Cila është e
vërteta dhe cila e pavërtetë? Pyetjes me shumë të panjohura janë munduar t’i
japin shpjegime filozofët. Madje ka prej tyre që mbrojnë teorinë se gjithçka në
botë është e pavërtetë por që ne e konceptojmë si të vërtetë.
Perceptimi mbi “të
vërtetën absurde” lidhet më së shumti me mendimin filozofik të nobelistit Alber
Kamy, veçanërisht i shprehur në esenë e tij "Miti i Sizifit". Kamy
shqyrton idenë se jeta në thelb është pa kuptim dhe se kërkimi për një kuptim
ose për një të vërtetë universale është i pakuptimtë në botën ku jetojmë. Kjo
përplasje midis kërkimit tonë për kuptim dhe indiferencës së universit krijon
atë që Kamy e cilëson si "absurdi".
Ta lëmë mënjanë
filozofinë.
Një spektakël si
“Big Brother” na vuri në lojë të gjithëve me të vërtetat e të pavërtetat e tij.
Ato që shiheshin e që thuheshin, mohoheshin e nuk shikoheshin. Spektakli
vazhdoi të prodhonte lajme e klikime edhe në postproduksion. Sepse sot në botë
mbretëron klikimi. Ai gjeneron dhe të ardhura. Ndaj prej tij varet jeta jote.
Atëherë cila është e vërteta dhe cila e pavërteta?
Përse na duhet ta
dimë në fund të fundit? Ndoshta prej natyrës kureshtare të vetë njeriut, që
kërkon si të vërtetë atë që do ai, jo ajo që është në realitet. Dhe kështu loja
vazhdon. Ne të gjithë bëhemi pjesë e saj, duam apo nuk duam.
-Respektojmë votën
e popullit, - thonë bigbradhëristët lojtarë. Në kor madje. Jo se mendojnë se
populli ka të drejtë vërtet. Thjesht duan ta kenë mirë me masën, e që nesër të
mos akuzohen si egoistë.
Po për kë votë
është fjala? Se vota e popullit nuk numërohet as në kutitë e votimit, ku flitet
për mbarëvajtjen e jetës publike në katër vjet, e jo më në një spektakël
televiziv. Kush i numëroi votat që ne të kemi besim të patundur se ky ishte
vendimi i sovranit: Beni, Titi apo Turi...
Pastaj, kush na e
paska respektuar votën e popullit që u dashka thënë dhe nga lojtarët modestë të
televizioneve?
E vërteta është
baza mbi të cilën ndërtohet besimi ynë, vendimet dhe veprimet tona. Ajo është e
rëndësishme në të gjitha aspektet e jetës, nisur nga marrëdhëniet personale.
Kur flasim për të vërtetën, i referohemi një gjendjeje që është në përputhje me
realitetin dhe faktet. Nëse nuk mund t’i besojmë njëri-tjetrit, qoftë në nivel
personal apo institucional, shoqëria fillon të shkërmoqet.
Shoqëria jonë ka
kohë që po shkërmoqet në fakt. Disa spektakle shumë të ndjekur, në dukje me
mesazhe avangardë, janë një prej treguesve.
Në spektaklin e
sapombyllur “Big Brother VIP 3” ai që doli në vendin e dytë thotë se e vërteta
është që publiku votoi për të edhe pse çmimin e mori ajo që zuri vendin e parë.
Vetë “mbretëresha” e spektaklit, pasi luftoi gjatë gjithë kohës me denigrimin e
kundërshtarëve, duke thënë të vërteta të pavërteta, apo anasjelltas, thotë që
çmimi i takonte ngaqë u votua prej publikut. Domethënë prej popullit.
-O Popull, sa
shumë gjëra bëhen nën emrin tënd. Bile dhe lartmadhnia flet në emrin tënd.
Kamy shkruan se
mënyra më e mirë për të trajtuar absurditetin është ta pranojmë atë dhe të
jetojmë me të. Madje ai sugjeron se ne mund të krijojmë kuptimin tonë
individual dhe subjektiv përmes përvojave tona personale.
E respektoj
mendimin e Kamysë. Po aq sa lojtarët e Big Brotherit që u mbeti në gojë
shprehja. “Nuk është ashtu si thua ti, por është mendimi jot dhe e respektoj.”
Domethënë dhe e kundërshton dhe e respekton... Edhe Kamy këtu do të kishte
mbetur pa fjalë e nuk do jepte më shpjegim. Se mirë “mbi të vërtetën absurde” e
tëholli mendimin e tij, por për sentencën: “Ia fute kot, por është një mendim
që e respektoj” nuk na ka dhënë asnjë variant të mundshëm zbërthimi.
