nga Leonard Veizi
Fund dhjetori. Ditë pushimi. Sa ngrihem në mëngjes, pa larë sytë dhe dhëmbët dhe pa i hequr briskun fytyrës, i propozoj gruas:
Fund dhjetori. Ditë pushimi. Sa ngrihem në mëngjes, pa larë sytë dhe dhëmbët dhe pa i hequr briskun fytyrës, i propozoj gruas:
⁃Çdo bëjmë sot? I fusim një rrugë
andej nga Mulleti a Bërzhita e hamë ndonjë pjatë mish?!
Gruaja tund kokën si për të më thënë se po dëgjonte çudinë më të madhe, pas
rënies së tërmetit të 26 nëntorit.
⁃Aty e ke mendjen ti, te pjata e
mishit. Nuk e di që jemi drangull në shtëpi!? Apo nuk jeton me situatën?!
Epo ne drangull kemi qenë gjithmonë. Si në kohën kur ndërtonim socializmin
me forcat tona ashtu dhe në vitet e Ekonomisë së Tregut me ndihmën e të tjerëve.
“Tek e fundit, ç’punë kam unë me drangullin”, desha t’i kthehesha gruas, por në
çastin e fundit ndërrova mendje.
- Epo ç’urdhëron moj zonjë... Nga t’ia mbajmë?
U ngritëm për të bërë ritualet e mëngjesit dhe pastaj u mblodhëm bashkë me
fëmijët në tryezë si për të marrë vendimin më të mirë të mundshëm.
- Unë them të bëjmë një pazar, - flet gruaja, ndërsa kalamajtë zgurdullojnë
sytë. - E nisim nga tregu fshatar se i mbajnë çmimet më lirë. Nuk është shumë
larg, shkojmë në këmbë. Fëmijët nuk po i marrim. Pastaj po na vijnë festat dhe
duhet të jemi të përgatitur. Furnizohemi mirë e mbledhim mendjen.
Prishur mos qoftë. Ditën e pushimit e bëjmë javën tjetër. Se po e nise ditën
me pazar, aha... nuk e merr më veten. Zëre se ke punuar me kazmë apo ke bërë
normën në qilizmë. Pastaj ka të drejtë gruaja, Krishtlindjet, Viti i Ri. Se ne
në Shqipëri jemi si punë paganësh, i festojmë të gjitha. Presim të na hyjnë dhe
festat hindu, se me këto të Lindjes së Mesme jemi rrafshu. Epo... shpirtin
shejtanit nuk do t’ia japim. Punë e vetëm punë. Se ne nuk jemi as në Gjermani o
të keqen.
⁃Qyqja! - ia pat gruaja sa
futemi tek tregu. - Qenkan shtrenjtu të gjitha.
Sa nuk më pushoi zemra. Mendova mos po binte përsëri tërmet e nuk po e
ndjeja. Ka 30 vjet i njëjti refren. Bota i ul çmimet për festat, ne i ngremë.
Tek e fundit nuk është ndonjë çudi e madhe.
⁃Po ç’na ngatërron me djathëra e
sallame gjithë yndyrë, - i them. - Unë them ta shtrëngojmë një çikë dorën. Se
kam ndër mend që nga 1 janari 2020 të filloj dhe dietën.
Sapo isha njohur me një metodë të re që prej pak ditësh, e kisha lexuar në
internet dhe isha fiksuar pas saj. Në fakt, asnjëra nuk më kishte dhënë efekt
deri atë çast. Por kisha besim të patundur tek kjo e fundit.
⁃Pika dietës tënde. Pastaj
hallin tënd kam. Po kalamajtë?
Përsëri ka të drejtë gruaja. Epo Viti i Ri. Duhet të gëzojmë. Të hamë e
pimë sa të na dhembi barku. Nga 1 janari e tutje ka lezet dieta. Jo për gjë por
s’ke dhe nga ia mban, se buxheti ka shkuar në fund dhe duhen ca kohë të mbledhësh
veten.
⁃Shkojmë në ndonjë qendër tregtare.
Marrim dhe kalamajtë e u bëjmë ndonjë dhuratë për festat.
Demek nga tregu fshatar në atë qytetar. Epo gjysma e së keqes. Më duhet të
marr makinën. Të paktën nuk do më zgjaten krahët si tek tregu i fshatarëve.
Te qendra tregtare dukej sikur ishte dyndur gjithë Tirana.
-Ç’ka ndodhur?
⁃50 përqind ulje, - më drejton
gruaja vështrimin nga një tabelë e madhe.
Hymë brenda. Humba ekuilibrin nga njerëzit që vinin vërdallë.
