Redaktori është
personi më i rëndësishëm në redaksinë e një shtëpie botuese, ndonëse përherë
puna e tij mbetet në hije dhe nuk përmendet thuajse në asnjë rast. Po ashtu, ai
është dhe bashkëpunëtori më i ngushtë për çdo autor e përkthyes
Nga Leonard Veizi
Më shumë se ai
vetë flet puna e tij. Ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe
ka punuar për 13 vjet si gazetar në shtypin e shkruar. Por ka firmosur si
redaktor në të paktën 400 libra, punë e cila është bërë përgjatë 24 viteve të
fundit. Redaktor dhe drejtues redaksie në disa shtëpitë botuese, Sejdin Cekani,
tregon për “Fjala” se sa i rëndësishëm është një redaktor letrar në një libër
artistik.
Pas viteve ’90 u krijuan një numër i madh shtëpish
botuese. Çfarë sollën ato në mjedisin kulturor shqiptar e sidomos në fushën e
botimeve?
Shtëpitë botuese
private e nisën veprimtarinë e tyre menjëherë në fillim të viteve nëntëdhjetë.
Me sa mbaj mend, ishin dy apo tri të tilla që u themeluan nga profesionistë të
fushës së botimeve. Më tepër se biznes, drejtuesit apo pronarët e tyre e nisën
këtë veprimtari falë pasionit për letërsinë. Ata ecnin në një fushë që e
njihnin fort mirë dhe e dinin se çfarë u mungonte lexuesve shqiptarë nga
letërsia botërore, por edhe nga autorët e ndaluar shqiptarë. Mbi të gjitha, ata
krijuan edhe redaksi me bashkëpunëtorë profesionistë, duke përzgjedhur
përkthyes, redaktorë e korrektorë letrarë nga më të mirët. Gara e botimeve,
natyrisht, ia doli të kthehej edhe në një biznes shumë fitimprurës në fillimet
e veta. Kjo ishte edhe arsyeja që në Tiranë, por edhe nëpër rrethe, ashtu si
kërpudhat pas shiut, mbinë dhjetëra shtëpi botuese. Në më të shumtën e rasteve,
me pronarë, themelues apo drejtues që nuk kishin asnjë lidhje me letërsinë. Apo
edhe më keq: që nuk kishin lexuar asnjë libër në jetën e tyre.
Ajo çka bie në
sy është mungesa e redaktorëve në një pjesë të madhe të shtëpive botuese. Ky
konstatim imi është i drejtë apo unë nuk kam të dhëna të sakta?
Është e kuptueshme
që këto kinse shtëpi botuese pa redaktorë, pa njohur e respektuar asnjë lloj
etike në fushën e botimeve, u krijuan vetëm për arsye fitimi. Ato sollën një
dëm të madh e të shumëfishtë, sepse e mbushën tregun e librit (madje duke
depërtuar edhe deri nëpër shkolla në të gjithë vendin) me surrogate “krijimesh”
nga lloj-lloj bejtexhinj e profanësh, me botime pirate, me të ashtuquajtura
përkthime amatorësh, si dhe pa respektuar asnjë lloj rregulli gjuhësor e
gramatikor. E gjithë kjo të kujtonte kallpazanët, batakçinjtë e mashtruesit që
prodhonin dokumente, pasaporta e deri te paratë false nëpër bodrume të errëta.
Kësisoj, kallpazanët e shqipes po bënin një masakër të vërtetë ndaj librit, po
edhe ndaj lexuesve. Kjo lloj inercie vazhdon edhe sot e kësaj dite, ndaj dhe
konstatimi juaj është plotësisht me vend. Ka ende shtëpi botuese që vazhdojnë
të “prodhojnë” libra të paredaktuar, që sjellin në shqip autorë të huaj nga
përkthyes mediokër e që nuk zotërojnë as njohuritë fillestare të shqipes e jo
më të gjuhëve nga përkthejnë. Sidoqoftë, ky lloj kaosi nuk mund të vazhdojë pa
fund. Të bën optimist fakti që ndër njëqind e ca shtëpi botuese që ushtrojnë
veprimtarinë e tyre, janë një duzinë prej tyre që funksionojnë me kritere
profesionale, me stafe redaktorësh e korrektorësh, që përzgjedhin letërsi të
mirë dhe ofrojnë vlera të vërteta.
