Proza e tij deperton thellë, në një autopsi me prerje
cezariane, ku organet e trupit derdhen pamëshirshëm mbi tryezë. Dhe ai na
tregon me radhë funksionet e secilit prej tyre, si funksionon veshka, si
pastron mëlçia e pankreasi, për të kaluar pompa e motorit zemër, por pa harruar
funksionet e zorrës së trashë. Është një autopsi ndaj regjimit të kaluar ku
boshti kryesor dhe vetë detajet përpëjnë hartën e Shqipërisë rrethuar me tela
gjembi e njerëz që bënin art në terrenin e mbyllur e me pak oksigjen...
Jeni mbajtës i disa çmimeve, herë
si shkrimtar e herë si përkthyes. Në fakt, sa vlen për ju një çmim letrar?
Jam vlerësuar me 2 çmime Kult, për përkthimet që kam
sjellë në shqipe nga gjuha angleze dhe 1 çmim të panairit të librit. 3 çmime
për veprën letrare, njëri 1991, me rastin e 1-vjetorit të lëvizjes studentore,
të Shoqatës Rini e Artit, për poezinë “Shtëpia” dhe në konkursin poetik Migjeni
çmim të parë më 1991, të dytë në vitin 1993. Çmimi më i madh më erdhi njëzet e
ca vite më vonë, Çmimi Europian për Letërisë, që e japin Shoqata e shkrimtarëve
të Evropës, Shoqata e librarëve të Evropës, Shoqata e Botuesve të Evropës,
brenda se cilës është edhe Shoqata e botuesve shqiptarë, nën presidencën e
zotit Petrit Ymeri. Çmimet letrare janë vërtet shumë të rëndësishme për t’i
dhënë jetë e shtysë letërsisë e kulturës në përgjithësi. Nuk është e nevojshme
që të gjithë çmimet të jenë Everestë që arrihen vetëm nga pak e admirohen nga
të gjithë. Këtë bota moderne e ka kuptuar me kohë, aq sa e ka tepruar deri në
kulm, kur jepet nga një çmim për të gjithë pjesëmarrësit në konkurse. Jo. Çmimi
është i rëndësishëm, si ilaç vetëbesimi më e fundit fare për një autor të ri.
Si një honorar i nevojshëm, për një shkrimtar. Si një pikë referimi për një
lexues e botues. Edhe e fundit si një vlerësim kritik pa fjalë.
“Çmimi evropian i letërsisë”
është një çmim ndërkombëtar që ju e keni marrë në vitin 2017. Çfarë përfituat
prej tij?
Ky çmim në një kuptim më ndryshoi jetën. Kisha 14 vjet që
nuk kisha dalë nga Shqipëria, kur shkova në Bruksel të marr çmimin. Ajo dalja
pa vizë m’u duk magjike. Pastaj nga dalja pa vizë, më ra të takoja
personalitete të qeverisë evropiane dhe si i thonë një fjale të pinim nga një
gotë verë franceze e të bënim një muhabet vendçe me shkrimtarë evropianë. Shumë
miqësorë të gjithë. Shumë të thjeshtë. Kur mendon pompozitetin prej kauçuku të
ministrave tanë, të vjen të ikësh natën me not. E mori fjalën ministri i Kulturës,
i cili atë vit ishte grek, edhe tha: Sivjet Evropa e bashkuar arriti të krijojë
22,2 miliardë euro me librin, me synimin që në 2018 të rritemi me 14%. Kjo më
bëri shumë përshtypje. E nisi me shifrën që tregonte sa e donin evropianët
librin. Sa paguanin për librin. Sa i rëndësishëm ishte libri për ta.
Që dola nga Shqipëria ishte përfitimi i parë, kishte edhe
një honorar të mirë çmimi, edhe ftesa që marr çdo javë pa pushim për një
konferencë letrare apo panair libri diku në botë. Shumë janë për takime në
Angli apo vende të tjera, ku ne nuk shkojmë dot pa vizë. Ftesë më erdhi për
kumtesë në Panairin e librit evropian në Panama, madje edhe në Meksikë. Po janë
disa rrugë të cilat unë nuk kam mundësi t’i ndjek të gjitha. Por ama janë aty.
Pastaj, përmes mikut dhe botuesit tim, Gëzim Tafa, shtëpia botuese Ombra GVG,
më kanë ardhur pareshtur kërkesat për të drejtën e autorit, shpesh nga dy-tri
shtëpi botuese nga e njëjta gjuhë. U mora me këtë proces në 2017-n me ethe të
kapnim afatet e caktuara nga EU për ndihmat financiare që kërkonin shtëpitë
botuese për ta përkthyer e botuar librin tim, edhe ndodhi që disa i kapën këto
fonde. Unë nga e drejta e autorit, marr një shifër krejt modeste, (që të
shuajmë ndonjë xhelozi), por shtëpitë botuese që përkthejnë edhe botojnë librin
tim, kanë shifra domethënëse. Edhe pasi arrita të lidh kontrata të rregullta me
shtëpitë botuese, e para ishte bullgare, e me radhë, italiane, hungareze,
polake, kroate, turke, franceze, spanjolle, doli problemi i përkthyesve.