⁃Uau! - ia pat përsëri gruaja sa
kishte në kokë. - Kam qëlluar me zemër të fortë se do kisha vdekur ne vend. - I
ke parasysh, si këto këpucët, në të dalë të sezonit në Milano i gjetëm për 5
euro, këtu me 50 përqind ulje janë 50 euro.
Nuk më kujtohej ky detaj nga udhëtimi i fundit në Itali. Por për një gjë
isha i sigurt: që çmimet ishin skandaloze.
⁃Po pse s’i bleve në Milano e
kishim rënë rehat?
Gruaja ngriti supet pa dashur t’i bashkëngjitet sarkazmës time.
⁃S’ma mori mendja.
“Herën tjetër”, thashë me vete. Mbase lirohen dhe biletat e avionit.
Vazhduam guidën tonë. Fryma po më zihej. Temperatura e ambientit ishte si në
ditët e plazhit të korrikut. Njerëzit ngarkonin karroca me ushqime dhe shkonin
me nxitim t’i hidhnin në bagazhet e makinave. M’u krijua ideja e një situate
paniku. Para sysh më kaluan imazhet e vitit 1991 kur na thanë se kishte vetëm 6
ditë bukë. Unë vetë, pasi çava në radhë te furra e bukës, mora katër copë. Ti
kishim rezervë. Kur shkova në shtëpi gjeta dhe tre të tjera. U furnizuam ding,
të kishim bukë pas 6 ditësh. Se kush e di kur do na dërgonin grurë Fuqitë e Mëdha.
“Grurë, grurë... Kulakët nuk kanë brirë,... ja kështu nisin e trashin
zverkun... Stalini do na sjellë sigurisht... Maunet janë ngarkuar. Maunet apo vaporët???”.
Nisa të qesh me vete sepse m’u kujtuan
ca batuta nga romani “Përballimi” i Teodor Laços. Me sa duket zija e bukës na
paska kapur përsëri e nuk e kemi kuptuar.
-Mos shpenzo shumë, - i them gruas, - të paktën të na mbetet ndonjë lek sa
të hamë ndonjë pjatë supë aty te vetëshërbimi se po na bie barku.
-Ekzakt mor jahu! - ma kthe ime shoqe. -
Ikim, se këtu qenka një variant modern i Medresesë kineze.
Ç’na u kruajt të linim rrogën e muajit nëpër tezga. Unë për vete bleva vetëm
një çakmak 40 lekë të reja. Të vetmit që u vinte buza vesh më vesh ishin fëmijët
që kishin marrë dhuratat e kërkuara. Drejtohemi për nga vetëshërbimi. Radha
kishte shkuar 12 metra. Pjatat plastike mbusheshin me kapul: pure, lazanja,
musaka, qofte e salsiçe.
Hani o vëllezër hani, sa më shumë yndyrë. Po këtu në Tiranë nuk bën as
ftohtë...
Fillova të shfryja. “Pa ngrënë keni mbetur?”, - shpërtheva. Tre veta kthyen
kokën. Ca të tjerë bënë sikur nuk dëgjuan. Doja të ikja, por zorrët po më kërcisnin.
-Mos bërtit aman, - m’u lut gruaja, - se ty të kuptoj më mirë kur nuk flet.
Posi pra.
Atë çast gruaja mori dhe vendimin vetëmohues që më preku pa masë, të
qëndronte në radhë derisa të mbushte pjatat. Unë u lirova nga detyra.
-Supë dojë zotrote?
⁃Edhe një pjatë pilaf, po qe se të
dalin paratë.
Derisa të vinte ushqimi u ulëm dhe hapëm celularët.
Secili të vetën. Iphone-i im po del nga moda. Nuk ma mban të blej një të ri. Lajmet
vërshuan në ekran: Vetingu, SPAKU, ambasadorja e re, fondet për të pastrehët e
tërmetit... Pirdh, pirdh...
Më mirë të kaloja te fashat e Showbizz-it, se
sa me politikën e ditës. Me këtë rast çlodh dhe sytë. Është edhe fasha e
sportit, por nuk ajo anë nuk para ia them. Një ditë ngatërrova Maradonën me Messin.
Epo, të dy me “M” fillonin.
Papritur u ndjeva i lodhur. Shumë më i lodhur
se kur mbaja trastat me ushqime që më zgjatën krahët. Kisha nisur të flisja përsëri
nën zë: “Vari trapin politikës...”. Në mënyrë krejt instinktive. Fëmijët
qeshnin me mimikën time. Isha gati t’u bërtisja, si për të shfryrë tërë dufin e
asaj dite pushimi që më kishte ikur kot. Papritur, si
për të na shpëtuar të gjithëve, erdhën pjata. Sherret u shuan që në gjenezë.
Ne u shtruam të hamë dhe mbyllëm gojën.
No comments:
Post a Comment