Showing posts with label Roman. Show all posts
Showing posts with label Roman. Show all posts

Sunday, May 26, 2019

DEMONTIMI - fragment nga romani "Rrënimi" botuar në "Milosao"


Autori përcjell ngjarje mirëfilli dokumentare të përziera me fikshënin. Një vrojtues i kujdesshëm i zhvillimeve të vendit, ai është munduar ta hedhë në letërsi gjithçka që ka kaluar në vendin tonë në këto kohë... 
 (shënim i redaksisë)


D E M O N T I M I 

Nga Leonard Veizi

(fragment nga romani Rrënimi)

Kolonel Ernest Arbana, u informua se kontingjenti i armëve dhe municioneve për të cilën ai kishte firmosur se duhet të dilnin nga qarkullimi dhe të demontoheshin, kishin dalë nga depo me numrin 34 e Armatës në Qafë Mollë. Autokolona me tre kamionë ushtarak e shoqëruar nga ushtarët të armatosur ishte duke udhëtuar drejt destinacionit. Dy përfaqësues civilë të kompanisë “Destruction Army” shoqëronin autokolonën duke udhëtuar mbi një “Hammer” që ishte në gjendje të përballonte rrugët e paasfaltuara të cilat të çonin në depot e largëta ku ruhej armatimi.
Major Bardhyli që doli nga zyra e tij ishte një nga ekspertët më të mirë në fushën e armatimit. Ai ishte nga të paktët ushtarakë që njihte me saktësi të gjitha tunelet e ushtrisë. Që në fillim të ngritjes së zyrës, e cila do të funksiononte nën emërtesën “Komisioni i Vlerësimit të Armatimit” ai propozoi që të merrte si ndihmës dhe krahun e tij të djathtë edhe majorin. Sapo mbaruan mbledhjen e parë dhe zbritën shkallët e ministrisë majori iu afrua dhe i tha në mënyrë miqësore: “Kemi shumë punë për të bërë shef! Dhe nuk di a do t’ia dalim. Demontimi ka një kosto shumë të lartë, të papërballueshme për shtetin tonë”. Koloneli, që dinte gjëra të përgjithshme mbi sasinë e municioneve e kishte pyetur: “Pse e sheh kaq të vështirë, sa municione kemi ne?” Atëherë majori Bardhyli i kishte thënë se mund të bënin një llogari të thjeshtë e pa laps, ndaj po e informonte paraprakisht se depo municioni të të gjitha kalibrave, kishin batalionet, brigadat divizionet, armatat dhe rezervat e Komandës së Përgjithshme. “Llogarinë bëjeni vetë¨, i kishte thënë majori pasi foli me shifra për çdo detaj e duke dhënë sasinë e municioneve që duhet të kishte çdo njësi e ushtrisë. Koloneli kishte ngrysur ballin “Kaq shumë?” kishte shprehur dyshimin e tij. “Natyrisht, – ia kishte kthyer majori, – dhe deri tani kemi folur për njësitë e këmbësorisë dhe artilerinë. Por nuk kam futur regjimentet e raketave tokë-ajër, silurët e nëndetëseve dhe të katrave, bombat e thellësisë dhe minat detare, si dhe raketat e drejtuara të aviacionit”. Koloneli, ngaqë nuk dinte ç’të bënte kishte rregulluar strehën e kapelës duke e ulur më shumë nën ballë. Sytë gati nuk i dukeshin. “Domethënë ne do dalim në pension dhe punën do t’ua lemë të tjerëve për ta përfunduar” i kishte thënë. “Kam frikë se po, – ia kishte kthyer majori. – Shqipëria vazhdon të jetë një depo municioni në Ballkan. Mund të furnizojmë gjysmën e botës me to”.

“Hëm”, nënqeshi hidhur kolonel Arbana.
Kishin kaluar disa vite dhe sasia e municionit të demontuar vazhdonte të ishte e vogël përpara asaj që flinte në thellësi të tuneleve. Mbi tavolinën e tij të punës kishte gjithashtu një raport të hollësishëm, ku flitej për sasinë e arsenalit që ndodhej në çdo depo të ushtrisë. Nga eprorët kërkoheshin vetëm raportet e demontimit, por në asnjë shkresë të dërguar prej tyre nuk flitej për ripërtëritjen e armatimit. Uzinat ushtarake të armatimit në Gramsh dhe Poliçan si dhe ajo e lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit kishin ndërprerë prodhimin prej kohësh. Qëllimi kryesor ishte të mbahej në mënyrë efektive një kontingjent i mjaftueshëm armatimi. Kuadri i ushtrisë gjithashtu ishte zvogëluar vit pas viti. “Nuk i trembemi më luftës”, mendoi koloneli. “Po jetojmë epokën e paqes”. Ai vetë kishte arritur të luftonte, por shumë nga kolegët e tij, as që e dinin çfarë ishte lufta. Kishin shërbyer për vite të tëra në ushtri, por lufta për ta kishte qenë vetëm një stërvitje shtabi në hartë, ku në përfundim të betejës si fituesi dhe ai që kishte humbur shkonin të pinin së bashku kafe. Ndërsa atij, si pak të tjerëve në ushtrinë shqiptare, fati ia kishte rezervuar luftën.

***
Kishin kaluar disa vite që kur shqiptarët e Kosovës ishte përfshirë në konflikt me ushtrinë serbe. Asokohe në Tiranë situata ishte tensionuar së tepërmi. Lajmet që vinin nga Prishtina ishin të kobshme. Policia kishte krehur terrenin në një spastrimin etnik të pabesueshëm. Plan i hartuar në institucionet më të larta të Beogradit kishte qëllime më të errëta se kaq. Si në një legjendë të vjetër thuhej se njerëzit po linin shtëpitë dhe tokat e tyre, ndërsa vetëm me rrobat e trupit kalonin kufirin për të gjetur mbrojtje. Komandantët e njësive të ushtrisë shqiptare njoftoheshin për gjithçka me anë të një qarkoreje të brendshme. Lufta ishte në prag. Kronikat televizive që transmetoheshin nga televizionet e huaja flisnin për paramilitarët serb që vazhdonin masakrat mbi civilët shqiptarë edhe pse avionët F-16 të Aleancës së Atlantikut demonstruan forcë duke fluturuar fare ulët mbi të gjithë trevën. Në portin e Durrësit gjithashtu kishin hyrë dhe dalë anije të rënda lufte, fregata dhe destrojerë. Mesazhet ishin të njëjta. Por duket se dhe kërcënimi nga një gjeneral me katër yje, për luftë të hapur me trupat shumëkombëshe, nuk kishte funksionuar. Në kufirin shqiptar situata gjithashtu ishte tensionuar. Predhat e artilerisë kishin hapur gropa të mëdha ndërsa herë pas here shpërthenin dhe mina. Divizioni i Kukësit kishte nxjerrë në terren të gjithë arsenalin luftarak. Ushtarët qëndronin nëpër transhe. Nën armë ishin thirrur dhe rezervistët.
Në një prej raporteve sekrete që iu shpërnda komandantëve të njësive më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare thuhej se armata jugosllave kishte dislokuar në Kosovë njësi të fuqishme tankesh, transportues të blinduar dhe artileri të kalibrit të rëndë. Pas planifikimit të Shtatmadhorisë në Tiranë nisi lëvizja e njësive të tjera të ushtrisë në drejtim të kufirit. Urdhri aktivizoi repartet në vartësi të drejtpërdrejtë të Komandës së Përgjithshme, për t’i shkuar në ndihmë Divizionit të Kukësit. Në një kohë të shkurtër lëvizën drejt Veriut për të mbështetur kufirin njësitë e specializuara: Brigada “Komando”, Brigada e Mekanizuar, batalione të forcave speciale, Regjimenti i Policisë Ushtarake, reparte të Brigadës Xheniere, Brigadës së Ndërlidhjes, Brigada e Transportit Ushtarak dhe elementë të tjerë logjistik.

Qysh në fillim kolonel Ernest Arbana ndihej në ethe. Lufta kishte nisur por ai ende qëndronte në pritje. Atë mëngjes kur e thirrën në Shtabin e Përgjithshëm për t’i ngarkuar detyrën, e kishte përfshirë një emocion i papërshkrueshëm. Artileria e ushtrisë jugosllave kishte bombarduar në thellësi të tokave të Tropojës dhe Hasit, ndaj dhe ai do të nisej drejt kufirit në krye të brigadës së tankeve.

