Thursday, August 13, 2026

Alfred Hiçkok, mjeshtri që i mësoi kinemasë të kishte frikë

 

 
Leonard Veizi
 
Ai ishte nga ata që e ktheu frikën në art dhe ankthin në një gjuhë të re të kinemasë. Nuk kishte nevojë të tregonte përbindëshin, sepse dinte ta vendoste frikën brenda mendjes së spektatorit. Me kamerën e tij, edhe heshtja, një derë e mbyllur apo një vështrim i dyshimtë mund të bëheshin paralajmërimi i një tmerri që ende nuk kishte ardhur…
 
…Më 13 gusht 1899, në Leytonstone të Londrës, lindi një nga figurat më të rëndësishme të historisë së kinemasë: Alfred Hiçkok, regjisori britaniko-amerikan që do ta kthente frikën, ankthin dhe dyshimin në një gjuhë të veçantë filmike.
Hiçkok nuk ishte një regjisor filmash thriller. Ai ishte arkitekt i ankthit. Dinakëria e tij nuk qëndronte vetëm te ajo që i tregonte publikut, por sidomos te ajo që zgjidhte të mos i tregonte. Ai e dinte se imagjinata e spektatorit mund të ishte shumë më e tmerrshme se çdo përbindësh që mund të shfaqej në ekran.
I lindur në një familje katolike të shtresës së mesme, Hiçkok u rrit në një mjedis të rreptë dhe disiplinor. Një prej historive më të njohura për fëmijërinë e tij lidhet me babanë, i cili, sipas rrëfimit të vetë regjisorit, e dërgoi dikur në polici me një shënim ku kërkonte që djali të mbyllej për disa minuta në një qeli. Episodi, real apo i rrëfyer me një dozë teatraliteti, është bërë pjesë e mitologjisë së Hiçkokut dhe shpesh është parë si një nga çelësat e interesimit të tij të mëvonshëm për fajin, ndëshkimin dhe frikën.
Ai nisi të punojë në industrinë e filmit në kohën e kinemasë së heshtur. Fillimisht merrej me titrat dhe skenarët, përpara se të kalonte në regji. Në vitet 1920 filloi të ndërtonte emrin e tij në kinemanë britanike.
Por Hiçkok kishte një ambicie më të madhe: të kontrollonte emocionin e spektatorit.
Në filmat e tij, publiku shpesh di më shumë se personazhet. Dhe pikërisht këtu lind ankthi.
Një njeri ecën drejt një dere. Ne e dimë se pas saj mund të jetë vrasësi. Personazhi nuk e di. Ai vazhdon të ecë. Kamera nuk nxiton. Muzika mund të jetë e qetë. Dhe spektatori pret. Jo sepse nuk di çfarë po ndodh, por sepse e di.
Ky ishte një prej sekreteve të mjeshtërisë së Hiçkokut.
Në vitin 1929 realizoi “Blackmail”, një nga filmat që shënuan kalimin e tij drejt kinemasë së zëshme. Më pas erdhën filma që e vendosën gjithnjë e më fort në qendër të kinemasë britanike, deri në momentin kur Hollywood-i e thirri.
Në vitin 1939 Hiçkok u vendos në Shtetet e Bashkuara. Një vit më vonë realizoi “Rebecca”, filmin që i dha menjëherë një peshë të madhe në Hollywood dhe që fitoi Oscar-in për filmin më të mirë. Ai vetë, megjithatë, nuk do ta fitonte kurrë Oscar-in si regjisor.
Por filmografia e tij do të bëhej shumë më e rëndësishme se një statujë.
“Notorious”, “Strangers on a Train”, “Rear Window”, “Vertigo”, “North by Northwest”, “Psycho” dhe “The Birds” janë vetëm disa prej gurëve kilometrikë të një karriere që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si ndërtohet suspense në kinema.
Te “Rear Window”, një fotograf i detyruar të qëndrojë në apartament vëzhgon fqinjët nga dritarja dhe fillon të dyshojë se ka parë një vrasje. Gjithçka ndodh përballë syve tanë, por Hiçkok e shndërron një oborr apartamentesh në një univers të tërë dyshimi.
Te “Vertigo”, obsesioni, dashuria dhe frika nga humbja përzihen deri në kufijtë e halucinacionit. Sot filmi konsiderohet nga shumë kritikë një prej kulmeve të kinemasë botërore.
Pastaj erdhi “Psycho”.
Në vitin 1960, një skenë dushi prej pak minutash do të ndryshonte përgjithmonë historinë e filmit horror dhe thrillerit psikologjik. Vrasja e Marion Crane nuk kishte nevojë për një shfaqje të drejtpërdrejtë të dhunës. Montazhi, tingulli, këndet e kamerës dhe ritmi e bënë spektatorin të përjetonte një tronditje që kinemaja nuk e kishte përdorur më parë në atë mënyrë.
Dhe pastaj ishte “Norman Bejts”. Një hotel i izoluar. Një nënë. Një djalë. Një sekret. Dhe një nga personazhet më të famshëm të historisë së kinemasë.
Hiçkok kishte edhe një veçori tjetër: pamjen e tij. Trupi i shëndoshë, kostumi i errët, fytyra e rëndë dhe shprehja thuajse e pandryshueshme e bënë atë vetë një personazh. Daljet e tij të shkurtra në filmat e vet, të ashtuquajturat cameo, u kthyen në një lojë të dashur me publikun. Spektatorët nisën ta kërkonin regjisorin brenda filmit.
Në televizion, ai e shndërroi edhe më tej figurën e tij në një markë me programin “Alfred Hitchcock Presents”. Zëri i tij, ironia e thatë dhe humori i zi krijuan një personazh publik që ishte po aq i njohur sa filmat e tij.
Por pas humorit dhe pamjes së tij karakteristike fshihej një regjisor jashtëzakonisht i përpiktë. Hiçkok e konceptonte filmin deri në detaje përpara xhirimit dhe ishte i obsesionuar me mënyrën se si kamera do të kontrollonte shikimin e publikut.
Për të, suspense nuk ishte thjesht frikë. Ishte informacion.
Nëse spektatori sheh një bombë poshtë tavolinës, ndërsa personazhet flasin të qetë pa e ditur se ajo ndodhet aty, ankthi fillon të rritet. Nëse bomba shpërthen papritur pa paralajmërim, kemi befasi. Hiçkok preferonte ankthin. Ai e dinte se frika më e madhe nuk vjen gjithmonë nga ajo që shohim. Shpesh vjen nga ajo që presim.
Alfred Hiçkok vdiq më 29 prill 1980, në Los Anxhelos. Kishte lënë pas një filmografi që nuk u plak bashkë me të. Përkundrazi, sa më shumë kohë kalon, aq më qartë duket ndikimi i tij.
Ai nuk e shpiku frikën në kinema. Ai shpiku mënyra të reja për ta bërë publikun të priste që ajo të vinte.

No comments:

Post a Comment