Thursday, January 14, 2021

Mjekët, këta “heronj” të pamerituar


Nga Leonard Veizi
 
Mjekët nuk janë heronjtë e ditëve të sotme. Nuk kanë qenë as më parë se kaq. Ata nuk kanë dalë me çantën e instrumenteve në dorë, të kaptojnë male e lumenj, për të bërë humanizmin e radhës në shërbime të jetës humane. Ata thjesht janë paraqitur në vendin e punës, pasi kanë çekuar në listprezencë, dhe më pas kanë nisur të bëjnë vizitat e radhës. Nëse kjo detyrë, pra pjesë e profesionit që kanë zgjedhur, është e rrezikshme, janë të lirë të ndryshojnë profil. Ose të hapin ndonjë bar-kafene, ose të rrinë pa bukë. Ky është thelbi i problemit.
-Pra çfarë bëjnë mjekët???
-Thjesht profesionin me të cilin marrin rrogën. Ose përndryshe, sigurojnë bukën e gojës.
E qartë si kristali.
Në familjen tonë është diskutuar gjerësisht ideja që fëmijët tanë të mund të studionin në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Llogaria është e thjeshtë: Punë e sigurt e me perspektivë. Pavarësisht kësaj, fëmijët e kanë refuzuar këtë ide, për të zgjedhur profesione më pak të sigurta për të ardhmen. Në familjet e tjera të shqiptarëve gjithashtu sot e gjithë ditën diskutohet gjerësisht për t’u dhënë fëmijëve një zanat të qëndrueshëm: atë të mjekut, ndihmësmjekut ose të farmacistit. Garanton të ardhmen këtu në Shqipëri, por thonë se të merr në punë edhe gjermani.
Pra edhe një herë: kemi të bëjmë me një profesion mjaft të lakmueshëm. Mjek me punë e rrogë të mirë.
Ku është heroi këtu?
Sepse emërtimi “hero” është bërë si një fasadë e cila të mbron nga goditjet. Se demek është “hero”. Rrezikon jetën e tij për të tjerët. Si puna e policit. Se ata heronj janë ngaqë përballen në vazhdimësi me krimin. Paçka se brenda radhëve të tyre ka dhe segmente, apo individë të veçantë që marrin në mbrojtje krimin, e u çojnë nga një sms të shumëkërkuarve: Ik, se erdhi policia. Po këta, a janë heronj???
Hero bëhesh nëse je me pushime, bie zjarr dhe të merr trupi flakë pasi je futur për të shpëtuar një fëmijë. Ky është heroi jo zjarrfikësi që ka zgjedhur të bëhet i tillë se ka dhënë prova të mjaftueshme që di të mbajë shllangën e ujit përpjetë dhe të hipi në majë të shkallëve.
Kush detyron në zgjedhjen e profesionit? Mos vallë dëshira e madhe për t'u ardhur në ndihmë njerëzve. Pallavra. Duhet të jesh naiv ta besosh këtë. Gjithkush gjen një profesion, atë që është i mundur të bëjë, në bazë të aftësive fizike dhe asaj mendore, me qëllimin e thjeshtë që të marrin një rrogë e të jetojë. Thënë më shqeto: i bën hyzmetin bukës së gojës dhe të kalamajve.
Vijmë përsëri tek mjekët.
Rasti i fundit: që një sanitare merrte para me grushte nga një paciente dhe i ndante ato me mjekë e ndihmësmjekë, tregon edhe një herë se për mjekët e ditëve të sotme një pacient është thjesht një klient. Kështu ka qenë dhe 100 apo 200 vjet më parë, të kuptohemi drejt. Teknologjia ecën me hapa të shpejtë jo mentaliteti njerëzor. Ke parë mjek ti që të vijë e të bëjë vizitë falas, e të lërë familjen e vet pa bukë, në emër të humanizmit?
Këtu nuk po flasim për një mjek të licensuar si një biznes privat që kontribuon me taksa në buxhetin e shtetit, por për mjekë që rrogat i sigurojnë nga buxheti i shtetit.
Vitet e gjata të tranzicionit treguan më së miri se si u deformua morali i njerëzve në Shqipëri. Një moral i dyshimtë që ishte presuar ca më përpara se të vinte tranzicioni. Dhe mbi të gjitha sot gjithçka është e ngritur mbi korrupsionin. Madje dhe të rinjtë që vijnë me një frymë të re pasi kanë përfunduar studimet jashtë vendit, shumë shpejt bëhen pjesë e mekanizmit. Nisin e u lezetojnë tarifat shtesë të cilat pas një farë kohe u sigurojnë edhe vila dykatëshe edhe makina me zero kilometra. E pastaj flasim për pastrim parash... Tani kemi të bëjmë me një rreth vicioz e të çimentuar ku të duhet vizë për t’u futur, por që nuk ka gjasa t’ja dalësh për të dalë.
Sanitarja e Sanatoriumit, të cilës policia i vuri prangat, është vetëm një prej rasteve. Dhe kjo ka ardhur pas një denoncimi. Por në jetën reale dhe të padenoncuara ka aq shumë raste sa njerëzit kur mendojnë spitalin e kanë më të lehtë të përdorin për veten e tyre shprehjen e plotkuptimtë: “Në kokë e në gropë”. T’i mbyllësh shpejt hallet, sepse po re në dorën e mjekëve, aha...
Por jo të gjitha shkojnë ashtu siç duam.
