Friday, April 14, 2023

Kur lajmi për rritjen e rrogave u ngrit përpjetë


Nga 
Leonard Veizi
 
Në vitin 1960, Byroja Politike e Drejtuar nga Sekretari i Parë, mori vendimin për shkurtimin e rrogave. Dhe fushata nisi me uljen drastike të rrogës së shokut Enver. Për të tjerët nuk pyeste më njeri. U katandis kokoshi një thelë.
Por sot, në vitin 2023 kur lajmi buçiti në radio e televizor, por e dhanë dhe gazetat, se rrogat mesatare në Shqipëri do të ngriheshin e do të shkonin 900 euro e kacafiu, më ra si shpullë pas qafe e më tromaksi.
-Më pickoni ore, se mos jam në ëndërr...
900 euro...??? Ne, që jemi mësuar ta shtyjmë me gavetën e groshës e me një pras në dorë. Jaaaaallah... Epo shyqyr që ia arritëm kësaj dite. Se aty nga fillimi i viteve ‘90 të shekullit të kaluar, kur lamë minderet e shtëpive, hipëm mbi gardhet e ambasadave dhe mbushëm hambarët e vaporëve që transporton krom rifuxho, mendonim se për pak vite, - sa të bëhej rrotacioni politik, të iknin të vjetrit e të vinin të rinjtë - do të hanim me lugë floriri. Evropa do na ndihmonte. Le po dhe Amerika do hapte thesin. 
Për retrospektivë, edhe në fillim të vitit 1945, menjëherë sapo mbaroi lufta, partizanët që zbritën nga mali nisën të mbanin radhë tek Bankat e nivelit të dytë, për të marrë lugët e floririt që u ishin premtuar. Por të paktën, atyre ua bënë të qartë: Kjo punë do zgjasë ca, sa të gjejmë floririn ku e kanë groposur bejlerët, sa t’i mbledhim, sa ta çojmë në metalurgjik e t’i shkrijmë, të bëjmë lingota, e pas kësaj do prodhojmë lugë floriri. Atëherë po, atëherë do hani me lugë floriri.
Me këtë rast ngritëm dhe kombinatin e shkrirjes në Elbasan. Por meqenëse projekti vonoi ca dhe populli u mësua me lugë alumini, tek e fundit për mirësjellje, ato të aluminit i zëvendësuan me lugë inoksi, të cilat bliheshin në pazar.
Ku ka gjë falas o byrazer?! Kur kushton dhe vdekja sa të këput kryqet, imagjinoni sa kushton jeta?!
Nejse, ajo kohë iku e vate. Tani jemi në demokraci. Për lugët e floririt nuk i bie në mend njeriu. Për euro e dollarë po. Aty kërcet kallashi. Edhe pse në vetvete, një dollarë është vetëm një letër, ndërsa një euro është një metelikë, vlera e të cilës është 100 herë më pak nga sa e hedhin në treg.
Le të vijmë tek rritja e rrogave, angazhim për të cilin vuri dorë mbi Bibël e Kuran, kryeministri ynë. Sepse kryeministri në mes të mexhlisit deklaroi me zë e figurë: Kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë se, në harkun e një viti paga mesatare në Republikën e Shqipërisë do shkojë nga 563 euro në 900 euro.
Bëhet fjalë për rroga administrate, se privati i rregullon vetë punët. Dhe hesapet në Shqipëri kanë kohë që bëhen me euro edhe pse zyrtarisht ne kemi si monedhë kombëtare lekun.
Mësuesit kanë ngritur veshët përpjetë. Mjekët gjithashtu. Ca besojnë se e adhurojnë kryeministrin. Ca të tjerë që anojnë nga opozita nuk besojnë, por qejfi ua ka. Hë mo se gënjen ai, gënjen...
Nga ana e saj qeveria po bëhet gati ta hapë thesin. Jo këtë vit... mos u ngazëlleni para kohe. Për vitin 2024 bëhet llafi.
- Llaf burrash! Me besa-besën. Ja toke këtu...
Fakti që kemi thirrur sa jemi ngjirur: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, nuk na jep mundësinë që edhe rrogat t’i kemi si Evropa, përderisa shumë pak gjëra si ato të Evropës, kemi arritur t’i përshtatim në tregun kaotik shqiptar. Në tërësinë tonë ne mbetemi Ballkanik të paepur, të padisiplinuar, por ambiciozë deri në marrëzi kur vjen puna për të rrezikuar.
Por shteti është një ingranazh me xhiro të ngadalta, herë i ndryshkur e herë i lubrifikuar me vajra të skaduar, që nuk arrin t’i përgjigjet ambicieve të nënshtetasve... Ndaj dhe për së shpeshti i biem shkurt: marrim rrugën e emigrimit.
Të vijmë sërish te rritja aktuale e rrogave se shkitën sa si shumë.
Ekspertët, që kanë dalë rëndshëm nëpër ekranet e televizorëve, thonë se ekonomia shqiptare është më pak produktivja në Evropë dhe kjo padyshim që do të ekspozojë dhe pagat më të ulëta në Evropë.
Disa ekspertë kontabël janë të mendimit se rritja e pagave në 900 euro është e papërballueshme për buxhetin e shtetit sepse do të sillte një rritje prej 35% të fondit e pagave.
Një tjetër ekspert finance thotë se kjo gjë mund të dëmtojë rëndë biznesin deri në falimentim. Demek: pagën e vendos ekonomia dhe jo qeveria. Sepse kur e vendos qeveria krijohen dhe probleme.
-Ore do na lini ta shijojmë këtë rritjen e rrogave në ajër, apo si e keni hallin?
Të gjitha pikëpyetjet që ngrihen vazhdimisht në kuadër të realizmit të rritje së rrogave të administratës me një mesatare prej 900 eurosh në muaj, bëjnë që të ngresh edhe pikëpyetjen e madhe: A mos kemi të bëjmë vetëm me një premtim elektoral...? Se prag zgjedhjesh është.
Inshallah jo!
Ore po duket dhe si legjendë urbane, por ky prilli është dhe muaj me damkë. U fut në datën 1 me ditën e gënjeshtrave dhe nuk i dihet se si do dalë në 30...
Të jetë shaka kjo puna e rritjes së rrogave. Apo demagogji për t’i treguar botës se në Shqipëri nuk rriten vetëm çmimet.
Ekuacion me shumë të panjohura.
Mirëpo duke u futur në të thella, harrova që ynë nga financat nuk para ia them. Di të numëroj lekët e rrogës time për mrekulli, por po qe se më duhet të ndaj dhe rrogat e të tjerëve bëhem si Maku te “Zëvendësi i grave”.
-Bo, bo, bo koka...
-Epo kujt i dhemb koka le të pijë një aspirinë!
Tek e fundit ç'më duhet mua sa është “xhidipija” e sa është buxheti vjetor i shtetit. Unë për vete them: shyqyr që do rriten rrogat vëlla, inshallah nuk është ëndërr...

No comments:

Post a Comment