“Një batalion i ushtrisë serbe të mbështetur nga mjete të blinduara, kanë pushtuar postën kufitare të Kamenicës dhe atë të Padeshit në Tropojë. Trupat janë futur rreth në thellësi të territorit shqiptar. Brigada e tankeve duhet t’i shkojë menjëherë në ndihmë. Pas teje do të nisen edhe njësitë e tjera”, e kishte sqaruar Shefi Shtabit që mbante spaletat e Gjeneral-Leitnantit mbi supe. Vështrimi i kolonelit kapi helmetën metalike që Shefi i Shtabit kishte vendosur në tavolinën e tij të punës, pranë telefonit. Me sa dukej gjenerali do të shkonte të inspektonte trupat në terren. Zhurma e helikës së një helikopteri u ndie në ajër. Kolonel Ernest Arbana qëndronte gati t’u në pritje të urdhrave të tjerë. “Të rivendoset situata në kufi”, kishte urdhëruar gjenerali në fund. “Si urdhëron” ishin të vetmet fjalë që kishte thënë në zyrën e madhe të shtabit, ku drejtuesit e njësive të tjera të ushtrisë ishin mbledhur rrethe një harte të madhe që ishte shtruar mbi tavolinën e mbledhjeve. Kolonel Ernest Arbana nuk kishte pritur asnjë çast më shumë. Kishte dhënë alarmin me telefon dhe kishte hipur në makinën ushtarake tip “Shavrolet” për të shkuar me një shpejtësi marramendëse drejt tuneleve ku ishin strehuar tanket. Autokolona e transportierëve “Volvo” ishte nisur në kohë rekord. Kolonel Arbana ndihej i motivuar. Streha e kapelës që qëndronte poshtë ballit ia bënte edhe më të egër vështrimin. “Nisemi për luftë, – thirri ai me një zë imponues para efektivit të brigadës që qëndronte gati-tu. – Të gjithë në front. Kush vritet është dëshmor i Atdheut. Dezertorët pushkatohen”. E kishte pritur një ditë të tillë që vite më parë kur ishte oficer i ri. Karriera e tij ishte e mbushur me stërvitje trupash, qitje në poligone, por situatë lufte nuk kishte pasur asnjëherë. Nuk kishte rëndësi në vritej në kufi. Kjo ishte gjëja e fundit që mendonte. Ndërkohë, në një bisedë të shkurtër me gruan e tij i kishte thënë që të mos e priste. Ai po shkonte të mbronte kufirin. Por, ndërsa ajo qante nën zë duke i kujtuar fëmijët ai ishte menduar vetëm për një sekondë dhe i kishte premtuar me një zë të plotë: Mos ki frikë për mua, kujdesu për fëmijët. Unë do të kthehem.
-Eh lufta… – psherëtiu koloneli.
Tashmë zyra e tij e madhe në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kishte asgjë të përbashkët me çadrën e fushimit që kishin ngritur fare pranë kufirit.
Ngriti kokën në tavan dhe si vështroi për pak sekonda abazhurin e varur, e uli shikimin mbi tavolinë. Ndihej bosh, si një objekt në ajër. I dha hov me forcë këmbës së djathtë dhe poltroni bëri një rrotullim të plotë. Sërish u ndje si një trup pa pikë mbështetje. Sapo rrotullimi ndali vuri duart mbi syprinën e tavolinës dhe nisi të godasë me gishta si të luante muzikë mbi tastierë.
Ishte mësuar me fishkëllimën e predhave që çanin ajrin, me shpërthimin e minave kundër tank dhe qitjet e vazhdueshme të mitralozave që krijonin perdet e zjarrit kundër aviacionit. Megjithëse dukej si kohë e largët, imazhet i shfaqeshin në kujtesë çdo ditë, madje dhe kur i vinte gjumë e lëkundej në poltronin e rehatshëm pranë tavolinës ngjyrë vishnje të errët, nga ku ndiente vetëm gumëzhitjen e ëmbël të kondicionerit që pastronte ajrin. Nuk ishte e nevojshme të lodhej shumë sepse çdo punë të rëndomtë që kishte të bënte me printime shkresash, fotokopjime dhe gërmime në arkiva, në vend të një adjutanti, ia mbaronte sekretarja që hynte e dilte vazhdimisht duke i raportuar se urdhrat që kishte dhënë ishin zbatuar, ndërsa nga frigoriferi me derë xhami që e kishte vetëm dy metra larg, kishte pije freskuese dhe kafe të gatshme. Ky komoditet e dembelos një ushtarak, kishte menduar atëherë kur ishte futur për herë të parë në atë zyrë.
Koloneli ndjeu në hundë erën e djegur të fasuleve dhe stomaku iu mblodh. Mendoi se kishte ardhur koha për të ngrënë diçka. Në barin e ministrisë mund të porosiste një omëletë me proshutë. Por gjithsesi kjo meny nuk kishte për t’ia hequr nga hundët erën e fasuleve të djegura. Pa orën. Ishte ende shpejt.
U përqendrua sërish të lexonte raportin që kishte përgatitur grupi i ekspertëve ku flitej me shifra mbi arsenalin e armatimit që vazhdonte të deklasifikohej prej depove të ushtrisë.

Botuan në:
http://www.gsh.al/2019/05/26/demontimi/

Monday, July 23, 2018

“Rrënimi”, një tornado letrare nga Leonard Veizi

Leonard Veizi dhe Abdullah Zeneli
Mund të konsiderohet dhe si një tornado letrare. Shkrimtari i njohur Leonard Veizi, 3 vjet pas suksesit të romanit “Lora” këtë herë vjen me një roman të ri prej 320 faqesh, të quajtur “Rrënimi”.
Ngrehina e një shteti që gërryhet çdo ditë nga korrupsioni, trafiqet e paligjshme dhe politikat e mbrapshta. Kjo është në themelin e këtij romani të cilën shtëpia botuese “Buzuku” sapo e ka hedhur në qarkullim. Karaktere të gdhendura deri në imtësi, egoistë të shfrenuar, prapaskena dhe porosi për ekzekutime mafioze. Këto, dhe të tjera më shumë se kaq, na vijnë në faqet e romanit “Rrënimi”, në formën e një reviste, ku gjatë shfletimit mund të shohësh si në fotografi të stampuara, të gjithë tranzicionin e shëmtuar që shqiptarët përjetojnë prej vitesh.
Dhe nëse një ushtarak përpëlitet në zyrën e tij të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi ka firmosur marrëveshje të dyshimta që kanë të bëjnë me demontimin e armëve dhe shitjen e tyre, një oficer i shërbimit sekret bën lojë të dyfishtë, dhe një gazetar mundohet të bëjë detyrën duke shpërthyer në faqen e parë skandalin e radhës, kemi dhe një ekzekutor me pagesë që është i gatshëm të ndërhyjë kudo për të mbyllur gojën e atij që tenton ta hapi. Nga ana tjetër, pa kërcënime dhe pa armë dhe, një punonjës banke që pas ordinatorit të tij, qarkullon në mënyrë të paligjshme miliona dollarë, duke qenë në këtë mënyrë po aq kriminel sa dhe ekzekutori me pagesë. Dhe në gjithë këtë ferr mardhëniesh ku sundon paraja e pistë, kemi dhe disa histori dashurish, flirte e tradhti imagjinare që e bëjnë romanin në vetvete më atraktiv e të lexueshëm.
Romani përfundon tragjikisht me hedhjen në erë të një ndërtese gjigante ku kriminelët që nuk pyesin për askënd, veç parave të tyre, kërkojnë të mbulojnë gjurmët e një tregtie të madhe armësh. Nga kjo situatë mbeten të vdekur dhe dy persona të tjerë në dy vende të ndryshme. Por për më shumë se kaq duhet lexuar “Rrënimi”.
“Personazhe të një shoqërie në tranzicion. Ngarendje drejt parasë, karrierës, ëndrrave e realitetit jo gjithnjë nga ç’ofron zhvillimi i hovshëm. Një gjuhë përmasash epike.” Kështu do ta përkufizojë romanin “Rrëfimi”, që në kopertinën e tij, Abdullah Zeneli, presidenti i  shtëpisë botuese prestigjioze “Buzuku” me zyrë në Prishtinë.
Ngjarjet në roman janë të mprehta. Ato janë vendosur gjerësisht në territorin shqiptar. Që në fillim autori paralajmëron me frazën e tij se: Çdo ngjashmëri me personazhe, vende dhe ngjarje reale është rastësi. Ndërkohë që të gjitha fenomenet e shkruara në faqet e këtij romani janë produkt i një shoqërie në tranzicion, tipike e shoqërisë shqiptare.
“Rrënimi” është një roman me një mori personazhesh, numri i të cilëve shkon në gati 80. Gjithashtu romani përmban 9 linja, të cilat duket se zhvillohen në mënyrë të pavarura nga njëra-tjetra, por që pak nga pak lidhen, për t’i çuar ngjarjet drejt një pike të vetme. 

