Showing posts with label Abdullah Zeneli. Show all posts
Showing posts with label Abdullah Zeneli. Show all posts

Friday, October 16, 2020

30-vjetori i Shtëpisë Botuese/ Një “Naim Frashëri” për “Buzukun”


Nga Leonard Veizi
 
Ai mbërriti nga Prishtina në Tiranë pas një udhëtimi jo fort të gjatë, ndoshta vetëm prej tri orësh, duke futur edhe një kafe të shkurtër diku pas kufirit të përbashkët që ruhet me doganierë shqiptarë në të dyja anët. Shpura e tij shoqëruese përbëhej vetëm nga familjarët, por në Tiranë e prisnin plot miq të tjerë. Dhe në orën 11:30 të paradites u paraqit me kartën e identitetit pranë punonjësve të Gardës së Republikës, në hyrje anësore të godinës së Presidencës. I duhej të kalonte portën prej hekuri të institucionit dhe pamja e tij, gati e çartur, me një gjatësi impozante, mjekër të bardhë fisnikësh e flokë po aq të bardhë, si krifë luani që gati i derdheshin supeve, nuk e ndihmuan dot për t’ia hedhur pa një kontroll fizik, se mos ndoshta në çantë a në brez mbante ndonjë nagant pa leje, si Isa Boletini një herë motit. Por jo, ai ishte i “armatosur” veç me një libër, që do t’ia bënte dhuratë presidentit të Republikës, e ku në krye kishte emrin e tij si autor i veprës. Gjithsesi, prezantimi si botuesi i “Buzukut” dhe me emrin në kartën e identitetit, ku vërtetohej qenësia e tij bashkë me imazhin, i hapën portat e njëpasnjëshme për të mbërritur në hollin ceremonial të institucionit presidencial.
Abdullah Zenelli kishte lënë kryeqendrën e Republikës së Kosovës, – një vend krejtësisht shqiptarësh, – për të mbërritur në kryeqendrën e Republikës së Shqipërisë, – vetëm me shqiptarë gjithashtu – pas një ftese që i kishte bërë Ilir Meta si president, e ku stafi i shkëlqesisë së tij i pati komunikuar qysh më parë se duhej të tërhiqte një titull nderi. “Buzuku” kishte 30 vjet jetë si shtëpi botuese. U kishte ardhur në ndihmë shqiptarëve në ditët të vështira, duke u dhënë ushqimin e përditshëm të mendjes, pak letërsi artistike, ca filozofi, por dukshëm dhe histori. Në fund të ditës nuk ishte më pak. Ndërsa në krye të punëve Abdullah Zeneli kishte një kontribut të pamatë që nga dita e themelimit të saj. Letërsi shqipe dhe jo pak, por dhe letërsi të huaj, ardhur në shqipe, gjithashtu jo pak. Iniciuar në ditët e vështira kur Millosheviqi vringëllinte shpatat në Kosovë, me dëshirën e zjarrtë për t’i grirë vendasit me mortaja e zinxhirë tankesh, Abdullah Zeneli nisi të mendojë se këtij populli, veç armëve, municioneve dhe heronjve të domosdoshëm të një patriotizmi po aq të domosdoshëm, i duheshin dhe libra të mençur për t’i ndriçuar rrugën.
Dhe pas kësaj rruge të gjatë e plot pengesa, një ditë vjen dhe vlerësimi. Sepse diçka duhet marrë pas si kompensim. Aspak në vlerë monetare, por mirënjohje, sigurisht që po. 
Propozimi për këtë dekorim vinte nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit.
Presidenti Meta i dorëzoi botuesit të “Buzukut” urdhrin “Naim Frashëri” bashkë me moivacionin përkatës: “Në vlerësim të kontributit të çmuar si shtëpia botuese e parë dhe e pavarur me përmasa mbarëkombëtare e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Botuese e shumë veprave artistike, historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar”.
Urdhri "Naim Frashëri" është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që jepet me dekret nga presidenti dhe që u akordohet qytetarëve shqiptarë e të huaj, punonjësve të shkencës, artit, kulturës dhe arsimit për vepra dhe veprimtari të çmuara.
