Showing posts with label Intervista. Show all posts
Showing posts with label Intervista. Show all posts

Sunday, December 20, 2020

Një intervistë e rrallë me Themie Thomain, ish ministre e Bujqësisë

Themie Thomai


JETËSHKRIMI
E lindur në Këmishtaj
Themie Thomai u lind në Këmishtaj të rrethit të Lushnjes dhe është e datëlindjes 31 tetor 1945. Shkollën fillore dhe atë tetëvjeçare e ka kryer në vendlindje, Këmishtaj. Më pas ka vazhduar arsimin e mesëm, teknikumin bujqësor, të cilin e ka mbaruar në Tiranë. Gjithashtu përfundon studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Në vitin 1967, ajo emërohet kryetare e Kooperativës së Këmishtajt. Në 1 maj të vitit 1976 emërohet Ministre e Bujqësisë dhe Ushqimit, portofolin e së cilës e mbajti për gati 14 vjet me radhë. Ka qenë gjithashtu dhe deputete e Kuvendi të Shqipërisë. Nga martesa me një mjek stomatolog shumë i njohur, Themie Thomai ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Ndërsa vitet e fundit është bërë edhe dy herë gjyshe.
 
FILLIMET
Përvoja nga specialistët
Me përfundimin e shkollës për Themie Thomain ka nisur dhe karriera profesionale. “Pastaj pasi mbarova shkollën jam emëruar kryetare e degës së planit të ish Kooperativës, Këmishtaj dhe në vitin 1967, jam bërë kryetare e Kooperativës së Këmishtajt, post të cilin e mbajta për 10 vjet me rradhë në kooperativën e cila shumë shpejt do të fitonte vlerësimin më të lartë, pra do të cilësohej një nga më të mirat në atë kohë. Kishim një kolektiv specialistësh dhe kuadrosh të përkushtuar me një popull të mrekullueshëm që dinte të punonte mirë. Si rezultat i asaj pune dhe i një trajtimi shkencor të punës në fjalë, jo vetëm nga ne kuadrot por dhe i gjithë populli i asaj zone, kooperativa bujqësore e Këmishtajt vazhdimisht ka arritur rezultate të larta”, shprehet ish ministrja e Bujqësisë Themie Thomai.
 
KOOPERATIVA
Vendi ku bëheshin eksperimentet
“Një nga arsyet, që kooperativa e Këmishtajt kishte rezultate mjaft të larta në prodhimin bujqësor e blegtoral, unë mendoj se ishte ngaqë ne kishim bashkëpunëtorë nga më të afërt dhe nga më të rregulltit e institucioneve kërkimore shkencore. Shumë eksperimente bëheshin në kooperativën tonë. Vazhdimisht futeshin elemente të reja në prodhim. Punohej të mënyrë të shkëlqyer me tokën, me racën e bagëtive si dhe me farërat. Të gjithë këto komponentë: njerëzorë, shkencorë, teknikë, teknologjikë, bënë që prodhimi të arrinte rendimentet e Evropës Perëndimore. Paralel ndikuan të gjitha këto në formimin tim profesional dhe në karrierë. Unë nuk kam menduar se do të ndodhte ndonjëherë kjo gjë. Ishte vetëm pasioni që kisha unë për bujqësinë, e duke qenë dhe specialiste në këtë fushë, i kuptoja specialistët dhe ata më kuptonin mua. Punoja me një zell të madh dhe ky vrull tek unë vinte gjithnjë e në rritje”, rrëfen për gazetën “Ballkan” ish ministrja e Bujqësisë.


Themie Thomai
 

INTERVISTA I
Flet Themie Thomai, ish ministre e Bujqësisë. Si e gjeti dhe si e la ministritë në të cilën punoi për 14 vjet
 
“Ja si i drejtova dikasteret e prodhimit të bukës”
 
Si u bë emërimi i papritur në K.Q. Shkarkimi dhe zëvendësismi i Piro Dodbibës, ministrit paraardhës
 
Orjona Tresa
Leonard Veizi
 
Nuk ka më makinë dhe shofer që e pret tek dera e shtëpisë. Por kjo për të nuk ka asnjë rëndësi. Madje nuk ka më asnjë forcë për të ushtruar ndikimin e saj urdhërues mbi vartës, punonjës të administratës, drejtorë drejtorish, apo specialistë me tituj. Por dhe kjo nuk përbën më asnjë rëndësi për të. Ajo është e kënaqur që më në fund ka dalë në pension dhe ka mundësinë që në mëngjes herët të pijë një kafe shtëpie, ndërsa pak më vonë të pijë një kafe të dytë, nën shoqërinë e shoqeve dhe të miqve, në një nga lokalet fare pranë shtëpisë. Megjithatë, thotë se është e apasionuar pas bujqësisë dhe se ka mundësi që eksperiencën e saj të mbledhur në vite të mund ta japi në shërbim të një bujqësie më intensive. Edhe pse për 14 vjet me radhë ka drejtuar një nga ministritë më të rëndësishme të shtetit, tanimë jeton në një apartament normal të rrugës “Komuna e Parisit” në Tiranë. Është Themie Thomai, e cila megjithëse nuk ka ndonjë dëshirë të veçantë të jetë e intervistuar në faqet e ndonjë të përditshmeje, nuk e refuzon kërkesën e gazetës “Ballkan”. Dhe në këtë mënyrë gjithçka e arshivuar në mendjen e saj, mund të bëhen publike dhe për lexuesin e gjerë, që gjithsesi e ndjek kurioziteti i një të kaluare jo fort të largët.
 
Kur u emëruat në krye të dikasterit të Bujqësisë?
Në vitin 1976 unë jam shkëputur nga ish Kooperativa e Këmishtajt ku isha kryetare e saj dhe më 1 maj të po atij viti emërohem Ministre e Bujqësisë detyrë të cilën e realizova për më shumë se 13 vjet. Kam rreth 1 vit e gjysmë që jam shkëputur nga puna dhe nuk jam angazhuar më. Kam menduar se pas një kohe të gjatë pune pa pushim dhe shumë të lodhshme si fizikisht dhe mendërisht, kam vendosur që të qëndroj pranë familjes për të cilën kam detyrime të mëdha, si ndaj bashkëshortit, ashtu dhe ndaj fëmijëve.
 
E kishit menduar se një ditë do të bëheshit Ministre?
Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të ulesha në atë karrige. Natyrisht kam mbetur e befasuar që m’u besua mua një detyrë kaq e lartë. Nuk ishte e lehtë të drejtoje specialistë që kishin vite përvojë në punët e bujqësisë. Pastaj pozicioni i ministres do të thoshte që kjo të më jepte forcën e fjalës dhe të gjithë të tjerët që kishin të bënin me atë ministri të më dëgjonin mua dhe të bënin si thosha unë.
 
Dhe çfarë bëtë ju?
Unë zgjodha të kundërtën. Asnjëherë nuk mund të vendosësh vetëm. Duke qenë në atë karrige, unë kisha bashkëpunëtorët e mi më të afërt, pra konsulentë. Përveç atyre që kisha në Ministrinë e Bujqësisë, kishte dhe të tjerë jashtë ministrisë, që mendoj se ishin nga specialistët e mirëzgjedhur të fushave të ndryshme. Përpara se të merrej një vendim merrja mendimet e tyre paraprakisht dhe dilja më tej në përfundime.
 
Ndërkohë si ishin të shpërndara degët që vareshin nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit?
Kishim institucionet shkencore të vendit të implementuara sipas zonave. Për shembull në Lushnje qenë vendosur Instituti i Drithërave dhe i Pambukut, në Fushë-Krujë Instituti i Foragjereve, në Korçë Instituti i Panxharit, në Elbasan Instituti i Duhanit, në Vlorë ai i Fruti-Kulturës e kështu me radhë. Domethënë këto në një farë shkalle përfaqësonin edhe zonën ku punonin specialistë të kualifikuar dhe unë përpiqesha që t’i mbaja shumë afër.


 
Cili ishte paraardhësi juaj?
Para meje Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit ka qenë zoti Pirro Dodbiba, për të cilin gëzoj një respekt shumë të madh. E kisha njohur shumë më përpara se unë të merrja postin e ministres së Bujqësisë, në takime të ndryshme që bënim ne për bujqësinë. Kisha biseduar shpeshherë dhe për shumë probleme me të, madje ai kishte ardhur dhe më kishte vizituar edhe në kooperativën ku punoja. Ishte një person me shumë kulturë. Mund t’ju them se e kisha të vështirë të drejtoja atë ministri pas Pirro Dodbibës. Ai ishte shumë më i pjekur nga ana profesionale dhe them se kam përfituar mjaft nga përvoja e tij.
 
Çfarë reformash ishin ndërmarrë nga ministria deri në çastin kur erdhët ju?
Kam gjetur gjëra të mira kur kam shkuar në ministri. Reformat kishin qënë në vazhdimësi. Nga ana ime jam përpjekur që ato gjëra që kishin ardhur deri në ato vite, t’i çoja më përpara. Kështu koha kërkon gjithmonë gjëra më të reja. Dhe unë e çova më përpara punën, sepse dhe detyrat ishin më të mëdha nga viti në vit. Ish ministri Pirro Dodbiba e tregoi që ishte një njeri i zoti dhe organizator i mirë, një specialist i talentuar në fushën e ekonomisë dhe të bujqësisë. Këtë e tregonte puna e bërë deri në ato çaste.
 
Cili propozoi për zgjedhjen tuaj në postin e drejtuesit të Ministrisë së Bujqësisë?
Unë nuk e kam marrë vesh asnjëherë se kush e ka bërë këtë propozim dhe kush më ka kërkuar, vetëm di që më kanë kërkuar të paraqitesha në ish Komitetin Qendror të asaj kohe. Nuk e dija absolutisht qëllimin e vërtet të asaj thirrjeje. Për të ditur se me se kishte të bënte paraqitja ime në Komitetin Qendror pyeta një shokun tim në Lushnjë që punonte në Komitetin e Partisë të rrethit, duke i thënë se “mua më kanë thirrur nesër në Tiranë, përse, sepse duhet të përgatitem?”. “Nuk e di”, më tha i cili nuk kishte natyrisht as informacionin më të vogël se si bëhej në lidhje me emërimet e kuadrove të larta.
 
Menduat se mos ndoshta ju kishin thirrur për t’ju tërhequr vërejtje?
Në fakt unë mendova se më kishin thirrur për të më marrë ndonjë mendim për bujqësinë, siç veprohej atëherë dhe kur u paraqita në Komitetin Qendror kam gjetur dhe katër bashkëpunëtorët e mij që gjithashtu i kishin thirrur në takim. Mes tyre dy persona i njihja, siç ishte Spiro Lengua, ish kryetar i Kooperativës së Derviçanit. Natyrisht më erdhi si çudi, megjithatë në Komitetin Qendror më thanë që kjo detyrë të është ngarkuar dhe ti do të marrësh drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë.
 
Në çfarë kushtesh ishit kur morët këtë post të rëndësishëm?
Kur më emëruan isha 31 vjeç, e martuar dhe me dy fëmijë, vajzën 8 vjeç dhe djalin 4 vjeç. Bashkëshorti ishte (dhe është) mjek stomatolog.
 
Si e pritën në familje emërimin tuaj?
Familja ime e mirëpriti këtë vlerësim që më bënë, por për mua ishte një detyrë shumë e vështirë atëherë. Ndryshon nga e sotmja sepse në atë kohë ishim në një ekonomi të centralizuar dhe duhej të përgjigjeshe për gjithçka. Pra shkurt ishte e rëndë si detyrë. Megjithatë ashtu siç ishte koha, atëherë po ta ngarkonin detyrën do ta bëje dhe me thënë të drejtën unë këtë punën time të vështirë, jam munduar ta kryej më së miri.
 
