Diku
në një xhep të brendshëm a në një portofol ndoshta, ai mbante kudo shkonte
fotografinë e një trompisti të famshëm amerikan, Luis Amstrongut. Dhe kjo
padyshim, në mesin e viteve ‘60 e më pas, konsiderohej një blasfemi. Sepse i
gjithë vendi, si një trup i vetëm ishte kundër xhinglave amerikane. Por për të thuhej
se ishte një antikomformist i lindur, pikërisht në Shqipërinë totalitare ku
procedohej diktatura më e egër komuniste e Lindjes.
Dhe
quhej Gaspër.
Materialet
për jetën e tij janë në një miniaturë të heshtur e pa dritë. Nga vepra e tij të
shumta ka shpëtuar pako gjë. Sepse ato ose janë zhdukur, ose janë futur thellë
nëpër skuta arkivash nga ku nuk po e shohin ende dritën. Ndërkohë që për të vetë
thuhej se ishte një muzikant i jashtëzakonshëm dhe një orkestrues ekselent. Dhe
për ta shëmbëllyer një gjë të tillë, merret për bazë orkestrimi në xhaz i këngës
“Natën vonë”, të kompozitorit Tish
Daija, por dhe ritmi tuist i këngës “Djaloshi dhe shiu” të Agim Krajkës,
të dyja të interpretuara nga Vaçe Zela.
Kolegët
e tij, - aty-këtu, - janë shprehur se ai dinte t’i binte trompës në një gjysmë
vajtimi. Dhe vija melodike e vaji nuk shihej me sy të mirë nga pushtetarët që
kërkonin të ngrinin në këmbë rininë me këngë revolucioni në kuadër të shtypjes
së klasës borgjeze. Ndaj më shumë se me një muzikant si Luis Amstrong, ky
orkestrues i talentuar që vinte nga Shkodra, me fytyrë të bardhë, flokë kafe, e
ca i bëshëm në trup, ngjasonte më së afërti me personazhin Maks Tunei, luajtur
nga Pruit Tailor Vins, i cili ishte një muzikant që kërkonte të gjente në
bordin e anijes “Virxhinia” mikun tij të vjetër, një pianist të famshëm që
quhej thjesht: 1900. Bëhet fjalë për filmin
e njohur të Xhuzepe Tornatores, “Legjenda e pianistit mbi oqean”, ku amerikani
Maks Tunei, duket as më pak e as më shumë por si Gaspëri shqiptar që dinte nga
trompa e tij të nxirrte tinguj aq magjepsës.
Informacionet
e pakta mbi jetën e tij thonë se Gasper Çurçia ishte lindur në Shkodër më 13
nëntor të vitit 1934 por banonte në rrugën “Ferit Xhajko” të Tiranës, që i
përkiste lagjes numër 3. Njihej si instrumentist, dirigjent, kompozitor,
orkestrues, apo thënë më shkurt: si një artist virtuoz.
Nuk
kishte shkollë muzike, por nuk mund të thuash se ishte thjesht një autodidakt. Sepse
kishte marrë mësime muzike privatisht nga një pianiste me emër në qytetin e
Shkodrës siç ishte Ida Melgushi. Por poeti Sadik Bejko, mik e shok me trompistin
e xhazit, në një intervistë të tij për të, është shprehur se Gaspëri e bëri
universitetin duke bashkëpunuar me mjeshtrit e muzikës si Agim Prodanin, Tonin
Harapin, Tish Daijan dhe me kryemuzikantin Çesk Zadejan.
E
megjithatë, në jetëshkrimin e tij mungonte një diplomë liceu a konservatori, që
do të vërtetonte katërcipërisht se si ishte në gjendje t’i binte një vegle
muzikore sipas notave në partiturë.
Por
talenti asnjëherë nuk ka pasur pikë lidhje me jetën administrative të një
njeriu. Sepse ai është krejt i ndarë nga ana teknike e institucionale, ku firma
dhe vula arrijnë të të bëjnë kryetar shteti, por aspak artist.
Ky
ishte rasti i Gaspër Çurçisë.
Përveç
pianos ai kishte mësuar të luante në kitarë, fizarmonikë e harmonikë. Por
instrumenti i tij i preferuar ishte bërë trompa. Ndërsa timbri i tij nuk ishte
ai i muzikës klasike, por një timbër i muzikës së xhazit.
Gaspri
shkëlqeu si një muzikant i orkestrave të hoteleve dhe të lulishteve që
funksiononin në plazhin e Durrësit në periudhën kur në Shqipërinë e viteve ‘60-të
të shekullit të kaluar, vinin turistët nga vendet e lindjes, pjesë e kampit
socialist. Më pas luajti edhe në tavernën
e hotel “Dajtit”.
Me
krijimin e Estradës së Shtetit nis punën në orkestrën e saj. Më 1962 u emërua
në Radio Tirana fillimisht si trompist i orkestrës simfonike. Ai ishte
orkestruesi i këngëve dhe dirigjenti i të parës orkestër xhazi në skenë. Kjo ishte
një nga arritjet e mëdha të tij.
Por
Festivali i 11-të, i Këngës në Radio Televizion ia ndërpreu karrierën e
shkëlqyer. Me pamje vizive Gaspër Çurçia dhe orkestra e tij dalin për herë të
parë për publikun pikërisht në Festivalin e 11-të, që u zhvillua në Tiranën e
vitit 1972, mes datave 22 dhe 25 dhjetor. Por ky do të ishte edhe fundi i shkëlqimit.
Si shumë artistë të tjerë edhe Gaspër Çurçia mori një faturë për të gjithë
aktivitetin e tij, i cili nuk i përkiste realizmit socialist. Ai vetë daljen
nga skena e përjetoi rëndë. E emërua në Peshkopi. Por refuzon të shkojë, duke
pranuar qoftë një punë të thjeshtë, vetëm për të të qenë pranë familjes. Për
disa kohë punoi në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore “Hamid Shijaku”. Atje përveçse
prodhoheshin mjete mësimore, prodhoheshin dhe vegla muzikore. Në këtë mënyrë
Gaspër Çurçisë iu dha mundësia të vinte në jetë një tjetër talent të tij. Shpiku
mënyrën se si me tela të temperuara nga veglat tradicionale mund të sajoheshin
vegla të reja nga familja e çiftelive apo e lahutave. Por gjithçka ishte e kotë.
Vendimi për të ishte marrë. Nuk duhet të dilte më në sipërfaqe.
Fundi
i tij ishte edhe më i errët.
Në12
dhjetor të vitit 1984 arrestohet dhe akuzohet për krijimin e një pajisje mekanike
e cila prodhonte bileta false të udhëtimit me tren. Flitej për përvetësim
parash. Gjykata i dha dënimin më të ashpër: me pushkatim. Kuvendi Popullor nuk
e apeloi. Gjithë veprimtaria e tij artistike u ndalua rreptësisht. Më 11 prill të
vitit 1985 Gaspër Çurçia ekzekutohet...
...muzika
e tij mbeti.
No comments:
Post a Comment