Abdullai mori dekoratën, njëkohësisht dhe fjalën. Emocioni i ndihej. Falënderoi presidentin dhe rrëfeu një detaj kuptimplotë nga jeta e shqiptarëve nën sundimin serb. Në Kosovën e dikurshme, jo të lirë, 25 maji festohej sepse në një ditë të tilla na paskësh pasur datëlindjen marrshalli Tito. Strukturat e Partisë Komuniste Jugosllave, të përbëra nga serbë e shqiptarë dogmatikë ngrinin flamujt në nderim të kësaj dite. Edhe shqiptarët e tjerë e përkujtonin 25 majin, madje me shumë zell. Veç jo si datëlindjen e druzhe Titos të popujve sllavë, por si ditën e lindjes së Naim Frashërit të madh të shqiptarëve. Sepse paskësh qëlluar të lindnin të dy në një njëjtën ditë, por në vite të ndryshme, edhe pse njëri shqiptar e tjetri kroat. Dhe me siguri UDB-ja që futej të nuhaste ngado nacionalizmin e pashprehur të shqiptarëve, këtu e humbiste erën dhe raportonte në Beograd se tek e fundit shqiptarët e respektuan mareshallin, ca duke ngritur ndonjë gotë vere për shëndet të tij, e ca të tjerë duke shkundur ndonjë shishe me raki Rahoveci.
Në sallën e ftohtë ceremoniale duartrokitjet ishin të ngrohta. U dalluan mes të ftuarve plot njerëz të letrave: Besnik Mustafaj, Flutura Açka, Bujar Hudhri, Alda Bardhyli, Majlinda Rama, Behar Gjoka, Marjana Ymeri, Dan Ibrahimi, Anila Xhekalia, Mehmet Gëzhilli e Rexhep Hida, por dhe Nait Hasani, i cili është dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë.
“Buzuku” ka mbushur 30 vjet! Në këto 30 vite Abdullah Zeneli ka kaluar plot situata paradoksale, por punën për librin shqip nuk e ka ndalur asnjëherë. E, megjithatë, asnjë përvjetor nuk është shënuar si në vitin 2020. Kohë Covid-i e maskash. Por Abdullah Zeneli thotë se përvjetorët në vend të ceremonive festohen me punë, prezantime në panaire kombëtare e ndërkombëtare, por edhe me vizion e plane konkrete. Madje, për t’i dhënë një shtysë më të madhe letërsisë shqiptare në këto kushte, ai ka projektuar një konkurs për një roman të pabotuar në gjuhën shqipe, e ku çmimet në vlerë monetare marrin vërtet vlerë.
“Përkrahje e plotë e krijuesve shqiptarë kudo që ndodhen, jetojnë e krijojnë: në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Greqi, Itali, Turqi dhe diasporë”, është motoja e kësaj shtëpie botuese mbarëshqiptare.
Ceremonia mbaron. Nis turi i fotografive ku në sfond fokusohen situata njerëzore mbi flamujt kombëtarë. Në mes tyre bust i heroit tonë, Gjergj Kastriotit. I vetmi që mbetet aty dhe është i pranishëm në çdo shkrepje aparati. Fotografia me simbolin e shqiponjës mbi gjoks, merr më shumë vlera.
Abdullah Zeneli është njeri me humor e hedh vazhdimisht batuta. E, megjithatë, emocioni vazhdoi t’i ndihej edhe pasi presidenti kishte lënë sallën dhe ishte ngjitur në katin e dytë për në zyrën e tij. Një “Naim Frashër” për të nuk është pak. Tek e fundit, e gjithë puna 50-vjeçare, nga të cilat 30 te “Buzuku” dhe ca më herët 20 vite të tjera te “Rilindja” si shtëpi botuese, është koncentruar te një dekoratë me emër të shenjtë. Dhe Besnik Mustafaj, tek dalim në oborrin e pasmë nga dhe hymë, na thotë se tek e fundit, nuk janë të shumtë burrat që e kanë marrë një dekoratë të tillë. Pra gjithsesi, nderi vlen.
Edhe pse jemi në epilog, asgjë nuk mbaron me kaq, sepse shefi i “Buzukut”, pasi kemi shijuar nga një gotë “shampanjë presidenciale”, – apo verë të gazuar ndoshta, – na fton për një kafe “Blloku” në një nga lokalet rreth Presidencës, ku në të vërtetë vetëm për pak metra gjë mbetëm në periferi pas vijës që dikur ndante vilat e Byrosë nga apartamentet modeste të kryeqytetasve. Por, gjithsesi, iu gëzuam faktit që kafen e pimë, tek “Tirana e Re” dhe folëm lirshëm mbi “news”-et më të fundit.
 
