Friday, October 9, 2020

“Deputet”, identiteti i humbur i një profesioni


Nga Leonard Veizi

 

Deputetët e vjetër do ta lënë sallën e Parlamentit. Të rinjtë po përgatiten gjithë ankth të zënë vendet. Prognoza thotë se priten detyra të vështira. Do të hapen perspektiva të reja. Vendi po shkon drejt BE-së, edhe pse pa i bërë “detyrat e shtëpisë”. Megjithatë, do të ketë më shumë angazhim në mbarëvajtjen e punëve të shtetit dhe hartimin e ligjeve të reja në vazhdimësi. Gjithçka do të kalojë përmes filtrit të tyre.

Punë e vështirë e me shumë përgjegjësi. Për më tepër, kur të mbushet mendja se je pjesë e sektit “baballarët e kombit”. Ndaj gjithçka varet nga ngritja e kartonit, ose shtypja e butonit... Dhe nuk ka punë më të vështirë se të ngresh kartonin. Peshë e rëndë. Sepse kartoni është më i rëndë nga guri që Sizifi mundohej shumë për ta çuar në majë e nuk mundej dot. Por Sizifi ishte i dënuar të punonte në boshllëk. Ndërsa deputetëve u zë vend “ngritja e peshave të rënda”. Sidomos kur e ngrejnë kartonin atëherë kur duhet, në kohën dhe vendin e duhur.

Politika është në sfidën e ndeshjes për zgjedhjet parlamentare. Kampet kanë ngritur çadrat e fushimit e po përgatitin artilerinë e rëndë. Kandidatët kanë filluar të garojnë. Si në sekuencat filmike ku në Perëndimin e largët garonin për të zënë tokat “pa zot”. Listat me emrat e kandidatëve të rinj po zënë faqet e gazetave. Të bien në sy prurjet e reja. Të vjetrit kanë mbetur në minorancë. Shenjë e mirë kjo, sepse gjithçka duhet rinovuar. Dhe gjen aty emra mjekësh, juristësh, ekonomistësh, pedagogësh etj. Pra, ajka e inteligjencies. Dhe kjo është gjë e mirë. Sepse në Parlament duhen vërtet emra të njohur e njerëz me kontribute. Por, sidomos, me integritet.

Mirëpo një fjalë e urtë thotë se “dardha e ka bishtin prapa”. Ose varet në çfarë këndi e vështron një fenomen. Ose me thjesht fare, si ke qejf ta shohësh gotën, gjysmë plot apo gjysmë bosh. Sepse qëllon që një iluzion optik të bën të analizosh me ide të gabuara. Ndaj duhet ta marrim qetësisht e të mos ngutemi, kur na jepet shansi të marrim penën të shkruajmë.

Dhe vijmë tek argumenti.

Diku lexova se vetëm për një forcë politike kishin aplikuar mbi 7 mijë kandidatë për të qenë pjesë e listës së deputetëve. Dhe autori që e shkruante është një analist mjaft i njohur.

Joooooo..., po ky është lajm. Domethënë është lajm në gjuhën gazetareske. Sepse, në të vërtetë, ky është një sinjal alarmi. Nëse për një parti të madhe aplikojnë 7 mijë persona, po aq aplikojnë dhe për tjetrën po aq të madhe. Dhe plot të tjerë për partitë e tjera më të vogla. Se në zgjedhjet tona marrin pjesë turlilloj partish. Të gjithë kanë anëtarë sa s’ta rrok mendja, edhe pse si popullsi nuk e kapim dot tre-milionshin. Pra, në luftë hamendësisht i bie të jenë nja 25 apo 30 mijë vetë që tundohen fort për të zënë një ulëse në Parlament.

Kësaj i them garë unë, pa frena fare, madje.

Mirëpo dardha na e paska bishtin prapa, thamë ca më sipër. Atëherë ngrihet pyetja: Përse një mjek në kulmin e karrierës kërkon të lërë profesionin dhe të bëhet deputet? Po një pedagog universiteti për ç’arsye kërkon ta lërë katedrën dhe ndonjë punim shkencor që ka filluar prej kohësh? Po një jurist apo një ekonomist kontabël...?