Pse mendoni se bujqësia është një fushë e vështirë, ose më e vështirë se të tjerat?
Çdo fushë ka rëndësinë dhe vështirësinë e vet. Por fusha e bujqësisë dhe ushqimit gjithmonë ka qenë gjithmonë e vështirë. Sepse ku dikaster duhej drejtuar për të prodhuar edhe për të tregtuar sepse janë produkte që duhet të trajtohen të freskëta.
(Vijon)
 

 
Sa i kushtoi shtetit shqiptar tufëzimi i gjësë së gjallë. Pse ra prodhimi vendas
 
“Tufëzimi na shkatërroi, prodhimi nuk ishte aq sa e trumbetonin”
 
Ishte një vendim që rëndoi shumë mbi ekonominë shqiptare. Pasojat e saj u ndien shumë shpejt. Reagimet e para nuk do të mirëpriteshin nga iniciuesit e saj. Po e vërteta ishte më kokëforte se sa sloganet. Duke kujtuar “epokën e artë” të tufëzimit, ish ministrja e Bujqësisë Themie Thomai thotë: “Për tufëzimin unë do të thosha se ishte një vendim madhor që ndryshoi dhe raportet midis konsumatorit dhe prodhuesit. Ky vendim është marrë shumë më lart nga Ministria e Bujqësisë. Në të gjitha këto hallka vendimmarrëse ishte Byroja Politike. Ndërsa Ministria e Bujqësisë ishte zbatuese e këtij vendimi, pra i kërkohej për të zbatuar hallkat si në ndërtimin e stallave, sigurimin e bazës ushqimore. Po të na kishin pyetur ne, natyrisht ne do kishim thënë jo, sepse tufëzimi ka bërë një dëm në vendin tonë për blegtorinë, për racën, por ndryshoi edhe raportet midis prodhuesit dhe konsumatorit. Fshatari u kthye në konsumator. Neve përpara se të bëhej tufëzimi, grumbullonim nga fshatarësia 12.500 ton mish, kur u bë tufëzimi grumbullonim 1500 ton. Kjo si pasojë pati dhe shumë kosto, në ndërtim, në numër, në vathë, pastaj dhe prodhimi nuk ishte i dukshëm aq sa e trumbetonin. Ishin hedhur disa argumente se po të bëhej tufëzimi do të futen lopët në trajtim, do të përmirësohet raca, gratë do të lehtësohen. Pra dhe higjiena në fshat do të ishte më e mirë duke iu afruar asaj të qytetit. Nuk e di në fakt nëse gratë u lehtësuan apo jo nga kjo reformë, por faktikisht ato duhej të hanin. Në të gjithë botën fshatari është prodhues dhe duhej të prodhoj ndërsa këtu ai u bë konsumator, iu vërsul kryeqytetit kështu që kush duhej të prodhonte?! Kështu që ishte një kosto shumë më e madhe se në lekë. Nuk mund të them ndonjë shifër të saktë por për mendimin tim ishte një kosto e rëndë dhe shumë e kushtueshme për vendin tonë”, rrëfen ish ministrja e bujqësisë Themie Thomai gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Ballkan”.
 
 
PËRKUSHTIM
Nderimi i veçantë për nënën
“Në punën time dhe formimin tim, përveç arsimit dhe të kulturës së nevojshme që kam marrë unë përmes arsimimit, një pjesë të rëndësishme të saj ia dedikoj familjes sime, nënës të cilën nuk e kam më. Ne kemi qenë dy fëmijë në shtëpi, motër e vëlla. Nënës sime i është dashur të përballojë shumë sfida për të na edukuar e shkolluar, pasi babai na ka lënë shumë të vegjël. Ajo ka sakrifikuar shumë për të ardhmen tonë. Ndaj dhe unë gjithmonë i jam përkulur dhe tërë jetën do t’i përkulem me respekt nënës sime, e cila edhe pse në kushte të vështira kërkonte që fëmijët e saj të ishin me dije e shkollë dhe të gëzonin dashuri e respekt për njerëzit”, thotë Themie Thomai.
 

OPTIMIZMI
Këshilla nga një e panjohur
“Mbaj mend se në fillim të karrierës time si ministre e bujqësisë, (ndoshta s’kisha veç pak ditë që isha emëruar në këtë detyrë) dhe isha zonja e dytë që drejtonte një nga dikasteret e rëndësishme të qeverisjes së Partisë së Punës, në një takim për çështjet e bujqësisë tek ish Hotel Drini, largohem nga tryeza e punës dhe dal jashtë. Nuk e di se si dukesha në ato momente. Kisha përshtypjen se nuk isha në vendin e duhur. Por në ato momente më afrohet një grua e thyer në moshë dhe më pyetse pse po qëndroja e mërzitur. Unë shtanga një moment ndërsa ajo ma kthen: “Nuk pse shqetësohesh aspak. Merre këtë punë më qetë pasi ashtu siç e kanë realizuar detyrën të tjerët, do ta realizosh edhe ti. Madje do ta bësh edhe më mirë se je grua”. Kjo ishte dhe një shtysë në ato hapa të fillimit të karrierës sime në drejtimin e bujqësisë shqiptare, të cilën ma dha një njeri krejt i panjohur”, rrëfen Themie Thomai.
 
RAPORTET
Marrëdhëniet me Enverin dhe Mehmetin
Por cilat kanë qenë raportet që ish-ministrja më jetëgjatë e Bujqësisë kishte me drejtuesit më të lartë të partisë dhe shtetit komunist? Ajo thotë: “Unë them që këto raporte kanë qenë vetëm pune, dhënie llogarie. Shumë prej tyre vinin në grupe pune për të parë se si zbatoheshin vendimet që kanë marrë për bujqësinë, si realizoheshin ato, dhe përgjegjësitë që mbaheshin. Përveç Enver Hoxhës, i cili në atë kohë ka qenë i sëmurë, gjë të cilën e kam marrë vesh vitet e fundit, por Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Manush Myftiu etj. vinin sipas rasteve. Një nga njerëzit që ndikonte më shumë në këtë fushë, ashtu si dhe në fushat e tjera, ishte ish-kryeministri Mehmet Shehu. Ai kishte kërkesë të lartë llogarie, por dinte të të jepte të drejtë atje ku vërtet ishte e drejtë. Ndërsa me Enver Hoxhën kontaktoja kur raportoja në Byronë Politike. Por Ministrisë së Bujqësisë i binte barra më e madhe duke dhënë llogari përpara organeve më të lartë në pushtet. Kishte shumë halle dhe telashe, bujqësia donte më shumë mjete që të rriste rendimentet, si: plehra, ujëra. Por edhe pse ishte bërë një punë e madhe, sërish ato ishin me pakicë, sepse vetë gjendja ekonomike e vendit tonë nuk ishte në atë shkallë sa të plotësonte vetë të gjitha kërkesat që kishte bujqësia”.
 
INTERVISTA II
Flet Themie Thomai, ish-ministre e Bujqësisë për 14 vjet:
 
“Si e kundërshtoja presionin që vinte nga udhëheqja”
 
(vijon nga numri i kaluar)
Vetëm dy javë dhe do të festojë 60-vjetorin. Ka lindur më 31 tetor ’45. Sigurisht, pret urimet e rastit, ndërsa pret t’i vijnë nga Greqia dhe fëmijët e vajzës Dejvid dhe Paula. Përpara se të ndahemi Themija, si një grua e thjeshtë, thotë se duhet të psonisë, në një nga tregjet e Tiranës. “Merrni pension suplementar?”- e pyesim. Ajo na shikon me habi. “Absolutisht, - përgjigjet, - unë marr një pension normal të përllogaritur sipas ligjit në fuqi. Ndoshta do të ishte mirë që për ne që kemi kontribuar për shtetin të kishte më shumë mirënjohje, por unë s’kam ndër mend të trokas në ndonjë derë”, thotë Themie Thomai dhe është e gatshme që këtu t’i vendosë dhe kapakun intervistës së saj me “Ballkanin”.  
 
Thotë se ministrat në vitet e ndërtimit socialist të vendit nuk kishin ofiqe, sepse kështu ishin vendimet e mara nga lart. “Në ato kohë ishim vetëm dy zonja ministre, unë dhe Tefta Cami, që ishte ministre e Arsimit. Vetëm për ne të dyja bëhej një lloj përkujdesje nga ana e shtetit për të na ndihmuar, për të na trajtuar, në kuptimin jomaterial sepse ne kishim rrogën dhe të gjitha të tjerat ishin si çdo qytetar tjetër”, thotë ish-ministrja.
 
Sa paguhej një ministër në vitet e Partisë së Punës?
Paga ime ka qenë 14 mijë lekë (të vjetra).
 
Çfarë është arritur në kohën kur ju drejtonit Ministrinë e Bujqësisë?
Ne bujqësinë jemi përpjekur ta përfytyrojmë në dy aspekte. Zhvillimi i bujqësisë tërësore rurale, që ishte një bujqësi masive dhe kjo duhej të vinte përmes një pune të madhe në drejtim të investimeve, në drejtim të punës shkencore, të rritjes së shkallës së mekanizimit, të kimizimit, të rritjes së nivelit shkencor të atyre që drejtonin dhe atyre që punonin dhe natyrisht kjo i dha frytet e veta duke punuar në drejtim të tokës, të farërave, të fidanëve, të gjedhëve, të shpendëve, të bagëtive të imëta me përzgjedhje racore. Ky ishte dominuese dhe besoj që këtu u arrit një rezultat i mirë dhe e dyta ishte komponenti i industrializimit të bujqësisë. Për shembull, të mos prodhohej veza në mënyrë spontane, por në kushte industriale, në komplekse ashtu siç janë realizuar në ditët e sotme. Mishi, sidomos gjedhi, por derri bagëtitë e imëta, krijimi i blloqeve të mëdha frutore, ullinjve, frutave, të perimeve me anën e serrave me ngrohje, pa ngrohje, kështu që efektivisht që kjo bënte që të lidhej zinxhiri i prodhimit në natyrë është gjithmonë i kushtëzuar nga natyra sepse kur e fut në ambiente të mbrojtura, ajo është nën ndikimin tënd, domethënë e drejton ti, nuk të drejton ajo.
 
Cili ishte niveli i prodhimeve gjysmë industriale në vend gjatë viteve ‘80?
U arrit të prodhohej 85% e vezëve në kushte industriale dhe të furnizoheshin qytetet sepse fshatari i prodhonte vetë, prodhohej 65% e mishit në kushte industriale, natyrisht kishte dhe shumë dru frutorë se ato nuk hynin menjëherë në prodhim. Ishin blloqet e reja që do hynin në prodhim, por dhe nga ato që do hynin në prodhim, prodhohej për shpërndarje, por edhe eksportohej. Dikush për shembull do ngrinte problemin, por mirë kur kishin gjithë këto blloqe frutore, ku ishin frutat? Dhe vërtet nuk kishte shumë fruta në Pazar, sepse ato ishin me sezone. Kjo duhej kuptuar. Ishte me sezone se molla nuk prodhon gjithë vitin dhe s’kishte kushte që t’i ruaje mollët.
 
Mund të importoheshin?
Sot importohen fruta të ndryshme që nuk janë të stinës, por asaj kohe nuk importohej, kështu ishte rregulli. Shteti nuk mund ta përdorte valutën për të importuar fruta, por lëndë të parë me të cilën vihej në funksion industria dhe mbaheshin njerëzit në punë.
 