 


Fjala e presidentit Ilir Meta
 
Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne të dekorimit, mes të cilëve ishte edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, z. Nait Hasani, botuesi nga Prishtina Abdullah Zeneli, publicistë dhe shkrimtarë, kreu i shtetit u shpreh:
 
Tri dekada më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, lindi në Prishtinë, Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, e para e pavarur në krejt hapësirën ku flitet shqip.
Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”.
“Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar.
Është fakt se ne kemi sot në bibliotekat tona kontributin e çmuar të “Buzukut” për promovimin e shumë thesarëve të letërsisë sonë të traditës dhe asaj bashkëkohore.
Një faqe veçanërisht e merituar në veprimtarinë botuese të ‘Buzukut’ shënohet me gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të shkrimtarëve shqiptarë, si në Prishtinë, edhe në Tiranë, të mohuar me dekada nga censura politike, për shkak të ideve të tyre.
Kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej dasisë së kufijve shtetërorë, e vendos z. Abdullah Zeneli dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë Kombëtare.
I lumtur që në vlerësim të këtij kontributi të vyer të çmoja sot Shtëpinë Botuese ‘Buzuku’ me Titullin “Naim Frashëri”.
Së fundi, më lejoni t’i uroj Shtëpisë Botuese ‘Buzuku’, dhe themeluesit të saj, Abdullah Zeneli, jetë të gjatë dhe suksese në misionin e tij. 

Tuesday, May 12, 2020

Abdullah Zeneli: Tirana dhe Prishtina, ja ku çalon puna me librin shqip


Nga Leonard Veizi
 
Një shoqëri është e mirëfilltë si e tillë nëse lexon dhe libri, pa dyshim, duhet të jetë pjesë e bibliotekave të qyteteve, por dhe e shkollave dhe institucioneve të tjera. I këtij mendimi është presidenti i Shtëpisë Botuese Buzuku, ndër  më të mëdhatë në trevat shqiptare, e cila vazhdon të jetë në pararojën e botimeve shqip…
 
…E themeluar prej tij në vitin 1990, “Buzuku” këtë vit e ka të 30-in e aktivitetit botues, ndërsa presidenti i saj, poet e prozator njëherazi, Abdullah Zeneli, vazhdon me këmbëngulje të ethshme të drejtojë këtë proces tejet të vështirë në kushtet shqiptare. Nuk ka pushime për të, as në bregdet e as në pyje me borë, edhe pse në fakt karantina e pandemisë i ka dhënë një mundësi të madhe, të jetë ca ditë i qetë në meditimin e tij, gjë që prej shumë vitesh nuk e kishte provuar. E me gjithë problematikat e mëdha me të cilat përballet libri sot Abdullah Zeneli tregohet fort optimist teksa i takon të flasë e të tregojë projektet e asaj që pa dyshim njeh më mirë në jetë. Po çfarë e shqetëson sot një botues, kur për librin e printuar në gjuhën shqipe, mendohet se ka ngërçe të vazhdueshme dhe herë-herë vihet në pikëpyetje ekzistenca e tij? Abdullah Zeneli, gjatë një interviste për gazetën “Fjala” ngre këto shqetësime.
 