Monday, June 25, 2018

Zbrazëtina


nga Leonard VEIZI

Title:           Zbrazëtina - tregime
Author:       Leonard Veizi
Editor:         Zimo Krutaj
Publisher:    Botimet "Logoreci", 2006
ISBN:         ISBN: 99943-869-9-9
Length:       142 pages

Monotonia në dhomën time nisi që herët në mëngjes, kur sapo isha zgjuar nga një gjumë i pakuptimtë dhe kur hapa sytë, përfundimisht ndjeva një zbrazëti të thellë në shpirt. Zbrazëtia ishte në të gjithë qënien time. Më dukej sikur s’kisha organe, as gjak që lëviste me shpejtësi nëpër damarë dhe zemra më punonte aq ngadalë saqë unë s’i ndieja më goditjet e saj. Isha si në një gjendje kome, ose diçkaje të përafërt që unë si vija dot emër. Në kokë nuk më lëvizte asnjë mendim dhe unë nuk sforcohesha për të menduar diçka. S’kisha asnjë arsye se përse më duhej të mendohesha, përse duhej të vrisja mendjen për gjëra të mundimshme, e aq më tepër të gëzohesha, a të kisha qoftë dhe një diçka të vogël nga e cila të më krijohej një grimasë e lehtë buzëqeshjeje. Ndoshta vetëm nga një sforcim i tillë do të fillonte më pas të mbushej ai boshllëk  i thellë.
Pas promovimit te vëllimit "I dënuar me vdekjen"
Dhoma ishte e zbrazët dhe e zymtë e asnjë zhurmë e dyshimtë nuk më bënte të përqëndroja vëmendjen time të shpërqëndruar andej nga lëvizte diçka. Asnjë tingull muzike i ardhur nga ndonjë aertopalant i largët radioje, dhe as zëri i ndonjë folësi që informonte mbi lajmet e fundit të ditës. Për më tepër nuk ndihej as fëshfërima e erës nëpër gjethet e pemëve dhe as zukatja e ndonjë mize që mund të kishte hyrë tinëz në dhomën time. Ishte një qetësi e padurueshme, por që gjithsesi nuk më krijonte asnjë shqetësim.
Nga dritarja e dhomës ndriçimi hynte i pakët nëpër katrorin e xhamtë, si midis një kaosi të pajetë ku drita dhe errësira vazhdonin të përlesheshin diku tej në horizontin e mugët. Dita e vranët dhe shpirti i zbrazët… Ky ishte mendimi i vetëm që më vinte në kokë i plotë dhe pse në fakt unë nuk e dija se si ishte koha jashtë. E megjithatë e ndieja. E kuptoja. Ishte vetë gjendja ime shpirtërore që ma tregonte këtë. Çuditërisht shpirti dhe koha kishin gjithmonë të njëjtat paralele. Ishin binjake të njëra-tjetrës dhe në të njëjtën kohë kundërshtare ishin sërish me njëra-tjetrën. Ose ndoshta vetëm më dukej kështu. Megjithatë ishte kjo ndjesi që më thoshte se ato e donin dhe e kundërshtonin njëra-tjetrën pa reshtur. Ishte një luftë e heshtur, por e thellë, deri në pambarim.




Fragment nga tregimi "Zbrazëtina" i përmbledhjes: “I dënuar me vdekjen”


-----------------------------------------------------------------------------------------------------------
Bibliographic information

Title:           Rrëfimi - roman
Author:       Leonard Veizi
Editor:         Klejda Plangarica
Publisher:    Botimet "Bota Shqiptare", 2010
ISBN:         987-99956-11-61-3
Length:       188 pages


- Ai ndodhet këtu dhe ndoshta shpirti i tij ka kohë që na dëgjon, - tha vajza dhe vuri sërish dorën mbi pllakën e varrit. - Me siguri është pranë meje. Dhe ndoshta kërkon të më thotë diçka, por nuk mundet dot. Ndoshta kërkon të më thotë se nuk e meritoja dashurinë e tij dhe se e shpërdorova keq atë. Mund të dojë të më thotë shumë gjëra të tjera. Por unë do të doja të më thoshte se më kishte falur dhe se më donte sërish si më parë, ndoshta më fort, sepse u bë kaq kohë që s’jemi pranë njëri-tjetrit.
Ktheva kokën andej nga duhej të ishte fotografia e tij. Por ishte shumë errët për ta shquar. Në atë çast, mendova se, edhe pse e kërkonte, ajo e dinte fare mirë që s’mund të merrte asnjë përgjigje.
- Sa e ndiej mungesën e tij, - psherëtiu. - Oh, nuk di ç’të them. Tani është vonë dhe me siguri të mërzita me të gjitha këto që të tregova. Ndoshta ti s’kishe nevojë për këtë dramë, por bëre mirë që më dëgjove. U lehtësova. Doja t’ia tregoja dikujt të gjitha këto, t’i dëgjonte edhe ai... dhe le të vendosë vetë se ç’duhet të bëjë me mua. Të më falë, apo të më urrejë përjetësisht.
Ajo heshti pak.
- Mbaruam, - tha.
Unë nuk dija çfarë t’i thosha. Për herë të parë, gjatë gjithë asaj kohe, mendova se historia kishte mbaruar shumë shpejt.
- Tani u bë vërtet vonë dhe unë kam rrugë të gjatë për të bërë, - foli ajo pas heshtjes sime dyshuese. - Më duhet të iki.
Unë sikur u zgjova nga një topitje që më kish bllokuar të gjithin.
- Ku do të ikësh? - e pyeta me gjysmë zëri.
- Larg, shumë larg, - tha ajo me një zë të humbur. - Atje ku askush të mos e dijë se kush jam. Atje ku të mos më gjejë më asnjeri nga ata që më njohin.
E kuptova se ajo kishte nevojë për t’u larguar. Për të qenë sa më larg njerëzve që e njihnin. Ajo nuk donte të ishte më e pranishme në një vend ku nuk e donin më.
- Domethënë po zhdukesh? - pyeta unë.
- Ty mund të të duket kështu. Në fakt, unë po largohem. Dua të harroj gjithçka. Nëse vërtet do, mund të harrosh, sigurisht.
- Ndoshta ke të drejtë.
Ne ishim ngritur të dy në këmbë.
- Ti je një djalë shumë i mirë, - tha ajo dhe më vuri dorën në faqe. - Më durove në gjithçka që të tregova. Do të ishe një mik i mirë për mua. Por këtu, rrugët tona ndahen. Lamtumirë!
- Po ikën vërtet? - e pyeta sërish me gjysmë zëri.
- Po iki, - tha ajo. - Natën e mirë.
Zëri u tret ngadalë nëpër natë. Pastaj asgjë.
- Natën e...
Isha aq i hutuar, sa s’e kuptova se si u zhduk ashtu në errësirë, duke më lënë të vetëm, pa mundur t’i thosha më asgjë. Përreth ishte terr. Qiriu që kisha ndezur kishte kohë që ishte fikur. Nuk orientohesha dot dhe s’dija se si do të dilja nga varrezat. Eca kuturu nëpër errësirë duke u penguar vazhdimisht. Koka më ishte rënduar. Mendoja vazhdimisht për historinë e asaj vajze, që u zhduk në errësirën e natës. Papritur, pashë dritat e rrugës dhe u lehtësova disi. Ishin vërtet larg, por, të paktën, e kisha një pikë orientimi për të dalë nga errësira e një varreze të shkretë. “Duhet të iki”, - thashë me vete. Të ikja dhe të mos mendoja më për asgjë. Më duhet të harroja gjithçka, ta fshija nga kujtesa të gjithë këtë histori. Të mos ia tregoja askujt se ç’më ndodhi atë natë të errët, në mes të një qyteti me njerëz të vdekur. Historia e një njeriu misterioz duhet të mbeste aty, në varreza. Bashkë me të, edhe historia e asaj vajze, pa fytyrë e pa emër, por vetëm me një zë, të cilin unë do mund ta dalloja pa vështirësi, mes mijëra të tjerësh.
Dhe teksa shpejtoja për tek dritat anës së rrugës, mendova, me një lehtësim të çuditshëm, se kjo histori nuk ekzistonte. Nuk ekzistonte ajo, femra misterioze që më kish rrëfyer vetveten. Nuk ekzistonte historia e saj e dashurisë dhe as vdekja vetë. Madje, nuk ekzistonte as ai ankth i hirtë që kishte rënduar mbi mua me tërë peshën e tij. Gjithçka duhet të kishte qenë një lojë me trurin tim. Një ëndërr, apo një pasëndërr, vazhdim i asaj që kisha parë një natë më parë.
Ngadalë, një qetësi e beftë më pushtoi të tërin, teksa rendja e rendja ndanë rrugës që të nxirrte përtej...


