plagosur nga vetë fjalët e saj.
Konica kishte të drejtë:
ndonjëherë, shërbimi më i madh që mund t’i bëjmë shoqërisë dhe vetes është të
mbyllim gojën dhe të vëmë në punë trurin. Por kjo mbetet një sakrificë që
shoqëria jonë ende nuk është gati ta bëjë.

No comments:
Post a Comment