Por këto janë
kusuret e një spektakli, për të cilin ngrihesh të shkruash dy faqe
kompjuterike, mbasi je zënë në kurth dhe meqenëse alternativat e momentit nuk
të japin ngazëllim, rehatohesh për të dëgjuar broçkullat e post spektaklit. Dhe
isha i bindur se këtë vit që përkon me “Big Brother VIP 3”, do t’i referohesha
tri herë. Nuk është se doja ta mbaja fjalën dhe të ngrija flamurin. Thjesht
shkarkova ngarkesën.
Spektakli në
fjalë, dhe nja dy-tre spektakle të tjera që na vërtiten nëpër këmbë, na kanë
bërë të kuptojmë se rrallëgjë mund të jetë e natyrshme, që arrin të dalë nga
kontrolli për të bërë jetën e vet. Sepse përgjithësisht askush s'të lë ta
kalosh pragun, dhe ka një skenar të ndërtuar e të lëvizshëm që na bën të
mbërthehemi pas ekranit.
Dhe kur baruti
laget e rrezik të të zërë gjumi, papritur “plas pushka”. Po ç’qe kjo hata e
zezë..., kjo shkreptimë në qiell të pastër? E po ja ashtu e do puna. Se vate
audienca, shkoi për lesh. Ndaj të pavërtetat bëhen të vërteta. Sepse publiku, i
mençur dhe me intuitë, nuk gjen arsye për të votuar.
Pra, jemi në një
situatë ku e vërteta dhe jo e vërteta janë të pleksura keqas, por Ti në
pamundësi të bësh arbitrin, bëhesh palë me njërën nga palët, dhe dërgon një
mesazh me mendimin se i ke dhënë një pikë të mundshme lojtarit për të cilin bën
tifo. Në fakt ke dërguar vetëm paratë. Ato janë të vlefshme nga ty. Pjesa
tjetër është mall rifuxho.
Në botën e sotme,
informacioni është një pasuri e çmuar dhe po ashtu një armë e fuqishme. Në çdo
moment, ne jemi të përballur me një fluks të madh të dhënash, të cilat shpesh
përfshijnë të vërteta dhe të pavërteta. Në botën dixhitale, ku lajmet
shpërndahen me shpejtësi të rrufeshme, dallimi mes të vërtetës dhe të
pavërtetës bëhet gjithnjë e më sfidues.
Por si do ta
kuptojnë ne se ku ndahet e vërteta nga e pavërteta? Sepse një e vërtetë për ca
është e pavërtetë dhe një e pavërtetë për ca të tjerë është e vërtetë. A mund
të zgjidhjet kjo?
Rikthehemi sërish
te Kamy...
-Jo, jo, jo, jo,
jo... Me gjasa po vazhduam të filozofojmë nuk do na lexojë më njeri as edhe një
rresht.
Gjithsesi, Kamy
ishte shumë përpara nesh në perceptimin e tij mbi të vërtetën absurde. Sepse
njeriu i thjeshtë, vetëm sot, në vitet e shpërthimit të teknologjisë së lartë,
po e kupton që jeton në një matriks. Dhe e vërteta apo e pavërteta, qoftë dhe
në një lojë televizive, gjithsesi mbetet një lojë.
Sot, gjithçka
është me skenar. Gjithçka është kthyer në stimul për një klikim. Nuk ka asgjë
të vërtetë. Sepse gjithçka përcaktohet nga të tjerë: që ka mundësinë ekstreme
të jetë pas një ordinatori të fuqishëm ku lëviz jetët tona. Ndërkohë që të vërtetat dhe të pavërtetat
janë dy forca që ndikojnë thellësisht në mënyrën se si e perceptojmë botën dhe
si ndërveprojmë me të.
Specialistët e
basteve të futbollit prej kohësh kanë arritur në përfundimin se të gjitha
ndeshjet që luhen në kampionate të rëndësishme, - dhe jo vetëm, - janë të
trukuara. Dihet sa do dalë rezultati dhe në çfarë minute do të bëhen golat e
mundshëm. Këtu nuk përfillen vetëm kalçetot. Puna është thjesht t’i biesh në
kokë trukimit, sepse sado të mundohesh të kalkulosh, asnjëherë nuk ke për ta
kuptuar se përse u bë goli atëherë kur nuk duhej dhe përse humbi një skuadër
matematikisht e pamundur të humbte.
Dhe tani imagjino
çfarë ndodh me njerëzit që kanë bërë kalkulime se kush do fitonte një spektakël
televiziv? Në një spektakël ku bëheshin gola nga porta në portë, e ku thuheshin
gjithfarë marrinash për mikun-armik, vetëm për të kapur prajmin.
Çfarë do të thotë:
me kap prajmin?
Shumë e thjeshtë:
me dal në televizor.
No comments:
Post a Comment