Showing posts with label Persiatje. Show all posts
Showing posts with label Persiatje. Show all posts

Monday, June 15, 2020

“Moikomiada” / Poeti lë penën dhe shkon të pushojë





Nga Leonard Veizi

Në të gjallë të tij nuk guxova t’i marr një ese mbi vdekjen, ngritur mbi një pyetësor nga ku do të zbërtheja vetë ekzistencën e tij, të një njeriu me tru të ndërlikuar. Për këtë jam fort i penduar, sepse gjithsesi ngërçi që të flisja për vdekje me një njeri që e dinte se po bashkëjetonte etshëm me të, nuk më linte ta çoja deri në fund egoizmin tim. Isha tërësisht i bindur që nuk do të hezitonte të ma përkufizonte ekzistencën e vdekjes ashtu siç e përfytyronte vetë ai në halucinacionet e patrajtshme, por ja që arrita ta kaloja dot autocensurën, mekanizmi i të cilës më pengon sa herë kërkoj të jem më shumë i shpenguar.
Sot, më duhet të shkruaj për vdekjen e tij. Por tanimë nuk ia vlen. Sepse për vdekjen ai do të shkruajë shumë më mirë vetë, kur të mbërrijë atje ku i takon, në parajsë a në ferr, mos qoftë thënë. Ndaj unë edhe tani jam i detyruar të shkruaj për jetën e tij. Veç fare shkurt. Sepse shumë të tjerë, e njohin shumë herë më mirë, e mund të shkruajnë shumë herë më shumë.
Në varfërinë time prozaike me siguri do të shkruaja se Moikom Zeqo u lind në Durrës e vdiq në Tiranë. Bosht 30 kilometrash në vijë ajrore, a ndoshta më pak. Por i pasuruar nga vepra e tij nuk do ta bëj këtë gabim foshnjor i denjë për një gazetar diletant. Sepse unë duhet të shkruaj diçka tjetër... por që në fakt nuk di se çfarë.
Një tërësi veprash poetike botuar në të gjallë të tij mban emrin “Mishellanea”. Një tërësi veprash të tjera, që me siguri do të botohet pas vdekjes së tij do duhet të mbaj një tjetër emër: “Moikomiada”. Është plejada e tij. E një njeriu të vetëm që pa frikë mund të përfaqësonte një grupim të tërë. Dhe ky është tërësisht një mendim personal, asgjë më shumë.
Nëntorin e vitin 2015, gazetari Xhevdet Shehu botoi në gazetën “Dita” një shkrim me titullin apel: A ka një shtrat për Moikomin? Në këtë mënyrë ai ndau me lexuesit dhe lajmin fort të trishtë se shkrimtari shqiptar ishte diagnostikuar me një leucemi kronike.
Pak ditë më vonë, teksa e takoja dhe isha i detyruar t’ia përmendja këtë fakt, mora si përgjigje atë çfarë i kishin thënë mjekët: 7 vjet jetë në bashkëjetesë me të keqen. Te e fundit njeriu ngushëllohet dhe nga ky fakt. 7-të vjet jetë nuk janë pak.
Qershori i vitit 2020 tregoi se sëmundja u tregua krejt e pabesë, duke i marrë nga premtimi të paktën dy vjet prej atyre që u menduan si të dhuruara. Dhe padyshim, për një njeri si Moikomi, që gjumi e zinte mbi libra e gdhihej po mbi ti, dy vjet nuk janë pak. Sepse 700 ditë jetë mund të përkthehen dhe në disa vepra të tjera, mundësuara prej dorës së tij.
Me Moikomin kemi qenë kolegë. Që te jemi të qartë: jo se unë kam qenë deputet në ndonjë legjislaturë, as drejtor i ndonjë institucioni simotër, porse me të kemi punuar krah për krah në dy gazeta të përditshme. Pra kemi qenë gazetarë. Dhe po t’i futem e të shkruaj kujtimet që kam me të, nuk kam për t’ia dalë kurrë. Sepse kemi bërë biseda të gjata mbi artin e historinë, ku unë bëja “pyetësorin e Prustit” e ai kishte përgjigje për gjithçka. Por edhe kafe kemi pirë, ndonjë gotë rakie e kemi kthyer, por edhe ndonjë birrë me meze çasti e kemi konsumuar. Moikomi ishte natyrë e thjeshtë, pavarësisht pasurisë së jashtëzakonshme që kishte, e që ua kalonte dhe oligarkëve të cilëve u përmendet emri në Kuvend. Moikomi duhet të ruhej me truprojë, ashtu si shumë institucione të rëndësishme të shtetit. Por ai shëtiste rrugëve nëpër Tiranë, i fshehur poshtë kapelës së tij republike. Në kokën e tij Moikomi kishte njohuri sa një Akademi Shkencash, dhe nëse kjo vlerë do të konvertohej në para, mund t’i jepte hua shtetit sa të kalonte krizat e tërmetit dhe të covidit bashkë. Por “Mjeshtër i madh” Moikom, kishte një pension shteti dhe që t’ia dilte, botonte vazhdimisht shkrime nga bota e tij e madhe enciklopedike.
Në bibliotekën time kam një dhuratë të çmuar prej Moikomit. Është libri i tij “Nostradami në 3 qershor - Antiprofecitë” të cilin ai e bleu tek një bukinist dhe shënoi me stilolaps një autograf për vajzën time. Në faqen e parë të librit, një botim i vitit 1999, mbante dedikimin “Ky libër i kushtohet Arnisës në 18 vjetorin e saj, më 12 korrik”. Poshtë dedikimit, autografin me dorën e tij e citoj “Geas së vogël, që ta lexojë këtë libër e të më kuptojë – Moikomi 2006”
Sepse nuk është e lehtë të kuptohet Moikom Zeqon as në filozofinë e tij të të shkruarit, as pikturën e tij moderniste. Mund të kuptohej qartësisht vetëm oratoria e tij, ku arrinte të shkoqisë gjithçka në detaje e ku me shumë pasion fliste si për letërsinë, ashtu dhe për historinë.
“Në botë nuk është vetëm kritika që shkruan për librat, edhe shkrimtarët e mëdhenj shkruajnë për njëri-tjetrin”, më pat thënë një herë gjatë një bisede informale, fjalë që i kam përdorur si argument sa herë më është dhënë rasti.
Dukur e quajta “Përbindësh”. Edhe sot nuk e di në kam bërë mirë apo gabim në këtë cilësim që fillimisht erdhi tek unë i bëftë e në mënyrë pasiononte. Ishte viti 2017 dhe në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar, aty ku ai kishte drejtuar për 8-të vite me radhë, u mbajt një simpozium rreth krijimtarisë së tij. Dhe folën shumë prej miqve, njerëz të letrave e të shkencave sigurisht. Po unë çfarë mund të shkruaja për Moikom Zeqon, përtej një lajmi të varfër. Fillimisht vendosa titullin intrigues ““Përbindëshi” Moikom Zeqo, një korpus letrar me mbi 100 vepra”, dhe si më poshtë nisa tekstin:
Krijimtaria e tij vjen nga kaosi. Letërsia nuk është letërsi, dhe as historia nuk shkruhet si e tillë. Ato janë një amalgamë ku dhe poezia shtrihet gjerësisht. Pra realisht kemi të bëjmë më një kaos. Herë i zgjidhshëm herë krejt i koklavitur. Të duhet një lexim i dytë ndoshta dhe një i tretë që të mund ta shpërbësh. Ndërkohë një muzikë xhaz të shoqëron në sfond. Herë pas here të duket se ajo është aty në mes të atij kaosi letrar. Aspak e huaj. Dhe qëndron këmbëkryq. Ndërkaq, ti, gjithashtu kërkon të shkrihesh me të gjithë amalgamën. Nëse ke mundësi t’ia arrish dot, kuptohet. Shën Jeronimi kishte frikë nga mbiemrat. Padyshim nga mbiemrat lëvdues shumë më tepër se të atyre që të vinin në dukje ndonjë të metë të cilës ia dije dhe vetë vetes. Moikom Zeqo gjithashtu. Ai e perifrazon shenjtin ilir nga Dalmacia që jetoi mes shekujve IV – V pas Krishtit, si për të thënë se ai trembej ngaqë mbas emër mbiemrit origjinal, një shtesë tjetër në mbiemër, si përkufizim i kontributit të tij, do ta vinin në një pozitë më të vështirë se kaq. Madje ai shprehet se vetëm përtej kësaj jete, atje ku nuk ka miq që të pompojnë me apo pa të drejtë dhe hipokritë që nuk ta thonë asnjëherë të vërtetën në sy, shkrimtari mund të jetë i qetë dhe krejt i çlirët nga mbidozimi. Por deri atëherë ka kohë, dhe shkrimtarit i duhet të përballet ende në fushën e madhe të betejës, ku disa thonë se e ka fituar luftën prej kohësh e ca të tjerë kërkojnë që ai të vazhdojë e të prodhojë meqenëse makineria e tij është në një gjendje të shkëlqyer pune...
Shkrimi që bëra më ketë rast fluturoi si era e u botua në disa portale. Pas kësaj pata një çast pendimi, por zot i shkrimit më nuk isha për të bërë një retush, ndoshta të domosdoshëm. A ishte “përbindësh” fjala e duhur për ta simbolizuar një poet elegant si Moikomi, një piktor ai, një studiues historie e një arkeolog nënujor gjithashtu. Dilemën ma hoqi vetë ai në një takim të ca ditëve më pas, teksa më përqafonte e qeshte me të madhe. “Si më cilësoje?... Përbindësh... Ha ha ha. Shumë e bukur ishte”. “Epo, - u justifikova unë, - me më shumë se 100 vepra të botuara nuk më vinte në kokë asnjë fjalë më e përshtatshme. Te e fundit, vetëm një përbindësh mund të përtypi aq shumë vepra sa ke përtypur ti”.
Moikomi ka ikur të pushojë tashmë, pas një lufte të ashpër me sëmundjen e pabesë që i shkurtoi të paktën dy vjet nga jeta e “premtuar”. Por vepra e tij ende nuk mund të quhet një cikël i mbyllur, sepse padyshim ai ka lënë pas dhjetëra a qindra letra të tjera formati në dorëshkrim, që do të presin radhën për të parë dritën e botimit. Por gjithsesi, për studiuesit e tjerë, vepra e Moikom Zeqos nga ky çast mbetet e hapur, për interpretim. Dhe në këtë mënyrë ai do të jetë gjithmonë mes njerëzve duke marrë dhe titullin e përjetësisë.