Fragment nga romani: “Rrëfimi”
------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Bibliographic information

Title:           I çmenduri i pavijonit 3 - roman
Author:       Leonard Veizi
Editor:         Loredan Bubani
Publisher:    Botimet "Omsca-1", 2012
ISBN:         978-9928-132-08-6
Length:       288 pages



Udhëheqësi i temës së specializimit tim, një mjek i vjetër e me përvojë më pat thënë se puna në spitalin psikiatrik nuk ishte fort e lehtë, ndaj duhet të isha i përgatitur për t’u ndeshur me më të keqen. Që ta përballoja atë, fillimisht duhej të isha i qartë dhe i qetë me veten time. Më pas vinin të tjerat. “Duhet ta dish se njerëzit me probleme mendore sa vinë e shtohen. Truri i tyre pëson deformime të çuditshme. Është koha që pjell të tillë qenie dhe të tilla simptoma”. Këto ishin fjalët dëshpëruese që më pati thënë ai teksa ishim duke pirë kafen e fundit, menjëherë pasi hodhi firmën mbi certifikatën e specializimit tim. Pastaj, në mirëbesim, më tregoi marrinë e fundit që kishte bërë sipas tij; i kishte shkruar një letër Ministrit të Shëndetësisë, ku i shpjegonte hollësisht se dy vitet e fundit kishte diagnostikuar si të sëmurë me probleme psikike, pesë herë më tepër qenie humane se sa njëzet vjet më parë. Dhe kjo nuk ishte një shifër në ajër, por e mbështetur në statistikat e një pune të mirëfilltë shkencore. Për pasojë të shtimit të pacientëve të tillë, politikat shtetërore në pamundësi të frenimit të tyre, të paktën duhet t’i linin hapësirë rehabilitimit. Pra thënë shkurt, duheshin ndërtuar disa qendra të reja trajtimi. Por duheshin specializuar dhe më shumë mjekë. Ndoshta duhej ndërtuar dhe një spital tjetër, shumë më i madh se ai ekzistues. Udhëheqësi i temës më tha se përgjigja nga administrata e ministrisë nuk kishte vonuar t’i vinte, gjithsesi. Një zarf i madh me pulla e vula zyrtare. Por brenda saj, në një fletë të vetme ishin shkruar vetëm dy fjali: “Faleminderit për informacionin. Nuk kemi fonde të mjaftueshme”. Ai e kishte ndjerë vetën të fyer nga kjo, të poshtëruar. “Dhe të mendosh që ministrin e kam pasur student”, shtoi më pas duke tundur kokën, si për të më thënë se, ai as që e meritonte firmën e tij në provimet e lëndës. Atëherë në inat e sipër kishte përgatitur një letër të dytë, ku u shkruante gjithë nerv se ndoshta kishte ardhur koha që godinën e ministrisë ta kthenin në spital psikiatrik, se nuk kishte çfarë u duheshin më ata burokratë të paaftë që mbushnin institucionet e shtetit dhe që luanin lodra për fëmijë në kompjuterët e zyrave, përderisa nuk ishin në gjendje të
zgjidhnin problemet më shqetësuese që paraqiste koha. “Duhet t’ju vizitoj të gjithëve me radhë, dhe jam i bindur se ka shumë prej jush që duhet të qëndrojnë sërish në atë godinë, veç jo si nëpunës së shtetit, por si pacientët e mi”, u shkruante ai. Kishte shkuar ta hidhte letrën në arkën e postës, por aty ishte penduar dhe e kishte grisur. E dinte që nuk do zgjidhte gjë, në mos po, do ta merrnin dhe atë për psikopat. “Nga zyrtarë mediokër çfarë nuk pret”, - shfryu ai. “Dhe përderisa nuk ka shtretër të mjaftueshëm dhe mjekë të mjaftueshëm për trajtimin e të çmendurve, ata do të jenë atje tej, në rrugë, do të shkaktojnë probleme dhe viktima. Të çmendurit e lirë janë problemi më i madh i shoqërisë sot, jo kriminelët e dënuar në burgje. Por unë nuk di se ç’duhet bërë më”, - tha ai me një zë që tregonte dhimbje e duke fërkuar sytë nën syze. - “Nuk shoh rrugë shpëtimi. Por i lutem Zotit, që të paktën të më ruajë një vdekje të nderuar, e të mos më vrasë ndonjë prej pacientëve të mi, ashtu siç i ndodhi një kolegut tim ca kohë më parë”. Pastaj u ngrit pa e përfunduar së piri kafenë dhe duke më shtrënguar dorën me një trishtim të skajshëm më tha: “Nëse ndonjë ditë do të të duhem, më telefono. Numrin tim e ke”.



Fragment nga romani: “I çmenduri i pavijonit 3”
----------------------------------------


DEBAT NË TRYEZËN E VDEKJES


Bibliographic information

Title:           Surpriza e natës së fundit - roman
Author:       Leonard Veizi
Editor:         Kliton Nesturi
Publisher:    Botimet "Bota Shqiptare", 2008
ISBN:         9995611236, 9789995611231
Length:       185 pages