– Edhe pse është në përfundim e sipër, gjithsesi, ishin dy muaj karantinë. Si i kaluat këto ditë?
Po! Ndodhi kjo. Tani mynxyrat e njerëzimit nuk i përjetojmë vetëm nga librat, leximi, apo nga ato përrallat me mbret, por i përjetuam dhe vetë. Duhet të kalojë një kohë për t’u kthyer lumi në shtratin e vet shekullor dhe të kuptohet çfarë në të vërtetë ndodhi. Qe një luftë titanësh të rinj kjo apo pakujdesi njerëzore. Sidoqoftë, ndodhi diçka e rrallë dhe do të mbetet gjatë në kujtesë.
Çuditërisht, mua m’u përshtat ky dyzetnim (neologjizëm për karantinim), sepse kisha kohë vite, të mos them dekada, që nuk kam pushuar një ditë të vetme. Mora veten, isha në zgrip të një kapitjeje vrapi marramendës pas kërkesash të përgjegjshme të një botuesi, familjari, miku e çfarë jo tjetër. Shto edhe pak kohë të vjedhur për krijimtarinë, pa të cilën do ta quaja të pakuptimtë gjëllimin. Me pak fjalë, iu përshtata situatës. Veti e mirë kjo e njeriut përballë sfidave të shfrenuara.
 
– A mund të quhet proces në vazhdim prodhimi i librit, apo ai ka ndaluar tashmë?
Në fakt, jam shumë optimist për të tanishmen dhe të ardhmen e librit. Edhe kur diskutohej para dhjetë e ca vitesh se librin fizik do ta konkurrojë libri elektronik, kam qenë këmbëngulës se nuk e konkurron asgjë librin fizik, atë tradicional, të prekshmin, aromatikun, të shijshmin, të ëmblin LIBËR! Kjo sfidë do të kalojë dhe do të vërshojnë përjetimet e bartura në format letrare dhe jo vetëm: poezi, tregime, romane, drama, skenarë (filma), kujtime… Ka çfarë të thuhet. Do të shkruhen e këndohen Iliadat e reja, sepse njeriu është po ai, përballë katastrofave. Lufta për ekzistencë, mbijetesë, ardhmëri. Ndalesat e rastit janë si rimarrje forcash për syrin e një cikloni. Ai, syri, di të tundë botën letrare, të librit në veçanti. Krizat e njerëzimit kanë prodhuar kryeveprat. Por, duhet ndarë shapi nga sheqeri, rrezik të eskalojë midis letërsisë së mirë dhe asaj negative, e cila di të jetë edhe e bezdisshme. Po këtë e vendos opinioni, lexuesi. Ai është gjykatësi më i mirë dhe i duhet lënë atij ta thotë fjalën e vet.

– Jemi në prag të Panairit të Librit që në Prishtinë zhvillohet gjatë muajit qershor. Në fakt a do të arrini ta zhvilloni një aktivitet kaq të madh në kushtet e raja?
Sipas të gjitha gjasave nuk do të zhvillohet në qershor. Duhet të mësohemi edhe me këtë. Ishim përgatitur për Salond du Livre të Parisit (20-23 mars), po na iku ky rast i mirë për të qenë pjesë e një evenimenti me shumë interes për librin shqiptar. Shto dhe përgjegjësinë që kam si botues, duke qenë në 30-vjetorin e themelimit të Buzukut, atëherë në shumë pikëpamje, ky vit po del të jetë shumë i veçantë! Kam marrë shumë të drejta të autorëve botërorë, që nga fitues të Nobelit (Patrick Modiano, J.M.G. Le Clézio, etj.), të Goncourt (Éric Vuillard, Nicolas Mathieu, Jean-Paul Dubois) e deri tek autorët tanë më të frytshëm si dhe prurjet nga konkursi për roman i Buzukut me rastin e 30-vjetorit të themelimit. Nuk është fshehtësi të them se lexuesi do të ketë në dorë të paktën 10 romane shumë të mira!  Po, për këtë mbase do të flasim herë tjetër, duke mos anashkaluar natyrën e kësaj interviste. Fundvera dhe vjeshta mbase do të kurorëzojnë aktivitete të shtuara për librin: Prishtina (mbase shtator), Frankfurti (tetor) dhe kulmi, Tirana (nëntor).
 