https://www.facebook.com/watch/?v=265583451318820



Thursday, April 23, 2020

RIKARD LJARJA - Vdekja që do ta çojë në Apogjeun e legjendës


Nga Leonard Veizi

Që nga ky çast ai do kthehet në legjendë, dhe heronjtë e legjendave nuk janë kurrë të gjallë. Sepse në të gjallë ata janë thjesht punëtorë, ndërsa vdekja, ajo i çon në Apogje...

...Nuk mund të përcillej aq thjeshtë e aq pa zhurmë për në banesën e fundit. “Është shumë më e bukur, shumë më njerëzore kaq thjeshtë”, do të shprehej mes ngashërimit Marjeta. Dhe ndoshta kishte të drejtë. Sepse dhe një ceremoni madhështore, me homazhe të lodhshme e bandë që luan marshe funebër, nuk do të sillte asgjë më shumë tek emocionet njerëzore. Në fund të fundit, ai iku të takojë Krijuesin, por në celuloid vepra e tij mbeti e plotë.
Rikard Ljarja ishte 77 vjeç. Dhe i mbushi veç pak ditë në parë, në 1 prill. Sepse në 1 prill kishte lindur, në vitin 1943, pikërisht në Shkodër, vendin e kulturës që nxori jo pak aktorë të talentuar ashtu si dhe artistë të tjerë.
Me një repertor për t’u pasur zili, Rikardi do të mishëronte të paktën 27 role në kinema. Dhe si i tillë, ai ishte vazhdimisht i pranishëm në ekranin e madh, por dhe në televizione, filmat e të cilit transmetohen në vazhdimësi. Ai ishte Dritan Shkabaj që hapte shkollat në Mirditën e pas luftës, fillrojtësi modest me emrin Ded, Lluka apo Naimi, si teknicien e burokrat, apo dhe Kujtimi një mekanik arrogant. Dhe këto janë aq pak në jetën e tij filmike.
Rikardin e gjen kudo në filmin shqiptar, ai aktor, regjisor dhe në dy raste edhe si skenarist. Në këtë mënyrë mund të thuhet se ai e plotësoi tërësisht egon e tij profesionale, për më tepër kur këtyre u shtoi dhe botimin e katër librave, tre prej të cilave romane. Pra ishte një artist shumëdimensional, dhe i tillë do të mbetet tanimë.
I martuar me Marjetën, gjithashtu aktore emblematike, ai do të luante në dy filma me të: “Në pyjet me borë ka jetë” dhe “Rrethi i kujtesës”.
Ishte 53 vjeç kur luajti në filmin e fundit, dhe padyshim, do të mund të ishte po aq aktiv në vitet e mëpasme, si aktor e regjisor. Por nuk ishte e lehtë në një Shqipëri të trazuar, ku filmi ashtu si dhe shumë arte të tjera, për një kohë të gjatë nuk patën dot frymëmarrjen e duhur.
Rikard Ljarja nuk do të jetë më prezent në tavolina miqsh e aktivitete kulturore. Por ai do të ketë vazhdimisht ndikim tek brezat, sepse gama e gjerë e roleve të tij i jep mundësinë kujtdo të gjejë diçka nga vetja tek një personazh.
Ai u përcoll në vendlindjen e tij në Shkodër për të çuar në vend amanetin e tij. Dhe jo vetëm se lindi në këtë qytet, por se i pas diplomimit në Shkollën e Lartë të Aktrimit “A. Moisiu”, Tiranë, tetë vite me radhë kontribuoi si aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni”.
Por ceremonia e varrimit të tij është diktuar nga rregullat e pandemisë. Me maska në fytyrë, por dhe me lot në sy, njerëzit e mbledhur poshtë banesës e kanë përcjellë mjeshtrin e madh drejt banesës së fundit me duartrokitje. Dhe kurrsesi, nuk mund të jenë duartrokitjet e fundit për të...

