Showing posts with label Reportazh. Show all posts
Showing posts with label Reportazh. Show all posts

Tuesday, November 24, 2020

Reportazh/ Hidrocentrali i Banjës, aty ku turbinat nuk punojnë


Nga Leonard Veizi
  
Duhet dikush të të çojë në mendje se jo vetëm nga bregdeti bëhet weekend, madje jo vetëm në male e rrëpira, por edhe andej nga barku i Shqipërisë. Dhe kur flitet për barkun a për kërthizën, nuk flitet vetëm për liqenet e Belshit. Një atraksion tjetër i fuqishëm turistik është dhe liqeni i Banjës. Dhe liqenet jo domosdoshmërish duhet të jenë prej natyre nga ato të tipit, karstik apo akullnajor. Shpesh janë të krijuara prej njeriut. Dhe ne jemi mësuar me liqenet artificiale, si me atë të Tiranës, atë të Farkës, e ca të tjerë që nuk po i numëroj tani. Në antipod me to, liqeni i Banjës është gjysmë natyral e gjysmë artificial. E që ta bëj më të qartë, është fiks si liqeni i Fjerzës. Vetëm se ai ka si bazë lumin Drin e ky i mesit të Shqipërisë ka Devollin për kumbarë.

Fundjava kalon shpejt dhe nuk është se ke mundësi të bësh plane afatgjata e as të mendohesh shumë, ndaj vendos me të shpejtë të bëj një vizitë në Hidrocentralin e Banjës, i bindur se do të dëgjoja zhurmën shurdhuese të ujit që del me furi nga gryka ku ka vënë në punë turbinën.
Hap google maps-in. Rruga e vijëzuar me blu tregon se për 63 kilometra mbërrin në destinacion. Domethënë punë një orë udhëtim. Epo qenka pas dere, them me vete. Ja, sa kalon Cërrikun. Ose pa vajtur në Gramsh.

 
Retrospektivë industriale
Si fund nëntori, e ku kemi hyrë në vjeshtën e tretë, jashtë ishte ca ftohtë dhe në mes të ditëve plot me diell qëlloi që e shtuna të ishte gri dhe me erë. Por brenda në makinë jemi ngrohtë. Dalim menjëherë nga Tirana dhe futemi në autostradën e Elbasanit. Të keqen o vëlla! Një javë më parë weekend-in e kaluam nga bregdeti. Vetëm për të dalë nga Tirana përmes rrugës së Kasharit na u deshën nja dy orë. E meqenëse donim të tregoheshim të zgjuar, në kthim morëm rrugën e Ndroqit. Bereqaversën. Por aty nga fundi i udhëtimit buzëqeshja na ngriu në fytyrë. Prej hyrjes së Kombinatit deri tek Teknologjikja, një segment prej 3-4 kilometrash, e bëmë fiks për një orë e gjysmë. Duke ditur këto masa shtrënguese, u furnizova “full” me naftë, aq sa në çastin e parë, (meqenëse nuk para na rastis që ta furnizojmë makinën kaq shumë me karburant), m’u duk sikur do shkoja në luftë. Dhe nuk isha gabuar. Sepse nëse do ishe futur në Kombinat me dritën e kuqe, sigurisht tek Teknologjikja do vinte të të tërhiqte ndonjë karoatrec.

Këtej për nga Elbasani meseleja ishte ndryshe. Të paktën ecën vëlla, nuk rri duke mbajtur marrshin me dorë e këmbët në gaz-freksion.
Pas një ore udhëtimi mes fushave të mbjella e zonave urbane, google map-si më tregoi rrugën për tek kaskada e hidrocentralit, por nga pjesa e poshtme e saj. Epo edhe google ka tekat e saj. Gjithsesi u njohëm me digën, dhe “përroin” ku duhet të zbriste uji me tërbim. Por në fakt asnjë curril uji nuk rridhte prej andej e jo më sasia gjigante që të vinte në lëvizje turbinat.
-S’prish punë, - qetësoj gruan që kishte mbetur pa fjalë me grykën e celularit gati për të bërë foton e radhës. - Liqeni është projektuar më së shumti si një basen që përdoret për vaditje, e me këtë rast përdoret dhe hidrocentral.

Tek e fundit shpejtova të merrja masa, sepse e kisha të vështirë t’i përgjigjesha bashkëshortes nëse do të më bënte një pyetje të thelluar për mungesën e realizimit të planit me energji elektrike. Sepse ne jemi mësuar tashmë me sloganin që “energjia është çështje e të gjithëve”. Por meqë liqeni përdoret për bujqësinë, edhe “bujqësia është çështje e të gjithëve”. Në këtë mënyrë e gjithë kaskada përdoret o për një qëllim o për tjetrin. Se për të dyja bashkë bëhet ca si shumë. Shkurt, çdo çështje e rëndësishme “çështje e të gjithëve”.
Megjithatë për të marrë një informacion më të detajuar hap google-n të informohem, se mos ia fusja kot. Tek e fundit sot kemi lehtësira. Dhe lexoj:

 
Informacioni elektronik
“Hidrocentrali i Banjës, mbi lumin Devoll, pak më shumë se 60 kilometra në juglindje të Tiranës ka një kapacitet të instaluar prej 73 Megawat, dhe parashikohet të prodhojë në vit 174 GWT energji, e barabartë me 5 për qind të prodhimit aktual vendas. Hidrocentrali ka një digë të lartë 80 metra ndërsa rezervuari i tij me një sipërfaqe 14 kilometra katrorë mund të mbledhë deri në 391 miliard litra ujë. Hidrocentrali i Banjës u studiua dhe u projektua nga inxhinierët e Institutit të Studimeve e Projektimeve Nr. 3 të Tiranës. Ai nuk u quajt thjesht hidrocentral i Banjës, mbasi vepra nuk ishte vetëm për të prodhuar energji elektrike, pa e ndotur mjedisin, por rëndësi vepra do të kishte edhe për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri. Dhe prandaj u quajt kompleksi hidroenergjetik i Banjës, vepër e cila filloi të ndërtohej më 15 qershor 1986. Kompleksi hidroenergjetik i Banjës, që do ndërtohej mbi lumin Devoll rreth 25 km larg qytetit të Elbasanit dhe rreth 15 km larg qytetit të Gramshit, përveç përfitimeve ekonomike ka avantazhet e tij në ekologji. Ky hidrocentral i përbërë nga dy grupe veprash, i parë me syrin e ekologut cilësohet si një vepër e mirëfilltë ekologjike për dy arsye kryesore: Së pari, përfundimi i tij do të prodhonte 250 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit pa e ndotur mjedisin. Së dyti, përveç prodhimit të energjisë elektrike ky hidrocentral me basenin e tij do të shfrytëzohej dhe për të ujitur tokat e zhuritura nga nxehtësia e verës, duke hapur rrugën e krijimit të fermave ekologjike me perspektivë në zhvillimin e agroturizmit. Në vitin 1990 punimet në hidrocentralin e Banjës kishin arritur në 50%. Zhvillimet e reja demokratike bënë që Banja të mbetej peng i ndryshimit të sistemeve. Në vitet e tranzicionit hidrocentrali i Banjës iu nënshtrua shkatërrimeve duke shtuar këtu edhe faktorët natyralë. Shumë vite më vonë, Ministria e Ekonomisë, me datën 21 nëntor 2007 është zhvilluar tenderi për shfrytëzimin me koncesion të rezervës hidrike të lumit Devoll”.