- Ah, jo. Nuk jam dakord me ty, - u hodh Roberti.
- Edhe unë nuk jam dakord me ty. - i thashë.
- Ti ke gjithë mbrëmjen që nuk je dakord me mua, - u shfry Roberti.
- Të thashë, ti ke gjetur një bisedë tepër të vështirë për ta bërë, në një çast krejt të papërshtatshëm.
- Pse të papërshtatshëm?! Ku qëndron e papërshtatshmja këtu?
Unë hodha një sy rreth e përqark.
- Po ja, ne erdhëm të shikonin apartamentin e ri, se si e kishit mobiluar, çfarë poltronësh kishit zgjedhur, si e kishit realizuar kontrabufenë dhe si i kishit kombinuar ngjyrën e perdeve me tapetin. Ndërsa ti flet idiotësira.
- Mos më fyej, - tha qetësisht Roberti.
- S’po të fyej, - ngrita zërin unë. - Thjesht po të them se, erdhëm për të parë dhomën tënde të gjumit dhe banjën sigurisht. Ndërsa ti më flet për të vdekurit dhe për të gjallët, për Ferrin dhe Parajsën. Je në vete apo jo? Mos ke lajthitur gjë?!
- Prapë po më fyen, - tha Roberti dhe këtë herë në fytyrë i lexohej zemërimi.
- Nuk e kuptoj se ku po të fyej, - gati sa nuk thirra.
Në derën e verandës u shfaq Linda.
- Mjaft u grindët ju të dy. Po ju dëgjon i gjithë pallati, - tha ajo duke më vështruar ngulazi
Pas saj zgjati kokën Sara.
- Ejani këtej më mirë, tryeza u shtrua.
U ngritëm. Tryeza ishte shtruar vërtet. Pjatanca me gjithfarë gatimesh vinin erë të mirë. Megjithatë nuk kisha uri.
- Verë të bardhë apo të kuqe, - ofroi Roberti.
- Të kuqe, - i thashë. - nuk dua të ndërroj shijen.
- Edhe unë të kuqe, - tha Linda. - Ajo e bardha s’ishte edhe aq e mirë.
Ata të dy vështruan njëri-tjetrin.
- S’ishte gjë?! Je e para që e thua, - foli Roberti.
- Unë, për veten time, vetëm nga kjo pi,- tha Sara duke zgjatur gotën e saj të cilën Roberti e mbushi me kujdes.
- Gëzuar, - thashë unë. - Për jetën!
- Gëzuar, - tha Roberti. - Për vdekjen!...
...................................................................................................
Posteri i "Surpriza e natës së fundit" në Panairin e Librit nga "Bota Shqiptare"
Edhe pak dhe agonte.
- Vajti vonë, - i thashë Lindës. - Duhet të çohemi tani.
- Mbaroje dhe atë që të ka mbetur, - tha Linda duke më kujtuar se mbaja në dorë edhe një gotë të mbushur përgjysmë me verë të kuqe. Unë u mata ta ktheja.
- S’mund të ikni tani, - më ndërpreu Roberti.
- Do të ikim, - i thashë unë pa e ulur gotën. - Do të ikim se, u bëmë vërtet vonë.
- Tani kemi surprizën, - tha Roberti.
Linda pa nga unë dhe me një shprehje habie në fytyrë, foli:
- Surprizën?!
Nuk kisha dëshirë më të ndeshesha me surpriza. Madje dhe sikur të ishte gjëja më e bukur në botë. Isha i dërrmuar.
- Një herë tjetër, - ndërhyra. - Për sot e lëmë me kaq.
Roberti psherëtiu lehtë dhe pastaj hodhi mbi mua një vështrim urdhërues.
- Jo Eduard. Ju do të ikni që këtej vetëm pasi ne të kemi përfunduar atë që kemi nisur. Sepse ne..., sot..., kemi vendosur të bëjmë diçka të rëndësishme.
- Çfarë? - pyeta unë pa asnjë lloj kurioziteti.
- Duam të flijohemi, - tha Roberti.
Unë shkunda fundin e verës dhe lëshova gotën pa kujdes mbi syprinën e tavolinës.
- Si, të flijoheni? - pyeta me gjuhën e trashur nga vera.
Kisha pirë shumë dhe koka më rëndonte. Qepallat më mbylleshin herë pas here dhe unë e ndjeja se po të më linin të qetë, do të shtrihesha në kanape ashtu siç isha, me gjithë këpucë, dhe do të bëja një gjumë të rëndë.
- Domethënë që do të shkojnë të flenë, - tha Linda dhe u mbështet mbi supin tim. Dukej se dhe Linda ishte në të njëjtën gjendje si dhe unë. Ndoshta më keq.
Në mendjen time gjithçka lëvizte me ngathtësi. Më dukej sikur të gjitha objektet lëkundeshin ngadalë para meje. Nuk doja ta besoja se isha dehur.
- Edhe ne duhet të ikim, - thashë si nëpër dhëmbë. - Të flemë pak dhe të nisemi për në punë. Sa është ora...?
Ngrita dorën e majtë për të parë orën. Akrepat u shformuan...
- Mos, sa vonë qenka bërë! - u kthjellova disi.
Nuk donte edhe shumë që dita të zbardhte. Nga dera e hapur e verandës frynte një fllad i lehtë i cili tunde dhe perden e rëndë që varej deri në dysheme.
- Jo, jo, s’e keni dëgjuar mirë, - këmbënguli Roberti. - Nuk është fjala për të fjetur, por për diçka tjetër... për një vetëflijim. Pra... si t’ua shpjegoj më qartë; është fjala për një vetëvrasje. Më kuptoni... apo jo?
Ndoshta s’e kisha kuptuar mirë. Ndoshta e kisha kuptuar po aq mirë sa ai e kishte shpjeguar. Por një frikë e brendshme nuk më linte të bëja as edhe një pyetje, qoftë dhe më të voglën e mundshme; çfarë?


Fragment nga romani: “Surpriza e natës së fundit”

Tuesday, December 6, 2016

Relacion për vdekjen e Sofia L. - fragment nga romani "I çmenduri i pavionit 3"


nga Leonard Veizi
 
Profesori e hapi menjëherë dosjen, nxori letrat dhe i hodhi një sy të shpejtë faqes së parë. Pastaj hapi një tjetër.
- Po kjo? - më pyeti.
- Relacioni, - thashë menjëherë, se e prisja pyetjen. - Ose, më saktë, një shtesë që ia bashkëngjita relacionit. Është më shumë një refleksion për ngjarjen, s’di si ta përcaktoj. Gjithçka që munda të mblidhja si informacion. Por ndoshta nuk është e nevojshme…
Zgjata dorën për ta marrë, por shefi i pavionit më pengoi.
- Jo, - më tha. - Po e lexoj…
 
 
Relacion për vdekjen e Sofia L.
 
Duhet të ketë qenë ora tetë e gjysmë e atij mëngjesi gjysmëvjeshte, kur ajo, me sy disi të përgjumur, por me mendje krejt të kthjellët, përshëndeti prindërit në dhomën e ndenjjes dhe u tha se do të shkonte në tualet, të lante sytë me ujë të ftohtë, dhëmbët me furçën krejt të re të sapohequr nga ambalazhi dhe të bëhej gati për të ngrënë mëngjesin, që e ëma po ia përgatiste gjithë merak. Por në fakt nuk u nis për në vend-mbërritjen e paralajmëruar; ajo përshkoi ata pak metra korridor për t’u rikthyer sërish në dhomën e saj të gjumit, nga kishte dalë pak çaste më parë e ku shtrati ishte ende i parregulluar. Ngriti qetësisht grilën që kishte zënë ndryshk, dhe u përball me rrezet e diellit të mëngjesit, të cilat vërshuan në dhomë, në të gjithë cepat e saj, deri në skutën më të errët. Por, duket se as kjo mrekulli e natyrës nuk e bëri  të tërhiqej nga vendimi që kishte bluar në mendjen e saj për të paktën dymbëdhjetë orët e fundit. Hapi të dyja kanatet e dritares, vuri duart mbi parvazin e ftohtë, pastaj u ngjit më këmbë dhe… i dha trupit përpara, për ta çuar deri në fund aktin e saj të paramenduar.
Kështu duhet të ketë ndodhur pak a shumë me Sofinë, edhe pse askush nuk e di më mirë të vërtetën sesa vetë ajo. Veçse tani nuk mund të na thotë asgjë. Ka mbyllur sytë, gojën, ka bllokuar të gjitha labirintet e trurit, dhe gjithçka tjetër që e kishte munduar për vite me radhë në luftën e egër për ekzistencë.
 
Epilogu 
Boria e pandërprerë e një makine që çonte drejt urgjencës së spitalit trupin e saj thuajse pa jetë, i alarmoi të gjithë, ndihmësmjekët, laborantët, madje edhe vetë njerëzit e sistemit të sigurisë, të cilët me shpejtësi gati marramendëse e çuan pacienten drejt e në platformë, atje ku mjekët ishin gati të ndërhynin. Ia matën pulsin, pastaj… ia matën sërish. Dhe nuk u desh të kalonte shumë kohë për të ngritur supet në shenjë pafajësie dhe për të vazhduar me shprehjen e radhës gati monotone të ironisë së fatit: “Është tepër vonë, duhet ta kishit sjellë më parë”. E pra, nuk duhej të kishin kaluar më shumë se gjashtë a shtatë minuta nga çasti kur ajo, me një fluturim të lirë, krejt e pasforcuar në mendje e në trup, ka përshkuar rënien prej gati tetëmbëdhjetë metrash nga dritarja e dhomës së saj të gjumit, e cila ndodhej në katin e gjashtë të një pallati tetëkatësh, deri në bordurën që ndante rrëzën e themeleve me anën e këmbësores. Përplasja e mishit dhe e kockave me betonin e ngurtë me një forcë gati të përbindshme, ishte fatale. I menjë-hershëm ishte edhe shpërthimi i gjakrrjedhjes së brendshme për të mbuluar me gjakun e mpiksur gjithçka që dhuronte jetë.
 