Friday, February 28, 2020

“Covid 19”-ta në filxhanin e kafesë



Nga Leonard Veizi

Mëngjes. E dua ata të shkretë kafeje. Por jo në kushte shtëpie. Hedh pallton krahëve dhe ngjesh kapelën në kokë. Sa hapet dera e ashensorit shoh një pusullë të ngjitur mbi pasqyrë. Lexoj: “Jeni njerëz??? Mos pështyni përtokë”… etj.
Kjo do të thotë që komuniteti po shtrëngon radhët. Po ndërgjegjësohet.
Që jemi popull i çuditshëm kjo është vënë re që nga prehistoria. Por vitet e fundit e kemi thelluar ca më tepër brazdën. Koronavirusi po bën namin në botë. Njerëzit kanë marrë masa ekstreme. Qeveritë përkatëse po ashtu. Por edhe në Shqipëri, nuk mbetemi pas, mos kujtoni të kundërtën. Masa të papara. Ca nga ana e qeverisë, ca nga vetë njerëzit që janë bërë të ndjeshëm sa më s’ka. Në farmaci nuk gjen asnjë maskë për be. Por në rrugë të gjithë janë fytyrëzbuluar. Duket se nuk i ka ngenë njeri ta vendosi maska mbi  hundë. Nuk është halli se mos i marrin për terroristë. Po pse, çfarë jemi ne…? Le që na humbet bukuria, por dhe identiteti.
Shkoj në një lokal nja 300 metra poshtë apartamentit ku banoj. Dritaret janë të hapura që të qarkullojë ajri. Qëndroj tek banaku. E bëj këtë punë sa herë që jam vetëm e s’më detyron njeri të ulem në tavolinë. Banakieri kërkon të ma ofrojë kafen në gotë plastike. E shoh me dyshim.
-Je në vete, ma hidh në filxhan, byrazer, se kështu nuk e shijoj dot. Nga ata kinezët mundësisht, po të ka mbetur ndonjë komplet.
Banakierit i hapen sytë më shumë se filxhani.
-Mos na kujto kinezët se na ngrihet tartakuti. Çfarë pret nga njerëz që hanë lakuriq nate.
E drejtë. Nuk duhet t’ia kisha lejuar vetes këtë romuz. Situatë e trishtë. Më dhimbsen kinezët.
-Besoj se janë të dezinfektuar? – e pyes unë sa për muhabet.
-Pa merak fare. Fli i qetë.
Sa isha çuar nga gjumi në fakt. Po edhe mund ta merrja sërish një sy.
-Masa kundër “Covid 19”.
Makina e ekspressit ndaloi së punuari. Banakieri më servir kafenë.
-Ça osht ky, detektiv privat?
Ohu… fajin e kam unë që jap muhabet vend e pa vend.  Ec e t’ia shpjegoja banakierit që koronavirusi është pagëzuar me një emër të ri fringo. Fajin e kanë dhe shkencëtarët që i certifikojnë me emra të bukur. Leri shqip o të keqen, “gripi i pulave…, i derrave…  … Ore se u kujtova unë. Thanë që plasi dhe “gripi i derrave” në Shqipëri. S’po bëjmë hiç gjumë vape. Mbetëm alert tërë kohën. Tërmeti nga njëra anë, gripi nga ana tjetër… Duhet me ndez ndonjë qiri.
Në lokal hyn një klient tjetër. Kërkon një dopjo raki në gotë plastike. Hudhrat, një kokërr vezë të zierë dhe një copë djathi të bardhë, e nxjerr nga xhepi. Shqiptar 400 derhemsh.
-Masa kundër epidemisë, – pëshpërit banakieri. –  Kështu po ma kërkojnë të gjithë tani. Një përdorimshme. Përveç teje.
Hedh sytë nga klienti. Mustaqet e futen në gotën e rakisë, kafshon hudhrat dhe fshin fytyrën me pëllëmbë. Këtë se ha as gjarpri, jo më koronavirusi, mendova. Te e fundit mirë e kishte. Kështu thoshte dhe literatura popullore. Madje dhe Arqile Boti, i ndjeri.
Dëgjohet një e shfryrë e fortë hundësh. Një tjetër që kalon rrugën kruan gurmazin e pështyn përtokë. Ama masa kundër gripit. Edhe të mos e ketë në plan, me kaq mundësi sa i japim ne…
Zorrët më vijnë te goja. E le kafenë përgjysmë dhe shtyj filxhanin me neveri. Banakieri më sheh vëngër. Një tringëllimë mesazh në celular më nxjerr nga situata.
-Mirë jeni? Jo se këtej nga ne është bëra hataja. Nuk sheh njeri në rrugë. Masa ekstreme.
Është një miku im i vjetër, jeton në veri të Italisë.
-S’na gjen gjë ne, – i shkruaj shpejt e shpejt. – Na siguroi kryeministri. Deklaroi që virusi nuk ka shkallë të lartë vdekshmërie. E tha në televizor.
Vjen mesazh i dytë.
-Kush, Sala?
Joooo, duhet me e mbyll fare celularin. Sa i mirë është, aq edhe i keq.
-Rama, vëlla. Se ke marrë vesh akoma kush i ka fituar zgjedhjet.
-Mendova se ishe piktor. Se unë “Doktorin” njoh për mjek.
Pirdh, vëlla, pirdh.
Ngjitëm për të apartamentin tim. Sa hapet dera e ashensorit, shoh një tjetër pusullë, këtë herë letër formati A4, të ngjitur:
“Ju kërkojmë me përulje të tregoni kujdes për shëndetin e fëmijëve tuaj
Mos pështyni në ashensor!
Mos pështyni përtokë…” etj
Në qoshe flinte një qese me plehra.

Thursday, February 6, 2020

“Ndal, zonë ushtarake”


Nga Leonard Veizi

Xhikja, miku im i vjetër, me të cilin fati na ka puqur të jemi dhe në një redaksi pune, më tha të shkonim andej nga Farka, edhe hanim ndonjë vorbë me mish qengji që vlonte n’zjarrt, edhe unë si gazetar “kalibri” të bëja ndonjë shkrim për aerodromin e Farkës, atje ku kishte ca helikopterë, nga ata që mbronin Atdheun.
Demek një rrugë e dy punë.
Ja, këtij i thosha mendim gjenial unë. Edhe detyra-detyrë edhe qejfi-qejf. Tamam punë shqiptarësh.
U nisëm me vrap, pa e bërë dysh fare.
Mirëpo unë ia dija hilet punës, se si gazetar “kalibri” apo “mikrometri”, isha djegur jo pak herë, e nuk kisha venë mend. Ndaj si burrë me moshë të mesme nuk më lejohej të bëja budallallëqe. Për më tepër që prej kohësh kisha filluar t’i fryja qullit sa herë të mundesha. Ndaj edhe pse në timon të makinës mendova të bëja një telefon andej nga Ministria e Mbrojtjes. Të dëgjoja çdo më thoshin civilët që nuk mbanin spaleta, por dhe ndonjë me grada… kush të më delte para në numëratorin e celularit, tek e fundit.
Sakën se i afrohesh bazës, – më thanë nën zë.-  S’ka burrë nënë e as bir kurve të futet aty. Se për këto që kërkon zotrote, duhet të kishe bërë një kërkesë, ohuuuu…, nja një muaj më parë. Pa kërkesa jote duhej përcjellë te zyra e NATO-s që na janë atashuar këtu afër. Pa duhet specifikuar mirë e mirë kërkesa më të dhëna të plota, se kush je e ç’farë kërkon të bësh në një bazë që tanimë është nën mbikëqyrjen e forcave të Atlantikut të Veriut…
Hajde babam hajde…. U merrova.
Hoqa celularin nga veshi. Si u përqendrova të rruga plot gropa që gjarpëronte matanë Poligrafikut deri në Shkozë, thashë me vete: Jallah, mirë më këta të NATO-s, po mos na del para dhe Interpoli e na rras ndonjë gjobë për shkelje të ligjit…
Si u ngjita malit përpjetë mbi Uzinën e Traktorëve, – siç jemi mësuar t’i themi, – u lehtësova e fillova të kthjellohesha:
Ne gazetarët mundohemi të jemi operativë, t’i zgjidhim çështjet tak-fak. Ku na pret gazeta sa të shkojmë me letra në duar e të merremi me burokraci, jo po jam filani e do takoj fistekun, “jo po, a i ke shlyer detyrimet, ku e ke flet-kuitancat e jo po… Jo po ujku të të çajë”.
Hodha vështrimin pas në kohë dhe u kujtova, duke i përsëritur vetes gjëra të ditura: Unë kam hyrë në bazën ajrorë të helikopterëve pa teklif, kam shëtitur nga më ka dash qejfi e s’më ka thënë plaç njeri. Pa kam bërë dhe një xhiro me helikopter, të cilin e drejtonte një pilot i mrekullueshëm si Shyqyri Dashi, i cili më thoshte se edhe pse ishte nga Kopliku i Shkodrës, më shumë e ndjente veten si një katunar Tirone nga zona e Farkës për shkak të viteve të shumta që shërbente në atë regjiment.
Për më tej akoma unë i kisha bërë një intervistë të gjatë komandantit legjendar të aviacionit Edip Ohrit, pa i kisha bërë intervistë edhe një tjetër legjende në aviacion, komandant Klement Alikajt kur drejtonte helikopterët e ministrisë së Rendit. Pa kishte folur për mua, pa i marrë leje askujt, Gjeneralbrigade Astrit Jaupi, kur ishte në detyrë si Komandant i Aviacionit. Por kisha marrë në intervistë dhe ish-komandantin tjetër të Forcave Ajrore Gjeneralbrigade Dhori Spirollarin. D.m.th, intervista një lumë, aq sa edhe sot e kësaj dite mund të them përmendësh si në “dërrasën e zezë” historikun e aviacionit më mirë se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Por ja që në Farkë nuk shkoja dot. “Ndal. Zonë ushtarake”.
Veç të shkoja aty te liqeni i Farkës, të sodisja natyrën e të porositja një tavë dheu që vlonte mbi vorbë e një gastare rakie.
Makina e kishte marrë përpjetën duke shpenzuar naftën si ujë…
-Ka ndonjë karburant këndej? – pyes Xhiken, si djalë zone që ishte. – M’u tha serbatori.
-Mos çaj kokë, – ma kthen ai, – Ta mbush unë serbatorin “full”.  Veç na ço në vend.
Mirë e kishte… por me kë e kishte…
Se shteti është shtet or daj. Nuk do shkosh ti si mushka, yxhum përpara, të dalë ku të dalë. “Ndalu bek se ka hendek”. Nuk bëhet shaka. “Zonë militare”.
Dhe në fakt kështu duhet. Se me humor a pa të tillë, shteti e ushtria kanë rregulla. Po kur e mendova hollë-hollë thashë me vete: Po ç’farë ushtrie o malum, hapësirën tonë ajrore një herë na e patrullojnë një çift avionësh grekë, e një herë i fusin një xhiro dyshe italianët.
Të dhjefsha shtetin…
Një herë e një kohë, kur Farka, si bazë ajrore, kishte 36 helikopterë MI-4, edhe hahej. Por sot, me nja 8 a 10 helikopterë emergjencash, ç’gadishmëri zeza. Këta janë nga ata helikopterë që si kishin mbaruar punë e s’u duheshin më, Franca na i ngop me çmim të lirë. Po e patën nga një mitraloz të lehtë në bord, jarebi… Se nga ata 12.7 milimetra, si zor ta kenë. Ku gatishmëria këtu.
Epo iku ajo punë. Nuk jemi më në Luftën e Ftohtë ku gatishmëria ishte në kulmin e saj.
Sot në Shqipërinë tonë ish-socialiste, baza të rëndësishme si Gjadri po u ndryshken dyert e hekur betonit që ishin parashikuar të mbanin dhe një bombë atomike 5 kilotonshe. Nja 200 avionë që kërkonim t’i shisnim nuk na e bleu njeri. Ndaj ata shëllehen në diell e në shi. Ndërsa ne na rrofshin shkresurinat.
-A vijnë këta ushtarakët e bazës këtej nga lokali? – pyesim të klubi më i afërt pranë regjimentit ajror.
-Ahaaaa, një herë e një kohë i kishe këtu tërë ditën e ditës. As punë as zanat. Vetëm kafe e raki. Tani ua kanë mbledhur, orar zyrtar 08.00 me 16.00.
Pikë e zezë. Domethënë edhe “inkonjito”, as që bëhej fjalë të merrja ndonjë llaf për Farkën, çfarë bëhej brenda bazës, e sa herë ngriheshin në ajër pilotët me helikopterët e tyre.
Hallall. Tek e fundit kështu ka lezet. Këtij i them shtet unë. “Or ti cub, asht çeveri e fortë kjo. Ia ka bo Kalcës 8 me 2”.
Vate dhe kjo punë.
-Na iku kot rruga, – i them Xhikes, si shkrepa nja dy herë aparatin nga matanë gardhit rrethues, të bazës ajrore, që dikur quhej regjiment, e ku po shihja të flinin nja dy helikopterë, – nuk bëhet reportazhi në të thatë.
-Vari mor trapin bazës, - ma kthen ai. – Njoh një vorbaxhi këtej rrotull. Një që bo poça balte deshta me thon… Rob Zoti osht. Bëji atij një portret, e pimë dhe nga një gotë rakie pa hile, dhe je i lamë…
Nuk ia prisha. Morëm rrugën për nga poçeria ku një mjeshtër i vërtetë i zanatit na priti me krahë hapur.