Pandemia e Covidit, erdhi si me porosi për mjekët tanë dhe për ndihmësmjekët sidomos. Ta kërkosh me qiri sot një ndihmësmjek të të bëjë një gjilpërë a të të vendosi një serum. Çmimet e shërbimit shkuan në stratosferë dhe u standardizuan. Padyshim tregu është i lirë dhe vepron sipas kërkesë – ofertës për sa shërbimi është privat dhe i liçensuar. Por kur ky shërbim vazhdon me të njëjtat çmime edhe në një repart të shtetit, me mjetet e blera nga buxheti ku personeli merr rrogën prej kontributit të pacientëve, këtu duhet ndalur vrulli. Sepse ky nuk është thjesht një abuzim, por një krim. Dhe si i tillë duhet dënuar sipas Kodit Penal.
Mjekët nuk kanë pse të cilësohen si heronj nëpër ekrane televizive, t’u çohen tufa me lule e t’u këndohen serenata. Ata punojnë për rrogën e tyre, ashtu si dhe shumë të tjerë por që s’kanë asnjë përfitim shtesë. Dhe më së shumti u falen “honorarëve” që marrin nga xhepat e shqiptarëve të varfër. Them të varfër, sepse vetëm ata përplasen në dyert e një spitali shtetëror ku të shohin shtrembër e me sytë nga xhepat, që prej sanitares e deri tek shefi i pavijonit.
Ata të shtresës së mesme shkojnë në ndonjë spital privat ku pacienti-klient trajtohet me buzëqeshje e dashuri sepse  xhepat i janë zbrazur që pa e kaluar pragun ku është vendosur recepsioni. Ndërsa të pasurit e kanë edhe më të thjeshtësuar procedurën: Ata e anashkalojnë sistemin mjekësor vendas për t’i hipur avionit e për të shkuar në një spital jashtë shtetit për një terapi më intensive e më cilësore.
Pa dashur t’i fusim në të njëjtin thes punonjësit e shëndetësisë, duhet thënë me zë të lartë se një pjesë jo e vogël e sistemit mjekësor është i kalbur dhe i korruptuar. Mos u rëntë halli e të përplaseni me të se nëse nuk e kuptoni ditën e parë do ta merrni vesh në të dytën se si funksionon sistemi nën një logo aq shpresëdhënëse “Shëndetësia falas”. Sepse në vetvete dhe sipas standardit shtetëror të sanksionuar, mjekësia mund të cilësohet falas, pavarësisht se funksionon në bazë të kontributeve, por nëse nuk paguan nën dorë me shumë gjasa nuk e merr të plotë të gjithë shërbimin. Ndaj të gjithë tkurren e shtrëngohen për të dhënë diçka që është ruajtur për një ditë të zezë, edhe pse kjo “diçka” në fund të ditës e kalon ku e ku rrogën ditore.
Epidemia Covid është një kohë e artë për mjekësinë shqiptare. Rasti i fundit i denoncimit të sanitares së Sanatoriumit, na mësoi saktësisht se cilat janë tarifat me të cilat operojnë mjekët, ndihmësmjekët dhe sanitarët. Dhe ta bëjnë mend mirë ata që nuk i kanë aq para, e të paktën të marrin masa për një kredi afatgjatë. Situata bëhet e frikshme kur mëson se edhe pse ke paguar kursimet e jetës nuk është e thënë se “do ta kalosh klasën”. Dhe t’i marrësh para një njeriu që ndan jetën nga vdekja me një fije peri dhe për më tepër të mos i japësh as shërbimin e detyruar, mban mbi supe një peshë të madhe mëkati e mallkimesh.
Por mjekët nuk kanë frikë nga mallkimet. Duhet të jenë imunizuar tashmë. Sot ata dalin ballëlartë duke thënë se po punojnë në një front shumë të vështirë e me një risk të madh. Kjo padiskutim e ul gramaturën e mëkatit që nuk është kolektiv, për zhvatje e ryshfete nën dorë. E në njëfarë mënyre përligj “5-lekshin” e xhepit.
Po cili është ai profesion që nuk ka risk? Mos vallë minatorët e kanë të sigurt jetën kur futen në galeri? Po ushtarakët të cilët shteti i nis me mision qoftë brenda territorit të republikës apo në një front të nxehtë jashtë kontinentit?
“Shëndetësia falas” tanimë është vetëm një slogan. Betimi i Hipokratit nuk ka vlerë. Ai shkelet me këmbë sapo kupton që ky betim është veç një pengesë. Sistemit të kalbur i duhet një plugim i thellë ashtu si dhe Vettingu në Drejtësi.
Sa herë që ndodh ndonjë denoncim ku një nga të sistemit kapet me presh në dorë, dikasteri thotë se është rast i izoluar.
Jo, nuk është rast i izoluar.
Po pse nuk denoncohen? Sepse secili mundohet me të gjitha mënyrat të mbarojë hallin e vet. Dhe nëse ia hedh, i lë pas të gjitha.
Për të rregulluar imazhin e njollosur dikasteri thotë plot pathos se puna e mjekëve në këtë kohë krize është e madhe.
Po, është vërtetë një punë e madhe. S'e mohon kush. Por të gjithë punojnë, atje ku u ka rënë për pjesë. Kjo nuk do të thotë që të gjithë janë heronj. Cilin gazetar e gënjen mendja se është hero, pasi mblodhi faktet, mes presioneve e kërcënimeve, dhe denoncoi në shtyp një aferë korruptive. Kjo është detyra e tij. Për këtë paguhet. Te e fundit të gjithë punojnë për të jetuar.


1 comment:

  1. Leonard, të pafsha në dorë të një doktori e flasim pastaj

    ReplyDelete