Cili ishte niveli i eksporteve dhe importeve në sektorin bujqësor?
Bujqësia në atë kohë mbante goxha peshë, si për ushqimin bazë të popullsisë, për të mbajtur në punë industrinë e lehtë dhe ushqimore si dhe për eksportet. Sa për industrinë e lehtë ato eksportoheshin direkt nga tregtia e jashtme. Vetëm ato që eksportonim ne shkonin në shifra të konsiderueshme valute. Pra, e them me bindje se bujqësia mbante një peshë të madhe dhe të rëndësishme njëkohësisht. Eksportohej bimë medicinale, fruta, zarzavate, duhan, rrush.
 
Reformat ndërmerreshin nga dikasteri, Këshilli i Ministrave apo Byroja Politike?
Reformat që kishin të bënin me organizime ministrie ose institucione të tjera, nuk ishte e drejtë e ministrisë. Ministria për shembull po të bënte një studim duhej ta paraqiste diku që të miratohej, në Këshillin e Ministrave e më pas në Byronë Politike që thoshte fjalën e fundit, ky ishte rregulli. Madje dhe për anën teknologjike që kërkonin shuma për investime, edhe ato kërkonin miratim. Duhej të kuptojmë që ishim në një ekonomi të centralizuar. Ministria nuk mundej të vendoste vetë. Ajo kontrollonte vetëm zbatimin e punimeve me të tjerat merreshin strukturat më të larta.
 
Sa herë keni raportuar përpara Byrosë Politike për çështjet e bujqësisë?
Unë nuk e mbaj mend sa herë kam raportuar. Por kanë qenë të shumta, sepse bujqësia ishte shumë e rëndësishme. Kam vajtur shumë herë dhe me probleme të vështira siç ishte bujqësia, për blegtorinë, për drithërat, për frutikulturën, për bonifikimet. Ka pasur shumë tema, për përmirësimin racor. Pra, ishin tema të forta dhe me shumë përgjegjësi.
 
Keni pasur ndonjëherë presione nga drejtues të lartë të partisë dhe shtetit?
Natyrisht. Madje bënin presion për ndonjë problem të caktuar. Përplaseshim kur unë mbroja me vendosmëri jo vetëm mendimin tim, por dhe të specialisteve të tjerë. Puna më bënte të kontaktoja me zonat ku prodhonim. Takohesha me kuadro, me kooperativistë, vullnetarë, e kështu që mendimet i kisha dhe nga ata. Por kur duhej të realizohej diçka që lart ishte menduar ndryshe, natyrisht që presioni ekzistonte.
 
Si u veprua për zbutjen e gjendjes pas viteve ’85?
U bë një përpjekje faktikisht dhe doli teoria e tufëzave dhe e arëzave që, për mendimin tim, nuk zbuti asgjë, por mendoj unë, ajo ishte një diçka paraprake që po trokiste në derë për ndërrimin e sistemit dhe hapi i parë mendoj unë është që të mësoheshin njerëzit jo me tufa të mëdha, por me tufa të vogla. Dhe pa folur me gojë se diçka do të ndodhi, unë mendoj se kjo ishte, por jo se zgjidhi ndonjë gjë. Ajo që do ta zgjidhte, për mendimin tim, ishte t’i kthehej lopa fshatarit dhe kafshët, pra atij që punonte dhe prodhonte. Por gjithsesi ishte një hap i hedhur që mendohej se zbuti gjë, por nuk ndodhi ashtu. Ndoshta përgatiti ndonjë mendim që drejt kësaj do të shkohej, për ata që kuptonin natyrisht. Jo të gjithë e kuptonin këtë gjë.
 
EKSPERIENCA
“Çfarë morëm nga bota”
“Në rolin e ministres së Bujqësisë kam vizituar mjaft vende, e ftuar nga homologët e mi. Kam qenë në simpoziume, konferenca, konferencën e FAO-s, kam vizituar Francën, Austrinë, Zvicrën, Hungarinë, Egjiptin, Turqinë, Greqinë etj. Jam takuar me personalitete nga më të ndryshmit, me presidentë, kryeministra, ministra, shkencëtarë, kam parë nga afër zhvillimin e bujqësisë, që më ka lënë mbresa. Institucione shkencore të drejtuar me investime të mëdha kapitale të cilat bënin që tregu të ishte plot e përplot e të kishin shumë vende ku eksportonin. Gjatë vizitave kemi shkëmbyer mjaft mendime racionale të cilat mbase dhe ato kanë ndikuar në punën dhe veprimtarinë time, profesionin dhe formimin tim për ta përfytyruar bujqësinë më shumë se një bujqësi rurale, me një zhvillim spontan, dhe jemi përpjekur me aq sa lejonte koha të bënim. Kemi parë dhe kemi marrë nga përvoja e Hungarisë. Këto mirëpriteshin me argumente, por investimet ishin të pakta. Në Francë kishte institucione që shërbenin për prodhime farërash, diagnostikime veterinare. Kemi marrë kafshë race nga Danimarka, lopë Xhersi, mëshqerra, kuaj në Austri, një racë në Francë. Kjo më ka bërë të kontaktoja, të shoh nga afër parametrat për një bujqësi moderne dhe të implementimin farëra, fidanë etj., që ne t’i prodhonim me tregues të lartë. Edhe tek ne kanë qenë të ftuar nga ana ime homologë të bujqësisë. Ka ardhur kryetari i FAO-s në ato vite Eduard Osauma me një ekip shkencëtarësh. Nga ata kemi marrë serrën që prodhon fidanët që quhet prodhimi “invitro”. Kanë qenë ministrat e bujqësisë së Greqisë, Turqisë etj. se bujqësia nuk njeh sistem, por teknologjinë. Ruaj respektin e mjaft figurave të njohura në disa vende të cilët më dërgojnë ende të fala me anën e delegacioneve shqiptare. Ruaj kujtime të mira”.
 
 
Ish-ministrja flet për bujqësinë e pas viteve ’90.
 
Keqardhja për prerjen masive të blloqeve frutore Si mund të ringrihen ato që u shkatërruan
 
Cilat janë dështimet në kushtet e reja. Si mund t’i paraprihet turizmit me prodhimet natyrale
 
“Janë bërë disa gabime, ndoshta edhe nga mungesa e eksperiencës, ndoshta edhe nga euforia që u kalua në një sistem të lirë dhe që ky sistem të lejonte të bëje gjithçka. Ashtu siç ishte tufëzimi një gabim, edhe pas viteve ’90 u bënë gabime një kosto shumë të shtrenjtë për shqiptarët. Përse? Bonifikimi ishte kryer, toka vaditej në 65% të sipërfaqes së saj. Pritat malore ekzistonin, këto që thonë se përmbyten sot. Sepse ato shkaktojnë erozione në qoftë se nuk funksionojnë. Qenë krijuar blloqet e pemëve frutore, nuk mund të them që shkëlqenin, por ekzistonin. Ato mund të përmirësoheshin me investime të tjera, shumë më të mira, por jo të shfaroseshin. Unë nuk e kuptoj se si mund të presësh rrënjët e ullirit?! Edhe në kohën e Skënderbeut, kur martoheshin të rinj, duhej të mbillnin ullinj. Si shembull e them këtë, si mund të priteshin agrumet e Ksamilit, mollët e Qafës së Plloçës dhe Dvoranit, kumbullat dhe qershitë e Peshkopisë ose plantacionet e rrushit. Ato të bëheshin siç e donte ekonomia e tregut, ajo ishte një kthesë e rëndësishme që po merrte vendi ynë dhe natyrisht pronën duke ia shpërndarë atij që do e punonte. Zhdukja e menjëhershme e të gjithë mekanizmave solli një dëm të madh ekonomisë. E dyta ishte caktimi i tokës. Si mund të pretendosh një bujqësi bashkëkohore, një bujqësi që sot në kushtet e ekonomisë së tregut duhet të konkurrojë me shtetet që kemi në kufij, Greqinë apo Maqedoninë e Italinë, Shqipëria ka prodhimet e saj tradicionale dhe të forta sipas mendimit tim, sepse vazhdon të jetë një bujqësi organike, e pakimizuar, dhe duke qenë e tillë ajo duhet të jetë konkurrente në treg. Duhani oriental, që është shumë i nevojshëm për të bërë harmanet, zonat kodrinore mund të prodhojnë shumë mirë lulediellin që ato mund të futen shumë mirë në përpunim dhe s’kanë pse vijnë vajra gjithmonë nga jashtë. Por si do të prodhohen ato? Tokat sot është e copëtuar, efektivisht nuk mund të bëhen dot punë madhore siç e do toka, për punimin, vaditje. Mbrojtjen e bimëve nuk e bën dot se po e spërkate këtu, tjetri e lë pa spërkatur, domethënë dëmtojnë. Erozioni po bën kërdinë. Dëmtimet pa kriter po shpërdorojnë tokën në mënyrë flagrante. Është sensibilizuar opinioni për gjakun, por unë mendoj që dhe ky opinion duhet të sensibilizohet për ndalimin e rasteve abuzive mbi tokën. Kjo ka të bëjë me ushqimin e popullit. Në të kundërt do të shkojmë në importimin e mallrave bujqësorë. Sipas mendimit tim, duhet të ketë eksport paralel edhe import që të ketë njëfarë bilanci. E treta është që bujqësia nuk është e mbështetur në infrastrukturë për menaxhimin e këtij prodhimi, qoftë edhe kështu siç e prodhon fshatari ynë. Atij nuk i shitet prodhimi, i dëmtohet sepse mund të ndërtohen edhe hallka që t’i dalin zot prodhimit, domethënë me kushtet e ekonomisë së tregut. Mungojnë qëndrat e përpunimit që të mos shkojë puna dëm, të mos shkojë dëm investimi, por ato të kthehen në të mira materiale që të shpërbejnë qoftë për brenda popullit, por edhe për jashtë. E katërta, efektivisht ne nuk kemi bankë bujqësore që të ndihmojë se prodhimi bujqësor ka një cikël të caktuar prodhimi, atëherë banka duhet të hyjë dhe të ndihmojë me kedi të buta fshatarët që të ngrenë blloqe frutore, të rrisin kafshë race, të bëjnë prodhime farërash, fidanësh, të krijojnë qendra prodhimi, ferma të vogla fillimisht pilot pastaj përgjithësuese, pra të futen teknologji të reja që prodhimi të vijë e të bëhet konkurrues se ky që është, është prodhim vetëm për vete, ajo që i tepron fshatarit e nxjerr në treg dhe ajo që do një kohë është rrugët që të transportosh prodhimin janë të dobëta. Duhet ndërtuar sistemi rrugor për t’i shërbyer prodhimit. Kam dëgjuar në vitin 2012 do të arrijmë 750 mijë euro nga turizmi, mirëpo duke pasur parasysh se si po zhvillohet turizmi, ai turisti që vjen përveç vendeve të bukura që kemi do të hajë. Ai nuk do gjëra frigoriferi por të freskëta, dhe këto i bën vetëm bujqësia. Prandaj duhet që prodhimi t’i paraprijë turizmit që ky i fundit të ketë sukses. Bujqësia duhet të jetë një hallkë e rëndësishme dhe si front pune për shumë njerëz”.
 