– Cila është situata me librin, këtej dhe andej kufirit që ndan shqiptarët?
Libri pa përkujdesje institucionale është si fëmija pa prindër. Botuesit e pavarur (nuk parapëlqej t’i quaj privatë) bëjnë punën e tyre, por libri fillimisht e ka vendin në bibliotekat e qyteteve, shkollave, institucioneve relevante, spitaleve, azileve po kjo nuk ndodh, apo ndodh aq zbehtë sa nuk ia vlen të jargavitemi me stigmatizime. Një shoqëri është shoqëri e mirëfilltë nëse lexon. Kam mësuar shumë nga një libër që ka një problematikë të tillë, të cilin e kam në proces botimi, të kryeministrit të Francës, Z. Édouard Philippe, “Njerëz që lexojnë” (Des hommes qui lisent), e cila është shqetësuese për vetë Francën, derisa ne jemi akoma më keq, të mos them afër pikës së vlimit. Ka dhe një paradoks, derisa bibliotekat e Kosovës blejnë jo pak libra të botuesve të Shqipërisë, kjo nuk ndodh me botimet e botuesve të Kosovës në Shqipëri. A thua Tirana zyrtare pret Beogradin të na i blejë neve librat që dergjen depove? Ky është një dështim institucional dhe është shumë shqetësues. Po të mos ishin dy panairet e librit tashmë të konsoliduar, i Tiranës dhe i Prishtinës, gjendja do të ishte vërtet katastrofike.
 
– Personalisht cila ka qenë primare në ditë e izolimit, leximi apo krijimtaria?
Leximi gjithsesi. Është ushqimi shpirtëror dhe vesi apo shprehia që nuk të lë të qetë. Leximi në shumë kuptime, leximi si kënaqësi personale, leximi  “i detyrueshëm” si botues i dorëshkrimeve të shumta që presin botimin dhe, natyrisht, krijimtaria. Plotësojnë njëra-tjetrën, në rastin tim, nga “lodhja” e leximit pason “çlodhja” duke bartur në shkrim atë që ndiej se duhet shkruar dhe i duhet lexuesit. Në fakt, i duhet vetvetes për t’u zbrazur. Nëse pëlqehet nga lexuesi, kjo do të ishte mrekullia e çdo krijuesi që dëshiron të jetë i lexueshëm. Rrjetet sociale ndihmojnë shumë në këtë drejtim dhe ai e përgatit lexuesin për procesin e krijimit dhe të bën të ndihesh rehat. Është kënaqësi e papërshkrueshme kur sheh se të ndjekin, të duan, të lexojnë, të inkurajojnë. Për harkun kohor më pak se dy vjet kam shkruar pesë libra krejtësisht të ndryshëm poetikë, njëri nga të cilët është i karantinës, por që nuk ngutem t’i botoj. E kam thënë dhe herë tjetër, Buzukun nuk e kam krijuar për vete, por për letërsinë e të tjerëve! Sepse fjala ecën me shpejtësi meteorike në të gjitha kontinentet. Bota tani është ngushtuar në kuptimin e mundësisë për të qenë koherent me atë çfarë i serviret. Por, duhet profesionalizëm, siç e thashë dhe më sipër, të ndahet shapi nga sheqeri. Letërsia e mirëfilltë nga ajo mediokre. Dhe këtu vjen në shprehje ajo çfarë këshillonte dikur i madhi Faik Konica me Lutjen e shkrimtarit: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur, kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të!
”