Monday, June 8, 2026

Kur Zvërneci të kujton Dajan Fosin dhe dilemën cinike mes “bukës së gojës” dhe natyrës së pakthyeshme

 

Nga Leonard Veizi
 
Përse m’u kthye sot në kujtesë Dajan Fosi, shkencëtarja amerikane që kaloi gati dy dekada në malet e Virungas duke mbrojtur gorillat e malit nga gjuetarët e paligjshëm? Ndoshta sepse kauza e saj nuk ka qenë kurrë më aktuale se sot në Shqipëri, ku debatet mjedisore – me në qendër shqetësimet për Zvërnecin – përplasen metë njëjtën logjikë të vjetër të zhvillimit: atë mes mbijetesës ekonomike dhe ruajtjes së natyrës...
 
...Në dhjetor të vitit 1985, Fosi u gjet e vrarë në kabinën e saj në malet e Virungas të Ruandës. Edhe pse rrethanat e vrasjes mbeten ende të pazbardhura zyrtarisht, “autorët” moralë të konfliktit njiheshin qartë: ata që e shihnin natyrën thjesht si mall ekonomik.
Më pas, kjo histori u bë e njohur globalisht përmes filmit “Gorillat në mjegull”, - apo siç njihet në orgjinal "Gorillas in the Mist", - me regji të Majkëll Aptedit, sipas skenarit të Ana Hamilton Phelanit, ku rolin e shkencëtares e interpreton me mjeshtëri aktorja amerikane Sigurni Uiver.
 
Logjika e pushtetit
I mbështetur në ngjarje reale, filmi shpërfaq një përplasje të ashpër mes idealizmit të Dajan Fosit dhe realitetit cinik ekonomik e politik të Ruandës së asaj kohe.
Në diskursin e zyrtarëve shtetërorë – një diskurs që ngjan shqetësueshëm me shumë narrativa moderne të “zhvillimit” – gorillat shiheshin thjesht si burim ekonomik. Në këtë logjikë, një kafshë e shitur në kopshtet zoologjike të Perëndimit, ose e shfrytëzuar për tërheqjen e turistëve dhe valutës së huaj, përkthehej në të ardhura për shtetin dhe për popullsinë e varfër.
Për Dajan Fosin, ky ishte një justifikim i përshtatshëm për të legjitimuar zhdukjen e një specieje unike.
Këtu përfundon thjeshtësia e një rrëfimi ekologjik dhe nis konflikti i vërtetë editorial. Përplasja nuk është thjesht “gorillat kundër njeriut” apo “natyra kundër qytetërimit”. Konflikti thelbësor është:
Vlera e pakthyeshme e jetës së egër kundrejt nevojave të menjëhershme ekonomike;
Morali afatgjatë kundrejt mbijetesës së përditshme.
“Populli im është i uritur. Çfarë vlere kanë gorillat nëse njerëzit nuk ushqehen?” – ishte, në thelb, argumenti i palës shtetërore.
Përgjigjja e Fosit, e artikuluar jo vetëm me fjalë por me veprim dhe në fund me fatin e saj tragjik, ishte e prerë: nëse shkatërrohen gorillat për përfitimin e sotëm, nesër nuk mbetet as natyra, as pasuria që ajo gjeneron.
 
Dy të vërteta në konflikt apo një dështim strategjik i shtetit?
Filmi ngre një pyetje që mbetet thelbësore për çdo vend në zhvillim: a mund t’i kërkosh një komuniteti në varfëri të mbrojë natyrën, kur e nesërmja e tij është e pasigurt?
Në sipërfaqe, përplasja duket si konflikt mes dy të drejtash legjitime:
-E drejta për mbijetesë njerëzore;
-E drejta për ruajtjen e natyrës.
Por në një lexim më të thellë, problemi zhvendoset te mungesa e një modeli zhvillimi afatgjatë. Shpesh, nuk është natyra ajo që pengon zhvillimin, burimi që e ushqen po zhvillimi i pakontrolluar që shkatërron vetveten duke konsumuar burimin që e ushqen.
 
Nga Ruanda në Zvërnec
Kjo dilemë nuk është e largët. Ajo përsëritet në forma të tjera, më të heshtura, por po aq të pakthyeshme.
Kur ekskavatorët i afrohen zonave të mbrojtura në Shqipëri – si Zvërneci apo hapësira të tjera bregdetare – argumenti është shpesh i njëjtë: turizmi, investimet, punësimi, zhvillimi.
Ashtu si në Virunga, natyra reduktohet në kapital të shfrytëzueshëm. Dhe njësoj si atëherë, pyetja mbetet pa përgjigje: a po ndërtojmë ekonomi mbi natyrën, apo po e shesim natyrën për të ndërtuar ekonomi?
 
Epilog
Dajan Fosi besonte se ka gjëra që humbasin përgjithmonë nëse preken. Ndërsa aparati shtetëror i kohës së saj besonte se çdo gjë mund të justifikohej në emër të varfërisë dhe nevojës.
Midis këtyre dy qasjeve nuk qëndron vetëm një konflikt moral, por një provë civilizimi: aftësia e një shoqërie për të mos konsumuar të ardhmen e saj në emër të së tashmes.
Dhe sa herë që “zhvillimi” matet vetëm me beton, investime dhe ndërtime pa kufij, historia e Virungas pushon së qeni një histori e largët afrikane. Ajo bëhet një paralajmërim shumë më i afërt – dhe shumë më i pakëndshëm – sesa jemi gati ta pranojmë.
 

No comments:

Post a Comment