NDRYSHIMI
Në ekonominë e tregut
“Pas viteve ’90 kam qenë në parlamentin e parë pluralist. Pas asaj fillimisht kam punuar në Institutin e Frutikulturës, pastaj dola në asistencë. Ndenja për gati 2 vjet pa punë, pastaj u sistemova si specialiste në Entin Shtetëror të Farërave dhe Fidanëve rreth 10 vjet në shoqërinë e një kolektivi të mrekullueshëm. E kam ndier veten të barabartë. Jam larguar me mendime nga më të mirat. I mbaj lidhjet dhe kam ndjekur me kujdes probleme të ndryshme të bujqësisë. Kemi bërë 3 forume të ish-ministrave nga një shoqatë. Mua më kanë vlerësuar. Në këto takime kanë qenë të gjithë ish-ministrat pavarësisht se ministrat e cilës kohe ishin. Madje më ka bërë përshtypje që ministrat nuk kanë qenë të politizuar. Ndoshta një specifikë që ka pasur vetë bujqësia, secili ministër që ka ardhur nuk është përpjekur të gjejë qimen në qull, sepse puna ka të meta, por është përpjekur që mbi tullat që ka vënë paraardhësi i tij të korrigjojë ato që duhen korrigjuar në sensin e mirë për të ecur përpara. Them se ata që janë të bindur se mund të kontribuojnë për bujqësinë të vijnë dhe të kontribuojnë ata që nuk japin të largohen”, thotë Themie Thomai.
 
DETAJ
Në tokat djerrë
“Kur isha në ministri, një ambasador që kish ardhur për vizitë kortezie më tha se drejtoja një punë të vështirë. E vështirë, i thashë, por gjërat e vështira janë edhe të bukura. Pastaj ai më bëri një kërkesë: A ke mundësi të më çosh në një kooperativë bujqësore? Pse një, i drejtohem me shaka, por deshe në një qind. Por mirë më tha, unë dua të shkoj në kooperativën ku ke drejtuar ti. Me kënaqësi, i them unë. E di pse ta thashë këtë, më tha. Unë me një shok kishim mbaruar Juridikun. Kisha shumë vite pa e takuar. Dhe një ditë m’u mbush mendja ta takoja. Vajtja. Më thanë që ai kishte lënë profesionin dhe kishte ngritur një fermë fushore. Edhe më mori malli, por edhe më shtyu kurioziteti. U nisa dhe vajta sipas adresës. Më tha se puna konkrete i jepte shumë kënaqësi. I kthehem: Ke të drejtë, unë ndoshta jam më i kollarisur se ti, por unë bëj ç’më thonë të tjerët, ti bën ç’do vetë. E tregova këtë detaj sepse mendoj se në qoftë se investohet që prodhimi bujqësor të jetë sa më pranë konsumatorit, edhe personat që kanë emigruar jashtë jam e bindur që do të kthehen të investojnë paratë e tyre për të ngritur plantacione e ferma të ndryshme bujqësore sepse ka shumë toka djerrë”.
 
FAMILJA
Bashkëshorti dhe vjehrra në ndihmë të ministres
Nëse ke një detyrë të madhe administrimi, duhet të përballesh njëkohësisht edhe me detyrat familjare. Por Themie Thomai thotë se e ka kaluar me sukses këtë pjesë problematike të jetës së saj. “Më kanë ndihmuar shumë në pozicionin që kur kam qenë kryetare e kooperativës në Këmishtaj qoftë edhe në Ministrinë e Bujqësisë, që nga burri e vjehrra që më ka rritur fëmijët, dhe më vonë vetë fëmijët, të cilët më kanë kuptuar në rolin që kisha duke më qëndruar pranë. Këtë vit kam menduar t’ua kthej këtë vlerësim që më kanë bërë, pasi tashmë duke qenë në pension nuk kam më preokupime. Madje edhe si gjyshe e Dejvid dhe e Paulës, fëmijëve të vajzës”, shprehet Themie Thomai. Ajo shton se asnjëri nga fëmijët e saj nuk ka marrë profesionin e prindërve. Pra, as mjek stomatolog e as specialistë bujqësie. Të rinjtë e kanë kërkuar ndryshe të ardhmen e jetës së tyre.

Sunday, December 6, 2020

Pandi Laço: Ambicja ime e re, të shkruaj një roman të ri

Njeriu i spektakleve thotë se së shpejti do të vijë edhe me një vëllim poetik si dhe një skenar filmi artistik
 

Nga Leonard Veizi

Makina e shkrimit është transformuar në një ordinator. Dhe pena me bojë në kallamar ka kohë që e ka humbur kuptimin. Ndaj ai është një shkrimtar modern, ashtu si vetë teknologjia që të jep mundësinë që të kesh një perceptim të ndryshëm nga ai që ke pasur më parë...

 ...Jo domosdoshmërisht sentenca popullore se “dardha bie nën dardhë” është një postulat i pagabueshëm. Ka raste kur ajo nuk ngjit gjëkundi. Por jo në rastin tonë.  
Ai ka bërë një jetë artistike ndryshe nga ajo e Atit të tij, Teodorit. Ka shkruar gjatë gjithë kohës, por jo prozë artistike, as poezi, as drama e as skenare filmash. Por në pjesën mediatike, në një “rivalitet” të heshtur e pa zhurmë mes të dyve, ai e ka mundur të atin. Sepse përveçse një skenarist spektaklesh, dhe tekstshkrues këngësh, Pandi Laço ia ka dalë me sukses të jetë edhe një moderator elokuent e plot gjeste fine në skenë. Ndërsa këtë herë ai vjen para publikut në një format krejt të ri. Nuk ka të bëjë me spektaklet e televizioneve dhe as me tekstet e këngëve ku është vlerësuar jo pak herë. Tanimë ai sapo është përballur në tregun e letrave shqip me një roman. Gjatë një interviste për gazetën “Fjala”, Pandi Laço, jep më shumë detaje rreth pasionit të tij të ri, që me sa duket nuk do të mbesi vetëm në kuadrin e botimit të një titulli në prozë të gjatë.

Ju njiheni si skenarist e poet, por kjo është përvoja e parë në një proze të gjatë. Përse pikerisht tani?
Me lejo të bëj dy redaktime të vogla - Unë jam një skenarist spektakli që ndryshon nga skenaristi i filmit. Është një rol shumë i thjeshtë ai i skenaristit të spektaklit nga ai i filmit, sepse përafron me rolin e gazetarit të kulturës, ndonëse elementet e skenarit të mirëfilltë ndërthuren edhe në një spektakel televiziv e sidomos artistik.
Përsa i përket "poetit", do ndiehesha mirë po të më quanin "poet i kënges", se fjala "poet" është vërtet një profesion ose rol që jeta nuk ta jep aq bujarisht. Duhet të jesh talent i spikatur, të punosh pafundesisht për ta fituar këtë rol.
Të shkruash vargje për t’u muzikuar në këngë, nuk është aq e thjeshtë. Edhe kjo do njëlloj talenti, njëfarë dhuntie. Poezinë e mirëfilltë të një poeti mund ta bëjë këngë një kompozitor shumë i mirë. Po vargjet e këngës jo domosdoshmërisht janë poezi.
Gjithesesi unë shkruaj dhe poezi pa pretenduar se jam poet.
 
“Kurvid19”, çfarë trajton ky roman ?
“Kurvid19” është një roman që trajton një histori njerëzore. Është rrëfimi i një mashkulli në mes të tridhjetave, historia e të cilit kornizohet nga dimensionet e kohës që po kalojmë. Pandemia që ka përfshirë botën, raportet e këtij personazhi me njerëzit që e rrethojnë, e dashura, familjarët, fqinjët, dhe si ndryshojnë gjërat përreth tij në dinamikën e kësaj sëmundjeje që rrezikon njerëzimin.
 
A është ky një produkt i shkruar në ditët e karantinës?
Sigurisht që po! Izolimi i njerëzimit që nga muaji mars, zhvillimet që mori jeta, oraret e kufizuara të lëvizjes, lockdowni etj etj, solli një rutine të re të së përditshmes. U privuam nga disa gjëra. Punët normale që kishim në raportet me televizonin për të prodhuar spektakle e emisione televizive. Po me sa duket kjo pati diçka shumë pozitive. M’u kthye dëshira për të shkruar, krijuar në fushën e letrave. Dhe ja ku është romani i parë...

A do te vazhdoni me prozën e gjatë?
Besoj se po! Duke gjetur disa ekuilibra me veten, duke organizuar më mirë kohën e të punuarit në televizion do të preferoja shumë të vazhdoja të shkruaje prozë të gjatë. Kam një projekt të afërt për të mbledhur poezitë nëpër blloqe apo file kompjuterash e për të botuar një përmbledhje me poezi.

Ambicja juaj e rradhës?
Një skenar filmi artistik. Një nga veprat e fundit të tim eti, Teodorit të ndjerë, një dramë shumë interesante, mbërrita ta hedh në kompjuter në zhanrin e skenarit për film artistik. Por natyrisht romani i ardhshëm, është ambicja ime për momentin.

 


Friday, November 27, 2020

Intervista/ Petraq Risto: Linja Shqipëri-ShBA ka qenë një gjenerator i fuqishëm letrar

Intervistë me poetin dhe shkrimtarin Petraq Risto. Puna me librin shqip dhe përkthimi i veprave në gjuhë të huaja. Si po e përballon poeti situatën e pandemisë dhe karantinës
 

Nga Leonard Veizi
 
Jo në të gjitha rastet dimensioni gjeografik luan rol në dimensionin letrar, por gjithsesi ai është fort i domosdoshëm për një shkrimtar, pasi hapësirat e reja i japin më shumë mundësi fantazisë...
 
...Petraq Risto, poet e prozator njëherazi, e vlerëson një udhëtim fluturues për të kaluar nga një tokë në tjetrën, për më tepër nga një kontinent që quhet plakë, si Evropa, në një kontinent më të ri, si Amerika. Dhe veç mundësisë për një krijimtari të begatë, kjo lëvizje e kontrolluar, i ka dhënë atij dhe mundësi botimi në disa gjuhë të huaja, e në disa shtete të ndryshme sigurisht. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetëf FJALA, poeti i njohur flet për letërsinë në kushtet e një krijimtarie të lirë dhe për pandeminë, që na kufizon lëvizjen por jo lirinë e të menduarit:
 
-Prej vitesh jetoni mes Shqipërisë dhe Amerikës, kjo e ka ç’ekuilibruar jetën tuaj letrare, apo vetë letërsia ka nevojë për dimensione të reja gjeografike?
Në Amerikë shkela për herë të parë më 2003 kur erdha të shohë vajzën e madhe, Sidorelën, të cilën kisha pesë vite pa e takuar. Që atëherë kam botuar shumë libra, veçanërisht me poezi. Më tepër se gjysma e kësaj krijimtarie është shkruar në ShBA. Mendoj se kjo ka qenë periudha më prodhimtare dhe më cilësore për mua. Këtë fakt e ka theksuar dhe kritika jonë letrare dhe shumë personalitete shqiptare, por edhe të huaj. Gjatë kësaj periudhe botova librat poetik si “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus H5N1”, “Udhëtar me pluhur ferri”, “Unë quhem Dje”, “Para-j-a?!” dhe tani së fundmi vëllimin “Ankimi i Luciferrit” etj. apo dhe disa romane, vëllime me tregime. Po kështu, poezitë e mia u publikuan në disa revista, antologji, almanakë, apo gazeta të huaja. Librat e mi poetik u botuan në Francë “Mjalti i varreve është i hidhur”; në Meksikë “Kujdestar i dallëndysheve”; në ShBA “Lojë shahu në shekullinXXI”; në Rumani “Gjuetia e kuajve të detit” dhe, para disa muajsh, po në Francë vëllimi “Njeriu me dritare në krah”. Gjithashtu, në ShBA publikova në spanjisht vëllimin “Oboe e dashurisë” dhe në rumanisht vëllimin “Gostia moderne e Shekspirit”.
Lëvizja, veçanërisht linja Shqipëri-ShBA, ka qenë një gjenerator i fuqishëm dhe ka çliruar për mua energji të shumta krijuese.
 