 
Peizazhe të fotografuara
Ngjitemi sërish e marrim rrugën kryesore. Vetëm për pak minuta përballemi me një bukuri magjepsëse. Një liqen i madh, i qetë dhe një urë që kalon mbi të. Pak si kalon dhe urën mahnitëse, qeveria ka menduar dhe për turistët. Ka ndërtuar një pistë ku mund të parkohen makinat, e ku prej asaj pike dominuese mund të shijosh peizazhin përreth. Megjithëse era të pret, zbresim nga makina. Ca të tjerë preferonin që peizazhin ta shijonin nga brenda makinës. Nuk ishin nga ata që rrezikonin vetëm për të bërë një foto mbi liqen. Ndërsa ne po, familjarisht. Epo... qejfi ha kumbulla të tharta.
Secili ka zgjedhjet e tij. Por dhe unë do të isha dakord të mos kisha zbritur nga makina, nëse do ta dija me çfarë do të përballesha. Në lëndinën përtej pistës, në një mënyrë bastarde e tepër të shëmtuar u ndeshëm me qese të hedhura, kanoçe bosh e letra mbështjellëse. Paraardhësit tanë, që kishin pasur fatin të zbaviteshin në ditët me diell, kishin lënë pas vetes gjithfarë mbeturinash, edhe pse një kosh ku mund t’i hidhje pa u lodhur shumë, ishte aty pranë.

Gjithçka ishte disgustuese, përveç pamjes relaksuese të liqenit dhe të vetë digës. Nuk qëndruam dot më shumë se pesë minuta për të marrë rrugën e kthimit, madje me njëfarë urgjence, ca nga pisllëku e ca nga të ftohtët.
Në kthim e sipër bëjmë një vizitë të shkurtër në qytetin e Cërrikut, meqenëse në “panik” e sipër harruam të vizitonim Gramshin. Nga ç’e mbaja mend shumë vite më parë, Cërriku kishte pësuar vërtet transformim. Të paktën kishte një pedonale dhe disa objekte artistike në qendër të saj. “E ta lumsha moj Parti”, mendova. Tek e fundit, gjithçka bëhet me vendim partie.
Pimë një kafe qetësisht dhe ia futëm vrapit për në Tiranë, ku diku andej nga Bërzhita, një restorant na priste për të ngrënë drekën e munguar të weekendit mbi hidrocentral.


 