Si redaktor me një përvojë mbi 20-vjeçare e që keni
redaktuar më shumë se 400 libra gjatë këtyre viteve, çfarë do të thoshit për
rolin e redaktorit në një shtëpi botuese?
Siç e theksova
edhe më lart, ajo çka vihet re është se pjesa më e madhe e shtëpive botuese nuk
kanë fare redaktorë. Disa të tjera kanë punësuar individë që thjesht bëjnë
punën e korrektorit, por vetëquhen redaktorë apo cilësohen si të tillë nga
pronarët e shtëpive botuese. Korrektura, natyrisht, është një proces shumë i
rëndësishëm, por bëhet pas redaktimit të librit. Redaktori është personi më i
rëndësishëm në redaksinë e një shtëpie botuese, ndonëse përherë puna e tij
mbetet në hije dhe nuk përmendet thuajse në asnjë rast. Po ashtu, ai është dhe
bashkëpunëtori më i ngushtë për çdo autor e përkthyes. Në njëfarë mënyre,
shpesh bëhet pjesë e rëndësishme e suksesit apo dhe e dështimit të një libri,
por ka edhe rolin e “ndërmjetësit” mes autorit dhe lexuesit. Këtu e kam fjalën
për redaktorin e vërtetë, atë që zotëron aftësi dhe kompetencë profesionale të
dallueshme e jo për redaktorë që marrin role prej furacaku. Redaktimi nuk është
thjesht një profesion si gjithë të tjerët. Nuk mjafton të kesh përfunduar
studimet për gjuhë-letërsi dhe aq. Përveç përgatitjes solide filologjike, njohjes
së krijimtarisë së autorëve, stileve të të shkruarit dhe shprehimësisë,
redaktori duhet të zotërojë dije themelore nga shumë fusha, por sidomos nga ato
të kulturës, artit, historisë dhe shkencës.
Dhe cila është detyra kryesore e një redaktori në raport
me një libër?
Mendoj se, së
pari, duhet një lloj talenti për të lënë gjurmë në këtë profesion. Pra, duhet
të zotërosh me doemos mjeshtërinë e krijimit, të rrëfimit. Te jesh mjeshtër dhe
magjistar i fjalës. Besoj se, kur të dhënave që theksova më lart iu bashkohen
pasioni, kompetenca profesionale dhe përvoja, atëherë i ke plotësuar kushtet
për t’u quajtur vërtet redaktor. Pasi libri lexohet dhe shqyrtohet në redaksi,
redaktori argumenton nëse ia vlen të botohet apo jo. Kur arrihet në përfundimin
se ka vlera të qenësishme artistike dhe ia vlen të botohet, atëherë nis procesi
i redaktimit. Më kryesorja gjatë redaktimit është që të ruhet stili i autorit,
fryma e tij, mënyra e tij e të rrëfyerit. Me ndërhyrjet e tij, redaktori zgjedh
fjalën e bukur, i jep asaj vlerë, si të thuash, e lëmon, e përkëdhel, i jep
tingëllimë. Po ashtu, heq apo zëvendëson fjalët parazitare. Bën kujdes që të
respektojë rendin e gjymtyrëve të fjalisë sipas sintaksës së shqipes. Ndërkaq,
dua të theksoj edhe një element që pak vihet re. E kam fjalën për ritmin e
brendshëm që i duhet ruajtur (ose që i duhet dhënë kur nuk e ka) tekstit
letrar, sidomos prozës. Sepse edhe proza, në shumë raste, ashtu si poezia, ka
ritëm. Dhe ritmi përftohet deri dhe nga mënyra si ndërtohet dhe organizohet fjalia,
nga shenjat e pikësimit që përdorën, nga fjala që zgjidhet, nga shtimi apo
heqja e një lidhëze apo parafjale. Është një bashkëveprim e një lloj koherence
elementesh të rrëfimit, atyre stilistikorë, kuptimorë e gramatikorë. Është, në
fund të fundit, magjia e bukur e artit të fjalës.
Cili është niveli i të shkruarit të teksteve letrare
dhe librave që janë në qarkullim?