Nata e fundit
Sofia L., një vajzë e re, e cila atë ditë do të mbushte njëzet e pesë vjeç, bëri një gjumë të shqetësuar. Mëngjesin e një dite më parë ajo ishte takuar me djalin e ëndrrave të saj, i cili i kishte premtuar se ditën e përvjetorit të lindjes do t’i shkonte për vizitë në shtëpi, ku jo vetëm do t’i uronte ditëlindjen, por dhe do të takohej me prindërit e saj. Me sa dukej, që atë ditë ata do të quheshin të fejuar zyrtarisht. Kjo ishte ndoshta paraditja më e bukur që prej shumë vjetësh për Sofinë. Por duket se nata nuk ishte aleate e saj. Ndoshta nuk fjeti fare. Ose ndoshta fjeti aq rëndë, sa gjithçka që ndodhi më pas, duhet të ketë qenë në të njëjtën linjë imagjinare me atë që ndodhi në nënvetëdijen e saj në formën e ëndrrës së parealizuar. Edhe pse mund të mendohet se ajo e donte jetën, sërish logjika e ftohtë të çon në përfundimin e pashmangshëm se jeta e saj në ato çaste nuk kishte më asnjë kuptim. Motivet papritur ishin rrëzuar njëri pas tjetrit, si nën dridhjet e një tërmeti të beftë, edhe kur ajo u mundua të kapej pas tyre për të mos i braktisur, deri në çastin e fundit. Por në fund mbeti vetëm ajo, krejt e zbrazët përballë mureve të ftohta të dhomës së gjumit, që nuk i krijonin më as imazhin e ngrohtë të jetës në familje.
 
Depresioni
Nëna e saj rrëfen se Sofia ishte shumë e ndjeshme, çka, me sa duket, ia lëndonte vetë jetën. E sforcuar për të përfunduar me rezultate të larta fakultetin e parapëlqyer, Fizikë bërthamore, një ditë Sofia kaloi në gjendje depresive, për të cilën mjeku i familjes bëri diagnozën e shpejtë “sklerozë multiples”. Dhjetë ditë më pas, aparatura e ndërlikuar elektronike “Rezonanca magnetike”, e kryer në një nga laboratorët më të mirë të vendit, përforcoi diagnozën e mjekut të klinikës së vogël. Megjithatë asgjë për t’u shqetësuar deri në fund. Mjekime të forta, pak kujdes dhe, më kryesorja, zënie e kohës me punë profesionale. Dhe jeta do të vazhdonte për Sofinë.
 
Përpara se të kalonte në faqen tjetër, shefi i pavionit i hoqi syzet dhe më vështroi drejt e në sy.
- Je takuar me familjarët e saj? - më pyeti.
Unë pohova me kokë.
- Me prindërit e saj dhe me mjekët e urgjencës. Doja të isha sa më i saktë në atë që do të shkruaja. Këto ishin faktet që munda të mblidhja. Kisha parasysh se në fund të fundit diagnoza dihej dhe ishte përcaktuar nga ky staf.
Shefi i pavionit i hodhi sërish një vështrim faqes që sapo kishte mbaruar së lexuari, dhe tha:
- Interesante…
Pastaj vuri sërish syzet dhe filloi të lexonte faqen tjetër.
 
Dëshpërimi
Për vite me radhë Sofia, ndonëse vazhdimisht ishte nën kujdesin e plotë të të dy prindërve, nuk ka mundur të sistemohet në asnjë punë për të qenë. Edhe pse profesoresha e saj kujdestare kishte shumë besim tek ajo, sërish Sofia iu nënshtrua pjesës më të keqe të fatit të saj. Kjo ka qenë një tjetër dramë, të cilën nuk e përballoi dot. Një gjë e tillë do të ishte shumë e rëndë për të dhe do ta çonte pashmangshmërisht drejt fundit fatal që e zgjodhi vetë. Dhe, që nga ajo kohë, në mendje i ishin regjistruar vetëm konsulta mjekësh dhe buzëqeshjet që e përcillnin duke mos i mundësuar një vend pune, qoftë edhe si asistente. E ëma kujton se Sofia, edhe pse nuk tregonte, kishte nisur të mbante në mënyrë të fshehtë ditarin e jetës. Vizatonte me laps në muret e dhomës së saj. Në fletore të tjera shkruante poezi pa fund. Këto ia lehtësonin shpirtin e lënduar. Por edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme. Dhe janë pikërisht ata rreshta që zbardhën të vërtetat tronditëse të jetës së saj, pasi u ekzaminua si një e sëmurë kronike. Dhe, natyrisht, çastet e fundit ishin edhe më të rënda për nënën, kur kujton se si po ia përgatiste mëngjesin vajzës. Dhe nuk kishte as ndjesinë më të vogël se ky mëngjes i papërfunduar do të ishte i fundit për të. Dëgjoi një zhurmë të shurdhët dhe, pasi vështroi bashkëshortin në sy,  pëshpëriti me gjak të ngrirë: “Çfarë ndodhi?”. Doli menjëherë në dritare dhe u përball me pamjen më tronditëse që mund ta çonte ndonjëherë në mendje në çaste vegimi një nënë: Sofia, vajza  e saj, të cilën ajo e priste që të ulej në tryezë, dergjej e shtrirë mbi këmbësoren  e boshatisur. Klithi me zë të çjerrë, u çlirua me gjithë fuqinë e shpirtit të saj dhe, ashtu e zbathur, zbriti shkallët rrëmbyeshëm për t’u gjendur vetëm në pak sekonda pranë së bijës që bulëzonte frymën e fundit të jetës. Ia shtrëngoi kokën në gjoks, dhe… s’mban mend gjë tjetër.
 
Fundi
Sofia mbylli sytë vetëm dy ditë më parë. Një ditë më pas trupi i saj me të gjitha stolitë që kishte përdorur, u mbyll në arkivolin prej druri. Shtypi i ditës do të shkruante se ajo ishte një viktimë e brishtë, ashtu si edhe shumë të rinj të tjerë. Një     e papunë e depresuar që duket se kërkonte të hiqte dorë nga të qenët barrë për prindërit e saj. Dhe zgjodhi rrugën më të vështirë të mundshme: u largua me dëshirën e saj, paksa si të sforcuar, nga kjo jetë. Atë ditë do të mbushte njëzet e pesë vjeç. Ose ndoshta i mbushi… por pa tortë me njëzet e pesë qirinj të ndezur, që duhet t’u frynte, duke menduar për realizimin e shpejtë të një ëndrre të vjetër, dhe pa shampanjën që shpërthen plot zhurmë pas heqjes së tapës. Atë ditë, të afërmit e saj e qanë me ngashërime, duke u shtrënguar kokë më kokë me njëri-tjetrin, dhe kujtuan si padashur kohët e shkuara, atëherë kur Sofia ushqente ambicie të mëdha për jetën. E pra, ishte vetëm njëzet e pesë vjeç dhe iku e trishtuar nga kjo botë…
 
Profesori ngriti sytë nga faqja e fundit, pasi u përqendruar në fund të saj, ku ishte emri dhe firma ime. Mbështeti dy parakrahët mbi dosjen e hapur dhe duke më vështruar në sy më pyeti:
- Ke shkruar herë tjetër ndonjë relacion vdekjeje?
- Jo, - iu përgjigja me zë të thatë, duke e kuptuar se në  atë që kisha shkruar, kishte diçka që nuk përputhej shumë me një relacion të zakonshëm mjekësor. - Kjo është hera e parë.
- Interesante…, - tha ai. Pastaj uli kokën, hoqi syzet dhe e mbylli kapakun e dosjes pa thënë asnjë fjalë më shumë.