Saturday, December 21, 2019

Reportazh/ Atmosferë dramatike në pragun e festave të fundvitit


nga Leonard Veizi

Fund dhjetori. Ditë pushimi. Sa ngrihem në mëngjes, pa larë sytë dhe dhëmbët dhe pa i hequr briskun fytyrës, i propozoj gruas:
⁃Çdo bëjmë sot? I fusim një rrugë andej nga Mulleti a Bërzhita e hamë ndonjë pjatë mish?!
Gruaja tund kokën si për të më thënë se po dëgjonte çudinë më të madhe, pas rënies së tërmetit të 26 nëntorit.
⁃Aty e ke mendjen ti, te pjata e mishit. Nuk e di që jemi drangull në shtëpi!? Apo nuk jeton me situatën?!
Epo ne drangull kemi qenë gjithmonë. Si në kohën kur ndërtonim socializmin me forcat tona ashtu dhe në vitet e Ekonomisë së Tregut me ndihmën e të tjerëve. “Tek e fundit, ç’punë kam unë me drangullin”, desha t’i kthehesha gruas, por në çastin e fundit ndërrova mendje.
- Epo ç’urdhëron moj zonjë... Nga t’ia mbajmë?
U ngritëm për të bërë ritualet e mëngjesit dhe pastaj u mblodhëm bashkë me fëmijët në tryezë si për të marrë vendimin më të mirë të mundshëm.
- Unë them të bëjmë një pazar, - flet gruaja, ndërsa kalamajtë zgurdullojnë sytë. - E nisim nga tregu fshatar se i mbajnë çmimet më lirë. Nuk është shumë larg, shkojmë në këmbë. Fëmijët nuk po i marrim. Pastaj po na vijnë festat dhe duhet të jemi të përgatitur. Furnizohemi mirë e mbledhim mendjen.
Prishur mos qoftë. Ditën e pushimit e bëjmë javën tjetër. Se po e nise ditën me pazar, aha... nuk e merr më veten. Zëre se ke punuar me kazmë apo ke bërë normën në qilizmë. Pastaj ka të drejtë gruaja, Krishtlindjet, Viti i Ri. Se ne në Shqipëri jemi si punë paganësh, i festojmë të gjitha. Presim të na hyjnë dhe festat hindu, se me këto të Lindjes së Mesme jemi rrafshu. Epo... shpirtin shejtanit nuk do t’ia japim. Punë e vetëm punë. Se ne nuk jemi as në Gjermani o të keqen.
⁃Qyqja! - ia pat gruaja sa futemi tek tregu. - Qenkan shtrenjtu të gjitha.
Sa nuk më pushoi zemra. Mendova mos po binte përsëri tërmet e nuk po e ndjeja. Ka 30 vjet i njëjti refren. Bota i ul çmimet për festat, ne i ngremë. Tek e fundit nuk është ndonjë çudi e madhe.
⁃Po ç’na ngatërron me djathëra e sallame gjithë yndyrë, - i them. - Unë them ta shtrëngojmë një çikë dorën. Se kam ndër mend që nga 1 janari 2020 të filloj dhe dietën.
Sapo isha njohur me një metodë të re që prej pak ditësh, e kisha lexuar në internet dhe isha fiksuar pas saj. Në fakt, asnjëra nuk më kishte dhënë efekt deri atë çast. Por kisha besim të patundur tek kjo e fundit.
⁃Pika dietës tënde. Pastaj hallin tënd kam. Po kalamajtë?
Përsëri ka të drejtë gruaja. Epo Viti i Ri. Duhet të gëzojmë. Të hamë e pimë sa të na dhembi barku. Nga 1 janari e tutje ka lezet dieta. Jo për gjë por s’ke dhe nga ia mban, se buxheti ka shkuar në fund dhe duhen ca kohë të mbledhësh veten.
⁃Shkojmë në ndonjë qendër tregtare. Marrim dhe kalamajtë e u bëjmë ndonjë dhuratë për festat.
Demek nga tregu fshatar në atë qytetar. Epo gjysma e së keqes. Më duhet të marr makinën. Të paktën nuk do më zgjaten krahët si tek tregu i fshatarëve.
Te qendra tregtare dukej sikur ishte dyndur gjithë Tirana.
-Ç’ka ndodhur?
⁃50 përqind ulje, - më drejton gruaja vështrimin nga një tabelë e madhe.
Hymë brenda. Humba ekuilibrin nga njerëzit që vinin vërdallë.
⁃Uau! - ia pat përsëri gruaja sa kishte në kokë. - Kam qëlluar me zemër të fortë se do kisha vdekur ne vend. - I ke parasysh, si këto këpucët, në të dalë të sezonit në Milano i gjetëm për 5 euro, këtu me 50 përqind ulje janë 50 euro.
Nuk më kujtohej ky detaj nga udhëtimi i fundit në Itali. Por për një gjë isha i sigurt: që çmimet ishin skandaloze.
⁃Po pse s’i bleve në Milano e kishim rënë rehat?
Gruaja ngriti supet pa dashur t’i bashkëngjitet sarkazmës time.
⁃S’ma mori mendja.
“Herën tjetër”, thashë me vete. Mbase lirohen dhe biletat e avionit.
Vazhduam guidën tonë. Fryma po më zihej. Temperatura e ambientit ishte si në ditët e plazhit të korrikut. Njerëzit ngarkonin karroca me ushqime dhe shkonin me nxitim t’i hidhnin në bagazhet e makinave. M’u krijua ideja e një situate paniku. Para sysh më kaluan imazhet e vitit 1991 kur na thanë se kishte vetëm 6 ditë bukë. Unë vetë, pasi çava në radhë te furra e bukës, mora katër copë. Ti kishim rezervë. Kur shkova në shtëpi gjeta dhe tre të tjera. U furnizuam ding, të kishim bukë pas 6 ditësh. Se kush e di kur do na dërgonin grurë Fuqitë e Mëdha. “Grurë, grurë... Kulakët nuk kanë brirë,... ja kështu nisin e trashin zverkun... Stalini do na sjellë sigurisht... Maunet janë ngarkuar. Maunet apo vaporët???”.  Nisa të qesh me vete sepse m’u kujtuan ca batuta nga romani “Përballimi” i Teodor Laços. Me sa duket zija e bukës na paska kapur përsëri e nuk e kemi kuptuar.
-Mos shpenzo shumë, - i them gruas, - të paktën të na mbetet ndonjë lek sa të hamë ndonjë pjatë supë aty te vetëshërbimi se po na bie barku.
-Ekzakt mor jahu! - ma kthe ime shoqe. - Ikim, se këtu qenka një variant modern i Medresesë kineze.
Ç’na u kruajt të linim rrogën e muajit nëpër tezga. Unë për vete bleva vetëm një çakmak 40 lekë të reja. Të vetmit që u vinte buza vesh më vesh ishin fëmijët që kishin marrë dhuratat e kërkuara. Drejtohemi për nga vetëshërbimi. Radha kishte shkuar 12 metra. Pjatat plastike mbusheshin me kapul: pure, lazanja, musaka, qofte e salsiçe.
Hani o vëllezër hani, sa më shumë yndyrë. Po këtu në Tiranë nuk bën as ftohtë...
Fillova të shfryja. “Pa ngrënë keni mbetur?”, - shpërtheva. Tre veta kthyen kokën. Ca të tjerë bënë sikur nuk dëgjuan. Doja të ikja, por zorrët po më kërcisnin.
-Mos bërtit aman, - m’u lut gruaja, - se ty të kuptoj më mirë kur nuk flet.
Posi pra.
Atë çast gruaja mori dhe vendimin vetëmohues që më preku pa masë, të qëndronte në radhë derisa të mbushte pjatat. Unë u lirova nga detyra.
-Supë dojë zotrote?
⁃Edhe një pjatë pilaf, po qe se të dalin paratë.
Derisa të vinte ushqimi u ulëm dhe hapëm celularët. Secili të vetën. Iphone-i im po del nga moda. Nuk ma mban të blej një të ri. Lajmet vërshuan në ekran: Vetingu, SPAKU, ambasadorja e re, fondet për të pastrehët e tërmetit... Pirdh, pirdh...
Më mirë të kaloja te fashat e Showbizz-it, se sa me politikën e ditës. Me këtë rast çlodh dhe sytë. Është edhe fasha e sportit, por nuk ajo anë nuk para ia them. Një ditë ngatërrova Maradonën me Messin. Epo, të dy me “M” fillonin.
Papritur u ndjeva i lodhur. Shumë më i lodhur se kur mbaja trastat me ushqime që më zgjatën krahët. Kisha nisur të flisja përsëri nën zë: “Vari trapin politikës...”. Në mënyrë krejt instinktive. Fëmijët qeshnin me mimikën time. Isha gati t’u bërtisja, si për të shfryrë tërë dufin e asaj dite pushimi që më kishte ikur kot. Papritur, si për të na shpëtuar të gjithëve, erdhën pjata. Sherret u shuan që në gjenezë.
Ne u shtruam të hamë dhe mbyllëm gojën.

