Nga Leonard Veizi
Dashamirësit e tij thonë se ai është orator i lindur
dhe ku nuk i shkon mendja për të nxjerrë një batutë të re, të padëgjuar e fort
të qëlluar. Kundërshtarët gjithashtu e aprovojnë pa zë një gjë të tillë.
Përjashtohen vetëm asnjanësit, ose ata që abstenojnë. Por ne jemi popull
politik dhe nuk lëmë rast pa e dhënë një mendim, jo vetëm për kreun e shtëpisë
tonë, por dhe për burrat e botës. Si përfundim mund të themi me gojën plot se
ai është alamet djali, ose më saktë është nga ata çuna që di të të mbajë me
muhabet, sa mund të shtysh rehat një natë të gjatë dimri me gallatë.
Në hulumtimet e herëpashershme brenda fjalorëve të gjuhës
shqipe te këta të rinjtë me nga 40 mijë fjalë dhe ata të vjetrit me më pak se
kaq, gjetja e tij e radhës ishte fjala “kazan”.
Eureka!
Përdoret rëndom kjo fjalë kur flitet për kazanin me
groshë të ushtarëve apo kazanët që zienin të linjtat e pista. Por kryeministri
ynë e përdor me marifet këtë fjalë, por më së shumti tullë fare, edhe për të simbolizuar gjithçka ka të bëjë me median,
gazetarët, redaksitë e punën e tyre që ose transmetohet në letër ose në ekranet
e televizorëve: pra sipas tij kemi të bëjmë me një “kazan mediatik”.
Edhe qëndron. Duhen bërë analiza për këtë çështje. Por
analistët i kemi lënë në panel të merren me probleme pak më të rëndësishme se
kjo.
“Kazan mediatik”
Tani ç'është e vërteta, fjalën “kazan” mund ta marrësh
dhe për fyerje. Fjala vjen, ata që kanë qejf alkoolin ndihen akoma më të fyer,
sepse ballin e kazanit të rakisë e duan për konsum me opingë. Ndërsa
kryeministri e fut në hulli të tjera, ua deformon.
Kur kjo batutë u hodh fillimisht, ç’është e vërteta u
mor ca me sportivitet, pak me humor, dhe jo në pak raste duke i dhënë të drejtë
“atij të gjatit”. Se duhet gjetur gjithmonë një tabelë për qitje, ndryshe nuk
dihet nga të shkojnë fishekët. Media i ka fajet. Ore, troç fare, gazetarët, se
ata gënjejnë mëngjes, drekë, darkë. Ose meqë ra fjala: Çfarë bëjmë ne mëngjes,
drekë, darkë...?
Do kalojë dhe kjo, menduam. Dhe hapëm veshët për të
dëgjuar batutën që do të mund ta varroste çështjen e kazanit.
Por jo... kryeministri e bëri ca si të rrugës. “Kazan”
këtu e “kazan atje”. S’kishte të ndaluar çështja mbi kazanin, nuk shteronte për
qamet. Jep e merr e “kazani mediatik” në mes. Refren gati i përditshëm. “Kazani
mediatik”, ai e ka fajin për dështimet në qeveri, për protestën e studentëve,
për rrëmujat e Astirit, për dokumentet e Unazës së Re, madje dhe për Vettingun.
Kryeministri është duke i ra fort “kazanit”, me
shpresën e pashuar që do të ndihet o nga “tepsia” o nga “tenxherja”. Se në
inventarin e enëve të kuzhinës ka dhe disa instrumente të tjerë që ende nuk na
kanë dalë në skenë.
Po pse e ka kapur kryeministri me institucionin
mediatik?
Ca e ca thonë që Rama është pikërisht produkt “kazani”,
pra produkt mediatik. Ka shkruar dikur komente e fejtone, dhe thonë se reçensat
i bënte mirë. Po diku iu fut politikës dhe pasioni i mbeti në mes i pashprehur.