Me shumë gjasë, një mjek është i vlefshëm në spitalin ku punon paradite, por dhe në klinikën private ku viziton pasditeve, sepse në këtë mënyrë i vjen në ndihmë komunitetit. Dhe komunitetit, si një vizitë pa para në shtet, po ashtu dhe një me para te privati, i bën punë. Prandaj ky mjek i duhet te vendi i tij. Duke ikur në Parlament ai lë një vend bosh. Sepse më parë, një tjetër ka ikur në Gjermani, dhe janë bërë dy vende bosh. Dhe kështu i bie që Shqipëria të mos ngrihet asnjëherë nga vendi i fundit për numrin e banorëve që duhet të ketë një mjek nën mbikëqyrje.

Përse ndodh kjo? Përse një ekspert kontabël apo një jurist me licencë, avokat a noter qoftë, lënë karrierën në mes, por heqin dorë edhe nga të ardhurat, që për të thënë të vërtetën nuk duhet t’i kenë të pakta, dhe preferojnë sallën e Parlamentit?

Ta bëjnë këtë në emër të një ideali të lartë?!

Ca si e përpjetë kjo punë.

Sepse ne jemi mësuar që në këto vitet e fundit ideali ka humbur dhe s’ka burrë që të mendojë për begatinë e kombit, por veç për rrjepjen e tij. Sipas kësaj logjike, a mos ndoshta të qenit deputet të ofron më shumë benefice sesa bisturia në sallën e operacionit, fjala e pathyeshme në sallën e gjyqit apo lapsi me të cilën mbyllen bilancet e kompanive të mëdha?

Në optikën e përgjithshme të 15 apo 20 viteve të fundit, ajo që është vërejtur më së shumti është mungesa e oratorëve në sallën e Parlamentit. Flasin vetëm ata që ia kanë marrë në dorën. Të tjerët, që janë dhe shumica absolute, heshtin, tundin kokën dhe ngrejnë kartonin. Ose edhe kur flasin, bëhen gazi i botës para kamerave. Një mjeku, që i dëgjohet mendimi mes ekipit të mjekëve që bën konsultat e mëngjesit, me gjasë mund t’i humbasë emri në sallën e Parlamentit. Ai mund të dëgjohet të japë ndonjë mendim vetëm në komisionin ku merr pjesë, në atë të shëndetësisë, në rastin konkret. Por kur vjen puna për të votuar për akte të tjera, për të cilat ka njohuri të cekëta, ai voton sipas udhëzimit të grupit parlamentar, pra thënë shkurt; ashtu siç do Partia. Dhe kështu ai kthehet nga një mjek, pedagog apo jurist në një ngritës kartoni.

A është integritet ky?

Identiteti i tyre ka marrë fund. Sepse ata shkrihen në një masë amorfe, në atë të deputetëve që në çdo legjislaturë nuk u është ndier zëri ndonjëherë. Dhe janë të vlefshëm vetëm për një gjë, të miratojnë në tërësi dhe nen për nen ato që u thotë shefi.

Intelektualizmi në Shqipëri po jeton ditë të vështira. E kam fjalën për intelektualët të cilët mundohen të kenë integritet në atë fushë që është dhe prioriteti i jetës së tyre. Sepse politika e ka një nofkë, të cilën “nuk jam i autorizuar” ta përmend në këtë koment të shkurtër.

Çfarë do të presësh nga politika në Shqipëri kur deri dje kishte përballje programesh, e sot nuk ka një të tillë, pasi këto programe tanimë janë unifikuar, e s’bëjnë më dallim, e nuk kanë ç’të ofrojnë. Por politika në vetvete ofron militantizmin, dhe një vend pune si deputet, ku me gjasë duhet të jesh vërtet rehat, përderisa për t’u futur në lista është gati të plasë boksi sipas teorisë praktike “kërkesë-ofertë”.

Dhe çfarë mbetet...?

Sot jetojmë kohë të habitshme. Kohë të cilat as që mendoheshin në vitet e para të pluralizmit, pas rënies së diktaturës. Në atë kohë kur politika ishte pasion dhe ideal.

Sot, krerët e politikës po e ushqejnë elektoratin me lugën bosh. Ata nuk përballen më me programe dhe alternativa por me batuta dhe akuza. 


 


No comments:

Post a Comment