Monday, December 31, 2018

Duke pritur Vitin e Ri te dyqani i lagjes



Nga Leonard Veizi
 
Në supermarkatën e lagjes njerëzit po “vriteshin” për të siguruar asortimentet e fundit që i duheshin tavolinës së Vitit të Ri. Në korridoret e ngushtë që ndanin raftet, gra e burra pa përjashtim ulnin kokën poshtë e nxirrnin b...thët lart, me qëllim që të njiheshin më nga afër me çmimet: a ishin të vërteta ofertat apo tregtarët ua futnin, si gjithmonë. Pak më tutje kasiereve po u merreshin mend nga radhët e gjata dhe ushqimet që kalonin me shpejtësi në sistemin dixhital të pagesave.
-Po ia japim shpirtin shejtanit...
-E drejtë moj motër...
Jashtë, vargu i makinave nuk kishte të mbaruar. Ndërsa unë sapo isha futur me duar në xhepa tek supermarkata që e kam vetëm 100 metra larg shtëpisë. Një nga menaxherët po bënte ç’ishte e mundur që të shpejtonte punët tek blloku i “prodhimeve të mishit”, ky çdonjëri prej atyre që ishin vënë në radhë bënin vazhdimisht porosi për: mish viçi, derri, kotoleta, mish lepuri...
Mbreti i tavolinës së Vitit të Ri është gjeli i detit, i pjekur me kujdes aq sa mund të ngopesh vetëm duke e parë me sy e të mos hash asnjë kafshatë për tre ditë me radhë. Ai mund të kushtojë sa të dojë, çmimi nuk negociohet. Më poshtë piramida e menusë përmban gjithfarë gatimesh të tjera, ca me receta orienti e ca të tjera janë implementuar nga perëndimi.
-Epo një bark kemi, ç’i duam gjithë këto gjellë.
-E...e... ashtu thua ti... Po edhe Viti i Ri një herë vjen. Se viti tjetër mbase s’na gjen.
-U t’u thaftë goja.
Udhëtova në kohë. Vetëm për pak sekonda. Në vitin 1985 njerëzia zinte radhën tek ushqimorja. Ç’është e vërteta pa u grindur aspak, në respekt të njëri-tjetrit. Burrat në të djathtë, gratë në të mëngjër. Të gjithë me nga një letër bakalli me vete ku kërkesat ishin uniformë:
-2 vaj kikiriku, 1 pako makarona, 1 oriz, 1 sheqer, sapun rrobash, 3 kallëpe...
Iku ajo kohë.
Sot jemi 40 vite më pas, dhe e rëndësishme është që duke kujtuar të kaluarën e varfër ta mbushim tavolinën sa të mos mbajë më.
Kasierja kalon me shpejtësi mallrat e paketuara.
-4 djathëra të tymosur, lëngje frutash, një koli pije të gazuara, 4 kuti birra, 2 bikerina me vezë...
Hedh sytë vërdallë i habitur, edhe pse të njëjtën pamje kam vite që e përjetoj.
-Ore mos ka plasur gjë lufta? Me të dëgjuar e kam, baxhanaku me tha: ata rusët rrezik t’a  shpërthejnë kufirin...
-Jo or jo, ç’thua! Kemi festë ore festë.
-Po ca si shumë, apo keni ftuar në tryezë ndonjë togë ushtarësh. Se ata kur bien në të ngrënë janë si puna e karkalecit në bujqësi...
-Në datën dy janë mbaruar të gjitha.
Ke të drejtë: ha e dh...
-Ju bëftë mirë.
I shoh me zili njerëzit që dalin nga supermarkata me nga 3-4 qese 20-lekëshe të mbushura aq sa mund t’u çahen e t’u bien të gjitha të blerat në rrugë. Mua më duhet të humbas nja 15 kile nga pesha reale. Ç’t’i bëj forcës së zakonit se edhe natën e ndërrimit të viteve do ta shtyja me përshesh kosi.
Nuk besoja se isha bërë ziliqar i pandreqshëm. Isha thjesht një vëzhgues i tamaqarllëkut.
Dal nga supermarkata me duart bosh. As që mendohej se mund të mbaroja punë aty. Mendova të drejtohesha te dyqani poshtë shtëpisë. Një paketë cigare dhe dy brisqe roje ishte gjithë-gjithë shpenzimi im i rastit.
Sa dal nga dera, ndeshem me një pamje “madhështore”. Mali me mbeturina nëpër kazanë dukej si një vepër abstrakte e ndonjë artisti të ri të arteve vizuale. Nxjerr celularin dhe e shkrep për një foto. Punëtorët e pastrimit nuk i shkarkojnë dot. Makina e plehrave është mbushur ding. Duhet bërë një rrugë e dytë.
“Po, po”, - thashë me vete, - “para se të fillosh nga shpenzimet duhet të dish sa mbeturina do të bësh”.
Tek e fundit nuk duhet vrarë shume mendja. Është Bashkia që merret me atë punë.
Një ditë më parë kishim bërë një xhiro familjare nga një qendër tregëtare në të dalë të qytetit. Atje situata ishte edhe më e rëndë. Por gjithsesi, mendova se njerëzit u furnizuan me ç’deshën, dhe data 31 me mëngjes i takon gatimit. Por jo. Paska familje që nuk janë ngopur ende. Shpenzime të tjera.
Thonë qën në raste festash, në tregun shqiptar nuk ulen bën vaki të ulen çmimet. Ato rriten... kacafiu. Por çudi, blerës ka sa të duash. 
-Ah, paratë, gjenden ato, gjenden.
Epo, parja e zeze për ditë të bardhë... domethënë e kthyem së prapthi
Futem te dyqani poshtë shtëpisë. Fillova të përshëndetesha me gjitonët. Dialogu mes tyre vazhdonte:
-...se ja duhen fruta nga të stinës, por dhe ca brokoli për një supë, ca rukola për sallatë, ndonjë shegë t’ua hedhësh ca kokrra sipër... nuk duhet harruar dhe avokado.
Hë t’u harroftë emri, jarebi.
-Po kishim lënë pa marrë dhe majonezën për sallatën ruse. Edhe ca açeto për sallatën shef...
-Domethënë.
-Domethënë duhen bërë të gjitha. Të na gjejë Viti i Ri me pjatat plot.
-Mirë e ke.
-Po ti...?
-Ja do marr cigare.
-Çfarë thua ore. O Bike, po jepi cigare “shefit” se do iki.
Futem të marr cigaret jashtë radhe falë bujarisë së gjitonëve.
-Petë sfoliate ka? – thirri një grua në moshë që nga pragu i derës. - I kam rënë lagjes vërdallë e s’po gjej. Tani m’u tek për një byrek
-U mbaruan, - ngriti supet dyqanxhiu.
“Ç’bëhet kështu, – thashë me vete. – Kështu siç e kanë zënë në datë 3 njerëzit do shkojnë në punë, jo të çlodhur nga ditët e pushimit, por të lodhur nga të ngrënët dhe ende pa u dalë dehja nga alkooli”.
Të paktën shyqyr që na u hoqën fishekzjarrët nga këmbët, se na merruan kalamajtë.
Mora cigaret dhe u ula të pija një kafe. Nuk isha i lodhur. Më merreshin mend... e më vinte për të vjellë.