Kemi një fat të
madh, sepse zotërojmë një pasuri të vyer me modele të shkëlqyera të mënyrës
sesi është shkruar e lëvruar shqipja. Kjo përbën atë që quhet traditë,
trashëgimi. Por, a po e ruajmë këtë trashëgimi dhe a po ecim në gjurmët e kësaj
tradite? Duket se jo. Madje të çudit një lloj lehtësie, që do ta quaja të
admirueshme, për të shkruar romane a vëllime poetike. Një “modë” që ndiqet nga
një lukuni grafomanësh e gjysmanalfabetësh që janë të mirëpritur nga disa
redaksi për të botuar me shpenzimet e vetë “autorëve” (një ortakëri që vazhdon
prej vitesh). Këta “autorë” kanë krijuar edhe grupe nga më të çuditshmet nëpër
rrjete sociale. Pastaj “themelojnë” edhe shoqata kinse shkrimtarësh a poetësh
dhe tellallisin gjithë kohën për t’u bërë pjesë e këtyre grupeve dhe gati me
përdhunë përgjërohen e këmbëngulin t’ua lexosh “veprat” e tyre. Pastaj mblidhen
nëpër zijafete apo dafrunga dhe i japin njëri-tjetrit lloj-lloj çmimesh a
certifikatash. Më së shumti, këta janë bjerraditës që, për të dalë nga kotësia
dëshpëruese, rreken ta kenë emrin patjetër në kopertinën e ndonjë defteri dhe
ta shohin atë në raftet e librarive. Shkollimi i tyre mbetet përherë i
dyshimtë, ndërsa shqipja e tyre e shkruar, që sillet në një numër tejet të
kufizuar, prej 200-300 fjalësh, nuk ka asnjë lloj përkimi me gramatikën,
sintaksën apo rregullat më elementare të të shkruarit. Ngaqë nuk kanë lexuar më
shumë libra se gishtat e të dyja duarve (nga klasikët apo autorët bashkëkohorë
të letërsisë botërore e asaj shqipe as që mund të bëhet fjalë), kur iu bie në
dorë ndonjë gjë që e kanë shkruar sivëllezërit e klanit të tyre – zakonisht
vetëm disa faqe e jo librin deri në fund – përpallin se kanë zbuluar një gjeni
të letrave shqipe dhe nisin e anatemojnë shtëpitë botuese që e kanë lënë në
hije “gjeniun” e sapozbuluar. Madje shkojnë edhe më tej: përgojojnë, mallkojnë
e thurin intriga për shkrimtarët e vërtetë, për ata që kanë lënë emër në
letërsinë shqipe dhe përfshihen në botime antologjike apo në tekstet e
letërsisë për nxënësit e studentët. Pengu i tyre më i madh është se askush,
madje as familjari më i afërt, nuk mund t’i lexojë “librat” (me tirazh 100 apo
200 kopje) që i falin majtas e djathtas, ndërsa kopjet që i çojnë nëpër librari
zverdhen e zënë pluhur. Ajo çka mund të quhet vërtet shqetësuese është se, kohë
pas kohe, disa prej këtyre grafomanëve ia kanë dalë që me paçavuret e tyre
mediokre t’iu imponohen edhe nxënësve të shkollave duke ua shitur si “libra
jashtëshkollorë”.
Po për nivelin e përkthimeve, çfarë mund të thoni?
Sigurisht, ka
përkthime të mira. Ka përkthyes që vazhdojnë të mos e komprometojnë pasionin
dhe profesionin e tyre. Ata vërtet vuajnë e mundohen për ta sjellë sa më të
plotë në shqip tekstin letrar të çdo autori të huaj. Përmenda më lart se disa
shtëpi botuese po i ruajnë fort kriteret profesionale të botimit. Këtë po e
bëjnë edhe me përkthimet dhe përzgjedhjen e përkthyesve. Po ndërkaq, përkthimi
nga lloj-lloj individësh që nuk kanë lidhje me artin e përkthimit është kthyer
vërtet në shqetësim. Sigurisht, faji dhe përgjegjësia bie mbi shtëpitë botuese
që priren vetëm nga fitimi dhe që ia kanë kthyer shpinën me kohë
profesionalizmit. Shembujt më tipikë të masakrimit të shqipes i gjejmë në shumë
libra që mbushin raftet e bibliotekave. Përkthyesit e tyre janë individë që
kanë marrë vetëm disa njohuri të cunguara nga ndonjë gjuhë e huaj e mësuar në
nxitim e sipër. Sa për shqipen, atë e zotërojnë në nivel të mjerueshëm dhe as
që e kanë idenë e gramatikës. Ndërsa sintaksa e tyre është si “sintaksë”
xhenerikësh. Por ama këta kanë krijuar njëfarë “tregu” dhe peshkohen lehtësisht
nga “botues” sharlatanë që i paguajnë si argatë.
