Nga Leonard Veizi
-Për nder, o shoku mësues, nuk ka më të habitshme se jeta.
Kështu thoshte Arifi, nipi i Bamkë Qylollarit – personazh i Dritëro Agollit te romani “Komisari Memo”, - që ishte i gënjyer nga Balli, por që nga fundi i luftës mori rrugën e drejtë të Partisë.
-Unë kujtova Arif, kush e di ç’do thoshte, - ia pret mësuesi, që ishte njëkohësisht edhe i lapsit, edhe i kobures me mulli.
-Po, po… jeta është e habitshme, - këmbëngulte Arifi në filozofinë e tij, duke dredhur cigaren me mbetje duhani.
Kjo batutë e vjetër, – që i përket filmit “I teti në bronz”, me regji të Viktor Gjikës, – vjen në kohë po aq e re, sa herë që realiteti na e servir në formë groteske. Dhe më erdhi ndër mend teksa ndiqja lajmet e Top-it, ku flitej për përmbytje, njerëz të humbur, shtëpi nën ujë, familje që s’dinin ku të fusnin kokën. Një hall i madh, real, i rëndë, që s’ka nevojë për regji televizive. Ujë i pistë, baltë dhe frikë.
Por paralelisht, në të njëjtin kanal televiziv drama tjetër – për disa edhe më e madhe se kaq: - janë të nominuarit e Big-ut, të mbërthyer nga ankthi se kush do të dilte “fishek” jashtë, pa bërë gati as valixhet. Ky është hall, vëlla. Një tragjedi tjetër, sipas rregullave të spektaklit.
Ore meqë ra llafi, këta të përmbyturit ku e shohin spektaklin? Apo në sallën e kooperativës, - që ua ofron Bashkia, - si Luani që ndiqte lajmet e Tiranës te salla e kulturës, se kishte rënë në dashuri me spikeren e televizionit, aty tek filmi “Kur hapen dyert e jetës”.
Dhe më tej, tek emisioni që tashmë mund të cilësohet si versioni adekuat i “Burrat kërkojnë gra e gratë kërkojnë burra”, kemi të bëjmë me një lloj tjetër fatkeqësie kombëtare:
— Ah, sevda na përvëlove
— Na mbetën vajzat pa martuar
— Halli i djemve më i madh
— Mbetën vajzat në shtëpi
— Mua djemtë në Australi
— Le të vijnë, bëjmë krushqi
Epo, këto batuta janë shkëputur nga një tjetër film emblemë i Kinostudios, “Përrallë nga e kaluara”, me skenar dhe regji të Dhimitër Anagnostit.
-Jeta është e çuditshme, - thoshte Arifi i menduar, thua se po shpikte rrotën.
Pa dyshim, njerëzit kanë halle të ndryshme, kjo është e natyrshme. Por media i vë të gjitha në të njëjtën peshore morale: përmbytjen dhe përjashtimin nga shtëpia e Big-ut, hallin e bukës dhe hallin e famës, dramën e mbijetesës dhe dramën e audiencës.
Secili ka hallin e vet.
Por halli-hallit nuk i ngjan.
Dhe kur trajtohen njësoj, nuk krijojmë neutralitet, por një konfuzion moral. E kthejmë tragjedinë në sfond dhe spektaklin në qendër. E shesim absurditetin si normalitet.
Në fund, ndoshta Arifi kishte të drejtë kur thoshte: Jeta është e habitshme.
Por edhe më e habitshme bëhet kur ne zgjedhim ta shohim pa dalluar çfarë është dramë e vërtetë dhe çfarë është thjesht zhurmë.

No comments:
Post a Comment