Thursday, December 14, 2017

Kosova, e pushtuar prej 30 shërbimeve sekrete

Perëndimi, sa larg dhe afër. Çfarë ndodh në rrugët e Prishtinës së pasluftës. Kosova, e pushtuar prej 30 shërbimeve sekrete


Reportazh nga Leonard Veizi


Prishtina është një qytet që, edhe pse i ndërtuar më së shumti në vitet e socializmit jugosllav, përcjell aromë civile të Perëndimit. Tashmë gjurmët e luftës janë zhdukur krejt. Vetëm në qendër të qytetit, një godinë 7-katëshe vazhdon të tregojë se ajo çka ndodhi mes shqiptarëve dhe serbëve, u mbyll me goditje plumbash, shpërthime minash dhe goditje artilerie. Dikur kjo ndërtesë ka shërbyer si komandë e policisë. Tashmë pritet vetëm të shembet, pasi nuk ka asnjë mundësi rikonstruksioni. Ndërsa pallatit të sportit i ka mbetur ende emri “Boro e Ramiz” në kujtim të “vllazërimit” serbo-shqiptar,ku sllavi Boro përfaqësonte minorancën në vendin e shqiptarit Ramiz. Ndërkaq jeta në kryeqytetin e Kosovës është po as e gjallë, sa dhe në pjesën tjetër të Evropës. Në 360 dhomat e hotelit “Grand” më së shumti gjen zyrtarë të vendeve të tjera që kanë ardhur për bisedime, apo biznesmenë që zbarkojnë për të lidhur kontrata të reja, ndërsa nga taverna çdo natë dëgjohen tinguj nga muzika vendase. Në rrugët e Prishtinës tashmë shihen shumë më pak “Toyota”-t me shenjat UN dhe po më pak shihen mjetet e blinduara më inicialet KFOR. Vetëm gjatë udhëtimit me avion, pranë Ferizajt, shihej nga lart baza ushtarake që po ndërtojnë amerikanët. Ndërkaq Kosova njeh si gjuhë zyrtare shqipen dhe serbishten, por për shkak të komunikimit masiv po kaq e njohur është dhe gjuha angleze. Në zyrat e administratës përpunoheshin vrullshëm platforma pa fund, ndërsa pranë kompjuterave më së shumti shihje teknicienët e rinj të shkolluar jashtë vendit. Ndërkohë, tregu i vendit pa status funksionon vetëm me monedhën e re europiane.