-Poet dhe prozator, në cilin nga shtratet ndiheni më mirë?
Natyrisht, poet. Por edhe prozën e shkruaj si poet, qoftë nga gjetjet, qoftë nga trajtimi. Kam botuar tre romane dhe dy vëllime me tregime dhe thuajse të gjitha subjektet janë bërthama poetike, por me logjikën e prozës së realizmit magjik. Dhe tani jam në procesin e mbylljes së një romani që e kam nisur para shumë vitesh, vepër e cila është ‘ngjizur’ dhe po rritet në shtratin poetik, mbase një veçanësi e prozës sime.
 
-Dikur botues në Shqipëri, duke hedhur në treg autorë të huaj, por edhe shqiptarë. Ishte stresuese, apo komode?
Botimi është ndërmarrje e vështirë, aq më tepër për një krijues që duhej të merrej vetë me të gjitha: gjetjen e librave, lidhjen e kontrateve me botues dhe autorë, parapërgatitjen e tyre (faqosjen, bërjen e kopertinave, etj.), me furnizmin e shtypshkronjës modeste me lëndën e parë, me tatimet dhe taksat, dhe, pas gjithë këtij volumi pune, të gjeje kohë e të merreshe me krijimtari cilësore! Por isha (dhe jam) një natyrë që e përballoja tensionin dhe punoja nën trysni. Ndaj, gjatë kësaj periudhe gati njëzetë vjeçare, shkruajta dhe botova më shumë se njëzetë e pesë libra, disa prej të cilave dhe në vende të ndryshme të botës.
 
-Sa kohë i kushtoni leximit të autorëve shqiptarë. Në çfarë nivelesh është letërsia shqipe, 30 vjet pas daljes nga skema e socrealizmit?
Lexoj shumë. Përqëndrohem te letërsia e përkthyer dhe autorët e mëdhenj, disa prej të cilëve, nobelistë. Lexoj shumë edhe autorë shqiptarë. Shumicën e librave e tërheq nga biblioteka ime personale në Tiranë, ka libra që i porosisë dhe, në valixhet e familjarëve apo dhe të miat kur vijmë nga Shqipëria, ka thuajse vetëm libra. Disa libra mi përcjellin autorët, kryesisht miqtë e mi nëpërmjet internetit, në word apo PDF.
Përsa i takon letrave shqipe, mendoj se është në nivelin e letërsive të vendeve të tjera, por me pak përfaqësues seriozë. Dolëm nga skema e socrealizmit, por (veçanërsiht në vitet e para) kapërcyem (një sistem) dhe ramë në një grackë tjetër, duke e parë realitetin e ri me syzet e vjetra. Poeti i shquar rus, Jevtushenko, gjatë një bisede në Tiranë, ku isha dhe unë pjesëmarrës, u shpreh se “e kërkuam me ngulm lirinë, por kur ajo na u dha, nuk dinim çfarë të bënim me të”. Nuk është puna se vetëm nuk dinim, por shpesh (veçanërisht ne krijuesit shqiptarë) nuk u orientuam, nuk guxuam, ose kaluam në këndin tjetër (të Kohës), me të njëjtën kamera, për ta parë realitetin jo bardhë e zi, por… zi e bardhë! Dhe akoma më keq: disa për arsye të ndryshme (kryesisht përfitimi) u tërhoqën fare nga krijimtaria!
 
-Kam lexuar disa poezi tuajat shkruar në rininë e hershme, dhe më bënë përshtypje motivet e veçanta e guximi krijues…
Qenë vitet e liberalizmit. Atëherë isha student. Moshë e artë, por edhe njëlloj lulëzimi që mendoje se do të vazhdonte kështu. Por nuk ndodhi. Erdhi Dimri. Shumë krijues shkrimtarë, piktorë, regjisorë, këngëtarë, etj. u dënuan me burgje apo internime, u çuan për riedukim, shumë libra u kthyen në kartonë. Ne që ishim ende të rinj u trembëm tej mase, u detyruam të ndiqnim “kultin e modeleve”, të kapnim “temën e madhe”, në një farë mënyre të mbijetonim. Kështu që krjimet e mia të adoleshencës, ajo frymë, ajo liri, madje, ndonjëherë, edhe ai shpirti rebel, do fillonin të shuheshin. Nëse do të mendohej një çast se ajo stinë pranvere do të zgjaste, kam bindjen se shumë talente të vërtetë do të kishin zhvillim tjetër dhe, mbase, edhe hierarkia letrare do të pësonte që atëherë ndryshime të dukshme. Kur hyri Demokracia isha 39 vjeç dhe menjëherë u riktheva në “stinën time”. Në ato vitet e para krijova poezi që tashmë kishin aromën e krjimeve të adoleshencës, lirizmin, rebelimin, poezi që i përmblodha në vëllimin e ri “Zgjohu princesha ime” (1995).
 
-A gjenden autorë shqiptarë në ndonjë librari amerikane?
Mund të gjenden disa libra të Kadaresë te libraria “Barnes & Noble”. Mbase ka dhe autorë të tjerë. Por tani librat dhe autorët mund të kërkohen lehtë te gjiganti Amazon, ku gjenden dhe disa libra të mi në gjuhë të huaj dhe shqip.
 
-Situata “Covid”, si po e përjetoni në vendin ku jetoni aktualisht? A mund të përbëjë ky precedent një motiv për të shkruar në të ardhmen?
Situatë lufte. Jo me helmeta, por me maska. Shtetrrethim absurd. Armik i padukshëm. Teori konspirative. Vëllimin “Ankimi i Luciferrit” u bëra gati ta botoja në fund të vitit që shkoi, por pandemia globale “më detyroi” të mos nxitohesha. Kështu punova në muajt e izolimit dhe librit iu shtuan disa motive të reja, veçanërisht dy poemat “Lojë shahu nr.2 me Uitmanin” dhe “Ëikipandemi: Lakuriqë, Pangomil – taksi, Bufë, bunkerë dhe robotë humanoid”.
Në parathënien e shkurtër të këtij libri me të tjerave shënoj: “Çfarë kohe! Unë ‘amerikani i ri’ përpiqem të mësoj me qetësi se qenka normale të përshtatesh me anormalen edhe në një nga vendet më demokratike në botë! Kohë e përshtatshme për poezi, e mbarsur me paradokse, absurditete, por edhe me fenomene të reja që na kanë sjellë, në këto dy dekadat e fundit, zhvillimi marramendës i teknologjisë e veçanërisht i kibernetikës. Çfarë kohe!... Një karantinë globale! Krizë e thellë ekonomike, e ngjashme me krizën e viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, që solli si rrjedhojë dhe Luftën e Dytë Botërore. Çfarë po ndodhë dhe çfarë pritet të ndodhë? Në këtë paragraf shtesë të një parathënieje dy faqesh, nuk mund të shprehem më gjatë. Më kujtohen thirrjet-vargje: “Djalli po vjen! Djalli po vjen!” në dy librat e mëparshëm “Unë quhem Dje” (2015) dhe “Para-j-sa?!” (2017), por edhe fragmente të poemës që i dha titullin librit “Ankimi i Luciferrit” ku (mbase rastësisht) grafika e zgjedhur prej kohësh për ballinë, paraqet kryeengjëllin Luciferr me krahë…lakuriqi(!)… Mbase rastësisht më 2006 vëllimin e titullova “Engjëlli me virus H5N1” (ishte virusi i shpendëve), më 2009 te vëllimi “Apo-ka-lypsi” dhe te poema me të njëjtin titull flitet poetikisht për krizën e rëndë të atyre viteve kur ishte përhapur virusi H1N1, apo Virusi i Derrit”.
Në kohë pandemie gjithnjë është shkruar. Ka një tension të madh dramatik dhe tragjik që natyrshëm mund të përcillet dhe në letërsi.
 
-Gjuha shqipe. Si po ndikon letërsia sot në ruajtje dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj? Pas gati 50 vjet nga ratifikimi i Kongresit të Drejtshkrimit, a ka nevojë për një rishikim të ri?
Letërsia e mirë gjithnjë ka ndihmuar dhe do ndihmoj në ruajtjen, zhvillimin dhe pasurimin e gjuhë shqipe. Një rishikim apo një freskim do ti bënte vetëm mirë, por me shumë kujdes dhe përgjegjësi. Me të duhet të merren vetëm akademikët, institucionet shkencore, specialistët e vërtetë, në hapësirën mbarë shqiptare.
 
-Çfarë po punoni së fundi, a jeni gati për një botim të ri?
Unë punoj çdo ditë për letërsinë. Lexoj dhe shkruaj çdo ditë. Isha mësuar që shkruaja dhe në kafe, librari, biblioteka, por tani jam i ngujuar në shtëpi. Pas librit me poezi, po punoj në prozën e gjatë dhe shumë shpejt do publikoj romanin “Magjistari i rrugës 77”. Paralelisht synoj të botoj libra në anglisht në shtëpitë botuese amerikane dhe kam gati të përkthyer një vëllim me poezi të zgjedhura dhe romanin “Një grua me Urdhrin e Ujkut”. Kismet!- thonë detarët kur nisen në lundrim.

Monday, October 12, 2020

Rudi Erebara: Në stendat e botës, letërsia shqiptare e vetme dhe pa mbështetje


Nga Leonard Veizi

Proza e tij deperton thellë, në një autopsi me prerje cezariane, ku organet e trupit derdhen pamëshirshëm mbi tryezë. Dhe ai na tregon me radhë funksionet e secilit prej tyre, si funksionon veshka, si pastron mëlçia e pankreasi, për të kaluar pompa e motorit zemër, por pa harruar funksionet e zorrës së trashë. Është një autopsi ndaj regjimit të kaluar ku boshti kryesor dhe vetë detajet përpëjnë hartën e Shqipërisë rrethuar me tela gjembi e njerëz që bënin art në terrenin e mbyllur e me pak oksigjen...

 ...Për fat ai nuk di t’i “bjerë nga Kina”. Gjerat i thotë troç, dhe atëherë kur të tjerët mundohen t’i rrëshqasin përgjegjësisë apo të bëjnë pak hile me gjëra që janë të dukshme e s’kanë nevojë të mbulohen. Letërsia shqiptare në botë ka mbetur jetime e sa për krijimtarinë brenda vendit, të pas viteve ’90, ai është i mendimit se është prodhur masivisht një letërsi e tekst post-traumë. E megjithëse shkrimtarët kanë mbetur si jetimë, ndërsa shteti e levat e tij nuk bëjnë asgjë për të rritur lexushmërinë, sërish ai ka bindjen e patundur se letërsia e pas 1990-s është shumë herë më lart në përgjithësi, se ajo që dikur mbështetej në shtyllat e realizmit socialist. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, shkrimtari i talentuar Rudi Erebatra, dhe po aq i talentuar si përkthyes e gazetar, rrëfen për jetën e tij brenda kornizës që quhet letërsi.
 
Jeni mbajtës i disa çmimeve, herë si shkrimtar e herë si përkthyes. Në fakt, sa vlen për ju një çmim letrar?
Jam vlerësuar me 2 çmime Kult, për përkthimet që kam sjellë në shqipe nga gjuha angleze dhe 1 çmim të panairit të librit. 3 çmime për veprën letrare, njëri 1991, me rastin e 1-vjetorit të lëvizjes studentore, të Shoqatës Rini e Artit, për poezinë “Shtëpia” dhe në konkursin poetik Migjeni çmim të parë më 1991, të dytë në vitin 1993. Çmimi më i madh më erdhi njëzet e ca vite më vonë, Çmimi Europian për Letërisë, që e japin Shoqata e shkrimtarëve të Evropës, Shoqata e librarëve të Evropës, Shoqata e Botuesve të Evropës, brenda se cilës është edhe Shoqata e botuesve shqiptarë, nën presidencën e zotit Petrit Ymeri. Çmimet letrare janë vërtet shumë të rëndësishme për t’i dhënë jetë e shtysë letërsisë e kulturës në përgjithësi. Nuk është e nevojshme që të gjithë çmimet të jenë Everestë që arrihen vetëm nga pak e admirohen nga të gjithë. Këtë bota moderne e ka kuptuar me kohë, aq sa e ka tepruar deri në kulm, kur jepet nga një çmim për të gjithë pjesëmarrësit në konkurse. Jo. Çmimi është i rëndësishëm, si ilaç vetëbesimi më e fundit fare për një autor të ri. Si një honorar i nevojshëm, për një shkrimtar. Si një pikë referimi për një lexues e botues. Edhe e fundit si një vlerësim kritik pa fjalë.
 
