Leonard Veizi
Në
tërësinë e tij leximi, por ai i librit artistik në veçanti, mbetet një problem.
Konvejeri
i propagandës, të mbush mendjen se lexuesit po shtohen. Ndërsa në realitet
njerëzit kanë nxjerrë në shitje bibliotekat, sepse nuk kanë ç’u duhen më.
Bukinistët e rrugës kanë ulur çmimet, por pakkush ndalon tek ta.
Deri
dje, gara ishte të mbushje një bibliotekë me libra, qoftë dhe në dukje apo për
të rregulluar performancën e apartamentit, por mjaft të dukeshe si i lexuar.
Sot bibliotekat po zbrazen. Etazherët prej tallashi të presuar po hidhen tek
mbeturinat dhe hapësirat në dhomë po zgjerohen.
Me
shumë gjasa letra dhe boja e shtypshkronjës, për shkak të kimikateve, e kanë
ndotur mjedisin e banimit. Ndaj duke e çliruar nga barra e tepërt duket sikur
është bërë më shumë e jetueshme. Edhe pse tanimë vendin e mbetur bosh e zë një
televizor për dhomë, një kompjuter portativ si dhe nga një telefon dore, që të
gjitha punojnë me wi-fi, por që me shumë gjasa trupi merr impulse negative nga
rrezatimi shumë më tepër se sa nga kimikatet e bojës së shkrimit.
Shitja
e bibliotekave, - që duket se prej kohësh është futur në modë, - mund të jetë
një hap i drejtë e i duhur. Sepse mund të blesh libra me kosto më të ulët në
internet, duke i shkarkuar në smartfon dhe të lexosh kur të mundesh, duke e
pasur gjithmonë me vete një bibliotekë me 200 apo 300 tituj në inventar.
Por
meqë i përkas një brez i mësuar fort me librin fizik, vazhdoj të jem
nostalgjik, po aq sa dhe shumë të tjerë, të cilët në kushtet e reja edhe mund
të kenë rënë në dilemë.
Jemi
në Prill. Dhe mes të tjerash Prilli mbahet mend edhe për datën 23 e cila është
“Dita ndërkombëtare e librit”. Dhe e dini pse? Sepse në një ditë të tillë në 23
Prill 1616, u ndanë nga jeta Shekspiri dhe Servantesi. Pra botës i ikën dy
shkrimtarë të jashtëzakonshëm brenda një harku kohor prej disa orësh, por me
largësi të konsiderueshme: njëri në Londër e tjetri në Madrid. Dhe po në këtë
ditë, pra më 23 Prill, por në vite të ndryshme, u lindën disa të tjerë që më
pas u bënë shkrimtarë, por që ndoshta nuk janë të jashtëzakonshëm, por
gjithsesi mbeten shkrimtarë. Pra një rastësi e pazakontë, për një datë që nuk
të thoshte gjë aq sa për t'u mbajtur mend.
400
vite më pas, pikërisht në 15 nëntor të vitit 1995 pas një rezolute të UNESCO-s
u vendos që 23 Prilli të ishte Dita Botërore e Librit. Sepse kemi dhe Ditë
Botërore të Poezisë, Ditë Botërore të Shkrimtarëve. Kjo është thjesht: e
librit.
Atëherë
vijmë sërish në fillim të ngritjes së problemit, dhe duket sikur po përsërisim:
Ku jemi me librin sot? Sepse është një temë që vazhdimisht ngacmon.
Në
një bisedë informale, me një mikun tim botues fort të njohur, nuk arrinin të
gjenim dot kleçkën, se ku qëndronte problemi linear e kardinal, që shqiptarët
nuk ishin të interesuar të tërhiqnin nga raftet e librarive, botime nga më të
njohurat në botë. Sepse realisht në vendet e zhvilluara të hemisferës tonë,
rënia e interesit për librin, - për shkak të vërshimit të Hi Tech-ut, i cili
alarmoi qarqet letrare disa vite më parë, - cilësohet si problem i ezauruar,
dhe lexuesit i janë rikthyer përsëri leximit në faqen print. Madje dhe printimi
i gazetave nuk e ndali hapin për shkak të kësaj vështirësie. Në Shqipëri efekti
Hi Tech me sa duket është më i ndjeshëm.
-Epo
punë shqiptarësh, - do të thoshim në ndonjë rast tjetër.
Por
në këtë rast, jo. Sepse tendenca për të ironizuar veten dhe racën tënde në të
shumtën e rasteve të kthehet në bumerang.
Padyshim
tregu i librit artistik ka hyrë në një fazë të re krize, ndërkohë që dukshëm
kriza kishte vite që kishte nisur. Dhe kjo nuk ka të bëjë me mungesën e
prurjeve e të rrudhjeve letrare. Përkundrazi, vitet e fundit ato i kemi me
shumicë, pasi statistikat thonë që vendet me nivel të ulët jetese kanë tendencë
të prodhojnë shumë më tepër poetë e prozatorë se sa ata që e kanë krijuar
konsolidimin prej shumë kohësh. Kjo mund të jetë dhe një legjendë urbane, por
jo se nuk është e besueshme. Sepse po të shohësh raportin e aspirantëve në rrjetet
sociale, do të gjesh më shumë poetë se lexues.
Pra,
në rastin konkret, - larg legjendës urbane tanimë, - ne vuajmë për lexues.
Kjo
do të thotë se problemi është zhvendosur nga prodhuesi tek lexuesi. Tek
mundësia për të rekrutuar lexues të rinj dhe për të mbajtur në llogore lexuesin
e vjetër e ndonjëherë të kalcifikuar. Sepse tituj të spikatur të letërsisë
botërore tanimë i ke në çdo raft librarie.
Në
tregun botëror, një libër që përshtatet edhe për ekranin e kinemasë përkthehet
në shitje të mëdha kopjesh. Gjë që nuk ndodh në realitetin shqiptar. Padyshim,
kinemaja është fort e shtrenjtë dhe artdashësit që presin një biletë nuk e
justifikojnë shpenzimin buxhetor. Dhe kështu mbetemi sërish rob të formateve
televizive.
Natyrisht,
po qe se ushqimi më i shpejtë, po aq sa një sanduiç e hamburger është edhe një
spektakël dramash sentimentale, ku loja e aktorëve amatorë ngrihet në kult, kjo
do të rëndojë mbi letërsinë. Sepse për të blerë një libër, një mesatare prej
1200 lekësh, do të të duhen dhe disa pasdite stërmundimi derisa t’i nxjerrësh
fundit.
Edhe
në këtë rast libri mbetet i mundur në fushën e betejës.
Sepse
në të njëjtën kohë, edhe pultin e televizorit e ke në dorën e djathtë, ku një
sy, ai më vigjilenti kalon në skaner të rejat e fundit nga bota rozë dhe ajo me
shumë ngjyra që të kujton ylberin.
Ndoshta
e kemi ne gabim, sepse jemi peng i së shkuarës tonë. Dhe ndoshta vërtet koha e
Gutenbergut ka marrë fund. Sepse në ditët e sotme imazhi është gjithçka.
Megjithatë,
përpjekja e mësuesve në shkollat e cikleve parauniversitarë, për t’i detyruar
në njëfarë mënyre nxënësit të lexojnë letërsi, - qoftë dhe nëpërmjet
kurrikulave, - është nga mënyrat më të mira të mundshme për të përfituar lexues
të rinj. Përndryshe fëmijët e sotëm - e që i përkasin që ardhmes, - do të
marrin një bazë kulturore të përciptë vetëm nga imazhet dhe short videot që
shfaqen në smartfon.
No comments:
Post a Comment