“Sigurimi i të drejtave të pakicave në Kosovë është testi kryesor për përmbushjen e standardeve demokratike, të cilat janë parakusht për fillimin e negociatave për adresimin e statusit dhe sa më shumë të jetë i plotësuar ky standard, aq më i fuqishëm do të jetë pozicioni i palës kosovare në negociatat për statusin e Kosovës”. Duke iu përshtatur kësaj sentence, tashmë qeveria e Kosovës si të vetmin qëllim kryesor të saj ka plotësimin e standardeve që do ta çojnë drejt pavarësisë shtetin e ri të shqiptarëve.
Ftesa
Të paktën 6 gazetarë nga Tirana fluturuan drejt Prishtinës me avionin e linjës direkte. Për të pasqyruar sa më mirë realitetin konkret, duhet ta prekësh vetë me dorë atë. Disa ditë më parë, nëpërmjet një ftese me postë elektronike, Daut Dauti, zëdhënës-këshilltar për media i kryeministrit Bajram Kosumi, ka njoftuar për një vizitë disaditore të disa gazetarëve nga vendet e rajonit në mënyrë që të informohen me gjendjen aktuale në Kosovë.
Në Prishtinë
Pas rreth 45 minutave fluturim, një avion modest i linjës “Albania Airlines” i ngritur në mesditën e 28 qershorit nga aeroporti “Nënë Tereza” do të ulej në “Airport Prishtina”. Vetëm pak minuta përpara se grupi i gazetarëve nga Tiranë të akomodohej në hotelin e njohur “Grand” aty kishte mbërritur dhe grupi i gazetarëve serbë nga Beogradi. Ndërsa pak më vonë do të mbërrinin dhe gazetarët nga Shkupi i Maqedonisë. Edhe pse e njëjta ftesë kishte shkuar dhe në Malin e Zi, nga Podgorica fqinje nuk erdhi asnjë gazetar. Por duket se kjo nuk i prishi punë askujt.
Gazetarët
Të paktën 15 gazetarë nga tri vende të rajonit udhëtuan nëpër Kosovë për t’u njohur nga afër me realitetin e ri. Nuk kishte dyshim që gazetarët e ardhur nga Beogradi panë bardhë e zi gjithçka që u servir para syve të tyre. Por edhe ata të Shkupit ishin po aq skeptikë ndaj asaj që do të shihnin në ditët e ardhshme. Gjithsesi, e justifikueshme apo jo, tendenca e gazetarëve sllavë nuk solli asnjë gjë të re të skenën e deklaratave të zyrtarëve të lartë, përveç faktit që administratori Petersen, duke iu përgjigjur gazetares Zhelka, tha: “Po ju jap një lajm të keq. Në Kosovë punët po shkojnë shumë mirë”.
Hapësira
Në Kosovë jetojnë rreth 125 mijë serbë, ku 100 mijë prej tyre nuk u larguan nga shtëpitë as gjatë bombardimeve. Aktualisht 18% të vendeve në Parlament i kanë minoritetet. Në Kosovë janë të licensuara 111 masmedia të ndryshme, nga të cilat 39 u përkasin minoriteteve, 26 prej tyre trasmentojnë në dy gjuhë, ndërsa 10 të tjera transmetojnë në gjuhën e minoriteteve të vogla.
Shoqërimi
Në dispozicion të grupit të gazetarëve “miks” kryeministri Kosumi kishte vënë në dispozicion dy nga këshilltarët më të rëndësishëm të tij, Daut Dautin, zëdhënës dhe këshilltar për median, dhe dr. Naser Rugovën, këshilltar politik. Jo vetëm informacion i detajuar, por çdo kërkesë e gazetarëve u plotësua duke plotësuar kështu dhe axhendën e paralajmëruar, si dhe takimet shtesë që u kërkuan më pas.
Takimi i parë
Vizita e parë do të bëhej në selinë e Kuvendit të Kosovës, ku në një bisedë me Arifin, koordinator i qeverisë për standarde, dhe Armenika Etemi, zyrtare e lartë në zyrën e kryeministrit, gazetarët e tri kombësive u njohën me punën e përshpejtuar që po bënte qeveria "Kosumi" në arritje të plotësimit të standardeve. Tabloja ishte e qartë. Një nga pikat kryesore ishte dhe trashëgimia kulturore.
Pengesat
Serbia vazhdon ta pengojë Kosovën atje ku mundet. Regjistrat kadastralë janë një nga pengesat kryesore që ka hasur administrata e qeverisë së Kosovës. Po gjatë tërheqjes serbët i morën me vete të gjithë regjistrat orgjinalë. Gjatë bisedimeve diplomatike në dy raste administrata serbe ka premtuar për kthimin e regjistrave, por në asnjë nga rastet nuk e ka mbajtur fjalën. Por jo vetëm kjo.
Privatizimet
Më pas ishte organizuar një takim me ministrat e qeverisë: Lutfi Haziri, ministër për Pushtet Lokal; Bujar Dugolli, ministër për Tregti dhe Industri; z. Ščepanović, sekretar i përhershëm në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim; dr. Astrit Ajeti, zëvendësministër për Shëndetësi; Arjeta Emra, këshilltare e kryeministrit. Ministri Dugolli bëri të njohur se tashmë privatizimi ishte një proces pa pengesa dhe se çdo muaj në Kosovë hidheshin në tregun e privatizimeve 30 ndërmarrje nga 570 ndërmarrje publike që ishin trashëguar nga sistemi i kaluar. Ndërkohë miniera e njohur e Trepçes ishte nën administrimin e UNMIK-ut. E kështu sipas tij, definicioni mbi një status real e përfundimtar të Kosovës, do të largonte dyshimet dhe do të afronte investitorët e rinj.
Integrimi
Në fjalën e tij Lutfi Haziri, ministër për Pushtetin Vendor, tha: “Kemi dy kategori të serbëve në Kosovë, ata që janë integruar dhe ata që janë kundër integrimit. Megjithatë, u është garantuar gjuha, buxheti, punësimi, ndërtimi i shtëpive të reja. Tashmë ne po zbatojnë formulën më pozitive në botë që cilësohet “diskriminim pozitiv”.
Laboratori
Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur një pyetjeje, pranoi se Kosova është kthyer në një laborator, ku dhe pse shpesh janë tejkaluar normat, ka pasur dhe arritje pozitive. “Diskriminimi pozitiv” është një nga projektet laboratorike që po aplikohet në Kosovën e sotme. Edhe pse minoritetet serbe, rome, egjiptas, ashkali përbëjnë vetëm 10 për qind të banorëve të Kosovës, pjesëmarja e tyre në vendimmarrje, Kuvend, qeveri e administratë është shumë më i madh. Për këtë arsye kjo është emërtuar me termin “Diskriminim pozitiv”. “Nga 120 vende që kemi në Parlament, 20 i posedojnë minoritetet”, u shpreh Daci. Duke folur për ngritjen e institucioneve Daci tha se në Kosovë vepronin më shumë se 30 shërbime të huaja inteligjente, ndërsa vetë Kosova nuk e kishte ende një të tillë.
Mbrojtja
Gazetarët e tri vendeve vizituan edhe Akademinë e Trajtimit dhe Doktrinave. Aktualisht Kosova ka një trupë mbrojtëse të përbërë nga 3032 trupa aktive dhe 2020 rezervistë. Duke bërë një rezyme të Akademisë, kolonel Shemsi Syla tha se TKM ka si mision kryesor mbrojtjen e popullsisë. Ai u shpreh se 10% e efektivit përbëhej nga minoritetet, ku shumicën e dominonte minoriteti serb. Por ata nuk i kishin zënë vendet e tyre në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.

KRYEMINISTRI
Është lindur më 20 mars 1960 në Tuxhec, komuna e Dardanës. Përgatitja profesionale e tij lidhet me Fakultetin Filologjik, dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, magjistër i shkencave filologjike. Fillimisht është angazhuar si gazetar dhe më pas ka vazhduar me politikën. Gjatë takimit me gazetarët kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, tha se gjatë këtyre viteve të pasluftës janë evidente përparimet e mëdha që janë bërë në Kosovë në të gjitha fushat e jetës. Në Kosovë janë mbajtur katër parë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nga të cilat kanë dalë institucionet demokratike të Kosovës, të cilat janë funksionale dhe të ndërtuara në bazë të parimit pozitë-opozitë. Ndër prioritet bazë të qeverisë, kryeministri ka numëruar zbatimin e standardeve, decentralizimin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe dialogun me shtetet e rajonit. “Zbatimi i standardeve ka marrë deri tash notë pozitive dhe nuk ka arsye që të mos jetë kështu edhe gjatë muajve të ardhshëm. Ne presim po ashtu një vlerësim pozitiv nga emisari special i OKB-së, Kai Aide, me çka do t’i hapet rruga fillimit të bisedimeve për statusin final të Kosovës. Bisedimet duhet të fillojnë në shtator dhe ato nuk do të zgjasin deri në pakufi. Unë shpresoj se në vitin 2006 Kosova do të jetë krejtësisht ndryshe. Ne aspirojmë të krijojmë shtetin e pavarur të Kosovës, në të cilin të gjithë do të kanë të drejta të barabarta dhe qasje të barabartë në jetën publike”, u shpreh kryeministri Kosumi.