“Çmimi evropian i letërsisë” është një çmim ndërkombëtar që ju e keni marrë në vitin 2017. Çfarë përfituat prej tij?
Ky çmim në një kuptim më ndryshoi jetën. Kisha 14 vjet që nuk kisha dalë nga Shqipëria, kur shkova në Bruksel të marr çmimin. Ajo dalja pa vizë m’u duk magjike. Pastaj nga dalja pa vizë, më ra të takoja personalitete të qeverisë evropiane dhe si i thonë një fjale të pinim nga një gotë verë franceze e të bënim një muhabet vendçe me shkrimtarë evropianë. Shumë miqësorë të gjithë. Shumë të thjeshtë. Kur mendon pompozitetin prej kauçuku të ministrave tanë, të vjen të ikësh natën me not. E mori fjalën ministri i Kulturës, i cili atë vit ishte grek, edhe tha: Sivjet Evropa e bashkuar arriti të krijojë 22,2 miliardë euro me librin, me synimin që në 2018 të rritemi me 14%. Kjo më bëri shumë përshtypje. E nisi me shifrën që tregonte sa e donin evropianët librin. Sa paguanin për librin. Sa i rëndësishëm ishte libri për ta.
Që dola nga Shqipëria ishte përfitimi i parë, kishte edhe një honorar të mirë çmimi, edhe ftesa që marr çdo javë pa pushim për një konferencë letrare apo panair libri diku në botë. Shumë janë për takime në Angli apo vende të tjera, ku ne nuk shkojmë dot pa vizë. Ftesë më erdhi për kumtesë në Panairin e librit evropian në Panama, madje edhe në Meksikë. Po janë disa rrugë të cilat unë nuk kam mundësi t’i ndjek të gjitha. Por ama janë aty. Pastaj, përmes mikut dhe botuesit tim, Gëzim Tafa, shtëpia botuese Ombra GVG, më kanë ardhur pareshtur kërkesat për të drejtën e autorit, shpesh nga dy-tri shtëpi botuese nga e njëjta gjuhë. U mora me këtë proces në 2017-n me ethe të kapnim afatet e caktuara nga EU për ndihmat financiare që kërkonin shtëpitë botuese për ta përkthyer e botuar librin tim, edhe ndodhi që disa i kapën këto fonde. Unë nga e drejta e autorit, marr një shifër krejt modeste, (që të shuajmë ndonjë xhelozi), por shtëpitë botuese që përkthejnë edhe botojnë librin tim, kanë shifra domethënëse. Edhe pasi arrita të lidh kontrata të rregullta me shtëpitë botuese, e para ishte bullgare, e me radhë, italiane, hungareze, polake, kroate, turke, franceze, spanjolle, doli problemi i përkthyesve. Shumica e shtëpive botuese më thanë se i qenë drejtuar Ministrisë sonë të Kulturës për të gjetur përkthyes, por pa rezultat. Kështu që bëra edhe shkrimtarin, edhe agjentin edhe avokatin, edhe përkthyesin, derisa më në fund ia dola me sukses të kem kontrata të kryera në tri gjuhe. Edhe kjo ndodhi vetëm sepse shtëpitë botuese, italiane “Mimesis”, e cila boton “Epika e yjeve të mëngjesit”, në javën e parë të nëntorit, “Paraxenes meres”, shtëpia botuese greke, e cila ia doli përpara të gjithëve ta nxjerrë në panairin e librit në Frankfurt dhe shtëpia botuese spanjolle “Ginger Ape”, e cila permes komunikimit dje më sqaroi se libri del nga shtypi në fillim qershori të vitit tjetër, i gjetën vetë përkthyesit. Shtëpia botuese hungareze, përpara një dhjetëditëshi më nisi një mesazh, se nuk të kemi harruar Rudi, por nuk kemi përkthyes. Dua të kujtoj lexuesin, se Shoqata e Botuesve Shqiptarë me president Petrit Ymerin, ishin përfaqësuesit e vetëm që erdhën nga Shqipëria ditën kur jepeshin çmimet evropiane. Të gjithë shkrimtarët e tjerë fitues, u shoqëruan të marrin çmimin, nga ministrat e kulturës së vendeve nga vinin, nga ambasadorët e tyre në Bruksel edhe në Evropë, disa edhe nga agjentët e botuesit.
 
Epika e yjeve të mëngjesit", është romani juaj i cili po botohet në disa gjuhë të huaja. Ishte një sukses i lehtë apo i vështirë?
“Epika e yjeve të mëngjesit”, nisi me titullin “Korniza”. Meritën për titullin e ka Gëzim Tafa. Ai e hodhi si ide përpara se ta nxirnim librin në shtyp, edhe unë iu riktheva pak ditë ta tonoja nën këtë titull, si një homazh për piktorin shqiptar Edison Gjergo. Libri më mori një vit ta shkruaj, edhe takime me njerëz që kanë jetuar në moshë të rritur atë periudhë. Kam takuar për fat, edhe të vetmin kryetar të Sigurimit të Shtetit të mbetur gjallë, gjallë në kuptim i papushkatuar, i cili më shpjegoi diçka që mund të duket e thjeshtë, por është me shumë rëndësi. Gjithë shteti shqiptar i diktaturës ishte Sigurimi i Shtetit. Përkthimi i librit nisi me shumë shpresë, pasi lidha kontrata me shtëpi botuese, shpesh më duhej të zgjidhja e të bëja kërkime për shtëpitë botuese të huaja, të cilat më vinin përmes Ombra GVG. Pastaj pati një periudhë heshtjeje. Tani pas 3 vjetësh kontratat sikur morën sërish rrymë, edhe u ndezën. Më duket se e kam shpjeguar pak më sipër, por duhet të theksoj se ne jemi shumë të papërgatitur nga ana e administrimit të një procesi botues. Letërsia shqiptare vetëm për traditë edhe fat vazhdon të endet nëpër libraritë e botës, krejt e pambështetje. Nuk e kuptoj se çfarë bëjnë me fondet që hidhen për librin. Letërsia e pas 1990-s, është në shkretëtirë. Nisma individuale, si pagure uji.
 
Shkrimtar, gazetar dhe përkthyes, në cilin nga shtratet do të ndiheshit më i sigurt dhe cilin do të kishit më prioritar?
Përkthimin e kam bërë për rrogë. Nuk del kurrë sa një rrogë sigurisht. Por deri tani i kam 22 tituj të përkthyer. Nuk e di nëse mund të përdoret termi siguri. Siguri do të thotë të jetosh me letërsi dhe prej letërsisë. Ndryshe nuk ka asnjë siguri. E vërteta është se të gjithë shkrimtarët e botës një periudhë të jetës kanë pasur raporte me punën jashtë letërsisë. Hamej, muratorë, peshkatarë e biznesmenë, por janë kthyer në mënyrë profesionale në letërsi. Këtu te ne nuk kemi një shkrimtar të vetëm që rron pas 1990-s me letërsi. Nëse do të shfrytëzoja pyetjen, i bie po, shtrati ku kemi llocur.
 
Sa i angazhuar jeni që veç punëve tuaja, t’i kushtoni kohë dhe leximit të letërsisë artistike?
Kam lexuar ketë vitin e fundit sa për plotësim për vitet e tjera. Kur përkthen për ditë nuk ke më fuqi të lexosh. Dhjetë orë përkthim, nuk të lenë më kohë e fuqi. Ndodhi edhe protesta për mbrojtjen e teatrit kombëtar, e cila më mori shumë energji e kohë e më la pas në njëfarë mënyre me punën time e me leximet. Po kthehem.
 
Në çfarë nivelesh është letërsia shqipe, 30 vjet pas daljes nga skema e socrealizmit?
Këtë nuk di ta them, sepse unë jam lexues. Edhe si lexues nuk kam një panoramë të saktë të niveleve. Realizmi socialist ishte një fabrikë që punësonte njerëz me rrogë të shkruanin. Këta njerëz që shkruanin për realizmin socialist, paguheshin sa të jetonin me rrogën e punës, njëlloj si inxhinierët, veterinerët etj. Përkushtimi i tyre ndaj letërsisë së formatit ishte maksimal në një kuptim. Nuk mund të kemi krahasim nivelesh në këto kushte. Sot kemi një përmbytje me tituj, numër i cili është i papërballueshëm për një institucion e jo më për një njeri. Si njeriu që kalon një traumë të rëndë me jetën në prag të vdekjes, shqiptarët deshën të shprehen masivisht. Ta nxirrnin si të thuash të keqen nëpër libra. Edhe pjesa më e madhe e kësaj letërsie ashtu është, një tekst post-traumë. Si e tillë, siç e kemi parë, nuk po funksionon. Tirazhet zbresin përherë e më poshtë. Shkurt, e vërteta është se pas 1990-s, letërsia shqipe nuk e ka një Kadare, por ama nuk e ka as investimin as lexuesin për të pasur një Kadare. Në krahasim të përgjithshëm letërsia e pas 1990-s është e pakrahasueshme me atë të bërë nën diktaturë. Nuk mund të bëhet asnjë krahasim. Letërsia e pas 1990-s është shumë herë më lart në përgjithësi, jo në mesatare.
 
Situata e pandemisë dhe e karantinës së detyruar, si e rregulluat kohën tuaj për të qenë sa më efektiv?
Unë gjatë karantinës kam dalë për ditë. Maskë kam mbajtur vetëm një herë, në një rast brenda. Koha iku kot. Dëgjova që Ministria e Kulturës kishte nxjerrë një biçim programi letërsia e kovidit. Gjë më lejfeniste nuk më kanë dëgjuar veshët. Ja kjo është gjendja në të cilën ndodhet investimi në kulturë. Nuk mendoja se do të hasja në jetë një nismë kaq debile, sa letërsia e kovidit.
 
Për së fundi ka pasur një debat në lidhje me raportin e përkthimit të veprave letrare nga një gjuhë e huaj. Mendoni se qarkullojnë tituj të cilët kanë nevojë të rishikohen si përkthime, pasi kanë pasaktësi?
Gjuha zhvillohet. Librat që kemi lexuar ne përpara 40 vjetësh, fëmijët e sotëm nuk i kuptojnë fare, as si fjalë. Në të gjithë botën normale, ka mbi 5 përkthime për një vepër. Dramat e komeditë, shpesh përkthehen rishtas kur vihen në skenë. E di që ka një betonizim të idesë se veprat e përkthyera nga mjeshtrit e mëdhenj të përkthimit, janë sublimisht jashtë çdo diskutimi, por kanë qenë për kohën tonë. Ndoshta duhet ta kërkojmë fajin që nuk lexojnë sot të rinjtë, pikërisht se nuk e kuptojnë gjuhën që kuptonim ne. Edhe sot kemi të rinj që dinë nga dy gjuhë që në shkollë të mesme. Kemi gjysmën e popullsisë që rron jashtë dhe është dygjuhëshe. Nuk diskutoj pasaktësi. Diskutoj vepra të tëra të përkthyera në një gjuhë të tejkaluar, e cila ka kaluar nën presën e censurës gjatë diktaturës. Mendoj se kemi shumë punë për të bërë, por a do të bëhet kjo punë, nuk e di. Sepse është një punë që nuk paguan, edhe kur nuk paguan, nuk quhet më punë.
 
