Në shkallën e tragjikes ku ka rënë shoqëria shqiptare, si pasojë e ngërthyerjes nga darët e politikës, deheroizimit nuk mund t’i rezistojnë madje as heronjtë e llojit të heroit të luftës së Kosovës, siç është Kolonel Ernest Arbana, ndërsa ëndrrave dhe ambicieve ndërtuese të arkitekt Martinit, të projektuara si Hotel “Ilirikum Palace”, ju vihen minat që në themele, për t’i shndërruar në një ngrehinë të marrëzisë shqiptare.
Nga Lulëzim ETEMAJ
Pas romanit “Lora“ (2015), romani më i ri, “Rrënimi”, i botuar
këtë vit nga Ndërmarrja Botuese “BUZUKU”, Prishtinë, dëshmon se tashmë Leonard
Veizi po ecën me sukses hullisë së të shkruarit të romaneve që, përkundër
krizës së leximit në të cilën ka rënë shoqëria shqiptare, lexohen me një frymë.
Romani “Rrënimi“, sado që për çështje kortezhe autori që në fillim
e bën paralajmërimin stereotip, se “Çdo ngjashmëri me personazhe, vende dhe
ngjarje reale është rastësi”, është roman drama e të cilit zhvillohet në Shqipëri,
ndërsa për subjekt identifikues e ka shoqërinë shqiptare, të reprezentuar nga
pjesëtarë të të gjitha kategorive të saj; politikanë, ministra, ushtarakë,
policë, gazetarë, media, kryeredaktorë mediash, gazetarë, zbulues e
kundërzbulues, civilë e ushtarakë, kriminel e prostituta, të të gjitha
kalibrave.
Rrënimi, i të gjitha kodeve, rendeve, rregullave, morale dhe
shoqërore, të shkruara dhe të pashkruara, kjo është anija në të cilën ndodhen
të gjithë këta së bashku, ku gjithsecili pret që kjo anije të marri kursin
drejt cakut final: mbijetimit dhe pasurimit personal. Pasurimit me çdo kusht
dhe mjet, për të jetësuar në radhë të parë superëndërra, ku bashkëpunimi, por
edhe lufta kundër njëri-tjetrit zhvillohet me një ritëm marramendës, ku rënia,
drama e rënies së kokave, përmes plumbit në ballë, vënies së minave,
ekzekutimit dhe djegies së kufomave, ashtu si dhe prostitucioni, duke qenë se
është shndërruar në një kusht pa të cilin nuk bën, thuajse edhe është
shndërruar në një efekt tërësisht anësor. Një efekt që, mbi të gjitha, e shpërfaq gradën e rënies poshtë të
shoqërisë shqiptare.
Në funksion të hedhjes dritë mbi këtë rënie si dhe të
aktorëve të saj, autori Veizi rrëfimin e shoqëron edhe me zhargonin e tyre, gjë
që i bën ata, përkatësisht karakteret e tyre, më “njerëzore” për lexuesin. Në
shkallën e tragjikes ku ka rënë shoqëria shqiptare, si pasojë e ngërthyerjes
nga darët e politikës, deheroizimit nuk mund t’i rezistojnë madje as heronjtë e
llojit të heroit të luftës së Kosovës, siç është Kolonel Ernest Arbana, ndërsa
ëndrrave dhe ambicieve ndërtuese të arkitekt Martinit, të projektuara si Hotel
“Ilirikum Palace”, ju vihen minat që në themele, për t’i shndërruar në një
ngrehinë të marrëzisë shqiptare.
Prandaj, përtej simbolikës, në një ambient të tillë të shoqërisë
shqiptare, i cilësuar shpesh si një ambient i një shoqërie në tranzicion,
anipse ka shumë vite që kur ka lënë prapa sistemin e kaluar, është tepër
domethënëse edhe shterpësia e dashurisë së Martinit, përkundër dëshirës së
flaktë të tij.
Romani “Rrënimi”, i autorit tiranas Leonard Veizi, në fakt është
romani i Shqipërisë së Gërdecit. Përballë saj, Gërdeci i vitit 2008, me gjithë
rrënimin dhe gjëmën që ka lënë prapa pas shpërthimit, nuk i plotëson as për së
afërmi konditat e karikaturës së mirëfilltë të Gërdecit letrar të Veizit, të
përmasave 28 mijë kilometra katrore, të përmbledhur mjeshtërisht nën titullin
tepër sinjifikativ, “Rrënimi”.
Përfundimi i romanit përmes rrënimit të “Iliricum”-it, sado që e
sjellë me vete edhe rrënimin, përmes vetëvrasjes, të Kolonel Arbanës, marrjes
në hetuesi të arkitekt Martinit, si dhe ekzekutimin e gazetarit investigativ
Nik Morina, e nxjerrë megjithatë në sipërfaqe edhe kurajën civile shqiptare,
sado që ajo në këtë rast përballet me një ambient armiqësor, për t’i denoncuar
publikisht autorët e rrënimit të shoqërisë shqiptare dhe detyruar edhe
segmentet përkatëse të shtetit të fillojnë luftën me krimin, edhe me kushtin që
ajo të mos shkojë deri atje ku duhet, shkaku i të qëndruarit prapa tij të
politikës, gjyqësisë, policisë, ushtrisë, përkundër zvetnimit, e bën të
shqueshme dritëzën e shfaqur në fund të tenelit të shoqërisë shqiptare, të
letrarizuar me mjeshtri nga shkrimtari Leonard Veizi.
Botuar në:
No comments:
Post a Comment