ADMINISTRATORI
I vendosur në atë që thoshte, shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jessen Petersen, për gazetarët “miks” të tri vendeve rajonale u shpreh: “Është shënuar progres, por ka dhe mangësi. Liria e lëvizjes është përmirësuar, por ka dhe serbë që nuk e ndiejnë veten të lirë për të lëvizur lirisht. Por them se ka nja konfuzion midis realitetit dhe perceptimit. Gjatë këtyre 15 muajve ka pasur shumë pak incidente me baza etnike dhe ka më shumë siguri. Nuk mendoj se duhet të ketë kthime të organizuar të serbëve në Kosovë, por ai duhet të jetë individual, pasi ka shumë njerëz që duan të integrohen në Serbi. Për sa i përket çështjes kadastrale, them se ishte një nga zhgënjimet e mia me Beogradin. Tashmë statusi përfundimtar i Kosovës është në interes të rajonit dhe nga kjo do të përfitojnë të gjitha shtetet në rajon”.

Rahoveci, krahina ku serbët po rikthehen në shtëpitë e tyre të paraluftës. Ngritja e shtëpive të reja, meremetimi i oblekteve të kultit dhe ruajtja e trashëgimisë kulturor

Bashkëjetesa e vështirë e pasluftës

Në krahinën e Rahovecit e rreth saj është bërë luftë e ashpër mes trupave të UÇK-së dhe atyre serbe. Mbas lufte shumë nga familjet serbe, sidomos ato që i lyen duart me gjak, u zhvendosën. Të tjerët qëndruan në një bashkëjetesë të vështirë me shqiptarët e tradhtuar prej tyre. Automjeti ynë ndalon në qendër të qytetit. Një xhami fare pranë qendrës po meremetohej. Autoritetet lokale na shpjegojnë se po rikonstruktohen gjithashtu dhe kishat e manastiret ortodokse. Ato futen në trashëgiminë kulturore të Kosovës. Kryetari i kësaj komune, Esat Haxhijaha na shpjegon se para lufte marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve ishin shumë të mira. Ata hynin e dilnin tek njëri-tjetri. Por pasojat e luftës e kishin çrregulluar këtë raport. Por pas lufte autoritetet vendase nisën sërish të gjenin mënyrën se si bashkëjetesa të normalizohej. “Është krijuar një grup pune prej 17 vetash që prej vitit 2002, i cili kthen dhe integron të larguarit. Që prej pesë vjetësh nuk kemi pasur incidente të rënda në këtë komunë, ndaj them se gjendja është e mirë”, na thotë kryetari. Ndërsa nënkryetari shtesë, Lubisa Duricic, i cili i përket etnisë serbe, thotë se bashkëkombasit e tij e ndjejnë frikën ndaj shqiptarëve dhe nuk janë të lirë. Gazetarët serbë kërkuan të kontaktonin me familjet serbe. Ne të tjerët gjithashtu. Lagjja e serbëve është vendosur në lartësi të qytetit. Opinione të ndryshme. Kemi dhe s’kemi frikë. E megjithatë të gjithë serbët janë aty, me shtëpitë dhe lokalet e tyre. Shesin e blejnë. Nga ana tjetër marrin ndihma dhe rroga dyfishe nga Beogradi. Një familje serbe ofron gazetarët shqiptarë në oborrin e shtëpisë. “Eja të pini një gotë nga vera jonë”. Pranojmë. Në komunën e Klinës një serb 75-vjeçar na thotë: “U larguam për 6 të vjet për në Vojvodinë, por jetuam si mos më keq. Atëherë, menduam të kthehemi në shtëpinë tonë. Unë kam lindur këtu. Nuk kam bërë asgjë të keqe dhe s’kam pse ta ndjej veten fajtor. Tanimë kemi hapur një dyqan”. Ndërkaq me një “Pasat” vjen djali i tij. Nga bagazhi nxjerr ushqime. Marrim vesh se ishte furnizimi i zakonshëm që vinte nga Beogradi. Ndërsa kryetari i kësaj komune, Prenk Gjataj shpjegon se zona fillimisht ishte goditur fort nga serbët, por më pas ishte rimarrë po me luftë nga shqiptarët. E tashmë po investohej që të dyja palët të bashkëjetonin. Rruga po bëhej e re dhe shtëpi të reja po ngriheshin gjithashtu.

RAHOVECI
Komuna e Rahovecit shtrihet në pjesën jugperëndimore të Kosovës dhe kufizohet në veri me komunën e Malishevës, në lindje me Therandën, në perëndim me Gjakovën dhe në jug me Prizrenin. Kjo komunë ka rreth 75 mijë banorë, nga të cilët 95 % janë shqiptarë, 3% serbë dhe 2 %, romë, ashkali dhe egjiptas. Në komunën e Rahovecit ekzistojnë dhe funksionojnë disa objekte industriale, ku më i madhi është kantina e verërave NBI. Komuna e Rahovecit ka gjithsej 25 shkolla me ente parashkollore, një shkollë të mesme me dy paralele të ndara. Gjithsej 23 shkolla fillore, prej tyre 2 shkolla fillore serbe. Në sferën e shëndetësisë ekzistojnë 6 qendra të mjekësisë familjare nëpër bashkësitë lokale dhe një qendër shëndetësore është në lagjen serbe.

