Nga Leonard Veizi
Mëngjesi i 31 gushtit 2014 zbriti i rëndë mbi artin shqiptar, si një perde zije që mbuloi skenën e kujtesës sonë. U shua një zë i ngrohtë, një buzëqeshje që i dha dritë dhjetra personazheve, një fytyrë që për dekada ishte bërë strehë e mallëngjimit e dhembjes sonë kolektive. Largimi nga jeta i aktores së madhe Liza Laska nuk ishte thjesht ikja e një artisteje – ishte shuarja e një epoke të tërë, ku figura e nënës shqiptare, e gruas së fortë dhe e shpirtit të pathyeshëm, mori frymë, qeshi dhe qau përmes saj. Në sytë e saj, publiku pa vetveten; në fjalën e saj, dëgjoi zërin e brezave; në interpretimin e saj, gjeti nënën.
-Ke ndonjë?
Tregoje nënës. Është djalë i mirë? Se nuk i tregon njeriu. – i thoshte
Kalina mbesës tek filmi “Familja ime”. – Se mos të gënjejë moj korbë? Se
janë ca bandilla sot... jo se kështu nga jashtë të marrin në qafë, por janë
katran nga brenda. Duhet pyetur për fisin, ç’soji janë e ç’zakonesh kanë.
E lindur më 6
shkurt 1926 në qytetin e Vlorës, pranë detit që di të marrë e të japë jetë,
Liza Laska e gjeti shpejt veten në botën e artit. Shkollën fillestare e kreu
aty ku kishte marrë frymë për herë të parë, mes rrugicave të qytetit bregdetar.
Por pasioni për teatrin e thirri shpejt drejt skenës. Në Teatrin e Vlorës ajo
bëri hapat e parë, duke u shndërruar në një aktore që nuk kishte nevojë për
fjalë të mëdha – mjaftonte prania e saj për të ngrohur zemrat e spektatorëve.
-Uuuu,
leshprera e nënës, po ku të gjeti o e zeza, o e pafatja e nënës që nuk e gjete
doktorin këtu. Ç’doktor që ishte, na shëroi edhe ne plakave. – Janë disa
nga batutat e saj tek filmi “Malet me blerim mbuluar”.
Në vitin 1971,
Liza Laska u shfaq për herë të parë në kinematografi pikërisht në këtë film. Ky
rol nuk ishte vetëm një debutim, por një hapje dyersh për një rrugëtim të
gjatë, ku do të sillte dhjetëra interpretime të paharruara.
-Zoti Xhaferr,
jepju të gjithëve. Janë jetimë të shkretët. – Dhe këtu ajo është në rolin e
shërbyeses së jetimores tek filmi “Lulëkuqet mbi mure”.
-Shiko moj
punën tënde ti. S’të kanë hedhur ty nga shkallët.
Skena dhe ekrani u
bënë shtëpia e saj e përhershme: në teatër ajo mbeti në kujtesën e publikut me
shfaqje si “Të rinjtë”, “Shtëpia në periferi”, “6 dashnorët”, “Doktor Aleksi”,
“Buzëqeshjet e një mbrëmjeje”; ndërsa në film ajo mori jetë në personazhe të thjeshta,
të forta, shpesh të veshura me petkun e nënës shqiptare.
-I kam marrë
vesh ato haberet tuaja. Mirë të keqen nëna, punët e Shqipërisë janë këto. Ma
gjete shtëpinë me gra o Çerçiz, por mos u hidhëro. Nëna trime të ka qëndruar
ashtu si ua do nderi bijve. – dhe këtu Liza Laska është në rolin e nënës së
Bajo e Çerçiz Tolulit në filmin “Ja vdekje ja liri”.
Kushdo që ka parë
filmat “Vdekja e burrit”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Familja ime”, “Liri a
vdekje”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Dimri i fundit”, “Shtigje lufte”, “Dritat e
qytezës” e shumë të tjerë, nuk mund të mos kujtojë sytë e saj të butë, që
bartnin dhimbje e krenari në të njëjtën kohë.
-Mirë e ke
Shano, dimër është, nisemi për dru dhe frymën e mbajmë te djemtë e plagosur. – kjo është nëna Mara tek filmi “Dimri i
fundit”.
-Është gjerman
ky dhe nuk gënjehet aq kollaj.
-Epo ne për dru
do vemi, ndoshta dhe gënjehet.
Ajo nuk e luante
nënën, ajo ishte nëna – ajo figurë e heshtur, që duron, që mban mbi supe barrën
e jetës, që fal dashuri edhe mes stuhive.
-Klara... Na
harroi. U fejua dhe ne s’dimë asgjë. – Dhe kjo ishte nëna Zelihaja, e ëma e
Llano Bletës, tek filmi “Dhe vjen një ditë”.
Për gjithë këtë
trashëgimi, për këtë dhuratë që ia bëri publikut, Liza Laska u nderua me
titullin “Artiste e Merituar”. Por më shumë se çdo titull, ishte dashuria e
njerëzve ajo që e bëri të pavdekshme.
-Kam djalin
atje, djalin e vetëm. – Në këtë fragment ajo interpreton rolin e nënës së
një ushtari italian, e cila i drejtohet gjeneralit me një telegram në dorë.
-Rrënë për Atdhe
në Stalingrad... Unë shkoj në Shqipëri zonjë. Përcilleni për në ftontin e
Lindjes.
-T’u lutem për
diçka. Të merrni vesh si u vra. Kush iu ndodh pranë. A tha ndonjë fjalë...
Më 31 gusht 2014,
kur u nda nga jeta, ajo la pas 88 vite plot përkushtim, art dhe kujtime. Sot,
kujtimi i saj jeton ende në ekranet bardhezi, në zërat e brezave që e përmendin
me mall, në emocionet e papërsëritshme që la pas.
-Ti je plaka e
Rremës, po?
-Unë jam plaka
e Pezës... Dridheni nga një cigare. Është nga duhani i Rremës... Do t’ju bëj
nëna nga një kafe. – Këto
janë batutat legjendë të saj, pjesë e kinemasë shqiptare, pikërisht tek filmi
“Shtigje lufte”.
Liza Laska nuk ishte thjesht një aktore. Ajo ishte ikona e nënës shqiptare në art – një figurë që do të vazhdojë të na shoqërojë në kujtesë, sa herë që historia e kinemasë dhe teatrit tonë të rrëfehet.
No comments:
Post a Comment