AUTOPSIA - tregim

Autopsia

tregim nga Leonard Veizi

Mjeku psherëtiu. E kishin thirrur me urgjencë për të bërë një autopsi.
- Eja urgjent! - kishte dëgjuar zërin nga ana tjetër e linjës, ndërkohë që vetë ishte i trullosur nga një dremitje e gjatë në një nga poltronat e mëdha të dhomës së pritjes.
- Më lër të qetë, - ia kishte kthyer ai ftohtë, por, kur zëri nga ana tjetër këmbëngulte me forcë, ai ishte shpërgjumur dhe kishte thirrur.
- Ç’më çan kokën! Plaseni aty se vij nesër dhe ia hap zorrët”, - dhe e kishte përplasur me forcë receptorin e telefonit. Por zilja e telefonit tringëlloi kërcënueshëm vetëm tridhjetë sekonda më pas. - Tani në mes të natës e gjetët?! - ulëriu ai në telefon, por zëri nga ana tjetër lutej e lutej, sepse autopsia duhej bërë patjetër, për të gjetur shkaqet e një vdekjeje të papritur.
- Eja dhe bëje këtë djall autopsie! - i kishte thënë një koleg i vjetër, që kishte ndërhyrë duke ia marrë tjetrit receptorin nga dora.
Mendimi i parë që ia përshkoi trurin, pasi kishte pranuar më në fund që ta bënte me urgjencë atë autopsi, ishte se i duhej të kalonte gjithë natën midis të vdekurve të pakallur. Nuk ishte hera e parë, por as e fundit. Ishte një mënyrë jetese që i ndodhte prej vitesh. Prej shumë vjetësh. Aq shumë, saqë, ndonjëherë i dukej sikur kishte shekuj të tërë që jetonte ashtu. Me sa ditë, muaj e vite normale mund të barazohej një ditë brenda në morg? Dukej sikur aty kishin ardhur të gjithë profetët, perandorët, mbretërit, dukët, filozofët, kardinalët,… Brenda atyre mureve ishin shtrirë të tërë. Sa ishte vlera e një çasti të kaluar aty brenda?…
Pak minuta më vonë ishte gjendur me duart mbi timon duke e ngarë me shpejtësi marramendëse makinën e tij, një “Fiat” të vjetër e të goditur në dy-tri vende. Gjatë rrugës për në morg kishte sjellë nëpër mend një film romantik që s’kishte arritur ta shihte deri në fund, pasi lodhja dhe gjumi e kishin mundur si pa e kuptuar në atë poltronën e gjerë e të rehatshëm të dhomës së pritjes. Prej kohësh jetonte i vetëm në atë shtëpi të madhe dhe miku i tij më i mirë ishte televizori. Kishte kohë që priste ta shihte atë film, i cili vitin e fundit kishte fituar një çmim gjatë një festivali ndërkombëtar. “Ej, djall!… Si s’e pashë dot fundin!…. U martuan apo u ndanë? Se dhe ajo kuçka si shumë vërdallë e solli, kurse ai djali, edhe pse bukurosh, një trap i tëri ishte.”
Ai mori kthesën për t’u futur në katin e nëndheshëm të ngrehinës dymbëdhjetëkatëshe të spitalit. Një nga rojat me uniformë e nderoi. Mjeku as që e mori mundimin t’ia kthente përshëndetjen. Ndihej i lodhur. Kapitja vazhdonte ta mbante të kapluar të tërin.
- Ku e gjetën edhe këta! - foli me zë dhe e përplasi derën e makinës.
Në sallën e morgut ishte qetësi e plotë. Të vdekurit heshtnin në akullnajën frigoriferike. Qetësia e sallës e bënte edhe më të ftohtë atë mjedis që ndriçohej mirë nga neonet. Rendi drejt tryezës së tij, ku ishin vendosur njëra mbi tjetrën kartelat e shënimeve për kufomat që ndodheshin aty. Filloi t’i kalonte me radhë, ndonjë duke e parë shkarazi e ndonjë tjetër me shumë vëmendje. Njëri prej emrave iu duk shumë i njohur. Autopsinë e tij e kishte bërë që prej disa ditësh. “Hm!… E paskan harruar plakun! S’paska kush ta varrosë, me sa duket.” E la mënjanë kartelën e tij. Pastaj vazhdoi me të tjerat. Kartela, kartela, kartela… Emrat e tjerë ishin të panjohur.
Ishte i vetmi që punonte prej një kohe të gjatë në morgun e spitalit. Më të vjetrit se ai tashmë kishin dalë në pension. Ndonjëri prej tyre mund të kishte vdekur edhe i çmendur. Pasi kishte përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në degën e kirurgjisë, i kishin thënë se, po të punonte disa vjet në morg, do të kishte edhe më shumë përvojë për sëmundjet e brendshme. I nxitur nga pasioni dhe dëshira për të mësuar edhe më shumë në profesionin e tij, ai kishte pranuar me qejf. Që nga ajo periudhë, koha kishte rrjedhur si pa e kuptuar. Po të merrte mundimin për të numëruar, bëheshin mijëra e mijëra orë mes të vdekurve, në atë pavion të akullt që vazhdimisht ndriçohej nga llambat fosforeshente. Bisturia e tij kishte prerë vetëm trupat e pajetë, për të zbuluar enigmat që fshihnin ata, dhe asnjëherë nuk kishte prerë për të operuar një njeri të gjallë, të cilin mund ta ndihmonte që të vazhdonte të jetonte. Dëshironte shumë të ishte atje lart, në sallat e vërteta të operacionit. Tashmë, thellë brenda vetes, ndiente se, edhe po t’i jepej ai rast, sërish do ta konsideronte pacientin si një të vdekur. Trembej nga një operacion i vërtetë.
I qëllonte shpesh të bënte rojë nate. I pëlqente të punonte orëve të vona. Vetëm. Në qetësi. Ishte miqësuar me atë mjedis të heshtur dhe monoton, si dimri polar. Herë-herë ulej pranë kufomave dhe bisedonte me ta, si të ishin njerëz të gjallë e të etur për biseda pa fund.
U rrotullua një copë herë nëpër pavion dhe nuk po e kuptonte pse po ia vononin punën për të cilën e kishin thirrur me aq urgjencë. Ndihej i lodhur. I flihej. U ul në poltronën e tij dhe vari kokën mbi gjoks.
Nuk e kuptoi në ishte duke dremitur apo jo, veçse ndieu derën të hapej papritur me kuisje. U tremb. Hodhi vështrimin  e përgjumur nga dera dhe mallkoi nëpër dhëmbë. Mbi një shtrat lëvizës po i sillnin kufomën, të cilës duhej t’i bënte autopsinë.
- Ç’ishte gjithë kjo urgjencë? - e pyeti mjekun që solli kufomën.
- Një djall e di! - mërmëriti tjetri.
- Nuk priste puna deri nesër?
- Mbase nuk priste, - tha tjetri dhe i zgjati kartelën. - Urdhëro. Këtu duhet t’i kesh të gjitha.
Kufoma ishte mbuluar me një çarçaf të bardhë, si gjithmonë. Kolegu i tij u zhduk. Mbeti vetëm me kufomën. Shkoi të merrte veglat dhe befas ndjeu një zhurmë. Ktheu kokën gjithë ankth. Iu duk sikur i vdekuri kishte lëvizur. Krahu i kufomës kishte rrëshqitur jashtë tryezës.
- Ta marrë djalli! - shfryu ai nëpër dhëmbë dhe u afrua për ta rregulluar. Por shtangu… Nuk po u besonte syve: Një unazë në gishtin e kufomës e bëri që t’i kalonin të dridhura. E preku. Ishte pikërisht ajo… Unaza e tij. Zemra filloi t’i rrihte me shpejtësi. - Nuk është e mundur, - belbëzoi.
E hoqi mbulesën dhe… Oh!… Mbeti pa frymë. Përgjumja iu largua menjëherë. E pamundur për ta besuar, por… Fërkoi sytë dhe e vështroi  përsëri. Ai,… ai… domethënë… ai. Vetëm se i vdekur.
- Qen! - tha dhe fjala i fërshëlleu nëpër dhëmbë.
