Thursday, May 30, 2024

Në Shkodër e Lezhë, një turr relaksues mes vendesh të paqta

Shënime udhëtimi
 

 
 Nga Leonard Veizi
 
Terminologjia të bën të ditur se çdokush prej nesh e meriton emrin “turist”, nëse ka ecur me makinë apo biçikletë, 40 kilometra larg rezidencës ku ha mëngjesin dhe darkën e ku shtrihesh për të fjetur. Pra ne të gjithë jemi turistë, edhe kur nuk kemi marrë mundimin të kapërcejmë kufirin me pasaportë të rregullt biometrike, Kjo do të thonë se nëse nisesh nga Tirana dhe mbërrin në Elbasan apo në Durrës, nuk je turist, pasi bën më pak se 40 kilometra rrugë, por nëse shkon në Shkodër trajtimi për ty që vjen nga Tirana duket të jetë i barabartë me atë që vjen nga Roma apo nga Londra, dhe pse ti në fund të fundit je shqiptar dhe si në Tiranë si në Shkodër, mbetesh në shtëpinë tënde. Por terminologjia nuk bën dallime...
 
 ...Marr rrugën për në qytetin më të madh të Veriut të Shqipërisë politike. Qëllimi parësor është të kaloj një ditë pushimi në vende të paqta. Dhe me këtë rast të mbaj dhe disa shënime të thjeshta, që prej kohësh i kam grupuar nën logon “Shënime udhëtimi”
 
Në Shkodër
Nga hotel 15 katëshi i Tiranës deri tek hotel Rozafa e Shkodrës, Google Maps, të informon se ka një hapësirë ndarëse rrugore me një gjatësi prej 103 kilometrash, të cilët përshkohen për një kohë mesatare prej 1 orë e 50 minutash, nëse do të kalosh nga qyteti i Vorës. Por nëse do të zgjedhësh rrugën që kalon përmes bashkisë së Kamzës janë 95,7 kilometra ku udhëtimit i shkurtohen gati 8 kilometra dhe i shtohen 3 minuta në kohë, pasi Google thotë se kjo distancë përshkohet mesatarisht për 1 orë e 53 minuta.
Rruga përgjithësisht është e mirë, duke hequr faktin se aty këtu, segmenti që kalon përmes Fushë Krujës e Laçit, do të ndeshësh në parakalime spektakolare që dhe mund të kthehen në precedent. Por si ke lënë mënjanë dhe Lezhën, futësh në një rrugë piktoreske, më të qetë nga trafiku, e pa spektakël parakalimesh, që të çon në kryeqendrën e Veriut.
Kalon mbi urën e Bahçallëkut dhe përgatitesh për të hyrë në Shkodër. Nëse ndalesh diku aty pranë do të shohësh se pikërisht pranë urës së Bahçallëkut lumi Drin bashkohet me Kirin dhe vetëm pak më poshtë ujërat e dy lumenjve shkrihen me ato të Bunës. Vetë Buna është lumi më i gjerë në Shqipëri i cili buron nga Liqeni i Shkodrës dhe pas një vrapi prej 44 kilometrash derdhet në Adriatik.
Por meqë në hyrje të qytetit në një lartësi prej 130 metra mbi nivelin e detit, ngrihet Kalaja e Rozafës, e mira është të bësh një vizitë në këtë tempull të lashtësisë që i përket po aq dhe mesjetës e që është përdorur për mbrojtje nga sulmet e jashtme. Sepse në kohët moderne është thjesht një objekt historik e turistik.
Për të shkuar drejt portës kryesore të kalasë, e mira është të marrësh kthesën e parë pasi ke kaluar mbi urën e Bunës, dhe të kalosh nëpër lagjen e Qafës, që është dhe Lagjja më e vjetër e Shkodrës. Nga bedenat e Rozafës pamja është mahnitëse. Vetë qyteti i Shkodrës ndodhet vetëm 16 metra mbi nivelin e detit.
Materialet enciklopedike thonë se “Skodra” është emri i qytetit i cili është hasur qysh në lashtësi në formën, “Scodaris”. Më pas erdhi në latinisht “Scutarum”, e më pas emri u përshtat në italisht si “Scutari”.
Në rrethrrotullimin e dytë, aty ku mendohet së është porta e qytetit, ka marrë jetë një instalacion “alla Rama” një çelës i ndryshkur, që zor se hap portën e qytetit, jo për shkak të ndryshkut, por për shkak të deformimit të tij që të krijon idenë e një gunge deveje.
Në brendësi të qytetit turistët janë të dukshëm. Ata shëtisin nëpër nëpër rrugë ndërsa autobusët që i presin pengojnë trafikun. Por shumë shkodranë e kanë zgjidhur prej kohësh problematikën, pasi u hipin biçikletave.
Pedonalja e Shkodrës me ndërtesat e vjetra e karakteristike, është një atraksion më vete. Dhe një kafe shijon në ekstrem.
 