Friday, January 31, 2020

Në udhën që të çon tek Shekspiri



Nga Leonard Veizi

Fushëbetejën e një prej komedive e tij më të suksesshme, “Nata e dymbëdhjetë”, dramaturgu i famshëm anglez, Uilliam Shekspir e ka vendosur në mbretërinë e Ilirisë, diku në bregdetin e saj. Madje dhe një prej personazheve kryesorë, i quajturi Orsin, mban titullin e Dukës së Ilirisë. Dhe ne nuk e dimë për kë e ka pasur fjalën ai, për Sarandën në jug, Durrësin, Ulqinin apo Raguzën veriore. Sepse për fat, aso kohe territori i Ilirisë ishte shumë i madh. Dhe ne shqiptarëve, që mburremi gjithë ditën se jemi pasardhës të ilirëve, dashur padashur, një shkrimtar që nuk e ka shkelur kurrë këtë cep të botës, na ka bërë një nder shumë të madh, duke e përjetësuar truallin tonë në një prej veprave të tij.
Viola: – Ç’vend është ky, o miq?
Kapiteni: – Iliria, zonjë.
Viola: – E ç’të bëj unë këtu në Iliri...?
Komedia është ngjitur në të gjitha skenat dinjitoze të botës, madje dhe në ato të dorës së tretë që ndryshe quhen si skena provincash. Dhe kjo ka ardhur pas popullaritetit të jashtëzakonshëm që patën një pjesë e veprave të shkruara prej Shekspirit të madh. E në të gjitha këto skena është dëgjuar të thuhet: “Iliria zonjë”. Ndërsa versioni shqiptar i vënies në skenë shkon edhe më tej, ku Kapiteni, pyetjes së Violës “Ç’vend është ky, o miq?”, i përgjigjet: - “Në Ilirinë e mrekullueshme, zonjë”.
Kur zbulova Shekspirin, nuk kisha lexuar asgjë tjetër mbi të, kritika mbi veprën apo jetëshkrimin e tij. Thjesht u magjepsa. Dhe më dukej vërtet gjenial në lojën e tij me atë që njihte më mirë; fjalën.
Viola: – Zoti të faltë, o mik dhe muzikën tënde. Pranë daulles jeton ti gjithmonë?
Gaztori: – Jo zotëri: unë jetoj pranë kishës.
Viola: – Mos je gjë kishtar?
Gaztori: – Jo zotëri. Jetoj në shtëpinë time dhe shtëpinë e kam pranë kishës
Viola: – Është njësoj si të thuash për mbretin se është i varfër për arsye se ka pranë një varfanjak, ose se kisha është pranë daulles, meqenëse daullja jote është pranë kishës.
Që nga kontakti i parë e shumë kohë më pas, më ishte fiksuar në mendje e nuk më hiqej, se as më pak e as më shumë Shekspiri ishte shkrimtari më i madh në kohë dhe hapësirë. Këtë mëndim kam dhe sot. Dhe ky ishte një vlerësim personal, i paskeduar dhe i pakërkuar nga askush.
Por Shekspiri u nda nga kjo botë 404 vjet më parë, shumë më larg se unë të rrekesha për të hedhur në letër ca mendime rreth tij. Nuk më dëgjon, dhe për më tepër nuk i intereson mendimi im, edhe nëse qenësia e tij shpirtëror vazhdon të vërtitet brenda shtresës së ozonit e merr vesh gjithçka thuhet për të, nëpërmjet ndonjë smartfoni, sigurisht.
E megjithatë unë ngul këmbë të them se nuk ka të dytë si ai. Dhe nëse ka, padyshim, ka kaluar një herë mbi varrin e tij.
Por a është e vërtetë kjo? A mund të jetë Uilliam Shekspir shkrimtari më i madh i kohërave?
Ç’është e vërteta pyetja nuk ka shumë sens, përderisa arti nuk ka njësi matëse, fjala vjen, nuk ka një etalon si pesha e kilogramit, njësia matëse e vëllimit apo metri linear. Estetikisht ajo që më pëlqen mua, neverit një tjetër, dhe anasjelltas. Për më tepër kur çdo mediokër e idiot që shkruan një libër, me shumë gjasa mund të ketë aq shumë lexues sa ta ndjejë veten më gjeni se të tjerët.
Rusët njohin Tolstoin për më të madhin e të mëdhenjve. Francezët pompojnë fort Molieri si një superkomedian. Gjermanët mburren me Gëten. Spanjollët i kanë ngritur monument Servantesit. Ndërsa italianët mbajnë shpresa tek Dante.
Mirëpo, për shkak të famës së tij të pazakontë, i njohur në të gjithë botën tej e tej, Shekspiri mund të mbante mbi kokë kurorën e të gjithëve bashkë.
I vdekur në vitin 1616 Uilliam Shekspir ishte harruar dhe vepra e tij ishte mbuluar nga pluhuri. Por ai që i hoqi pluhurin e harresës, ishte një tjetër gjeni i letërsisë, Johan Volfgang Gëte. Përhapja me shpejtësi e mitit Shekspir erdhi menjëherë pas shkrimtari gjerman e sugjeroi atë për lexim. Dhe ishte në apogje për të paktën 100 vite me radhë kur drejt majës po afrohej një tjetër shkrimtar hyjnor, Leon Tolstoi.
Revista “Time”, e ca kohëve më parë në një studim të publikuar, ku shprehte mendimin e 125 shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur në mbarë botën, vlerësonte si më të famshmin shkrimtari në kohë, pikërisht rusin Tolsto. Dhe pas tij, i dyti në radhë vinte Uilliam Shekspir.
Nuk ka hedhje dorezash për dyluftim. Rokada është bërë tashmë. Dhe sherri mes dy gjenive mbyllet këtu.
Sepse ka ndodhur që në fillim të viteve 1900, Tolstoi të mbante një qëndrim injorues ndaj dramaturgut anglez, duke e klasifikuar atë si autor të rëndomtë, madje imoral.
Shekspiri nuk i përgjigjej dot këtij reagimi, si ndodh sot përmes një statusi në Faccebook.
Nuk dua të futem në vlerësimin e Tolstoi, e as ta kundërshtoj atë. Për më tepër që një gjë të tillë e ka bërë një mëndje e ndritur mes shqiptarësh, Fan Noli, i cili ka botuar dhe shkrimin eseistik me titull “Shekspiri në rrezik” ku që në paragrafin e parë shkruan: “Një bujë të madhe ka bërë një kritikë e filozofit të krishterë rus Tolstoi përmi të madhin dramëtar Shekspir...”
Sot Shekspiri është një nga shkrimtarët më me ndikim në botë, ashtu si dhe Tolstoi.
“S’duhet ta kuptojmë Shekspirin, po ta ndiejmë”, ka thënë Fridrih Niçe, ky filozof gjerman.
Por a kemi të bëjmë këtu me përplasjen e dy shkollave, asaj anglo-saksone nga njëra anë dhe asaj ruse nga ana tjetër?
Kjo po, edhe mund të ketë sens, madje dhe vend për debat.
Gëte ishte në kulmin e krijimtarisë së tij, dhe dishepulli përfaqësues i rrymë letrare “Stuhi dhe vrull”, që pati ndikim të theksuar në letërsinë gjermane, por ai e shtyu njerëzimin ta lexonte Shekspirin, dhe të njihej me gjenialitetin e tij.
Tolstoi u tregua më cinik. Ndoshta thjesht më i drejtpërdrejtë e pa asnjë prapavijë mendimi, si shkak i rivalitetit mes tij dhe një britaniku, për kurorën e vendit të parë.
Por edhe ne se Shekspir nuk i ka pikët e duhura për të qenë shkrimtari më i famshëm i të gjitha kohërave, ai padyshim është një nga dy më të mëdhenjtë dhe kjo nuk i prish punë aspak.
Sot, nuk ka pikë rëndësie kush fshihet pas mantelit të tij. Në ishte një burrë fisnik a një grua oborrtare. Në mbante emrin origjinal të pagëzimit, apo një pseudonim fantazmë. E rëndësishme është teksti. Dhe teksti është shkruar e zezë mbi të bardhë duke mbajtur mbi krye të njëjtin emër: SHEKSPIR. Dhe ne sot, e më parë se kjo ditë, gjykojmë veprën, jo njeriun i cili ka ekzistuar gati 500 vjet më parë. Dhe si i tillë tanimë nuk na intereson fare jeta e tij, në ishte moralist, homoseksual me prirje monarkiste apo nga ato të tipit fashist.
Mbi të gjitha e në çdo kohë ai është SHEKSPIRI.

