nga Leonard Veizi
Ca vite më parë,
vendosa të “vras” një gazetar. “Lufta brenda llojit”, do të arsyetojë ndokush.
Mundet...
Por vendimi im për
të hequr qafe një njeri të medias nuk kishte të bënte me një akt të pastër
terrorist dhe as për të provuar syrin e pushkës duke e marrë nishan drejt e në
zemër. Nuk kisha marrë porosi nga askush, madje nuk isha unë dora e zezë e
atentatorit me veshje meshini, maskë në fytyrë e silenciator në grykën e
pisqollës. Por, i përfshirë isha në krim sa nuk thuhet. Tek e fundit isha urdhëruesi
i një vrasjeje ‘makabër’.
Tek e fundit, në një
“vrasje” të paralajmëruar, edhe kur ajo ndodh brenda një vepre letrare, autori mbetet
gjithmonë ekzekutor.
Kjo ka ndodhur në
faqet e fundit të romanit “Rrënimi”.
Por, përse e nisa
kështu këtë shkrim...?!
U motivova të hedh
ca fjalë e ca mendime, sepse për së fundi lexova axhanset e, “Reporterëve pa
kufij”, ku jepeshin të dhëna mbi numrin e gazetarëve të vrarë e të dhunuar anembanë
botës. Gjeta aty gjithfarë emra shtetesh ku gazetarët kishin shkuar “mish për
top”, ishin vrarë e masakruar, ishin prangosur e dhunuar, apo u ishte mohuar e
drejta bazë: liria e fjalës. Dhe të mendosh se për vitin 2019, ishin vrarë 49
gazetarë, 57 ishin kapur peng dhe 389 ishin arrestuar. Por “Reporterët pa Kufij”
thonë se tek e fundit viti 2019 kishte më pak gazetarë të vrarë në krahasim me
vitet e tjera.
Kjo është
ngushëlluese.
Po a janë për t’u
marrë shembull këto axhanse?
Sepse në këtë
10-vjeçar, numri i gazetarëve të vrarë nëpër botë kapi majat në vitin 2012 me
147 të tillë, ndërsa një vit më pas, pra në 2013-tën shifra kishte një tendencë
uljeje me 143.
Hajde luftë,
hajde. Domethënë, në vit vriten më shumë gazetarë se ushtarë në frontin e
vendeve të nxehta ku kërcet kallashi dhe hidhen raketa me rreze të mesme
veprimi. Thuajse dy kompani me gazetarë.
Gjithashtu
“Reporterët pa kufij” theksojnë se vendi me numrin më të lartë të gazetarëve të
vrarë është Meksika, Siria, Afganistani, Pakistani dhe Somalia...
Shqipërinë nuk e
gjenda kund.
Ja një fakt që
duhet marrë me optimizëm.
Nuk kemi asnjë
viktimë në radhën e kolegëve. Tani, me thënë të drejtën në Shqipëri janë nja
2000 a 3000 gazetarë, shumica e të cilëve punojnë si anonimë pas ekranit të një
kompjuteri. Por kjo nuk ka pikë rëndësie. E rëndësishme është që ne kemi gazetarë
edhe pse nuk ballafaqohen me frontin e ashpër të “luftës” dhe merren me
thashetheme apo hedhin shashka tymuese.
Liria e fjalës,
liria e medias, liria e shtypit, janë shprehje të fort diskutueshme në
Shqipërinë e pas vitit 1990. E megjithatë, gazetarët shqiptarë kanë qenë në
ballin e luftës. Kanë përballuar edhe ‘96 e rrahjeve pas zgjedhjeve, edhe ’97 terrorin
që solli shkatërrimi i firmave piramidale, edhe ’98 e grushtit të shtetit pas
vrasjes së një deputeti edhe ’99 e Luftës së Kosovës. Por përballuan dhe 15 marsin
e Gërdecit në 2008 apo 21 Janarin e vrasjeve në bulevard në vitin 2011. Por
gazetarët shqiptarë kanë pjesën e tyre në luftën kundër krimit e korrupsionit
dhe nuk janë të pakta faktet e denoncuara prej tyre publikisht.
Por asnjë gazetari
shqiptar nuk i është shënuar emrin me germa të arta në panteonin e martirëve të
fjalës së lirë. Apo qoftë dhe në panteonin e dëshmorëve të rënë në luftë. Sepse
Shqipëria ka dërguar në vendet e nxehta detashmentet e Brigadës Komando, por ne
nuk njihemi për fabrikimin e gazetarëve të luftës.
Fundja vend i
vogël jemi.
Gjithsesi, nga
njëra anë duhet të gëzohemi që nuk kemi viktima mes gazetarësh. Por sa duhet të
gëzohemi, thellësisht? Sepse po ta shohësh nga ana tjetër e medaljes, është njëlloj
si të gëzohemi fjala vjen që gjatë luftës së Dytë Botërore të mos kishim asnjë luftëtar
të vrarë, por luftën ta fitonin gjithsesi.
Ja, kësaj i thonë
luftë: Të vrasësh e të mos vritesh.
Dhe ta fitosh një
gjë pa luftë nuk është fitore, por dhuratë. Por, të jeni të bindur se, dhuratat
e shtrenjta, zakonisht nuk t’i bën kush.
Çdo luftë ka heronjtë
e vet. Dhe kauzat e mëdha ngrihen mbi trupat e martirëve. Kështu ndodhi në Revolucionin Francez ku nën
moton “Liri, Barazi, Vëllazëri” u sakrifikua në gijotinë dhe koka e Luigjit XVI.
Shqipëria ka plot
heronj, nga ata të pushkës dhe nga ata të penës, që u përpoqën për të ndriçuar
mendjen e varfëruar nga otomanizmi. Por viteve të fundit nuk është se kemi
nxjerrë ndonjë hero.
Kjo ka dy mundësi,
ose ne jemi të paaftë, ose ne dimë mirë t’ia hedhim bythës e të dalim pa lagur.
Vija e kuqe është aty, por asnjëri prej nesh nuk ka guxuar ta kalojë atë.
Në Shqipëri nuk
vritet njeri për punë idealësh, vetëm kur banditët heqin qafe njëri-tjetrin. Ka
pasur gazetar të kërcënuar, të rrahur, të gjobitur nga Gjykata, por jo të vrarë.
Ndaj i vetmi
gazetar martir, i vrarë në krye të detyrës, mbetet Rron Grabova, gazetari që
gjallonte tek unë në një nga skutat më të errëta, por që gjithsesi nuk e lija
të merrte jetë.
Dhe sot, sipas
naivitetit tim artistik, ai gjendet i vrarë për fjalën e lirë, sepse zbuloi një
korrupsion dhe nuk pranoi ta mbyllte gojën. Por kjo është vetëm një e vërtetë
artistike. Një iluzion letrash. Realiteti flet ndryshe. “Reporterët pa kufij
nuk e rreshtojnë Shqipërinë në listën e vendeve ku shtypi i lirë në tërësi, apo
gazetarët në veçanti, kanë probleme të rënda.
Por as kjo nuk
është shenjë e mirë!
No comments:
Post a Comment