Me një vështrim
fare të shpejtë në tre-katër libra, gjen “xhevahire” të tilla: “Ajo e kishte
parkuar gishtin tregues tek zilja. Pastaj e la gishtin të lirë dhe u kthye
mbrapsht.” “Asgjë në paraqitjen dhe prezencën e tij nuk të bënte të mendoje se
kishte ardhur këtu për t`u dukur i rëndësishëm, për të provuar ndonjë ndjesi
speciale apo se mund të ishte gënjeshtar notorik.” “Në veturë ishte ulur në
karrigen e shoferit.” “E ndjente pulsimin t´i rrinte në tëmtha.” “Të shohim
nëse mund të derivojmë ndonjë gjë.” “Prania e saj kishte shkaktuar disa ngritje
çuditërie vetullash.” “Ai do të revanshonte dy herë, tre herë më shumë.” “Ai e
dinte se si punonte proçesi i tij i të llogjikuarit.” “Kam parë njerëz me uri
për t’u bashkuar rreth disa çështjeve të përbashkëta e thelbësore dhe kjo më ka
bërë krenare.” “E la mendjen të endej në gjendjen e vëmendjes së qetë.”
“Tregojini atij çfarëdolloj gjëje që në mendimin tuaj ai mund ta mbajë për
vete.” “U përpoq të lëvizte dhe koka e tij vendosi të mos e dënonte, kështu u
ngrit ndenjur.”
Shembuj të tillë
gjen pafund. Për çdo punëtor të shqipes, kjo situatë është sa dëshpëruese, po
aq dhe revoltuese. Disa nga problemet më të mëdha që bien menjëherë në sy në
pjesën më të madhe të përkthimeve (madje edhe në libra që i kanë shqipëruar
përkthyes me emër) janë: përkthimet e fjalëpërfjalshme, që bëhen të
pakuptueshme në shqip; për rendin e gjymtyrëve të fjalisë nuk respektohet
sintaksa e shqipes, por zbatohet ajo e gjuhës prej nga bëhet përkthimi;
përdoren fjalë që nuk i përshtaten fare kontekstit ose mund të përdoren në
kontekste të tjera; emra foljorë e kompozita që janë jashtë natyrës së shqipes;
inflacion fjalësh të huaja; përdorim i panevojshëm i përemrave vetorë e
pronorë, aq sa kthehet në bezdi; fjalë parazitare e bezdisëse (sigurisht,
ndikuar nga përkthimi i fjalëpërfjalshëm, po që nuk janë në natyrën e shqipes)
të llojit: “hyri brenda në dhomë”, “kishte qenë brenda në shtëpi”, “doli jashtë
nga dhoma dhe shkoi në ballkon”, “mbështeti çantën në kolltuk”, “mbështeti
dorën në ballë”, “veshi xhaketën e tij”, “u ul mbi karrige”; përdorimi i gabuar
i parafjalëve, që sjell edhe deformimin e kuptimit të fjalëve; etj, etj. Kur
përkthimi nuk vlerësohet si art më vete nga botuesit, por si mjet fitimi e punë
angari, kuptohet që asgjë nuk mund të ndryshojë vetvetiu.
Si një nga njerëzit që merreni me gjuhën dhe fjalën
shqipe, si mendoni, a ka lëvizur gjuha shqipe nga standardi i miratuar në vitin
1972?
Çdo gjuhë
pasurohet e përsoset në mënyrë të pandërprerë. E njëjta gjë ndodh edhe me
shqipen. Unë mendoj se që nga viti 1972 e këndej, ka vazhduar pasurimi i
vazhdueshëm i shqipes me fjalë e shprehje të reja, sidomos falë shkrimtarëve e
mjeshtërve tanë të fjalës. Por ajo që vë re unë është njëfarë dembelizmi për të
mësuar shqipen standarde dhe për të ndjekur pasurimin dhe begatimin e shqipes.