Frika “e pakuptueshme” nga viruset dhe tërmetet

Nga Leonard Veizi

Koronavirusi nuk ka çfarë t’i bëjë dot botës. As e pakëson, dhe për më tepër, as mundet ta asgjësojë atë. Këtë tragjedi botës nuk ia bëri dot as ebola me ethet hemorragjike, as gripi i derrit i njohur me kodin e frikshëm AH1N1, as H5N1 që u mbiquajt ndryshe si gripi i pulave dhe as viruset e tjera me gjithfarë emra kafshësh që kanë qarkulluar vitet e fundit anembanë globit.
I frikshëm ka qenë vetëm gripi spanjoll i 102 viteve më parë, por edhe pandemia e tij pati “sukses të garantuar”, për shkak të kushteve të tjera të trajtimit njerëzor. Por, botës ky lloj virusi nuk i nxori dot ujët e zi, siç ndodhi në rastin e përmbytjes së madhe në kohën e Noes.
Në këtë mënyrë teoria e prifti Maltus nuk gjeti zbatim as 220 vjet pas shpërthimit të veprës së tij “Essay on the principe of Population”. Bota nuk u bë më e vogël nga Lufta e Madhe ku kufomat qelbeshin nëpër hendeqe, as nga Lufta e Dytë Botërore me ndihmën e madhe të krematoriumit, madje as nga virusi AIDS që doli në treg nga vitet ‘80 të shekullit të kaluar.
Bota ka pak më shumë se 7.5 miliardë njerëz sot dhe bota nuk futet dot në kolaps për çështjen e Krimesë, as atë të Iranit dhe aq më pak për Rripin e Gazës. Kriza më e frikshme në shpërfaqe të saj mund të jetë ajo e ujit. Këtu ka vend për debat.
Teoritë konspirative se viruset qarkullojnë për të ulur numrin e popullsisë, martesat gay dhe ulja e lindshmërisë te gratë nëpërmjet mekanizmave të sofistikuar herë ushqimor e herë mjedisorë, nuk e kanë bërë aspak botën të pësojë një krizë demografike.
Pra, të gjitha janë teori e praktika të dështuara.
Tomas Robert Maltusi, demograf dhe ekonomist anglez, por edhe një prift njëkohësisht, lindshmërinë dhe popullsinë në përgjithësi i konsideronte madhësi të pandryshuar në hapësirë dhe kohë. Në vitin 1798 kur botoi librin “Mbi parimet e popullatës”, pati shpjeguar se popullsia dhe varfërimi i saj nuk vareshin nga kushtet shoqëroro-historike dhe institucionet sociale, por nga të ashtuquajturat ligjet konstante natyrore. Maltusi shtroi çështjen e rregullimit të numrit të popullsisë përmes masave preventive dhe ndëshkuese. Ndër masat preventive ai propozoi: vonesën në martesë dhe përmbajtjen seksuale të njeriut. Kurse ndër masat ndëshkuese parashihte: mungesën e ushqimit, epidemitë, luftërat dhe disa forma tjera antinjerëzore.
Teoria e Maltusit nuk u vërtetua nga zhvillimi i mëpasshëm material e mendor i njerëzimit ndaj dhe u konsiderua thellësisht antishkencor dhe antinjerëzore.
Në vitin 2020, kjo teori quhet e marrë fund. Uria u mposht me prodhimet OMGJ dhe viruset luftohen me gjithfarë injeksionesh antivirus. Ndërsa jetëgjatësia është rritur në kufij të skajshëm. Kështu që, globi do të vazhdojë të shumohet.
Koronavirusi mund të marrë shumë jetë njerëzish, por jo më shumë se një fundjavë me aksidente në një vend të rëndësishëm të perëndimit apo në Indi.
As tërmetet nuk i kanë bërë gjë globit, sado të fuqishëm kanë qenë. Nëse boshti i tokës ka lëvizur, kjo ka ndodhur për arsye shumë më të mëdha nga sa ne e mendojmë.
Tokës i janë dashur 200 mijë rrotullime rreth Diellit derisa numri i qenieve njerëzore të shkonte në 1 miliard. Por, vetëm në 200 viteve e fundit numri i tyre i kaloi 7 miliardët.
Ishte viti 1987, kur bota u bë me 5 miliardë banorë. Vetëm 12 vjet më pas statistikat do të tregonin se bota e vitit 1999 u bë me 6 miliardë banorë. Dhe po 12 vite të tjera u deshën që bota të mbarsej dhe me 1 miliard të tjerë. Pra, çdo 12 vjet me një shtesë njëmiliardëshe.
Dhe nuk po flitet më për uri si 30 vite më parë, por vetëm për etje.
Shkencëtarët thonë se bota është duke përjetuar një mungesë të ujit të pastër dhe kjo vetëm do të keqësohet për shkak të shtimit të popullsisë dhe ndryshimeve klimatike.
Rezervat e naftës janë taposur e dyllosur duke e siguruar lëvizjen motorike edhe për shumë vite, por uji jetik, edhe pse me prurje të njëjta si më parë, do të duhet të mbajë shumë më tepër njerëz në jetë.
Në Australi lajmi që do të vriteshin dhjetë mijë deve se konsumonin shumë ujë, mori dhenë. Ndërkohë, 7,5 miliardë njerëz në botë duan nja dy litra ujë për të pirë çdo ditë, nja 10-15 litra të tjerë për t’u larë dhe nja 20-30 për të shkarkuar WC-të.
Por, edhe kësaj i është gjetur zgjidhja: shkripëzimi i ujit të deteve dhe oqeaneve e ka pakësuar etjen.
E çfarë mund ta bëjë botën të pakësohet…?
Koronavirusi jo një herë, nuk ka shanse. Ai nuk mund ta zvogëlojë dot botën, edhe pse ajo sot nuk është aq e madhe sa dikur.
Vetëm në 20 vite të ekzistencës së tij, interneti na tregoi se globi që na dukej gjigant, i paeksplorueshëm dhe pa një të dytë në galaksi, të na duket fare e vogël, ku njerëzimi mezi qëndron në krah të njëri-tjetrit.