Shumica e shtëpive botuese më thanë se i qenë drejtuar Ministrisë sonë të Kulturës
për të gjetur përkthyes, por pa rezultat. Kështu që bëra edhe shkrimtarin, edhe
agjentin edhe avokatin, edhe përkthyesin, derisa më në fund ia dola me sukses
të kem kontrata të kryera në tri gjuhe. Edhe kjo ndodhi vetëm sepse shtëpitë
botuese, italiane “Mimesis”, e cila boton “Epika e yjeve të mëngjesit”, në
javën e parë të nëntorit, “Paraxenes meres”, shtëpia botuese greke, e cila ia
doli përpara të gjithëve ta nxjerrë në panairin e librit në Frankfurt dhe
shtëpia botuese spanjolle “Ginger Ape”, e cila permes komunikimit dje më sqaroi
se libri del nga shtypi në fillim qershori të vitit tjetër, i gjetën vetë
përkthyesit. Shtëpia botuese hungareze, përpara një dhjetëditëshi më nisi një
mesazh, se nuk të kemi harruar Rudi, por nuk kemi përkthyes. Dua të kujtoj
lexuesin, se Shoqata e Botuesve Shqiptarë me president Petrit Ymerin, ishin
përfaqësuesit e vetëm që erdhën nga Shqipëria ditën kur jepeshin çmimet evropiane.
Të gjithë shkrimtarët e tjerë fitues, u shoqëruan të marrin çmimin, nga
ministrat e kulturës së vendeve nga vinin, nga ambasadorët e tyre në Bruksel
edhe në Evropë, disa edhe nga agjentët e botuesit.
Epika e yjeve të mëngjesit",
është romani juaj i cili po botohet në disa gjuhë të huaja. Ishte një sukses i
lehtë apo i vështirë?
“Epika e yjeve të mëngjesit”, nisi me titullin “Korniza”.
Meritën për titullin e ka Gëzim Tafa. Ai e hodhi si ide përpara se ta nxirnim
librin në shtyp, edhe unë iu riktheva pak ditë ta tonoja nën këtë titull, si
një homazh për piktorin shqiptar Edison Gjergo. Libri më mori një vit ta
shkruaj, edhe takime me njerëz që kanë jetuar në moshë të rritur atë periudhë.
Kam takuar për fat, edhe të vetmin kryetar të Sigurimit të Shtetit të mbetur
gjallë, gjallë në kuptim i papushkatuar, i cili më shpjegoi diçka që mund të
duket e thjeshtë, por është me shumë rëndësi. Gjithë shteti shqiptar i
diktaturës ishte Sigurimi i Shtetit. Përkthimi i librit nisi me shumë shpresë,
pasi lidha kontrata me shtëpi botuese, shpesh më duhej të zgjidhja e të bëja
kërkime për shtëpitë botuese të huaja, të cilat më vinin përmes Ombra GVG.
Pastaj pati një periudhë heshtjeje. Tani pas 3 vjetësh kontratat sikur morën
sërish rrymë, edhe u ndezën. Më duket se e kam shpjeguar pak më sipër, por
duhet të theksoj se ne jemi shumë të papërgatitur nga ana e administrimit të
një procesi botues. Letërsia shqiptare vetëm për traditë edhe fat vazhdon të
endet nëpër libraritë e botës, krejt e pambështetje. Nuk e kuptoj se çfarë
bëjnë me fondet që hidhen për librin. Letërsia e pas 1990-s, është në
shkretëtirë. Nisma individuale, si pagure uji.
Shkrimtar, gazetar dhe përkthyes,
në cilin nga shtratet do të ndiheshit më i sigurt dhe cilin do të kishit më
prioritar?
Përkthimin e kam bërë për rrogë. Nuk del kurrë sa një
rrogë sigurisht. Por deri tani i kam 22 tituj të përkthyer. Nuk e di nëse mund
të përdoret termi siguri. Siguri do të thotë të jetosh me letërsi dhe prej letërsisë.
Ndryshe nuk ka asnjë siguri. E vërteta është se të gjithë shkrimtarët e botës
një periudhë të jetës kanë pasur raporte me punën jashtë letërsisë. Hamej,
muratorë, peshkatarë e biznesmenë, por janë kthyer në mënyrë profesionale në
letërsi. Këtu te ne nuk kemi një shkrimtar të vetëm që rron pas 1990-s me
letërsi. Nëse do të shfrytëzoja pyetjen, i bie po, shtrati ku kemi llocur.