Nëse do të bëhej një sondazh apo një studim i thelluar për mënyrën sesi e
shkruajnë shqipen, fjala vjen, të diplomuarit në universitete (madje edhe në
Fakultetin e Filologjisë apo të Gazetarisë), druaj se përfundimet do të ishin
zhgënjyese. Po nëse një studim i tillë do të shtrihej më gjerë e të përfshinte
edhe kategori të tjera individësh, atëherë mbase do të ishin dëshpëruese. Fati
i shqipes së shkruar, po dhe i shqipes së folur, po bëhet çdo ditë e më shumë
shqetësues. Duket se këto kohë shqipja ka mbetur jetime dhe e braktisur prej të
gjithëve: shtetit, Akademisë së Shkencave, Ministrisë së Arsimit dhe
institucioneve të tjera përgjegjëse. Është e papranueshme që nëpunësit e
administratës shtetërore, mësuesit, gazetarët apo ligjëruesit publikë të mos
dinë ta shkruajnë e ta flasin shqipen në mënyrë korrekte. Për të gjithë këta
duhet të jetë i detyrueshëm zbatimi i normës letrare të shqipes, ashtu siç
veprohet edhe në vendet e tjera me gjuhët përkatëse. Disa herë më kanë tërhequr
vëmendjen raste të shpërfilljes së çdo norme gramatikore dhe sidomos
shtrembërimi e keqpërdorimi i fjalëve. Kështu, p.sh, gjysmanalfabetët e portaleve
kanë shkruar deri për “korrjen e portokajve” dhe “korrjen e rrushit”. Duhet
t’ua mësojë dikush dallimin e foljeve “korr” dhe “vjel”, se ndonjë ditë do të
na shkruajnë për vjeljen e barit apo të grurit. Apo kur nuk dinë të zgjedhojnë
as foljet dhe shkruajnë: “nxjerri” për “nxori”, “do ta pret” për “do ta presë”,
“mund të ngrit” për “mund të ngrejë”, “rrahet” për “rrihet”, “mund të quheshte”
për “mund të quhej”, “mund të bëheshte” për “mund të bëhej” etj. Masakruesit e
shqipes po shtohen përherë e më shumë. I shohim përditë nëpër gazeta,
televizione e tribuna. Madje deri edhe nëpër klasa shkollash e auditorë
universitetesh. Me sa duket, të gjithë kanë nevojë të kryejnë të paktën një
kurs të përshpejtuar të gjuhës shqipe, përpara se të nisin të shkruajnë, para
se të ulen nëpër studio apo t’iu drejtohen foltoreve. Në shkrimet e të
përditshmeve apo në bisedat në studiot e televizioneve vërshojnë fjalë e fraza
të çuditshme që e “begatojnë” përditë babiloninë tonë. Nuk mbeten pas
“ligjëruesit” e Kuvendit të Shqipërisë, zëdhënësit e institucioneve shtetërore
apo ata që “kujdesen” për faqet e ndryshme në internet. Duket qartë se “dinë
gjithçka”, por jo gramatikën dhe sintaksën e shqipes.
A jeni ju për një kongres tjetër drejtshkrimi apo
është ende shpejt?
Nuk besoj se nga
kjo gjendje na nxjerr një kongres tjetër për drejtshkrimin apo standardin.
Problemi është se mungon vullneti e dëshira për ta mësuar shqipen, mbi të
gjitha për ta njohur e përvetësuar pasurinë e madhe leksikore të Veriut e
Jugut. Ata që, thjesht për arsye dembelizmi, nuk duan ta njohin dhe ta përdorin
këtë pasuri, doemos që nuk kanë asnjë lloj ndjenje gjuhësore, por do të
shkruajnë e do të flasin sipas dialektit të mëhallës prej nga vijnë. Respekti
për gjuhën, që është pronë e të gjithë shqipfolësve, është respekt për të
gjithë shqiptarët. Prandaj do të ishte mirë që, së paku, t’i njohim pasuritë e
mëdha të shqipes – sidomos fondin e leksikut të të gjitha trevave – dhe
ndonjëherë t’i riktheheshim gramatikës dhe t’i rifreskonim njohuritë.
No comments:
Post a Comment