Në Shirokë
Për drekë zgjedh të shkoj në periferi. Nga qendra e Shkodrës për në pikën turistike të Shirokës janë 8.4 kilometra të cilat përshkohen për rreth 18 minuta. Kalon mbi urën e Bunës. Tabela blu me germa të bardha të orienton. Nëse do të shkosh në Shirokë e Zogaj, duhet të kthehesh nga e djathta, por në qoftë se destinacioni është pika doganore e Muriaqanit, që të çon në Malin e Zi, duhet të marrësh majtas. Marr nga e djathta.
Për pak minuta mbërrij në destinacion. Autobusët me turistë duket sikur kanë mbirë ngado.
Në molin e Shirokës, turistët hipin mbi anijet e vogla që të shëtisin nëpër ujërat e Liqenit.
Kjo zonë ka një vijë ujore me gjatësi rreth 14.5 km, nga e cila rreth 10 km ka breg shkëmbor dhe 4.5 km fushor. Enciklopedia të informon se fauna ujore ofron rreth 65 lloje peshqish. Por dihet, më të famshmit janë: krapi, karasi e gjuca. Ndaj nuk mund të ikësh nga Shiroka pa shijuar një drekë ku gatimi tradicional mbetet tava e krapit që të bën të lëpish gishtat, ose në rastin më të mirë të ngjyesh me bukë fundin e tavës prej balte, apo tjegullës, ku është gatuar.
 
Në Lezhë
Si ke marrë adrenalinën e munguar buzë liqenit të Shkodrës, merr rrugën e kthimit. Dhe rrugës ndalesh për një kafe në Lezhë.
Mes dy qendrave të Tiranës dhe Lezhës, nëse do të udhëtosh nga Vora, është një distancë prej 66.3 kilometrash, që me një shpejtësi mesatare të përllogaritur nga Google, duhet të udhëtosh për një kohë prej 1 orë dhe 12 minuta. Ndërsa versioni i dytë, ku rruga kalon mes për mes Kamzës, edhe pse distanca është më e shkurtër pra vetëm 59.1 kilometra, udhëtimi zgjat në 1 orë e 15 minuta. Dhe kjo padyshim ka të bëjë me trafikun.
Lezha nuk është qytet bregdetar por është rreth bregdetar gjithsesi. Bregu i Adriatikut ndodhet jo më shumë se 8 km.
Emri i tij “Lisso” e “Lissus”, mendohet se janë ngjyrim linguistik i emrit të vjetër ilir “Lisi”. cilësohet si "Lissitan"
Mes përmes Lezhës kalon dhe lumi Drin.
Kalaja e Lezhës që ndodhet në pikën më dominuese të zonës njihej me emrin Kështjella e Elisonit. Ngritur mbi themelet e Akropolit antik, fillimi i ndërtimit të saj i përket shekullit të 8-të. Pas restaurimit të themeleve të Kalasë Mesjetare në vitin 2002 u vu re se trashësia e mureve arrinte deri në 4.30 m, nga 3.50m trashësi që mendohej të ishte më parë. Deri më sot janë zbuluar 12-porta dhe 48-kulla mbrojtëse.
Një tjetër atraksion i rëndësishëm i qytetit është Vendvarrimi i Skënderbeut. Ansambli është ndërtuar mbi kishën e Shën Kollit, aty ku në vitin 1468 u varros Gjergj Kastrioti. Ajo që shihet tani nuk ka të bëjë me ndërtesën e dikurshme të shekullit XV. Pasi me 1478 turqit pushtuan qytetin e Lezhës shkatërruan varrin e Gjergj Kastriotit. Po memoriali në nder të kryeheroit shqiptar u ndërtua në vitin 1981.
 
Në Shëngjin
Google Maps të tregon se janë 70 kilometra nga Tirana në Shëngjin që përshkohen për 1 orë e 14 minuta, gjithmonë nëse kalon nga Vora. Por nëse preferon të udhëtosh nga Kamza distanca është 63.1 kilometra dhe kohëzgjatja e udhëtimit është po njëlloj 1 orë e 14 minuta.
Nga Shkodra në Shëngjin distanca është 44.1 kilometra që përshkohen për 48 minuta
Por nga Lezha në Shëngjin janë 7.4 kilometra që përshkohen për 12 minuta.
Qyteti dallohet për portin e tij dhe për plazhin e gjerë, por dhe për bazën ushtarako-detare e instaluar në Bisht Pallë. Pra rrethi i Lezhës ka pasur dy nga njësitë më të veçanta të ushtrisë shqiptare seç janë repartet elitë të aviacionit dhe të marinës, pa përmendur këtu forcat tokësorë dhe instalimi i njësive të tankeve dhe artilerisë së rëndë.
 
Në Tiranë
Itinerari i kthimit nuk është fort zbavitës, sidomos në segmentet rrugore ku bëhen punime ka trafik të rënduar. Si kalon Fushë Krujën, kthehesh majtas për në Aeroport, dhe si ke kaluar rrethrrotullimin ku është vendosur shtatorja e Nënë Terezës, merr rrugën për në Tiranë ku nuk të mbeten më shumë se 20 minuta rrugë nëse në trafik nuk është lëshuar lumi i makinave që vijnë nga përtej mbikalimit të Rinasit.

No comments:

Post a Comment