Sa i angazhuar jeni që veç punëve
tuaja, t’i kushtoni kohë dhe leximit të letërsisë artistike?
Kam lexuar ketë vitin e fundit sa për plotësim për vitet
e tjera. Kur përkthen për ditë nuk ke më fuqi të lexosh. Dhjetë orë përkthim,
nuk të lenë më kohë e fuqi. Ndodhi edhe protesta për mbrojtjen e teatrit
kombëtar, e cila më mori shumë energji e kohë e më la pas në njëfarë mënyre me
punën time e me leximet. Po kthehem.
Në çfarë nivelesh është letërsia
shqipe, 30 vjet pas daljes nga skema e socrealizmit?
Këtë nuk di ta them, sepse unë jam lexues. Edhe si lexues
nuk kam një panoramë të saktë të niveleve. Realizmi socialist ishte një fabrikë
që punësonte njerëz me rrogë të shkruanin. Këta njerëz që shkruanin për
realizmin socialist, paguheshin sa të jetonin me rrogën e punës, njëlloj si
inxhinierët, veterinerët etj. Përkushtimi i tyre ndaj letërsisë së formatit
ishte maksimal në një kuptim. Nuk mund të kemi krahasim nivelesh në këto
kushte. Sot kemi një përmbytje me tituj, numër i cili është i papërballueshëm
për një institucion e jo më për një njeri. Si njeriu që kalon një traumë të
rëndë me jetën në prag të vdekjes, shqiptarët deshën të shprehen masivisht. Ta
nxirrnin si të thuash të keqen nëpër libra. Edhe pjesa më e madhe e kësaj
letërsie ashtu është, një tekst post-traumë. Si e tillë, siç e kemi parë, nuk
po funksionon. Tirazhet zbresin përherë e më poshtë. Shkurt, e vërteta është se
pas 1990-s, letërsia shqipe nuk e ka një Kadare, por ama nuk e ka as investimin
as lexuesin për të pasur një Kadare. Në krahasim të përgjithshëm letërsia e pas
1990-s është e pakrahasueshme me atë të bërë nën diktaturë. Nuk mund të bëhet
asnjë krahasim. Letërsia e pas 1990-s është shumë herë më lart në përgjithësi,
jo në mesatare.
Situata e pandemisë dhe e
karantinës së detyruar, si e rregulluat kohën tuaj për të qenë sa më efektiv?
Unë gjatë karantinës kam dalë për ditë. Maskë kam mbajtur
vetëm një herë, në një rast brenda. Koha iku kot. Dëgjova që Ministria e Kulturës
kishte nxjerrë një biçim programi letërsia e kovidit. Gjë më lejfeniste nuk më
kanë dëgjuar veshët. Ja kjo është gjendja në të cilën ndodhet investimi në
kulturë. Nuk mendoja se do të hasja në jetë një nismë kaq debile, sa letërsia e
kovidit.
Për së fundi ka pasur një debat
në lidhje me raportin e përkthimit të veprave letrare nga një gjuhë e huaj.
Mendoni se qarkullojnë tituj të cilët kanë nevojë të rishikohen si përkthime,
pasi kanë pasaktësi?
Gjuha zhvillohet. Librat që kemi lexuar ne përpara 40
vjetësh, fëmijët e sotëm nuk i kuptojnë fare, as si fjalë. Në të gjithë botën
normale, ka mbi 5 përkthime për një vepër. Dramat e komeditë, shpesh përkthehen
rishtas kur vihen në skenë. E di që ka një betonizim të idesë se veprat e
përkthyera nga mjeshtrit e mëdhenj të përkthimit, janë sublimisht jashtë çdo
diskutimi, por kanë qenë për kohën tonë. Ndoshta duhet ta kërkojmë fajin që nuk
lexojnë sot të rinjtë, pikërisht se nuk e kuptojnë gjuhën që kuptonim ne. Edhe
sot kemi të rinj që dinë nga dy gjuhë që në shkollë të mesme. Kemi gjysmën e
popullsisë që rron jashtë dhe është dygjuhëshe. Nuk diskutoj pasaktësi.
Diskutoj vepra të tëra të përkthyera në një gjuhë të tejkaluar, e cila ka
kaluar nën presën e censurës gjatë diktaturës. Mendoj se kemi shumë punë për të
bërë, por a do të bëhet kjo punë, nuk e di. Sepse është një punë që nuk paguan,
edhe kur nuk paguan, nuk quhet më punë.
Me çfarë po merreni konkretisht?
Përktheva Makbethin, edhe po punoj me Hamletin.
No comments:
Post a Comment