Tanimë është kryeministër. Ka në dorë buxhetin e
shtetit. Por kjo është një gjë e pavlerë. Tek e fundit, ekonomia nuk është
pasioni i tij.
Çështja qëndron tek ata të lajmeve. Dhe zakonisht
lufta brenda llojit është ajo që e ka marrë në qafë njerëzimin.
Rama Kryeministër, edhe pse i pari i fshatit, duket se
vazhdon ta shikojë me zili kazanin dhe punëtorët që trazojnë dynjanë, ata që
sipas tij e mbushin kazanin rrafsh ose me fasule pllaqi, ose me ndërresa të
pëgëra.
E me sa duket edhe pse ka më shumë se 5 vite në krye të
qeverisë, në fund të fundit Rama ende nuk po e ndan dot veten si njeri politik,
nga punëtori mediatik.
Vite më parë, kur u përplas me Nanon, thërriti gazetarët
që në atë kohë ende nuk ishin bërë pjesë e setit të kuzhinës, dhe u tha atyre se Tosi ishte bërë si Robert Çamçakizi që vinte vërdallë nëpër kantier pa zënë punë
me dorë. Dhe media e papërtuar e transmetoi batutën e tij të radhës, që këtë
herë çuditërisht nuk ishte më për Doktorin por për Profesorin, shefin e Partisë
ku Rama ende nuk aderonte.
Sot Rama thërret mediat për të shpërndarë batutat e
tij, dhe si gjithmonë në fund u kujton se edhe pse punëtorë të devotshëm,
sërish mbeten pjesë e sistemit të “kazanit”.
Mjerë gazetarët.
Se gazetarët u dashkan kur do të hedhësh
romuze, kur kërkon t’i biesh defit te orkestra filarmonike, kur do t’ia marrësh
në kthesë propagandistit më të mirë të fshatit e të dukesh burrë i zgjuar. Se
mund të flasësh edhe me veten, apo para pasqyrës, por s’të dëgjon kush. Ndaj
duhet kazani, që të përçojë “fjalën dhe mendimin e lirë”. Pra “kazani” mund të përdoret
edhe si portovoç kur ta do puna. Po përsëri
“kazan” mbetet.
Lëmsh muhabeti.
Pakënaqësi e madhe ndaj pushtetit të katërt.
Se pushtetet janë pushtete,
por kur je në fund të rreshtit mund të dalësh dhe tepër... Sidomos kur i bën
bllok demagogjisë.
Atëherë fillon avazi.
E si padashur kryeministri bën dhe kryeredaktorin, duke orientuar
se ku është lajmi dhe çfarë është e vlefshme për t’u transmetuar.
Habi e madhe.
Ky të jep dhe mend...
Por sikur t’i japim dhe ne një këshillë. Them “ne”
duke konsideruar se kam dhe ca të tjerë pas vetes që mendojnë tëpkë si unë...
Rama bën mirë të lejë “kazanin” mediatik të bëjë punën,
ndërsa ai vetë të merret me tepsinë e qeverisë, të kësaj të resë dhe të asaj të vjetrës që i preu triskat, se me sa duket lugët nuk kanë më vlerë,
dhe po përdoren duart për të marrë ç’të munden. Këtë nuk e them unë, e thotë “kazani”.
E thonë dhe kazanët e tjerë, me të cilët na ndan kufiri, domethënë “kazanët
ndërkombëtarë”.
Dhe pasi ta këtë përfunduar me nder ciklin si
administrator i shtetit, ish-kryeministri, mund të aplikojë për një vend pune si
kryeredaktor, a drejtor nëse e mban më lart pazarin, e të shprehi deri në fund
pasionin e tij të pashteruar në artin e të shkruarit.
Botuar në:
http://www.gazetadita.al/kur-ulesh-ne-tepsine-e-qeverise-dhe-trazon-mbi-kazanin-mediatik/
Botuar në:
http://www.gazetadita.al/kur-ulesh-ne-tepsine-e-qeverise-dhe-trazon-mbi-kazanin-mediatik/
No comments:
Post a Comment