Friday, May 10, 2024

Pandemia Covid-19/ Një situatë dramatike vjen nga Italia, arkivole që presin kufomat


Nga Leonard Veizi

Një gjendje e trishtë dhe tepër dramatike vjen nga Italia. Fotografitë që po qarkullojnë tregojnë se situata është pak më e rëndë nga sa e kemi imagjinuar gjatë gjithë kësaj kohe. Arkivole të vënë në rresht, si ushtarët e një garde me bajoneta ngrehur, por ende bosh. Dhe me sa duket jo për shumë kohë. Nuk janë shtëpi funeralesh, ku shërbehet kafe, biskota dhe pak verë, në kujtim të të ndjerit. Janë ambientet e kishës “Ognissanti”, pjesë përbërëse e varrezave të Bergamos, dhe të një çadre fushimi diku më në periferi, në të cilat arkivolet e nxjerra nga magazinat, apo të prodhuara me shpejtësi nga ndërmarrjet e përpunimit të drurit, janë vendosur për të qenë në gatishmëri për të vdekurit e radhës.
Kjo është situata më e fundit në Itali, për të cilën mediat vendase thonë se ka dalë jashtë kontrollit.
Por më e trishtë se kaq është që të vdekurit përcillen për në banesën e fundit vetëm nga punonjësit e bashkisë. Nuk ka të afërm rreth e rrotull, as prift që të kryejë ritet e fundit. Madje nuk ka më varre të cilave u lidhet përsipër ndonjë lopatë me klor për dezinfektim. Të gjitha shkojnë drejt krematoriumit.
Mediat vendase bëjnë të ditur se është mbyllur hyrja e varrezave në Bergamo, sepse shumë të moshuar bënin vizita. Por më e rënda ishte që të mos shihej skena e tmerrshme që e bëri provincën të goditet shumë rëndë. “Një skenë që e transformoi këtë kishë në një dhomë shumë të madhe të vdekurish. Ndërsa furra e krematoriumit punon pa ndalim”, shkruan mes të tjerash portali “it.aleteia.org”.
Coronavirusi ka çorientuar krejtësisht jetën e kryeqendrës evropiane të kulturës.
Nuk është e nevojshme të jesh prezent në rrugët e Italisë për të parë nga afër situatën ku është mbërthyer vendi. Edhe po të duash ta bësh këtë, të marrësh parasysh rrezikun e të shkosh në qendrën e vartës, nuk të le kush. Gjithçka, këtej dhe andej kufirit është në një shtetrrethim të egër, ku lëvizja e lirë tanimë duket si një utopi apo një ëndërr e tejkaluar.
Mjaftojnë fotografitë, videot dhe mesazhet që na sjellin të afërmit tanë që jetojnë prej vitesh në shtetin fqinj përtej Adriatikut, për të kuptuar mirë se çfarë po ndodh në këto ditë plot diell në vendin që i dha aq shumë kulturës botërore.
Por virusi i koduar si “Covid-19” nuk pyet shumë për kryeveprat e Mikelanxhelos e Leonardo Da Vinçit, as për ballkonin e Zhulietës dhe katedralen e Milanos, dhe as për Firencen apo Venecian e pashembullt. Ai ka depërtuar gjerësisht për të shkaktuar shumë viktima të deritanishme, dhe shumë të tjera të cilat priten, në fakt.
“Kjo është Bergamo”. Togfjalëshin shoqëruar me pamjet e arkivoleve që mbajnë kryqin katolik mbi syprinë jo rrallë i ndesh nëpër portalet italiane, sidomos atyre lokale në përbërje të rajonit të Lombardisë. Pamjet janë vërtet dramatike, parë vetëm në kohërat e luftërave të mëdha.
Por le t’i referohemi portalit “bergamonews.it”.
“Në Bergamo të prekurit janë 3760, ose 344 më shumë se e diela e kaluar, ndërsa në Brescia janë 2918, me një rritje prej 445 brenda një dite. Të dhënat e Bergamos, duke marrë parasysh tokat kufitare në luftën kundër koronavirusit, regjistruan një rritje më të ulët se të tjerët. Për të demonstruar se kjo pandemi nuk po ndalet, duhen parë numra të tjerë: ato të vdekjeve. Le të shohim vetëm ato të qytetit Bergamo. Të dielën e 8 marsit dhe të hënën e 9 marsit pati 44 të vdekur. Më pas, java mori një kthesë vërtet dramatike në rritje: e marta shënoi 31 vdekje, e mërkura 44, e enjtja 43, e premtja 50, e shtuna (kur zyra e komunës ishte e hapur gjysmë dite) u regjistruan 35 vdekje. Të ndjerët e të dielës 15 mars dhe ata të së hënës së 16 marsit, sipas të dhënave të verifikueshme për Komunën e Bergamos, shkuan në shifrën 83. Nga një fundjavë në tjetrën, nga 44, vdekjet shkuan në 83 vdiqën”.
Edhe pas alarmit se situata ka dalë jashtë duarsh, ajo mund të cilësohet ende nën kontroll, por shëndetësia italiane është vënë përpara vështirësish të mëdha dhe një presioni edhe më të madh.
Në këto kushte u është bërë thirrje për ndihmë mjekëve dhe infermierëve të cilët tanimë janë në pension . “Ne kemi nevojë për ekspertizën tuaj, përvojën dhe efektivitetin tuaj”, ka bërë apel këshilltari Rajonal i Mirëqenies për Lombardinë, Giulio Gallera, duke i ftuar ata të kthehen në shërbim.
“Ky virus tani nuk prek më vetëm të moshuarit ose njerëzit me patologji të caktuara, ai shkakton viktima edhe në mesin e shumë të rinjve. Duke qëndruar te matematika, në të njëjtën javë të marsit 2019, Komuna e Bergamos regjistroi 23 vdekje, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti jemi me 330 vdekje: pra 14 herë më shumë”, shkruan “bresciaoggi.it”.
Në kishën “Ognissanti” të Bergamos tanimë nuk ka pushim. 40 arkivole qëndrojnë në të njëjtën dhomë, dhe shumë të tjerë në një çadër fushimi. Dhe askush nuk e di se kur do te marrë fund ky makth.
Por ka edhe një lajm që mund të cilësohet i mirë, kur “papaboys.org” informon se në Kremona do të ngrihet një spital fushor me 60 shtretër dhe 8 njësi të terapisë intensive të dhuruar nga OJQ amerikane, American Samaritan Purse
Ndërkaq, pjesa tjetër e Evropës, në pritje të përhapjes së virusit, po merr masa shtrënguese. Situata nuk është aspak rozë dhe në Gjermaninë e fuqishme industriale dhe as në ishullin Britanik që ndahet nga Evropa përmes kanalit të La Manshit. Në Shqipëri pretendohet se virusi është në hapat e parë të tij, ndërsa kulmi pritet në 3-4 javët e ardhshme. Dhe për më tej nuk dihet se çfarë surprizash na presin.
Por deri kur do të vazhdohet kështu…?
Askush nuk është në gjendje të japi përgjigje.

Botuar në gazetën FJALA
https://fjala.al/2020/03/17/nje-situate-dramatike-vjen-nga-italia-arkivole-qe-presin-kufomat/


No comments:

Post a Comment