Histeria dhe emancipimi i turmave


Rreth filmit dokumentar “Emancipimi i turmave” të regjisorit Ervin Lera


Nga Leonard Veizi

Historia botërore ka njohur pa fund masa të irrituara që kanë kaluar në ekstrem, vrasje e plaçkitje, ka njohur luftë frontale e revolucione të përgjakura. E në këtë hark kohor dymijë apo tremijë vjeçar, edhe në tokat ilirike e ato arbërore ka pasur furtuna të herëpashershme. Por historia e re e Shqipërisë nuk është se ka surprizuar me revolucione të tipit francez, ku njerëzit hidheshin mbi bajoneta për të marrë Bastijën, as si lëvizja çartiste në Angli pas revolucionit industrial të viteve 1700.
Madje shqiptarët nuk njihen ta kenë ekzekutuar ndonjë drejtues të lartë të shtetit, ashtu si në revolucionin e udhëhequr nga Oliver Kromuelli, i cili në vitin 1649 përfundoi me ekzekutimin e mbretit te Anglisë, Charles I, dhe as si revolucionarët francezë të cilët të udhëhequr nga Maksimilian Robespieri, në vitin 1791 çuan në gijotinë mbretin e tyre Luigjin XVI.
Këto më erdhën ndër mend teksa ndiqja i përqendruar premierën e filmit dokumentar “Emancipimi i turmave”, të regjisorit Ervin Lera.
Po çfarë përmbante dokumentari në tërësinë e tij?
Në 60 minuta gjuhë filmike, Lera ishte munduar të bënte maksimumin e mundshëm, për të trajtuar historinë 30 vjeçare të “revolucioneve shqiptare” të cilat filluan me Lëvizjen Studentore në vitin 1990 dhe përfunduan me një tjetër lëvizje studentore, atë të vitit 2018. Dhe në mes tyre, çudira shqiptare pa fund.
“Ky është një film që nxjerr në pah, apo më saktë të them jam përpjekur që të bëj një vështrim antropologjik dhe filozofik të shoqërisë shqiptarë që nga vitet e pas Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët ku ne jetojmë. Dhe nuk është çudi që nesër kur të presim një protestë të shohim nëse filmi është i vërtetë apo jo”, thotë regjisori Lera. Dhe ka një tjetër përgjigje kur e pyet: A ka turma të emancipuar? “Shqipëria nuk ka turma të emancipuara, por ka turma të paedukuara. Më vjen keq që e them këtë sepse edhe unë, qoftë dhe në pasivitet jam pjesë e këtyre turmave”, shprehet regjisori i dokumentarit “Emancipimi i turmave”.
Duket se në optikën e personazheve publikë që folën në dokumentar, por dhe të vetë regjisorit i cili kërkon ta çonte krijimin e tij drejt asaj hullie, në Shqipërinë e 30 viteve të tranzicionit postdiktaturë, nuk ka pasur një emancipim të turmave, por një keqpërdorje të tyre. Dhe keqpërdorja, për ironi të fatit ka ardhur që në gjenezë, pra që me lëvizjen e parë për demokraci, që në terminologjinë e përditshme sot cilësohet thjesht si “Lëvizja e dhjetorit”.
Padyshim, Lera ka argumentuar mbi 30 vitet e fundit, pasi në 45 vitet e diktaturës komuniste, jo revolucion, por as grupime e nisma kundërshtare mbi regjimin nuk do të kishte. Dhe një gjë të tillë e thotë dhe politologu i njohur Afrim Krasniqi, kur shprehet se: për shkak të moskundërshtimit të diktaturës, shqiptarët mbeten populli që e pranoi më shumë atë në gjysmë shekulli totalitarizëm.
Sipas vijës logjike dhe përfundimit të nxjerrë përmes dokumentarit të Ervin Lerës, në fund e në krye të tij, emancipimi i turmave nuk ka ndodhur përgjatë këtyre viteve, sepse e mbi të gjitha, ata që kanë pasur drejtimin e shtetit, apo të tjerët që e kanë synuar atë, i kanë përdorur këto turma, dhe për më shumë se kaq, i kanë keqpërdorur për interesat e tyre politike.
Dokumentari në fjalë sjell një historik të protestave të mëdha gjatë 30 viteve të fundit, por ajo që të bën të shohësh pak dritë në fundin e një tuneli të errët është protesta e studentëve në vitin 2018.
“Ajo që  ndodhi me studentët në vitin 2018 duhet të ishte përditshmëria jonë në vend të kësaj përditshmërie që ne po përjetojmë”, shprehet regjisori Lera.
Nëpërmjet analizës dhe gjuhës filmike, Lera na sjell gjithashtu edhe prapaskenat e përdorimit të turmës gjatë revoltave kryesore të saj, të cilat kufizohen më së shumti në vitin 1997, 1998 e 2011.
 “Ne kemi shumë nevojë të dalim nga sjellja përmes turmave dhe të hyjmë në sjelljen institucionale. Ky është një nga thelbet e revolucionit demokratik në Shqipëri, që ende nuk është bërë. Nuk janë turmat që mund të imponojnë vendimmarrjen e institucioneve, janë institucionet që janë të zgjedhura apo të emëruara për të mbrojtur apo për të shprehur interesat e demokracisë kolektive përfaqësuese dhe të grupeve të caktuara të interesit” do të shprehej  Përparim Kabo, gjithashtu një prej tre personazheve kryesorë që përbënin boshtin e dokumentarit të Ervin Lerës, për ta bërë atë një të vetëm.
Dhe në vazhdim të argumentit, mund të themi se është krejt kaotike historia shqiptare e pas pavarësisë, me kryengritje, revolta dhe revolucioneve të munguara.
Kjo histori nuk njeh shumë akte njerëzish të revoltuar, që tentojnë të ngrenë krye e të bëjnë revolucione. Dhe nëse merret për bazë kryengritja e Haxhi Qamilit, kryengritja e Fierit qoftë dhe Revolucioni i Qershorit nga Fan Noli atëherë jemi vërtet të dështuar e për të na qarë hallin. Për këtë shkak, edhe revolta ngritur mbi skemën e stisur të rrëzimit të firmave piramidale, erdhi në mënyrën më të keqe të mundshme, një revolucion pa revolucion, ku njerëzit të mbushur me urrejtje drejtonin armët drejt qiellit e zbraznin karikatorët me fishekë në boshllëk dhe pa asnjë kundërshtar konkret.
“Psikologjia e turmave”, u ka marrë shumë kohë filozofëve, antropologëve e psikologëve të dy shekujve të fundit. E kudo kudo që të kërkosh me këtë togfjalësh, do të të dalë si fillim filozofi francez i pas vitit 1800 Gustave Le Bon.
Por me dokumentarin “Emancipimi i turmave” Ervin Lera ka ekranizuar jo vetëm teorinë e filozofit Gustave por dhe atë të Giovanni Pico della Mirandola apo José Ortega y Gasset, të cilët gjithashtu kanë folur e shkruar shumë për psikologjinë e turmave apo janë marrë me studime antropologjike.
Për ta realizuar deri në fund, “Emancipimin e turmave” shqiptare, regjisorit Lera i kanë dhënë një ndihmë të çmuar intervistat-refleksione të Përparim Kabos, Afrim Krasniqit dhe Ben Andonit.
“Të rebelohemi në mënyrën më të edukuar më intelektuale dhe më të disiplinuar të mundshme, të që refuzojmë”, ky ishte dhe një prej mesazheve që vinte përmes dokumentarit, dalë dhe si logjikë konkrete.
Ndërkohë që për të marrë jetë në mënyrë tërësore, me fotografi, e muzikë, skenarin e shkruar po prej tij, Ervin Lera, e ka veshur me figurën e operatorit të njohur Agim Kuri, si dhe muzikën e kompozuar nga Everest Ndereca. Sa për montazh, me të është marrë një tjetër mjeshtër i kësaj teknike, Gjergji Pano.