Ishte ai që vite më parë i kishte marrë gruan. E kishte turpëruar në sy të të gjithëve. Ia kishte marrë edhe unazën. Ose më mirë ia kishte dhënë vetë ajo. Po ç’rëndësi kishte kjo? Prej vitesh unazën e tij të martesës e mbante një tjetër. Dhe ajo ishte vërtet një unazë e veçantë. Gurë të vegjël diamanti të ngjitur njëri pas tjetrit formonin emrin e saj. Dikur e mbante vetë. Tani e shihte në dorën e një tjetri. Ky ishte kulmi. Por nuk mbaronte me kaq. Kishte qenë ai që e kishte penguar gjithmonë të hynte në sallën e kirurgjisë, dhe e kishte detyruar që të mbetej aty, në atë sallën e nëndheshme e të ftohtë akull. Sepse nuk donte që t’i ngjiste ato shkallë, pasi atje në katin e tretë, në anën lindore të ngrehinës së spitalit, në sallën e lindjeve, ish-gruaja vizitonte gratë shtatzëna. Kishte qenë ai që… Eh!
- Më re në dorë më në fund, more plehrë! - psherëtiu me një lloj lehtësimi.
Kishte dashur ta vriste. Kishte bërë plane pa fund. Kishte menduar t’i zinte pusi te dera e shtëpisë, pastaj në hyrje të spitalit. Por asnjëra nuk kishte funksionuar. Pastaj, pak nga pak e kishte kuptuar se, edhe pse me një urrejtje të madhe, sërish nuk ishte i zoti të hakmerrej duke shkrepur këmbëzën e armës. Një zgjidhje tjetër duhej të gjente.
Dhe çdo natë lodhej për ta gjetur…
Por tani nuk ishte nevoja. Ai kishte vdekur dhe gjendej mbi tryezën e morgut.
Nuk po u besonte syve.
Ishte ai, i tëri, armiku i tij më i madh, të cilin kishte dashur ta shihte gjithmonë të përgjakur në këmbët e veta. Dëshira i ishte përmbushur. Tashmë armiku ishte kthyer në një kufomë. Do të kishte dashur ta vriste vetë, por… Hodhi sytë mbi kartelën shoqëruese. Ishte e vërtetë, nuk ishte në ëndërr. E kishin sjellë me urgjencë. Helmim. I kishin bërë edhe lavazh, por…
Ngriti duart lart.
- O Zot që je në qiell! U shenjtëroftë emri yt!
…Nuk kishte më armiq. Ankthi tashmë kishte marrë fund.. Me siguri dikush do t’i kishte hedhur pak helm në gotën e verës. Përndryshe s’kishte kuptim që i kishin bërë lavazh dhe s’e kishin shpëtuar dot. Ndoshta ndonjë armik tjetër, i heshtur. Ndoshta ajo, ish-bashkëshortja e tij, me të cilën kjo kufomë dikur ndante shtratin. Fati kishte dashur që pikërisht atij t’i binte shansi që t’i bënte autopsinë armikut të tij, më të keqit, më të egrit, më të pashpirtit. Dhe sigurisht që do t’ia bënte. Madje, me shumë kënaqësi.
Fillimisht ia hoqi unazën nga gishti dhe, pasi e fshiu pas përparëses së bardhë, e vuri në gishtin e vet.
- Këtu e ka vendin, - tha dhe po e shikonte atë unazë me sy të ngazëllyer.
Këmbëngulja bezdisëse e dy kolegëve të tij në telefon tashmë kishte rezultuar një kënaqësi pa fund. “Sa mirë që më thirrën!” - tha me vete. Të nesërmen do t’i ftonte për një drekë në një nga restorantet e mira jashtë spitalit dhe nuk do t’u fliste i zemëruar e t’u mbante inat që e kishin çuar në mes të natës për të bërë një autopsi.
Mori në dorë bisturinë. Hm! Nuk po dinte se nga t’ia fillonte. E vendosi tehun e mprehtë te gryka dhe me një lëvizje të shpejtë e tërhoqi deri poshtë barkut... Oh, çfarë ngazëllimi! Oh!… Asnjëherë nuk ishte ndier më i lumtur, më i eksituar!… Me një lëvizje tjetër të shpejtë i preu grykën. Oh, ç’kënaqësi!
- Pa të shohim ç’ke pasur, more qen! - shau me zë. - Aha, ja ku qenka! Cerozë në mëlçi! Bukur fort! - tha dhe vazhdoi të kontrollonte edhe më thellë. - Gurë në veshka. Paske vuajtur edhe nga kjo! Mirë të të bëhet, more qen! Pis! - Sytë e tij lëviznin brenda trupit të kufomës. Çau sërish me bisturi. - Edhe me kolitin, s’paske qenë mirë. Paske vuajtur, or mik! - dhe qeshi ligshëm nën zë. - Ma mori hakun Perëndia! Ja si u katandise… Ha, ha, ha…!
E la bisturinë mënjanë, pranë kokës së kufomës. Futi duart me ngadalë dhe kapi dy anët e barkut. Mblodhi të gjitha forcat dhe, duke nxjerrë thellë nga shpirti një britmë të egër, i tërhoqi fort anash. Mishi u gris në dy pjesë të mëdha. Por tashmë ai s’shikonte më asgjë. Dëshironte vetëm që ta shpërfytyronte, ta zhdukte krejt. Futi dorën thellë në kafazin e kraharorit dhe tërhoqi me forcë zemrën. E shtrëngoi fort në dorë, si të donte të shtrydhte ç’kishte brenda saj. Hm! Me kurrizin e dorës së djathtë fshiu djersët që po i mbulonin ballin. Nxori nga trupi zorrët, stomakun, mëlçinë, pankreasin. Të gjitha. Brenda atij trupi s’kishte më asgjë. Armiku i tij, tashmë ishte veç një zgavër pa ngjyrë. Një dëshirë për ta goditur pambarimisht me bisturi e me grushte e pushtoi të tërin. Me një shpejtësi marramendëse, filloi ta qëllonte dhe ta priste pa pikë mëshire të pajetin. Ia theu kafazin e kraharorit.
- Eh!… - shfryu gjithë duf.
E kapi nga flokët dhe ia futi thellë në sy bisturinë. Një nga një ia nxori sytë përjashta, të cilët nuk u panë se nga fluturuan. E kaloi majën e bisturisë në ballë e në faqe. I preu hundën. Edhe buzët…
- Kënaqësia,… s’ka fund, or mik! - foli me një zë të çjerrë dhe pështyu mbi kufomën.
I hoqi dorezat dhe si një hero i sfilitur nga një betejë e mundimshme doli jashtë. Në fund të korridorit ndodhej dhoma e punëtorit të mirëmbajtjes. Shtyu derën me forcë dhe hodhi sytë rreth e qark. Sytë i ndaluan mbi një vare të madhe, shumë pranë tij. Nuk priti më gjatë. Zgjati dorën dhe e rrëmbeu. Mori vrull dhe duke ulëritur e qëlloi drejt e në kokë. Kafka iu bë copë-copë. Në pjesën e metaltë të varesë ishin ngjitur copat e trurit dhe të gjakut të mpiksur. Pastaj vazhdoi të godiste… të godiste… të godiste…
…Vetëm pas disa orësh, në të gdhirë, kur pa se s’kishte ç’të bënte më, u ul në një karrige aty pranë. Me kurrizin e dorës së djathtë fshiu sërish ballin e djersitur.
- Të shkatërrova më në fund! Oh!… - tha nën zë dhe u këput mbi karrige.
Një çast më vonë u pendua. Iu duk sikur nuk kishte qenë ai që kishte bërë një marri të tillë. Do të donte të ngrihej në çast, t’i mblidhte të gjitha copat e t’i qepte. Por nuk kishte më fuqi dhe, mbi të gjitha, nuk kishte as kohë.
Duhet të kishte ardhur ora që të niste ndërresa e mëngjesit, kur një mjeke dhe një infermiere erdhën për të tërhequr kufomën së bashku me rezultatin e autopsisë. Mbi tryezën e tij të morgut kishte vetëm një grumbull kockash të thyera, e mishi të çarfalitur.
Ai po e shikonte kolegen me një vështrim pa ngjyrë.
- Ç’ke bërë kështu?! - e pyeti e tmerruar mjekja, një bionde shumë e bukur, për të cilën të gjithë thoshin se ishte mëkat që punonte në morg.
- Autopsinë, - iu përgjigj ai krejt i qetë.