Me çfarë po merreni konkretisht?
Përktheva Makbethin, edhe po punoj me Hamletin.

Sunday, September 20, 2020

Mira Meksi: “Njëqind vjet vetmi”, qasja e frikshme ku mund të “thyeje qafën”




Nga Leonard Veizi

 

Proza, kjo mjeshtëri burrash tekanjozë, ashtu si dhe lufta po për burra, por aspak të tillë, prej kohësh nuk është më monopol i mbyllur “me kyç” dhe krejt i paprekshëm. E, megjithatë, femrat që i’u imponuan botës së prozës, por dhe të luftërave shumë kohë më para saj, janë ende pjesa e pakicës. Po, për fat të mirë, aspak më mediokre sesa burrat, dhe pse jo aq të vlerësuara sa ata. Ky mund të ishte dhe një perceptim i gabuar, një pyetje e shtruar jo drejt, ndoshta me tendencë, a ndoshta nga një naivitet i shtirë, por Mira Meksi thotë se në rastin konkret perceptimi është i drejtë dhe jo e tillë është ajo që ndodh mes grave dhe burrave në botën e fortë të prozës. Sepse duam apo nuk duam, maskilizmi ekziston po aq i egër sa dhe në mesjetë, edhe pse në botën e ashpër mashkullore kanë kaluar zhurmë e rapullnajë lëvizje feministe e revolucione seksuale, që në një farë mënyre e kanë zbutur atë...

 

 ...Pa dyshim, mes çmimeve letrare, e botimit të veprave të saj nga shtëpi të huaja botuese, ajo ndihet e pakompleksuar dhe kryelartë për atë çka mundur të arrijë në jetë. Elokuente deri në detajin më të skajshëm, Mira Meksi vjen në këtë rrëfim për gazetën “Fjala”, si për të thënë mes të tjerash se me butësinë, a brishtësinë e saj femërore, ka “vënë përfund” plot burra, ca që rreken të shkruajnë romanet dramatike të shekullit e ca të tjerë që kanë “privatizuar” juritë dhe dinë aq mirë të ndajnë qoka çmimesh përmes certifikatave me vulë të patharë institucionesh. E veç kësaj, në debatin e hapur së fundmi, ku mes një përkthimi të Mira Meksit dhe një tjetri të bërë nga Robert Shvarci, po për të njëjtin titull, u vendos një peshore farmacie, ajo di të thotë se përballja midis dy përkthyesve nuk ka asnjë kuptim, debati është i shterpët dhe nuk ka lëndë dhe as argumente për t’u debatuar. E, për më tepër, shton se Robert Shvarci ka qenë një përkthyes i jashtëzakonshëm, që ka sjellë në shqipe autorë të mëdhenj dhe vepra dinjitoze të letrave të botës. E si për t’i vënë kapakun të gjithë kësaj, Meksi shton se, për shkak të evoluimit të vazhdueshëm të gjuhës, shumë vepra të përkthyera vite më parë duhen përkthyer në kushtet e reja gjuhësore, e në këtë mënyrë ajo vetë ka pasur fatin që të ripërkthejë përkthimin e saj.

 

Së fundmi, panairi i librit “Fier 2020” ju ka akorduar për “Diktatori në kryq”, çmimin e romanit më të mirë. Sa vlen për ju një çmim letrar?

Ndihem e vlerësuar sigurisht. Çmimet letrare janë instrumente jo vetëm të promovimit të veprave letrare, por edhe të ndërtimit të sistemit të vlerave në letërsi. Si të tilla, kanë shumë rëndësi. Madje, kur shoqërohen edhe me një vlerë financiare janë një ndihmë, sado e vogël, për punëtorët e varfër të letrave. Të tillë i kam konsideruar që kur, në vitin e largët ‘94, si bashkëthemeluese dhe drejtuese e të parit fondacion kulturor privat në Shqipëri, “Velija”, krijova çmimet e para private letrare, të cilat u dhanë për 8 vjet me radhë, dhe mendoj dhanë kontribut në ndërtimin e sistemit të vlerave në letërsi. Asokohe konkurrimet dhe çmimet që jepeshin, ndonëse kanë përherë një anë subjektive të pashmangshme, ishin shumë serioze në të gjitha kuptimet. Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe panorama e konkurrimeve e çmimeve letrare në Shqipëri ka ndryshuar krejtësisht. Jo vetëm çmimet që jepen nga Ministria e Kulturës, shoqatat e botuesve, por, për fat të keq, edhe ato që jepen nga individë privatë apo institucionet që kanë ngritur, çka është për t’u përshëndetur, kanë degjeneruar në çmime tarafesh, qokash, interesash vogëlane, nepotizmash, lidhjesh politike... Juritë e tyre janë mediokre dhe dashakeqe ndaj vetë letërsisë, janë përherë të njëjtat, të mbyllura brenda një qerthulli mjeran të paaftësh për të gjykuar letërsinë dhe individësh që nuk marrim as mundimin t’i lexojnë prurjet letrare të konkurrimit. Kështu ndodh që e çorodisin për tmerr sistemin tonë të vlerave që mezi mbahet në këmbë. Dhe lexuesi ndihet pastaj jo vetëm i çoroditur, por edhe i tradhtuar dhe i mashtruar paq, kur sheh se ia shesin sapunin për djathë. Ende nuk po ndërgjegjësohen këta “veteranët” e jurive të çmimeve letrare se sa shumë po e dëmtojnë letërsinë shqipe. Ka edhe anekdota për “juritë”e çmimeve letrare që e kthejnë në tragjikomedi këtë proces të rëndësishëm për zhvillimet letrare. Një shkrimtar, fjala vjen, të cilin një gazetare në një shkrim e ka quajtur “një ndër autorët më të njohur shqiptarë të kohërave të sotme” që ka “korrur” jo pak çmime letrare, madje disa herë të njëjtin çmim, nuk di të shkruaj shqip. Dhe askush prej këtyre “vlerësuesve” të çmimeve, apo kritikët letrarë që shkruajnë edhe artikuj lavdërues për të, nuk e thonë. Njëlloj si fabula e petkave të mbretit: mbreti lakuriq, sa janë përreth lëvdojnë petkat e tij! Kur e pyetën një zonjë, pedagoge e letërsisë, anëtare e jurisë së Panairit të Kombëtar të Librit të vitit të kaluar, për prurjet e atij viti, jo vetëm këputi broçkulla për një roman që as nuk e kishte shfletuar, por edhe pohoi paturpësisht se juria ku zonja bënte pjesë, gjykonte dhe merrte vendime nëpërmjet gjykimit të një “bedeli”. Ky ishte një anëtar i jurisë, i cili, ndonëse nuk linte televizion pa u shfaqur dhe gazetë pa lënë “gjurmët” e gjykimit të tij për letërsinë apo edhe për politikën, vrasjet etj., gjente kohën të lexonte gjithë prurjen e librave të panairit dhe të bënte punën e gjithë anëtarëve të tjerë të jurisë, të cilët shullëheshin ndërkaq në diell. Sigurisht, në këmbim të një statusi të veçantë që fitonte kësisoj, atë të anëtarit “veteran” të jurive letrare. Me këtë analizë nuk dua të zbeh asesi punën e disa anëtarëve të këtyre jurive, personalitete intelektuale dhe të përkushtuar në detyrën që kanë marrë përsipër, për fat të keq, shumë të rrallë, dhe as vlerësimin e drejtë të veprave cilësore që ndodh edhe ky rrallë.

 

Mira Meksi
Mira Meksi - shkrimtare/përkthyese
"E Kuqja e demave", është një roman të cilin e keni rishkruar dhe botuar në frëngjishte. Çfarë shkalle vështirësie kishte një ndërmarrje e tillë?


Të gjitha romanet e mia, përveç romanit “Porfida-Ballo në Versailles”, i cili është i përkthyer, i kam rishkruar në frëngjishte. Por edhe ky roman do të ribotohet në Francë më 2021, i rikrijuar në frëngjishte nga unë. Tani përfundoi edhe redaktimi i variantit frëngjisht të “Diktatori në kryq”, i cili së shpejti hyn në procesin e botimit. Është një punë shumë e vështirë, e cila më merr vërtet shumë kohë. Është pothuaj sikur i shkruaj nga dy herë librat e mi. Sepse bëhet fjalë për një rikrijim në frëngjishte, është e pamundur që shkrimtari ta përkthejë veprën e tij, njëlloj siç mund të bënte me veprën e një shkrimtari tjetër. Por përfytyroni sa e vështirë është sot të çash në tregun e madh të librit në Francë. Për dijeni, shtëpia e madhe botuese Gallimard, pret çdo javë 6 mijë dorëshkrime për botim. Si shkrimtare frankofone, kam më shumë shanse për t’u botuar. Ishte në të vërtetë propozimi i botuesit të Editions Persee, kur lexoi një përmbledhje në frëngjishte të romanit “E kuqja e demave”, që të më botonte si shkrimtare frankofone. Një ndërmarrje që rezultoi pozitive dhe që vazhdoi me romanet e tjera. Gjithsesi, lidhja me gjuhën shqipe është aq e fuqishme tek unë, sa nuk besoj se do t’i shkruaj ndonjëherë drejtpërsëdrejti krijimet e mia në frëngjishte. Versioni shqip do të predominojë gjithmonë.

 

Ju keni themeluar dhe drejtuar revistën letrare "Mehr Licht", e cila sot mungon në treg. A keni një plan të ardhshëm për të?

“Mehr Licht”, botuar së pari më ’96, u krijua në një kohë kur mungonin te ne të tilla revista letrare dhe kur ekzistonin shumë pak shtëpi botuese private. Ideja ime ishte botimi i një reviste a la “Nouvelle revue française”, një revistë letrare dhe kritike letrare, të cilën e lexoja me shumë dëshirë, duke e gjetur me vështirësi që në kohën e diktaturës, e krijuar që më 1908 nga një grup shkrimtarësh të rinj, si Andre Gide etj. dhe e botuar nga Gallimard. Për 16 vjet “Mehr Licht-i”, të cilën e pagëzova me fjalët e fundit të Gëtes (Më shumë dritë), u bë një lloj enciklopedie e letrave shqipe dhe botërore, promovoi vlera letrare, ide, filozofi, shkrimtarë dhe përkthyes letrarë shqiptarë, duke krijuar rubrika të përhershme. Botoi letërsi të traditës, të harruar, apo letërsi të dënuar nga ideologjitë e kohërave, botoi krijime, ide dhe eksperimente letrare të krijuesve të rinj shqiptarë, risitë e tyre letrare. Nxiti zhvillimin e gjinive letrare pak të zhvilluara te ne, siç ishin eseja letrare dhe kritika letrare, duke krijuar edhe një çmim të përvitshëm për esenë dhe kritikën letrare. Për fat të keq, sot një revistë letrare e përmasave të tilla mungon në tregun shqiptar. Edhe gazeta letrare si Ex-Libris, apo të tjera, ndonëse bëjnë një punë të lavdërueshme, nuk e zëvendësojnë dot rolin e një reviste si “Mehr Licht-i”. Nuk është punë e lehtë botimi i një reviste të këtyre përmasave, kërkon jo vetëm mbështetje të vazhdueshme financiare, por edhe staf të përkushtuar, si edhe bashkëpunëtorë të jashtëm. Nuk kam asnjë projekt për botim reviste, i jam përkushtuar tërësisht shkrimësisë, por uroj që ta kemi sa më parë një revistë të tillë letrare.