Monday, December 30, 2019

Gazetarët e Shqipërisë, përse mungojnë martirët e Fjalës së Lirë


nga Leonard Veizi


Ca vite më parë, vendosa të “vras” një gazetar. “Lufta brenda llojit”, do të arsyetojë ndokush.
Mundet...
Por vendimi im për të hequr qafe një njeri të medias nuk kishte të bënte me një akt të pastër terrorist dhe as për të provuar syrin e pushkës duke e marrë nishan drejt e në zemër. Nuk kisha marrë porosi nga askush, madje nuk isha unë dora e zezë e atentatorit me veshje meshini, maskë në fytyrë e silenciator në grykën e pisqollës. Por, i përfshirë isha në krim sa nuk thuhet. Tek e fundit isha urdhëruesi i një vrasjeje ‘makabër’.
Tek e fundit, në një “vrasje” të paralajmëruar, edhe kur ajo ndodh brenda një vepre letrare, autori mbetet gjithmonë ekzekutor.
Kjo ka ndodhur në faqet e fundit të romanit “Rrënimi”.
Por, përse e nisa kështu këtë shkrim...?!
U motivova të hedh ca fjalë e ca mendime, sepse për së fundi lexova axhanset e, “Reporterëve pa kufij”, ku jepeshin të dhëna mbi numrin e gazetarëve të vrarë e të dhunuar anembanë botës. Gjeta aty gjithfarë emra shtetesh ku gazetarët kishin shkuar “mish për top”, ishin vrarë e masakruar, ishin prangosur e dhunuar, apo u ishte mohuar e drejta bazë: liria e fjalës. Dhe të mendosh se për vitin 2019, ishin vrarë 49 gazetarë, 57 ishin kapur peng dhe 389 ishin arrestuar. Por “Reporterët pa Kufij” thonë se tek e fundit viti 2019 kishte më pak gazetarë të vrarë në krahasim me vitet e tjera.
Kjo është ngushëlluese.
Po a janë për t’u marrë shembull këto axhanse?
Sepse në këtë 10-vjeçar, numri i gazetarëve të vrarë nëpër botë kapi majat në vitin 2012 me 147 të tillë, ndërsa një vit më pas, pra në 2013-tën shifra kishte një tendencë uljeje me 143.
Hajde luftë, hajde. Domethënë, në vit vriten më shumë gazetarë se ushtarë në frontin e vendeve të nxehta ku kërcet kallashi dhe hidhen raketa me rreze të mesme veprimi. Thuajse dy kompani me gazetarë.
Gjithashtu “Reporterët pa kufij” theksojnë se vendi me numrin më të lartë të gazetarëve të vrarë është Meksika, Siria, Afganistani, Pakistani dhe Somalia...
Shqipërinë nuk e gjenda kund.
Ja një fakt që duhet marrë me optimizëm.
Nuk kemi asnjë viktimë në radhën e kolegëve. Tani, me thënë të drejtën në Shqipëri janë nja 2000 a 3000 gazetarë, shumica e të cilëve punojnë si anonimë pas ekranit të një kompjuteri. Por kjo nuk ka pikë rëndësie. E rëndësishme është që ne kemi gazetarë edhe pse nuk ballafaqohen me frontin e ashpër të “luftës” dhe merren me thashetheme apo hedhin shashka tymuese.
Liria e fjalës, liria e medias, liria e shtypit, janë shprehje të fort diskutueshme në Shqipërinë e pas vitit 1990. E megjithatë, gazetarët shqiptarë kanë qenë në ballin e luftës. Kanë përballuar edhe ‘96 e rrahjeve pas zgjedhjeve, edhe ’97 terrorin që solli shkatërrimi i firmave piramidale, edhe ’98 e grushtit të shtetit pas vrasjes së një deputeti edhe ’99 e Luftës së Kosovës. Por përballuan dhe 15 marsin e Gërdecit në 2008 apo 21 Janarin e vrasjeve në bulevard në vitin 2011. Por gazetarët shqiptarë kanë pjesën e tyre në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe nuk janë të pakta faktet e denoncuara prej tyre publikisht.
Por asnjë gazetari shqiptar nuk i është shënuar emrin me germa të arta në panteonin e martirëve të fjalës së lirë. Apo qoftë dhe në panteonin e dëshmorëve të rënë në luftë. Sepse Shqipëria ka dërguar në vendet e nxehta detashmentet e Brigadës Komando, por ne nuk njihemi për fabrikimin e gazetarëve të luftës.
Fundja vend i vogël jemi.  
Gjithsesi, nga njëra anë duhet të gëzohemi që nuk kemi viktima mes gazetarësh. Por sa duhet të gëzohemi, thellësisht? Sepse po ta shohësh nga ana tjetër e medaljes, është njëlloj si të gëzohemi fjala vjen që gjatë luftës së Dytë Botërore të mos kishim asnjë luftëtar të vrarë, por luftën ta fitonin gjithsesi.
Ja, kësaj i thonë luftë: Të vrasësh e të mos vritesh.
Dhe ta fitosh një gjë pa luftë nuk është fitore, por dhuratë. Por, të jeni të bindur se, dhuratat e shtrenjta, zakonisht nuk t’i bën kush.
Çdo luftë ka heronjtë e vet. Dhe kauzat e mëdha ngrihen mbi trupat e martirëve.  Kështu ndodhi në Revolucionin Francez ku nën moton “Liri, Barazi, Vëllazëri” u sakrifikua në gijotinë dhe koka e Luigjit XVI.
Shqipëria ka plot heronj, nga ata të pushkës dhe nga ata të penës, që u përpoqën për të ndriçuar mendjen e varfëruar nga otomanizmi. Por viteve të fundit nuk është se kemi nxjerrë ndonjë hero.
Kjo ka dy mundësi, ose ne jemi të paaftë, ose ne dimë mirë t’ia hedhim bythës e të dalim pa lagur. Vija e kuqe është aty, por asnjëri prej nesh nuk ka guxuar ta kalojë atë.
Në Shqipëri nuk vritet njeri për punë idealësh, vetëm kur banditët heqin qafe njëri-tjetrin. Ka pasur gazetar të kërcënuar, të rrahur, të gjobitur nga Gjykata, por jo të vrarë.
Ndaj i vetmi gazetar martir, i vrarë në krye të detyrës, mbetet Rron Grabova, gazetari që gjallonte tek unë në një nga skutat më të errëta, por që gjithsesi nuk e lija të merrte jetë.
Dhe sot, sipas naivitetit tim artistik, ai gjendet i vrarë për fjalën e lirë, sepse zbuloi një korrupsion dhe nuk pranoi ta mbyllte gojën. Por kjo është vetëm një e vërtetë artistike. Një iluzion letrash. Realiteti flet ndryshe. “Reporterët pa kufij nuk e rreshtojnë Shqipërinë në listën e vendeve ku shtypi i lirë në tërësi, apo gazetarët në veçanti, kanë probleme të rënda.
Por as kjo nuk është shenjë e mirë!

