Nga Leonard Veizi
Italia, përfaqësuar nga “Maneskin” një grup “hard”
është fituese e Eurovizionit për vitin 2021. Pas 31 vitesh, prej çastit kur
Toto Kotunjo u shpall fitues në Zagreb me këngën: Insieme.
Shqipëria ka dalë gjithmonë e zhgënjyer nga Eurovizioni edhe
pse ka 17 vjet që pretendon në vazhdimësi. Në fakt Italia kishte dyfishin e
saj. Dhe ç'është e vërteta, në skenën e këngës evropiane Shqipëria ka dërguar
nga këngëtarët më të mirë të vendit.
Herën e parë, në vitin 2004, kur Shqipëria mori pjesë në
Eurovizion, Anjeza Shahini u rendit e 7-ta në top-listë. Një rreshtim dinjitoz,
sidomos për një vend që debutonte për herë të parë në Eurosong.
Për së fundi, në vitin 2021, Shqipëria u rendit në vendin
21, duke marrë vetëm 22 pikë nga juritë profesionale dhe 35 pikë nga publiku.
Është bërë e njohur tanimë se juritë e Evropës ia japin
shifrat e mëdha të pikëve, vendeve me të cilat kanë marrëdhënie më të mira apo
të ndërsjella. Me fjalë të tjera kjo do të thotë se bëhet gjeopolitikë edhe në
një festival kënge. Fjala vjen: Ukraina ia jep pikët Rusisë meqenëse kanë qenë
në vasalitet, Belgjika Francës, Austria Gjermanisë, Shqipëria… Greqisë.
Zakonisht ka ndodhur që Shqipëria i ka dhënë pikët
maksimale Greqisë, dhe ajo ia ka kthyer me gjysmën e shifrës. Por sa pa gjë...
Këtë herë Greqia s’na dha asnjë pikë, megjithëse jemi
gati t’i falim dhe detin për ta marrë me të mira. Ndërsa pikët maksimale nuk ia
kurseu Qipros. Dhe ky flirt ka vite e vite që ka rënë në sy.
Ja që edhe kjo puna e vasalitetit nuk qenka gjë.
Por Italia doli fituese në këtë betejë dhe fituesit nuk i
gjykohet as teksti, as muzika dhe as juria që jep pikët. Sepse edhe pa ndonjë
pretendim fillimisht, Italia doli fituese pasi rezultati u përmbys në mënyrë të
befasishme nga pikët që kishte dhënë publiku.
Anxhela Peristeri është një këngëtare me potencial të
madh, po aq sa dhe Elhaida Dani, Rona Nishliu apo Juliana Pasha, të cilat
gjithashtu kanë performuar në mënyrë të shkëlqyer në edicionet e mëparshme të
Eurosongut. Dhe po aq ka shkëlqyer si këngëtar mashkull dhe Eugent Bushpepa.
Në historikun e rasteve kur Shqipëria është munduar me
shumë zell të bënte një performancë maksimale në skenën e festivalit, ka gabuar.
Ajo ka qenë gjithmonë një hap prapa. Sepse kur në Eurovizion shpërthente moda
“folk”, Shqipëria paraqitej me balada. Kur baladat zotëronin skenën, Shqipëria
paraqitej me folk, e kur në skenë triumfonin këngët ritmike, Shqipëria delegonte
një këngë vaji. Ndaj dhe në disa raste as që jemi marrë në konsideratë për të
performuar në natën finale të këtij eventi.
Eurovizioni vazhdon të jetë një spektakël pa ndonjë
reputacion të madh. Por megjithëse eventit në fjalë i ka rënë reputacioni ndjeshëm,
sërish mbetet një pikë referimi. Për më tepër në 65 vite jetë e mbijetesë, Eurovizioni
e ka bërë historinë e tij.
Eurovizioni sot e gjithë ditën është dhe një barometër ku
secili ndjekës kupton se nga fryn era e vlerave, por dhe antivlerave që na shiten
për vlera... Mbresëlënëse padyshim janë kartolinat që përgatiten për çdo
interpretues, e ku Evropa shpalos bukuritë e saj mahnitëse, të cilat i kanë
ndërtuar evropianët e vjetër, të cilët arritën ta kthenin kontinentin plakë në
një vatër të iluminizmit.
Ndërsa sot, në vitet e shpërthimit kibernetik, Evropa
duket krejt provinciale që pikët e një spektakli muzikor i ndan ashtu... fshatçe.
E megjithatë, me reputacion të lartë apo në rënie të
lirë, Shqipëria e ka të vështirë të marrë vendin e parë në Eurovizion e të
bëhet së paku një herë të vetme organizatore e spektaklit të radhës. Për ta
realizuar një gjë të tillë duhet bërë lobing më shumë se sa ajo që po bëhet për
çeljen e negociatave.
Shqipëria mbeti e zhgënjyer edhe këtë herë. Të gjitha
përpjekjet e saj për t’u bërë pjesë e Evropës, herë me politikë, herë me sport
e herë me këngë, nuk ia kanë dalë dot. Dhe shqiptarët janë kaq të pasionuar për
t’i treguar Evropës se janë pjesë integrale e tyre, sa janë gati të sakrifikojnë
diçka më shumë nga vetja, duke i rënë fort kambanave se pikërisht ky vend ka
qenë pjesë e Perandorisë së Romës e më pas e Kostandinopojës. Ndërkohë që mentaliteti
lë ca si shumë për të dëshiruar. Prandaj ka mbetur dhe në bisht të perandorisë
së re Evropiane që në termat aktualë quhet: Bashkim.
Eurosongu i ka zhgënjyer në vazhdimësi shqiptarët, po aq
sa dhe Kampionati Evropian i Futbollit, ku sentenca klishe është: Përfaqësuesja
luajti në mënyrë të shkëlqyer, por u ndëshkua në minutën e fundit.
Në fakt, duke e kuptuar se tentativat për një çmim që të
na rikthejë nderin është pa vlerë, gjithçka tjetër duhet marrë me zbritje.
Duhet shijuar si festë. Pavarësish se kur futesh në garë, kërkon të fitosh e jo
të humbësh.
Në këtë edicion të Eurosongut, Shqipëria u mbështet vetëm
nga katër shtete, Malta, që dha 12 pikët maksimale të saj, Danimarka që dha 7
pikë, San Marino që kontribuoi me 2 pikë dhe Holanda që e bëri zemrën gur me 1 pikë. “Miqtë e vjetër” nuk u panë në
horizont. Madje aq Maqedonia e Veriut me aq shumë shqiptarë brenda saj.
Por nëse mund të ngushëllohemi, do përmendim Britaninë
Madhe dhe Gjermaninë, shtetet më të fuqishme të kontinentit, që dolën me zero
pikë, qoftë nga juritë profesionale, qoftë dhe nga votat e publikut.
Këtu po, kemi dalë me fitim.
Prandaj, çështja e performancës në Festivalin Evropian të
Këngës duhet marrë më me sportivitet, po aq sa dhe ëndrra tjetër e madhe e
shqiptarëve për të luajtur futboll në një Kampionat Evropian.
No comments:
Post a Comment