 

Shkrimtare dhe përkthyese, në cilin nga dy shtratet do të ndiheshit më e sigurt dhe cilin do të kishit më prioritar?

Si krijimtari, e dua edhe shkrimësinë, edhe përkthimin letrar. Ky i fundit më ka dhënë shumë si shkrimtare. Duke qenë përkthyese e mjeshtrave të mëdhenj të letrave botërore, kam qenë edhe çirakja e zejes së tyre, më kanë mësuar të shkruaj. Në faza të ndryshme të jetës sime, herë ka dalë në plan të parë shkrimësia dhe herë përkthimi. Sigurisht, që ndihem më e çlirët, më komode me shkrimësinë time. Dhe dëshiroj t’i përkushtohem më shumë krijimtarisë sime.

 

Duket sikur në raportin femra-meshkuj, në letërsinë shqipe, prozatoret femra janë më të rralla. Është ky një perceptim i gabuar...?

Mendoj është i saktë. Në krye të herës kjo mjeshtëri ka qenë krejtësisht e burrave. Gjithsesi, kjo shoqëria e sotme vazhdon të dominohet prej burrave. Nuk mendoj se është i rëndësishëm numri i zonjave të letrave. E rëndësishme është të vlerësohen si duhet. Dhe duhet vlerësuar individi, jo gjinia. Letërsia është produkt i shpirtit dhe ky s’ka gjini. Zonjat e letrave janë shumë më pak të vlerësuara në krahasim me shkrimtarët meshkuj, edhe kur këta të fundit nuk janë në lartësinë e tyre. Dhe më besoni, kur një krijuese grua arrin të çajë në këtë fushë, me shumë vështirësi duhet theksuar, kur arrin të ketë lexuesin e saj, kur arrin të vlerësohet prej tij, ajo vlen vërtet shumë si shkrimtare.

 

Sa e angazhuar jeni që veç punëve tuaja, t’i kushtoni kohë dhe leximit të autorëve shqiptarë. Në çfarë nivelesh është letërsia shqipe, 30 vjet pas daljes nga skema e socrealizmit?

Lexoj pa dyshim letërsi bashkëkohore shqiptare, por jo aq sa do të dëshiroja. Nuk jam në gjendje të jap një panoramë të plotë analitike të zhvillimeve bashkëkohore të letrave shqipe, por disa gjëra mund t’i them. Liria e rigjetur e krijimit, ose siç thoni ju, dalja nga skema e socrealizmit, nuk solli kryevepra në letërsinë shqipe. Në burgjet komuniste menduam se do të qenë krijuar ndoshta kryevepra letrare. Por jo, patëm vepra të dhembjes, por jo kryevepra letrare. Me sa duket, letërsia u bindet të tjera ligjësive. U bënë, viteve të postkomunizmit, eksperimente letrare të kërkuara, mendoj, nga ato që bota i pati njohur me kohë, pa ndonjë sukses të madh. Sigurisht që ka zhvillime të mira letërsia shqipe, ka vepra dinjitoze, ka tregimtarë dhe prozatorë të mrekullueshëm. Unë kam shkruar për vepra të veçanta që më kanë prekur shpirtin. Ajo që dua të theksoj fort, është se shkrimtarët shqiptarë, në përgjithësi, pak punojnë me gjuhën; pak merren me pasurimin, përpunimin, limimin e saj. Ose aspak. E kam fjalën për shkrimtarët që e përdorin gjuhën thjesht si një mjet komunikimi, gjuhën për hir të gjuhës, për të rrëfyer histori a ngjarje. Këta mund të jenë skenaristë të mirë, mund të jenë edhe krijues trillerash interesantë. Shkrimtarët e vërtetë e përdorin gjuhën ndryshe. Për hir të poetikës apo simbolikës, por edhe për hir të rrëfimit, ata e zhbëjnë dhe e ribëjnë thurimën e gjuhës, e përpunojnë dhe e ripërdorin për nevojat e tyre krijuese, janë mjeshtrat e krijimit të veprave origjinale, të bazuara tërësisht te fjalët.

 

Ditët e fundit ka pasur një debat “Meksi - Shvarc” në lidhje me ballafaqimin e dy përkthimeve të ardhura respektivisht nga këta dy përkthyes të veprës “Njëqind vjet vetmi” të Markezit. Mendoni se botimit të vitit 2000 i kanë shpëtuar pasaktësi...?

Në mos gaboj, përkthimi nga Shvarci i romanit në fjalë ka ardhur përpara viteve 2000, dhe më pas është ribotuar i riparë nga përkthyesi. Pra ka dy botime nga Shvarci. Në atë kohë janë bërë botime pirate të Marquez-it; madje edhe “Dashuria në kohërat e kolerës”që unë përktheva nga origjinali në fillim të viteve 90’, ndonëse u vu në dijeni prej meje vetë Marquez-i dhe Carmen Balcells-i, që menaxhonte të drejtën e tij autoriale, dhe u dërguan kopje të përkthimit në Barcelonë, sërish ishte një botim pirat. Duke qenë të tilla, askush nuk shqetësohej se nga ç’gjuhë vinte përkthimi. Kur Bujar Hudhri, përpara disa vjetësh, bleu të drejtat e botimit në shqipe të veprës së Marquez-it, u vendosën edhe standardet dhe rregullat e duhura të përkthimit dhe botimit. Doemos vepra e Marquez-it do të përkthehej nga origjinali, kusht ky i padiskutueshëm, dhe agjencia e të drejtave të tij autoriale kërkonte të njihej me CV e përkthyesit përkatës. Z. Hudhri më propozoi përkthimin e “Njëqind vjet vetmi”. U mëdysha shumë gjatë. Kisha përkthyer gjer asokohe tri vepra të Marquez-it, me shumë sukses, dhe e njihja shumë mirë tërë korpusin letrar të tij; isha shumë e familjarizuar me kolumbianizmat që përdorte në shkrimësinë e tij shkrimtari i botës, madje kisha marrë edhe këshilla prej tij për përkthimine e veprës së tij, gjatë takimit me të në Barcelonë. Gjithsesi, qasja ndaj kësaj vepre ishte tejet e frikshme. Vështirësia përkthimore shumë e madhe. Cilido përkthyes, edhe me një barrë përvoje, mund të “thyente qafën”. Mendoni që ky roman konsiderohet si romani më i madh i shekullit XX, dhe pasuria gjuhësore e tij është e jashtëzakonshme. Kur nisa përkthimin e veprës, i cili zgjati përmbi tre vjet punë e përditshme, Bujar Hudhri m’u gjend në krah. Jo vetëm mori përsipër redaktimit e tekstit, i cili bëhej kapitull pas kapitulli të përkthyer, por nisi të bënte një punë studimore të pazakontë: krahasoi deri në imtësi kuptimore dhe nuancash kuptimore qasjen ndaj tekstit të Marquez-it të shtatë përkthimeve në gjuhë të ndryshme. Midis tyre, edhe përkthimin nga gjermanishtja në shqipe të Robert Shvarcit. Ishte si një lloj misioni i shenjtë letrar për lexuesin e gjuhës shqipe. Punimi studimor që doli është një prurje e rrallë në lëminë e përkthimit të krahasuar që vlen të studiohet nga kurrikulat. Ju më pyesni a mendoj se ka pasaktësi në përkthimin e Shvarcit? Unë nuk e kisha lexuar më parë përkthimin e tij të “Njëqind vjet vetmi”. Por pyetja se ç’mendoj unë apo dikush tjetër nuk ka asnjë kuptim, sepse studimi i Bujar Hudhrit mbi të është i botuar dhe kushdo mund ta shohë; nuk është çështje opinionesh, është shkencë e pastër, e zezë mbi të bardhë, janë qindra shembuj që ilustrojnë përfundimin e tij.

 Ajo që mendoj unë është se përballja midis dy përkthyesve Shvarc dhe Meksi nuk ka asnjë kuptim. Debati për këtë përballje është i shterpët. Nuk ka lëndë dhe as argumente për t’u debatuar. Ajo që mendoj unë është se Robert Shvarci, miku im i ndjerë, ka qenë një përkthyes i jashtëzakonshëm, se na ka sjellë në shqipe autorë të mëdhenj dhe vepra dinjitoze të letrave të botës. Mendoj se emri i tij i nderuar, apo vlerat e tij, nuk duhet të lidhen aspak, apo të vihen në peshore me përkthimin e “Njëqind vjet vetmi”, që mund të ketë qenë ndoshta një aksident në karrierën e tij të shkëlqyer prej shqipëruesi, (cilit përkthyes, sado i madh të jetë, nuk i ndodhin të tilla?) por me veprat e mëdha që shqipëroi nga gjuha gjermane. Nga ana tjetër, mendoj se studimi i Bujar Hudhrit duhet të konsiderohet në thelbin e tij, në atë çka sjell si pjesë e shkencës së përkthimit dhe që i kapërcen emrat e përkthyesve, qoftë të Shvarcit, qoftë të Meksit apo të ndonjë tjetri.

Dua t’ju them edhe diçka tjetër që do ta ilustroj me përvojën time: edhe nëse përkthimi i Shvarcit do të kishte qenë i shkëlqyer, sërish do të dilte nevoja për ta ripërkthyer veprën e madhe: e para, sepse në këta njëzet vjet gjuha shqipe është zhvilluar, ka ndryshuar, nuk përdoren më turqizmat, të cilët në kohën e Shvarcit konsideroheshin nga përkthyesit si “erëzat” e gjuhës, dhe që tani të rinjtë as që i kuptojnë; dhe e dyta, sepse normat e reja të botimit kërkojnë përkthimin e veprës nga origjinali. Siç u shpreha më sipër, unë kam përkthyer “Dashuria në kohërat e kolerës” të Marquez-it në vitin ’91, pra gati 30 vite më parë. Nga origjinali, dhe përkthimi asokohe u konsiderua i shkëlqyer. Tirazhi 30 mijë kopje. E pra, përpara katër vjetësh, pata fatin që ta ripërkthej përkthimin tim, sepse ishte e nevojshme pikërisht për hir të evoluimit të gjuhës, por edhe të përvojës sime tani më të madhe në këtë fushë.

 

Në dijeninë tuaj, a qarkullojnë tituj të ngjashëm të cilët kanë nevojë për një përkthim paralel?

Nuk gjykoj se duhet folur për përkthime paralele, por për disa përkthime të një vepre. Bota e njeh mirë këtë përvojë, dhe për vepra të mëdha ekziston një shumësi përkthimesh nëpër dekada. Fjala vjen, për Don Kishotin në frëngjishte njihen dhjetëra të tilla, apo për veprën e Shekspirit etj. Për arsyet që shpalosëm më sipër. Ne, sigurisht, nuk e kemi një luks të tillë. Gjithsesi, ka pasur dhe ka variante përkthimesh në shqipe të një vepre të caktuar. Është pasuri e letërsisë. Njihen disa përkthime në shqipe të poezive të Lorkës, të Pushkinit, të Burns-it etj. Në dijeninë time ka edhe vepra të Markez-it të përkthyera nga frëngjishtja dhe në mënyrë të pasaktë që në titull, dhe që janë përkthyer më pas nga origjinali, apo variante përkthimesh të autorëve të mëdhenj rusë, si Tolstoi etj.

 

Dhe së fundi një pyetje klishe: Çfarë do të kemi nga ju në të ardhmen e afërt?

Nuk di sa e afërt do jetë koha e botimit të romanit që kam në dorë; ka sfond historik, personazh kryesor Mid’hat Frashërin, por edhe Agatha Christie-n dhe romanin e saj legjendar “Krim në Ekspresin e Orientit”.