Saturday, December 21, 2019

Reportazh/ Atmosferë dramatike në pragun e festave të fundvitit


nga Leonard Veizi

Fund dhjetori. Ditë pushimi. Sa ngrihem në mëngjes, pa larë sytë dhe dhëmbët dhe pa i hequr briskun fytyrës, i propozoj gruas:
⁃Çdo bëjmë sot? I fusim një rrugë andej nga Mulleti a Bërzhita e hamë ndonjë pjatë mish?!
Gruaja tund kokën si për të më thënë se po dëgjonte çudinë më të madhe, pas rënies së tërmetit të 26 nëntorit.
⁃Aty e ke mendjen ti, te pjata e mishit. Nuk e di që jemi drangull në shtëpi!? Apo nuk jeton me situatën?!
Epo ne drangull kemi qenë gjithmonë. Si në kohën kur ndërtonim socializmin me forcat tona ashtu dhe në vitet e Ekonomisë së Tregut me ndihmën e të tjerëve. “Tek e fundit, ç’punë kam unë me drangullin”, desha t’i kthehesha gruas, por në çastin e fundit ndërrova mendje.
- Epo ç’urdhëron moj zonjë... Nga t’ia mbajmë?
U ngritëm për të bërë ritualet e mëngjesit dhe pastaj u mblodhëm bashkë me fëmijët në tryezë si për të marrë vendimin më të mirë të mundshëm.
- Unë them të bëjmë një pazar, - flet gruaja, ndërsa kalamajtë zgurdullojnë sytë. - E nisim nga tregu fshatar se i mbajnë çmimet më lirë. Nuk është shumë larg, shkojmë në këmbë. Fëmijët nuk po i marrim. Pastaj po na vijnë festat dhe duhet të jemi të përgatitur. Furnizohemi mirë e mbledhim mendjen.
Prishur mos qoftë. Ditën e pushimit e bëjmë javën tjetër. Se po e nise ditën me pazar, aha... nuk e merr më veten. Zëre se ke punuar me kazmë apo ke bërë normën në qilizmë. Pastaj ka të drejtë gruaja, Krishtlindjet, Viti i Ri. Se ne në Shqipëri jemi si punë paganësh, i festojmë të gjitha. Presim të na hyjnë dhe festat hindu, se me këto të Lindjes së Mesme jemi rrafshu. Epo... shpirtin shejtanit nuk do t’ia japim. Punë e vetëm punë. Se ne nuk jemi as në Gjermani o të keqen.
⁃Qyqja! - ia pat gruaja sa futemi tek tregu. - Qenkan shtrenjtu të gjitha.
Sa nuk më pushoi zemra. Mendova mos po binte përsëri tërmet e nuk po e ndjeja. Ka 30 vjet i njëjti refren. Bota i ul çmimet për festat, ne i ngremë. Tek e fundit nuk është ndonjë çudi e madhe.
⁃Po ç’na ngatërron me djathëra e sallame gjithë yndyrë, - i them. - Unë them ta shtrëngojmë një çikë dorën. Se kam ndër mend që nga 1 janari 2020 të filloj dhe dietën.
Sapo isha njohur me një metodë të re që prej pak ditësh, e kisha lexuar në internet dhe isha fiksuar pas saj. Në fakt, asnjëra nuk më kishte dhënë efekt deri atë çast. Por kisha besim të patundur tek kjo e fundit.
⁃Pika dietës tënde. Pastaj hallin tënd kam. Po kalamajtë?
Përsëri ka të drejtë gruaja. Epo Viti i Ri. Duhet të gëzojmë. Të hamë e pimë sa të na dhembi barku. Nga 1 janari e tutje ka lezet dieta. Jo për gjë por s’ke dhe nga ia mban, se buxheti ka shkuar në fund dhe duhen ca kohë të mbledhësh veten.
⁃Shkojmë në ndonjë qendër tregtare. Marrim dhe kalamajtë e u bëjmë ndonjë dhuratë për festat.
Demek nga tregu fshatar në atë qytetar. Epo gjysma e së keqes. Më duhet të marr makinën. Të paktën nuk do më zgjaten krahët si tek tregu i fshatarëve.
Te qendra tregtare dukej sikur ishte dyndur gjithë Tirana.
-Ç’ka ndodhur?
⁃50 përqind ulje, - më drejton gruaja vështrimin nga një tabelë e madhe.
Hymë brenda. Humba ekuilibrin nga njerëzit që vinin vërdallë.
⁃Uau! - ia pat përsëri gruaja sa kishte në kokë. - Kam qëlluar me zemër të fortë se do kisha vdekur ne vend. - I ke parasysh, si këto këpucët, në të dalë të sezonit në Milano i gjetëm për 5 euro, këtu me 50 përqind ulje janë 50 euro.
Nuk më kujtohej ky detaj nga udhëtimi i fundit në Itali. Por për një gjë isha i sigurt: që çmimet ishin skandaloze.
⁃Po pse s’i bleve në Milano e kishim rënë rehat?
Gruaja ngriti supet pa dashur t’i bashkëngjitet sarkazmës time.
⁃S’ma mori mendja.
“Herën tjetër”, thashë me vete. Mbase lirohen dhe biletat e avionit.
Vazhduam guidën tonë. Fryma po më zihej. Temperatura e ambientit ishte si në ditët e plazhit të korrikut. Njerëzit ngarkonin karroca me ushqime dhe shkonin me nxitim t’i hidhnin në bagazhet e makinave. M’u krijua ideja e një situate paniku. Para sysh më kaluan imazhet e vitit 1991 kur na thanë se kishte vetëm 6 ditë bukë. Unë vetë, pasi çava në radhë te furra e bukës, mora katër copë. Ti kishim rezervë. Kur shkova në shtëpi gjeta dhe tre të tjera. U furnizuam ding, të kishim bukë pas 6 ditësh. Se kush e di kur do na dërgonin grurë Fuqitë e Mëdha. “Grurë, grurë... Kulakët nuk kanë brirë,... ja kështu nisin e trashin zverkun... Stalini do na sjellë sigurisht... Maunet janë ngarkuar. Maunet apo vaporët???”.  Nisa të qesh me vete sepse m’u kujtuan ca batuta nga romani “Përballimi” i Teodor Laços. Me sa duket zija e bukës na paska kapur përsëri e nuk e kemi kuptuar.
-Mos shpenzo shumë, - i them gruas, - të paktën të na mbetet ndonjë lek sa të hamë ndonjë pjatë supë aty te vetëshërbimi se po na bie barku.
-Ekzakt mor jahu! - ma kthe ime shoqe. - Ikim, se këtu qenka një variant modern i Medresesë kineze.
Ç’na u kruajt të linim rrogën e muajit nëpër tezga. Unë për vete bleva vetëm një çakmak 40 lekë të reja. Të vetmit që u vinte buza vesh më vesh ishin fëmijët që kishin marrë dhuratat e kërkuara. Drejtohemi për nga vetëshërbimi. Radha kishte shkuar 12 metra. Pjatat plastike mbusheshin me kapul: pure, lazanja, musaka, qofte e salsiçe.
Hani o vëllezër hani, sa më shumë yndyrë. Po këtu në Tiranë nuk bën as ftohtë...
Fillova të shfryja. “Pa ngrënë keni mbetur?”, - shpërtheva. Tre veta kthyen kokën. Ca të tjerë bënë sikur nuk dëgjuan. Doja të ikja, por zorrët po më kërcisnin.
-Mos bërtit aman, - m’u lut gruaja, - se ty të kuptoj më mirë kur nuk flet.
Posi pra.
Atë çast gruaja mori dhe vendimin vetëmohues që më preku pa masë, të qëndronte në radhë derisa të mbushte pjatat. Unë u lirova nga detyra.
-Supë dojë zotrote?
⁃Edhe një pjatë pilaf, po qe se të dalin paratë.
Derisa të vinte ushqimi u ulëm dhe hapëm celularët. Secili të vetën. Iphone-i im po del nga moda. Nuk ma mban të blej një të ri. Lajmet vërshuan në ekran: Vetingu, SPAKU, ambasadorja e re, fondet për të pastrehët e tërmetit... Pirdh, pirdh...
Më mirë të kaloja te fashat e Showbizz-it, se sa me politikën e ditës. Me këtë rast çlodh dhe sytë. Është edhe fasha e sportit, por nuk ajo anë nuk para ia them. Një ditë ngatërrova Maradonën me Messin. Epo, të dy me “M” fillonin.
Papritur u ndjeva i lodhur. Shumë më i lodhur se kur mbaja trastat me ushqime që më zgjatën krahët. Kisha nisur të flisja përsëri nën zë: “Vari trapin politikës...”. Në mënyrë krejt instinktive. Fëmijët qeshnin me mimikën time. Isha gati t’u bërtisja, si për të shfryrë tërë dufin e asaj dite pushimi që më kishte ikur kot. Papritur, si për të na shpëtuar të gjithëve, erdhën pjata. Sherret u shuan që në gjenezë.
Ne u shtruam të hamë dhe mbyllëm gojën.