STANDARDET
Ja si do përmbushen standardet
Standardet për Kosovën adresojnë një axhendë për tejkalimin e problemeve. Kjo axhendë është e afatizuar dhe sfiduese për institucionet kosovare, shoqërinë civile dhe UNMIK-un.
1-Institucionet demokratike funksionale – IPVQ-ja është zgjedhur në mënyrë të lirë e të drejtë. Ajo qeveris në mënyrë të paanshme, transparente dhe të përgjegjshme. Mediat janë të pavarura dhe të gjitha bashkësive u ofrojnë qasje në informim. Ekziston një organ i pavarur rregullativ për t’i vëzhguar të gjitha mediat dhe ky organ është reduktuar pa diskriminim. Fjalimi urrejtës dënohet nga mediat, komisioni rregullativ dhe komentatorët e mediave.
2-Sundimi i ligjit – Ekziston një kornizë e mirëfilltë ligjore dhe një zbatim efektiv i ligjit, në pajtim me standardet evropiane. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk mund të ndiqet penalisht për krim pa marrë parasysh kush janë ose kë e njohin. Ekzistojnë masa të rrepta për të luftuar krimin e motivuar etnikisht, si dhe krimin ekonomik dhe financiar. Personat të cilët kërkojnë dhe ofrojnë ryshfet, dënohen.
3-Liria e lëvizjes – Të gjithë njerëzit në Kosovë mund të udhëtojnë, punojnë në siguri, pa frikë nga sulmi, ngacmimi apo kërcënimi. Të gjithë njerëzit janë të lirë ta përdorin gjuhën e tyre amtare kudo në Kosovë. Të gjithë njerëzit kanë qasje në tregje, shërbime publike e sociale dhe shërbime komunale.
4-Kthimet e qëndrueshme dhe të drejtat e bashkësive dhe të anëtarëve të tyre – Anëtarët e të gjitha bashkësive duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore në Kosovë dhe nuk duhet të ballafaqohen me kërcënime për siguri dhe mirëqenie për shkak të përkatësisë etnike. Të gjithë personat e zhvendosur që dëshirojnë të kthehen në Kosovë duhet ta bëjnë këtë në siguri e dinjitet.
5-Ekonomia –Zbatohet korniza ligjore për një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese të tregut. Është themeluar një komision rregullativ, që i mban përgjegjës nëpunësit qeveritarë dhe sektorin privat. Ka një regjim taksash që mbështet funksionimin e qeverisë, që inkurajon investimin dhe që ofron shërbime themelore si kujdesin shëndetësor dhe arsimimin.
6-Të drejtat pronësore – Të gjithë duhet të kenë të drejtë të posedojnë dhe jetojnë në shtëpitë e tyre kudo në Kosovë. Zbatimi i drejtë i të drejtave pronësore është esencial për ta inkurajuar kthimin e PZHBV-e dhe trajtimin e barabartë të të gjitha bashkësive etnike.
7-Dialogu – Duhet të ketë dialog konstruktiv dhe të vazhdueshëm ndërmjet IPVQ-së dhe homologëve të tyre në Beograd për çështje si energjia, transporti, komunikacioni, të zhdukurit etj.
8-TMK – TMK në tërësi e zbaton mandatin e vet, siç ceket në Kornizën Kushtetuese, si organizatë civile për emergjenca, që kryen detyra të ndërhyrjes së shpejtë për sigurinë publike në kohë të fatkeqësive natyrore ose emergjencave. TMK i përfaqëson të gjitha bashkësitë e Kosovës.

KUSHTET
Çfarë janë standardet
Standardet janë 8 fusha në të cilat Kosova duhet të përparojë në mënyrë që të funksionojnë, të ketë stabilitet dhe të marrë rrugën drejt Evropës. Kur të arrihet përparim në këto fusha, jeta në Kosovë do të jetë dukshëm më e mirë. Standardet janë çelësi për vende pune dhe siguri. Ky është një plan i detajuar që i përshkruan veprimet konkrete që nevojiten për t’i përmbushur standardet. Qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u punuan në këto dokumente në partneritet. Më pas dy tekstet u miratuan nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, BE-ja, Grupi i Kontaktit dhe aktorë të tjerë kryesorë ndërkombëtarë. Të 8 standardet u publikuan më 10 dhjetor 2003, kurse plani për zbatimin e tyre për Kosovën më 31 mars 2004.

SITUATA
Ndërlikueshmëria e realitetit kosovar
Kosova gjendet në një nga periudhat më sfiduese të historisë dhe zhvillimi të saj, të bëjë hapa vendimtarë në realizimin e vullnetit politik të qytetarëve për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, prosperuese dhe me shanse të barabarta për të gjithë, si dhe të inkuadrohet në proceset e integrimeve euroatlantike. Në Kosovë janë mbajtur katër palë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nga të cilat kanë dalë institucionet demokratike të Kosovës, që janë funksionale dhe të ndërtuara në bazë të parimit pozitë-opozitë. Megjithatë, kalimi nga faza emergjente e ndërtimit të pasluftës në fazën e zhvillimit të qëndrueshëm social e ekonomik po shoqërohet me probleme në rritjen ekonomike dhe ashpërsim të gjendjes sociale, në efektivitetin e strukturave qeverisëse, transferimin e ngadalshëm të kompetencave nga UNMIK-u tek institucionet kosovare, problemet e integrimit të minoritetit serb dhe kthimin e të zhvendosurve nga Kosova: ekzistenca e enklavave jashtë tërësisë institucionale të Kosovës, ngjarjet e marsit dhe pasojat e rënda të tyre, problemet në marrëdhëniet me Serbinë dhe personat e zhdukur. Të gjitha këto paraqesin anën tjetër të realitetit. Ato shprehin ndërlikueshmërinë e realitetit kosovar. Raportet ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë kanë shënuar një ndryshim pozitiv në raport me periudhën e kaluar, respektivisht nga koha e ngjarjeve të marsit 2004, ngjarje këto që patën rënduar këto raporte. Në një masë bojkotimi i votimeve nga serbët e Kosovës në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar do të ndikonte negativisht në raportet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, dhe para së gjithash në integrimin e pakicës serbe në institucionet qendrore të Kosovës. Sidoqoftë, angazhimet e vazhdueshme të qeverisë së Kosovës, si në kohën kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj, ashtu edhe tanimë në drejtimin e kryeministrit Bajram Kosumi, kanë krijuar një tendencë pozitive dhe një politikë më integruese në krahasim me periudhën e kaluar. Si rezultat i kësaj ka ndodhur një shtensionim i marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, respektivisht një komunikim ndëretnik më intensiv dhe një inkuadrim i grupeve etnike në administratën lokale dhe qendrore të Kosovës.


Botuar në gazetën Ballkan - Korrik 2005